Poeti Hivzi Nela u vra me firmen prinderve te atyre qe jane sot ne krye te te majtes shqiptare. Kristaq Rama i ati i Edi Rames eshte nje nga ata qe kane firmosur per varjen e poetit, per fajin e vetem se ai i thuri disa vargje atdheut dhe jo partise.
Poeti Havzi Nela me 10 gusht i vitit 1988, ora 02.00 e mëngjesit kur ai u ekzekutua me varje në mes të qytetit të Kukësit. Pasi u ekspozua gjatë gjithë ditës, më 10 gusht 1988, në mesnatë komunistët e morën trupin e tij dhe e futën vertikalisht në një vrimë të krijuar nga heqja e një shtyllë druri. Trupi i tij qëndroi aty për pesë vjet dhe dhjetë ditë, deri më 20 gusht 1993.
Një foto bardh e zi, e bërë më shumë se 40 vjet më parë flet më shumë se gjithë shkrimet që janë shkruar këto vite për poetin Havzi Nela. I veshur me një kapotë të gjatë e vështrimin e përqendruar diku tej, ky burrë që në jetë pati veç një pasion, që i kushtoi shtrenjtë, siç ishte poezia, qëndron krenar me një libër të hapur në dorë… Pas portretit të tij të lartë, duken telat dhe dritaret gjysmë të hapura të një burgu… Kjo foto e bërë rastësisht ka brenda gjithë jetën e Havzi Nelës, e cila u end mes librave dhe burgjeve. Jeta e tij është përshkrimi më i mirë që mund t’i bëhet ndonjëherë periudhës komuniste në Shqipëri. Ai jetoi e shkroi burgjeve, pa e imagjinuar se një ditë vargjet e tij mund të lexoheshin në liri… Sot mbushen 25 vjet nga vdekja e tij. Ishte 10 gushti i vitit 1988, ora 02.00 e mëngjesit kur ai u ekzekutua me varje në mes të qytetit të Kukësit. Pasi u ekspozua gjatë gjithë ditës më 10 gusht 1988, në mesnatë komunistët e morën trupin e tij dhe e futën atë vertikalisht në një vrimë të krijuar nga heqja e një shtyllë druri.
Trupi i tij qëndroi aty për pesë vjet dhe dhjetë ditë, deri më 20 gusht 1993. Për familjarët ishte e vështirë të gjendej vendi, i mbuluar me shkurre dhe gurë pranë fshatit Kolsh, dy kilometra larg Kukësit. Pasioni për letërsinë do të shfaqej tek Havziu që në shkollën e mesme. Bashkë me dashurinë për letrat, tek i riu do të ngjizeshin dhe shenjat e para të kundërshtimit ndaj sistemit. Studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës do të hapnin tek ai një tjetër vision për jetën. Ishte koha kur Nela do të lidhej më shumë me leximin e letërsisë, të paktën të huaj, që mund t’i binte në dorë dhe të gjente aty shpirtin e tij të ngjashëm. Ka pak rrëfime nga koha e tij studentore, kohë e cila do të mbetej e papërfunduar, pasi ai përjashtohet nga shkolla si element destruktiv. Puna e tij e parë ishte mësues në një fshat të vogël në rrethin e Matit. Mbrëmjeve shkruante poezi, ndërsa ditën ua lexonte nxënësve. Leximi i vargjeve do të shihej me dyshim nga institucionet e rrethit, të cilët e dëbojnë edhe prej andej. Pas shumë përpjekjeve Nela arrin të përfundojë studimet e nisura në Institutin e Shkodrës. Ai punoi si mësues në fshatra të ndryshme, si: Kruma, Lojma dhe Shishtaveci, deri në vitin 1967, kur ai u transferua në Topojan. Pikërisht në këtë vend do të nisnin edhe ngjarjet e trishta, që do të vinin një e nga një e s’do të kishin fund në jetën e poetit. Është koha e thirrjeve të njëpasnjëshme në polici, pyetjet për lidhje të dyshimta të tij… Pasi u lexoi nxënësve poemën “Shko dallëndyshe”, shkruar ngas Filip Shiroka, Nela, bashkë me të shoqen, Lavdie, tentuan të kalonin kufirin për në Kosovë, më 1967. Gruaja e kujton gjithnjë atë moment, kur, ndërsa do kalonin vijën kufitare, ai mori një copë letër e shkroi “Lamtumirë, atdhe i dashtun, po të la, por zemërplasun …” dhe e vendosi në degën e një peme lajthie, që ta gjenin rojet… Por fati do të ishte kundër tij edhe në Kosovë. Ushtarët jugosllavë do ta kapnin dhe do ta burgosnin bashkë me të shoqen në burgun e Prizrenit.
Më 6 maj 1967, jugosllavët i kthyen Havziun dhe Lavdien në pikën kufitare të Morinës, në këmbim të atdhetarëve shqiptarë nga Kosova, që qeveria komuniste e Enver Hoxhës ia dorëzonte Policisë Sekrete Jugosllave, UDB-së. Më 22 maj 1967, poeti u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg për kalimin në Kosovë. E gjithë pasuria e tij u konfiskua. Gruaja e tij u dënua me dhjetë vjet burg. Poeti kurrë nuk u pajtua me diktaturën dhe marionetat e tij në burgje. Më 8 gusht 1975, atij iu shtuan edhe tetë vjet të tjera, sepse konsiderohej një armik i zjarrtë i Partisë dhe i popullit. Më 19 dhjetor 1986, ai u lejua të dalë nga burgu, por vetëm për një kohë të shkurtër. Më pak se një vit më vonë, më 12 tetor 1987, ai u arrestua dhe u internua në fshatin Arrën.
Më 24 qershor 1988, Gjykata e Lartë e Shqipërisë e hodhi poshtë kërkesën Lavdie Nelës kundër dënimit të burrit të saj me vdekje. Gjykata vendosi që Havzi Nela të dënohej me varje. Miratimi përfundimtar i dënimit me vdekje nga Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia, çoi në ekzekutimin e Havzi Nelës. Ishte 54 vjeç, atë mesnatë, kur shpirti i tij fluturoi për herë të fundit sipër qytetit të tij të dashur, për të nisur tashmë udhëtimin e përjetshëm krejtësisht i lirë… Pas viteve ‘90-të, fati i Havzi Nelës ka qenë shpesh në vëmendjen e shtypit. Teksa janë shkruar pafund mbi aktin barbar që diktatura bëri me jetën e poetit, ajo që del çdo ditë e më shumë në pah është vlera e vargjeve të shkruara prej tij. Poezia e tij është një rrëfim për errësirën dhe një himn për jetën. Krijimtarinë e tij ai e la në 7 fletore, të shkruara me kujdes gjatë kohës së burgut. Mbi këto fletore të vjetra është ndërtuar ajo çfarë sot quhet letërsia e Nelës, një letërsi që mban firmën e një prej disidentëve më të mëdhenj në historinë e komunizmit të vendit tonë.
Ismail Kadare
Poeti Havzi Nela, është një këmbanë që ende bije për shoqërinë shqiptare. Të mos e dëgjosh këtë këmbanë, do të thotë të vazhdosh të shkelësh me këmbë lirinë e Shqipërisë.
Krahas hezitimit për të dënuar krimet e komunizmit, një dukuri tepër e shqetësuar, për të mos thënë monstruoze, vazhdon në Shqipëri. Pasioni i habitshëm për t’u dhënë tituj e nderime njerëzve që jo vetëm nuk bënë asgjë për lirinë, por që bënë gjithçka për ta shtypur atë.
Dorëshkrime nga Havzi Nela
***
“Të gjitha këto që shkrova deri këtu, me vjet të tana kanë qëndrue në tru dhe duke i përsëritë me vetveten, me kokë nën jorgan, ose në vende ku isha ma i vetmuem, kam mundë me i ruejtë në kujtesë. Gati gjysma janë krijue me mend, pa përdorë laps dhe janë rimue me anë të gishtave. Këto janë sidomos ato që janë krijue në biruca të Rrëshenit, kur u arrestuesh për së dyti dhe disa të tjera në Burrel. Kuptohet vetiu se këto që janë krijue pa laps e pa fletore, çalojnë dhe nga ana metrike, lanie anën tjetër artistike.
Në këto ditë që mora guximin t’i hedh në letër, sigurisht jam nxitue dhe për ma tepër duke hedhë sytë sa majtas-djathtas se mos kam tërheqë vëmendjen e shokëve që i kam fare pranë. Në këtë punë jam nisë ma tepër t’i hedh si material bruto dhe nuk kam pasë parasysh as anën gjuhësore. Gjuhën letrare nuk e kam zbatue, herë tosknisht e ma shumë gegnisht; nuk kam pasë parasysh as anën ortografike dhe shenjat e pikësimit, etj. Shkurt, due që ta shpëtoj si material, se do të përpiqem, po munda me i nxjerrë jashtë, se u lodha së mbajtuni në mendje. Gjithashtu dhe titulli dhe ndamja në pjesë âsht bâ jo ashtu si mendoj unë të bahen. Këtë punë ia la të ardhmes, po qe se dal vetë i gjallë prej këtu. Kam në kokë dhe nji poemë tjetër të gjatë, me mbi 1000 vargje me titull:
“Nga nji vorr n’zemër t’malësisë
Lëshohet kushtrimi Lirisë”.
Nga shënimi në fund të poezisë “Tirani ynë”
Lavdija, gruaja që deshi poeti
Ka pasur kohë të bukura në jetën e Lavdije Nelës, kohë kur gjithçka që kishte lexuar nëpër libra tashmë e kishte aq pranë. Ishin kohët e dashurisë me Havziun, njeriun që i rrëmbeu menjëherë zemrën që kur e pa për herë të parë. Përveç dashurisë, ishte diçka që i bashkonte të dy, dashuria për poezinë. Ajo i di përmendësh vargjet e tij, vargje që ia lexonin njëri-tjetrit në kohë gëzimi e më së shumti dëshpërimi. “Kam qenë në punë në guroren e Kalimashit, ndajshim kromin e pastër nga gurët ku më vjen një grua e më thotë: Lavdije, a e more vesh? E varën Havziun! Oh, si ta zë goja, desha t‘i them, por nuk fola, në dorë mbaja një gur të rëndë dhe guri më ra te këmbët… Spiunohesha në atë kohë se mos shprehja mendime për të. Pak më vonë erdhi operativi e më tha, e hoqëm qenin… Është e vështirë të shërohen plagët e shpirtit tim”, kujton Lavdija momentin kur mori vesh vdekjen e të shoqit. Që nga ai moment, gjithë bota u përmbys për të. Në jetën e kësaj gruaje nuk kishte më shpresa për një të ardhme më të mirë. E ardhmja tashmë kishte vetëm një qiell gri, pasi asnjë ditë, që do të vinte, nuk do t’i sillte më të dashurin e zemrës. “Unë do të vij me ty deri në vdekje”, i thashë, janë fjalët që ajo i tha atij, kur vendosi të arratisej nga Shqipëria.
Më poshtë janë dy letra që Havziu ia ka dërguar të shoqes gjatë kohës që ka qenë në burg.
E dashur Lavdije!
Letrën para kësaj e shkrova shumë shkurt dhe të thashë mos më shkruaj ma letra pa t‘i dërguar unë. Këtë e bana tue mendue se letra jote nuk do të më gjejë këtu. Ti ndoshta mund të jesh ba merak për këtë, por kjo është një arsyeje. Në letrën e fundit që më dërgojshe më thoshe se je mirë si në shtëpi. Kjo më gëzon pa masë, sepse pikërisht aty e kam merakun edhe unë. Edhe vet jam mirë, fare mirë, deri sot. Në letër më shkrojshe se mbasi të liroheshe nuk di se ku me qëndrue, bashkë me vllazërit apo me nanën në shtëpi. Kjo gjendje asht herët me u sqarue, por sidoqoftë unë them që asht ma mirë me qëndrue në shtëpinë tonë, arsyet s‘po t‘i them se shkon gjatë e më soset letra për një gjë që nuk ja vlen barra qeranë. Ti më parë kërko përgjigjen e aplikimit në komunë ose kërkoji gjykatës së naltë me letër. Mandej si t‘i plotësojsh një vit kujtoji degës mb. Kukës se në 5 vjet e poshtë thonë se i çliron dega po të dojë, pra bani lutje. Shiko se unë kam marrë letra nga Shukriu, Sadiku, Hasani… dhe jam kurjoz të di a të dërgon letra tjetër njeri për veç Shukrisë, shtëpisë tande e meje dhe kush janë ata?…
Vlorë më, 16-12,69
E dashtuna Lavdie!
Jam mirë, dëshroj të jini mirë. Letrën tande e kam lexue disa herë me radhë, jam gëzue që jeni mirë. Një letër ja kam dërgue Shukrisë; a e keni marrë? Ju pata thanë që më sjellni kapotën por jo, mos ma sjellni sivjet. Sillni dhe ato të tjerat që ju kam kërkue. Në vend të thesit që ju kam kërkue, kur të vini… më sillni një valixhe më të madhe për me mbajt ushqimet më të rëndësishme… Valixhja të mos jetë e re, vetëm të ketë çelës.
Po qe se keni vendosur të vini, kini kujdes mos delni me kohë të keqe se po mbeteni rrugës. Bile, unë them që po erdhi Veseli në Vlorë jepjani atij ushqimet e ju mos ejani, se asht tue mbajt kohë e keqe. Po prapë ju e dini, veç po erdhe ti vetë, vishu mirë se do të kalojsh Qafën e Malit. Mund të vini kur të dojni, pasandaj kur të çeli koha e mirë, nisuni, ani se shkon edhe vonë. Shukrisë thuaji mo u ban merak se për sëmundjen që ke ti sot kanë dalë plot ilaçe. Shukriu le ta mbajë veten dhe ta kufizojë sëmundjen në këto vjetët e para, po ma vonë, si të dal unë, do t‘ja bajmë dermanin dhe do të të shërojë e do të të baj si tash në qoftë se jam vetë gjallë dhe do ta kem shëndetin siç e kam sot por, po u sëmura unë, atëherë s‘di çfarë të të them. Lekët që i ke e do shtoni, t‘i përdori për shëndetin e vetë në radhë të parë, mandej nga pak edhe për nanën e fëmijët e gruan e tij. Për shtëpi mos ta hajë aspak meraku se po dola unë, do të rregullojmë çdo gja, po nuk dola, ai shtëpinë e ka se e ka timen. Tani po përfundoj me të falat. Nanën e përqafoj së largu me mall dhe i them mbaj gariet, mos u mërzit fare, e vëllait, nuses së vëllait e fëmijëve të dashtun të fala shumë. Shukrisë, nuses dhe fëmijëve të Shukrisë të fala shumë. Ti Lavdije të fala shumë…
Motrave e dajallarëve të fala. Shokëve e miqve të fala shumë…
Hivzi Nela: AMANET, POEZITË...
Havzi NELA (1934 - 1988 )
AMANET, POEZITË...
(Sipas Bedri Çokut, që bashkëvuajti me të - pjesë e shkëputur)
Vetëm një porosi dua të të lë, vëlla, Shukri : Amanet poezitë e mia që ti vetë i ke fshehur. Nëse vdes para se të çlirohemi nga kthetrat e komunizmit, ato nxirri nga dheu ku i ke groposur dhe dorëzoja cilido nga bashkëvuajtësit e mi. Nuk po të them ndonjë emër, sepse nuk e di cili nga ata do t’ia arrijë asaj dite… Por, kam besim se fitorja e jonë do të jetë e afërt…Poezitë e mia do të botohen një ditë…Edhe këto që kam shkruar këtu, në internim.
NUSE MË DHANË ROBNINË
Jo or jo, njizet vjet burg nuk u mjaftuen
S’u ngopën ushunjëzat, xhelatët mendjemarrë;
Më ndoqën kamba-kambës, lakun ma shtrënguen
Më ndoqën gjithë jetën, pse jo deri në varr!
Ma hoqën përgjithmonë, të shtrenjtën, lirinë,
M’i hoqën të gjitha, kot kam mbetë gjallë
Shtëpinë ma rrënuen, nuse më dhanë robninë
Më lanë pa vajzë e djalë, më lanë të qaj me mall.
Gjithë jetën vetmue, larg prej njerzve t’mi
S’paç me kë lazdrohem, kujt t’ia them nji fjalë
Trup e shpirt plagosur, s’gjeta kurrë qetësi,
Sot në moshë të shkueme, maleve kam dalë.
Nëpër male t’Arrnit, pa anë e pa fund,
Në këto shkrepa e thepa që s’ke ku ve kambën
Më përplasën, më rrëzuen, ma randë se gjithkund,
Më rrëzuen mos me u çue, o zot banu gjamën!
E prap s’kanë të nginjun, xhindosen kur më shohin,
Thue se u zuna fronin, u prisha humorin,
Më vrejnë me inat e fort mirë më njohin,
Nuk më thyen kurrë, jetën krejt ma nxinë.
Arrën, tetor 1987
KUR TË VDES
Kur të mësoni se kam vdekë,
Kur të thoni: “Ndjesë pastë!”,
A e dini se çfarë kam hjekë,
Unë, poeti zemërzjarrtë?
Kur të pyesni: “Ku e ka vorrin?”,
Kur t’kërkoni me ma gjetë,
Thoni: “Ai urreu mizorin”,
Thoni: “Dheu s’ka me tretë!”.
Thoni: “Ai e deshi jetën,
Jeta n’vuejtje e dërmoi”,
Thoni se ka mbrojtë të drejtën,
Grusht tiranësh nuk duroi.
Thoni: “Desh, kërkoi lirinë,
Si skifter në fluturim,
Provoi prangat, t’errtë qelinë,
Për të mjerët lëshoi kushtrim”.
Thoni: “Dritën ai kërkoi,
E vetë dritë nuk pa me sy”,
Thoni: “Për njerëzinë këndoi
E për vete mbajti zi!”.
Thoni se e qorroi terri,
Thoni: “Dielli nuk e ngrohu”,
Thoni se e trishtoi tmerri,
Ai të shtypunit i tha: “Çohu!”.
Kur të vijë, të çelë pranvera,
Kur bilbili nis me këndue,
Mbi vorr tim me gur’e ferra
Nji tufë lule me ma lëshue.
Prekni vorrin, mos ngurroni,
Kush ka lindë, ai ka me vdekë,
Veten ju kur ta ngushlloni
Thoni: “Gjallë kërkush s’ka mbetë!”
(Qafë-Bar, me 5 shkurt 1983)
NË QELIT’ E BURGUT
Në qelit’ e burgut pa ajër e pa dritë,
Fryma po më merret, m’janë terrue sytë.
Po dergjem i mjeri, mbahem, rroj me shpresë,
Jeta m’u randue, dëshirë nuk kam të vdes.
Mishnat po shkallmohen, kockat më kërcasin,
Barkun gjithmonë unshëm, policët bërtasin.
Pres t’afrohet ora, pres të hapet dera,
Pres t’më sjellin ngranjen si kafsha e mjerë.
Unshëm ulem ha, ma unshëm kur çohem,
Nuk qahem pse soset, skamjes s’i nënshtrohem;
I nënshtrohem ligjit, jetoj me rregulloren,
Dhe po t’jesh lypsar s’ke kujt t’ia shtrish dorën.
Dit’ e net i mbyllun si zogu n’kuvli,
Për shtrojë e mbulojë me tri batani!
Batani të vjetra, as njena as tjetra,
Gjith pluhun e llum, janë ma trashë se letra.
Kur vjen orë e gjumit, kur shtrihem me fjetë,
Mendja m’arratiset, shpërndahet si retë,
Po merr fushat, malet, ikë më le mue t’zinë
Fluturon e s’ndalet, s’e duron robninë.
Sa n’nji krah në tjetrin, ikë nata, kalon,
Mpi e fort ligshtue, polici më zgjon!
Lind nji ditë e re krejt si ditët e tjera,
Unë shpend i ngujuem, pres të hapet dera.
Ah, kjo derë e randë, kjo qeli kobare!
Ma cfilitën trupin, zemra s’ndihet fare;
Me durim përgjoj kur do t’ma hapin derën,
Po e pres lirinë si zogu pranverën