Për nisje… Në dhjetëvjetorin e ndarjes tënde fizike prej nesh të pata dërguar një letër publike nga Japonia e largët, e cila u botua në shumë të përditshme më 12 shtator të 2007-s. Sot, pas pesë vitesh, kur e rilexova atë tekst në një web, më mbërthyen emocionet. Ndoshta largësia, nostalgjia e moshës, ndoshta edhe ndryshimet, skutat dhe dredhat e kohës në të cilën kemi kaluar përgjatë këtyre viteve ma shndërruan rileximin e kësaj letre në një ndjenjë malli, por edhe analize të përpjekjeve dhe angazhimeve për vlerësimin e figurës dhe veprimtarisë tënde në ato pak vite jetë aktive në politikë sa ç’të lanë t’i jetoje kundërshtarët e tu politikë, më nxiti ta ridërgoj për botim.
LETRA
Hej mik, vëlla, shok, lider a kryetar, si të duash po të thërras, ti të gjitha i ke, jo vetëm për mua, për shumëkënd në Shqipëri e ngado që flitet shqipja. Ti e meritove këtë emër qysh në ditët e para të dhjetorit ‘90, kur të ndoqëm pa pikën e hezitimit se vetë na the “që për demokracinë kishe vënë në hipotekë dy fëmijët e tu”, e vërteta doli se për demokracinë, Shqipërinë, çështjen tonë kombëtare ti kishe vënë në hipotekë jetën tënde. Por lëre ta harrojmë dhimbjen, bile edhe lavdinë për një çast. S’është ky shkaku që po të shkruaj. Tjetërçka më ka shtyrë të germëzoj. Dua të të kërkoj falje. Jam larg, larg, shumë larg, jam në Lindje, jo në të Afërmen, jo, jo, as në të Mesmen, jam në Lindjen e Largët. Nuk ka më larg se jam, jam në Japoni, në fund të saj, në Obihiro. Desha të të kërkoja falje që nuk t’u gjenda pranë në këtë dhjetëvjetor të mungesës tënde fizike.

Para se të nisesha për në Japoni, i bëra një kërkesë Presidentit të Republikës, zotit Topi, ku i kërkoja që të nderonte liderin e Lëvizjes Studentore (pra, ty) me Urdhrin e Lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Ai u përgjigj me gojë dhe me dekret: “Po”. Rruga për në Japoni kaloi nëpër Romë, ku vizitova edhe një herë pothuaj të gjithë krenarinë e Romës. Ngjitur me Fontana di Trevi është Vicola Skanderbeg, në fund të rrugicës sheshi “Skënderbeg” dhe shtëpia e Skënderbeut, e shndërruar në Muze Nacional të Italisë. Shkova edhe te sheshi “Albania”, ku ngrihej madhështor monumenti i Skënderbeut. U ndjeva krenar miku im, prijësi ynë i lirisë, por edhe u trishtova, u ligështova, u ndjeva ngushtë. Ti e çlirove vendin tënd nga prangat e Lindjes ku e kishte mbyll diktatura, ti i prin lëvizjes që u ktheu shqiptarëve Perëndimin. Pse vallë nuk duhet ta kesh një përmendore në më të madhin shesh që ka Shqipëria, pse jo ballë për ballë me Skënderbeun? Ai flijoi vendin e tij për të mbrojtur Perëndimin, krishterimin, ti e ktheve atë te shqiptarët, ti i çele portat e ndryshkura të Shqipërisë drejt Perëndimit.
Shqipëria, vendi yt, i imi, është i mbushur edhe sot e kësaj dite me monumente monstrash që kanë vrarë njerëz. A thua kaq e vështirë është të gjendet një vend dinjitoz siç ti e meriton ku të vendoset përmendorja jote, përmendorja e liderit të Lëvizjes Studentore? Ti tashmë je një monument-kujtim i vlershëm guximi, kuraje, qytetarie. Je një medalje në gjoksin e çdo shqiptari që e do vendin e tij, që e do dhe çmon lirinë dhe demokracinë për veten dhe për të tjerët. Miku im, lideri dhe kryetari im i parë, të betohemi unë dhe gjithë ata që të ndoqën në rrugën tënde të lirisë, se nuk do të lëmë gur pa luajtur që ty të të kthehen të gjitha vlerat dhe vlerësimet që meriton. Miqtë e mi të grupimit “Dhjetor ‘90″ do të t’i bëjnë të gjitha nderet në këtë dhjetëvjetor të mungesës tënde fizike, por edhe unë këtu në Obihiro do të kujtoj me mall dhe dhimbje, miku im, lideri ynë… Azem Hajdari!…
PËR MBYLLJE…
… të mallit e nostalgjisë që më ngjalli rileximi i kësaj letre, të cilën pata dëshirë ta rindaja me lexuesit, mund të konstatoj pa kurrfarë mëdyshjeje se Azem Hajdarit, mikut, vëllait, shokut, liderit, kryetarit e shqiptarit të mirë, në këto 15 vite, si asnjë personaliteti tjetër të jetës politike në historinë moderne të Shqipërisë, i janë bërë të gjitha nderet dhe vlerësimet që mund t’i bëhen një politikani, burri shteti, atdhetari. Ai i ka merituar të gjitha këto nderime dhe sot në këtë 15-vjetor të mungesës së tij fizike eshtrat e tij i mëkoi Nëna Shqipëri. Shpirti i tij i lirë triumfoi mbi çdo lloj gracke e skute ku u munduan ta kurthojnë, mbi çdo lloj intrige, skenarësh dhe izolimi që kanë tentuar ta ngujojnë, sot shpirti i tij i lirë flatron i qetë, krenar e ngadhënjimtar mbi të gjitha hapësirat ku flitet shqipja. Yll ndër yje, atje ku është në qiell sot Azem Hajdari shndrit më shumë se kurrë…