Ayn Rand
Ne të gjallët
Përktheu: Saverina Pasho
Botimet: “Pegi”
Çmimi: 1200 L
I vendosur në Rusinë postrevolucionare, “Ne të gjallët” tregon historinë prekëse të tre njerëzve që luftojnë kundër shtypjes sovjetike. Protagonistja, Kira, njësoj si Rand-i, rritet në Rusinë postrevolucionare, në një familje borgjeze, e cila ka humbur të gjithë pushtetin dhe pasurinë e mëparshme dhe është e detyruar të jetojë në kushte shumë të vështira.
Në jetën e saj hyjnë dy burra: Andreji, një komunist dhe anëtar i policisë sekrete sovjetike, i cili do të detyrohet të përballet me konfliktin midis idealeve të tij dhe realitetit të jetës komuniste dhe Leoja, një djalë, origjina borgjeze e të cilit e damkos automatikisht si armik shteti. Lidhja midis këtyre tre individëve krijon bazën e romanit.
Arjan Llanaj
Kuteli kritik
Botimet: “Naimi”
Çmimi: 500 L
Autori shtron pyetjen se cili është vendi i Mitrush Kutelit në historinë e kritikës letrare shqiptare, ku ndihmesat e tij shihen në raport të brendshëm e të jashtëm, krahas mendimit të Branko Merxhanit, Fan Nolit, Gjergj Fishtës, Krist Malokit, Ernest Koliqit; po edhe krahas mendimit të studiuesve për letërsinë e tyre që ai e shqipëroi, duke ndjekur gjurmët e Nolit.
Konkludohet se ai u shfaq si individualitet i plotë në kritikën letrare në vitet 1930-1940. Autori zgjeron me informacion pamjen tradicionale të studimeve letrare të Kutelit, duke përmendur se mendimit të tij i shfaqen përballë vepra, autorë dhe personalitete prej periudhës së Rilindjes deri te koha e modernitetit të letërsisë shqipe.
Thomas Mann
Mario dhe Magjistrati – Tristani
Përktheu: Piro Misha
Botimet: “Linus”
Çmimi: 650 Lekë
Dy ndër kryeveprat e shkrimtarit të madh gjerman, Thomas Mann, një ndër figurat më madhore të gjithë letërsisë dhe kulturës europiane të shekullit të njëzet.
Ndër veprat e tij të tjera mund të përmenden romanet: “Budenbrokët”; “Mali magjik”; “Jozefi dhe vëllezërit e tij”; “Doktor Fausti”; si dhe novelat “Vdekje në Venecia”; “Tonio Kruger” etj. Thomas Mann (1875-1955) është fitues i çmimit “Nobel” për letërsinë.
Anna Premoli
Të lutem më lër të të urrej
Përktheu: Taulant Hatia
Botimet: “Bota shqiptare”
Çmimi 1000 Lekë
Botimet: “Bota shqiptare”
Çmimi 1000 Lekë
Anna Premoli e shkroi “Të lutem më lër të të urrej” si një kurë antistres gjatë shtatzënisë, e këshilluar nga një mikesha e saj. Si eksperte e tregjeve financiare kishte nevojë për një projekt ndryshe. Pasioni për komedinë romantike mbizotëroi tek autorja dhe ajo e mbaroi librin para fillimit të verës.
I shoqi e surprizon duke e botuar librin në një platformë në internet me rastin e ditëlindjes së saj. U deshën pak javë që libri “Të lutem më lër të të urrej” të bëhej një bestseller i vërtetë. Ai ishte më i shituri në formatin elektronik (e-book). Libri u shndërrua në një ngjarje botuese.