Edi Rama e merr ‘pushtetin e dashurisë’ duke e nxjerr heroin nga thesi i kuq! Qysh qëlloi ‘e premte i 13-ti’ sot kur Edi Rama e viziton Prishtinën!
Qysh nuk qëllova në Prishtinë që t’ia jap Edi Ramës ‘sy më sy’ një ide të thjeshtë se si t’ia merr Sali Berishës (pas pushtetit politik), edhe ‘pushtetin e dashurisë’ që e ka në Kosovë.
Kush është ai tradhtar që ia organizoi Kryeministrit të Ri vizitën zyrtare në këtë datë!
Pse s’po bazohen në Amerikën! I frikësuar nga ”e premtja, 13′, Presidenti Franklin D.Roosevelt asnjëherë nuk ka pranuar të udhëtoj në këtë datë dhe asnjëherë nuk i ka ftuar 13 veta në darkë.
Vetëm Fidel Kastro u lind ‘të premten, më 13′ prandaj ende është gjallë
Nuk dihet prejardhja e bestytnisë së datës ‘e premte, 13′ por besohet se ka dalë nga ‘Darka e fshehtë’ e Bibles, i 13-ti që tradhëtoi Krishtin. E meqenëse njerëzit e besojnë Biblen, besojnë se Juda i 13-ti, ishte tradhtari që e çoi në vdekje të mundimshme Krishtin.
Shpirti nuk përparon. Për shkak të frikës. E meqenëse perendimi e ruan mitin e kësaj frike, dhe e bën film e roman, çka ka Edi Rama që paraqitet më trim se Napoleoni, i cili kishte frikë abnormale nga ‘e premtja e 13-të’, dhe nga macet e zeza, prandaj frika ia siguroi të gjitha fitoret atij frikacaku.
Shumë spitale në vendet e perendimit nuk kanë dhomë me nr.13 , ndërsa ndërtesat e larta e mënjanojnë këtë kat, nga 12-ti automatikisht kalon në katin e 14-të.
Këshilltarët e Ramës së paku le të kujdesen që në ‘darkën publike’, Rexhep Qosja të mos jetë mysafiri i 13-të!
Se kur njëherë e ftuan shkrimtarin Mark Twain në një darkë ku ishin 12 veta, shoku i ngushtë i tij e luti që të mos shkonte. Kur u kthye nga darka, Twain i tha shokut të tij se ‘ishte fatkeqësi’ e madhe pse ishte mysafiri i 13-të në atë darkë, sepse ata kishin pasur ushqim vetëm për 12-të veta
E restorantet e Prizrenit, nuk janë si ato të Parisit, që e kanë të punësuar nga një profesionist, ekskluzivisht për ta angazhuar që të ulet në tavolinat ( e të pafat’ve) me nga 13-të mysafirë, për t’ia marrë anën ‘fatit të keq’ që sjell ky numër.
Tani, nga larg, po i tregoj Edi Ramës se si ta marrë ‘pushtetin e dashurisë’ të Sali Berishës në Kosovë.
Shko në Mitrovicë. Lype në njërën xhami thesin me eshtrat e Isa Boletinit, që s’del birë nëne qe e varros heroin, qe 100 vjet. Nëse të thonë se thesin e çuan për t’ia bërë ADN-në në Shkup (për të vërtetuar se a janë ata eshtra të Isa Boletinit), pyet pse kanë kaluar kaq vite dhe Kosova nuk e merr një pergjegje për eshtrat e ‘palexuar’ të Heroit.
Pastaj, për hatër të Ismail Qemailit (që e harroi shokun e tij), të Luigj Gurakuqit, për hirë të Ibrahim Rugovës (që i nxori tinëz nëpër natë eshtrat e heroit nga luna-parku i fëmijëve që malazezët në Podgoricë kishin ndërtuar mbi eshtrat e tij),
merri ata eshtra dhe varrosi.
Hashim Thaçin e konsiderojnë agjent francez, ndaj mund të të ndihmoj në këtë aspekt, duke zbuluar fakte nga shërbimi sekret i Francës, meqenëse francezët e dorëzuan Isa Boletinin në duar të malazezëve.
Kështu fillon Rilindja kombëtare, duke nxjerr eshtrat e heroit nga thesi, e jo duke këqyr filma dokumentar nëpër kafenetë e Prizrenit.
Edi Rama e ka një shansë të futet në histori. Ta nxjerr heroin prej thesi!