2013-10-03

Vedat Kokona ja kushtoi pjesën më të madhe të jetës dhe të punës rrezatimit të gjuhës frënge.

Nga Flori Bruqi

Vedat Kokona (8 gusht 1913 - 14 tetor 1998) ishte një shkrimtar, përkthyes dhe leksikolog shqiptar, i shekullit të 20-të, i njohur edhe për fjalorët e tij të dyfishtë anglisht-shqip dhe frëngjisht-shqip dhe për kontributin e tij në leksikologjinë dhe leksikografinë shqiptare .

Vedat Kokona lindi më 8 gusht 1913, në Izmir, të Turqisë, nga një familje intelektuale shqiptare. I ati, Elmazi, ishte avokat. Më 1920 kthehet në Tiranë, ku kreu shkollën fillore. Më 1935 përfundoi Liceun e Korçës, pastaj ndoqi studimet e larta në Paris, Francë për drejtësi. Që kur ishte nxënës, ra në sy prirja e tij për mësimin e gjuhëve të huaja. Gjuhën frënge e përvetësoi mjaft mirë. Pas përfundimit të shkollës, u emërua në gjykatën e Krujës, ku nuk shkoi të merrte detyrën. Më vonë, emërohet mësues i Gjuhës Shqipe në Liceun e Korçës. Aty, Kokona, u dallua si një mësues i zoti dhe intelektual neutral. Në fillim të viteve '40 e emëruan në gjimnazin e Tiranës. Me pushtimin fashist, kur Kokona punonte si mësues, do t´i kërkohej që të spiunonte nxënësit dhe të merrej me punë, që nuk mund t´i pranonte karakteri i tij. Kështu, kjo ishte dhe arsyeja që dha dorëheqjen nga profesioni i mësuesit. Pas luftës shërbeu si mësues në gjimnazin “Qemal Stafa”. Më 1949 emërohet redaktor dhe përkthyes në Shtëpinë Botuese “Naim Frasheri”. Për një kohë të gjatë punoi si pedagog në Universitetin e Tiranës. Ai shërbeu si mësimdhënës në katedrën e gjuhës frënge, gjersa doli në pension. Vedat Kokona mban tituj, urdhra dhe dekorata të shumta. Ai është doktor "Honoris Causa" i Universitetit të Tiranës, “Kalorës i Urdhrit të Arteve dhe të Letërsisë”, “Oficeri i Palmave Akademike Franceze”.

Vedat Kokona ja kushtoi pjesën më të madhe të jetës dhe të punës rrezatimit të gjuhës frënge. Ai ishte një nga leksikologët më të mirë të kësaj gjuhe. Nga mendja dhe dora e tij dolën mjaft fjalorë shqip-frëngjisht dhe anasjelltas. Fjalorin e parë e botoi në vitin 1932. Fjalori i fundit është me 40-mijë fjalë. Ai është autori më i rëndësishëm në fushën e leksikologjisë dhe leksikografisë. Kokona është një nga përkthyesit më të njohur të vendit tonë. Qysh në moshë të re dha kontribut të ndjeshëm në lëmin e përkthimeve në poezi dhe në prozë. Nga ai janë përkthyer në shqip vepra të tilla si “Ana Karenina” e Leon Tolstoit, “Fundërrinat” e Maksim Gorkit, “Saga e Forsajtëve” e Xhon Gollsuarthit, “David Koperfild” të Dikensit, “Udha e Volokolamskut” e Aleksandër Bekut, “Stuhi në Gang” e Rabindranat Tagores etj. Kokona ka sjellë në shqip rreth 15 mijë vargje nga poezia botërore. Ai ishte një nga përkthyesit kryesorë nga frëngjishtja, italishtja, anglishtja dhe rusishtja. Me urdhër të nomenklaturave partiake përktheu shumë raporte të kongreseve të partisë, rinisë, të Bashkimeve Profesionale e të gruas që nga Kongresi i Parë e deri tek i shtati. Gjithashtu, ka botuar 30-40 vëllime të përkthyera me urdhër nga lart, nga nomenklatura komuniste.






Në 100-vjetorin e Vedat Kokonës, Biblioteka Kombëtare nxjerr nga arkivat dorëshkrime dhe libra të hershëm të botuar prej tij… Një rrugëtim në jetën e njeriut që i dha jetë në shqip Gorkit, Pushkinit, Shekspirit, Bunn, Vinogradov, Dikensit, Heminguejit, Maria Pujmanovës, Gi De Mopasanit, Zvajgut, madje dhe poezive të Mao Ce Dunit më 1957-n

Vedat Kokona (3)
Në Tiranën e sapodalë nga lufta, disa djem të rinj të veshur me xhaketa elegante, flisnin në shëtitjet e pasdites për shkrimtarë e libra të njohur, që i kishin blerë në libraritë e Parisit, apo Romës ku kishin studiuar… Duhet të kthehesh në kohë gati 80 vjet më parë për të përfytyruar ndoshta zyrën e vogël të një reviste letrare që këta të rinj realizonin të udhëhequr thjesht nga pasioni.


 Në 100 vjetorin e njërit prej këtyre djemve të rinj, Vedat Kokonës, një personalitet në letrat dhe mendimin shqip, Bibloteka Kombëtare ka hapur një ekspozitë me dorëshkrime, librat e hershme të botuar prej tij, gazeta me shkrime të Kokonës që në fillesat e tij të hershme.




 Aty gjejmë dhe dorëshkrimin e zverdhur disi nga koha të “Revistës Letrare”, kopje e 15 shkurtit 1944, botuar nga “grupi themelonjës: Mitrush Kuteli, Vedat Kokona, Nexhat Hakiu, Sterjo Spase”. Eshtë interesante të shohësh përkushtimin e këtyre të rinjve ndaj letrave. Në editorialin me titull “Vija të vitit letrar 1943”, shkruhet se “Viti 1942 u mbyll me një zi të rëndë jo vetëm për botën e letrave por edhe për gjithë shqiptarët. Vdiq Faik Konica, babai I prozës dhe kritikës shqiptare”. Një mendim I thënë haptas për Konicën , për të cilin vite më vonë duhet të kishte kujdes kur shpreheshe. “Librashitasit u shtuan në Tiranë”, thuhet në një fjali të kësaj gazete, e cila duket se ka qënë një tribu për zhvillimet letrare të kohës. Bri dorëshkrimeve të gazetave të vjetra, qëndron dhe
Vedat Kokona (1)
makina e shkrimit ku Kokona e ri, e më pas në moshë kalonte orë të tëra për të sjellë në gjuhën shqipe kryevepra të letërsisë botërore. Shumë pranë makinës së shkrimit, ndodhen disa fletë të shkruara në frëngjisht me shënimet e autorit, të pazverdhura nga koha. Duket sikur gjithçka ka ngelur aty si vite më parë, dhe tastierën e makinës së shkrimit mjeshtri do ta prekë sërish me gishtat e tij… Kjo ekspozitë është një homazh për Kokonën, këtë mëndje të zgjuar të letrave shqipe, I cili e solli Europën dhe Perëndimin shumë lehtë në Shqipërinë komuniste me librat e tij….

Gorki, Pushkini, Shekspiri, Bunn, Vinogradov, Dikensi, Hemingëay, Maria Pujmanova, Gi De Mopasan, Zvajgu, madje dhe poezitë e Mao Ce Dunit më 1957-tën. Gjithë ketë jetë e liri që vjen prej këtyre botimeve që datojnë që në vitet 40-të, ia dedikojmë Kokonës, këtij burri që na shfaqet në foto I qetë, por mbarte brënda tij një dashuri të pafundme për dijen. Kjo ekspozitë është dhe një udhëtim në rrugën e tij drejt letrave…
Vedat Kokona (2)
Në gazetën “Demokratia “ më 21 tetor 1933, kur Kokona duhet të ketë qënë vetëm 20 vjeç, është botuar novela e tij “Lutja e fundit” e cila shoqërohet bashkë me një shënim të redaksisë :”Nga novelat e paraqitura në konkursin “Letrat të Valles së Shtypit”, çmimin e parë e fitoi novela “Lutja e fundit” e z. Vedat Kokona, student nga Gjirokastra, çmimin e dytë e fitoi novela “Kështu vdesin burrat” e Z. Mazreku, student nga Shkodra, çmimin e tretë novella “Ndër zana” e z. Asim Sokoli”.


Mendimi kritik I Kokonës shfaqet që në shkrimet e tij të hershmem, teksa shkruan për Naim Frashërin…Me librave të hershëm të tij, gjejmë dhe botimin e parë të “Nga Tirana në Stokholm” i shtypur nga shtypshkronja “Nikaj” më 1935-sën.


Një libër i dashur ky për Kokonën, ky i shkruar atëherë kur në vitet e hershme të rinisë, vetëm 22 vjeçar, student dhe plot ëndrra, i dashuruar me jetën, realizoi një nga dëshirat e tij më të zjarrta: një udhëtim në vendet skandinave. “Në zemrën time, një dëshirë vlonte: të dilja njëherë nga Shqipëria e të shikoja dhe unë botë me sy”, do shkruante Kokona.


 Ky libër është dhe një paralajmërim për ardhjen e një shkrimtari dhe intelektuali në botën letrare shqiptare. Në çdo vend që shikonte Kokona kërkonte ta krahasonte me mundësitë e Shqipërisë për të qënë i tillë.



“Shqipëria jonë është e bukur… mund të ndërtojmë godina ku do mblidhen nesër djemtë e katundeve e të qyteteve, që do përhapin dritën e qytetërimit. Natyra na ka dhënë më tepër nga ç’na duhet. Megjithatë kjo nuk është mjaftë. Duhet të punojmë më tepër. Vendi unë duhet të bëhet një vend ideal turizmi. Vendin tonë të huajt nuk e njohin fare si vend turizmi. Po ta njihnin jam i sigurt se do të vinin nga ana e anës për ta vizituar”, shkruan ai.
Vedat Kokona (4)
“Nga Tirana në Stokholm” nuk është vetëm një përshkrim i ndjerë e plot emocion,që na sjell peizazhe dhe histori vendesh mes këtyre dy stacioneve, por është edhe një dëshmi e stilit dhe talentit të Kokonës si shkrimtar i sukseshëm i viteve 30-40-të, i cili mund të kishte vazhduar të shkruante letërsi nëse Shqipëria e tij e dashur, nuk do të ndryshonte kahet politike pas luftës.


Kokona zgjodhi të fliste përmes shkrimtarëve që zgjidhte për të përkthyer, e që shpesh i imponoheshin, por pavarësisht kësaj ai nuk e tradhtoi asnjëherë gjuhën. Ai dinte të hynte thellë brenda një shkrimtari, pasi e ndjente shpejt gjuhën e tij… Bri dorëshkrimeve pafund dhe librave që janë në një farë mënyre dhe historia më e suksesshme e botimeve shqiptare në këto vite, qëndrojnë dhe fjalorët e tij, duke filluar nga i pari i botuar më 1932 dhe i fundit më vitin 1940-të. Ky 100 vjetor është dhe një ftesë për të zbuluar Kokonën, në gjithë dimensionin e tij, një pjesë e të cilit ka mbetur në arkivën e kohës…

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...