Poeti Vehbi Demir Skënderi ka lindur në fshatin Strelcë të Korçës në maj të vitit 1927. shkollën fillore (me pesë klasë) e kreu në fshatin e lindjes në vitet 1934-1939. Në vitet 1941-1943 vazhdoi studimet fetare në Medresenë e Lartë Tiranë. Në majin e vitit 1943 ndërpret studimet dhe del partizan në Çetën e Dibrës me komandant Haxhi Lleshin. Në vitin 1944 pranohet në radhët e Partisë Komuniste Shqiptare. Me mbarimin e luftës kalon në Divizionin e Mbrojtjes Popullore. Më 1951 fillon një kurs estetik dyvjeçar ku japin leksione Jakov Xoxa, Bedri Dedja, Mark Gurakuqi etj. Në vitet 1953-1956 kryen shkollën e mesme profesionale (dega rusisht). Në vitet 1956-1961 kryen Fakultetin Histori-Filologji me rezultate shumë të mira. Vehbi Skënderi njihte shumë mirë rusisht, italisht dhe frengjisht. Poezinë e parë, e cila pati shumë sukses, Vehbi Skënderi e botoi në revistën "Letërsia jonë" në vitin 1947. Më 1950, me propozimin e poetit Lasgush Poradeci, pranohet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, pa qenë kandidat. Më 1953 botoi librin e parë poetik, Këngët e para. Prej atëherë ka botuar librat poetikë Vjersha (1958), Fletë nga ditari im (1964), Vjershat dhe poemat e Drinit (1969), Vazhdim i një bisede (1971), Vdekja e Ofelisë (1971), Shqiponja e Vermoshit (1972), Përsëri mëngjes (1973), Vjersha dhe poema të zgjedhura - Kolana e poezisë shqipe (1973), Kumbojnë vitet (1983), Nxitoj (1987), Bëjmë sikur (1995), Hëna e vjedhur (2000), Zvicra Shqipëria ime (2004). Për "Fletë nga ditari im", në vitin 1966 Vehbi Skënderi mori Çmimin e Republikës. Një vit më vonë merr çmim në konkurs kombëtar për poemën Vazhdim i një bisede. Ai merr edhe çmime të tjera nga organet botuese në konkurse të ndryshme kombëtare. Poezitë e tij përfshihen në antologjitë dhe tekstet shkollore të kohës dhe në botimet e poezisë shqipe në gjuhë të huaja. Ndahet nga jeta më 13.06.2011.
Fshatarët e mi i kanë sjellë rrënjët e trëndafilëve që nga Stambolli e Persi
E dua këtë vend! Dhe sot, pas shumë vitesh, nuk e ndaj dot nga mendja: Kundërmon trëndafili e manushaqja, skaj më skaj! Çdo lule që ka Dheu e ka Bahçisaraj.
Unë ujitja lulet asaj nate të krisur! Nuk më harrohet: Pas mureve të nemur tërmet i lemeritur,
në çast Haremi zgjohet. Me qindra gra si yje. Zgjedhur si dhuratë për Sarajet e Artë
nga çdo fshat e çdo trevë; myken si uji i fjetur pas çdo grile e çdo brave.
I shtyp përditë Ankthi. Shkojnë jetën sëmbrapthi.
Shuhen në terr e zi, mbytur në lotë. Befas nisin Revoltë,
si lëndë plasëse: Si nuk u gjend një Bard t’i jepte tjetër kah kësaj loje vetëvrasëse?
Jo, jo! Ato nuk ndalen! Kallen si miza qorre. Tundin muret mizore!
Shkulin flokët papra, posi të marra. Nxjerrin gjithë zemërimin e ditëve dhe netëve të vrara!
Derdhin gjithë Zeherin q’ua dha bollëk kjo Tokë.
Me thonj i therin sytë! si foshnjëzat në djep.
“E nga vjen ky Gazep, që po mbyt Mbretërinë!” gjëmon si bubullima Mbreti i Tmerrshëm.
“Duan liri robinat,” zgërdheshen
oborrtarët.
“Moj lavira të ndyra që s’u lan uji i Detit, si ia shkelët nën këmbë Nderin Mbretit!”
bërtasin gjer në qiell hafizë e myezinë, me taborra: “Është shkelur Kurora,”
bubullon Hapësira. “Moj Rrospira hanxhinjsh që iu bëri Dreqi gra e xhadira,
si iu gënjeu i ligu e si iu cyti? Dhe si iu ra sipër Mali e nuk iu mbyti!”
Unë ujitja lulet rrënjë-më-rrënjë. Mbi skllavet “mëkatare” provojnë çdo torturë:
U thyejnë llëret e bardha. U shpojnë sytë me thika edhe gozhdë të skuqur.
U gdhendin plot tmerr Satanin në fytyrë. Nuk ngelet samarxhi e lypës pa i pështyrë!
Nga mijëra milje devetë çapen radhë: Hidhen të tjerë shkrepa mbi Gërmadhë.
Unë ujitja lule deri në orët e vona.
Kam parë me sytë e mi si u err Gjithësia prej mynxyre.
Kam dëgjuar kambanat e zërave të tyre.
E m’është dredhur zemra. “Nuk iu del shpirti kërmave,” çirren zonjat e rënda.
E hedhin gurë prapë mbi gratë e ngrata: “Është shkelur Kanuni e Dhiata.”
Po fill vjen prej Basore një Ulema me nam, që hap nur posi shejt nga mirëdashja:
“I kanë mbytur kot të mjerat vajza!“
bërtet Miku i yjeve prej Basore. E rrjedh buza helm nga kjo gjëmë e paskajshme:
“Të gjitha gratë e vrara janë krejt të pafajshme!”
Por nuk tregon asgjë për tri të mbesat, që janë mbytur nën gurë tok me shoqet e veta:
“Të Bukurat e Dheut nuk mëkatuan kurrë!“ vikat i Madhi Ulema,
që, siç tregojnë shpesh, e paska shmangur Mbretin prej tri luftërave të mëdha.
(Tri disfata të sigurta!) Sovrani psherëtin sakaq në heshtje:
“Të gjitha gratë e mbytura janë veç gra të ndershme!”
Buçet Hyjnori Ulema. E i drejtohet prapë Gjithësisë: “Për emrin e lartë të Perëndisë,
që vëren të gjallë e të vdekur. Asnjë burrë i huaj nuk i ka prekur!
Asnjë burrë i botës nuk i ka parë!” E qesh duke u zgërdheshur:
„Veç Madhërisë Suaj plot dhjetë vjet më parë.” Tregon ai duke qeshur.
“Po këto hollësi,” mendon Mbreti me vete, “kush ia paska kumtuar?”
E vëren në Qiell plot tmerr: “Thua edhe këtë mister ia kanë sjellë yjtë?”
Dhe ia ngulë sytë Poetit. Po Ulemaj i Madh, që i ngjan kaq shumë Detit,
kur ndjen se nën gërmadhë janë dhe tri mbesat e veta,
i mbushen sytë me lotë: “Loçkat e mia të shkreta,” u thotë.
E shkrofëtin me zë: “Ka ndodhur një Hata, sa nuk ka varr që e nxë!”
vëren i Urti Saud al Sabah: “Ne shohim një Gërmadhë, ai shikon çdo gjë
(në labirintet tona)”! E Ulemaj Hyjnor nga Babilon’e Ndritur e nga Basra,
u flet sërishmi yjeve: “S’kanë kryer asnjë faj të mjerat vajza!”
e ter me dorë sytë. E me Mbretin së bashku gjunjëzohen bri Gërmadhe si në Faltore.
(Në Mekë!) E i bëhet fill e ditur gjithë Rrëmetit: “Të 400 të Bukurat e Mbretit: janë shenjtore!”
Lajmin e japin vrik gjithë Radiostacionet e Radaret.
Në gjithë Perandorinë cicërojnë të trishtuar celularët!
Sulltani tinëzar e kryeneç. Kokulur si lipcar, në këtë bunacë,
Lë Darkën Mbretërore, ku e presin si Zot: vezirë, gjeneralë e tyxharë,
shoqëron në Qiell Dijetarin e Lartë…
Unë ujit prap lulet, sapo çel drita. Befas shikoj Monarkun e tmerruar: „Më janë shuar sytë!”
Po Kuvendar’i Qiellit, që nuk ka shok mbi Dhè, ia kthen Dritën në çast, sapo e sheh:
“Zoti t’i ktheu prap sytë që të lanë: T’i shohësh gjërat vetë, ashtu siç janë!”
(Sendet e njerëzit!)
Unë vadis lulet që në pikë të mëngjezit: rrënjë-më-rrënjë.
„Oh, si nuk pëlcet Dielli kur e sheh këtë Gjëmë!“
Mbi gropën e zbuluar lidhur ndër hekura të gjallat e të vdekurat:
Hedhur në varr përshesh. Gurët stuhi e rrebesh:
Nga lumi e nga deti. Nga mali e nga shkëmbi.
Gurë rruge! Gurë are! Gurë muri! Gurë strralli! Nga i miri e nga i keqi!
Gurë pylli! Gurë xhindi! Shkrepi! Dreqi!
Jo! Këtë Xhehnem nuk mund ta japë dot as vargu, as kënga, as fjala!
Nën ortiqet me gurë sikur tërbohet Qielli: Të vdekura e të gjalla!
Unë ujitja lulet: E kam parë vetë Dhembjen me këta sy: Gjakun. Lotët. Plagët!
I kam dëgjuar me këta veshë lutjet. Thirrjet. Klithmat. Shkulmet. Drithmat. Ulërimat. Zërat!
“Duhen thirrur me emrin e vet gjërat,“ thotë Ulemaj i Madh, „Që të mos çmendet Bota.“
Zërat vijnë nga „zonat e mehura“ të Vdekjes e të Dhembjes. Dhe nga akujt e shkelmave e thikave të ftohta.
Akull! Nga shqyerjet e gjymtyrëve e vertebra e thyer. (Kartagjena e kahershme.)
Si për t’iu dëshmuar shekujve këtë vrasje të tmerrshme!
Stuhia e gurëve nuk ka të pushuar.
Vajzat e mjera fshehin prej turpit trupin: „Bobo! Si nuk guxoi njeri,“
gulçon Hyjnori Ulema, “t’iu hedhë për t’i mbuluar një cergë të arnuar.
Velenxë. Rrobë të vjetër. Apo diçka tjetër. Një sixhade të flakur:
T’ua mbronte një grimcë ato gjiret delikate…”
E mendja i shkon prap te tri mbeskat e veta: “Vajzat e mia të shkreta.
Kristale të tejpashme!“ Gjëmon deri në Kozmos i Madhi Ulema nga Basra:
“Janë krejt të panjolla meleket vajza!”
E i varet posi shkëmb mbi supe koka: “Ka ndodhur një çmendi që nuk e mban Toka,”
thërret i Miri Ulema. E turfullon sërish: “Mos thuaj: i njoh njerëzit.
Jo! Asnjeri nuk njeh. (Bile as veten!)
Mos thuaj: shoh gjithçka, sepse asgjë nuk sheh. As Majën e Valmares!
E i merr zjarr fytyra:
“Ka ndodhur një Ligësi, ku s’ka fund Ligësia!”
Sendet s’e ndërrojnë Thelbin, sido të ndërrojë ngjyra.
Sado sherbet t’iu hedhësh gjërave, s’e shuan dot zeherin e kaq zërave,
që dalin nga Xhehnemi e Nëntoka. Kolona sikur mbin çdo çast nga Toka:
s’ka të mbaruar! Vajza e djem fatzinj e dritëshuar.
Njerëz nga Gropa e Harresës. Dhe pyjet e pafajshme të Kujtesës.
Këmbësorë e kalorës të ditëve të mbaruara: Ngasin sa mundin kerra, trena e aeoplanë.
Vinë të rimarrin gurët (që hodhën kur vranë vajzat) si Talismanë.
Dhe nuk mehet kjo Radhë. E nuk shterret ky Lumë!
E i tërë Rrëmeti, që pret kudo të Mirën (tok me ta edhe unë):
Nga Toka e nga Deti! Përulet e drithëruar te kjo Faltore e Bardhë,
Ku buron Mirësia, si Ajo Gurrë e Kthjellët. E si Veriu me fletë
(në të gjitha stinët e tija) që as verdhet e as vdaret.
Që nga Mesdheu i ngrohtë, gjer te Metrotë e Tokios e Metrotë e Nju Jorkut:
Këndojnë celularët!
Nuk di si e gjen Numrin (e celularit tim)
Kuvendari i yjeve (që flet me yjet çdo çast) e nis këtë Mesazh:
“Jeta është si Bari.
Siç mbin nga pik’e shiut. Siç mbin nga dhembi i krimbit e nga xixa e zjarrit,
Mbin dhe nga Gurëvarret!”
thotë Ulemaj i Madh. Po në gjithë këtë Terr, si Agim Boreal, rrëzëllijnë celularët.
Tringëllijnë celularët!”
E sëbashku me Erën e Rrymat e Pandalshme,
bashkohen me Lumejtë e Rrjedhat e Pashtershme:
Të 400 Kristalet e Tejpashme
Të lira e të Ndershme!
2009
-
Nga libri "Mirëmëngjesi Shqipëri", 2012
VEHBI SKËNDERI