Ali Mustafa el Misrati - Dervishi i tha djalit të tij



Ali Mustafa EL MISRATI

DERVISHI I THA DJALIT TË TIJ
(letërsi arabe)


Dy fjalë për lexuesin

Libri që kemi në dorë është një nga librat që, siç thotë edhe vetë autori, ka më shumë për zemër nga të gjithë të tjerët. Kjo jo për shkak të përmasave të tij, por sepse në të, autori na paraqitet si filozof, duke na kujtuar se filozofia përfshin thuajse të gjitha fushat e jetës dhe të qytetërimit njerëzor.
Përzgjedhja e këtij libri për ta sjellë në shqip nuk është bërë vetëm për arsyet që përmendëm më lart, por edhe për një fakt tjetër që është po aq i rëndësishëm sa dhe vlera e vetë librit, sidomos për kombin shqiptar të cilit vlerat njerëzore dhe kulturore nuk ia ngrejnë lart vetëm shqiptarët brenda kufijve natyrorë ku jetojnë e kanë jetuar për mijëra vite, por janë edhe ata shqiptarë të cilët kanë emigruar në Lindje e Perëndim gjatë periudhave të ndryshme historike. E, megjithëse kanë kaluar vite, dekada e shekuj, janë pasardhësit e këtyre emigrantëve të hershëm, që edhe pse disa prej tyre për arsye të ndryshme nuk kanë mundur të ruajnë lidhjet me tokën e paraardhësve, ata nuk e kanë harruar origjinën e tyre. Një ndër këta personalitete është edhe autori i librit që kemi në dorë, prof. Ali El Misrati, një nga shkrimtarët dhe akademikët bashkëkohorë të kulturës arabe dhe libiane.
Herën e fundit që u takova me autorin, dhe kjo gjatë pushimit prej gati një çerek ore në një seminar që u mbajt në Tripoli[1], mu dha rasti të bisedoja me të dhe t’i jepja atij një biografi të shkurtër rreth jetës së tij në gjuhën shqipe që e kisha përgatitur prej disa muajsh, dhe ai menjëherë me lëvizjet e tij të shpejta dhe të gjalla filloi të fliste dhe të më pyeste për shqiptarët. Natyrisht që u çudit kur unë i dhashë atë biografi të shkurtër që nuk i kalonte tetë faqe, megjithëse rreth nesh kishte dhe profesorë e studentë të tjerë pjesëmarrës në seminar. Kur i mori në dorë ato fleta më tha: "A e ke përmendur që origjina e gjyshërve të mi është nga Shqipëria?", unë iu përgjigja se megjithëse e di një gjë të tillë sepse më keni njoftuar në takime të kaluara, këtë aspekt nuk e kam gjetur të shkruar në asnjë burim që flet për jetën dhe veprën tuaj, dhe për këtë arsye nuk e kam shkruar këtë që ju përmendni. Atëherë duke buzëqeshur më tha: "Menjëherë shkruaje këtë që po dëgjon nga unë në biografinë time", dhe me zë të lartë që ta dëgjonin dhe disa të pranishëm që ishin aty pranë thirri: "E dini ju që gjyshërit e mi kanë qenë shqiptarë?" Edhe pse autori nuk e dinte saktësisht se nga cila krahinë e Shqipërisë vinte stërgjyshi i tij shqiptar, nga historitë që ai mbante mend dhe tregonte arrita të kuptoj që prejardhja e familjes së tij mund të ishte nga Çamëria, dhe autorit i vinte mjaft keq që ato pak shkrime dhe fotografi që tregonin prejardhjen e tij, i ishin djegur gjatë pushtimit të Libisë, në kohën kur dhe familja e tij emigroi për në Egjipt. Edhe pse nuk munda të gjej saktësisht origjinën e të parëve të këtij gjeniu të letrave arabe, ishin ato pak fjalë që më shtynë ta rishkruaj biografinë e tij, për shkakun e vetëm që të përmend atë që ai më kërkoi, se origjina e familjes së tij rrjedh nga Shqipëria, dhe se gjyshërit e tij të parë kanë qenë shqiptarë që emigruan në viset arabe, dhe kjo është një dukuri tashmë e njohur në historinë arabe ashtu dhe në atë shqiptare. Familje me origjinë shqiptare gjejmë jo vetëm në Libi, por thuajse në të gjithë vendet arabe si në Egjipt, Siri, Jordani, Liban, Palestinë, Tunizi, Sudan etj.
Kur ai flet për shqiptarët natyrisht që i njeh mjaft mirë personalitet shqiptare, dhe karakteristikat e popullit shqiptar, dhe me buzëqeshje ai thotë: unë nga babai jam me origjinë shqiptare, nga nëna me origjinë çerkeze, kështu që nuk është faji im që te unë janë bashkuar shkathtësia, zgjuarsia dhe kokëfortësia.
"Janë një popull i vjetër që kanë dhënë shumë, ka nxjerrë dijetarë e personalitete jo vetëm në lindje por dhe në perëndim, por në të njëjtën kohë është një popull që i është bërë shumë padrejtësi. Turqia shumë herë tregoi neglizhencë ndaj tyre, ndërsa arabët i harruan krejtësisht".
Ai nuk harron të përmendë dijetarë me origjinë shqiptare që kanë bërë famë në botën arabe, të cilët i ka takuar gjatë udhëtimeve të tij të shumta. Ai thotë që shumë prej tyre i njeh personalisht dhe i ka shokë e mban kontakte me ta. Ai përmend Sami Frashërin dhe Kamusin e Personaliteteve, libër të cilin ai ka shumë dëshirë ta përkthejë në gjuhën arabe. Për Sami Frashërin, i cili ka qenë edhe kryeredaktor i gazetës "Tarablus El Garb", gazeta e parë libiane, ai thotë: "Ai ka qenë me të vërtetë një dijetar i madh, ka qenë enciklopedi për kohën e tij, por për fat të keq ka autorë arabë që janë bazuar në veprën e tij Kamus el A'lam, por që nuk e përmendin një gjë të tillë".
Ai padyshim nuk mund të harrojë "burrin madhështor" siç e quan ai Muhamed Ali Pashën të cilin e përmend me një simpati të madhe, si dhe mjaft personalitete shqiptare për të cilët ai shpreson t'iu përkushtojë një ligjëratë për të treguar rolin e tyre në shërbim të përhapjes së kulturës islame në botë, dhe në të njëjtën kohë ai shpreh dëshirën e tij të madhe që një ditë t’i realizohet dëshira për të vizituar "Tokën Shqiptare" siç e quan ai me gjuhën e tij.
Dhe për t’ju rikthyer librit, nuk është çudi të shohim prof. Misratin t’i shkruajë këto rreshta me një gjuhë të thjeshtë, por edhe të ndërlikuar e kuptimplotë në të njëjtën kohë. Ai është përpjekur t’i paraqesë mendimet dhe përvojat e tij në formën e një dialogu ndërmjet babait, që është Dervishi, dhe të birit.
Përzgjedhja e titullit jo pa qëllim është bërë e tillë. Ndoshta, autori ka dëshirë që të kthejë në origjinë kuptimin e fjalës “dervish”, pasi në gjuhën e përditshme, ajo mund ta ketë humbur atë.
Në përdorimin e përditshëm popullor kjo fjalë përdoret për atë person i cili gjërat i kupton disi me vonesë, që në të njëjtën kohë merr dy kuptime; që i thuhet një njeriu që ia do të mirën por që nga pafajësia e tij nuk i kupton dhe aq shpejt gjërat, e si me përkëdhelje i thua "dervish", por në të njëjtën kohë përdoret për atë njeri që në shqip mund të quhet person i trashë e që nuk i kap gjërat si duhet.
Me gjithë këtë shumëngjyrim kuptimesh në përdorimin popullor të fjalës nëse ne iu referohemi fjalorëve gjuhësorë, do të shohim se fjala “dervish” rrjedh nga persishtja dhe ka më shumë se një kuptim. Në gjuhën e përditshme ajo do të thotë lypës, ndërsa në sofizëm, kjo fjalë tregon njeriun mistik, që bën jetë të thjeshtë e që i kushtohet meditimit. Disa i quajnë “rrotullues”, sepse ata rrotullohen gjatë adhurimit tradicional mistik, duke rrahur daullet. Gjithashtu, ka shumë njerëz që besojnë tek shenjtëria e dervishëve, sepse disa prej tyre pretendojnë se njohin të ardhmen dhe fatin e të tjerëve. Ndonëse të gjitha rrymat mistike pretendojnë se burimin e kanë nga feja islame, duhet të sqarojmë se këto pretendime nuk përputhen aspak me bazat e Islamit.
Në këtë libër, fjala “dervish” duke iu shmangur çdo kuptimi që kjo fjalë mund të ketë mbajtur ose mban ende mbi shpinë, nuk tregon veçse njeriun që jeton thjesht e në meditime dhe që ka vetëm një qëllim, të arrijë vlerat më të larta njerëzore, dhe për këtë arsye këtë dialog mund ta quajmë edhe si një përpjekje të autorit për të treguar rrugën drejt njeriut të përsosur.
Duke mos u zgjatur më tepër, shpresoj se gjatë leximit të këtij dialogu të shkurtër, do të mund të gjeni copëza të ngjashme me jetën dhe përvojën e çdonjërit prej nesh.

Roland VISHKURTI
Malmo-Suedi
Qershor 2011

Të dhëna mbi librin:

Titulli i origjinalit në arabisht:
Kale Deruish Liueledihi

Përktheu nga gjuha arabe:
Roland VISHKURTI

Redaktore gjuhësore:
Klodiana SMAJLAJ

Korrektor letrar:
Ermal BEGA

Kopertina:
Besnik HAMITI

Boton:
A.C.F.O.S. - Albania

Tiranë, Gusht 2011

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)