Fragment nga romani në dorëshkrim
Gjatë luftës së dytë botërore, diku kah fundi i asaj periudhe flitej odave e kuluareve sesi shërbimi inteligjent kontra-informativ i ushtrisë gjermane ishte vënë në kërkim të disa konfidentëve komunistë të cilët punonin për llogari të shërbimit informativ serbo-malazez, në territorin e kësaj ane. Në mesin e këtyre emrave flitej se lakohej emri i Maleckit, për të cilën gjë edhe ai vetë kishte marrë vesh.
Kur i ngushtohet rrethi që të zihet, ia mësyn konakut e i bie në besë një bariu shqiptar, i njohur me nofkën Xuq, me familjen e tij kishin pasur kumbari. Për ta shpëtuar Maleckin, ai e merr dhe e strehon në tëbanën e bjeshkës ku veronte bagëtinë.
Me përfundimin e luftës, kur forcat gjermane u tërhoqën dhe pushtetin e morën komunistët, Maleckit iu rrit nami, madje arriti të pozicionohet në një funksion të lartë krahinor.
Pas një kohe, ky pushtetar malazez vendos ta vizitojë shpëtimtarin e tij shqiptar. Ngaqë kishte një funksion bukur të lartë në strukturën e shtetit, këtë vizitë kumbarës ia bëri nën përcjelljen e suitës personale. Me t’u shfaqur te dera e kasolles, Xuqi trazohet për një çast, por kur në mesin e tyre e sheh Maleckin, frika i hiqet si me dorë. Menjëherë del jashtë e i fton të hyjnë brenda për t’i gostitur me atë që i kishte qëlluar, edhe pse kushtet ekonomike nuk i kishte aq të mira, sepse tatimet ishin të larta dhe profesioni prej çobani nuk krijonte të ardhura të mjaftueshme për një jetë normale.
Derisa pinin kafetë, Malecki nis t’i flasë Xuqit për qëllimin e vizitës, duke e artikuluar njëkohësisht prepotencën me lavdërim, i thotë:
- Kam ardhur me ta kthye borxhin si shpërblim për të mirat që m’i ke bërë gjatë luftës.
Me të dëgjuar fjalën shpërblim, menjëherë i shkon mendja te zgjidhja e enigmës për dhuratën që do ta marrë.
Mendon: Nëse e ka sjellë ndonjë orë xhepi me qostek apo orë të dorës, atëherë do të më vërë në siklet. Do të turpërohem kur dikush më pyet: Xhaxhi Xuq, sa është sahati ?, e unë nuk do të di t’i përgjigjem ! Jo-jo nuk mund të ndodhë kjo, sepse ky e di mirë që jam i pashkollë. Me siguri ma paska sjellë ndonjë çibuk qelibari, sepse gjithmonë e kam pasur merak. Duke e imagjinuar dukjen e tij, nis ta paramendojë veten sesi do të krenohej para të tjerëve kur ta ndezë cigaren. Kjo dëshire i zgjati për aq kohë derisa ia dëgjoi fjalët Maleckit që i tha:
- Këtë punë çobani që po e bën duhesh ta lësh, unë do të punësoj ty në qeverinë popullore, madje dua që të pozicionoj në njërin prej resorëve më të rëndësishëm që i ka shteti jonë. Pas këtij propozimi urdhërdhënës, Xuqi i përgjigjet:
- Me gjithë respektin që kam për ty, më duhet të ta them se jam i padije për ato punë, nuk mund ta pranoj, jo pse nuk dua, por unë nuk di shkrim-lexim, këtë e di ti.
Pas këtij refuzimi, Malecki nga sëkëlldia ia nis të qeshë me tërë fuqinë që kishte duke u çjerrë me një zë të lartë. Pasi qetësohet dhe e merr veten, i thotë:
- Tamam, mu për këtë na duhesh, se të shkolluarit dinë të bishtnojnë, ty të njoh si njeri të sinqertë e besnik, si i tillë na duhesh. Do të ta caktojmë një detyrë të lehtë, me një pagë mujore sa të fitimit vjetor që e ke nga blegtoria. Ti vetëm do të merresh me firmosje shkresash të përgatitura nga të tjerët, do të mësojmë t’i nënshkruash ato, që punën ta kryesh si duhet. Pos kësaj, po ta tregoj edhe një fshehtësi, këtë nuk duhet ta dijë askush. Kemi në plan ta bëjmë kolektivizimin e pronave, e tërë pasuria do të grumbullohet nëpër kooperativa, prandaj po të udhëzoj që bagëtinë ta shesësh sa më shpejt që mundesh. Duhet ta dish se këtë punë që po e bëj për ty, nuk do ta bënte as vëllai yt, të cilin ta ka lindur nëna, por ne malazezët jemi si ju shqiptarët, nuk i harrojmë aq lehtë të mirat nga e kaluara e po ashtu unë nuk e harroj kumbarinë tonë.
Derisa Malecki i shpjegonte për të ardhmen e tij, Xuqi filloi t’i llogarisë fitimet. I doli aq sasi e madhe parash, saqë u mahnit prej asaj shume. Paramendon: Me parat e grumbulluara nga shitja e bagëtisë do ta filloj ndërtimin e një godinë të re banimi, ndërsa me kursimet nga rroga do t’i përfundoj të gjitha punët, pastaj dhomat e kësaj godine do t’i shtroj me qilima sirianë, si nëpër saraje.
Derisa Xuqi po e paramendonte dukjen e shtëpisë së re në të cilën do të jetonte me familje, vegimin e kësaj imagjinate ia ndërpreu Malecki kur i tha:
- Për fillim do të vendosim të banosh në gjysmën e shtëpisë së një mikroborgjezi që është krejt afër institucioneve krahinore, por me përfundimin e punëve të njërës prej godinave të para shumëkatëshe që po ndërtohen, qeveria popullore do të ta japë një banesë komfore në shfrytëzim të përhershëm.
Pas këtij premtimi, Xuqi nisi të nxehej edhe më shumë. E paramendonte veten si një personalitet të rëndësishëm, i cili s’do të mendojë më për kafshatën e gojës, por gjithnjë e më tepër do ta rriste pasurinë.
Nuk shkoi gjatë, Xuqin e ftuan për të punuar në seksionin krahinor për punë të brendshme. Gjatë asaj kohe, ia nisi ta vijojë kursin në “shkollën e natës” për ta mësuar shkrim-leximin dhe elementaren nga aritmetika, pa shkëputje nga puna.
Pas këtij shkollimi të cilin e kreu me procedurë të shkurtuar, një ditë ishte mallëngjyer për vendlindjen dhe të afërmit e tij me të cilët ishte rritur, prandaj vendos që pushimin javor ta kalonte atje.
Ditën e parë të vikendit i vizitoi shtëpi për shtëpi pothuajse tërë farefisin që jetonin në fshatin e tij të lindjes. Të nesërmen që ishte ditë tregu në qytet, e kishte planifikuar t’i shihte shokët e fëmijërisë, të cilët konsideronte se do t’i gjejë në pazar të bulmetit, ku ata zakonisht dalin për t’i shitur produktet e qumështit. I veshur me sqimë e gazetë në dorë do t’u afrohej ngadalë që ta shohin se Xuqi s’është më analfabet.
Kur deshi të nisej për në qytet, ndjehej plot elan. Me nxitim doli në rrugë, dhe me një frymëzim të harlisur vazhdoi të ecë lagjes përpjetë, por si arriti në kodër larg shtëpive të fshatit e ngadalësoi hapin, pastaj në qetësinë e asaj vetmie e pyeti vetveten: Kush po të nxiton o burri botës, ndale turrin se ende është herët, atje mund të arrish për më pak se dy orë këmbë ? ! U ndal për një çast e ia lëshoi sytë hapësirës përreth. Natyra me pamjen e saj dukej si një vend pikniku me bukuri të veçantë. Frynte një fllad me ajër të pastër e aromë të këndshme, që e sillte puhiza e mëngjesit, e cila dukej sikur po e ledhaton peizazhin.
Nuk vonoi shumë me këtë kundrim, e u lëshua rrugës të poshtë. Konfiguracioni i vendit e detyronte t’i hidhte hapat më shpjet se sa që dëshironte, si arriti në xhade përsëri e ngadalësoi ecjen.
Derisa në këtë ecejake po e sodiste panoramën përball, prapa vetes e dëgjoi trokëllimën e patkonjve dhe rrotave të qeres. U skajua pak dhe vazhdoi t’i qesë hapat ngadalë cepit të rrugës pa e kthyer shikimin andej. Malli për këtë anë e bënte që këtë rrugëtim ta përjetonte si një shëtitje në natyrë. Nga kjo kënaqësi nuk dëshironte të shkëputej për asnjë çast.
Kur iu afruan kuajt përbri, karrocieri e ngadalësoi shpejtësinë, sepse pos tij edhe të tjerët që ishin në qerre menjëherë e njohën. Që të gjithë përnjëherë si një kor polifonik iu drejtuan me përshëndetje:
- Mirëmëngjesi shoku Xuq.
Ky, me një lëvizje të shpejtë ua lëshoi sytë pothuajse të gjithëve rend. I njohu, ishin bashkëfshatarët e tij dhe ua ktheu:
- Tungjatjeta burra.
Njëri e pyeti:
- Shoku Xuq, kah ia ke mësyrë kaq herët ?
- Po shkoj në shehër për ta blerë gazetën, - iu përgjigj me krenari.
Tjetri që ishte më anash ulur në qerre, ia priti:
- Çfarë të duhet ajo kur ti nuk di të lexosh ? !
- Po e shoh se nuk qenkeni në dijeni, atëherë po ju tregoj, – ia drodhi Xuqi me gjakftohtësi dhe vazhdoi - Atje në shehrin e madh, krahas punës në organet krahinore e kam vijuar edhe shkollimin, madje e kam përfunduar me sukses të lakmueshëm.
Pas këtij dialogu të shkurtër, karrocieri ndërhyri:
- O Xuq, mos të ardhtë mërzi, hajde hip në qerre sepse edhe ne po shkojmë andej kah shiten gazetat.
Ndonëse shkuarjen në qytet e kishte paraparë që ta bënte këmbë, megjithatë i erdhi keq ta refuzojë ofertën e tij. Pa hezituar hipi në qerre e u ul në mesin e tyre.
Sa për t’ia filluar muhabetit i pyeti.
- Si po ia kaloni o burra ?
Njëri iu përgjigj:
- Besa qysh kush ? !
Mirëpo, tjetri që ishte më i riu prej tyre, e plotësoi:
- Dikush diqysh, e dikush kurrqysh !
Meqë Xuqi e njihte mentalitetin dhe filozofinë e gjuhës së kësaj ane, këtë e kuptoi si një denoncim kundër regjimit, kështu që menjëherë ndërhyri:
- Ç’të keqe ka ky pushtet që juve po ju mungon, kur dihet se në këtë sistem shtetëror të gjithë jemi të barabartë.
Kësaj radhe, më i vjetri prej të pranishmëve iu përgjigj:
- More shoku Xuq, a nuk të ka treguar baba se sa hunin e kemi “hëngër” prej xhandarëve të krajlit ? ! Tash edhe këta po na japin dajak, njëjtë si ata dikur.
Para do kohësh isha për t’u përshëndetur me Malon, sepse mora vesh se i kishin përgatitë e bërë gati plaçkat për t’u shpërngulur në Turqi. Njerëzit shkonin e dilnin nga shtëpia e tyre si në ndonjë pamje mortore. Atë ditë, kur shkova te ta, i gjeta si qyqet në oborr të shtëpisë. M’u duk se edhe fushat e malet përreth tyre rënkonin përvajshëm. Më besoni burra, edhe qeni i tyre kuiste me dënesë. Dikur ai i ngjante një ujku të tërbuar, ndërsa atë ditë dukej si një manar, sillej herë te njëri e herë te tjetri anëtar i familjes e ua lëpinte këmbët, si t’i luste të mos e lëshonin shtëpinë.
Aty në fund të oborrit, Maloja rinte galiç mbështetur me shpinë për koshin e misrit. Nga çehrja e ngrysur vërehej se ishte zhytur në mendime, Zoti e di se çfarë bluante në kokë ? !
Kur arrita diku kah mesi i oborrit, tek atëherë m’i lëshoi sytë, megjithatë nuk e çeli gojën, ngase si duket prej mërzie s’i dilte as zëri, por me atë rast e çoi dorën përpjetë që ta shihja, pastaj ngadalë u çua në këmbë dhe përsëri u ul. Kur ai e ngriti dorën kah qielli, mua në atë çast më vajti mendja te Krijuesi. M’u duk si me më thënë: Ai lart atje që është në gjithësi e paska shkruar kështu !
Jo, jo, këtu poshtë në këtë botë, ky pushtet u çua lugat e po i kurdisë këto punë, - iu përgjigja më vete.
Meqë e kisha pa hile dhe e doja si vëllanë, me t’iu afruar me zë të ngritur i thash:
- Pse bre Malo po e lëshoni vatanin, e po shkon për mos t’u kthyer kurrë më këndej ? ! Këtu të kanë lindur babë e nënë, gjysh e stërgjysh. Varret e tyre do të mbesin të shkreta pa ju. Ti e di mirë se rrënjët tua i ke këtu. Atje, ku ia ke mësyrë, s’do t’ju thonë as “puna mbarë”. Në dheun e huaj do të jesh si një lis pa rrënjë. Era e parë që do të fryjë, do të ju rrëzojë përdhe.
Pas këtyre fjalëve ai brofi në këmbë sikur ta kishte thumbuar grerëza. Më këqyri për një çast si me habi, ngase s’i kishte pritur këto fjalë prej meje. Pasi mori frymë thellë, m’u përgjigj:
- Mos qofsh në lëkuren time o miku im !
- Pse, a mos e kam unë lehtë ? – ia ktheva prerazi, me qëllim që mos ta lija ta gjente ndonjë shkak për arsyetim.
E pashë se u trazua nga fjalët e mia. Me një ton të ngritur nisi të flasë:
- Dëgjo burri i botës, këta bijtë e kudrës, lëre që ma fikën konakun, kërkonin prej meje të bëhem edhe hafije ! A mund të durohet ky poshtërim ? ! Iu thashë: more xhahilë, më pushkatoni edhe mua, se më lehtë do ta kem. Atëherë ata më lidhën “duar e këmbë bashkë”, pastaj më “zdruhatën” dajak për qejfi.
Ai e zhveshi këmishën e ma ktheu shpinën. Çfarë me pa ! Trupi iu kishte bërë çivit, i tëri i ishte nxirë. Vende-vende kishte vragë të rënda që i kishin mbetur prej rrahjes me kërbaç.
Pasi e përthekoi këmishën, u kthye nga unë e më tha:
- Nuk po mundem më të rezistoj.
Fjalët e tij si rrebesh me plumba më goditën në zemër. Nuk gjeja shprehje t’i përgjigjem, buza më dridhej, nisa të përlotem. Të mos më shihte në këtë gjendje trazimi, u detyrova t’ia kthej shpinën. Në atë çast, matanë oborrit e pashë plakën e tij duke hyrë në hajat të shtëpisë. Iu afrua magjes së miellit, e ia vuri duart sipër. Nisi të flasë më vete. Megjithëse isha larg saj, në qetësinë që mbretëronte e dëgjova regëtimën e fjalëve:
- Oh e mjera unë e mjera, sa shumë bukë i gatova këtu, o magjja ime. Të gjithë fëmijët e nipat i rrita me ty. O i madhi Perëndi, me të gjitha këto po pajtohem që të hallallosem, por si me e lënë dritën e syve të mi, birin tim, loçkën e zemrës sime. Oh e mjera unë e mjera, si nuk vdiqa deri tash për të qenë pranë varrit të tij që mos ta lë vetëm.
Pakëz më anash, para shtëpisë rinte ulur e reja e tyre si në kujtesë mbi cungun e druve duke e mbajtur kokën me duar.
Njëri prej dy kalamajve të saj, diku në mes të oborrit e kishte marrë qenin e i fliste, me njërën dorë e përqafonte e me tjetrën ia përkëdhelte trupin, duke i thënë:
- Larosh, o i miri Larosh, të dua shumë Laroshi im, lamtumirë Larosh, do të më marrë malli për ty o i miri im ...
Xuqi kishte hapur veshët duke e përgjuar me një qëndrim të shkalafitur prej qyqari.
Kur plaku përfundoi rrëfimin, vazhdoi me pyetje:
- A e dini përse nuk iu pata kundërvënë më tutje Malos ?
Meqë asnjëri prej të pranishmëve nuk foli, atëherë ai vetë u përgjigj:
- Sepse e dija që ishte në hall të madh. Nuk e kishte lehtë ta lërë varrin e të birit të vetëm që ia kishin ekzekutuar partizanët, e tash në pleqëri t’ia mësynte shkretëtirave të Anadollit.
Me të dëgjuar për këtë pushkatim, Xuqi ndërhyri në bisedë, por toni i zërit e tradhtoi kur nisi të flasë:
- E kam njohur të ndjerin. Ishte njeri i dijshëm, s’ishte sherri i kurrkujt ! Po s’e di sesi ndodhi e rrodhi puna që e pushkatuan ? !
Rrëfimtari i kësaj ngjarjeje vazhdoi:
- Biri i tij ishte një intelektual i rrallë i shkolluar në Vjenë të Austrisë. Flitej se në një bisedë private e paska barazuar fashizmin me komunizmin bolshevik. Mirëpo, ti shoku Xuq sigurisht që më së miri e di pse e pushkatuan ?
Me nënshkrimin tënd është dërguar në atë dynja, madje kolegët tu të partisë nuk e lanë familjen e tij as që ta hapnin derën për ngushëllime.
Xuqi u mbërdhez nga denoncimet që i bëheshin. Ra në hall si të përgjigjej. Mendoi pak e tha:
- Si kam mundur ta dijë asokohe, kur pos parafit që më mësuan ta shkruaja, unë s’kam ditur fare të lexoj, e lëre më ta di se çfarë shkruante në ato dokumente të komplikuara ? !
- Lakmia shoku Xuq lakmia, - iu përgjigj plaku. Paraja ta ka verbuar mendjen. Po mos të ishte lakmia ti nuk do ta nënshkruaje asnjë dokument.
Xuqi e hetoi se kishin arritur në qytet, dhe si arritën te kioska e parë, zbriti nga qerrja. Kur ata u larguan, Xuqi u mendua pak dhe vendosi të mos shkojë në pazar për t’i takuar shokët, e parandiente se edhe ata do t’ia thoshin po ato fjalë që i dëgjoi gjatë rrugës. E bleu gazetën menjëherë dhe mori rrugën këmbë për t’u kthyer në fshat.