2013-10-03

SHKENCËTARI I VËRTETË NUK I MOHON VLERAT E KOLEGËVE

Në gazetën “Shqip”, të 13 gushtit 2013, rubrika Kultura, prof. Bahri Beci botoi disa fragmente nga vepra e tij me kujtime Një libër që nuk do të doja ta shkruaja.
Na bënë përshtypje në këto fragmente nënvlerësimet e hapura, për të mos thënë hedhje balte, mbi dy personalitete shkencore të Institutit të Gjuhësisë dhe të Historisë (mbas vitit 1972 u quajt Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë). E kemi fjalën për prof. Androkli Kostallarin, ish-drejtorin e këtij instituti, një nga albanologët më të vlerësuar si brenda dhe jashtë shtetit dhe për prof. Jorgo Bulon, ish-shefin e njërit nga dy sektorët e Letërsisë Shqiptare, që më vonë u zgjodh drejtor i atij instituti.
Për nënvlerësimin e prof. Kostallarit nuk na përket ne të reagojmë. Nxënësit e tij janë më të shumtë se ne, nxënësit e prof. Bulos, prandaj, besojmë se, pavarësisht nga disa dobësi të karakterit të prof. Kostallarit, nxënësit e tij do të dinë t’i mbrojnë vlerat shkencore të këtij studiuesi dhe drejtuesi të Institutit. Prof. Kostallari e drejtoi punën shkencore me shumë aftësi, e përkrahu vijimisht kuadrin e aftë shkencor, madje zotin Beci e ndihmoi të shkonte dy vjet në Francë për kualifikim pasuniversitar etj.; kurse ky e quan me shpërfillje “profesori ynë i historisë së gjuhësisë”, pa i përmendur asnjë nga vlerat e tij shkencore dhe organizative.
Prof. Jorgo Bulo, ish-shefi i sektorit ku punonim ne, është personi që ka ndikuar drejtpërdrejt në udhëheqjen dhe në formimin tonë shkencor përmes seminareve teorike, korrigjimeve të artikujve dhe të veprave tona, prandaj nuk mund të lejojmë që të karakterizohet me fjalët nënvlerësuese të z. Beci:
“Gjithçka është enigmatike për këtë njeri. Si erdhi, pse erdhi, kush e pruri në Institut, vërtet profesori ynë i historisë së gjuhësisë, apo dikush tjetër, është një enigmë. Kur kam qenë në shtëpinë e tij, vetëm studion e kishte sa shtëpia ime. Pra si e mori atë shtëpi aq të madhe, në atë vend, në atë kohë të vështirë për strehim, është prapë një enigmë.
Është ndoshta i vetmi njeri që me një punim kushtuar një vepre të realizmit socialist, të pavlerë, mori menjëherë dy grada shkencore. Kam marrë pjesë në atë mbledhje, me cilësinë e anëtarit të Këshillit Shkencor të Institutit, jam pra, dëshmitar i gjallë i një vendimi sa të papritur, aq edhe të çuditshëm, plotësisht të pambështetur.
Është pra, edhe kjo një enigmë.
Çudia tjetër, si u bë drejtor aq shpejt, kur në atë kohë Instituti kishte plot të tjerë që e meritonin atë vend, përse kishte mbështetjen e përhershme dhe pa kushte të numrit një të Akademisë, prof. Luan Omarit, në të gjitha momentet dhe për çdo gjë, si u ribë drejtor i Institutit pas ngjarjeve të dhunshme të vitit 1997, kur nuk e kishte titullin profesor… E vërteta është se Jorgoja ishte një njeri enigmatik, me një vlerësim e me një mbështetje të vazhdueshme, pra gjithmonë i mbrojtur nga dikush, nga një si hije e padukshme, por që merrte formën e Androklirëve, Koçove, Jorgjërve, Janërve, Luanërave, Yllërave etj.”
Ky fragment dëshmon për zilinë e z. Beci ndaj arritjeve të z. Bulo dhe jo për ekzistencën e ndonjë enigme ose çudie lidhur me ardhjen e z. Bulo në Institut, strehimin e tij, marrjen e gradës Doktor i Shkencave, zgjedhjen e tij drejtor të Institutit më 1989 etj.
Po i sqarojmë me radhë hapat e z. Bulo:
Në vitin 1965, z. Bulo, ish-mësues në Gjirokastër, shkroi e botoi artikullin shkencor Ndikimi i krijimtarisë popullore në veprën e A. Z. Çajupit. Ky artikull e disa të tjerë që e ndoqën bënë bujë për nivelin shkencor. Në vitin 1966, kur Instituti kërkoi të zgjeronte numrin e punonjësve shkencorë me kuadro të reja, ky artikull u paraqit si argument bindës për ta sjellë Jorgo Bulon në Institut si punonjës të ri tekniko shkencor.
Si i riardhur në Tiranë, ai bëri kërkesë për strehimin e familjes së tij në një lagje të Tiranës, ku mbas dy vjetësh iu dha një apartament në një pallat që u ndërtua mbi themele të mbetura që nga koha e pushtimit italian me një projekt të vjetër. Apartamenti në fjalë kishte një dhomë normale dhe një dhomë më të madhe, e cila në fakt ishte më e vogël se kuzhina me aneks dhe ballkon të madh e apartamentit të z. Beci. Pra apartamentet e tyre me dy dhoma e një kuzhinë ishin gati të barabarta nga sipërfaqja e përgjithshme…
Me punën e tij këmbëngulëse Jorgo Bulo vijoi formimin e tij shkencor, i ngjiti shkallët e titujve shkencorë një nga një me maturi, derisa arriti në vitin 1972 të emërohej shef i sektorit të Letërsisë Shqiptare të Paraçlirimit. Këtë detyrë ai e kreu me shumë përkushtim dhe profesionalizëm, natyrisht duke humbur kohë dhe energji për rritjen shkencore të punonjësve të sektorit të tij. Kështu, ish-punonjësit e atij sektori arritën të hartonin e botonin përveç artikujve edhe vepra të veçanta shkencore.
Klara Kodra në vitin 1978 përfundoi dhe botoi veprën Zef Serembe jeta dhe vepra, kurse Floresha Dado (Haxhiraj) dhe Thanas Gjika në vitin 1979 paraqitën në Këshillin Shkencor të Institutit, në një kohë me shefin e sektorit, disertacionet e tyre për mbrojtjen e gradës Kandidat i Shkencave, gradë të cilën Këshilli Shkencor i Institutit, ku bënit pjesë dhe ju, ua miratoi këtyre punonjësve.
Disertacioni i z. Jorgo Bulo Romani shqiptar me temë nga Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, analizonte me nivel të lartë shkencor jo një vepër të pavlerë, si shkruani ju, por të gjithë romanët me subjekt nga Lufta Antifashiste, ku përfshiheshin dhe vepra shumë të realizuara si Gjenerali i Ushtrisë së VdekurKronikë në gur, të I. Kadaresë dhe Komisari Memo e Njeriu me top të D. Agollit etj. Ky disertacion u vlerësua prej recensentëve prof. Mahir Domi e doc. Dalan Shapllo si i vlefshëm për të mbrojtur dy grada njëherësh, Kandidat i Shkencave dhe Doktor i Shkencave, sipas rregullores së atestimit, që e lejonte këtë kapërcim.
Këshilli Shkencor, ku bënit pjesë edhe ju, e votoi pa asnjë votë kundër këtë disertacion, pa formuluar asnjë vërejtje dhe as ndonjë çudi, si po shprehni ju sot. Në rast se ju do të kishit votuar kundër atëherë mund të deklaroheshit sot me mospërfillje edhe pse disertacioni i z. Bulo në fakt i kapërcente vlerat e një disertacioni për gradën Kandidat i Shkencave.
Lidhur me emërimin e z. Jorgo Bulo drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë në vitin 1989, shpjegimi është i thjeshtë: PPSH-ja në atë kohë synonte të paraqiste se po demokratizohej jeta në vend e se drejtohej jo vetëm me komunistë, por dhe me njerëz të aftë që nuk ishin anëtarë partie. Doktor Jorgo Bulo i plotësonte kërkesat e asaj kohe, kështu që pikërisht se ishte më i afti midis punonjësve shkencorë jokomunistë, u përzgjodh, por nuk u emërua. Ai u zgjodh përmes një procesi votimi, duke kandiduar krahas një gjuhëtari po ashtu të njohur, i cili madje atë kohë ishte dhe kandidat i KQ të PPSH. Z. Bulo mori një mbështetje të fortë nga kolektivi shkencor, duke u votuar masivisht. Po të ishte për mbështetje politike atë duhet ta kishte kandidati tjetër. Edhe pas vitit 1997, z. Bulo asnjëherë nuk është emëruar, por zgjedhur me votim demokratik drejtor i Institutit. Kurse ju z. Beci në vitin 1993 u emëruat drejtor dhe nuk konkurruat asnjëherë në një proces zgjedhjeje. Edhe një herë që konkurruat më 2011 për t’u pranuar Anëtar i përkohshëm i Akademisë së Shkencave morët zero vota. Për këtë besojmë se nuk jua ka fajin “enigmatiku”.
Më 1993, doktor Jorgo Bulo u propozua dhe u votua në sektorin tonë për të marrë titullin shkencor Profesor, por Këshilli Shkencor që drejtohej në atë kohë prej jush, që ishit i plotfuqishëm si drejtor, shef sektori dhe kryetar i Partisë Demokratike, e rrëzoi propozimin e sektorit.
Më 1997, z. Bulo u zgjodh drejtor dhe iu dha titulli i mohuar Profesor.
Këto janë të vërtetat e “enigmave” që sajoni ju z. Beci.
Prof.asoc. dr. Thanas L. GJIKA

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...