2013-09-30

REXHEP MITROVICA – MISIONAR I KOMBIT, NJË JETË PËR SHQIPËRINË ETNIKE

Shkruan: Fazli HAJRIZI

Fëmijëria pranë Lumit të Bardhë

Rexhep Mitrovica është një figurë madhore, komplekse e dramatike, luftëtar i orëve të para për krijimin e Shqipërisë etnike, një personalitet i shquar dhe i veçantë i luftës për liri, demokraci dhe bashkim kombëtar, një intelektual i mirëfilltë, drejtues e edukator, pjesëmarrës në Kuvendin e Vlorës më 28 Nëntor 1912, në aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, deputet i Pejës e Gjakovës në parlamentin shqiptar, ministër i arsimit (1922-1924), reformator i arsimit kombëtar, kryetar i organizatës “Lidhja Popullore Shqiptare” me seli në Mitrovicë, kryetar i Komitetit Qëndror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, kryeministër i Shqipërisë.
Kur viheshin  themelet e Arsimit Kombëtar Shqiptarë
Këtë njeri të qetë e të kulturuar, të urtë, fjalëpak e gojëmbël, me drejtësi të kulluar, që mendjen e ndritur e zemrën e zjarrtë, fjalën e shenjtëruar e veprën e pavdekshme ua kushtoi atdheut e kombit, literatura historike gjatë periudhës mbi 50-vjeçare e dha në mënyrë të njëanshme, duke e quajtur bashkëpunëtor të nazizmit, tradhtar, pijanec, tuberkuloz dhe qeverinë e tij kolaboracioniste. Ai, krahas nacionalistëve të tjerë nga Kosova, si Xhafer Deva, Bedri Gjinaj, Dr. Xhelal Mitrovica, Bedri Pejani, Selman Riza, Ahmet Gashi, Ymer Berisha, Shefqet Shkupi, Luan Gashi, Rexhep Krasniqi, Tahir Zajmi e shumë të tjerë, dha një ndihmesë të shquar në mbajtjen gjallë të nacionalizmit shqiptar, të kulturës, arsimit dhe rezistencës kombëtare.

Rexhep Mitrovica u lind më 1888 në qytetin buzë Lumit të Bardhë në një familje atdhetare. E pa dritën e jetës në kohën kur Lidhja Shqiptare u shua me gjak, kur vendimet e Traktatit të Berlinit po zbatoheshin në dëm të shqiptarëve, në kohën kur plagët e muhaxherëve të ardhur nga rrethet e Leskocit, Nishit etj. po kullonin dhembje, rrëfimet e tyre trondisnin gur e dru. Erdhi në këtë botë në kohën kur jehona e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte shtrirë edhe në Mitrovicë dhe si synim parësor kishte lirinë dhe pavarësinë e trojeve shqiptare. Në vendlindje e kaloi fëmijërinë.

Mësimet e fesë dhe njohuritë fillestare të diturisë i mori në gjuhën turke, ndonëse në Mitrovicë flitej një gjuhë e pastër dhe e bukur shqipe. Si fëmijë i zgjuar, ai përcolli me vëmendje bisedat e miqve që silleshin rreth Shqipërisë, fatit të saj. Ato lanë gjurmë në shpirtin dhe temperamentin e heshtur të djaloshit me shikim ëndërrimtar. Kudo e kahdo që e përcollën valët e jetës, në zemër e në mendje e mbajti qytetin e bukur e të pastër. Shpesh shkruante me mall për të, për lumin, për kalanë madhështore, për Trepçën e artë, rrëfente me krenari për luftëtarët trima e racën e stralltë shqiptare që banonte në kufirin verior të Shqipërisë Etnike. Atëbotë në Mitrovicë vepronte dega e Komitetit të Lidhjes që qeveriste vendin dhe organizonte luftëra të armatosura për të krijuar Shqipërinë e bashkuar. Forcat e armatosura të Lidhjes kishin çliruar Mitrovicën më 25 janar 1881. Këtë detaj e përmendnin me krenari banorët e këtij mjedisi.


U nis në rrugën e dijes për t’iu përgjigjur zërit të atdheut
Rexhepi Mitrovica, i cili ishte një vërejtës i kujdesshëm, çdo gjë e regjistronte në kujtesën e tij të jashtëzakonshme. E dallonte dëshira e madhe për të mësuar. Fill pas mësimeve në vendlindje, mori rrugën për në Shkup, në këtë qendër të rëndësishme patriotike. U regjistrua në Gjimnaz. Për mbiemër mori emrin e qytetit të lindjes. Ishte njëri ndër nxënësit më të zellshëm e më të talentuar. Serioz e studioz siç ishte, menjëherë tërhoqi vëmendjen e mësimdhënësve, të cilët tek ai shihnin shpresën e atdheut, dhe të shokëve, të cilët tek bashkëmoshatari i tyre shihnin mikun besnik e të sinqertë. Studionte me zell të madh, duke qenë kështu i bindur se atdheu, në agun e shekullit të ri, ka nevojë shumë për penë e dituri, që një ditë do t’i paraprinin jehonës së armëve të lirisë. Si gjimnazist i vihet studimit të disa disiplinave: historisë, gjeografisë, matematikës, mësimit të gjuhëve të huaja etj. Lexonte literaturë artistike, sidomos autorët klasikë e bashkëkohorë.

Veprat e rilindësve i lexonte me pasion. U vu në kërkim të vetvetes, në kërkim të zbulimit të rolit që i kish caktuar fati. Librat, për të cilët kishte një pasion të veçantë, u bënë miqtë e tij më të mirë. Si nxënës i gjimnazit, nën ndikimin e rilindësve tanë, filloi edhe vet punën e në drejtim të rritjes së ndërgjrgjes kombëtare. Ndonëse ende i ri, ai u bë i njohur dhe i respektuar edhe në rrethet intelektuale. U njoht me shkrimet e Midhat Frashërit, të cilat i pëlqente shumë. Pikëpamjet e tij se vetëm me dituri mund të bëjmë punë të mëdha, se shqiptarit, aq sa i duhet buka, i duhet dituria e nacionalizma, se për të rrojtur si komb duhet të luftojmë për t’u bërë e për t’u njohur si komb, etj., i mbështeste me tërë qenien.

Së bashku me Bedri Pejanin e Sali Gjukën më 1908 udhëhoqi një fushatë propagandistike si parapërgatitje për Kongresin e Manastirit. Tubimin historik të Manastirit ai nuk e quante thjeshtë një mbledhje gjuhëtarësh, po një Kongres kombëtar për çështjen më të rëndësishme të lëvizjes sonë. U arrit një shkallë e lartë e ndërgjegjësimit kombëtar, njësimi i abe-ve, i dëshmuan botës për qenien e kombit shqiptar, i cili, edhe pse i pranguar, përspektivën e vet e shihte vetëm kah perëndimi. Ndërgjegjësimin e bashkimin e shqiptarëve e shihte si shpresën e vetme përballë rrezikut. Ideja e lirisë që ishte trajtuar në mënyrë të përgjithshme nga rilindësit tanë, tek Rexhep Mitrovica merr trajtim konkret dhe bashkëkohor. Ai është kundër lirisë primitive me pushkë në dorë dhe me vdekje në dhëmbë, që është e egër dhe e dhembshme, e rrezikshme, por për një liri që ka hapësira dhe mundësi të jashtëzakonshme.

Në decenien e parë të shek. XX në Shkup, në Manastir e në qytete të tjera lëvizja kombëtare u gjallërua shumë dhe po shënonte një shkallë të lartë të zhvillimit. U themeluan shoqëri, klube kulturore, të cilat u kthyen në qendra për organizimin dhe drejtimin e lëvizjes kombëtare. Duke shfrytëzuar Revolucionin xhonturk, pas 20 korrikut 1908, d. m. th. pas shpalljes së Konstitucionit, u hapën shkolla në gjuhën shqipe, si në Elbasan, Filat, Frashër etj. Duke hapur shkolla, duke shkruar libra në gjuhën shqipe vetëm me alfabetin latin, synohej të mbahej i bashkuar populli ynë pa dallim feje, regjioni etj. Fill pas Kongresit të Manastirit (14-22 nëntor 1908) ku u miratua Alfabeti, ky libër i shenjtë i atdhedashurisë, Rexhep Mitrovica, së bashku me Sali Gjukën, i hyri punës për dhënien e mësimit në shkollat shqipe me këtë alfabet. Librat që u botuan me alfabetin latin të miratuar në Kongresin e Manastirit, kalonin dorë më dorë.

Deputetët shqiptarë, si Hasan Prishtina, Ismail Qemali, Shahin Kolonja, Nexhip Draga e ndonjë tjetër zhvillonin një aktivitet të dendur në parlamentin turk në Stamboll e në qendra të ndryshme. Rexhep Mitrovica ishte i njohur me veprimtarinë e tyre, po edhe me veprimet e hapura reaksionare të turqve të rinj, të cilët goditnin pa mëshirë e në mënyrë tinzare klubet, shkollat kombëtare, patriotët dhe lëvizjen kombëtare që u masovizua në të gjitha krahinat shqiptare.

Ai vuri kontakte me rrethet patriotike dhe komitetet e fshehta për organizimin e kryengritjeve të armatosura kundër regjimit osman. Sulmit të luftëtarëve shqiptarë të rrethit të Mitrovicës, Vushtrrisë e Podujevës, në fillim të prillit 1910, kundër garnizonit turk në Prishtinë, i parapriu aksioni i pajtimit të gjaqeve. Këtë aksion të pajtimit të gjaqeve dhe kryengritjen e armatosur i përkrahu me tërë qenien Rexhep Mitrovica. Ai shprehu njëkohësisht domosdoshmërinë e një kryengritje të përgjithshme, mbështeti Memorandumin e Gërçës të miratuar më 23 qershor 1911 në Malësinë e Madhe, 12 pikat e tij të paraqitura nga Kuvendi që iu dërguan Portës së Lartë, si: njohjen e kombit shqiptar, bashkimin e vilajeteve shqiptare, vendosjen e një administrate me nëpunës shqiptarë, lirinë e plotë të mësimit të gjuhës shqipe dhe për çeljen e shkollave kombëtare.

Memorandumi i Gërçës ngriti peshë shpirtrat dhe zemrat e atdhetarëve duke i dhënë fund qëndrimit pritës të disa komiteteve në krahinat tjera dhe, në rrafshin politik të viteve 1912-1913, ai çonte në realizimin e kërkesave të shqiptarëve, në krijimin e një krahine autonome shqiptare. Ndër të parët që nënshkroi peticionin për autonomi drejtuar prefektit të Mitrovicës, është pikërisht Rexhep Mitrovica, i cili propagandonte idenë se, për të siguruar autonominë e Shqipërisë, lëvizja kombëtare duhet të kthehet në kryengritje të përgjithshme. Rexhep Mitrovica shprehte domosdoshmërinë e formimit të një lidershipi udhëheqës për lëvizjen kombëtare, sepse, sipas tij, asaj i mungonte drejtimi dhe organizimi i nevojshëm. Në detin e hapur e plot tallase, anija pa timonier shpejt mund të fundoset.

Edhe në këto kohë të trazuara popullit shqiptar i duhen prijës të shkathët që do ta drejtojnë kah qëllimi. Sipas tij faktori i brendshëm është kurdoherë imponues, mirëpo më parë duhet të sigurohet ndonjë aleat i jashtëm. Në vetëdijen e tij ishte ngulitur thellë mendimi se pavarësia është e vetmja alternativë për mbrojtjen e qenies dhe trungut kombëtar. Pavarësia nuk vjen dhuratë prej askujt. Ajo fitohet me dituri, përpjekje të vazhdueshme, punë këmbëngulëse, me gjak, prandaj iu bashkua Hasan Prishinës, Mehmet Pashë Derallës, Ali Riza Kosovës duke ideuar një varg betejash kundër Turqisë dhe duke i paraprirë nëntorit të lavdishëm të vitit 1912. Pas Kuvendit të Junikut (12 maj 1912) kryengritja nisi të përhapet me shpejtësi nga Mitrovica deri në Pervezë.

Emri i Rexhep Mitrovicës u bë i njohur në tërë Kosovën edhe për shpirtin e paepur, për besnikërinë dhe devocionin ndaj ndjenjës nacionaliste. Kryengritja e përgjithshme e vitit 1912, për shkaqet që dihen, përfundoi pa i arritur plotësisht objektivat e caktuara. Forcat serbe pushtuan Kosovën dhe përparuan drejt Elbasanit e Durrësit për të dalë në det. Shpallja e pavarësisë ishte bërë e domosdoshme, pra shpëtimi në indipedencë ishte zgjidhja më e drejtë me këtë akt madhor, mëvetësia e Shqipërisë, ekzistenca e saj kombëtare e shtetërore do t’ishte fakt i kryer përpara Fuqive të Mëdha dhe shteteve ballkanike.


Nga Shkupi e Mitrovica deri në Durrës e Vlorë

Pavarësinë e kërkonin shqiptarët e të gjitha krahinave që nga Mitrovica e Prishtina, Shkodra e Shkupi, Tetova e Ulqini deri tek Gjirokastra, Preveza e Janina. Kështu më 14 tetor 1912, në Shkup, që ishte kryeqendër e vilajetit të Kosovës, atdhetarët shqiptarë organizuan një tubim, ku vendosën që të mbahet një kuvend kombëtar, i cili do të merrte vendime për fatin e atdheut të rrezikuar. Në këtë kuvend morën pjesë Rexhep Mitrovica, Midhat Frashëri, Bedri Pejani, Sali Xhuka etj. Sipas vendimeve të kuvendit të Shkupit në tërë hapësirën shqiptare filloi zgjedhja e delegatëve për në Kuvendin Kombëtar. Hasan Prishtina mendonte se akti i pavarësisë së Shqipërisë të bëhej në Prizren. Më 16 tetor Rexhep Mitrovica, Sali Xhuka, Bedri Pejani e Midhat Frashëri u nisën me tren për në Mitrovicë, ku në këtë kohë kishte filluar shpërndarja e armëve. Nga Mitrovica në Pejë udhëtuan me një qerre të mbuluar.

Pas Pejës, ku qëndruan disa ditë, vizituan Gjakovën, një nga qendrat më të rëndësishme të Kosovës. Aty takojnë Isa Boletinin. Nga Gjakova kalojnë nëpër Qafë të Prushit. Në fshatin Arnë takojnë Ramadan Zaskocin. Disa ditë i kalojnë në Reç, Mirëditë, te kulla e Oroshit ku takojnë imzot Preng Diçin, pjesëmarrës aktiv të Lidhjes së Prizrenit, themelues i shoqërisë letrare “Bashkimi” në Shkodër. Zbresin në Luginën e Fanit, në Rubik, pastaj në Tiranë e Durrës ku paria ngriti zërin për rrezikun e copëtimit të Shqipërisë. Meqë Durrësi ishte i pasigurt për kuvend, u përcaktuan për Elbasanin. Më 21 nëntor 1912 Rexhep Mitrovica, së bashku me Midhat Frashërin, Sali Xhukën e Bedri Pejanin, arritën në Elbasan, duke shprehur bindjen e tyre se ky qytet është më i përshtatshëm për këtë akt madhor. Meqë Prizreni dhe Elbasani ishin të rrezikuara nga pushtuesit serbë e as Durrësi nuk u gjet i përshtatshëm, delegatët u nisën për në Vlorë.

Rexhep Mitrovica porositi bashkatdhetarët që të qëndrojnë me gjithë barbarizmat e shkijeve e të bashkohen me gjithë armiqësitë e përçarjet që mbollën ata e veglat e tyre. Vlora u caktua për kuvend sepse paraqiste vend më të sigurt e më të përshtatshëm që të korespondihej me Evripën. Duke kaluar nëpër Muzeqe, pastaj duke zbritur Ardenicës, takuan karvanin e kalorësve që vinte nga Durrësi me delegatët e Bukureshtit, Durrësit, Tiranës, Kavajës etj. me në krye Ismail Qemalin. Pas pak ditësh në Vlorë arritën edhe delegatë të Beratit, Janinës, Gjirokastrës, Çamërisë etj.

Me iniciativën e Ismail Qemalit dhe të atdhetarëve tjerë, më 28 nëntor u thirr Kuvendi i Vlorës për të shpallur Pavarësinë e Shqipërisë dhe për të formuar Qeverinë e saj të Përkohshme. Kosova, duke qenë e pushtuar nga serbët, u përfaqësua në Kuvendin e Vlorës nga Rexhep Mitrovica, Sali Gjuka e Bedri Pejani, delegatë të Gjakovës, Pejës e Gucisë.
Një ditë më vonë mbërritën në Kuvend edhe Isa Boletini, Mehmet Pashë Deralla, Hasan Hysen Budakova, Tafil Boletini, Dervish Mitrovica, Zejnel Begolli, Halim Musë Bajgora, Ahmet Ali Llapi, Riza Beg Gjakova, Vehbi Dibra, Hajdin Draga etj., të cilët u pritën me gëzim të madh nga popullsia dhe delegatët e kuvendit. Delegatët e nënshkruan aktin historik të kësaj ngjarjeje kulmore.

Midis nënshkruesve ishin edhe Rexhep Mitrovica, Midhat Frashëri, Bedri Pejani dhe Sali Gjuka, të cilët erdhën nga Shkupi në Vlorë bashkërisht. Është e vështirë të përfytyrohet edhe sot udha mbi dhjetë ditë këmbë nëpër male e dhiare të vështira nëpër të cilat kaluan këta atdhetarë për të arritur deri në Vlorë.

Serbët kishin ngritur shumë kurthe e prita. Nacionalisti i flakët Ferid Vokopola në kujtimet e tij, lidhur me ato ditë të vështira, në gazetën “Përlindja e Shqypnijes”, viti II, nr. 6-7 të dt, 30 janar e 1 shkurt 1914, shkruan: “Vjen shiku im, i ndjeri Nebil Sefa para se të nisesh për Kavajë e më lajmëron se Komanda Otomane ka burgosur në hotel të Shaqir Beut delegatët nga Kosova, zotërinjtë Bedri Pejani dhe Rexhep Mitrovicën. Menjëherë biseduam me shokë dhe morëm udhën të vemi, unë, Nebi Sefa e Taulla Sinani me një patrullë pesë vetësh për t’i liruar…” Dokumentin e Shpalljes së Pavarësisë e botuan gazeta “Përlindje e Shqypnijes”, organ i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës si dhe më vonë edhe Lef Nosi në përmbledhjen e dokumenteve historike, por regjimi komunist i Enver Hoxhës i falsifikoi këto dhe shumë dokumente të tjera, duke mbuluar kështu emrat e Rexhep Mitrovicës, Midhat Frashërit, Lef Nosit etj. jo vetëm nga dokumenti përkatës po edhe nga historia.

Emri i Rexhep Mitrovicës u fshi nga ngjarjet më të rendësishme të vitit 1908-1912, po edhe nga ato të mëvonshmet, sepse regjimit komunist nuk i konvenonte që ai të figuronte si protagonist i Kongresit të Manastirit, i Kuvendit të Vlorës etj. Po në këtë gazetë dhe po në këtë numër është shkruar se si në çeljen e Kuvendit të Madh të Vlorës para delegatëve dhe burrave të ardhur nga të gjitha trojet etnike, pas verifikimit të mandatit foli edhe i respektuari Rexhep Mitrovica: “Si u mbaruan këto punë, zoti Rexhep Beu mori fjalën e tha që si kryetar të kuvendit të zgjedhet Ismail Qemal Beu, si shkronjës i parë Luis Gurakuqi e shkronjës i dytë z. Shefqet bej Daiu.

Delegatët e pëlqyen këtë kërkim dhe të propozuarit me të përplasur duarsh”. Ismail Qemalit i hyri në zemër ky atdhetar. E mori pranë vetes, sepse e respektonte zgjuarësinë e tij. Rexhepi 24 vjeçar i shpjegoi për situatën në Kosovë duke i folur me mallëngjim edhe për Mitrovicë, vendlindjen e tij. Në tubimet e protestat që u organizuan për të kundërshtuar politikën hegjemoniste të serbëve grekëve e malazezve, aktet gjenocidiale të serbëve në Kosovë e të grekëve në jugun e Shqipërisë, ai ngriti zërin fuqishëm, duke demaskuar politikën diskriminuese edhe në faqet e shtypit evropian të kohës. U rreshtua në radhët e para të luftëtarëve që luftuan për etninë shqiptare. Gjatë qëndrimit në Vlorë, pos me Ismail Qemalin, Isa Boletinin, Luigj Gurakuqin, Midhat Frashërin, Bedri Pejanin, Sali Gjukën, u njoht edhe krijoi miqësi, të thuash me të gjitha personalitetet e atyre ngjarjeve dhe ditëve të shpalljes së pavarësisë, si me Dom Nikollë Kaqorin, nënkryetar, Mehmet Pashë Derallën, ministër i luftës, Petro Pogën, ministër i drejtësisë, Myfit Bej Libohovën, ministër i punëve të mbrendshme, Abdi Bej Toptanin, ministër i financave, Pandeli Calën, Lef Nosin, Riza Bej Jakovën, S. Vrijonin, Musa Hakalin, Alan Tragjasin, Mehmet Radhimën, Qazim Kokoshin, Ahmet Mersinin, Cano Sharrën etj.


Ballafaqimi me sfidat e ndeshtrashat e kohës

Rexhep Mitrovica përcillte me vëmendje Konferencën e Ambasadorëve në Londër që nisi punimet më 17 dhjetor 1912. mbështeti fuqimisht delegacionin shqiptar që udhëtoi në Londër për t’u takuar me Eduard Grejn, si dhe të gjithë ata intelektualë që mbronin interesat shqiptare dhe luftonin për një Shqipëri të Pavarur me kufij natyrorë, gjeografikë dhe etnikë. U rreshtua në radhët e luftëtarëve duke vepruar sa në jug, sa në veri për të mbrojtur kufijtë etnikë me flamurin shqiptar dhe në emër të Shqipërisë së pavarur.

Udhëtoi edhe deri në Janinë gjithnjë duke mbrojtur idenë se ky qytet shqiptar, qendër e Vilajetit, duhet të mbrohet me çdo kusht sepse i takon Shqipërisë. Largohet prej këtij qyteti më 6 mars 1913, sepse aty hyjnë forcat greke, ndërsa ushtria turke dhe disa vullnetarë të dërguar nga Qeveria e Vlorës, dezertuan. Rexhep Mitrovica shprehte indinjatën e tij ndaj vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve, e cila më 25 mars 1913 vendosi kufijtë verilindorë duke lënë jashtë tyre Kosovën dhe Shqipërinë Lindore, të cilat kalonin nga pushtimi osman në robërinë serbo-malazeze. Shqetësimi i tij ishte shumë i madh, sepse kjo çonte në zhbërjen e Shqipërisë.

Kërkonte nga qeveria që të përpiqej të bënte më shumë me anë të diplomacisë për t’i kundërshtuar vendimet e gjashtë fuqive evropiane (Anglisë, Francës, Austro-Hungarisë, Gjermanisë, Rusisë dhe Italisë), ndërsa qortoi popullin e Kosovës, Shkupit, Tetovës etj. që nuk reflektuan ndonjë protestë, kryengritje apo therori për të kundërshtuar ata që copëtuan dhe e nxorën Shqipërinë në shitje si plaçkë tregu. Pas 30 marsit 1913 dhe dorëheqjes së disa anëtarëve të qeverisë, në Shqipëri mbretëronte një anarki e vërtetë. Rexhep Mitrovica, i cili ndodhej në Shkodër, në qytetin që kurdoherë ishte dashuria e tij, përcillte me shqetësim të madh gjendjen në Shqipëri.

Në destabilizimin e shtetit shqiptar, në krijimin e anarkisë dhe në shpërthimin e luftës së brendshme për interesat e tyre të pushtimit, qeveritë e shteteve fqinje nuk lenin gurë pa lëvizur. Qeveritë e shteteve hegjemoniste ia arritën qëllimit të tyre, arritën të bindin shumë përfaqësues të Konferencës së ambasadorëve se shqiptarët janë një popull primitiv që nuk i shtrohet ligjit dhe që shkatërron edhe shtetin e vet. Ai kundërshtoi vendimet e Esat Pashë Toptanit, i cili më 12 tetor 1913 formoi pleqësinë e Shqipërisë së Mesme në Durrës, dhe doli hapur kundër qeverisë së Ismail Qemalit. Të gjitha ishin bërë mbi bazën e marrëveshjeve të fshehta midis Greqisë, Serbisë, Malit të Zi e më pas edhe me Italisë.

Megjithatë, pas këtyre zhgënjimeve të njëpasnjëshme, një shkëndijë shprese ia ngrohu zemrën e shpirtin. Ishte ky vendimi i 29 korrikut 1913 i Konferencës së Ambasadorëve për statutin e Shqipërisë, e cila bëhej shtet i pavarur, asnjëanës dhe nën garancën dhe kontrollin e Fuqive të Mëdha për periudhën 10-vjeçare. Shpresonte se, pas njohjes dhe garantimit të pavarësisë së Shqipërisë, vënia në krye të shtetit e një princi evropian do të qetësonte gjendjen në vend dhe do t’i hidhte poshte traktatet e fshehta që kishin për qëllim ta fshijnë Shqipërinë nga harta e Evropës.

Në takimet e herëpashershme me të huajt që vinin në Shqipëri, si dhe me anë të shkrimeve që i botonte në faqet e shtypit të kohës, Rexhep Mitrovica qortonte me argumente vendimet e Konferencës së Ambasadorëve, gjykatoren e Evropës, e cila, pa përfillur parimin historik, etno-kulturor, duke mos menduar për stabilitetin e ardhshëm të Ballkanit, kishte vendosur arbitrarisht për copëtimin e Shqipërisë, lënien e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nën pushtues të ndryshëm. Më 7 mars 1914 Rexhep Mitrovica mori pjesë në pritjen që iu bë princ Vidit, i cili zbriti në Durrës. Pasuan ngjarjet e tjera edhe më tragjike. Pas dhjetë ditësh esadistët sulmuan batalionin e vullnetarëve tiranas që shkonte për në luftë kundër shovinistëve grekë në jug. Filloi lëvizja bolshevike në krye me Haxhi Qamilin. Rexhep Mitrovica i dënoi këto veprime antikombëtare dhe, për atë që po ndodhte në Shqipëri, e bënte përgjegjës çdo shqiptar.


Student në Vjenë, takimi me armët e Skënderbeut, me Aleksandër Mojsiun…

Me fillimin e Luftës së Parë Botërore, kur Greqia shpalli të kryer pushtimin e “Vorio-Epirit”, kur Italia pushtoi Sazanin e Vlorën, kur ushtria serbe hyri në Shepër e arriti deri në Durrës, ndërsa forcat malazeze më 27 qershor 1915 pushtuan Shkodrën, kur ushtritë austro-hungareze u shtrinë në Shqipërinë verilindore e në atë të mesme, ndërsa armata franceze hyri në jug, pra, kur Shqipëria u kthye në teatër të luftërave, Rexhep Mitrovica u largua në Austri.

Më 1916 u vendos në Vjenë. Atje u regjistrua në fakultet dhe studioi katër vjet me radhë shkencat pedagogjike. Në muzeun e këtij qyteti të bukur ai vizitonte shpesh armët e Skënderbeut, të vetmet objekte origjinale të Heroit tonë Kombëtar që ruheshin aty. Këto objekte, përkrenarja dhe dy shpatat, që i janë dorëzuar Ferdinandit, djalit të Perandorit të Austrisë më 1588-1593, që ruheshin të grumbulluara në armëtaren e Kështjellës “Ambrar”, më 1888, pikërisht në vitin kur u lind Rexhepi, u falën nga perandori i Austrisë dhe kaluan në ndërtesën e re të Muzeut të Vjenës. Ato i zgjonin krenarinë kombëtare dhe i shtonin vullnetin për punë më këmbëngulëse.

Rexhep Mitrovica, një temparament i gjallë, i etshëm për dituri, ishte një vërejtues i hollë dhe i kujdesshëm. Çdo gjë regjistronte në kujtesën e tij të jashtëzakonshme. Kohën më të madhe, pas leksioneve, e kalonte në biblioteka e salla leximi. Arriti të zotërojë me lehtësi disa gjuhë, si atë gjermane, frenge, angleze, italiane, tureke, boshnjake etj. Pos lëndët nga fusha e pedagogjisë e psikologjiisë, iu vu me vullnet të madh edhe studimit të disiplinave shkencore: histrisë, gjeografisë, astronomisë, kimisë, biologjisë, aritmetikës etj., lexonte me ëndje veprat e shkrimtarëve dhe filozofëve të shquar botërorë, si autorët klasikë e bashkëkohës.

Studioi me vëmendje veprat e Naimit, De Radës, Gjergj Fishtës, Sami Frashërit etj. Profesorët austriakë çmonin lart punën këmbëngulëse, sjelljet shembullore, gjykimin e thellë e urtinë e dëshirueshme të tij. Studentët e atdhetarët e tjerë shqiptarë e adhuronin shumë, sepse i mbante në zemër dhe në mendje Kosovën, Shqipërinë. Fliste me zjarr e admirim për vendlindjen e tij, Mitrovicën. Me studentët që vinin nga anë të ndryshme të trejeve shqiptare, fliste me krenari për të kaluarën e popullit shqiptar, shprehte dhembje të madhe për gjendjen e popullatës shqiptare nën regjimin serb. Me rastin e festave kombëtare ai i tubonte studentët, i organizonte që të protestojnë kundër padrejtësive e vendimeve që ishin marrë e po merreshin në dëm të shqiptarëve.

Rexhep Mitrovica mbante të gjallë ndjenjën e atdhedashurisë dhe çonte më tej frymën nacionaliste. Kishte zënë një miqësi të fortë dhe të sinqertë me aktorin kavajas me famë botërore, Aleksandër Mojsiun. Atë e përcillte në të gjitha shfaqjet. Në ndejat e bisedat me të, ku ftoheshin studentët shqiptarë, gjithherë merrnin në gojë çështjen e atdheut, çështjen e kulturës, të artit, të letërsisë. Pos mallit për vendlindjen, natyrshëm shpaloheshin edhe ndjenjat e tjera. Rexhep Mitrovica përcillte me vëmendje punën e Konferencës së Paqes në Paris që u hap më 18 janar 1919.

Ai shpresonte se pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, më në fund Fuqitë e Mëdha fituese (SHBA, Anglia, Italia, Franca dhe Japonia) do të çonin në vend drejtësinë duke zgjidhur drejt kërkesat e ligjshme të popullit shqiptar. Mbështeti delegacionin e qeverisë shqiptare, i cili shkoi në Paris dhe i paraqiti Konferencës së Paqes, gjatë muajit shkurt 1919, dy memorandume. Atëherë e kishte hetuar se SHBA, që nuk e kishin nënshkruar Traktatin e Fshehtë të Londrës në vitin 1915, mbanin një qëndrim të drejtë ndaj çështjes shqiptare. Në një letër që i dërgoi në këtë kohë Midhat Frashërit në Zvicër, ndër të tjera i shkruan: “Nji vllau si ty, që me të drejtë ka fitue besimin e krejt kombit, për disa shkaqe politike të mos i jepet leje me shkue në Paris, ma cenon pak gëzimin e maparshëm. Formova besim të plotë se po të kishe qenë ti në Paris nuk do të kishin ndodhë këto paturpsina”. Në këtë kohë u formua në ilegalitet Komiteti “Mbrojtja kombëtare e Kosovës”.

Përmes miqve mori vesh se në krye të këtij Komiteti që vepronte në Shkodër, ishte vënë Hoxhë Kadri Prishtina. Shpejt vuri kontaktin me mikun e tij të vjetër, Bedri Pejanin, sekretar i Komitetit, me bashkëpunëtorët e veprimtarët e dalluar, si Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Sali Nivicën, Hysni Currin, Avni Rrustemin, Elez Isufin, Beqir Vokshin, Tafil Boletinin etj. Pasi mbaroi studimet në Vjenë me rezultate mjaft të larta, më 1920 Rexhep Mitrovica u kthye në vendlindje, ku nisi misionin e mësuesit për edukimin e brezit të ri shqiptar me ndjenja të dshurisë për shkollën, librin, vullnetin për dije si detyrim moral ndaj atdheut, si parakusht për mbijetesë. U shqua si mësimdhënës i përgatitur mirë me një horizont të gjerë e me një talent të madh. Organizoi fëmijët në shkollë. Udhëtoi e punoi edhe në Pejë, në Prishtinë, Shkup. Atje përhapi shkëndijat e dritës e diturisë. Gëzohej pa masë kur shihte bashkëkombasit e vet duke mësuar abecenë, kur dëgjonte këngën dhe fjalën shqipe. Ishte shumë i afërt dhe shumë i dashur, kishte takt pedagogjik e sjellje dinjitoze, prandaj të rinjtë e adhuronin shumë. Qarqet politike serbe, duke njohur cilësitë intelektuale të tij, veprimtarinë, influencën politike në popullsinë shqiptare, që kishte shumicën dërrmuese në Mitrovicë dhe në gjithë vendet tjera të Kosovës, vazhdimisht e mbanin në shënjestër.


Rexhep Mitrovica dhe kontributi i tij në ngritjen e shkollës e arsimit kombëtar

Duke parë se në Konferencën e Paqes në Paris po bëheshin pazarllëqe të mëdha në dëm të kombit shqiptar, patriotë të shquar thirrën Kongresin Kombëtarë të Lushnjës, i cili i zhvilloi punimet nga 28 deri 31 janar 1920. Kongresi i Lushnjës, pasi e konsideronte qeverinë e Durrësit si antikombëtare, zgjodhi qeverinë e re të kryesuar nga Sylejman Delvina. Më 11 shkurt 1920 kjo qeveri, Këshilli i Lartë dhe Këshilli Kombëtar u vendosën në Tiranë duke zhvilluar veprimtarinë e pavarur nga pushtuesit italianë. Në zgjedhjet parlamentare, më 1921 qeveria e Iliaz Vrijonit nënprefekturës së Tropojës i la dy delegatë. Me ndikimin e Bajram Currit nxori deputetët për Partinë Përparimtare Mustafa Krujën, kurse për Partinë Popullore nxori Rexhep Mitrovicën. Qeveria e dalë prej Kongresit të Lushnjës (Eshref Frashëri, Mehmet Konjica, Ahmet Zogu, Sotir Peci, Hoxhë Kadria, Ndoc Çoba), duke i njohur aftësitë organizative, e bindur në ndjenjat nacionaliste e të kulluara të Rexhep Mitrovicës, e ftoi për të shkuar në Tiranë.

Më 26 dhjetor 1921, kjo qeveri, që kishte këtë përbërje: Xhafer Ypi, kryeministër, Hysen Vrioni, ministër i drejtësisë, Fan Noli, ministër i jashtëm, Ahmet Zogu, ministër i brendshëm, Kol Thaçi, ministër i financave, Spiro Koleka, ministër i punëve botore, dhe Ismajl Tezati, ministër i luftës, e emëroi Rexhep Mitrovicën Ministër të Arsimit në Kabinetin e Xhafer Ytit. Duke njohur mirë vendimet e Kongresit Arsimor të Lushnjës (gusht 1920) për problemin e sistemit arsimor, të strukturës dhe përmbajtjes së shkollës, të njësimit të gjuhës në tekstet shkollore, të çështjeve didaktike dhe praktike të punës në shkollë, Rexhep Mitrovica menjëherë filloi punën e susksesshme në shtrirjen e rrjetit arsimor. U përcaktua qartë për fizionominë e arsimit shqiptar, për domosdoshmërinë e unifikimit të programeve shkollore, për futjen e gjuhës së huaj që nga klasa e tretë e fillores etj. Punoi me tërë qenien në realizimin e shumë punëve e detyrave në frymën e kërkesave të Kongresit Kombëtar të Lushnjës.

Kongresi arsimor, që kishte si synim njësimin e organizimit të shkollës dhe zhvillimin e mëtejshëm të sistemit arsimor ekzistues, me iniciativen e Rexhep Mitrovicës, punoi në drejtim të sigurimit të kuadrit arsimor, të unifikimit të programeve mësimore, hartimit të teksteve shkollore, përgatitjes së disa projektligjeve, të cilat synonin në sanksionimin e drejtimeve kryesore që do të kishte arsimi në shtetin e ri, si: organizimi i istitiucioneve qendrore arsimore, dokumentacioni shkollor etj. Kështu, Këshilli Kombëtar nën udheheqjen e Rexhep Mitrovicës miratoi ligjet: “Mbi organizimin qendror të Ministrisë së Arsimit”, “Mbi organizimin themelor të Ministrisë së Arsimit”, “Mbi ndjekjen e detyrueshme të shkollës”, “Mbi emërime e shpërngulje mësuesish”, “Mbi ngritjen dhe mbajtjen e ndërtesave shkollore”, “Mbi tekstet shkollore” dhe “Mbi bursat”. Rexhep Mitrovica përkrahu dhe ndihmoi organizimin dhe mbajtjen e Kongresit Arsimor të Tiranës (22.7 – 3.8.1922) ku u morën gjithashtu vendime të rendësishme për demokratizimin e shkollës, laicizmin e saj, njësimin e punës mësimore, u miratua programi i ri i shkollës fillore, u caktuan afatet e shkollës fillore, u vendos që të çelen shkolla të ulëta profesionale trivjeçare dhe Gjimnazi gjashtëvjeçar, të ngritet roli i lëndëve shkencore, u shtrua nevoja e ngutshme për zbatimin e parimit të konkretizimit.

Programi sintetik-analitik që miratoi Kongresi Arsimor i Tiranës, filloi të zbatohet që nga viti 1922-1923. Ky program zbatohej në të gjitha shkollat që ekzistonin atëherë në Shqipëri dhe, padyshim, ishte një hap i sigurt përpara drejt forcimit të shkollës shqiptare dhe laicizmit të saj. Ai preokupohej jo vetëm me çështje të arsimit po edhe me halle të atdheut. Në cilësinë e Ministrit të Arsimit, më 4 korrik 1922 i shkruan Midhat Frashërit: “Ministria e Arsimit e Shqipërisë ju emëron si përfaqësues i saj në Kongresin Ndërkombëtar të Tretë të Edukatës Morale, i cili do të mbahet nga 28 korrik deri më 1 gusht 1922” (AQSH, fondi 35, dosja 64, fleta 1). Që nga Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912, para Rexhep Mitrovicës Ministra të Arsimit kanë qenë Luigj Gurakuqi (4.12.1912; 22.1.1914 dhe 15.12.1918), Dr. Mihal Turtulli (13.3.1914), Pjetër Poga (3.5.1914), Abdi Bej Toptani (28.5.1914), Sotir Peci (31.1.1920; 11.7.1921), Kristo Floqi (9.11.1920), Hil Mosi (16.10.1921), Kristo Dako (7.12.1921) dhe Aleksandër Xhuvani(12.12.1921), ndërsa pas tij deri në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, kanë qenë: Xhafer Ypi (4.4.1922; 12.2.1927; 1.1928; 5.9.1928), Fahri Gorani (30,10.1923), Stavro Vinjau (16.6.1924), Nush Bushati (21.10.1935), A. Dibra (7.11.1936), Ernest Koliqi (12.4.1939), Dhimitër Berati (31.2.1941)

Rexhep Mitrovica mbante një korrespondencë të rregullt me personalitetet e shquara të kohës. Kështu më 16 mars 1921 nga Barcelona i shkruan Rexhep Mitrovicës se ai është për një regjim republikan: “Puna e qeverimit më duket se do të zgjidhesh ma lehtë me nji regjim republikan, ndryshe kena me pasë shumë ngatrresa”. Ai e njofton për disa artikuj të botuar nëpër gazeta të njohura, përmes të cilëve sensibilizonte opinionin ndërkombëtar për mizoritë e serbëve. “Kena me pasë kurdoherë nevojë për ndihmën morale e materiale të çdo fuqie të madhe e aq më tëpër të Francës” - rekomandon Midhat Frashëri, duke shtuar se “edhe një punë sado e vogël që të jetë, nuk bahet pa durim dhe përseverencë”. Në letrën që i dërgon më 23 korrik 1921, ai i kërkon Rexhep Mitrovicës që të nxitohet në themelimin e një shoqate për mbrojtjen e të drejtave kombëtare e njerëzore, ndërsa në tjetrën, që i dërgon më 12 janar 1922, i rikthehet punës kulturore dhe problemeve të shoqërisë civile. Ai thotë se së pari duhet të hapen shkolla në çdo cep të Shqipërisë, së dyti duhet të çelet në Tiranë një bibliotekë.

Midhat Frashëri rekomandon që në Kongresin e Lidhjes Shqiptare të Shoqërisë së Kombeve të hyjë Rexhep Mitrovica, Eshref Frashëri, Bedri Pejani, Sejfi Vllamasi dhe Aleksandër Xhuvani. Me përkrahjen e Ministrisë së Arsimit dhe vëçanërisht të Rexhep Mitrovicës, u themeluan organizatat profesionale të mësuesve të Shqipërisë, si: “Lidhja e mësuesve të prefekturës së Durrësit” (8 janar 1922), “Lidhja e mësuesve të prefekturës së Shkodrës” (18.6.1922), “Lidhja shoqërore e arsimtarëve të Korçës” (23.3.1923) etj., që çuan në krijimin në Tiranë të Lidhjes së Përgjithshme të Arsimtarëve të Shqipërisë” (gusht 1924), në botimin e revistës “Arsimtari”, në riorganizimin e demokratizimin e shkollës, ngritjen e figurës së mësuesit, në hepjen e shkollave të mesme, në zbatimin e arsimit të detyruar për femrat, në çeljen e shkollave gjysmëgjimnaze në disa qytete të Shqipërisë, në akordimin e bursave me kritere të drejta, në krijimin e konvikteve për nxënësit e zonave malore etj.

Duke qenë Ministër i Arsimit gjatë viteve 1922-1924, Rexhep Mitrovica inspektoi dhe ndihmoi shkollat shqipe në veri e në jug të Shqipërisë, ndikoi që parlamenti shiptar të japë votbesimin për shkollën profesionale, autorizoi shumën prej 60 mijë franga ari (afro 12 mijë dollarë) për të plotësuar ndërtesën e kolexhit të filluar nga turqit më 1910. Shkolla u pagua nga qeveria dhe përgjegjësia për sigurimin e lokalit binte mbi shqiptarët. Shkolla profesionale shqiptare ose Shkolla Teknike Shqiptaro-Amerikane u krye në prill të vitit 1922. Ministri i Arsimit Rexhep Mitrovica bashkëpunoi ngusht me udhëheqësit e shkollës profesionale, Hari Fultz, Çarls Holingshed etj. Pas njohjes që i bënë SHBA-të Shqipërisë më 28 korrik 1922, Rexhep Mitrovica pati një takim të përzemërt dhe me interes me Ministrin e parë amerikan në Shqipëri, Julisis Grant - Chmithin, i cili arriti në Tiranë në tetor të vitit 1922.

Rexhep Mitrovica arriti që përmes formave të ndryshme të dërgojë fshehurazi në Kosovë tekste të ndryshme. Meqë qeveria SKS kishte mbyllur shkollat shqipe në Kosovë, ai përmes njerëzve besnikë u lidh me mësuesit e fesë, hoxhallarë e priftërinj, të cilët punonin në drejtim të zënies së shkrim-leximit në gjuhën shqipe dhe në ruajtjen e identitetit kombëtar. Në një letër që i dërgon Dervish Mitrovicës, Rexhepi shkruan: “Shkjaun ma se pari do ta rrëzojmë me dije e pastaj vjen pushka”.

Vitet 1922-1924 ishin mjaft të stuhishme e me plot trazira për Shqipërinë, sidomos për Kosovën. Në Shqipëri ekzistonin dy koalicione të mëdha politike, secili grup me lidhje të dobëta në vetvete. Konservatorët përbëheshin nga klasa e vogël e pasanikëve, pronarë tokash. Shumica e këtyre anëtarëve të kësaj partie mendonin vetëm për interesa përsonale.

Drejtuesit i përkisnin klasës së vjetër me tituj, klasës së bejlerëve që kishin mentalitet feudal dhe shumica e këtyre prijësve ishin mbi moshën mesatare. Partia Popullore, së cilës i përkiste Rexhep Mitrovica, përbëhej prej bejlerëve të rinj më të arsimuar dhe ish emigrantë që luftonin për arsimimin e shpejtë të gjithë rinisë, për zhvillimin e shpejtë të burimeve natyrore, për dhënien e ligjshme të tokës klasës fshatare punonjëse. Përfaqësuesit e Partisë Popullore ishin reformatorë. Rexhep Mitrovica, i cili si Ministër i Arsimit arriti të themelojë shkollën kombëtare shqiptare, ishte njëri ndër burrështetasit më me autoritet. U shqua për kulturën e gjerë e drejtësinë e kulluar.

Fjala e tij plot elokuencë, mendimi i thellë dhe arsyetimi logjik dëgjoheshin e respektoheshin në parlamentin shqiptar. Ai ishte zëri i Kosovës e i gjithë Shqipërisë. Në qershor të vitit 1924 jeta politike dhe shoqërore në Shqipëri po bëhej gjithnjë e më e paqëndrueshme në Shqipëri. Situata po bëhej e pasigurt. Departamentet e qeverisë nuk ishin aktive dhe efektive. Në gjirin e tyre mbretëronte kaosi. Kjo gjë e shqetësonte shumë Rexhep Mitrovicën. Nuk mund të pritej punë e frytshme as nga Ministria e Arsimit përderisa ministri e ndiente veten të përkohshëm dhe të pasigurt. I ndodhur përballë këtyre ndeshtrashave të mëdha e provave të hidhura ai jep dorëheqje.


Pas udhëtimit nëpër Evropë, prapë kthehet në Shqipëri e në Mitrovicë

Pas Revolucionit Demokratik të Qershorit të vitit 1924 menjëherë kthehet në vendlindje, në Mitrovicë, pastaj prapë në Pejë, Gjakovë e Shkup, ku vazhdon misionin e tij për edukimin e brezave të rinj duke mbjellë farën e diturisë e atdhedashurisë. Furtuna të ashpëra po e rrahnin Shqipërinë. Ai e dëgjoi zërin e mekur të atdheut që kërkonte ndihmë, prandaj vendosi t’i përgjigjet menjëherë. E la Kosovën dhe u nis në rrugën e mundimshme jo drejt Shqipërisë, por nëpër Evropë, ku besonte se prej andej mund t’i ndihmonte më shumë çështjes kombëtare.

Menjëherë ra në kontakt me personalitete të shquara të politikës evropiane. Shkroi dhe botoi një sërë artikujsh duke zbuluar me fakte në shtypin evropian të kohës për tmerret që vuante Kosova dhe populli shqiptar i saj prej shovinizmit të egër serbomadh. Tuboi pranë vetes intelektualë të shquar e studentë shqiptarë dhe, për ta bërë të njohur popullin shqiptar, veproi në shumë drejtime. Duke cituar veprat e autorëve shqiptarë e të huaj, duke u thirrur në burime të ndryshme relevante ai u shpjegonte disa personaliteteve politike të huaja dhe opinionit të këtyre vendeve se shqiptarët janë një komb i qytetëruar, më i vjetri në Evropë, prandaj meriton të hyjë në familjen e madhe evropiane. Përmes studentëve shqiptarë në Evropë dhe përmes letërkëmbimeve që kishte me Bedri Pejanin, Sali Gjukën (deri më 1925), Midhat Frashërin, Hasan Prishtinën, Dervish Mitrovicën etj., ai vazhdimisht merrte informacione për gjendjen në Shqipëri e Kosovë.

Më 1939, me aktin tragjik të pushtimit fashist të Shqipërisë, Rexhep Mitrovica u gjend nëpër vende të ndryshme të Evropës. Të premten e zezë e priti me dhembje e pikëllim, me indinjate e kundërshtim, duke e stigmatizuar përmes formave të ndryshme agresionin, okupacionin dhe propagandën fashiste. Në fillim të viteve ’40 u kthye në Shqipëri.

Duke vërejtur se propaganda fashiste ishte shumë e fortë, se radhët e organizatës “Djelmnia shqiptare”, e cila me urdhër administrativ ishte zëvendësuar në shoqërinë “Djelmnia e Liktorit Shqiptar” po mbusheshin me të rinj të mashtruar nga propaganda fashiste që pandehnin se mirëqenia dhe fati i kombit të tyre ishin në duart e Musolinit, pra duke kuptuar se nxënësit shqiptarë, e ardhmja e kombit të vet, po ndrydheshin e drejtoheshin tinëzisht në udhë pa krye prej pushtuesve italianë, prandaj edhe duke mos mundur të durojë e të heshtë para kësaj drame të mynxyrshme që po përjetonte rinia dhe populli i tij, Rexhep Mitrovica më parë u lidh me atdhetarë të kohës. I bënte thirrje të hapur popullit të mos e lënë rininë, shpresat e mëdha të kombit, të humbte. I porosiste të rinjtë të braktisnin përshëndetjet alla romane, të shkyejnë flamurin e Liktorit dhe të mbajnë në gji idealin nacional dhe flamurin me shqiponjën e zezë dykrenare në hapësirën e kuqe. Nacionalizmin shqiptar e shihte si forcë dhe rrugë të vetme për shpëtimin e kombit.

Në takimet dhe lidhjet që pati me ish nxënësit e tij të dikurshëm, shpjegonte se pavarësia e atdheut mund të vijë kur secili prej tyre frymëzohet prej realizimit të Shqipërisë etnike. Në kontakt me intelektualë dhe miq atdhetarë të orëve të para ai këmbëngulte në bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Menjëherë iu ofrua mikut të vjetër, themeluesit të organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar”, Midhat Frashërit, u njoftua me anëtarët e Komitetit të fshehtë, patriotët e shquar, si Hasan Dostin, Thoma Orollogain, Faik Qukun dhe Fuad Dibrën, prandaj aderoi bashkë me atdhetarët e tjerë, si Vasil Andonin, Halil Menikun, Ethem Haxhiademin, Jup Kazazin, Enver Bushatin, Kol Tromarën, Aziz Çamin, Ali Këlcyrën dhe një plejadë të tërë të rinjsh, duke mbështetur pa rezervë programin e hartuar në prill të vitit 1939, ku, ndër të tjera, shkruan: “Kjo racë, ky komb, ky popull e ndjen veten e tij vëlla dhe të pandarë prej shoku-shokut. Dhe ka vetëm një qëllim. Ky qëllim është:

1. Të ketë Shqipëri të lirë dhe indipendente,

2. Të sigurojë një Shqipëri të pavarur, të zonjën për të jetuar, të nderuar dhe të vëllazëruar,

3. Të ruajë kufijtë e saj etnikë, të mbështjellë në një atdhe djemtë e saj,

4. Të jenë gati djemtë e këtij kombi për çdo sakrificë për të arritur qëllimin e përbashkët,

5. Për të arritur këtë qëllim duhet që gjithë shpresën më përpara ta kemi tek vehtja jonë. Vehten tonë do ta shpëtojmë ne vet, me sakrificat tona, me përpjekjet tona, me dëshirën tonë. Dhe Zoti ka për të na ndihmuar,

6. Nacionalizma shqiptare dëshiron që me kombet dhe me shtetet fqinje të ketë marrëdhënie fqinjësore, të rrojë në harmoni me ta. Kjo miqësi lypset të jetë e themeluar mbi respektin e të drejtave të të dy palëve. Nacionalizma shqiptare e këshillon krejt popullin tonë që të lërë menjëanë ideologjitë dhe të përpiqet vetëm për Shqipërinë rreth Flamurit të Skënderbeut, me patriotizmë të patundur” (Arkivi Qendror i shtetit, fondi 14, AP, Programi i hartuar në prill 1939).


Themelues dhe kryetar i “Lidhjes Popullore Shqiptare”

Duke e parë aktivitetin patriotik të Rexhep Mitrovicës, në vitin 1941 e emëruan anëtar të Këshillit të Shtetit Shqiptar. Më 6 prill 1941 gjermania sulmoi Jugosllavinë. Rexhep Mitrovica, si shumë patriot të tjerë, këtë e priti me entuziazëm të madh. Ai ishte i vetëdijshëm se tashti do të përfundojnë barbaritë serbe mbi popullin shqiptar, vrasjet, likuidimet, dëbimet me dhunë, kolonizimi i Kosovës, se do të bien në ujë marrëveshjet që ishin nënshkruar ose përgatiteshin të nënshkruheshin e që kishin për qëllim përzënien e shqiptarëve në Turqi dhe kolonizimin e plotë të Kosovës.

Shqiptarët e Kosovës, të cilët tri dekada kishin qenë të diskriminuar, nuk patën as arsyen më të vogël të luftojnë në krahun serb për mbrojtjen e mbretërisë, të kësaj krijese që ishte fatkeqësia dhe kobi i tyre. Në Tiranë arrinin lajme shqetësuese. Ushtria e mbretërisë jugosllave edhe pse kapituloi shumë shpejt para forcave të motorizuara gjermane, para se të tërhiqej, u urdhërua nga oficerët kriminelë që të vrasë ushtarët shqiptarë e të terrorizojë qytetarët duarthatë në Mitrovicë.

Posa mori këto lajme, Rexhep Mitrovica u lidh shpejt me grupin e kosovarëve, me Bedri Pejanin, Xhelal Mitrovicën, Bedri Gjinën, Tafil Boletinin dhe me nacionalistët tjerë. Vendosën që menjëherë të kthehen në Kosovë. Në fillim të majit të vitit 1941 Rexhep Mitrovica, së bashku me kryetarin e Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës, Bedri Pejanin dhe me 120 atdhetar të tjerë, u kthye në Mitrovicë. Më 23 prill 1941 u caktua vija e ashtuquajtur e demarkacionit, ndërsa në mesin e majit Kosova u nda në tri zona pushtuese: italiane, gjermane dhe bullgare.

Gjermanët njohën prefekturën e Mitrovicës me nënprefekturat e Vushtrrisë, Podujevës dhe Pazarit të Ri si autonomi shqiptare dhe, për shkak të burimeve të pasura natyrore, u përfshinë në zonën e tyre të pushtimit. Me marrëveshjen e gjeneralit gjerman Eberhard me prijësit shqiptarë të Mitrovicës, Prishtinës, Podujevës, Pazarit, Vushtrrisë, Drenicës, Pejës, Istogut etj. u sigurua sundimi i plotë i shqiptarëve në këto vise. Administrata u ishte lënë në dorë shqiptarëve. Ushtria gjermane e favorizonte popullsinë shqiptare për shkak të sinqeritetit e besnikërisë, po edhe për hirë të vuajtjeve nën regjimin serb.

Në qytet dhe gati në të gjitha fshatrat e rrethit të Mitrovicës u hapën shkolla në gjuhën shqipe. Flamuri kombëtar valonte nëpër ndërtesat qeveritare. Shqiptarët morën pushtetin vendor. Njeriu i parë ishte Xhafer Deva.
Pos Xhaferit, figura të tjera të shquara e me ndikim ishin edhe Osman Ibrahimi – Solidi, Shaban Mustafa – Gashi, Adem Voca, Pajazit Boletini, Ahmet Selaci etj. Prefekt i Mitrovicës ishte zgjedhur Ibrahim Lutfiu, kryetari i administratës Ago Agai, sekretar i tij Kadri Borshi, kryetar gjyqi Shefqet Shkupi, prokuror Kudret Kokoshi, komandant i xhandarmërisë Pajazit Boletini.



Në Mitrovicë u vendos shkalla e lartë gjjyqësore, u themelua Pleqësia (Islihati). Shqiptarët më eminentë në Mitrovicë, si Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Bedri Gjinaj, Ago Agai, Tafil Boletini, Ymer Lutfiu, Kudret Kokoshi, Gjon Logoreci, Ferat e Ali Draga, Vehbi Frashëri, Pajazit Boletini, Shaban Mustafa e atdhetarë të tjerë që ishin rreth dy organizatave: Komiteti për Mbrojtjen e Kosovës dhe “Lidhja Popullore Shqiptare” (u themelua në gusht të vitit 1941), u angazhuan me tërë qenien për të krijuar rend, paqe e qetësi.
Në këtë kohë, kur forcat çetnike sulmonin fshatrat në veri të Mitrovicës, Rexhep Mitrovica, i cili ishte zgjedhur kryetar i parë i Lidhjes Popullore Shqiptare (gusht 1941), me nënkryetar Bedri Pejanin, sekretar Dr. Xhelal Mitrovicën dhe anëtarët e kryesisë: Xhafer Devën, Ali Dragën, Pajazit Boletinin dhe Shaban Mustafën, u gjend para një përgjegjësie të madhe.

Menjëherë iu hyri punëve për hartimin e planit dhe organizimin e çetave të armatosura vullnetare në zonat kufitare me Serbinë. Me iniciativën e tij u themelua organizata e rinisë në krye të së cilës u vu Bedri Gjinaj.


Organizata “Lidhja Popullore Shqiptare” kishte program të qartë në rrafshin e zgjidhjes së problemeve kombëtare. Mitrovica ishte qendër e kësaj organizate të rëndësishme, e cila, pos në organizimin e pushtetit vendor që shikohej në unitet me zhvillimet në shtetin amë, harmonizoi aktivitetin e vet në dy drejtime: të hapë sa më shumë shkolla dhe të krijojë degë të veta në Vushtrri, Podujevë, Pazar të Ri, duke propaganduar që Qarku i Mitrovicës t’i bashkohet patjetër Shqipërisë.
“Komiteti i Kosovës” dhe “Lidhja Popullore Shqiptare” bashkëpunonin me grupin e vullnetarëve të ardhur nga Shqipëria, me Vehbi Frashërin (djali i Mehdi Frashërit), Ago Agajn, kryetar i administratës në Prefekturën e Mitrovicës, Shefqet Shkupin, kryetar i gjyqit, Kudret Kokoshin, prokuror, Kadri Vasilin e bejlerëve të Borshit, sekretar etj.

Gjermanët e përcillnin me vëmendje veprimtarinë e organizatave “Komiteti për Mbrojtjen e Kosovës” dhe “Lidhja Popullore e Shqiptarëve”. Në programin e “Lidhjes Popullore” në rend të parë theksohej qëllimi dhe strategjia për bashkimin e të gjitha trojeve etnike. Fjalët se “Vetëm me bashkimin dhe vëllazërimin e plotë të gjithë kombit dhe trojeve etnike, me rritjen e vetëdijes kombëtare mund të shpëtojë kombi shqiptar dhe kultura kombëtare” i përsëriste shpesh e i përsëriti edhe në Asamblenë Kombëtare më 1943, me rastin e zgjedhjes kryeministër i Shqipërisë. Në një mbledhje të tri palëve të interesuara (gjermane, serbe e shqiptare), që u mbajt në Krelevë, morën pjesë Rexhep Mitrovica e Vehbi Frashëri, për administratën Ago Agai, dhe Xhafer Deva, i cili nuk kishte detyrë të caktuar.

Delegacioni shqiptar, pas akuzave të ministrit Aqimoviq për gjoja vrasjet që bënin shqiptarët mbi serbët, ofroi të dhëna relevante me të cilat dëshmohej se kjo ishte një gënjeshtër e kulluar sebe. Rexhep Mitrovica dhe Xhafer Deva nxorën 20-30 fotografi të shqiptarëve të masakruar dhe të hedhur në Ibër (1941), duke dëshmuar se shqiptarët janë ata që kanë përsuar nga kriminelët serbë. Bedri Pejani pohon se bashkë me Rexhep Mitrovicën, Ali Dragën, Vehbi Frashërin e Kudret Kokoshin kanë qenë edhe disa herë të tjera në Beograd, ku kanë paraqitur pikëpamjet dhe qëndrimet e tyre për moscopëtimin e Kosovës. Në një mbledhje tjetër që u mbajt në Podujevë midis palës shqiptare dhe asaj serbe e ku palën serbe e përfaqësonte Vojvoda Kosta Peqanci, komandant i çetnikëve në kufi, u gjykuan sulmet dhe masakrat e çetnikëve në kufijtë veriorë të Kosovës.

Me rastin e festës së 28 nëntorit më 1941, për herë të parë në Mitrovicë kremtuan bashkërisht në mënyrë madhështore nxënësit, qytetarët, gratë e veshura bukur të familjeve muslimane e katolike. Në këtë kohë gjermanët urdhëruan që të burgosën çifutët e romët (gabelë e arixhinj) me origjinë nga Egjipti, mirëpo, pas ndërhyrjes së Rexhep Mitrovicës, Xhafer Devës, Ago Agait e Vehbi Frashërit, ky vendim nuk u zbatua, përkundrazi, iu mundësua çifutëve që përmes korridorit të sigurt nëpër Drenicë, të tërhiqen deri në Shqipëri e tutje. Rexhep Mitrovica kishte marrë në dorëzim detyrën e Komandantit të Forcave Vullnetare Shqiptare në trojet e çliruara.

Pos si organizator i veprimeve luftarake, u angazhua me tërë qenien edhe në aksionin për pajtimin e gjaqeve në Kosovë. Punoi e luftoi për mbrojtjen e tërësisë territoriale shqiptare prej sulmeve të forcave çetnike. Kur pa se italianët po i favorizonin forcat malazeze, goditi rënd ushtrinë e tyre duke shpejtuar rrënimin e saj. Kjo veprimtari e tij ra në sy të fashistëve italianë, të cilët në gusht të vitit 1943 e arrestuan. U dënua disa vjet me akuzën “për veprimtari kundër regjimit italian në Shqipëri”. Burgun deri më 13 shtator, bashkë me Bedri Pejanin, Mehdi Frashërin, Xhelal Mitrovicën etj. e vuajti në Porto-Romano afër qytetit të Durrësit. Ndonëse mbi të u ushtrua një dhunë e paparë, ai nuk u përkul, nuk u thye shpirtërisht.


Rexhep Mitrovica-kryetar i parë i Komitetit Qendror të Lidhjes II të Prizrenit

Pas kapitulimit të Italisë më 8 shtator 1943, në Shqipëri u vendosën trupat gjermane të Korpusit XXI e XXII. Gjermanët nderuan Shqipërinë e çliruar, indipendente e të lirë, duke shpallur veten garante të pavarësisë së saj. Komiteti Ekzekutiv i Përkohëshim më 11 shtator 1943 rishpalli pavarësinë. Në krye të këtij Komiteti u emërua Ibrahim Biçaku, i biri i Aqif Pashë Elbasanit.

Në këtë kohë Xhafer Deva udhëtoi menjëherë për në Tiranë me një qëllim të përcaktuar, të çlironte nga kampi i Porto-Romanos afër Durrësir disa prijës të njohur, si Mehdi Frashërin, Rexhep Mitrovicën, Bedri Pejanin, Dr. Xhelal Mitrovicën etj. Pas lirimit më 13 shtator 1943, këto personalitete formuan një përfaqësi për të biseduar në emër të Kosovës me përfaqësuesit e dalluar të Shqipërisë së 1913-ës. U formua grupi prej 22 vetash, i cili hyri menjëherë në bisedime me përfaqësuesin e plotfuqishëm të shtetit gjerman, Dr. H. Nojbaher (Neubacher). Nacionalistët shqiptarë aspironin të ruanin bashkimin e të gjitha viseve shqiptare. Për këtë arsye ata u organizuan politikisht për t’i realizuar synimet kombëtare.

Duke parë se popullata shqiptare në disa vise të Kosovës, sidomos në veri të saj, po kërcënohej seriozisht nga sulmet e çetnikëve nacionalistë serbo-malazezë dhe nga bandat komuniste serbo-malazeze-maqedone, me iniciativën e Xhafer Devës, Asllan Boletinit e Bedri Gjinajt, që të tre nga Mitrovica, pastaj të Musa Shehut, Sheh Hasanit, Lukë Simon Mjedës, Pjetër Vuçajt nga Prizreni, Tahir Zajmit nga Gjakova, Qazim Bllacës nga Suhareka etj. u shtrua nevoja për mbajtjen e një mbledhjeje pikërisht në Prizren dhe zgjedhjes së një Këshilli Ekzekutiv, i cili do të kujdesej për qeverisjen e vendit përkohësisht deri në formimin e ndonjë organi qeveritar që do të dilte nga vullneti i përgjithshëm popullor.

Kjo mbledhje, sipas tyre do të jetë në frymën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe do të quhet Lidhja e dytë e Prizrenit. Mbledhja u mbajt më 16 shtator 1943. Kuvendi u pagëzua njëzërit Lidhja e Dytë e Prizrenit. U zgjodh kryesia në përbërje: Musa Shehu (kryetar), Aqif Bluta (nënkryetar), Rexhep Krasniqi (nënkryetar) dhe Bedri Gjinaj (sekretar).

Në kuvend u bisedua për çështjen e shpalljes së vullnetit të popullit për bashkimin e viseve të Kosovës, Dibrës, Strugës, Ulqinit dhe Tuzit me Shtetin Shqiptar, për bashkimin e prefekturës së Mitrovicës me Shqipërinë, meqë ajo me nënprefekturat e Vushtrrisë, Podujevës dhe Pazarit të Ri ndodheshin nën pushtimin gjerman dhe administratizisht bënin pjesë nën shtetin serb; për organizimin ushtarak të popullit dhe përgatitjen e mbrojtjes së kufijve etnikë; për krijimin e një komiteti Qëndror me seli në Prizren dhe të nënkomitëteve në të gjitha qendrat e tokave të liruara për të drejtuar veprimtarinë e nevojshme të qeverisjes dhe mbrojtjes së vendit; për përpilimin dhe aprovimin e Kushtetutës së organizatës Kombëtare Lidha e Dytë e Prizrenit etj.

Në ditën e dytë, pra më 18 shtator 1943 në sallën e shkollës fillore “Bajram Curri”, ku mbahej kuvendi i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, hynë Rexhep Mitroviva, Bedri Pejani, Xhafer Deva dhe Xhelal Mitrovica. Me të hyrë në sallë, delegatët u ngritën në këmbë dhe i përshëndetën me duartrokitje duke thirrur emrat e tyre me rend. Rexhep Mitrovica, i emocionuar nga atmosfera festive që mbretëronte në qytet e sidomos në sallën e dekoruar me flamuj kombëtarë e fotografi të personaliteteve kombëtare, në diskutimin e tij para delegatëve, ndër të tjera, kërkoi që t’i ipet rëndësi e madhe dy pikave kryesore, siç janë:
a) Organizimi ushtarak për mbrojtjen e vendit kundër ndonji masakrimi eventual të popullsisë nga çetat subverzive,
b) Regjistrimi i popullsisë së Kosovës që deri tash asht neglizhue prej qeverivet tona.

Rexhep Mitrovica shpjegon gjerë e gjatë rolin që do të luante në Konferencën e Paqes regjistrimi dhe dokumentat që provojnë se Kosova është shqiptare. Ai u bën apel sidomos arsimtarëve për realizimin e regjistrimit të popullsisë: “Duhet t’ia lëshojmë rrugën punës e jo fjalëve të thata në qoftë se duem me jetue si shtet, si komb, ose si njeri. Lypset kujdesje të mëdha e duhet derdhun shumë mundime në të mbledhunit e dokumentave që kanë lidhje me interesin e jetës sonë të përbashkët. Fundi i luftës duhet të na gjejë krejt kompakt me të gjitha përgatitjet e duhuna për me ju ba ballë çdo kërcënimi a intrige politike që mund të kërkojë sigurimi i lirisë sonë të përjetshme”.

Ky fjalim i zjarrtë që u përshëndet ngrohtë nga delegatët, veprimtaria e tij e mëhershme mjaft e begatshme, vuajtjet që përjetoi në Porto-Romano etj., shin arsyet që i shtyen delegatët më 23 shtator 1943 ta zgjedhin kryetar të Komitetit Qendror, t’i japin besimin që të udhëheqë Lidhjen e Dytë të Prizrenit. Kryesia e Komitetit Qendror përbëhej prej shtatë vetash. Ky Komitet Qendror u kryesua së pari nga Rexhep Mitrovica (18 – 26 shtator 1943), së dyti nga shkollari e politikani Bedri Pejani (12 tetor 1943 – 26 korrik 1944), dhe së fundi nga intelektuali poliglot Xhafer Deva (fundi i korrikut 1944 – 19 nëntor 1944. Komiteti Qendror nën udhëheqjen e Rexhep Mitrovicës organizoi komitetet qendrore të prefekturave të Prizrenit, të Pejës, të Mitrovicës dhe disa komitete rrethore nëpër nënprefektura.

Lidhja e Dyrë e Prizrenit e kryesuar nga Komiteti Ekzekutiv i zgjedhur nga Kuvendi i shtatorit 1943 iu përvesh punës për organizimin e luftës kundër shkaut në bashkëpunim me qeverinë e Tiranës, e cila ishte bërë një qeveri kombëtare qyshse mori fund aneksimi i Shqipërisë nga Italia fshiste. Komiteti Ekzekutiv i Lidhjes së Dytë të Prizrenit në Kosovë kreu detyrën e qeverisë, në bashkëpunim të ngushtë me nëpunësit e emëruar nga qeveria e Tiranës.


Kryeministri Rexhep Mitrovica dhe qeveria e tij krijuan Shqipërinë etnike, shpallën pavarësinë dhe neutralitetin e saj

Më 14 shtator 1943 në Tiranë u formua një këshill provizor prej 22 vetash, i cili shpejt zgjodhi një Komitet Ekzekutiv Provizor prej shtatë vetash që kryesohej nga Ibrahim Biçaku. Ky Komitet Ekzekutiv Provizor do të drejtonte punët e shtetit deri në formimin e një qeverie legale, do të bënte shpalljen publike mbi gjendjen në Shqipëri të njohur nga Berlini si shtet të pavarur, do të marrë masa për të sjellë rregull e qetësi në kryeqytet e në vendet e tjera, do të pranojë dorëheqjen e qeverisë së kohës të kryesuar nga Eqrem Libohova, do të ndikojë në lirimin e dy mijë të burgosurve politik që mbaheshin në kampin Porto-Romano në Durrës etj.

Berlini e pranoi qeverinë, nuk mori masa të imponimit të një administrate ushtarake që zakonisht e karakterizon sundimi e zaptimi i huaj në kohë lufte. Organet e sigurimit ushtarak gjerman vazhduan të mbajnë qëndrim të mospërzierjes në çështjet e brendshme shqiptare. Pushtuesit gjerman nuk arritën të shfrytëzojnë prodhimet e ekonomisë shqiptare. Në saje të pasurisë bujqësore-blegtorale të Kosovës, në Shqipëri kishte një bollëk të jashtzakonshëm në gjëra ushqimore dhe në mallëra industriale. Ushtarët gjerman ishin të detyruar që të blejnë mallra në tregun shqiptar me franga shqiptare.

Më 16 tetor 1943 u mblodh në Tiranë Kuvendi Kombëtar, i cili shpalli “Këshillin e Lartë të Regjencës” të përbërë nga Mehdi Frashëri, Fuad Dibra, Anton Harapi, Lef Nosi dhe më 5 nëntor 1943 Regjenca emëroi qeverinë me kryeministër Rexhep Mitrovicën, të cilit iu besua edhe detyra e Ministrit të Kulturës Popullore. Asambleja Kombëtare e përgjithshme që përbëhej nga përfaqësues të të gjitha viseve të Shqipërisë dhe atyre të përtej kufijve të vitit 1913, pra kurrë në historinë shqiptare nuk ishte përfaqësuar nga të gjitha krahinat që flasin gjuhën shqipe, shpalli pavarësinë e Shqipërisë dhe neutralitetin e saj.

Bashkëpunimi i kryeministrit me gjeneralin gjerman për Evropën Juglindore, Nojbaher, në fillim jepte rezultate të kënaqshme për kapërcimin e vështirësive të shumta me të cilat po ballafaqohej populli shqiptar. Ish deputeti i parlamentit të parë demokratik shqiptar, ish Ministri për Arsim, pjesëmarrsi në aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kryetari i parë i Lidhjes Popullore Shqiptare në Mitrovicë, kryetari i parë i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, nacionalisti dhe personaliteti i shquar i arsimit dhe kulturës shqiptare, që u sakrifikua shpesh për t’i shërbyer momentit kritik në të cilin po kalonte kombi, Rexhep Mitrovica, formoi kabinetin e tij që kishte në përbërje mjaft personalitete me edukatë shkollore të lartë, që nuk ishin vegla të fuqisë së huaj me këtë formacion: Rrok Kolaj, Ministër i Drejtësisë, Xhafer Deva, Minitër i Punëve të Brendshme (shtator 1943-qershor 1944), Ago Agaj, Ministër i Ekonomisë, Sokrat Dodbiba, Ministër i Financave, Musa Gjylbegaj, Ministër i Botores, Kolë Tromara, Ministër i Kulturës e Propagandës, Eqrem Çabej, Ministër i Arsimit, Bahri Omari, Ministër i Punëve të Jashtme, Vehbi Frashëri, Qazim Bllaca e Ernest Çoba- nënsekretarë të shtetit.

Qeveria e tij kishte nën administrimin e vet pjesën më të madhe të Kosovës të bashkuar me Shqipërinë. Ajo nuk kishte përfaqësimin e asnjë force politike ose konsensusin e forcave politike kryesore që dominonin skenën luftarake në Shqipëri, përkundrazi, përfaqësonte kombin shqiptar deri në Mitrovicë, mbështetej brenda vendit dhe premtonte se do të siguronte normalitetin në kushte të pushtimit në mënyrë që Shqipëria mos të dilte e shkatërruar nga lufta.

Partia Komuniste e denonconte qeverinë e Rexhep Mitrovicës duke e quajtur qeveri kolaboracioniste, qeveri kukull naziste, tradhtare të idealeve kombëtare etj. Zjarri i luftës vëllavrasëse po ndizej dhe atij më shumë po i frynin Dushan Mugosha e Miladin Popoviqi përmes disa komunistëve shqiptarë. Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Jugosllave në një letër që ua dërgonte komunistëve shqiptarë të udhëhequr nga D. Mugosha e Enver Hoxha, ndër të tjera, me cinizëm, thuhej: “Të ngresh çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, do të thotë t’u japësh dorën reaksionarëve të ndryshëm, duke përfshirë edhe vetë armikun…Jugosllavia e re që po ndërtohet, do të jetë një vend i kombeve të lira dhe, si rrjedhim, nuk do të ketë vend për shtypje kombëtare të pakicave shqiptare” (Rexhinald Hilbert, Fletorja e Hidhur, f. 12.).

Duke parë rrezikun e elementit komunist, intelektualë të njohur shqiptarë, profesionalistë me edukatë shkollore perëndimore, si Rexhep Mitrovica, Xhafer Deva, Ibrahim Biçaku, Qazim Xhepa, Lef Nosi, Ahmet Dakli, Dervish Biçaku, Bedri Pejani, Xhelal Mitrovica, Sokrat Dodbiba, Filip Llupi, Asim Abdurrahmani, Hasan Meniku, Mihal Zallhari, Etëhem Cara, Eqrem Tehlaj etj. iu vunë punës për të përballuar situatën e re. Edhe përkundër vështirësive me të cilat ballafaqohej qeveria shqiptare e kryesuar nga R. Mitrovica, në fillim arriti të mbajë rregull, qetësi, rend. Ajo nuk mori pjesë në krimet naciste ndaj popullit të vet, nuk bëri gjenocid ndaj popujve tjerë (çifutëve, romëve, grekëve).

Shqipëria u njoht shtet i pavarur e neutral prej gjermanëve dhe u shkëmbyen ambasadorët, u riorganizua ushtria, xhandarmëria shqiptare, u anuluan të gjitha lidhjet me Italinë, u vu në vend Kushtetuta e paraokupacionit italian, u sigurua pasuria e shteteve të huaja në ndërtesa ambasadash, konsulatash, shkëmbimi i mallrave bëhej në baza barazie, ndërsa Banka Shqiptare udhëheqej me kompetencë nga ekonomisti, shkrimtari e patrioti i shquar, drejtori Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli).

Me një fjalë në fillim Shqipëria përjetoi një rimëkëmbje ekonomike, kulturore, arsimore e shpirtërore. Gjermania kishte bërë të mundshme bashkëjetesën e popullsisë shqiptare të Kosovës e të viseve të tjera të mbretërisë jugosllave me shqiptarët e shtetit të cunguar të vitit 1913 dhe aktualisht në territorin shqiptar ishte angazhuar me interesat e veta e jo të mbajë Shqipërinë nën sundimin e vet të përhershëm. Në këtë kohë qeveria e Rexhep Mitrovicës ushtroi pushtet në territor dyfish më të madh se territori që qeveriste mbreti Zog. Në Shqipëri ishte në fuqi ligji civil e jo ushtarak si në disa vende të tjera.

Rexhep Mitrovica mori premtime të forta nga Gjermania se pas tërheqjes së forcave të saj nga Shqipëria, do të respektonte neutralitetin e saj po qe se qeveria shqiptare do të merrte garancë nga britanikët dhe amerikanët se edhe ata do të respektonin neutralitetin e Shqipërisë. Në fjalimin e tij pragmatik në Asamblenë Kombëtare me rastin e zgjedhjes kryeministër, Rexhep Mitrovica, ndër të tjera, thotë se “kaosi dhe anarkia që i krijoi pushtuesi italian, po rrezikonin jetën shqiptare. Deri në kohën kur Shqipëria më 7 prill 1939 kishte aparat shtetëror, ushtrinë, xhandarmërinë e organizuar e të disiplinuar, administratën, Ministrinë e Jashtme që përfaqësonte Shqipërinë nga vetëmbrojtja, ia prishi ushtrinë dhe policinë, ia zhveshi ndjenjën patriotike dhe kombëtare, ndryshoi flamurin kombëtar, ndryshoi përshëndetjen, ushtrimin në shkollë etj., rrëmbeu gjithë tregtinë e madhe të Shqipërisë, i zhveshi fshatarët e pronarët.

Ajo që është e vajtueshme për ne, është grindja që na la mes vllaznive.Vendin e solidarësisë kërkon ta zë mëria, vendin e ligjit-dhuna, vendin e bashkimit dhe bashkëpunimit të vllaznive për t’u dalë zot interesave të kombit-vëllavrasja. Italianët me mijëra shqiptarë i burgosën, i internuan, i likuiduan. Italia la grindje të mëdha midis vëllezërve, prandaj në një vend ku nuk ka sigurim nderi, jete dhe pasurie, si vend është i dënuar për vdekje” - thotë R. Mitrovica. Ai kërkon gjithnjë bashkimin dhe vëllazërimin e kombit. Vlerat morale dhe tradicionale do të jenë mjeti i mbrojtjes së pavarësisë kombëtare. Ai sugjeron që të pushojnë grindjet ideologjike. “Jemi një shtet i vogël, prandaj kemi nevojë për respektin e shteteve tjera.

Ështe e vërtetë absolute se këtë simpati e respekt nuk mund ta pretendojmë, veçse kur ato shtete të na shohin në rregull e në rend si një shtet i disiplinuar me një qeveri kombëtare në krye me një ushtri të zonjën për të rifituar kufijtë e vet, me një xhandarmëri të shëndoshë e në gjendje t’u sigurojë shtetasve nderin, jetën dhe pasurinë”. Për t’i dhënë fund gjendjes kaotike dhe për t’i siguruar popullit qetësinë e humbur, R. Mitrovica kërkon funksionimin më të mirë dhe organizim më të shëndoshë të xhandarmërisë, rindërtimi i organeve shtetërore të shkatërruara, thjeshtësimin e aparatit shtetëror prej elementeve pa vlerë, ngjalljen e frymës patriotike, organizimin e financave të shkatërruara, arsimin kombëtar të çkombëtarizuar etj.

Qeveria shqiptare që mori pëlqimin e plotë nga Parlamenti dhe përbëhej nga personalitete të shquara politike të të gjitha krahinave shqiptare, sipas programit që paraqiti përpara Parlamentit, shtroi këto detyra kryesore: siguria e qetësisë së brendshme në të gjitha fushat e jetës shtetërore, të shquajë pozitën neutrale të Shqipërisë në botën e jashtme (u shqua zyrtarisht në vijën politike të shteteve neutrale, siç ishin Vatikani, Zvicra, Turqia etj.), bëri shpalljen e lirisë së plotë të mbledhjeve, të fjalës e shtypit për të gjitha grupet politike me përjashtim të partisë komuniste; bëri ndërmjetësimin tek shteti gjerman për lirimin e të gjithë shqiptarëve të internuar në Itali, të bëjë transferimin nga Roma në Tiranë të të gjitha banknotave (120 milion franga) që ndodheshin në Banca d’Italia në Romë, bëri përpjekje për konsolidimin e jetës ekonomike-tregtare që kishin pësuar tronditje të thella si rrjedhojë e kapitulimit të Italisë. Në marrëveshjen monetare të qeverisë me Shtetin Gjerman, iu sigurua monedhës shqiptare që të qarkullonte në tokën shqiptare dhe të detyronte Shtetin Gjerman që për nevojat e ushtrisë së vet në Shqipëri të blejë frangat shqiptare me monedha ari.

Gjatë kohës së qeverisjes së Rexhep Mitrovicës nuk ka pasur parti naziste në Shqipëri, nuk kanë ekzistuar formacione përkatëse të organizuara të rinisë shqiptare. Në godinën shtetërore ose në qendrat tjera publike ka valuar vetëm flamuri shqiptar pa asnjë shenjë, nuk janë ekspozuar fotografi të udhëheqësve të huaj, as nuk janë përkrahur përshëndetjet e huaja. Qeveria e Tiranës, të cilën e ushëheqte Rexhep Mitrovica, i vuri vetes për detyrë që të parandalojë depërtimin e ideologjisë komuniste dhe ndikimin serbosllav.

Rexhep Mitrovica kishte shpresë të madhe dhe shpesh e përkrahte mendimin e Xhafer Devës se vetëm anglo-saksonët janë shpresë e vetme e shqiptarëve që t’i shpëtojnë ata nga kuçedra sllavo-komuniste. Kabineti i qeverisë me Rexhep Mitrovicën, Kolë Tromarën, Xhafer Devën etj. punoi në drejtim të ruajtjes së rendit e qetësisë, duke iu kundërvënë asaj kategorie njerëzish, të cilët thoshin se Kosova nuk i përkiste Shqipërisë, se nuk e donin bashkimin e Kosovës për të mos ndryshuar përpjestimin fetar etj. Në këtë kohë, thoshte Ago Agaj, kur populli shqiptar kishte humbur plotësisht orientimin, duhet bërë përpjekje të mëdha, duhet bërë sakrifica të mëdha për ta vetëdijësuar e bashkuar atë.

Gjermanët, të cilët ishin të vetëdijshëm se po e humbnin luftën, se së shpejti do të zbarkonin në Shqipëri aleatët perëndimorë dhe preokupim kryesor i tyre ishte se si të sigurojnë rrugën për tërheqje, nuk deshën të përzihen në punët e brendshme të popullit shqiptar. Në këtë kohë Marrëveshja e Mukajt që u arrit në një mbledhje të përbashkët të Organizatës “Balli Kombëtar”, Frontit të ashtuquajtur Nacionalçlirimtar me disa elemente socialdemokrate, u prish. Formimi i “Komitetit për Shpëtimin e Atdheut” dhe ideja për Shqipërinë etnike që e mbronin Balli Kombëtar, binin ndesh me ideologjinë komuniste. Fuqitë qeveritare mbështeteshin në radhë të parë në Regjimentin “Kosova” me qendër në Tiranë dhe në përkrahjen e Gjon Marka Gjonit, Kolë Bibë Mirakajt, Sulçe beg dhe Maliq beg Bushatit, Shefqet beg Vërlacit. Formimi i grupit SS i quajtur “SkënderbegË nga repartet e SS gjerman, ishte bërë pa njohjen e qeverisë së Tiranës.


Nuk deshi të marrë përgjegjësinë historike për luftën vëllavrasëse që po e nxisnin komunistët

Lufta midis Ballit Kombëtar dhe idhtarëve të ideologjisë komuniste po thellohej. Vëllavrasjet po merrnin viktima çdo ditë. Njëri ndër njerëzit më të afërt dhe këshilltarët më të mirë të Rexhep Mitrovicës, miku i tij i sinqertë e atdhetari i kulluar Midhat Frashëri, edhe pse nuk kishte asnjë post në qeveri, pas ardhjes së gjermanëve, i sugjeronte se ç’duhej të bënte qeveria në mënyrë që të mbjellë te populli bindjen se komunizmi është antidemokratik e antinjerëzor, se shqiptarët, për të shpëtuar Shqipërinë, duhet të lidhen me miqtë anglo-amerikanë. Qeveria u gjend në pozitë të vështirë sepse fuqitë aleate të perëndimit ishin bashkuar me komunizmin ndërkombëtar kundër Gjermanisë. Për shembull, britanikët në zbatim të politikës së tyre glogale të luftës, u treguan përgjithësisht të njëanshëm, sepse mbështesnin luftën e komunistëve kundër gjermanëve.

Misioni i luftës anglo-amerikane në Shqipëri kishte për qëllim kryesor mundjen e ushtrisë gjermane, ndërsa për fatin e popullit e shtetit shqiptar pas luftës së fituar, ishte preokupim dytësor a tretësor. Kjo u dëshmua në mbledhjen e Jaltës. Ndarja e forcave ushtarake në dy grupime konfrontuese bëri që edhe të dërguarit e misioneve aleate të ndaheshin në dy grupime. Rexhep Mitrovica shpjegonte se qëndrimi tolerant i qeverisë ndaj ushtrisë gjermane nuk mund të konsiderohet akt bashkëpunimi.

Qeveria bëri çmos që të ruajë rendin e qetësinë në prefekturat kryesore, por kot. Aktet terroriste, vrasjet, plaçkitjet, shpërdorimet, vjedhjet, hakmarrjet i kryenin banda ordinere kriminelësh. Qeveria krijoi pesë batalione të përbëra nga luftëtarë antikomunistë. Xhandarmëria filloi të riorganizohet. Një nga krijimet e reja ishte Regjimenti “Kosova” që përbëhej kryesisht nga të rinj kosovarë që e kuptuan me kohë rrezikun e madh nga komunizmi nën udhëheqjen serbo-malazeze. Komunistët vazhduan me fushatën e ashpër e të egër propagandistike kundër Ballit Kombëtar, Legalitetit, kundër Qeverisë së Rexhep Mitrovicës, kundër Kosovës dhe kosovarëve, kundër gjithë nacionalistëve që nuk i bashkoheshin, duke i kualifikuar si tradhtarë e bashkëpunëtorë të fashizmit, pastaj, dihet, edhe për të diskredituar idenë për formimin e Shqipërisë etnike.

Kosovarët u quajtën kriminelë, injorantë, të rrezikshëm sepse ata po rrezikonin ekuilibrimin e përmbajtjes së popullsisë shtetërore shqiptare. Ata akuzonin Qeverinë e Rexhep Mitrovicës, Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhafer Devën dhe gjithë kosovarët për spastrimin e 4 shkurtit 1944, ndonëse terrorizimin e plaçkitjen e banorëve të Tiranës e bënin partizanët komunistë. Regjimenti Kosova bëri rojen e zakonshme dhe nuk mori pjesë në aksionet kundër komunistëve. Aksionin e kreu një grup luftëtarësh që nuk ishin në shërbim të qeverisë dhe udhëheqeshin nga Xhelal Staravecka, i cili më herët kishte qenë aderues i ideologjisë komuniste. Fushata e tërbuar antikosovare e Partisë Komuniste të Shqipërisë ka pasur efekt të thellë psikologjik në qëndrimin e një pjese të rinisë dhe të popullsisë që, duke mos e njohur realitetin, ushqente urrejtje të papërmbajtshme ndaj Kosovës e kosovarëve.

Rexhep Mitrovicën e shqetësonte lufta vëllavrasëse, gjakderdhja e kotë për interesat e komunistëve jugosllavë, prandaj thërriste popullin për mirëkuptim, bashkëpunim, për qëndrim tolerant të qeverisë ndaj trillimeve e provokimeve të komunistëve. E tronditën pa masë vrasja e Iliaz Agushit, në fund të tetorit 1943 dhe e kolonel Adem Boletinit në Shkodër në nëntor të këtij viti. Vetë personalish, po edhe përmes njerëzve të qeverisë, ngushëlloi familjet Agushi dhe Boletini. Ai thërriste që dhunës e terrorit komunist mos t’i përgjigjeshin me atë masë, sepse, siç thoshte ai, “nuk mund të vrasim e dhunojmë vëllezërit tanë”.

Më 7 prill 1944, në përvjetorin e zisë shqiptare, përmes valëve të Radio Tiranës shpalosi optimizmin e tij si kundërpërgjigje ndaj sulmeve fizike e morale të komunistëve shqiptarë dhe sebo-malazezë, duke thirrur: ”Rini! Mblidhu rreth Qeverisë sate Kombëtare që nuk e ka humbë besimin në ty asnji çast. Qeveria, optimiste në dlirësinë dhe në atdhedashurinë tande, ka përbuzë çdo intrigë që është dashur të trajtohet kundër teje. Shqiptar! Ulni armët që i keni poshtnue tue i përdorë për vëllavrasje. Armët duhet të lëshohen vetëm në dorë të shtetit që i ka si ndihmë të parë të tij… Asht vendimi i njëzashëm i nji kombi të tanë që Ballkani u takon vetëm popujve të Ballkanit dhe popujt e tjerë, për lakminë e tyne kolonizuese, nuk kanë vend në sinisinë ballkanike, si nuk kanë strehë edhe popujt e tjerë të Ballkanit në kufijtë e shenjta të Shqipnisë sonë etnike…” (Gazeta “Bashkimi i Kombit”, dt. 8 prill 1944).


Dorëheqja dhe mërgimi

Rexhep Mitrovica, duke parë se qeveria e tij nuk po ia dilte të ruante normalitetin dhe neutralitetin, nuk po arrinte mirëkuptimin kombëtar e as të shpëtonte kombin shqiptar nga masakra e vendin nga lufta civile, duke parë se komunistët ishin dalldisur gjer në atë masë sa do të fillojë lufta vëllavrasëse, duke mos dashur që të jetë bashkëpjesëmarrës të krimit e përgjegjës përpara historisë, vendosi të japë dorëheqje.

Pas manipulimeve të ndryshme politike, sabotimeve që bëheshin për formimin e një qeverie të fortë, për konsolidimin e saj, së bashku me Xhafer Devën dhe grupin kosovar e pa të arsyeshme që të kthehen në Prizren me qëllim që të mbrojnë Kosovën që tashmë ishte bërë pikë e sulmeve të koncentruara serbo-malazeze çetnike e komuniste.

Rexhep Mitrovica qëndroi pak kohë në Prizren dhe pastaj vizitoi disa qendra të tjera të Kosovës, si Gjilanin, Pejën dhe Mitrovicën. Në mesin e nëntorit 1944, për arsye të rrethanave të luftës botërore, Lidhja e Dytë e Prizrenit detyrohet të pezullojë veprimtarinë në atdhe për të vazhduar misionin e vet në mërgim. Para largimit Komiteti Qendror ftoi një mbledhje ku morën pjesë: Musa Shehu, Sheh Hasani, Jonuz Shahsivari, Lukë Simon Mjeda, Ahmet Suhareka, Kemal Karahoda, Pjetër Vuçaj, Av. Esat Berisha, Av. Sokol Dobroshi, Dr. med. Xheladin Deda, Dr. med. Durmish Prizreni etj. U formua një komision i përkohshëm për të siguruar qetësinë në qytet. U shpreh vullneti e bindja e disave se për arsye të shumta anëtarët e Komitetit Qendror do të largohen nga Kosova për të vazhduar përpjekjet për liri të popullsisë shqiptare të Kosovës në mërgim.

Para largimit nga Prizreni, përfaqësuesit e Komitetit Qendror në përbërje: ing. Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, Rexhep Krasniqi, Tahir Zajmi dhe Xhelal Mitrovica, që nominalisht përfaqësonin Këshillin e Lartë të Regjencës në Kosovë, me shpresë të zbarkimit të pritur të aleatëve të perëndimit në Ballkan, kishin ngarkuar një intelektual të njohur shqiptar me detyrë që të udhëtojë në Shkup e në Selanik për t’i paraqitur Komandës Aleate Perëndimore një memorandum në gjuhën frënge në të cilin shkurtazi shpjegoheshin arsyet historike të luftës së mbrojtjes së popullsisë shqiptare kundër sundimit të huaj dhe të imponuar të Serbisë dhe dëshirën e popullit të Kosovës për të vendosur vetë për të qenë pjesë integrale e shtetit shqiptar.

Populli shqiptar asnjëherë nuk e ndjeu veten më të sigurt se në kohën e qeverisë së Rexhep Mitrovicës. U arrit bashkimi kombëtar gjatë luftës së stuhishme botërore. Këtë periudhë populli e quajti “Koha e Shqipnisë”. Ambasadori amerikan pranë qeverisë së Greqisë në Kajro në korrik të vitit 1944 shkruan se “Qeverinë e Rexhep Mitrovicës është e përbërë prej njerëzve, të cilët në të kaluarën gëzonin respekt në vend dhe disa prej tyre llogariten si njerëz më të mirë që dolën nga gjiri i Shqipërisë. Shumica prej tyre nuk njihen si progjermanë të ndezur e as si fashistë politikë.

Disa me të vërtetë ishin miq të Anglisë e Amerikës. Nuk gabohet nëse thuhet se ata ishin kundër dominimit italian. Aq sa ndershmëria personale mund ta kapë, ata janë njerëzit me kualitetet më të larta prej gjithë atyre qeverive që Shqipëria ka pasur ndonjëherë. Sidoqoftë, këta njerëz pranuan sundimin gjerman dhe qëndruan në anën e Gjermanisë. Arsyeja ndoshta ishte se ata me sinqeritet e përcjellin politikën e Chamberlainit. Ata përpiqen me çdo kusht që të mbesin neutralë. Shpresojnë për ta bashkuar mbarë kombin shqiptar si në Shqipëri, ashtu edhe në Jugosllavi në një pjesë kompakte, që do të mund të miratohej prej ngadhënjimtarëve kushdo që do të mund të ishin (gjermanët apo aleatët)”.

Në Gjyqin special që u mbajt në Tiranë, Bahri Omari deklaron: ”Qeveria e Rexhep Mitrovicës, ku unë mora pjesë, kishte proklamue indipendencën dhe neutralitetin shqiptar. Këtë fakt e kishte vërtetue edhe gjenerali aleat Sër Wilson në një proklamatë në të cilën thoshte se pranohet qëndrimi i qeverisë shqiptare me konditë që kjo të mos u japë ndihmë gjermanëve dhe, në rast se konstatohet vepër bashkëpunimi me gjermanët, atëherë shpallja e neutralitetit nuk kishte asnjë vleftë. Ne nuk kemi pasur qëllim bashkëpunimi me gjermanët, sepse ne nuk kemi dashur aspak të jemi bashkëpunëtorë me gjermanët, por ka qenë vetëm një transaksion qëndrimi ynë kundrejt gjermanëve. Qeveria në të cilën bëja pjesë unë, nuk i ka dhënë ndihmë gjermanëve. Ne ndaluam që gjermanët të vinin në qarkullim monedhën e tyre dhe për shumë gjëra kemi qenë në kundërshtim; derisa në fund dhamë dorëheqje që të gjithë, në maj të vitit 1944” (Arkivi i Rendit, Gjyqi Special, Dëshmi e Bahri Omarit).

Ministri i Financave, Sokrat Dodbiba gjithashtu thekson se Qeveria e Rexhep Mitrovicës nuk ka qenë kuislinge. Ai deklaron se për masakrën e 4 shkurtit 1944, ku u vranë 84 qytetare e shumë të tjerë u plagosën, nuk ishte fajtor Rexhep Mitrovica e as Ministri i Punëve të Brendshme, Xhafer Deva, po ishte vepër e Kadri Cakranit, Xhelal Staraveckës e Irfan Ohrit që vepronin nën autoritetin gjerman të pushtimit. Kolë Tromara, gjithashtu ministër në Qeverinë e Rexhep Mitrovicës, ndonëse në një presion të jashtëzakonshëm shpirtëror e fizik, nën trysninë çnjerëzore dhe kërcënimin e dënimit kapital, deklaron: “Qeveria e Rexhep Mitrovicës në të cilën unë kam marrë pjesë, ka qenë, sa ishte e mundur, indipendente nën një okupacion, siç ishim ne. Për mua Qeveria e Rexhep Mitrovicës nuk ka qenë kuislinge, sepse nuk mendojshim me ba vepra të kundërta me interesin e popullit, aq sa qe e mundun në kohë okupacioni”.
Në gjysmën e nëntorit 1944 grupi i kosovarëve, Rexhep Mitrovica, Xhafer Deva, Tahir Zajmi, Xhelal Mitrovica, Rexhep Krasniqi, mori rrugën e mërgimit. Pasi bënë dorëzimin e gjendjes financiare, thesarin e paprekur që gjendej në arkën e Lidhjes II të Prizrenit, më 15 nëntor u nisën nga Prizreni nëpër Prishtinë, nëpër gjëmimin e bombardimeve dhe sulmeve të tërbuara mbi këtë qytet, u ndalën pak kohë në Mitrovicë për të vazhduar rrugën në drejtim të Kralevës.

Nisja u shty deri në orët e vona për shkak të mungesës së Rexhep Mitrovicës, i cili u takua me prijësit e Shalës. Udhëtuan me automobil personal të Xhafer Devës e pastaj me aeroplan deri në Zagreb. Atje u mirëpritën nga kryetari i shtetit kroat, Ante Paveliqi, dhe ministri i jashtëm kroat që ishte boshnjak. Këta kosovarë, të cilët qëndruan dy javë në Zagreb, bashkë me disa atdhetarë të tjerë, përkujtuan festën kombëtare të 28 Nëntorit. Në fillim të dhjetorit, pas përpjekjeve e peripecive të mëdha, këta nacionalistë kaluan Alpet Slloveno-Austriake dhe u vendosën në Vjenë, ku gjendeshin edhe grupe të tjera nacionaliste me Gjon Marka Gjonin, Nuredin bej Vlorën, Shefqet Vërlacin, Mehdi Frashërin me familje etj.

Shtëpitë ku banonin Mehdi Frashëri, Rexhep Mitrovica e Xhafer Deva, u bënë qendra në shërbim të të gjithë emigrantëve shqiptarë. Rexhep Mitrovica, i cili kishte shëndet delikat, u detyrua të shtrohet në senatoriumin afër qytetit Feldkireh afër kufirit zviceran. Gjatë periudhës 1945-1947 Xhafer Deva qëndroi në Austrinë perëndimore. Në verë të këtij viti ai bashkë me Xhelal Mitrovicën, Tahir Zajmin dhe Ali Dragën shkuan në Itali. Prej andej e tërhoqën edhe Rexhep Mitrovicën e përmirësuar. U vendosën në Gjenovë të Italisë dhe pas dy muajsh, me ndihmën e një deputeti turk me origjinë shqiptare nga Prizreni, mik personal i Xhafer Devës, i siguruan lejen për të shkuar në Turqi.

Në fund të vitit 1947 Xhafer Deva, Rexhep Krasniqi, Tahir Zajmi dhe Xhelal Mitrovica emigruan në Siri. Ata vazhdimisht mbanin lidhje me Rexhep Mitrovicën, i cili në Ankara, Stamboll e qytete të tjera ishte i rrethuar nga nderi dhe respekti i shumë atdhetarëve atje. Më 3 dhjetor 1948 në Stamboll u formua Komiteti Shqiptar. Aty Rexhep Mitrovica takoi Midhat Frashërin dhe biseduan për idenë e themelimit të një komiteti nacional që do të kishte orientim perëndimor dhe mbështetjen e SHBA-ve, Anglisë e Francës.

Midhat Frashëri kërkoi nga Rexhep Mitrovica që të bënte përpjekje për të rikrijuar gjithashtu një komitet për Kosovën. Ai kërkoi që të dërgojë në komitetin “Shqipëria e lirë” dy përfaqësues të Komitetit të Kosovës. Në një letër që i dërgon Luan Gashit, Rexhep Mitrovica ndër të tjera, shkruan: “Tue pa gjendjen tonë të vajtueshme për mosveprimin pozitivisht për Kosovën, pata vendos që në këtë moshë të hyj ndoshta për herë të fundit në aktivitet, në qoftë së do të gjeja ndonjë përkrahje prej ndonjë grupi kosovar.

Ardhja e Midhatit në Stamboll ma kishte forcue këtë dëshirë. Kontrollimi i lidhjeve tona politike që kemi pasë me Midhatin, meqenë se kemi konstatue të përlqyeshme, ramë dakord të ringjallim një aktivitet serioz në dobinë e Shqipnisë etnike, tue krijue një komitet kosove. Midhat Frashëri kërkonte që ky komitet të drejtohej prej meje dhe më premtonte të më mbështeste. Pata vendos t’i hyj kësaj valleje mbasi t’i kem konsultue kosovarët”.

Rexhep Mitrovica, bashkëthemelues i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, mendon se Xhelal Mitrovica dhe Rexhep Krasniqi, dy djem universitarë, “së pakti, do të më japin të njajten të drejtë që më kish dhanë edhe Midhat Frashëri. Të përpiqemi të gjithë së bashku, t’i bajmë për vete, se janë dy fuqi intelektuale të Kosovës që s’duhet neglizhue, s’duhet lanë të marrin ndonjë udhë tjetër nga ajo jona e aq ma pak të mbeten nën influencën e njerëzve të errët. Mue, vazhdon Rexhep Mitrovica, më takon detyra e plakut që s’ka ambicje tjetër, përveçse t’i mbledh djemtë në nji vatër. E juve, ju takon ajo e vëllaznimit. Jam në mendimin tuej pra, që të hyni në letërkëmbim me ta, t’i afroni e kështu të jemi të bashkuem për të mirën e Kosovës!”

Shpesh në takimet me atdhetarët në Turqi dhe me të tjerët që vinin për t’u takuar me të, Rexhep Mitrovica shprehej se Shqipëria si shtet ekziston, mirëpo meqë atë e udhëheqin komunistët, nuk do të ketë jetë të gjatë, pra nuk do të jetë i sigurt. Populli nuk do të gëzojë lirinë e mirëqenien, sepse nuk mund të ketë Shqipëri pa Shqipëri etnike. Me argumente ai e denonconte politikën dritëshkurtër të Enver Hoxhës dhe politikën intrigante të Titos ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Edhe pse ishte i vetëdijshëm për rrezikun e madh të murtajës së kuqe, Rexhep Mitrovica nuk i humbi kurrë shpresat tek bashkëkombasit e vet, sidomos tek rinia e Kosovës. Jetoi e punoi i qetë e i prirë për Shqipërinë etnike deri në çastet e fundit kur mbylli sytë më 1960. Shtypi i kohës në Shqipëri, në Kosovë dhe Jugosllavi njoftoi për vdekjen e tij duke përdorur fjalët më denigruese. U quajt fashist, tradhëtar, kriminel etj.

Sipas kritereve të demokracive perëndimore nuk është provuar se Rexhep Mitrovica, Xhafer Deva apo ndonjë nacionalist tjetër shqiptar, kanë qenë kriminelë lufte. Në vendet ku regjimet e tyre shquhen për demokraci të mirëfilltë, ata u pritën ngrohtë, u rrethuan me nderimin e njerëzve dhe kryen punë mjaft me përgjegjësi. Po të ishte provuar se ata janë kriminelë lufte, përkrahës të fashizmit etj., atëherë asnjërit nuk do t’u lejohej qëndrimi për asnjë çast në vendet më demokratike të botës.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...