Ne, shqiptarët në Egjipt, nga Fatos Baxhaku


JO THJESHT HISTORI…

Sikurse do të shihni më poshtë me Egjiptin, sikurse edhe me vende të tjera arabe, na lidh një histori e gjatë, që është ngjizur përgjatë  shekujve të trazuar të Perandorisë Osmane. Shumë herë kemi pasur fate të përbashkëta, ndonëse tashmë të ndara. Ndërhyrja e të huajve në pasuritë e vendeve tona, keqqeverisjet e shpeshta, ndarja e të njëjtit popull në mik dhe armik, gërryerja dhe degjenerimi i pushteteve që vazhdojnë gjatë, të cilët ndonëse të nisur nga ëndrra të mbara përfundojnë në largimin nga populli, të gjitha këta shqiptarë e egjiptianë i kanë kaluar në mënyra njëherazi të ndryshme, por edhe ta ngjashme. Historia nuk është vetëm një kuriozitet. Ajo u shërben popujve të kuptojnë se ku kanë qenë, çfarë kanë bërë mirë dhe çfarë kanë bërë keq në rrugën e tyre të gjatë. Ja përse ky shkrim mbi shqiptarët në Egjipt mund të konsiderohet edhe si jo vetëm historik. (fa.bax.). 

Ne, shqiptarët në Egjipt

“Fushë dhe fushë dhe fushë prapë, fushë e pasosur dhe shumë vapë…”

FATOS BAXHAKU


Profesioni ushtar


Qëkurse sulltan Selimi shpartalloi ushtrinë e mamlukëve të Egjiptit në 1517, në vend u krijua një situatë e çuditshme. Egjipti ishte zyrtarisht pjesë e Perandorisë Osmane porse vendi, për dy shekuj me radhë, do të përfshihej nga një rivalitet i përgjakshëm mes mamlukëve vendas dhe jeniçerëve të sulltanit. Ndonëse administrata osmane ishte formalisht prezente, kjo periudhë do të mbizotërohet kryesisht nga mamlukët deri në mbërritjen e armatave të Napoleon Bonapartit në 1798. Pikërisht në këtë kohë shënohen emrat e parë të sunduesve shqiptarë. Më i pari prej tyre është Sinan Pasha nga Topojani. Ky shërbeu dy herë si vali (1567-1568 dhe 1571-1574). Një historian i njohur egjiptian, i cili për rastësi quhet Mubarak, ka lënë një listë të ndërtimeve që la pas Sinan Pasha i Topojanit: medrese, hamame, xhami, tregje në Kajro dhe Aleksandri.

Në fillim të shekullit XVII si vali i Egjiptit shërbeu një pasha nga Peja, Mere Pasha, fatkeqi Mere sundoi vetëm pak, sepse në kohën e tij vendi u përfshi nga një valë përmbytjesh dhe nga një epidemi shfarosëse murtaje. Gjatë viteve 1637-1640 vali i Egjiptit ishte shqiptari Mehmet Pasha, i cili më vonë u bë Vezir i Madh në Stamboll. Mehmet Pasha është i njohur për luftën e tij të gjatë me Ridvan beun, kreun historik të mamlukëve. Për disa kohë luftën kundër mamlukëve e vazhdoi një tjetër shqiptar, Ahmet Pashë Tarhonxhi. Pjesa më e madhe e ushtarëve që luftonin nën urdhrat e sulltanit ishin shqiptarë, por ndërkohë, shumë ballkanas, mes tyre edhe shqiptarë kishin nisur të regjistroheshin në radhët e mamlukëve. Disa prej tyre arritën të bëhen edhe komandantë të njohur. Njëri prej tyre, ishte Hysen bej Arnauti. Ky e kishte nisur karrierën ushtarake mes mamlukëve duke kaluar me radhë gradat e tyre dhe arriti të bëhej amir dhe kashif (princ i një krahine). Ky sundoi në zona të gjera derisa sa vdiq pas 23 vjetësh në pushtet në Medinë.
Në gjysmën e dytë të shekullit XVIII shumë i njohur ishte edhe Ahmet Arnauti. Ky, të paktën që në 1775, ishte komandanti i pjesës më të frikshme të mamlukëve, kalorësve pushkatarë. Historianët bashkëkohës e cilësojnë si njeri të drejtë e të ndershëm. Ahmet Arnauti u bë i famshëm për pasionin e tij për librat. Shumë prej tyre ua fali më vonë xhamive dhe studentëve të varfër. Ahmet Arnauti vdiq në Kajro. Kishte jetuar afër një shekull.
Në 1787 në Aleksandri ndodhi një ngjarje e çuditshme. Një mijë shqiptarë të armatosur, të komanduar nga prijësi i tyre, Ahmet Pasha, u paraqitën para shefave vendas duke i ofruar shërbim atij që do t’i paguante më shumë. Ismail pasha nuk qëndroi shumë në Egjipt, ai u largua shpejt për të marrë pjesë në luftën ruso-turke, porse njëmijë shqiptarët mbetën përgjithnjë në vend. Pas Ahmet Pashës kreu i ri i shqiptarëve u bë Ismail beu. Ky i stabilizoi shqiptarët në tri lagje të ndryshme të Kajros. Në 1790 një epidemi e rëndë murtaje përfshiu Kajron. Mes dhjetëra mijëra viktimave ishin edhe Ismail beu dhe shumë prej shqiptarëve të tij.
Ushtarët shqiptarë morën pjesë masivisht në luftën kundër armatave të Bonapartit. Beteja vendimtare u zhvillua në korrik të 1798. Bilanci ishte: tre mijë të vrarë egjiptianë e shqiptarë përkundër dhjetë francezëve. Më 27 korrik francezët hynë në Kajro. Ata masakruan pa mëshirë mbrojtësit e qytetit. Mes tyre ishin edhe 500 ushtarë shqiptarë.
Pas largimit të francezëve ishin tre pretendentët për Egjiptin: mamlukët vendas, jeniçerët e sulltanit dhe tashmë si fuqi e frikshme e pavarur, shqiptarët. Këta numëronin afër 5 mijë ushtarë që komandoheshin nga Tahir Pashë Arnauti. Sipas Al-Xhabartit, një kronikani të kohës, ky Tahir Pasha nuk dinte gjuhë tjetër veç shqipes. Ishte i hollë, i zeshkët dhe me mjekër të zezë. Kalonte një pjesë të mirë të kohës në shoqërinë e dervishëve. Në 1801 sulltani dërgoi në Egjipt një vali me dorë të fortë, Mehmet Husruf Pashën. Në ushtrinë e tij kishte shumë shqiptarë. Këta nuk pranuan të luftonin kundër shqiptarëve të Tahir Pashës, kështu që vendi mbeti pa zot derisa paria e Kajros vendosi ta shpallë vali Tahir Pashë Arnautin dhe të priste miratimin e sulltanit. Porse shqiptari Tahir sundoi vetëm 26 ditë si vali, sepse u vra nga jeniçerët në një protestë të improvizuar për punë pagash. Vrasësit e pashait u ndoqën dhe u masakruan prej shqiptarëve.

Mehmet Ali Pasha
Mehmet Aliu

Në vend të të ndjerit Tahir si komandant i shqiptarëve të Egjiptit erdhi Mehmet Aliu. Ky ishte një shqiptar që kishte lindur në Kavallë në 1769. Në Egjipt kishte ardhur në krye të treqind shqiptarëve duke iu përgjigjur thirrjes së sulltanit për luftë kundër Bonapartit. Vendi pa zot u bë shpejt i lakmueshëm. Që në ditën e vrasjes së Tahir Pashës shqiptarët u ndanë në dy kampe: një pjesë kërkonte që Ahmet Pasha kryetar i jeniçerëve të ishte valiu i ri. Në këtë pjesë ishin shumë aktivë shqiptarët Ymer bej Arnauti dhe Sali Koshi. Pjesa tjetër e shqiptarëve mbështesnin Mehmet Aliu. Gjakrat u nxehën keq. Porse beteja u zhvillua krejt e gënjeshtërt. Shqiptarët e të dy krahëve nuk luftuan seriozisht ndaj njëri-tjetrit. “Ishin një racë”, shkruan al-Xhabarti. Pas shumë peripecish, që vijuan, më në fund sulltani u detyrua të lëshonte pe. Më 9 korrik 1805 mbërriti në Kajro fermani sulltanor që e shpallte shqiptarin Mehmet Ali vali të Egjiptit. Pakkush e kuptoi asokohe se fati i këtij vendi të stërlashtë po ndryshonte një herë e mirë falë një shqiptari energjik.
Mehmet Aliu u përball shumë shpejt me armiqësinë e Anglisë. Në mars të 1807 pesë mijë ushtarë anglezë zbarkuan në Aleksandri dhe nisën marshimin drejt Kajros për të përmbysur Mehmet Aliun. Mirëpo Mehmet Aliu në krye të shqiptarëve të tij u shkaktoi anglezëve një humbje spektakolare.
Rreziku i dytë i madh ishin mamlukët, të cilët kishin tentuar disa herë ta vrisnin. Sipas një tradite të vjetër Mehmet Aliu në fillim u shtriu dorën e paqes. Me rastin e nisjes së djalit të tij për në Arabi ai ftoi krerët mamlukë në një ceremoni luksoze në një kështjellë të Kajros. Pastaj… urdhëroi masakrën. Nga 400 të ftuar mamlukë shpëtoi gjallë vetëm një. Mamlukët nuk ishin më një forcë ushtarake.
I qetësuar nga rreziqet brenda dhe jashtë vendit Mehmet Aliu nisi reformat, të cilat do të bënin të famshëm në histori: në bujqësi, në industri, në drejtësi. Ai duket se është ndikuar shumë nga këshilltarët francezë që kishte rreth vetes. Urdhëroi që gjysma e fitimit të ndërmarrjeve të tekstilit t’u ndahej punëtorëve me qëllim që të nxitej konkurrenca dhe efikasiteti në punë. Ndokush prej historianëve të sotëm ka parë në këtë vendim një embrion të socializmit. Me mijëra studentë europianë u dërguan në universitetet më në zë të Perëndimit. Ushtria u kthye në një armatë kolosale moderne të përbërë prej afër 250 mijë ushtarësh të pajisur me armatimin më modern të kohës. Se çfarë bluante në kokë shqiptari nga Kavalla mund ta mësojmë qartë nga një letër që gjenerali Ballard, shefi i misionit ushtarak francez në Kajro i dërgon Parisit. Ja fjalët e Mehmet Aliut: “E di mirë se perandoria po ecën dita-ditës drejt shkatërrimit, e pasi unë s’mund ta shpëtoj prej kësaj gjendjeje, përse të mundohemi kot? Por, në vend të saj mund të ngre një mbretëri të madhe, për ç’ka kam forca dhe mjete që më mundësojnë fitoren. Me një fjalë, prej meje e në sajë të fuqisë e të ushtrisë time, mund të pushtoj Akën, Damaskun e Bagdadin. Djali im, brenda vitit, do nisë të realizojë qëllimet e mia në brigjet e Tigrit dhe Eufratit, sepse ata janë kufijtë e shtetit që po përpiqem të krijoj…”.
Mehmet Aliu e kishte me gjithë mend. Në nëntor 1831 një ushtri e madhe e mirorganizuar, e drejtuar nga komandantë shqiptarë me kryekomandant Ibrahim Pashën, djalin e madh të Mehmet Aliut u nis për në Siri. Brenda shtatë muajve ushtritë e Mehmet Aliut arritën në kufi me Anadollin. Marshimi vazhdoi fitimtar deri 50 kilometra larg Stambollit. Ushtritë e sulltanit ishin gjithnjë në ikje. Ngjarjet alarmuan Fuqitë e Mëdha të kohës. Një shkatërrim i perandorisë osmane atëherë donte të thoshte një rend i ri botëror. Me ndërhyrjen e tyre energjike u arrit paqja mes Sulltanit dhe Mehmet Aliut. Kjo u firmos në Kutahia më 6 maj 1833. Sipas marrëveshjes, Mehmet Aliu ishte sundimtar i Egjiptit, Sudanit, Sirisë, Arabisë, Kilikisë dhe Kretës. Në dorën e sulltanit mbetën Iraku, Anadolli, dhe një pjesë e mirë e Ballkanit. Marrëveshja e ndau Perandorinë Osmane më dysh. Pjesa që i mbeti Mehmet Aliut ishte ku e ku më e madhe dhe më e begatë.
Por paqja s’kishte se si të ishte jetëgjatë. Në 1839 u zhvillua një tjetër betejë kolosale mes osmanëve dhe egjiptianëve. Disfata e osmanëve ishte katastrofike. Ndonëse fitimtar edhe një herë tjetër Mehmet Aliu pa të rreshtoheshin kundër tij të gjitha fuqitë më të mëdha ushtarake të botës, me përjashtim të Francës. Më në fund, pas shumë presionesh dhe nën kërcënimin e armëve, Mehmet Aliu pranoi të tërhiqej brenda Egjiptit. Në 1841 Porta e Lartë lëshoi një ferman, i cili e njihte pavarësinë e brendshme të Egjiptit dhe Mehmet Aliun sundimtar absolut të tij. Mori kështu udhë dinastia mbretërore shqiptare në Egjipt, e cila do të vazhdonte deri në 1952, kur mbreti Faruk do të përmbysej nga ushtria e komanduar nga koloneli Naser.

Rilindja që frynte nga Jugu

Fakti që në Egjipt mbretëronte një familje shqiptare bëri që shumë prej emigrantëve tanë të shekullit XIX ta shihnin këtë vend si një objektiv të sigurt për të ringritur një jetë më të mbarë se ajo që shkonin ndër fshatrat e varfër e pa tokë të Shqipërisë së Jugut të asokohe. Kështu shqiptarëve që kishin mbetur këtu që nga kohë të vjetra nisën t’u shtohen edhe ata të ardhur rishtazi. Shkruan Spiro Dine në “Valët e detit”: “Karakollët e Kajros qenë plot gegë e toskë. Këngët e vallet nuk rreshtnin; buzuku, tamburaja e ballamaja buçisnin në të katër anët. Na dukej sikur gjendeshim në Shqipëri. Tregu i armëve el-Silah nuk kishte tjetër përveç shqiptarëve, më të shumtët ishin gegë myslimanë e të krishterë mirditorë…”.
Andon Zako-Çajupi

Kolonia shqiptare e Egjiptit për shumë kohë ishte në pararojë të Rilindjes Kombëtare. Këtu vepruan figura të tilla si Andon Zako-Çajupi, Filip Shiroka, Jani Vruho, Thimi Mitko, Spiro Dino, Loni Logori… Patriotët shqiptarë të Egjiptit u dalluan për botimet në shqip, për shqiptarizmin e kishës ortodokse, për krijimin e komiteteve patriotike, për peticionet dërguar Fuqive të Mëdha në mbrojtje të të drejtave kombëtare të shqiptarëve. Në 1907 me iniciativën e Milo Duçit ishte hapur edhe një shkollë në shqip.
Me krijimin e shtetit shqiptar shumë familje emigrantësh u kthyen në vendlindje. Të tjerë emigruan kryesisht në SHBA. Të tjerë, për motive të ndryshme pragmatiste, ishin deklaruar tashmë si “grekë”, apo “rusë”.
Mbreti Faruk i Egjiptit
Pas një qëndrimi të shkurtër në Turqi në Aleksandri u vendos edhe Mbreti Zog I. Mbreti Faruk i Egjiptit, gjithnjë i vetëdijshëm për rrënjët e tij shqiptare e pat mirëpritur si “një kushëri të vyer”. Qëndrimi egjiptian i oborrit mbretëror shqiptar vazhdoi deri kur Naseri, koloneli energjik i dha fund mbretërimit të dinastisë së vjetër shqiptare. Me kohë, pushteti i pakufi e kishte gërryer moralisht edhe familjen që kishte marrë udhë nga një ëndërr e mbarë e një shqiptari të thjeshtë me emrin Mehmet Ali.


(Për këtë shkrim u përdorën të dhëna nga: Muhamet Mufaku, Shqiptarët në botën arabe, Rilindja, Prishtinë 1990).

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)