Para pak javësh Sh.B.Nacional nxori nga botimi Romanin më të ri të shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj me titull "Ankthi i së vërtetës". Është një libër tronditës me temë sociale, që vjen si rezultat i mohimit të realitetit në diktaturë, ku njeriu paskesh qenë "kapitali më i çmuar", kurse gruaja që lind jetën, "një qenie e vyer", si dhe familja, si qelizë e shoqërisë baza sociale për një "shtet të fortë e të palëkundur". Në këtë libër autorja përmes mendimit filozofik, nxjerr qartë se e vërteta e hidhur është e vështirë të pranohet, është ankth frymëmarrës të tregohet dhe pasoja e së vërtetës së mohuar...është torturë të jetohet. Kur mbaron së lexuari, mes mendimeve të thella , lexuesi pyet ndërgjegjen: "Kështu ka ndodhur vërtetë?!
Dy fjalë për Vilhelme Vranarin
Vilhelme Vranari (Haxhiraj) (u lind më 8 dhjetor 1944 në Kaninë të Vlorës), pinjolle e familjes së princit Gjergj Arianiti. E përndjekur nga lufta e klasave, më e egra që ka njohur njerëzimi, edhe pse iu mohua çdo e drejtë humane, sepse pas burgosjes së të atit, xhaxhait dhe vrasjeve makabre të një xhaxhai, tre kushërinjve të parë dhe internimit të famijes së saj, ajo mundi të arsimohet. Ia ndaluan diplomimin në Histori-filologji, e pushuan nga puna dhe Vihelmja mundi të diplomohet në fakultetin histori-gjeografi. Pas rënies së diktaturës komuniste, rinisi punë në arsim. Kjo i dha mundësinë të shpalos talentin e saj si veprimtare për emancipimin e gruas, si luftëtare në mbrojtje të të drejtave dhe lirivev të saj. Duke kërkuar më shumë nga vetja, krahas punës për demokratizimin e shoqërisë, Vranari gjeti veten në letërsi, vuri në jetë talentin e ndrydhur dhe të mohuar. Tashmë ajo njihet jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë kufijëve të Shqipërisë, si poete, romanciere, autore e prozës sè shkurtër, në letërsi për fëmijë dhe publicistikë. Puna e saj ka tërhequr vëmendjen e jurive dhe kritikës kombëtare dhe ndërkomëtare, tashmë e vlerësuar me 17 çmime letrare, nga këto shumica "Çmime të Para", "Medalje Argjendi","Medalje Ari","Çmimin e Karrierës", deri në Urdhrin "Mjeshtre e Madhe e Penës". Natyrisht ky sukses e gjen përgjigjen te puna e saj voluminoze dhe cilësore, si autore bashkëkohore, që e ka pasuruar kolanën e letrave shqipe me 33 tituj librash.
Mes dritë-hijeve që krijojnë brazdat e kohës
Romani më i ri i shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj është “Ankthi i së vërtetës”. “Ankthi i së vërtetës” është vërtet ‘ankth’. Një ankth që vjen tek lexuesi mes poreve të gurta të jetësisë dhe ngjeshet brenda dritë-hijeve të tyre si një gangrenë që prodhon të padukshmen dhe të patundshem e rrezikshme. “Ankthi i së vërtetës” është pushtet, është meskinitet, është perifrazim, por është edhe asfiksi. Është vërtet “ankth frymëmarrës” që në trokitjen e hapjes së autores alarmon me: ky është “Ankthi që i mohimit të vërtetës”, që e mbn brenda vetes heshtja.
Heshtja
“Sa shtrenjtë kushton heshtja vallë?
Besoj se s'ka as limit dhe as masë,
hesht...vetëm ai,
'Askushi'...
një qenie pa identitet,
mohon jetën e dinjitetin e vet,
që nuk e di se...
të jesh prind është përgjegjësi,
s'di cili është ...
dhe kujt kombi i përket.
Një i tillë...
a mund të jetë gjykatës
i ndërgjegjes së vet ?!
Kurrë...!
Veç ankthi i së vërtetës e tremb...
oh, sa e tremb...
dhe për jetë atë e mban peng...!”
Vivra
Heshtja, poezia, me të cilën nis ky libër, është ‘askushi’ ajo qenie pa identitet. Ajo qenie me fuqi që bëhet gjykatës, ajo qenie që shemb e strukturon sipas shijes së athët të jetës. Ajo qenie që struket mes heshtjes dhe ndërton kala të madhe me bedena vuajtjesh dhe grimash njerëzore. Në këtë sfumim gjërash “heshtja" pasojë e "Ankthit të së vëretetës” është vetë morali që ndërtohet në labirinthe të tretshme mes vetë ankthit rrënues. Ky ankth rrënues është në fillimet e demokracisë, por ai sapo ka nisur udhën e tij mes ‘të tjerëve’, atyre që tashmë janë vetë mbushësia e kësaj ankth-jete: “Të tjerët ishin qeveritarë, politikanë ose tregtarë, shumica e të cilëve sapo kishin nisur karrierën politike apo administrative”. Janë këta ‘të tjerë’ që sapo kanë nisur të ndërtojnë brendinë e ankthit. Por vetë ata janë larg ankthit, janë larg e shumë larg atij…, se ata janë zyra, vula vetë, po aq edhe doganierët e uniformat e shtetit. Ata janë vërtet të tjerët. Janë … ‘të therrët’! Të therrët në ecje, të tillë në paraqitje. Kanë lindur të bëhen ndryshe. Ndryshe në hapjen e re demokratike. Dhe pjesa tjetër është në vëzhgim. Në atë sykapje që kërkon mes makthit dhe ankthit...: “Si në lajthitje e sipër padashur pyet : Ndërsa ndjen peshën e rëndë të presionit, dhunës psikologjike, denigrimit, keqtrajtimit, të duket vetja një zero, një inekzistentë. Në këtë kohë vë duart në kokë dhe këlthet: ”
Dhe vërtet më pas ‘ankthi’ prodhon kreshendon e vet. Atë kreshendo që përtypet nën dhëmbë e që stilohet në tru. Kërkohet si në rolin e një hulumtuesi në atë hapësirë për të përlogaritur çdo hap, çdo detaj, çdo ngjyrë, ku sundojnë larushitë e natyrës, çdo trokamë ku vetëm ajo e identitet-humburit rrëshqet si slitë akulli mes asaj vape të tretshme trupore. Është një tundim i gjallë. Një tundim që rrënkon me fatin e prodhuar nga “mohimi i së vërtetës”.
“Ankthi së vërtetës” është moduli më i nevojshëm i prozës për ditët që pasojmë. Është vetë moduli që bashkon tërësinë tonë në katër cepat e botës. Është ai modul që i afrohet gjithënjeriut me e pa identitet të lexoj fatin e tij në tri kohë. Në tri kohë që flasin e heshtin njëherazi. Në tri kohë që kapërcejnë edhe hapësirën e qiellin…, vërtet deri në skajshmëri!
Kjo skajshmëri herë diktohet herë filozofohet. Herë renditet në dritë-hijësi argumentesh e herë struket nën vëtë kumtin e heshtjes që kërkon me ngut garancinë e ruajtjes "të së vërtetës së hidhur”. Këta tipa që janë dhe mbeten produkt i një kohëbote tjetër në udhë të krisura me mendje të acarta. Dhe e acarta nuk vonon. Ajo vjen në kohën dhe vendin e duhur, me dimensionin e njëriut në moshën e tri kohëve: “I moshuari, ndryshonte shumë nga i riu. I veshur elegant dhe me atë qëndrimin e tij të ftohtë me këdo, me siguri që krijonte një farë ndarjeje, e cila vihej re në distancën që shihej mes tyre. Ndryshimi dukej me lehtësi në paraqitjen e jashtme, në sjelljen dhe veçanërisht në psikologjinë e secilit.” Dhe është mosha e tretë, ajo që formon të padukshmen në persiatjen e njeriut vëzhgues. Është vetë mosha që udhëton dhe ka pikëtakim me të tjerët. Ndoshta jo me ata që vinin në atë karvan të gjatë hallesh të njëjta, por në atë karvan me dritë-hije të padukshme. Dritë-hije që takohen e mbesin vetëm produkt i kalbësisë, produkt i tokës në errozion. Në këtë erozion janë edhe pyetjet që vrasin, edhe pse heshtin e nuk flasin: “Lëvizjet e tij ishin të ngathta dhe të drojtura. Tek ai vihej re një heshtje prej varri. Përse vallë?! Ç’mendime i gëlonin në mendje? Përse dukej aq në kundërshtim me veteveten, sidomos me paraqitjen e jashtme? Përgjigjet e pyetjeve të bëra rreth personit të tij do të ngeleshin memece. Tek ajo heshtje e zymtë fshihej mundimi, vuajtja dhe e vërteta, të cilën njeriu e merr me vete kur vdes. Kërkon ta mbajë të varrosur nën tokë. Banesa e përjetshme i do të fshehtat të gjitha për vete.”
Por e gurta bën të vetën. Ajo mes ngurtësisë së saj, forcës së materies, forcës së vetë gurit qartësohet lehtë e lehtë: “Asgjë…Kur ai arrin në përfundimin se ka jetuar hiçin, pyet veten:"në heshtje:"- "kjo ishte përshtypja që më la ky njeri i ngurtë si guri.”
Romani i shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj përmban rreth 120 citime dialoge dhe monologe tejet filozofike nga karakter-folësit që krijojnë identitetin e tyre të heshtur në tërësinë e faqeve të tij. Tendenca mbizotëruese në kurën moderne të gjuhës që përdorin ata është jo ajo tradicionalja e margjinalizuar mes dëshirave apo kushteve të përcaktuara të këtyre folësve por gjuha e krijuar mes thjeshtësisë dhe mes një logjikë-praktike që vetë ata përfaqësojnë (disa herë përfaqësohen në narrativin e autores). Pra ata janë të konsideruar si lapidarë gjuhësorë dhe letrarë, dhe citimet e tyre letrare, ndërsa prezantohen për lexuesin, më tej rinjihen si ndikime trajtuese dhe diskrete nga ato të tjerat, që në mjaft romane vijnë të ‘rënda’ në dialogje, monologje të gjata, apo edhe në korniza të hapërdara mes vetë narrativit. Romani i shtron ‘sfidat’ me këtë këndvështrim duke u fokusuar në pyetjen e mëposhtme: Deri në çfarë mase mund të merret si vlerë e cituar një karakter-fiktiv folës në roman, kur dihet e thuhet nga vetë autorja se ka një identitet të veçantë, por edhe të debatuar në formacionin e ankthit?
Dhe natyrshëm mes ankthit si një kundrinë që rreket të definojë paksa argumentin e shtruar vjen “Trishtim?!”.“Trishtim?!” në roman, mes shoqërisë së pikëpyetjes dhe pikëçuditjes është vetë gangrena e heshtjes për një përgjigje të nxituar. Shkrimtarja na dikton udhëtimin në kohë tjetër dhe hap disi një hapësirë për të riargumentuar, teksa njeriu i kohës së mekur, që ndërtonte vetë me forcat e tij socializmin kishte fat-trupin e tij ‘identitet’ mes qyngjeve: “-Ne ndërtojmë socializmin. Vendi ynë ka vetëm fitore dhe jo humbje apo viktima. Vetëm këta trupa që shihni këtu, gjeti policia në vendin e aksidentit. Kjo ndodhi për faj të shoferit, të cilin e pret qyngja. Nëse nuk di ta përshkojë atë, atje le t’i dalë shpirti, në shtëpi pa qira. Kjo është politika e Partisë sonë bujare. Këta fatkeq do të mjekohen falas nga shteti dhe do të shkojnë në shtëpitë e tyre si kokrra e mollës. Në vendet kapitaliste do t’i kishin lënë në mëshirën e fatit. Pa paguar shërbimin shëndetësor, me siguri do t’i kishin lënë të vdisnin në mes të rrugës. “-ishin fjalët e rrobalarëses së kirurgjisë që mbajti atë ligjëratë fare pa arsye dhe pa vend. Më vonë mësova se ishte sekretare e organizatës bazë të partisë në pavion.
" -Pse në qyngje?!
-Bir, kështu quhet vendi ku nuk ke të drejtë të dalësh prej andej, pa të ta bërë kurrizin më të butë se barkun. Qelia e burgut i ngjan qyngjes se është e ngushtë sa një arkivol, ku nuk lëviz dot as djathtas as majtas. Madje nuk mund të ulesh as galuç. Kush nuk ka vullnet për ta përballuar, del me këmbët bigë prej andej.”
Kështu udhëtimi në kohë, hapësirë e vend na sjell e na risjell fate të ndryshme, me e pa idnetitet duke menduar fortë në atë që dihet e lexohet qartë mes faqeve të romanit:
“Ankthi i së vërtetës”-mendoja më të keqen dhe gati vrapoja pa qenë në vete, si e çmendur.
Këtë udhëtim e ndjen nëpër faqet të romanit mes ankthit për të vërtetën mes një mori elementësh nga më tërheqëset dhe më të arriturat, me një gjuhë të qashtër e mjaft fine. Mjafton të citosh një fakt “Krimi nuk kryhet vetëm me plumb. Ai më vrau pa e përdorur pushkën. Tashmë jam viktima e tij…”-ku kupton qartë forcën me të cilën autorja paraqet këtë gjuhë të hapur në mjaft dimensione kulturash. Dimensione që do ta mirëprisnin mjaft mirë këtë roman.
Ja, pse pra udha e projektuar nga “Ankthi i së vërtetës” është udha globale e prozës, udha që kalon kufij të leximit dhe kërkon tokën dhe gjuhën tjetër, gjuhën e njeriut, gjuhën e njeriut larg dhe afër argumentit identitet. “Ankthi i së vëretetës” është vetë pjesa që rrëmon në identitet njerëzish, po aq edhe vlerash që herë pikëtakohen në letrësinë fituese e herë në letërsinë konkuruese. “Ankthi i së vërtetës” është një roman për vetë këtë strukturë me të cilën ndërtohet vetë artikulimi i respektit ndaj letrave.
Londër,Shtator, 2011