ZGJIMI I DAMARIT TË FSHEHTË



Vullnet Mato

Tregim

Në atë kohë nuk kisha bastun në dorë, por një automatik fringo te ri me shtatëdhjetë e dy fishekë në gojë. Nuk kisha syze hipermetropi numër pesë, por një dylbi me të cilën hidhja vështrimin pesëdhjetë kilometra larg, në brendësi të kufirit fqinj. Atëherë isha tridhjetë vjeç dhe kisha marrë gradën e kapitenit të postës kufitare në juglindje të vendit. Kurse ushtarët e togës që komandoja, ishin të gjithë rreth moshës njëzetvjeçare. Të njëzetekatër djemtë ishin me uniforma të rregullta, me togëzat metalike të rripave, që u shkëlqenin deri larg dhe me yllin e kuq, si një copë thëngjill xixëllues te balli i kapelës.
Ndërsa pesëqind metra tej kufirit, në një kodër mbi anën tjetër të lumit, në postën fqinje përballë, nuk ishim ushtarë në kuptimin e vërtetë të fjalës. Por disa bashibozukë të çrregullt, që qëndronin gjithë ditën pa rripa e pa kapele dhe silleshin vërdallë, duke mbllaçitur me gavetat në dorë. Duke qenë të sigurt, se asnjë rrezik nuk u vinte nga posta jonë paqësore. Ata për të joshur e tërbuar djemtë tanë, piqnin mishra me hellin para postës, apo zhveshnin ndonjë kurvë lakuriq dhe e lëpinin nga gjoksi duke bërë me dorë: “Hajdeni!” Pastaj, kur shihnin indiferencën tonë përbuzëse, fillonin na shanin nga nënat, me fjalët më të pista që u vinin në gojë, duke përdorur epitete të ulëta për shqiptarët dhe udhëheqësit tanë. Por provokimet e tyre të zakonshme, nuk mund të merrnin asnjë përgjigje nga memecëria e rreptë e rregullores sonë.
Ishte një ditë e nxehtë korriku, kur ushtari ynë, Zefi, që ndodhej me pushim atë pasdite, mori teshat e tij dhe zbriti në anën tonë të lumit, për t’i larë mbi një pllakë guri. Ushtarët e huaj filluan të qeshnin me gërgama e të talleshin me të, duke e sharë me gjysma fjalësh shqipe të ndyra, duke i bërë shenja të turpshme me duar. Por Zefi ynë ushtar shembullor i dëgjonte dhe vazhdonte larjen pa u kthyer asnjë përgjigje lehjeve të tyre. Atëherë, njëri nga ushtarët e postës fqinje e mori në shenjë me pushkë Zefin, dhe e qëlloi në gjoks, duke e lenë të vdekur në vend, me një plumb të vetëm...
Pas këtij akti gjakatar, disa nga ushtarët bashibozukë të ndezur nga urrejtja, filluan të qeshnin e kërcenin përpjetë nga kënaqësia e palosjes përtokë të ushtarit tonë. Njësoj sikur të ishin ca kalamaj që kishin vënë një nishan për ta kapur me gjuajtje guri dhe kur njëri prej tyre e kishte rrëzuar, brohorisnin gjithë gaz.
Unë dëgjova krismën e armës së tyre dhe në çast i thirra Zefit nga larg disa herë. Pasi nuk mora asnjë përgjigje, nxora dylbinë dhe vrojtova me kujdes, se mos ai bënte ndonjë lëvizje prej të plagosuri, apo trupi i tij luhatej sadopak nga frymëmarrja e mundimshme që ndodh në raste të tilla. Pra, u binda se ushtari ynë kishte vdekur. Befas i gjithë efektivi i postës ngriu në ven nga kjo e papritur e llahtarshme. Atëherë me lot në sy, urdhërova ushtarët:
- Dëgjoni këtu djema!... Në mënyrë që të ruhet gjakftohtësia e të mos ndizen krisma të tjera nga të dy anët e kufirit, urdhëroj që asnjeri nga ne të mos i afrohet ushtar Zefit!...
Ushtarët e bindur deri në ngurtësim, mërmëritën me dhimbje, pa zbrazur asnjë fjalë nga goja. Por e kuptova se nga secili prej tyre, ishte gati të shpërthente drejt vrasësve përballë, një zemërim më i fuqishëm se njëmijë krisma plumbash të zjarrtë.
-Shoku komandant, - dëgjova atë çast njërin nga rreshterët e ndërlidhjes, - A mund të lajmërojmë me telefon komandën e kufirit, për vrasjen e ushtar Zefit?...
- Në asnjë mënyrë dhe me asnjë lloj mjeti! – u përgjigja. – Prisni!... Do t’u them unë kur do të bëhet njoftimi!... Kemi punë tjetër më të rëndësishme për të bërë...
Pritëm me padurim të tmerrshëm derisa perëndoi dielli dhe filloi të errej plotësisht. Kur errësira u trash dhe ne nuk mund të dalloheshim nga vrasësit matanë kufirit, zbritëm në heshtje te zall i lumit. Pamë me kujdes plagën e plumbit që i kishte përshkuar gjoksin tejpërtej, të shtrenjtit tonë, Zefit si dhe pellgun e gjakut që kishte rrjedhur, derisa kishte skuqur këmishët e lara të tij. Me drithërima shpirti e duke fshirë lotët me duar, e puthëm në ballë e në faqe të gjithë me radhë. Fytyra e tij fare pa ngjyrë në atë errësirë, dukej sikur na thoshte: “Më vranë fare kot, maskarenjtë e pabesë, po mos ma lini hakun e gjakut pa marrë, or vëllezërit e mi!”
Nuk kishim ndjerë vajtim më të dhimbshëm në jetë, se sa ai, kur secili prej nesh, donte të klithte me ofshama nga dhimbja dhe urrejtja për vrasësit. Por ato çaste nuk mund të lëshonim asnjë zë nga buzët e kyçura aq keq.
E rregulluam trupin e Zefit, në një pozicion me të përshtatshëm, duke i ngritur kryet mbi teshat e tij të palosura dhe tërë njolla gjaku. Pastaj lashë aty dy ushtarë të armatosur ta ruanin. U ngjitëm te posta dhe në orën një të mesnatës, unë mora mitralozin gjerman D.T. me shiritin e gjatë të fishekëve. Pajisa të dy rreshterët me thika, automatikë e nga dy bomba secili dhe bëra gati gjithashtu pesë ushtarë të armatosur me kujdes.
Për fat, atë natë qielli nuk kishte Hënë në asnjërin nga cepat e tij. Zbritëm ngadalë përgjatë një shtegu që na nxori në anë të lumit. Aty u hymë valëve të shkumëzuara mes për mes, duke u lagur deri te kofshët.
Ecëm me zvarritje gati barkazi dhe sapo u afruam te posta e tyre, dy rreshterët, së pari asgjësuan me thika dy rojet e nemitur nga nata, teksa ushtarët me automatikë, kishin rrethuar në përgjim ndërtesën e postës. Unë me mitralozin në dorë u futa te dhoma e bashibozukëve, ku binte era alkol dhe gërhitjet aty i ngjanin një stalle derrash. Mora frymë thellë dhe klitha fort, me sa fuqi kisha:
-Çohuni, vrasës të pabesë! – dhe sa hap e mbyll sytë shkrepa breshërinë e mitralozit, duke e shëtitur tytën në të katër anët e dhomës së gjumit.
Kur nga flakët e tytës vetëtiu gjithë fjetorja dhe vura re se nuk mbeti asnjë i gjallë, dola përjashta. Shkatërrova me plumba të gjithë kazanët dhe tenxheret e tyre. Në fund mblodha shokët dhe të gjithë bashkë, duke fluturuar me krahët që na kishin mbirë befas nga hakmarrja e Zefit, shkuam morëm ushtarin tonë martir dhe e çuam te posta jonë kufitare. E vumë mbi dy tavolina në mes të dhomës së veprimtarive kulturore dhe e qamë burrërisht, me zemra të plagosura si asnjëherë.
Rreth orës tetë të mëngjesit, para godinës së postës fqinje vumë re të grumbulloheshin shumë vetura me ushtarakë dhe civilë, që brumbullonin, duke shikuar në drejtim të godinës së postës shqiptare, e cila tashmë paraqitej krejt e qetë.
Atëherë, me një marramendje të çuditshme nga tronditja e madhe, pasi kishin kaluar pesëmbëdhjetë orë, dhashë urdhër, të lajmërohej komanda eprore për ngjarjen e kobshme.
E vumë ushtar Zefin e vrarë para postës sonë, në një mënyrë të atillë, që kufoma e tij, të shihej nga grupi i ushtarakëve të huaj, të grumbulluar para postës së tyre.
Nuk vonoi shumë dhe te posta jonë brofën të gjithë kuadrot e zonës së kufirit.
Unë i raportova hollësisht komandantit të zonës për provokacionin e pabesë nga ana e postës fqinje dhe për urdhrin e sulmit që kisha dhënë në atë gjaknxehtësi të tmerrshme. I tregova, gjithashtu, se ne, i gjithë efektivi i postës, , u betuam me lot në sy, se pa marrë hakun e ushtar Zefit nuk do të shërbenim dot më tej në këtë postë kufiri. Boll i kishim duruar, sharjet, talljet, kërcënimet e tyre dhe më në fund na kishin përdorur si tabelë qitjeje, duke na vrarë ushtarin më të mirë. Pastaj e mbylla me vendosmërinë time të palëkundur: “Për këtë veprim të kryer prej meje, komanda le të më dënojë rreptësisht. Unë e pres me kryelartësi çdo lloj dënimi që të më jepet. Por duhet të dini, shoku komandant, se nuk ka shqiptar që të mos e ketë të fshehur në trupin e tij, atë damarin e papërmbajtshëm të hakmarrjes, kur gjaku i njeriut të shtrenjtë merret nga të tjerët pa asnjë faj...”
Komandanti i zonës më kritikoi ashpër për vonesën e njoftimit dhe për urdhrin e veprimit të kryer ndaj postës fqinje. Qysh atë ditë, u dënova me burg disiplinor, në burgun e garnizonit të Tiranës. Pastaj më nxorën në lirim, si oficer rezervë me motivacion: “Gjaknxehtë dhe i papërmbajtur.”
Unë i tillë do të vdes. Por të gjallët përtej kufijve tanë, duhet të dinë, për atë damarin e fshehtë që trashëgon secili nga ne, shqiptarët, që të mos na e trazojnë pa kujdes e padrejtësisht, sepse ndodh të na zgjohet krejt papritmas...




Vullnet Mato (lindur më 1937 në Sarand), mësues, poet, prozator, shqiptar nga Shqipëria.
Vullneti, i biri i Remzi Matos mësues, mësimet e para i mori në qytetin e lindjes. Për shkak se i burgosën babanë për agjitacion dhe propagandë u la disa vite pa punë. U detyrua të largohet nga vendlindja në moshë të re dhe shkoi për të punuar kinomekanik në kinematë e sharrave "Hotolisht" e Stravaj dhe më pas në qytetin e Librazhdit. Aty mbaroi me korrespondencë "Liceun Artistik" të Tiranës për pikturë dhe studimet e larta në Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tiranës në degën Gjuhë letërsi shqipe. Punoi drejtor në shtëpinë e kulturës dhe në muzeun e këtij qyteti. Në vitin 1970 u pranua anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Botoi publicistikë dhe letërsi artistike në disa organe të shtypit të kohës. Bëri disa skenarë filmash dokumentarë dhe kronika të TVSH. Mori pjesë në festivalet kombëtare të Radiotelvizoonit shqiptar ku fitoi çmime për tekstet. Dy tregime të tij u përkthyen dhe u botuan në shtypin e huaj. Disa cikle me poezi të tij u inskenuan të recituara nga aktorë të Tetarit Popullor. Pasi u bë i njohur me krijimet e tij u tërhoq nga redaksia e Revistës "YLLI" ku u emërua redaktor. Por një vit më pas u vërtetua mungesa e garancive të nevojshme politike dhe me urdhër nga lart e kthyen sërish në Librazhd, ku u dërgua disenjator në repartin e pikturës. Më tej, punoi mësues në gjimnazin e qytetit. Dhe në vazhdën e keqtrajtimit të herëpashershëm klasor u dërgua mësues në shkollën e mesme të fshatit Qukës. Me ndërrimin e sistemit u emërua shef në drejtorinë arsimore të këtij rrethi dhe u zgjodh kryetar i degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Librazhdit.
Vitet e fundit jeton e punon në Tiranë, është redaktor i shtëpisë botuese "Milosao". Romani i tij "Lakmia" u nderua me çmim në konkursin e ndërmarrjes botuese "Gjon Buzuku" të Kosovës.

Tituj të veprave

"Tinguj malesh", 1969, V. poetikë.
"Krahët e erës", 1972, V. poetikë.
"Ujësinor", 1976, roman.
"Ninullat e Hekurit", 1984, V. poetikë.
"Era e kësaj kohe", 1984, roman.
"Dritaret e prillit", 1994, V. poetikë.
"Katër plagë të Shqipërisë", 1999, V. me poemë.
"E fshehta tronditëse", 1999, V. me tregime.
"Lakmia", 2000, roman.
"Maturantët", 2002, roman.
"Damkosja e engjëjve", 2004, roman.
"Klithma e mishit të bardhë", 2006, V. me tregime.
"Grerëzat e kuqe", 2007, roman.

FLORIPRESS

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)