2013-09-30

Ryzhdi Baloku:E VRANË NË PIKË DITE TE URA E ZALLIT...!


image


Në pasditen e vonë, frynte një erë me rribë e riga shiu me intensitet të dobët, që dukej si të ishte në të sosur. Kur era pushoi, retë filluan të zhdavariten e të lundrojnë në qiellin e kaltër si fregatat në detin e qetë, të cilat mandej njëra pas tjetrës zhdukeshin në horizontin e pafund.

Pas ndërprerjes së reshjeve të shiut, dielli filloi të rrezatojë mbi hapësirën e qytetit dhe malet përreth. Me atë rast u shfaq koloriti i ngjyrave të shumta në grykë. Ylberi e kishte shtrirë shokën e gjatë në hark si të ishte një portë parajse, në sfondin e të cilës dukej panorama me bukuritë e vargmaleve të Alpeve shqiptare.

Nuk zgjati shumë kohë, dielli nisi të zhytej pas bjeshkëve ngadalë, si një paralajmërim se muzgu i mbrëmjes po afrohej.

Me të rënë të errësirës Sokol Malësorit iu kujtua se ishte koha e lajmeve. Pa vonuar shumë e kyçi radion dhe e shtypi tastin e valëve të shkurta, për ta dëgjuar “Radio Tiranën”. Pas përfundimit të emisionit informativ, redaksia e saj dha komentin e paralajmëruar të “ATSH”-ës rreth ngjarjeve në Kosovë, ngase milicia dhe UDB-a jugosllave kishte ndërmarrë një fushatë të gjerë arrestimesh, për të cilën agjencia e lajmeve “TANJUG” kishte informuar opinionin se të arrestuarit shqiptarë kishin formuar grupe ilegale me qëllim që Kosovën dhe viset tjera të banuara me shumicë shqiptare t’i shkëpusin nga Jugosllavia, për t’ia bashkëngjitur Shqipërisë.

Më përfundimin e këtij radioemisioni, Sokolit iu duk vetja si të ishte në zgrip. Sipas asaj që dëgjoi, konstatoi se përmbajtja e këtij komenti dukej si një reagim i ashpër verbal, mirëpo në thelb s’ishte asgjë tjetër pos një përgjigje për t’i treguar Jugosllavisë se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale ndaj saj. Nga dëshpërimi i doli një psherëtimë e fortë nga gjoksi. E shkyçi radioaparatin e u mbështet për qoshe të divanit. Mendtë i shkuan te të arrestuarit dhe birucat e burgut që dikur i kishte përjetuar edhe vetë. Kur iu kujtuan metodat e torturave të cilat i zbaton UDB-a gjatë procedurave hetimore, iu drejtua Zotit me lutje që t’i shpëtojë ata nga dora serbe prej xhelati dhe udbashëve shqiptarë, të cilët në ato momente shndërroheshin në bisha, me qëllim që ta dëshmonin lojalitetin ndaj pushtetit jugosllav.

S’i hiqeshin nga mendja skenat e dhimbshme të ndodhive nëpër burgjet e Serbisë, derisa dikur vonë pas mesnate e zuri gjumi ulur në divan, ku edhe e kaloi atë natë të mundimshme deri në mëngjes.

Me të gdhirë, koha mori me diell. Asnjë re nuk shihej në horizont. Moti filloi të ngrohej shpejt, saqë në mesditë nëpër rrugët e boshatisura dukej se edhe toka po digjej flakë. Por, menjëherë pas muzgut të parë natyra filloi të freskohej prej flladit që frynte nga gryka, ndërsa në qytet nisi të gjallërojë jeta.

Kur lëvizjet e njerëzve në orët e para të mbrëmjes kishin filluar të shpeshtohen, u dëgjua trokitja në derën e oborrit. Sokoli u ngrit ngadalë nga divani, por Trimi ia priti:

- Babë, po shkoj unë të shoh se kush është jashtë që po troket.

- Jo biri im, ti ri brenda se po dua pakëz të eci që t’i çlirojë këmbët, ia ktheu me një ton të mekur.

Kur doli në oborr e dëgjoi thirrjen:

- O Sokol Malësori, a je në shtëpi ?

Iu duk një zë i njohshëm, prandaj prej së largu u përgjigj:

- Po-po hajde byren, dera s’është e mbyllur, ende s’ia kemi vënë rezen.

Në atë çast dera u hap dhe burri u fut brenda.

Prej së largu e vërejti se kush ishte. Pa e ndalë ecjen në drejtim të tij, iu drejtua:

- Mirë se të ka pruar Zoti, o shoku im i vjetër.

Pas disa hapash, kur Sokoli iu afrua dhe e përshëndeti me shtrëngim të dorës, e pyeti:

- Po si të kam bre Mic daiu ?

- O Sokol Malësori, po duhet më thënë “mirë” edhe atëherë kur nuk po është ashtu.

Sokoli nuk e vazhdoi më tutje me dialog, por njëherë ia këqyri çehren, pastaj ia vuri dorën përmbi supe dhe e drejtoi kah shtëpia që të hynte brenda.

Para shtëpisë në oborr kishte dalë Trimi për ta nderuar ardhjen e tij. E dinte se Mici ishte njëri nga shokët me të cilët dikur babai kishte qëndruar më shumë se një vit kaçak në male, prandaj ndjente një konsideratë të veçantë për të.

Kur asokohe situata politike në vend ishte qetësuar pakëz, këta ishin dorëzuar pas një ndërmjetësimi me premtim se do t’u mundësohet një gjykim korrekt e pa kurrfarë trillimesh. Përkundër kësaj, pas dorëzimit, të gjithë u torturuan dhe u dënuan me nga rreth një decenie burg të rëndë secili nga ta.

Me të arritur para shtëpisë, Trimi e priti Micin me një përshëndetje të ngrohtë, duke e drejtuar me dorë që të hynte brenda.

Që të tre u ngjitën shkallëve përpjetë në drejtim të odës së burrave. Posa hynë aty dhe u ulën nëpër divane, Sokoli i tha:

- Çlirohu Mic, rehatohu mirë.

Derisa Mici përpiqej për të zënë vend të përshtatësh në divan, Sokoli e futi dorën në xhep, e nxori ngadalë çakmakun të cilit iu ndie era e benzinës, dhe së bashku me qesen e duhanit ia drejtoi të birit me dorë.

Trimi e kuptoi domethënien këtij gjesti, u ngrit në këmbë, e i mori ato për ta shërbyer mysafirin duke ia vënë përmbi tryezë, të cilën e kishte para vetes.

Sokoli e ktheu shikimin kah ai e i tha:

- Mic, mbështille një për qejfin tënd.

Pasi e mbaroi cigaren pa i shkoqur sytë nga letra, Mici e mori qesen me duhan së bashku me çakmakun që e mbante në dorë e iu drejtua Trimit:

- Ktheja Sokolit që edhe ai ta mbështjellë ndonjë.

Trimi nuk ia mori qesen, por e nxori pakëz duhan sa për nja tri a katër cigare së bashku me disa letra, e ia dha babait.

Kur Sokoli filloi ta mbështjellë duhanin me letër, Mici nisi të flasë:

- Pa ardhur këtu, isha për t’iu dhënë kurajë në familjen e Zekës që ua arrestuan djalin e madh-Gjinin. Dëgjova se po i akuzonin për vepra të ngjashme me tonat që asokohe na akuzonin ne, prandaj po supozoj se edhe dënimet do t’iu shqiptojnë si neve dikur, ngase kemi të bëjmë me të njëjtin regjim.

Në një takim të rastit që pata me një mik, më tha se shërbimet sekrete ende po gjurmojnë. Sot herët në mëngjes, milicia dhe UDB-a i kishte bastisur disa shtëpi të lagjes, afër rrugës ku banon ai.

Sokoli ia ktheu:

- Mic, a po të kujtohet “Koha e Shqipnisë”. Me para të majme paria e jonë mezi pati arritur ta rekrutonte një informator serb për t’u shërbyer tanëve. Mirëpo, ai nuk iu shërbeu gjatë, dolën të vetët dhe e vranë në pikë të ditës te ura e Zallit. Pas këtij rasti, “me pishë e me qiri” s’mund të gjendej serb a malazez që do ta kryente atë detyrë, po t’u jepje para edhe me thes, derisa prej tanëve që punonin për ta kishte me bollëk.

Shpeshherë i kam bërë pyetje vetes: Si i zbuloi UDB-a këto organizata ? Pastaj, kush i tradhtoi e spiunoi ?

Konsideroj se akti i tradhtisë së zbulimit realizohet më me kollaj kur veprën e spiunazhit e bën i yti e jo i huaji, prandaj mendoj se pos tanëve, tjetërkush nuk ka mundur ta kryejë këtë punë ? !

Është interesant se si këta bastardë dinë t’i arsyetojnë punët e veta të liga. Si duket, shërbimi sekret ka angazhuar specialistë nga fushat e caktuara të psikologjisë, për tua shpërlarë trurin, prandaj të tillët kanë bindjen se të gjitha punët që po i bëjnë për këtë shtet janë vepra fisnike në shërbim të mirëqenies shoqërore.

Për këtë bindje të ndyrë kam mësuar nga një bisedë rasti e bërë kohë më parë.

Një ditë e kishim lënë që të takoheshim me Zekën në restorantin e hotelit që është në bulevard. Meqë kisha arritur para tij, u futa brenda. Derisa aty po rrija ulur pranë një tavoline, nga hija që më shtrihej përpara e diktova se dikush më ishte afruar te shpina e po qëndronte në këmbë. Kur e ktheva kokën mbrapa, e njoha një udbash shqiptar, që dikur para se të punësohej aty kishte qenë konfident i Vuja Vojvodiçit, i cili asokohe ishte kryeudbash i këtij regjioni. Derisa e kundroja në heshtje ai nisi e po zgërdhihej me dinakëri. Pozita e tillë bëri që mos të ndjehesha mirë dhe menjëherë e ktheva kokën. Ai pa u vonuar shumë doli para meje. U kërrus pakëz e i mbështeti të dy duart përmbi tavolinë, pranë të cilës po qëndroja. Pasi m’i nguli sytë me shikim si dhelpra, më tha:

- Tungjatjeta shoku Sokol, a mund të ulem e të bëj një bisedë të shkurtër me ty ?

U mendova: Pisi, po do që të pranishmit të më shohin në shoqëri me të për të më komprometuar. Ia ktheva:

- Së pari nuk të kam shok, ndërsa nëse mendon të më përfitosh, kot e ke, sepse bindjet e mia janë formuar me kohë.

- Me ata që dua t’i përfitoj nuk bisedoj në vende publike si këtu ku mund të na shohin botërisht, - m’u përgjigj me një ton të ngritur.

Pa ia dhënë lejen u ul në karrige që ishte përballë meje. U detyrova t’i them:

- Me njerëz të profesionit tënd nuk kam dëshirë të rri.

- Ty të njoh si njeri bamirës, - ma ktheu me një timbër të zërit prej lajkatari, pastaj vazhdoi: - Edhe profesioni im është i tillë, për këtë arsye kemi për çfarë të bisedojmë.

- Tani po e marr vesh se edhe dajaku na qenka mjet bamirësie, - ia drodha fjalëve të tija.

Pas këtij dialogu, ai nisi të qeshej me zor, por si e ndaloi atë krrokamë prej idioti, përnjëherë u mrrol në shenjë nervozizmi duke shprehur seriozitetin kërcënues. Më tha:

- Dëgjo Sokol, po desha, tamam me dajak mund të të sjell në zyrën time, por ti nuk po kupton pse profesioni im me të vërtetë është human. Ne të sigurimit shtetëror jemi si mësuesi apo hoxha e prifti. I mësojmë e i këshillojmë të tjerët, që mos të ecin në rrugë të gabuar. Pa ne, vendi do të mbushej me hajna, vagabondë e kriminelë. Merre me mend çfarë kishte me ndodhë në një rast të tillë ! Do të mbretëronte një anarki, e cila qytetarëve do t’ua bënte të pamundur një jetë normale.

- Derisa ai po fliste, mendohesha se si t’i përgjigjem. Rashë në hall se çka t’i them, ngase vetë ata ishin të tillë, deri në bërryla i kishin të ngjyera duart me gjak. Po t’ia thosha ato fjalë, mund ta ftonte milicinë të më arrestonin e rrahin me pretekst se e kam fyer shtetin. T’i përgjigjesha me alegori, përsëri do të më priste e njëjta gjë, shkas i të cilës do të ishin shpifjet e fjalëve që do të m’i montonin. Dikur pa bërë zë kalova në tavolinën tjetër më larg. Të pranishmit e vunë re reagimin tim. Tërë kohën më shikonin, derisa unë rrija larg tij i revoltuar.

Kur erdh Zeka, e hetoi se isha i shqetësuar, prandaj pa tentuar që të ulej me pyeti:

- Çfarë ka ndodhur Sokol. U ngrita në këmbë, e iu përgjigja:

- Ta ndërrojmë lokalin pastaj të tregoj. E ftova kamerierin që t’ia paguaja kafen. Si dolëm jashtë ia tregova rastin “pikë e për pe”.

Mici ngrysi pamjen, dhe pas një kujtese të shkurtër tha:

- O Sokol Malësori, “uji fle e hasmi s’fle”. Ti si veteran lufte fort mirë e di se kolona e tretë mund të shkakton humbje të paparashikueshme. Si duket, dikush nga spiunët e UDB-ës me përkatësi shqiptare i ka zbuluar konspiratorët.

- Mic, kjo që po e thua është e vërtetë, por higjiena është një kusht i domosdoshëm për mbarëvajtjen e pastërtisë, - ia ktheu Sokoli për të vazhduar me metaforë: Kur frynë lega, dyert dhe dritaret e shtëpisë s’lihen hapekrah, sepse i tërë bërlloku dhe pluhuri i rrugëve futet brenda. Nëse rastësisht ndodh kjo dukuri, atëherë së pari pastrohet ambienti përbrenda, e tek mandej përjashta.

Në ndërkohë u dëgjuan hapat e të ecurit nëpër dyshemenë e korridorit. S’vonoi shumë kur në derë të odës hyri Tringa e ua solli kafe. Sokoli e ndërpreu meselenë.

Posa ajo u largua, këta filluan t’i pinin kafet pa folur. Sokoli po kujtohej sesi ta thyente këtë heshtje. Mendoi: Më se miri është që ai të flasë. Pas pak, iu drejtua:

- Mic, po si po mbahej plaka e Zekës.

- Po çka të them more Sokol, as kur i vdiq Zeka shoku saj i jetës s’rrinte më mërzitshëm se tash. S’ka faj e shkreta, ka mbetur me të renë dhe nipat e vegjël. Njëri djalë tashmë në burg, ndërsa i vogli në Prishtinë po e vijon shkollimin e lartë, por si duket po iu duhet t’ia ndërpresin studimet që të punojë, sepse nuk po kanë asnjë burim jetese. Më thanë se janë në hall të madh derisa të gjejë punë ai djalë.

- Dëgjo Mic, asnjëra prej familjeve tona nuk e ka gjendjen ekonomike aq të mirë sa duhet, mirëpo derisa ata të bëjnë çare, ne shokët duhet, madje, e kemi për obligim të kujdesemi për ta, së paku t’ua sigurojmë ushqimin.

Mic, ti je më i riu prej shokëve, merre iniciativën dhe fol me të tjerët, që sipas mundësive t’u ndihmojmë bashkërisht të gjithë nga pak, ky pushtet mezi pret që familjeve të të burgosurve politikë t’u thyhet morali për kafshatën e gojës.

- O Sokol Malësori, për këtë punë mos ki kasavet, nëse jam gjallë e shëndosh, që nga dita e nesërme do të angazhohem.

Biseda vazhdoi me evokime kujtimesh e ngjarjesh nga koha e vuajtjes së dënimeve, kur Sokolin me Zekën e disa shokë i transferojnë në burgun “Zabella” të Pozharevcit, ndërsa Mici me të tjerë mbesin në “Bella Kuqa” të Nishit.

Bisedë pas bisede, koha iu kaloi me shpejtësi, derisa Mici e vërejti se akrepat e orës e kishin kaluar mesnatën, kërkoi falje për këtë vonesë, u ngrit ngadalë për të shkuar. Kur u përshëndeten jashtë derës së oborrit, Mici nxitoi sokakut teposhtë. Edhe pse ai u largua bukur larg, Sokoli ende s’lëvizte nga vendi duke e vështruar me vëmendje derisa hyri në errësirën e natës e s’shihej më.

Kur u kthyen brenda dhe shkuan për të fjetur, Trimit filluan t’i sillen në kokë vërdallë ngjarjet e dëgjuara në këtë mbrëmje, për të cilat babai nuk i kishte folur asnjëherë më herët.

Duke e imagjinuar atë kohë, filloi t’i parafytyrohet pamja e babait dhe shokëve të tij, sikurse në skenat e filmave nga periudha e mesjetës, të gjithë të lidhur me pranga zinxhirësh për duar e këmbë.

Përkundër tentimit që të flinte, assesi nuk arrinte të rehatohej. Përpëlitej në shtrat duke u rrotulluar herë në shpinë e herë në krah, sepse mundimi shpirtëror nuk po e linte rehat, derisa dikur vonë para mëngjesit kur kënga e gjelave kishte nisur të dëgjohej dhe lodhja e kishte bërë të veten, atëherë Trimin mezi e zuri gjumi.



Fragment nga romani në dorëshkrim ..., i përgatitur për botim.

Biznismeni dhe investitori Elon Musk parsheh reduktimin e rrezikut të zhdukjeve të njerëzimit duke bërë jetën multi-planetare" duke i vendosur -koloni njerëzore në planetin Mars.

    Kërko brenda në imazh                                                           Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...