Prof.dr. Eshref Ymeri
(Nëpër faqet e librit të prof.dr. Rami Memushaj“Gjuha shqipe në shtratin e Prokrustit”)
U bënë tash sa vjet, që pas vendosjes së pluralizmit në vendin tonë, që ka plasur një debat lidhur me gjuhën e njësuar shqipe apo me shqipen standarde. Kundërshtarët e gjuhës së njësuar, janë të mendimit se në themel të saj duhet të vendoset dialekti i gegërishtes, meqenëse ai përfshin pjesën dërrmuese të popullsisë shqiptare, duke pasur parasysh edhe trevat matanë kufirit politik të Shqipërisë Londineze. Por kur vëren se ç’kriter është marrë parasysh për krijimin e gjuhës së njësuar edhe në vende të tjera, rezulton e kundërta. Kriteri i shumicës së popullsisë nuk është marrë për bazë.
Në vende të ndryshme evropiane, si kriter bazë për krijimin e gjuhës së njësuar, është marrë dialekti i kryeqytetit ose një dialekt tjetër.
Gjuha standarde gjermane, në dallim nga praktika e shumicës së vendeve evropiane, përfaqëson në vetvete diçka të mesme mes dialekteve të brezit të mesëm dhe të brezit verior të territorit gjerman. Kurse dialekti berlinez, përkundrazi, kuptohet me vështirësi nga banorët e rajoneve të tjera.
Për krijimin e gjuhës standarde ruse, është marrë si kriter bazë dialekti i Moskës dhe i rrethinave të saj, të cilat nuk banohen nga pjesa dërrmuese e popullsisë ruse.
Themelet e gjuhës së njësuar ruse filluan të hidheshin në gjysmën e parë të shek. XIX, pikërisht në periudhën e krijimtarisë letrare të Pushkinit.
Në gjuhën italiane, në themel të gjuhës së njësuar, u vu dialekti i Toskanës, paçka se krahina e Toskanës zë një sipërfaqe jo më shumë se 23 mijë km². Ky dialekt, në procesin e zhvillimit, u largua më pak se të tjerët nga gjuha latine. Ai erdhi duke ndryshuar ca nga ca, në një drejtim, pa pasur ndonjë ndikim të fuqishëm nga gjuhët e tjera.
Duke filluar nga mesjeta e vonë, ai u vu në themel të gjuhës letrare italiane, në saje të veprave klasike të Dante Aligierit (1265-1321), të Françesko Petrarkës (1304-1374) dhe të Xhovani Bokaços (1313-1375). Në vitin 1861, pas bashkimit të Italisë dhe shpalljes së Mbretërisë Italiane, si gjuhë zyrtare, për komunikim ndërkrahinor, nën ndikimin edhe të shkrimtarit Aleksandro Manxoni (1785-1873), u zgjodh pikërisht dialekti i Toskanës.
Edhe në rastin e gjuhës shqipe u zgjodh një dialekt, dialekti i toskërishtes, si bazë për normëzimin e saj
Ithtarët e ndryshimit të gjuhës së njësuar shqipe dhe të zëvendësimit të saj me dialektin e gegërishtes, duhet ta sqarojnë publikun shqiptar, para së gjithash, për faktin se për cilin nëndialekt të gegërishtes e kanë fjalën.
Sepse në rajonet shqiptare të Mbishkumbinit fliten disa nëndialekte të gegërishtes, duke filluar nga Durrësi deri në Strugë, nga Elbasani deri në Shkodër, Ulqin e Tivar, nga Gostivari, Tetova, Shkupi e deri në Pejë e Mitrovicë, nga Tirana deri në Podujevë.
Objekt i sulmeve të ithtarëve të ndryshimit të gjuhës standarde, është bërë Kongresi i Drejtshkrimit, i cili hodhi themelet e normëzimit të shqipes për mbarë shqiptarët e trojeve tona etnike.
Ai Kongres pati një rëndësi të jashtëzakonshme për kodifikimin e gjuhës shqipe, në kushtet kur në Kosovë shovinizmi serbomadh po mundohej me të gjitha mënyrat për të nxitur krijimin e të ashtuquajturës siptarski jezik, që na qenkej “e ndryshme” nga albanski jezik e Shqipërisë Londineze.
Kongresi në fjalë bëri një përgjithësim të të gjithë përvojës së grumbulluar për lëvrimin e gjuhës shqipe që prej gjysmës së dytë të shek. XIX, që lidhej me fillesat e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, deri në fundin e viteve gjashtëdhjetë të shek. XX, dhe shënoi piketat për normëzimin e saj në një Kuvend të Madh Mbarëkombëtar, me përfaqësues nga të gjitha trevat etnike.
Sot, kur kanë kaluar mbi dyzet vjet që nga koha e Kongresit të Drejtshkrimit dhe kur shqipja është tashmë një gjuhë e normëzuar për mbarë trojet tona etnike, disa ndërakademikë, të cilët na paskan krijuar edhe një të ashtuquajtur Këshill Ndërakademik, janë ngritur kundër një normëzimi të tillë dhe kërkojnë përmbysjen e tij, meqenëse, siç deklarohet në shtyp, 70% e shqiptarëve komunikuakan në dialektin e gegërishtes.
Pra, sipas këtyre ndërakademikëve, ne, shqiptarët, nuk paskemi punë tjetër, vetëm se duhet të merremi me mohimin e historisë pararendëse dhe fillimin e saj nga e para. Vallë nuk u bëka përshtypje këtyre ndërakademikëve fakti që Enver Hoxha i vuri vizën tërësisht historisë së Mbretërisë Shqiptare, e cila na paskej bërë vetëm të liga në kurriz të popullit shqiptar dhe historia e tij duhej të fillonte pikërisht që nga 8 nëntori i vitit 1941?
Një sërë politikanësh që morën karriket e pushtetit pas vendosjes së pluralizmit në vendin tonë, patën kërkuar që t’i vihej kryqi gjithçkaje që ishte bërë gjatë periudhës së sundimit komunist dhe historia e Shqipërisë duhej të fillonte vetëm që nga dhjetori i vitit 1990.
Udhëheqja e formacionit politik që erdhi në pushtet pas zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, që gjatë fushatës zgjedhore dhe pas kësaj date, s’ka lënë gur pa lëvizur për të na mbushur mendjen ne shqiptarëve se formacioni pararendës që pati pushtetin për 8 vjet, nuk paska bërë asgjë të mirë, madje paska bërë vetëm shkatërrime, dhe historia e Shqipërisë duhet të fillojë përsëri po pas kësaj date, histori që udhëheqësi i formacionit në fjalë na e quan Rilindje. Pra, kësaj Shqipërisë Londineze na i qenka taksur që të ketë Rilindje kohë pas kohe.
Mohimi i historisë pararendëse ne shqiptarëve na ka futur në një rrugë pa krye, na ka përçarë dhe u ka bërë shërbimin më të paimagjinueshëm armiqve tanë shekullorë që na kanë rrëmbyer trojet etnike.
Nga përvoja ime, gjatë udhëtimeve nëpër troje shqiptare këtej dhe matanë kufijve politikë, kam vënë re se nuk kam ndier kurrfarë vështirësie në komunikimin me bashkatdhetarët e mi, kudo që ndodhen, në hapësirën e Mbishkumbinit.
Gjatë viteve ’90 të shekullit që lamë pas, më qëlloi rasti ta vizitoj Kosovën pesë herë, duke u ndalur edhe në treva shqiptare të Maqedonisë, si në Strugë, në Tetovë dhe në Shkup. Kam pas hyrë në biseda me njerëz nga më të ndryshëm, që nga intelektualë e deri te fshatarë apo punëtorë të thjeshtë.
Në Kosovë komunikimet i kam pasur të shumta jo vetëm në qytete të tilla, si Prizreni, Suhareka, Prishtina,Kaçaniku, Peja, Ferizaj, por edhe në zona të thella fshatare, si në fshatin Grejkoc të komunës së Prizrenit, apo në fshatin Krushë e Madhe, etj. Me të gjithë këta bashkatdhetarë të mi jam marrë vesh për bukuri, sikur të isha në ndonjë qytet apo fshat të Shqipërisë Londineze, qoftë në jug, apo qoftë në veri, siç më pati rastisur të kuvendoj gjatë me ca djem të rinj kuksianë në një kafene aty pranë Morinës.
Unë nuk kam pasur dijeni të plotë për nismën e ndërakademikëve për rishikimin e drejtshkrimit të shqipes së normëzuar. Madje, vitin e kaluar, pata komunikuar me internet që nga Kalifornia me një profesor të mirënjohur të gjuhës shqipe në Tiranë se ku qëndronte thelbi i atij rishikimi.
Nga përgjigjja e tij, mësova se ishte fjala vetëm për ca përmirësime të vogla. Kur u ktheva në Tiranë në mars të këtij viti, rastësisht takova në rrugë edhe njërin nga akademikët e Këshillit Ndërakademik dhe e pyeta për ca gjëra të çuditshme që më kishin rënë në sy për problemin e rishikimit të normës drejtshkrimore. Edhe nga përgjigjja e tij mësova se nuk paskej ndonjë gjë për t’u shqetësuar.
Por kohët e fundit, më ra në dorë një vepër mjaft interesante, me një informacion shkencor shterues rreth pikësynimeve të të ashtuquajturit Këshill Ndërakademik për rishikimin e drejtshkrimit të shqipes së normëzuar. Kjo është vepra me titull “Gjuha Shqipe në shtratin e Prokrustit”. Këtë libër, gati një muaj më parë, e ka hedhur në qarkullim në Tiranë Shtëpia Botuese INFOBOTUES.
Ajo ka për autor Prof.dr. Rami Memushaj, një personalitet i shquar i gjuhësisë shqiptare, një mjeshtër i vërtet i gjuhës shqipe, një specialist me emër në lëmin e drejtshkrimit të shqipes për 35 vjet me radhë, i cili, me veprat dhe me shkrimet e botuara shkencore, ka dhënë dhe vazhdon të japë një kontribut të jashtëzakonshëm si pedagog pranë Katedrës së Gjuhës Shqipe të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës.
Nga leximi me shumë kërshëri i kësaj vepre shkencore, mësova se në përbërjen e Këshillit Ndërakademik për rishikimin e shqipes së njësuar, Prof.dr. Rami Memushaj nuk figuruaka!!! Madje këtë Këshill e paska braktisur edhe një figurë e shquar e shqipes së njësuar, bashkautori i veprave “Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe” dhe “Fjalori Drejtshkrimor i Gjuhës Shqipe”, Prof.dr. Emil Lafe.
Por, çuditërisht, jashtë Këshillit Ndërakademik qenë lënë edhe dy shkencëtarë të shquar të përtejkufijve politikë, Prof.dr. Isa Bajçinca dhe i ndjeri Prof.dr. Fadil Sulejmani (që ndërroi jetë më 11 shkurt 2013), themelues i parë i Universitetit të Tetovës në vitin 1994, që të dy njohës të mirë të drejtshkrimit.
Madje, për përfaqësimin në këtë Këshill, Prof.dr. Memushaj vëren:
“Në ngritjen e Këshillit Ndërakademik u vu re qysh në fillim një shpërpjesëtim në përfaqësim, të paktën në përbërjen e komisionit për drejtshkrimin, i cili ishte më kryesori për vetë mprehtësinë e problemeve që do të kishte për objekt” (f. 31).
Prof. Memushaj ngre një problem mjaft shqetësues, për të cilin Akademia e Shkencave duhej t’i kishte vënë gishtin kokës menjëherë. Ai shkruan:
“Anëtarët e këtij Këshilli dhe sidomos të komisioneve të drejtshkrimit janë edhe emra që nuk kanë ndonjë kontribut të përfillshëm në lëmin e kulturës së gjuhës, ndërkohë që mungojnë gjuhëtarë shumë të njohur, me kontrubute të konsiderueshme për shqipen standarde.
Këto mangësi përfaqësimi kanë prishur balancat në përbërjen e Këshillit dhe në vendimet që ai merr. Nuk mund të mos bjerë në sy një mbizotërim i kundërshtarëve të hapur të standardit, të atyre që janë shprehur publikisht kundër gjuhës standarde apo për “rishikimin” e tij” (f. 133-134).
Përsëri, jo rastësisht, është lënë jashtë Këshillit Ndërakademik edhe Prof.dr. Sala Ahmeti. Sepse kjo shkencëtare e nderuar, së bashku me Prof.dr. Isa Bajçinca, janë për respektimin e vlerave të shqipes së njësuar. Por, mesa duket, atyre nuk u jepet hapësira e duhur në mjetet e informimit masiv të Prishtinës. Ky qëndrim i pahijshëm ndaj këtyre shkencëtarëve, del në pah fare qartë në një informacion që vjen nga faqja e internetit:
“Në vende të qytetëruara mediat janë mbi shtetarët, kurse te ne jo. E them kështu, sepse përveç të tjerash, RTK e, posaçërisht emisioni TARGET, më bën përshtypje, që sa herë organizojnë takime, rrallëherë me disa intelektualë e shumëherë me jointelektualë bëhen ato.
Fjala është, që edhe më bën të dyshoj, me përsëritjet e temës standardi i gjuhës shqipe, punë që nuk më pëlqen, debatet, në të cilat përseriten rreth gjuhës standarde shqipe.
Nuk më pëlqen edhe mënyra e organizimit dhe numri i pabarabartë i debatuesve, të clët mendojnë ndryshe njëra palë nga tjetra.
Zakonisht vijnë tre kandidatë, që njëri nga ata është jokompetent i gjuhës, por edhe gjuhëtar t`i themi, e njëri është shkrimtar, i cili shkruan në dialektin geg, kurse në anën tjetër është i vetmuar një ekspert i gjuhës, i cili mbron me të drejtë gjuhën letrare shqipe, ta marrim shembull si Isa Bajçinca apo Sala Ahmeti.
Ma merr mendja se më mirë do të ishte të ishte edhe një shkrimtar, i cili shkruan në gjuhën standarde shqipe, në mënyrë që në mesin e tyre të jetë numri i barabartë.
E dyta, se pse nuk sjellin intelektualë të mirëfilltë, ekspertë të gjuhës shqipe, ata që me të vërtetë do të na kishin mbushur mendjen se këta janë gjuhëtarë me vlera të larta edhe se në të vërtetë dinë diçka për të, por sjellin këtu njerëz, të cilët tallen me gjuhën tonë edhe me intelektualët si Isa Bajçincën e Sala Ahmetin” (Citohet sipas: Isuf I. Bytyçi. “Standardi i gjuhës shqipe halë në sy”. Marrë nga faqja e internetit Albaniapress.com Agjencia informative shqiptare. 08 shkurt 2012).
Me sa duket, ca mjeteve të informimit masiv dhe një takëmi pseudointelektualësh në Kosovë, iu vjen në osh njëfarë leksiku dhe një e folme e përçudnuar që profesori i nderuar Bajçinca e stigmatizon si më poshtë:
“Hiq shkallën e zotërimit dhe të përdorimit të shqipes standarde nga intelektualë që shfaqen vazhdimisht në ekrane, në gazeta e në diskutime dhe në debate publike (studiues, politikanë, analistë gjithfarë, drejtues fakultetesh, shkollash e institucionesh të tjera), që edhe mund ta njohin pak a shumë (e me të cilën nuk mund të jemi të kënaqur, sigurisht), dhe të studiuesve e të të rinjve të tjerë publikë: këngëtarë, shkrimtarë, anëtarë organizatash nga më të ndryshme etj. (shumica e të cilëve përdorin një shqipe “çervish” me shumë trajta fjalësh dialektore, po dhe sosh “neveritëse”: “Unë kome me jap”, “Nuk mund me thanen”, “Mos m’u dokt qishtu”… etj.), shkalla e njohjes së shqipes nga nxënës e studentë (testet me “po” e “jo” dhe me “plus” nuk e tregojnë këtë) e mësues e profesorë, le të jenë edhe të gjuhës shqipe e të letërsisë (?) nuk dhe aq… Sa do të ishte interesante të organizohej një testim për të gjithë… P.sh. të shkruanin një ese çfarëdo deri në 10-12 rreshta… Vallë, cili do të ishte rezultati?” (Citohet sipas: Prof. Isa Brajçinca: Gjuha e kosovarëve, një gjuhë çervish. Marrë nga faqja e internetit RepublikaShqip. 16 shtator 2013).
Një gazetare i është drejtuar Prof.dr. Sala Ahmetit me pyetjen e mëposhtme:
“A ka mundësi të ndryshohet standardi i shqipes, profesoreshë?”.
Dhe profesoresha ka dhënë përgjigjen e mëposhtme:
“Standardi i shqipes mund të plotësohet, mund të pasurohet, por ajo është e arritura më e madhe pas Kongresit të Drejtshkrimit, që kanë bërë shqiptarët. Mos t’i rrënojmë vlerat më të mira, që mezi i kemi bërë! Unë nuk pajtohem me ata që thonë se atë e ka bërë komunizmi.
Për alfabetin e shqipes, qindra vjet kanë vepruar intelektualë dhe patriotë shqiptarë. Për standardizimin e gjuhës shqipe, qindra vjet kanë punuar dhe vepruar rilindasit, iluministët dhe të tjerët. Pastaj është bërë finalizimi i një përpjekjeje dhe i një lufte të gjatë.
Dhe, shqiptarët , të gjitha përpjekjet i kanë bërë me moton “një komb, një gjuhë, një alfabet”. Natyrisht, gjuha, si organizëm i gjallë, zhvillohet vazhdimisht sepse norma nënkupton edhe ngurtësimin.
Ne nuk jemi kundër ngurtësimeve dhe kundër plotësimeve, por ato duhet të bëhen me konsenus, me marrëveshje. Jo me arrogancë dhe jo në mënyrë të dhunshme. Shikoni, gegë edhe shkodranët janë. Tash, ne të themi se nuk jemi shqiptarë?
E çka janë shkodranët!? Edhe ata janë shqiptarë. Shqiptarët e Maqedonisë me çfarë alfabeti edhe me çfarë gjuhe standarde duhet të përfaqësohen nesër? Kjo është një e arritur shumë e madhe!
Kufijtë politikë nuk është mirë të na ndajnë edhe në planin kombëtar dhe të na ngushtojnë vlerat që i kemi. Përkundrazi, në kohën e sotme, kur kudo në botë flitet për globalizimin, për integrimet, e ne të bëjmë parcializime, ose pjesëzime, ose copëzime të një kombi të vogël, nuk më duket ide e mençur, e pjekur dhe e matur” (Citohet sipas: “Bisede me shkas. Prof. Sala Ahmeti: Vetëm një popull i qytetëruar komunikon, në nivel kombëtar, me një alfabet dhe me një gjuhë të njësuar. Pjesë nga intervista, dhënë gazetares Flora Durmishi.
Marrë nga faqja e internetit merbrana.com e datës 05 dhjetor 2008).
Kur mbarova së lexuari librin e Prof.dr. Rami Memushaj, u binda përfundimisht se ndërakademikët nuk paskan ndër mend të bëjnë ca ndryshime të vogla apo ca lëmime të normës drejtshkrimore të shqipes. Me luftën që i paskan shpallur shkrojës ë, ata kërkuakan t’i heqin gurin e themelit kodit drejtshkrimor.
Profesor Memushaj, në veprën në fjalë, ngre zërin e tij të fuqishëm kundër këndvështrimeve të Këshillit Ndërakademik, i cili, “duke praktikuar metoda pune të padenja për një forum shkencor, po i bën dëme të mëdha gjuhës”. (f. 161).
Madje, i shqetësuar seriozisht për turravrapin që ka marrë këshilli i ndërakademikëve për t’vënë “sëpatën” pemës së shqipes së normëzuar, më 05 mars 2013, ai i është drejtuar me një Përkujtesë të posaçme Kryesisë së Akademisë së Shkencave dhe Këshillit Ndërakademik, në të cilën argumenton mbi baza shkencore se ndërakademikët kanë hyrë në një rrugë pa krye, pasi normën drejtshkrimore të shqipes duan ta rrëzojnë me votim, a thua se është fjala për të zgjedhur kësisoj thjesht ndonjë kryeplak fshati diku në Shqipëri. Me këtë rast, ai iu sjell në kujtesë atyre deklaratën aq kuptimplote të Gjergj Fishtës në Kongresin e Manastirit:
“Nuk kam ardhur të mbroj një alfabet, por të bëjmë një alfabet” (f. 175).
Duke kujtuar ato personalitete të shquara të kulturës shqiptare që nderuan mbarë kombin shqiptar me krijimin e alfabetit të shqipes, profesori i nderuar, në Përkujtesën e vet, u jep një leksion me vlera të jashtëzakonshme Akademisë së Shkencave dhe Këshillit Ndërakademik:
“Për këta atdhetarë të mëdhenj nuk kishte rëndësi përmbushja e qëllimeve vetjake apo të grupit, po arritja në një produkt të pranueshëm nga të gjithë shqiptarët. Dhe kur asnjëri nga dy variantet e alfabetit nuk u pranua nga të gjithë, ata nuk e hodhën në votim, çka do të thoshte imponim i njërit grup mbi tjetrin, po i pranuan të dy variantet, duke ia lënë kohës ta zgjidhte këtë problem, siç e zgjidhi në të vërtetë.
Kjo praktikë u ndoq edhe në Konsultën e Prishtinës dhe në Kongresin e Drejtshkrimit që e ndoqi, Pra, që reforma të ketë sukses, duhet ecur në vijën e traditës dhe jo duke ndjekur modelet e politikës” (f. 176).
Por, çuditërisht, as Akademia e Shkencave, as Këshilli Ndërakademik, nuk denjuan t’i kthenin përgjigje profesorit Memushaj, madje as ta ftonin të shkëmbenin mendime goja-gojës me të. Ky është një qëndrim i pahijshëm, për të mos thënë arrogant, ndaj një shkencëtari të shquar të gjuhës shqipe. Edhe në kohën e diktaturës komuniste, kur dikush i drejtohej me një letër kryediktatorit, e merrte një përgjigje përmes njerëzve të tij.
Me heshtjen e saj para shqetësimeve të këtij profesori të nderuar, Akademia së Shkencave ka zbuluar qëndrimin e vet përçarës ndaj normës drejtshkrimore të gjuhës shqipe. Prandaj ai ka shumë të drejtë kur shkruan:
“…duke tumirur veprimtarinë që nga fillimi jonormale të përfaqësuesve të saj në Këshillin Ndërakademik, Akademia jonë e Shkencave bëhet de facto bashkëpunëtore në një vepër që nuk i shërben unitetit, por përçarjes kombëtare. Dhe nëse ajo nuk mbron çështjen kombëtare, atëherë shtrohet pyetja: cila është arsyeja e ekzistencës së vet Akademisë? Për çfarë na duhet një institucion i tillë” (f. 161).
Kësaj situate të krijuar tani, Akademia e Shkencave duhej t’i kishte dalë përpara me kohë. Po çfarë ka bërë Akademia e Shkencave gjatë kësaj periudhe? Ajo që duhet të jetë në pararojë të mendimit shkencor në çdo fushë të jetës? Ajo, fatkeqësisht, nuk e ka kryer misionin e saj mbarëkombëtar. Ajo, në të vërtetë, është hequr zvarrë pas politikës, në vend që të luante një rol emancipues për politikën. Ajo botoi një platformë antikombëtare në tetor të vitit 1998, në të cilën u kërkonte shqiptarëve të përtejkufijve politikë që të lypnin ndonjë të drejtë të vockël nga sundimtarët shekullorë sllavogrekë, të njëjtën gjë që bënte edhe politika zyrtare në Tiranë. Ajo duhej të vilte të gjitha pikëpamjet e shprehura kundër dhe pro rishikimit të kodifikimit të normës drejtshkrimore dhe të dilte me një platformë sqaruese. Ajo s’e ka bërë një gjë të tillë se në krye të saj, me ndonjë përjashtim të rrallë, kanë qenë figura që i kanë bërë temena politikës dhe adresën e gjuhës shqipe nuk e kanë ditur fare se nga binte.
Le të kujtojmë për një çast katërshen e famshme të Kryesisë së dikurshme të Akademisë. Kryetari ishte mjek, kurse tre anëtarë të tjerë ishin: njëri jurist, tjetri inxhinier, kurse i treti ishte sizmolog. Pas largimit të tyre në pension, në krye të Akademisë u zgjodh një matematicien, i cili, po ashtu, nuk ka pasur kurrfarë haberi nga gjuha shqipe.
Tani, siç thotë një fjalë e urtë, le të rrimë shtrembër dhe të flasin drejtë. Le të hamendësojmë për një çast se në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, si kriter bazë për përcaktimin e shqipes së njësuar të qe zgjedhur dialekti i gegërishtes. Në të vërtetë, ithtarët e këtij dialekti, me dialekt të gëgërishtes nënkuptojnë të folmen apo nëndialektin e shkodranishtes, por këtë nuk e di se pse nuk e shprehin troç. Vetvetiu lind pyetja: po mos vallë, pas vendosjes së pluralizmit, nuk do të fillonte i njëjti avaz nga ana e ithtarëve të toskërishtes që të rishikohej shqipja e njësuar? Sigurisht që po. Pra, do të përsëritej po e njëjta situatë si tani, me kah të kundërt.
Me këtë rast, profesori Memushaj citon një ndërhyrje mjaft të goditur të z. Ismail Kadare lidhur me shqipen e njësuar:
“E shqyer midis dyzimit veri-jug, ajo duhet të shpallte të paligjshëm standardin, duke u shpallur kështu gjuha e vetme në Evropë që po hynte në shek XXI e panjësuar. Gjithçka duhej të niste nga e para. Gjuha duhej të ndahej përsëri në dy të folmet kryesore të saj. “Shqipja komuniste e Enver Hoxhës” duhej të tërhiqej nga skena dhe të riniste garën me shqipen tjetër, atë antikomuniste. Pas kësaj ndarjeje mëdysh, si të mos mjaftonte katastrofa, një ndarje tjetër befasuese e priste gjuhën. Sipas rimohuesve kosovarë, shteti i ri i Kosovës kishte nevojë të ngutshme për një shqipe tjetër, atë të vetën, që ndoshta mund të quhej kosovarishte” (f 29).
Puna e Akademisë së Shkencave në lëmin e shqipes, këto dy dhjetëvjeçarët e fundit, për mendimin tim, ka çaluar dhe vazhdon të çalojë në tre drejtime.
Së pari, Akademia e Shkencave, si akademia e atdheut amë, pas hartimit të fjalorit të vitit 1980, nuk i hyri punës për hartimin e një fjalori me një fjalës shumë më të madh, në bashkëpunim edhe me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Por ajo nuk u kujtua për hartimi e një vepre të tillë as pas vendosjes së pluralizmit, kur duhej ta kishte nisur dhe ta kishte përfunduar.
Pikërisht gjatë kësaj periudhe, ajo duhej të kishte grumbulluar shkencëtarët më të talentuar dhe më prodhimtarë të fushës së leksikografisë, nga të gjitha trevat shqiptare, dhe t’u caktonte si detyrë parësore hartimin e një fjalori të madh të gjuhës shqipe, me një fjalës me jo më pak se 100 mijë fjalë. Është e palejueshme për Shqipërinë, si atdheu amë për mbarë trojet tona etnike, që ne nuk e kemi sot një fjalor të shqipes të përmasave të tilla, kur dihet që shqipja është gjuha më e vjetër e kontinentit.
Por, me sa duket, Akademia e Shkencave nuk e ka pasur parasysh një mendim të kahershëm të profesorit Eqrem Çabej që thoshte:
“Për historinë dhe për diktimin e burimit të një fjale besojmë se nuk është pa rëndësi të dihet nëse kjo është e mbarë gjuhës apo ka karakter dialektor, nëse i përket një treve më të hapët apo është e një përdorimi fare lokal” (Gjurmime etimologjike të reja në fushë të shqipes. Studime filologjike, 1974, 3, f.8).
Ja, pikërisht ky problem duhej t’i shqetësonte parësisht ndërakademikët e tanishëm që kërkojnë t’i vënë shkelmin shqipes së njësuar. Sepse hartimi i një vepre të tillë do të nxirrte në dritën e diellit pasurinë e pamatë leksikore që vjen nga të dy dialektet kryesore dhe nga nëndialektet e tyre për pasurimin e fjalorit normativ.
Së dyti, Akademia e Shkencave nuk ka bërë asgjë dhe grupit të ndërakademikëve as që i ka shkuar mendja fare për mbrojtjen e gjuhës shqipe nga dyndja e fjalëve të huaja, krejtësisht të panevojshme, të cilat, sidomos në gojën e mjaft politikanëve dhe intelektualëve të mjeteve të informimit masiv, tingëllojnë të panatyrshme. Fjalëve të huaja event, trend, performance e shumë të tjerave, këta syresh tashmë ua kanë bërë me kohë “pasaportizimin” në gjuhën shqipe.
Pyetjes “çfarë e rrezikon gjuhën shqipe sot?” që gazetarja Blerta Maliqi e gazetës “Bota Sot” i drejton prof.dr. Isa Bajçincës, ky i përgjigjet:
“Gjuha shqipe sot rrezikohet nga shqiptarët. Në radhë të parë, nga intelektualët, ngase ata janë shpërfillësit më të mëdhenj të rregullave të gramatikës së gjuhës shqipe” (Citohet sipas: “Ja kush e rrezikon gjuhën shqipe”. Nxjerrë nga faqja e internetit “Shembulli”. 13 maj 2011).
Francës i thonë Francë, e megjithatë Akademia Franceze ndjek me shumë kujdes ruajtjen e pastërtisë së gjuhës frënge dhe respektimin e detyrueshëm të normës letrare franceze. Prandaj kur kujton Akademinë tonë në këtë aspekt, të vjen të vësh duart në kokë: tabelat në gjuhë të huaj kanë mbushur qytetet tona, saqë të krijohet përshtypja sikur nuk je në Shqipëri.
Së treti, arkivi i leksikut të gjuhës shqipe në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë është pasuruar gjatë disa dhjetëvjeçarëve, me punën e përbashkët të mbarë dijetarëve të tij, jo vetëm përmes qëmtimit të fjalëve nga librat dhe shtypi i kohës, por edhe nga vjeljet e ekspeditave gjuhësore në terren, ku është ndier edhe ndihma e vyer e sa e sa mësuesve të gjuhës shqipe dhe e bashkëpunëtorëve të tjerë në të gjitha krahinat e Shqipërisë. Po këto njëzet vjet çfarë është bërë? Asgjë për skedimin e leksikut të ri! As që mund të diskutohet më për organizimin e ekspeditave gjuhësore.
Ky problem nuk përbën më kurrfarë shqetësimi për Akademinë e Shkencave, as në periferinë e interesimeve të saj. Po a do të vazhdojë gjatë kjo situatë skandaloze? Po a duhet të vazhdojmë të rrimë shpërfillës ndaj shqipes sonë të bukur, e cila, si një xeheror i pasur me flori, me kalimin e viteve, sa vjen e pasurohet me një shpejtësi mahnitëse? Pasurimi i shqipes pasqyron ndryshimet në përbërjen dhe në tiparet e sendeve dhe të dukurive të botës që na rrethon, në veprimtarinë shoqërore të individit dhe në aktivitetin e ndërgjegjes së tij.
Skedimi dhe studimi i fjalëve dhe i shprehjeve të reja luan një rol të rëndësishëm në rrafshin historiko-shoqëror, njohës, kulturor e gjuhësor. Studimi i strukturës dhe i funksionit të tyre ndihmon për trajtimin e shumë problemeve konkrete të leksikologjisë, të gramatikës dhe të stilistikës. Skedimi sistematik i leksikut të ri ka shumë rëndësi sidomos për gjuhëtarët e rinj se ky shërben si material kryesor për studimin e rrugëve të zhvillimit të gjuhës, e lidhjeve të saj me shoqërinë, për studimin e fjalëformimit. Edhe për këtë problem mjaft të mprehtë, profesor Çabej e ka thënë fjalën e vet me peshë:
“Si çdo gjuhë tjetër, edhe shqipja ka krijuar në mënyrë spontane, për nevojat e reja, përherë fjalë të reja, sidomos nga burime vetjake, dhe ajo vazhdon në këtë rrugë, duke pasuruar kështu përherë visarin e leksikut të saj” (Studime gjuhësore, vëll.1, Prishtinë 1976, f.8).
Por Akademinë e Shkencave, fatkeqësisht, gjatë këtyre dy dekadave të fundit, as që e ka shqetësuar fare fakti se çfarë do të thonë brezat e gjuhëtarëve të rinj që do të vijnë pas gjysmë ose një shekulli të tërë, kur do të vërejnë se pas kthesës që u shënua në historinë e popullit tonë në fillim të viteve ‘90-të të shek. XX, nuk është regjistruar asgjë e re në skedarët e leksikut të shqipes. Se skedimi i fjalëve të reja pikërisht gjatë këtyre kthesave historike në jetën e një populli ka edhe rëndësi jashtëgjuhësore. Të dhënat gjuhësore mund të shfrytëzohen edhe për studimin e proceseve historike. Engelsi theksonte pamjaftueshmërinë e metodës së studimit të këtyre proceseve kur mungonin të dhënat e plota për faktet gjuhësore. Ai thotë:
“Elementet e organizimit shoqëror që u përdorën për herë të parë, kanë qenë të lidhura në një mënyrë të pashmangshme me prodhimin dhe me mënyrat e sigurimit të mjeteve të jetesës. Është plotësisht e natyrshme që një gjë e tillë të vërtetohet nga zhvillimi i gjuhës” (Marks K., Engels F. Vepra, botim i dytë rusisht, vëll.36, f.256-257).
Por Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë që ka qenë dhe duhej të ishte “çerdhja” e skedimit të fjalëve të reja, ka shkuar drejt një rrëgjimi paradoksal. Qendra e Studimeve Albanologjike e ka nxitur një rrëgjim të tillë, kurse Akademia e Shkencave thjesht ka bërë sehir.
Ja, me këto punë duhej të ishte marrë intensivisht Akademia e Shkencave, në mënyrë që ta çonte më tej traditën shkencore për lëvrimin e gjuhës shqipe dhe pasurimin e leksikut të saj. Kurse ajo, me Këshillin Ndërakademik që ka krijuar, tani ka ndërmend ta përmbysë arkitetkturën gjuhësore që është ngritur me mundin dhe me djersën e brezave të tërë gjuhëtarësh gjatë një periudhe mbinjëshekullore.
Të gjithë lexuesit e nderuar, për të cilët gjuha shqipe është pasuria më e vyer e kombit tonë, është simboli i vetvetësisë sonë kombëtare, të gjithë mësuesit dhe pedagogët e gjuhës shqipe të universiteteve shqiptare në mbarë trojet tona etnike, të gjithë gazetarët, analistët, drejtuesit e emisioneve televizive, publicistët, shkrimtarët dhe përkthyesit, i ftoj ta lexojnë me shumë kujdes veprën shkencore të lartpërmendur të Prof.dr. Rami Memushaj.
Kjo vepër shërben si një enciklopedi e vërtetë e argumentimit shkencor se nisma ndërakademike ka si qëllim jo përmirësimin apo lëmimin e kodit drejtshkrimor, por shkallmimin e themeleve të shqipes së njësuar. Të gjithë lexuesit aty do të njihen me pikëpamjet shkencërisht të bazuara të profesorit Memushaj se në themel të kodit drejtshkrimor të shqipes, duhet të jetë parimi morfologjik dhe jo parimi fonetik, siç rreken të na mbushin mendjen ndërakademikët “e papunë”. Aty del në pah fare qartë se shqiptimi i disa fjalëve që ndërakademikët kërkojnë t’ua heqin zanoren ë, tingëllojnë me të vërtetë të përçudnuara, krejtësisht qesharake.
Akademik Emil Lafe
Për fat të mirë, para pak kohësh, pas zgjedhjeve që u bënë për Kryesinë e Akademisë së Shkencave, në krye të saj doli Prof.dr. Myzafer Korkuti. Dhe profesor Korkuti, në deklaratën e parë që dha për shtyp, theksoi se standardi i shqipes nuk do të preket. Madje, në një intervistë të ditëve të fundit që i ka dhënë gazetares Dhurata Hamzai, profesor Korkuti ka deklaruar se “…do ta përkrah çështjen e gjuhës, që thelbësore është ta ruajmë fort dhe të zbatojmë standardin dhe mbi bazën e standardit të shohim sesi evoluojnë proceset gjuhësore shkallë-shkallë (Citohet sipas faqes së internetit të gazetës “Shqiptarja.com”: “Korkuti: Reforma, si do të shkrihet Qendra e Studimeve Albanologjike”. 24 shtator 2013).
Në mbyllje, ca pseudointelektualëve kosovarë që mundohen me një zell të tepruar për të shpikur një “komb kosovar” dhe për të krijuar një “kosovarishte”, dëshiroj t’u kujtoj aforizmin e çmuar, deri në shenjtëri, të akademikut Ali Hadri (1928-1987), të cilin ai (sipas citimit në f. 21 të librit të profesorit Rami Memushaj) e pati thënë në Konsultën e Prishtinës të vitit 1968, pararendësen e Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972:
‘Një komb, një gjuhë letrare, një drejtshkrim”.
Santa Barbara, Kaliforni
02 tetor 2013