2013-10-02

Kënga Magjike“Ndjenjat nuk kanë kufij” titullohet kënga e këngëtares së re Besa Breca, përjashtohet krijimi i vjedhur i Fabian Asllanit





Këngëtarja Besa Breca gjatë interpretimit të këngës “Ndjenjat s’kanë kufij”, tek e “Diela Shqiptare”
Këngëtarja zbuloi se “Ndjenjat s’kanë kufij” ishte e kopjuar.

Gjebrea: Sipas rregullores, kënga përjashtohet, i takon këngëtares ta ndjekë ligjërisht në gjyq.

“Ndjenjat nuk kanë kufij” titullohet kënga e këngëtares së re Besa Breca, e cila ia besoi hapat e parë të karrierës së saj kompozitorit Fabian Asllani.
 Por fatkeqësisht, nuk qëlloi një fillim i mbarë, pasi emri i Asllanit lakohet për të dytën herë për plagjiaturë në “Këngën Magjike”. Pas përjashtimit të motrave Trungu përpara 7 vjetësh, përsëri nga festivali “Kënga Magjike” përjashtohet një krijim i kompozitorit Fabjan Asllani. Dje, në faqen e facebook-ut të festivalit ishte postuar lajmi “Fabian Asllani ‘vret’ përsëri me notat e hajdutërisë!”, ku mësohet se kënga konkurrente “Ndjenjat nuk kanë kufij” është një kopje e këngës të Luis Miguelit “O tú, o Ninguna”. Zbulimin dhe denoncimin e ka bërë vetë këngëtarja e re, e cila në këtë rast është edhe më e penalizuara, sepse jo vetëm që kënga e saj do të përjashtohet nga “Kënga Magjike”, por sipas rregullores ajo duhet edhe të paguajë një gjobë. Mësohet se këngëtarja është paraqitur dje në mëngjes pranë zyrave të festivalit, ku ka kontaktuar me producentin Ardit Gjebrea dhe i ka treguar gjithë ngjarjen në mënyrë kronologjike. Poshtë
Ardit Gjebrea
lajmit të publikuar ishte bashkangjitur edhe link-u me këngën origjinale, me qëllim që të gjithë mund të krahasonin variantin e Miguelit me atë të Asllanit. I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, producenti i festivalit Ardit Gjebrea u shpreh se “sipas rregullores së festivalit, kënga do të përjashtohet, por i takon vetë këngëtares të vendosë nëse do ta ndjekë ose jo këtë rast në rrugë ligjore, pasi është ajo që ka kontratë me kompozitorin”. Ndërsa vetë këngëtarja është shprehur shumë e shqetësuar, më së shumti për faktin që kjo do të ishte kënga e saj e parë dhe, megjithëse e dinte se do të merreshin masa ndaj saj, preferoi më mirë të vetëdenoncohej, sesa të niste karrierën me një këngë të vjedhur. “Që në muajin qershor, kur kam nxjerrë njoftimin në televizion, kam ftuar të gjithë këngëtarët dhe kompozitorët që të njiheshin me rregulloren e festivalit në faqen kengamagjike.com. Rregulli numër një është që kënga duhet të jetë origjinale, e pakënduar më parë. Gjithashtu i kam ftuar që të njihen me kontratat që lidhen me artistët, ku njihen jo vetëm me rregulloren, por edhe penalitetet. Nëse zbulohet që një këngë është e vjedhur, artisti duhet të dëmshpërblejë festivalin me 5 milionë lekë. Nuk e kuptoj si këta artistë nuk e lexojnë rregulloren. Nëse nuk merren masa kompozitorë të tillë, do të vazhdojnë të njëjtën rrugë, por duhet kuptuar, që nuk jemi pas viteve ’90, kur demokracia u kuptua si anarki. Pas 23 vjetësh demokraci, nuk duhet të ndodhin më gjëra të tilla”, tha Gjebrea, duke shtuar se tanimë duhet të funksionojë ligji për të drejtat e autorit. Kënga e kënduar nga Besa Breca do të qëndrojë edhe për pak në faqen e “Këngës Magjike”, vetëm për të faktuar vjedhjen e këngës, më pas ajo do të hiqet nga qarkullimi.

Besa Breca: Vjedhjen e mësova rastësisht, ma hodhën në facebook
Këngëtarja tregon si nisi bashkëpunimi me kompozitorin 
Kompozitori Fabjan Asllani
Kujt nuk i vjen ndërmend emri i Besa Brecës, do të kujtohet menjëherë për të sapo t’i dëgjojë zërin, pasi ajo ishte një nga më të mirat e edicionit të parë të talent show-t “X-Factor”, që transmetohet në TV Klan. Kjo ishte kënga e saj e parë dhe zbulimi që ajo ishte e vjedhur, e ka tronditur këngëtaren e re. Besa Breca tregon për gazetën “Panorama” si nisi bashkëpunimi me kompozitorin Fabjan Asllani dhe si e zbuloi që kënga ishte e kopjuar. 
Si nisi bashkëpunimi me Fabjan Asllanin? 
Fabian Asllani ma ofroi vetë këtë këngë për në Festival. E kënduam, e regjistruam dhe e prezantuam tek “E Diela Shqiptare”. Kënga u pëlqye menjëherë, ka pasur komente shumë pozitive, shumë miq e dashamirës më kanë uruar, deri në momentin që doli njoftimi që ajo është e vjedhur.
Si e zbuluat?
E zbulova krejt rastësisht. Një mikesha ime që jeton në Meksikë, më kishte shkruar në facebook se e kisha kënduar këngën edhe më bukur se origjinali. Nuk po kuptoja se ç’po thoshte dhe i shkrova në inbox që të më tregonte si qëndronte kjo punë dhe ajo më hedh link-un e këngës origjinale. E dëgjova dhe pashë që kënga ishte e kopjuar nga fillimi deri në fund.
Ç’bëtë më pas, kontaktuat me kompozitorin?
Merret me mend që u shqetësova shumë. Në mëngjes shkova te studioja e Fabjan Asllanit dhe i tregova ç’kisha mësuar dhe i kërkova shpjegime, por nuk mora asnjë përgjigje prej tij. U largova shumë e irrituar dhe mora menjëherë në telefon Ardititn, për ta takuar më pas e për t’i shpjeguar gjithë historinë.
Cili ishte reagimi i tij?
Fatmirësisht gjeta mirëkuptimin e tij, pasi unë i tregova gjithë historinë dhe mund ta faktoj me mesazhet që kemi shkëmbyer edhe me vajzën që më tregoi për këngën. Fatmirësisht isha unë ajo që e zbulova këngën dhe nuk ishin të tjerët. Edhe pse jam në fillim të karrierës sime dhe kjo ngjarje më ka dëmtuar shumë, nuk do të doja kurrë që hapat e mi të parë t’i hidhja me një këngë të vjedhur.
Do ta ndiqni çështjen në rrugë ligjore?
Nuk mendoj se gjithçka do të mbyllet me kaq. Kjo histori më ka shqetësuar dhe më ka dëmtuar shumë. Ende nuk mund të them se ç’do të bëj. Vetëm shpresoj që të mos përsëritet më një ngjarje e tillë dhe herë tjetër të mund të flas për gjëra të gëzuara.


ALMA MILE

Biznismeni dhe investitori Elon Musk parsheh reduktimin e rrezikut të zhdukjeve të njerëzimit duke bërë jetën multi-planetare" duke i vendosur -koloni njerëzore në planetin Mars.

    Kërko brenda në imazh                                                           Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...