Babai i kritikës letrare gjermane, Marcel Reich-Ranicki mbylli sytë përgjithmonë më 18 shtator. Një rrëfim mbi jetën e tij, bazuar në librin autobiografik “Jeta ime”
Marcel Reich Ranicky, mendja e letrave gjermane mbylli sytë përgjithmonë mbrëmjen e 18 shtatorit në moshën 93-vjeçare. Kritiku me origjinë hebreje është konsideruar si babai i kritikës letrare në Gjermani. 13 vjet më parë, në përvjetorin e 80-të të lindjes, ai botoi librin autobiografik “Mein Leben” (“Jeta ime”), që shpejt u bë njëri nga librat më të shitur në Gjermani, duke kryesuar listat e “bestsellerëve” në të gjitha gazetat. Marcel Reich Ranicki, është shumë i admiruar dhe shumë i qortuar, është sa i njohur dhe aq popullor, me aq ndikim dhe së fundi edhe aq diskutueshëm si asnjë tjetër kritik gjerman. “Pa dashuri për letërsinë nuk ekziston kritika letrare”, thotë Reich-Ranicki. Pretendimet e mjeshtrit të letërsisë shkojnë më tej se përshkrimi autobiografik. “Tek një gjysmëshekulli më vonë, respektivisht më 1993, kam vendosur të prezantoj jetën time”, shkruan autori në pjesën përmbyllëse dhe falënderuese të librit (fq.555). Ai prezanton sfidën jo vetëm të kuptohet rruga e jetës së tij, por edhe zhvillimet brenda shoqërisë gjermane të shekullit XX. Meqë Reich-Ranicki, një mbijetues i getos së Varshavës dhe tani kritiku më i njohur gjermanofolës i letërsisë, ka paraqitur këtë sfidë, ai ka fituar respekt dhe mirënjohje. Historia të cilën ai i ofron lexuesit, është jo vetëm e shkruar mirë, por ajo është edhe gjallë dhe të fut në përsiatje të thella. Veç tjerash, si e ka ndjekur atë paradoksi i emrit Gjermani. “Gjermania- në sytë e mi janë Adolf Hitleri dhe Tomas Mann. Si edhe më parë, këta dy emra simbolizojnë dy faqe, dy mundësi të natyrës gjermane. Dhe do të kishte pasoja katastrofale, në rast se Gjermania do të harronte apo zhvendoste vetëm njërën nga këto dy mundësi”, shkruan Reich-Ranicki. Reich-Ranicki ka pësuar si hebre me pasaportën polake gjatë qëndrimit në Berlin. Ishte tetëmbëdhjetë vjeç kur u deportuan në Poloni dhe tani nuk kishte asgjë, pos gjuhës dhe letërsisë gjermane, të cilën ai qysh si fëmijë e kishte mësuar me pasion. “Atëbotë nuk mund ta parandieja, çfarë roli do të luante në jetën time të ardhshme ky bagazhi i padukshëm, ky bagazh, siç frikësohesha, i kot dhe i padobishëm”. Në dy pjesë të librit, nga pesë sa ka ai, Reich Ranicki rrëfen për rrugën e tij të dhembshme jetësore, respektivisht për jetën në geton e Varshavës. Në sfondin e tmerrit, arbitraritetit dhe llahtarisë së përditshme në Varshavë “zona e ndaluar e epidemisë”, Reich-Ranicki rrëfen një histori dashurie, e cila për shkak të autencitetit dhe origjinalitetit ndoshta është më e bukura e shekullit. Fjala është për një histori mes autorit dhe zonjës Teofila(“Tosia”) Langnas. “Pa njohur formulimet e Frojdit”, kujton Reich-Ranicki, “njohëm ne polaritetin e dashurisë dhe vdekjes, lidhjen e fatit dhe fatkeqësisë. Dashuria ishte narkotizim, me të cilën ne anestezionim frikën nga gjermanët”. Teofila dhe ai e mbijetojnë holokaustin me rastësi dhe me fat për dallim me shumicën e pjesëtarëve të tjerë të familjes së tyre, ngase për ata shpëtim nga transporti për në Aushvic. Në këtë kuadër, duhet përmendur rrëfimi i autorit lidhur me takimin e tij me njërin nga bashkëpunëtorët e Hitlerit, Albert Shper në vitin 1953, i cili pas mbarimit të Luftës Botërore qe dënuar me 20 vjet nga Gjyqi i Nürbergut.
“ A duhet të shkruaj lidhur me debatin e historianëve? A ia vlen kjo edhe më tej ? Kanë kaluar trembëdhjetë vjet dhe disa pjesëmarrës të debatit nuk jetojnë më…”, (fq.540), shkruan autori në fillim të kapitullit të fundit të librit impresionues. Ai, si para trembëdhjetë vjetëve, edhe kësaj radhe më mirë do të ishte të mos e bënte këtë. Historianët si Nolte, Fest apo Valser, me qëndrimet e tyre të ndryshme mbi historinë tragjike të Gjermanisë, siç thekson Reich-Ranickit, e vënë në pikëpyetje konsensusin moral të Gjermanisë Federale “Kurrë më!” Këto dhe tablo të tjera brilante të një jete gati shekullore kanë zënë vend në librin e tij autobiografik “Jeta ime”, i cili me plot kuptimin e fjalës mund të cilësohet si tërheqje e bilancit të jetës së jashtëzakonshme të kritikut të madh, Reich-Ranickit, njeriut që përjetoi dhe mbijetoi errësirën naziste hitleriane.
“Kuarteti letrar” i ZDF-it
Duhet shënuar se kohëve të fundit në Gjermani dhe jashtë janë në trend memoaret dhe librat e atyre që mbijetuan Holokaustin. Përmes librave të kësaj natyre, të tematikës së kujtimeve, dëshmitarët e kohës së kaosit dhe të përndjekjes naziste dëshirojnë t’u ofrojnë brezave të tashëm dhe të ardhshëm jo vetëm dëshmitë më autentike të asaj kohe, por edhe dimensionin tjetër të bukur të jetës, anën e tyre krijuese. Por për dallim nga autorët tjerë që dëshironin të dëshmonin nga koha e tyre, Marcel Reich Ranickit i janë dashur 50 vjet, derisa ai i hodhi në letër përjetimet e tij. Prapa titullit të thjeshtë “Jeta ime” fshihet një histori e jetës së jashtëzakonshme dhe turbulente.
Në vitin 1938, siç rrëfen në libër, Reich-Ranicki u deportua në geton e Varshavës në Poloni. Si çifut në geton e Varshavës ai mësoi për poshtërimet e tmerrshme, të cilat mund t[‘i përgatiste njeriu njeriut. Së bashku me gruan e tij, Tosia, ai e mbijetoi këtë ferr. Në Poloninë e pasluftës ai do të bëhet komunist dhe dëshmitar i tradhtisë së madhe për idenë e një shoqërie të barabartë. Pra, edhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur vazhdon jetën e tij në shtetin polak, Reich -Ranicki përballet me vështirësi dhe pengesa të papërfytyrueshme. Kështu, gjatë kësaj periudhe lindin telashet e njëpasnjëshme, si me rastin e konkurrimit në shërbimin diplomatik, kur si pengesë i paraqitet mbiemri i tij, Reich, i cili zgjon asociacione me Reichun e Hitlerit dhe për këtë fakt ai do të prezantohet me një mbiemër trilluar, Ranicki. Si duket, këto gjëra e shtyjnë atë që me 1958 të rikthehet në Gjermani dhe gati menjëherë bëhet i njohur si kritik letrar, të cilat filloi t’i botonte në gazetat më të njohura gjermane, si “Die Welt”, “Die Zeit”, “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, që më pas do ta angazhojnë në rubrikat e tyre të kulturës.
Por edhe në Gjermani Reich-Ranicki do të pësojë afera dhe vështirësi të panumërta. Në vitet gjashtëdhjeta njoftohet me Ulrike Meinhoff, e cila më pas bëri nam të keq si terroriste e majtë, për çka Marcel detyrohet të distancohet prej saj. Duhet shënuar se Marcel në vitet 1968/69 ligjëron në Universitetin amerikan, ndërsa nga viti 1971 e deri më 1975 vazhdon punën si profesor për letërsinë gjermane në Universitetin e Stokholmit, më pas në atë të Tübingenit dhe në vitet 1991/’92 drejtoi profesurën në universitetin “Heinrich Heine” të Düsseldorf-it. Me “Kuartetin letrar”, që filloi të emetohet me 1988 në kanalin e njohur gjerman ZDF, ai u bë yll medial dhe dëshmoi se ndërmjetësimi letrar me kërkesa të larta në televizion mund të jetë shumë zbavitës.
Me pak fjalë kjo është biografia e Marcel Reich Ranickit, kritikut letrar me gjuhë të mprehtë dhe retorikë dhe aksent të veçantë të gjermanishtes, cilësi këto që e bëjnë edhe të adhuruar për publikun lexues gjermanofon.
Fshehtësia e suksesit
Por, çfarë fshihet prapa ngritjes së pakrahasueshme të Reich Ranickit, prapa këtij suksesi mahnitës? Kur ai u shpërngul nga qyteti i tij polak i lindjes Wloclaweck, ende nuk i kishte më shumë se nëntë vjet, në Berlin, mësuesja e tij e përshëndeti me këto fjalë: “Djali im, ti po shkon në vendin e kulturës”. Por, ky vend i kulturës Ranickit të vogël i shfaqet jo edhe pa anën e errët. Kjo përvojë më se kontradiktore do të përshkojë jetën e tij si një fill i kuq: Fati, që ia di për nder letërsisë, muzikës dhe teatrit gjerman, duket në lidhje të pandashme me frikën nga barbarinë gjermane të periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Pra, krahas fascinacionit ai përjetoi edhe frikën e përndjekjes nga nazistët. Kjo ambivalencë e fascinacionit dhe e frikës do ta shoqërojë gjatë kohës autorin e librit autobiografik. Tërheqës është përshkrimi i viteve të paraluftës jo vetëm për shkak të eksperiencës kulturore të të riut Marcel, por edhe për shkak se do të afrohet një tablo e diferencuar e ditëve të shkollës së tij. Toni rrëfyes, i cili shmang akuzat dhe frikën melodramatike, pasqyron njëkohësisht pjesën më të rëndësishme të autobiografisë, përkatësisht të viteve të luftës, vitet e getos së Varshavës, si dhe shumë muaj të frikës dhe shpresës gjatë kohës së fshehjes te një fshatar polak. Reich Ranicki përshkruan përditshmërinë e tmerrit brenda mureve të getos, flet për uri dhe mjerim, shpjegon skenat e tmerrit nazist ndaj çifutëve. Por stili është lakonik. Në këtë situatë të limituar Reich-Ranicki kërkon, ashtu si edhe shumë banorë tjerët të getos, gëzim dhe ngushëllim në botën e kulturës. Në të vërtetë: letërsia e shoqëron atë edhe në ditët më të vështira të jetës, por edhe më pas kur ai u bë kritiku më i njohur dhe më me influencë në Gjermani. Kështu ai dhe gruaja e tij, Tosia, të cilën ai e njoftoi dhe e martoi në geto, u orvatën t’ia ruanin disponimin me letërsi fshatarit polak, i cili atyre u siguroi strehë. “Librat na e shpëtuan jetën”, shkruan Reich-Ranicki.
Ballafaqimet, peripecitë, pandehma…
Edhe pas mbarimit të Luftës Botërore jeta e Ranickit dhe Tosia-s rrodhi turbulencë, fillimisht në Berlin (“Moshakmarrja më nxiste mua mallëngjim për Berlinin”), pastaj ai me kërkesën e qeverisë polake punoi në Londër si kritikë letrar. Në këtë kohë ai nuk gjeti mbrojtje dhe siguri në vendlindjen e tij. Kështu, me 1958 la Poloninë dhe ndërtoi ekzistencën e re në Gjermaninë Federale.
Pjesa e fundit e memoareve dokumenton ngritjen e tij në skenën e letërsisë gjermane. Karriera e autorit zhvillohet shpejt. Por, suksesi i pazakonshëm nuk mund të anashkalojë faktin se shpesh dhe gjithandej mbeti anash, qoftë në “Grupin 47”, në rrethet publicistike apo në mesin e miqve të pandehur.Në këtë libër, Reich-Ranicki jep prova si tregimtar plot temperament dhe i qartë. Po kështu, ai rrëfen me gjallëri dhe në mënyrë anekdotiane për stacionet e jetës së tij, të cilat janë sa dramatike aq edhe interesante. Këtu, ai flet edhe për “Grupin 47”, përshkruan jetën e tij si kritikë i përhershëm te gazeta elitiste “Die Zeit” dhe më pas si shef i rubrikës së letërsisë në gazetën me renome “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, kujton takimet Bertolt Brecht, me Anna Seghers, me Ingeborg Bachmann, Elias Canetti dhe Thomas Bernhard, me Heinrich Böll, Günter Gras dhe me shumë emra të tjerë të letërsisë dhe kulturës gjermane. Në këtë kuptim, libri autobiografik “Mein Leben” është jo vetëm një dokument kohe për vitet e luftës dhe të kaosit, por njëkohësisht edhe shënim prekës dhe autentik për fatin e çifutëve në Gjermaninë e pasluftës.
Syle Ukshini