2013-10-08

Flet sekretari i Shoqatës së Invalidëve të UÇK’së me qendër në Prishtinë - Enver Krasniqi

http://www.youtube.com/watch?v=PJRwOxNOOyY&list=LLdTJgePSI0SO_FTzEIY5c-A&index=5

MË KISHIN MBYLLUR NË NJË THES MES TRIDHJETEGJASHTËTHASËVE ME KUFOMAT E SHOKËVE

Më 14 dhjetor 1998 gjatë kalimit kufitar Shqipëri - Kosovë, qenë vrarë 36 ushtarë të UÇK-së, mes tyre edhe komandanti i grupit prej 147 vetash, Mujë Krasniqi apo “komandant Kapuçi”. Për të mësuar të vërtetën për këtë ngjarje të dhimbshme historike, lexoni bisedën e Riza Lahit, të zhvilluar me Enver Krasniqin, i cili merrë shtatë plagë në trup në këtë pritë të përgatitur nga forcat barbare serbe.

http://www.youtube.com/watch?v=liIBFE86Af0&list=LLdTJgePSI0SO_FTzEIY5c-A&index=4

_______________________________

Enver Liman Krasniqi, i ditlindjes 23 korrik 1973 është nga të rrallët shëmbuj të luftës për çlirimin e Kosovës, i cili, pasi ka humbur koshiencën me shtatë plagë në trup, e ka parë veten rob, është trajtuar nga serbët shtazërisht dhe, më së fundi, është ndërruar me robër të kapur nga luftëtarët kosovarë. Ai ka një djalë të vetëm që e ka quajtur Shpend në shënjë mirënjohjeje për të vetmen zhurmë jete që ka dëgjuar mbyllur në thas mes thasëve me kufoma të shokëve të tij - “këngës” së korbave që silleshin përqark erës së mishit të njerëzve që po dekompozoheshin përmbi dëborën e ngrirë. Enver Krasniqi është njëri prej 161 invalidëve të UÇK së, të cilët kanë ardhur në Durrës për pushime dhe janë strehuar në pallatin e biznesmenit Artan Bodlli, kundrejt një pagese mjaft simbolike.
Riza Lahi - në fillim, diçka shkurt për jetën tënde.


Image
Enver Krasniqi - Kam lindur në fshatin Karaçicë, komuna Shtime, nënën ma quajnë Elfije, 52 vjeçare, babai më ka vdekur që para lufte dhe jam fëmija më i madh mes katër vëllezërve dhe shtatë motrave. Qyteti i vogël i Shtimjes ndodhet në mes të Lipianit, Therandës dhe Ferizajt. Kam mbaruar shkollën e mesme dhe kam fituar jo pak si punëtorë ndërtimi në Kroaci, prej nga u nisa për të hyrë në luftë. Jam i martuar dhe kam një djalë tre vjeçar që e quajnë Shpend. Jetoj me pak të ardhura që marr nga pozicioni im si sekretar i Shoqatës por edhe nga puna e vëllezërve të mi që më ndihmojnë duke mos bërë asnjë dallim në shpërndarjen dhe përpjestimin e të ardhurave. Nga Kroacia kemi ardhur tre veta, drejt në Shqipëri, në Tropojë. Sëhrbim ushtarak nuk kisha bërë, por pushkën dija ta përdorja sepse në shtëpinë tonë kemi mbajtur përherë, së paku një pushkë, herë haptazi e herë fshehur.

Rizai - Për cilat merita, mendon ti, je zgjedhur në atë pozicion të nderuar?

                      Komandanti Mujë Krasniqi-Kapuqi

Enveri - Jam zgjedhur me vota të fshehta. Ndofta më kanë respektuar për plagët e shumta që kam në trup ( vetëm në dorën e majtë më tregon tri plagë) apo edhe për faktin që më pëlqen dhe e respektoj shumë fjalën e dhënë dhe ndershmërinë. Gjithsesi, në krye të shoqatës sonë ndodhen burra shumë të respektuar, siç janë kryetari, Faik Fazliu, zëvëndës kryetari Fadil Shurdha; unë jam figura e tretë e shoqatës sonë të invalidëve të luftës për çlirimin e Kosovës....

Rizai - Në cilën brigadë ke luftuar dhe qysh kur?

Enveri - Kam hyrë në luftë qysh në gushtin e vitit 1998 dhe deri në përfundim, hiq periudhën kur kam rënë rob në duart e ushtrisë sërbe dhe atë që kam qënë nëpër spitale. Kam qënë në brigadën 121 “Kumanova”, që mbante emrin luftarak të komandantit të saj të parë, “Komandant Kumanova”, Ismet Jasharit.

Rizai - The rob? ...Rob? Në çfarë rrethanash?

Enveri - Qysh orët e para që kam hyrë në Kosovën time i veshur me uniformë luftarake dhe i rreshtuar në formacion luftimi. Sigurisht që vdekjen e kisha llogaritur si me lindë edhe një herë, por që të bija rob në duar të shkieve, nuk më kishte shkuar në mëndje kurr. Por ja që më ndodhi dhe mua.

Rizai - U dorëzove apo të kapën befasisht? Si ndodhi?

Enveri - Si ngarkuam në Cahan kafshët, siç të thashë, kollona jonë u nis. Mirëpo, pasi ecëm pak, pamë se ishte e pamundur që kafshët të ngjiteshin nëpër tërë ato lartësira dhe me borën dy metra. Kafshët i kthyem dhe, gjithçka patën ata mbi shpina, e morëm ne.

Rizai - Ti vetë, sa kilogram kishe në kurriz?

Enveri - Prit ta kujtoj...Kam pasë një minahedhës 62 mm, një çantë me 400 copë fishekë kallashi, 2 kile trotil, 4 copë bomba, automatikun “Kallashnikov” dhe 5 karikatorë me fishekë; diku 60 kilogram. Kur u nisëm pa kafshë për të hyrë në Kosovë, ishte ora 10 e ditës.

Rizai - Sa udhëtuat?

Enveri - Duke u ndalur vetëm pak për t’u shplodhur, udhëtuam pandërprerë gjithë ditën dhe gjithë natën, derisa, duke gdhirë katërmbëdhjetë dhjetori 1998, befas shpërtheu prita.

Rizai – Çfarë po mendoje ata çaste, në ç’vënd të kollonës ndodheshe dhe, ishe gjithsesi, i ngrënë?

Enveri - Ç’po mendoja?...Po thoja me vete se, shyqyr që erdh dita që të hyja në Kosovë me luftue, po gëzohesha se, qe pra, ku ishte Kosova...Sigurisht që isha i lodhur dhe s’kisha futur gjë në gojë, por, ani, në vetvete, gëzohesha se, qe edhe Enver Krasniqi, ma në fund, qe bërë gati me i dalë për zot Kosovës me armë në duar. Unë ndodhesha bash diku në mesin e kollonës që ishte diku një kilometra e gjatë; distanca nga njëritjetri ishte një metro. Para meje kisha një vajzë, pas meje një djalë. Që të dy as që ankoheshin nga lodhja; as ajo vajza, që nuk pranonte të më jepte asgjë nga ç’kishte ngarkuar në kurrizin e saj vajzëror që t’ia mbaja unë; as mua, askujt tjetër..

Rizai - Si shpërtheu prita?

Enveri - As njëzet metro larg, kur shpërthyen me një komandë të vetme rafalla ( breshëri - RL) mitroloz, automatiku dhe bomba dore. Përqëndrimi ishte në mesin e kollonës, ku isha edhe unë. Serbët duket na kishin mbajtun në vëzhgim dhe kishin gjetur çastin e përshtatshëm edhe sipas terrenit..Me shpërthimin e parë, unë ndjeva të dyja këmbët e plaguara dhe, ndërsa mendova që, obobo, e kisha të pamundur që të lëvizja më që këtej, ndjeva një klithëm para meje që më këputi shpirtin. Ajo vajza që nuk kish pranuar t’ia jepte askujt ngarkesën e shpinës, Luljeta Shala, qe vrarë.

Rizai - A ju shanin serbët ndërsa ju sulmonin?

Enveri - Ndoshta, por, e ku dëgjohej?

Rizai - Iu kundërpërgjigjët menjëherë?



Enveri - Po qysh jo, more? Por unë me pak vonesë. Sapo dha shpirt Luljeta, dëgjova që po avitej rrëshqanë ai shoku që ishte pas meje. Quhej Bashkim. Bashkim Krasniqi. Më tha vetëm kaq “ Enver, jam kah vdes. Kam plumbin në gjoks”. Unë e tërhoqë drejt vetes dhe e mbështeta në gjoksin tim, ndërsa po bëja gati kallashin për të hapur zjarr.

Rizai - I the Bashkimit që ishe i plagosur edhe ti? Të la ndonjë porosi?

Enveri - Jo, more, qysh me i thanë? Nuk i tregova se kisha dy këmbët e bllokuara e që kullonin gjak. Bashkimi, para se me dhanë frymën e fundit, më tha se “ këtë snajper, çoja komandant Luanit”. I thashë që do t’ia çoj patjetër, ndërsa ndjeva që këmbët m’u bllokuan krejt.. Ndërkohë, një plumb i ra në kokë Bashkimit të shkretë, dhe ai vdiq në vënd. Bashkimi njëzetepesë vjeçar ishte nga fshati Zllakuçan, komuna e Lipianit dhe nuk vinte nga emigracioni, sikurse shumë prej nesh. Kur e rroku plumbi në krye, e shtriva Bashkimin në borë, dhe fillova të hap zjarr me automatikun tim.

Rizai - Më the se ishte diku ora pesë e mëngjesit. PO atëherë nuk duket asgjë...

Enveri - Kuturu. Hapja zjarr vetëm në drejtim nga vinin krismat duke marrë shenjë sipas flakës së armëve. Kur kisha harxhuar karikatoren e tretë, më kapën dy plumba në të njëjtën kohë, në të dyja anët e mezit.

Rizai - A pate frikë se të mbaroheshin plumbat në karikatore dhe, a i harxhove granatat?

Enveri - Bombat e dorës, jo granatat. As edhe një. I kisha që të gjitha në siguresë, sipas një urdhëri, që të mos na ndodhte ndonjë aksident gjatë udhëtimit. Sa për municion, kisha, mor, boll. Kisha automatikun e Luljetës dhe të Bashkimit e karikatoret e tyre.

Rizai - Ndërkohë nisi të zbardhëte...A munde t’i shihje ndonjërin nga sulmuesit?

Enveri - Sapo nisi të zbardhëte, hëngra dhe dy plumba të tjerë. Përsëri në krahun e majtë. Vazhdova të shtija, por, përsëri serbët nuk i shihja. Ata ishin të veshur me rrobe të bardha dimri dhe të pozicionuar si nuk ka më mirë. Unë vazhdova të shtija, kur, papritur, vura re se, nga tanët, nuk po qëllonte askush.

Rizai - U trembe?

Enveri - Unë e llogarita fatin tim si të Luljetës dhe të Bashkimit. Tërë mendja më shkonte që ta laja veten sa më shtrenjtë, se deri këtu paska qënë fati im. Ndërsa po shtija pa i kursyer fishekët se, siç të thashë, kisha sa të duash; ndërsa mendoja se, ishalla nuk ishin vrarë të gjjithë...

Rizai - Pse mendove se ishin vrarë të gjithë?

Enveri - Kishte zbardhur dhe vëndi nxinte nga kufomat e pjestarëve të kollonës sonë. Aq sa shihja unë ngë pozicioni që kisha zënë.

Rizai - Po...Ndërsa po mendoje....

Enveri - Më erdhi një plumb snajperi, qe, këtu lart. ( Tregon plagën e shëruar; shumë më të thellë dhe më të madhe nga të plumbave të zakonshëm ). Plaga e snajperit dallohet, se plumbi është i madh. Gjaku po më rridhte ngado;në të gjitha plagët; sidomos nga kjo që hapi snajperi. Për pak po humbja ndjenjat. Ndërrova karikatoren që m’u mbarua dhe hapa zjarr përsëri. Ishte e pamundur që të ruaja qëndrueshmërinë e automatikut. Për çdo fishek që dilte nga gryka e tij, ai lëvizte krejtësisht i pakontrolluar; si një zorrë që kërcen në prush. Qëllova edhe pak kuturu, derisa automatikun nuk mund ta mbaja më dhe më ra në borë.

Rizai - Ç’ndjeve në ata momente?

Enveri - Po më silleshin pemët vërdallë...Para syve po më vinin që të gjithë njerëzit që kisha njohur në jetën time. Më vinin, më largoheshin, vinin të tjerë...Më dëndur më dilte fëtyra e nënës dhe e Shpresës...fëtyrat e të gjithve, që nga fëmijëria, te shokët e katundit, te ata të gjimnazit...kushurinjtë...Motrat njena me tjetrën tuj qa...në Kroaci ...

Rizai - Po, ajo...kush ishte?

Enveri - Shpresa ishte e dashura ime, me të cilën sot kemi djalin tonë Shpendin ; gruaja ime.

Rizai - Si kish qënë e vërteta e asaj që nuk kishte krisma më?

Enveri - Qenë vrarë 36 shokë. Mes tyre edhe komandanti i grupit me 147 veta, Mujë Krasniqi apo “komandant Kapuçi”. Të tjerat ishin tërhequr, disa për në Shqipëri, disa për në Kosovë...Munda të shihja serbët që po afroheshin. Ata afroheshin me zigzake dhe duke u fshehur pas pemëve. Ishin çaste të tmerrëshme. Unë nuk isha në gjëndje të bëja asgjë më kundër tyre. Pranë kisha kufomën e Luljetës dhe Bashkimit. Unë isha ende gjallë. Dhe pothuajse me ndjenja të humbura. Më së fundi, ata u afruan. Ishin rreth 60 veta a ma shumë dhe flisnin sërbisht me zë të lartë. Po kontrollonin trupat një e nga një. I kthenin me fytyrë nga qielli dhe u merrnin sidomos paratë. Pashë, më së fundi, që një fytyrë u përkul mbi mua. Binte era alkool. Më rrotulloi disi dhe thirri serbisht “njëri qënka gjallë”. Ndjeva që dikush më kapi nga këmbët dhe po më tërhiqte zvarrë nëpër dëborë.

Rizai - Kur tërheqja rrëshqanë pushoi?

Enveri - Pashë përqark. Ndodhesha në mes të tetë luftëtarëve kosovarë të zënë rob, kështu si unë. Të plagosur ishim vetëm unë dhe dy të tjerë; të tjerët ishin që nuk kishin mundur të largoheshin pasi qemë mbërthyer, sidomos ne, mesi i kollonës, në darë. Mes nesh ishte edhe një vajzë. Edhe ajo kishte rënë robinë. Ishte e paplagosur, vetëm tetëmbëdhjetë vjeçare dhe quhej Merita.

Rizai - Më fal...Kemi dëgjuar shumë për përdhunimet në sistemin e ushtrisë sërbe të Millosheviqit...Ma kuptoni pyetjen, si u sollën ushtarët serbë ndaj një robine të re, të bukur, kosovare dhe të kapur me armë në dorë?

Enveri - Ju kuptova pyejen. Ndyrësira të tilla ndaj vajzës dhe ndaj nesh të tjerëve nuk iu bënë. Na erdh si një ëngjëll nga qielli, diku pas një ore, një ekip i OSBE së në Prishtinë. Serbët iu bindën menjëherë kërkesave të tyre për të kontaktuar me ne robërit. Ata fotografuan edhe të gjithë të vrarët - tridhjetegjashtë shpirt, si edhe, kuptohet, edhe ne. Pastaj, u larguan.

Rizai - Me dëshirën e tyre, apo u larguan vetë, ata të OSBE ?

Enveri - E ku e di unë?

Rizai - Si u largua OSBE, ç’u bë me ju tre robërit?

Enveri - Njërin e trajtuan më ndryshe nga ne, sepse ishte plagosur pak më lehtë, kurse mua dhe një shokun tjetër që quhej Azem Suma dhe ishte nga Kaçaniku, na futën, që të dyve në nga një thes. Në nga një thes, ata kishin futur edhe secilën nga kufomat e 36 shokëve të vrarë; me ta na bashkuan edhe mua me Azemin. Azemi kishte të dy këmbët e plagosura, kurse unë, t’i tregova se sa plagëI kisha në shtat.

Rizai - Plastik ishte thesi?

Enveri - Jo, se mund të merrja frymë. Ishte i mbyllur nga sipër dhe, përmbi dëborë.

Rizai - Sa ndejte në thes?

Enveri - Gjithë pasdreken e gjithë natën; deri rreth orës shtatë, kur , na mblodhën me të gjithë kufomat dhe na futën në një helikopter ushtarak.

Rizai - Të zuri gjumi në thas? Plagët, a t’i mjekoi njeri? Si ia bëre për të jashtëqitur? Ç’mendoje i mbyllur në thas?

Enveri - S’e di a mund më ka zënë gjumi.. Në fillim, mbyllur në thas, dëgjoja piskama serbësh, më pas, kur ra natë, asgjë. Pyete për plagët. Bora iu bëri mirë atyre dhe e koaguloi gjakun shpejt. Me dalë jashtë...nuk kisha se ç’të bëja...Mendoja gjithçka. Mendoja se, ishalla shpëtoja i gjallë, që të mund të laja gjakun e Bashkimit e të Luljetës, komandant Kapuçit e shokëve; mendoja se, kaq ishte fati im e se po shihja ëndërra me sy hapë. E kush më linte të dilja më i gjallë nga duart e serbëve; për më tepër i mbytur në plagë. Kur...Nga mëngjesi duket, pra, disa pak orë më përpara sesa të më tërhiqnin për në helikopter, befas, unë dëgjova disa krisma me rafalla apo batare, qysh iu thoni ju, shoqëruar me disa të shara të egra sërbisht.

Rizai - Ç’kishte ndodhur?

Enveri - Nga të sharat, munda të kuptoj se dikush, nga grupi ynë i të futurve në thasë, pra, përfshirë edhe unë e Azemi që për ta po përllogariteshim të mbaruar pasi na kishin futur në një kategori me kufomat, kishte qenë shtirë si i vdekur. Ai kishte çarë thesin dhe ia kishte therur me vrap nëpër terr e dëborë. Nuk e di kush ka qënë dhe nuk e di a e vranë apo shpëtoi. Serbët thonin në gjuhën e tyre “ na e la thesin bosh, he ia ...nanën”...

Rizai - Pse ju futën në helikpter?

Enveri - S’di gjë. Veçse kur helikopteri ka takuar në betonin e kazermës ushtarake të Prizrenit, ata nisën të vërvitnin qënga helikopteri për në beton thasët me kufomat e shokëve. Ndërkohë, unë, brënda në thas, kam lëvizur. Siç duket lëvizi edhe Azemi. Sepse dëgjova një zë të fortë sërbisht “ Dvojica josh zhivi”, që do të thotë se dy tek qënkan hala gjallë. Fill pas, dëgjovë disa këmbë që zbritën nga helikopteri dhe pas tyre, disa këmbë të tjera që u ngjitën në helikopter. Këmbët ishin me këpucë me gozhdë. Ndjeva se po më çilnin grykën e thesit

Rizai - Pastaj?

Enveri - Duke na mbërthyer për krahësh mua dhe Azemin, që nuk ecnim dot që të dy, na futën në kazermë. Sapo hymë te dera, pashë të shtatë shokët tanë; secili në një kafaz, veç e veç. Atje ishte edhe Merita e vogël dhe trimëreshë.

Rizai - Të folën? U përshëndetët me njëritjetrin?

Enveri - Bah! As na folën e as u fola; as unë, as Azemi. Fyturat e tyre shprehnin pikëllim të papërshkruar për ne. Kushedi se si do të ishim bërë. Gjithsesi, me gjakun e pa shpërlarë. Edhe ne na ndanë e na futën në dhoma të veçanta.

Rizai - Përse? Ç’të bënë atje?

Enveri - Më zhveshën në brekë vetëm dhe nisën të më mërrnin në pyetje. Në fillim, më shkelnin plagët me çizme. Sidomos disa civilë që dukej se ishin oficerë të veshur ashtu. Ishin dhimbje të tmerrshme. Pasi më “përpunuan” ashtu, më morën në pyetje. Kur nisa të flisja, pashë që dikush ndezi një kamer që ishte para meje.

Rizai - Ç’të pyesnin? I tregove gjithçka? Mbajte ndonjë sekret me vete?

Enveri - Iu përgjigja me saktësi pyetjeve të tyre. Pra, që kisha ardhur në Kosovë për të luftuar, se kisha luftuar derisa kisha mundur, se isha i UÇK së etj. Të vetmin sekret të domosdoshëm që duhej të mbaja dhe e mbajta, ishin emrat e shokëve. U thashë se vija që nga Kroacia për të luftuar për lirinë e Kosovës dhe se i njihja shokët vetëm nga pseudonimet. Ata më besuan. Unë sikur të vdisja nuk do t’u tregoja emrat e shokëve. Procesin e marjes në pyetje e transmetuan pastaj në TV e Beogradit ZIBI. Kasetën e kam në shtëpi. Ma kanë inçizuar në Kosovë gjatë transmetimit në televizion; ata që e kanë ndjekur programin. Është 25 minuta; ishim në këtë minutazh vetëm unë me Azemin.

Rizai - Të dhanë për të ngrënë?

Enveri - Kam ndejtur tri netë e katër ditë pa futur në gojë as edhe një pikë ujë. M’u qe çarë buza. Pasi më morën në pyetje, më çuan me helikopter në Spitalin ushtarak të Nishit. Pasi më vizituan, më thanë se kisha në trup pesë plumba dhe se duhej të bëhesha operacion. Njëri nga mjekët më pyeti nëse pranonte të merrja gjak “shkjau” apo donte gjak “shiftari”, kur të gjëndej. Unë kisha humbur gjak shumë dhe u thashë se, edhe gjak lope të më jepnin, edhe atë e pranoja se isha rëndë.

Rizai - Më thuaj të drejtën, si u soll me ty mjeku që të operoi dhe personeli tjetër mjeksor?
Enveri - A se ishte ndërhyrja e OSBE, a edhe se mjekët ishin njerëz të mirë, po, dua të flas me zemër në dorë, mjekët bënë të pamundurën për të më shëruar. Sidomos mjeku kryesor, që e thërrisnin “gjeneral” dhe mbase ishte vërtetë me gradën e gjeneralit. Ia kërkova emrin por nuk ma dha.

Rizai - Qënke shplodhur paksa në spital dhe paske qënë jashtë dhunës.

Enveri - Jojo! Sapo largoheshin mjekët, niste një dhunë e ndyrë nga rojet e mia. Kisha dy syresh në dhomë, dy në koridor e dy të tjerë ishin te ashensori. Ata , për shëmbëll, qënga dera ku rrinin, më vërvitnin në gjoks automatikun duke qeshur e duke thënë “hë, lufto, pra? a do luftë?”. Ose ma përplasnin krevatin për mur apo e ngrinin dhe e lëshonin që larg. Vinin e ma futnin shpulla fytyrës sa ku mundnin. Ama, vija re, se ata kishin frikë nga mjeku, si sëmundja. Duket që silleshin ashtu, edhe mbase ngaqë shihnin të plagosurit e tyre që shëroheshin edhe ata në të njëjtin spital me ne. Të plagosur nga shokët e mi. Në spital ndejta deri më 31 dhjetor. Atje më kanë bërë edhe gjyqin; më dënuan dhjetë vjet. Sigurisht pa avokat ... Azemi u mërzitke shumë sepse i vijke keq për djalin që e kishte tre vjeçar e do ta shihte trembëdhjetë vjeçar...Që atje - në burgun e Nishit.

Rizai - Kam dëgjuar për trajtime shnjerëzore në burgjet e serbëve.
Enveri - Ashtu edhe ne në fillim, por, sapo mëbrritëm atje, me Azemin qënga spitali, pas pak, erdhën ata të OSBE së. Ata ndërhynin për kushtet tona që erdhën duke u përmirësuar. Në burg, një ditë, më sollën në dhomë edhe një shka.

Rizai - Një sërb?

Enveri - Popo. Ishte një dezertor. Kishte ikur nga lufta dhe e kishin futur brënda.

Rizai - Ç’njeri ishte ai serbi?

Enveri - Ishte një djalë shumë i mirë. U kujdeste të më lante këmbët e plagët, më hiqte jashtëqitjen, pasi unë nuk lëvizja dot, madje, me paret e tija , më blinte edhe cigare.

Rizai - Pse kishte dezertuar ai?

Enveri - Thoshte se nuk donte të luftonte. Se Kosova ishte e kosovarëve e nuk ishte Sërbi. Thoshte se e përse duhej të luftonte ai për llogari të Sllobodanit, i cili, djemtë e tij, në vënd t’i fuste të luftonin, i lente të merreshin me drogë e turli handraku. Më thoshte se edhe këtë luftë Sllobodani do ta humbiste sikurse dy luftërat tjera.

Rizai - E ke takuar pas luftës?

Enveri - Ia kam adresën e telefonin, por, as më ka çuar e as i kam çuar asnjë të falë. Ai ishte nga Krushevci i Sërbisë.

Rizai - Si vajti puna më vonë?

Enveri - Nuk ma merrte mëndja që ata të OSBE së që na vinin shpesh për vizitë, ndërkohë ishin duke negociuar për ndërrim robërish. Njëditë e pashë veten në makinë; u ndava me shokun e qelisë, atë serbin që u kujdes për mua dhe po ecnim disa orë. Kur arritëm, më erdh të më takonte një i OSBE së. Seç tha. Përkthyesi i tij më komunikoi se, unë isha në dorën e OSBE së, se pas pak do të kaloja te shokët e mi dhe se unë isha i ndërruar me serbë të zënë rob nga UÇK-ja. Pra, të gjithë ne të shtatët, ishim shkëmbyer me tetë shkie të zënë rob nga UÇK në Shalë të Bajgorës. Shkëmbimi qe iniciuar dhe garantuar nga OSBE’ja.

Rizai - Si e ndjeve veten kur shkuat në shtabin e Përgjithshëm të UÇK së?

Enveri - Na pritën me hare të madhe, popull, shokë; unë kam fjetur atë natë në shtëpinë e baca Jakup Krasniqit. Por, unë, ende nuk dija të gëzohesha. Më dukej vetja si në hava.

Rizai - Në spital pastaj?

Enveri - Po, dhe që andej, përsëri në luftë në brigadën 121 deri në çlirim. Pa marrë as edhe një plagë më.

Intervistoi: Riza LAHI

* * *

BALADË PËR VALMIREN E VOGËL



"Valmira Deliaj, 18 muajsh, veshur me xhup roze, me kapuçin ende në kokë; fytyrën gjithë gjak. Në qafe i varej biberoni. Pranë - shishja me qumësht.” - Sipas gazetarit të Uashington post”, Din Moor.

Valmira me xhupin ngjyrë roze, faqet – vishnje
Valmira, o bec, që pin qumësht, fytin prerë
Valmira, me buzët në biberonin e bukur
si engjëll rrëzuar me shigjetë, fytin prerë.

Valmira, përse ke ndenjur te shkurret?
Përse nuk u bëre e madhe menjëherë
Ta merrje te doçka një pushkë të madhe
të shkoje ushtare me fytin e prerë?

Valmira, o qumësht, ç’ke bërë që të mbytën?
O zogu i mamit të vdekur kaq pranë.
Po mami për ty s'do te ngrihet më natën,
e ti me buzë s'do ta puthësh babanë.

Po këtë trikon roze, moj, mami ta veshi
që të thonin të gjithë "sa kukull e bukur"?
Që mami të të hiqte mënjanë duke qeshur,
kur të suleshin si qenushe për të të puthur?

Kush është ai burrë të të marrë,Valmira,
me krahë përbindëshi të të vere në qivur?
I duhet të flakë tej zemrën mbi Shkëlzen
mes lotësh në vend të saj të vërë gurë.

Valmira, mes pyllit, sikur të kish gjetur
ashtu, duke fjetur me biberonin në gojë
edhe ditë,edhe javë të kishte pa ngrënë
s'të shqyente, por nënë do të bëhej ujkonja.

Kush ishte kjo qenie që s'te la, moj Valmira,
ta pije tërë qumështin, e vraftë perëndia!
- Ai që ka mbytur nëpër gjak të Kosovës
dhe njëzet njerëz njëherësh nga familja Delia.

Riza LAHI - Lozane, 2007

2013-10-07

SKANDALOZE :Arrestohet filloristja që rrahu shoqen në Mitrovicë, Policia nis hetimet




Video shokuese: Filloristja nga Mitrovica duke e rrahur shoqen

Rrahje e vajzës në Kosovë!

Rrjetet sociale janë pushtuar nga një video shokuese e një rrahje mes dy nxënësve filloriste nga Mitrovica.

Protagonistja me emrin Duda shihet duke e rrahur shoqen e klasës, pasi që kjo e fundit i paska thënë “nuk po të shkon shkolla”.

Video është incizuar nga nxënësit e shkollës “Musa Hoti” në Mitrovicë.

“Kujt po i thu k*rvë...kujt po i thu nuk po i ec shkolla...”, këto janë vetëm disa prej fjalëve që nxënësja agresive Duda i drejtohet shoqes së saj bashkë me dhunën fizike që është shokuese, ashtu sikurse edhe fjalët fyese që nuk i kanë hije një vajze të mitur.

Më poshtë mund ta gjeni videon shokuese të cilën Duda më vetëdëshirë e kishte porositur të incizohet.







Sipas informatave të pakonfirmuara ende zyrtarisht, mësohet se, pas publikimit të videos dhe pas përhapjes së saj në masë të madhe, Policia e Kosovës ka arrestuar protagonisten e këtij rast, Duda M.,

Policia në Mitrovicë ka filluar hetimet përkitazi me videon shokuese e cila po bënë gjiron në internet.

Avni Zahiti, zëdhënës i Policisë në Mitrovicë, ka deklaruar për Indeksonline se, policia ka filluar hetimet për videon e publikuar dhe sot në mëngjes ka bërë identifikimin e kryesve të këtij akti.

Nxënësit në video janë të mitur nga shkollat fillore të Mitrovicës.

Policia në këtë rast është dytësore, pasi që sipas ligjit me ketë rast duhet të merret Qendra për Punë Sociale, Drejtoria e Arsimit Komunal, shkollat dhe prindërit.




Reagon drejtori i shkollës: Nxënësja problematike nuk është e shkollës sonë





Pas publikimit të videos ka reaguar shkolla fillore "Musa Hoti" në Mitrovicë. Nëpërmjet një komunikate për media, Drejtori i shkollës Iset Beka ka sqaruar se viktima në video është nxënëse e shkollës të cilën ai e drejton, derisa nxënësja tjetër është nga një tjetër shkollë.

Më poshtë po e sjellim reagimin e plotë të shkollës.

"Në emër të Bordit të shkollës `Musa Hoti` në emër të Këshilli të arsimtarëve dëshiroj të dënoj aktin e dhunës të shprehur në mes të nxënësve në një video të publikuar në rrjetin social Facebook. Në këtë video shihet një nxënëse duke shkaktuar dhunë ndaj një kolege - nxënëse. Ne si shkollë njoftojmë opinionin e gjerë se nga akterët e kësaj ngjarje vetëm viktima është nxënëse e shkollës sonë: D. U., nxënëse e klasës së VII, ndërsa shkaktarja e kësaj dhune është nxënëse e një klase më të lart nga një shkollë tjetër e qytetit. Rasti ka ndodh ditën e diel dhe ka qenë jashtë procesit mësimor afër urës së Ibrit. Organet kompetente hetuese janë duke u marrë me rastin".

Policia në Mitrovicë ka filluar hetimet përkitazi me videon shokuese e cila po bënë gjiron në internet, e ku shihet një vajzë e mitur duke rrahur një tjetër vajzë të shkollës fillore.

Avni Zahiti, zëdhënës i Policisë në Mitrovicë, i ka thënë Klan Kosovës se policia ka filluar hetimet dhe ka bërë identifikimin e kryesve të këtij akti. 

Meqë nxënësit janë të mitur, policia në këtë rast është dytësore, pasi që sipas ligjit me të duhet të merret Qendra për Punë Sociale, Drejtoria e Arsimit Komunal, Shkollat dhe prindërit.

Kruja e historisë dhe traditës, e nga krahu tjetër Kruja si produkt i politikave shkatërruese.


Kruja ofron sot dy imazhe. Nga njëra anë është Kruja e historisë dhe traditës, e nga krahu tjetër Kruja si produkt i politikave shkatërruese.

Kjo e dyta ofron një realitet të deformuar që po i merr frymen e po i zbeh ngjyrat qytetit që nuk ra ballë pushtuesve, por po bije nën pushtimin e barbarëve të demokracisë shqiptare dhe etheve të tyre për të përfituar gjithçka, kudo dhe me shpejtesi sa me të madhe, qoftë edhe mbi kurrizin e një qyteti embleme siç është Kruja. Nga larg, qyteti historik duket sikur do të bjerë në çdo çasti nga lartesia e tij ne fushen e poshtme, në Fushë-Krujë. Gurorët i kanë ngrene nje pjese te trupit dhe çdo dite po i hane edhe pjesen tjeter, duke u kacavjerre frikshem pa u ndalur, si ushtare qe duan ta shkaterrojne, ta zhvasin, ta rrjepin deri ne cipën e fundit. Guroret hedhin vello tymi mbi fytyren e Krujes, mbi banoret e qytetit qe duken te zene ne kete realitet ku askush nuk do t’ia dije e nuk reagon. Një mase e pare per mbylljen e gropave te gelqeres u mor nga Ministria e Mjedisit, por sa kjo do te duroje dhe nuk do te jete si vendimet e meparshme mbetet per t’u pare. Ato ishin vetem nje nga shume problemet e ketij qyteti. Rrugicat e qytetit nuk flene. Turistet ikin e vijne pa e kuptuar sigurisht sesi mund te vihet dore mbi nje vlere te tille. Ne boten nga ata udhetojne kjo nuk mund as te imagjinohet, ne Shqiperi po, sepse Shqiperia ne raste te tilla duket sikur jeton ne nje bote tjeter. Miresia e banoreve dallohet kudo, ashtu si pazarit te vjeter ku ata çapisin mes veshtiresive qe i kanë renë mbi kokë. Ka shume prej tyre qe druhen te flasin per hallet e qytetit , nuk duan te ngaterrohen sa kohe siç thone pas tyre qendron gjithmone politika ajo lokale e po ashtu ajo qendrore. Ndertimet nga krahu tjeter ngjiten mureve te kalase si jeniçeret e dikurshem, por qe kete here duket se askush s’do mund t’i ndale. Mungesa e projekteve , e vizionit dhe politikat grykese po i marrin frymen qytetit te historise. Tymnaja te tjera guroresh ngrihen tejmi, ndersa banoret qe ankohen per probleme shendetesore te shkaktuara nga ndotja në këtë qytet jane te shumte . Problemet duket sikur s’kane te sosur... Kane zene njeri-tjetrin si pasoje e mungeses terësore te vemendjes per kete qytet. Ndotja, ndertimtaria shpesh pa kriter, por edhe prerja e pyjeve, problemet me ujin, fabrikat e çimentos… ku me shume e ku me pak ne Kruje i ndesh te gjitha. Ne krye, kalaja me hijen e saj te rende , me historine qe i qendron mbi shpine, e me çibanet qe i kane ngulur pabesisht 23 vitet e demokracise se çuditshme shqiptare. Në antiteze me shkaterrimin, qendrojne ende vlerat e jashtezakonshme te ketij qyteti , forca e tij, shekujt e skalitur kudo ndër gurë. Dy ane te se njejtes medalje, njera gjigande e tjetra e mbytese, shkateruese e deformuar. Te moshuarit jane ata qe guxojne me shume ne fjalet e tyre, ndoshta sepse mund te bejne me mire dallimin mes te shkuares e se tashmes. Mes asaj qe mund te ishte e qe sot eshte, me asaj qe meriton e qe ka marre në fakt qyteti i Krujes. Skenderbeu edhe ai vete i zbardhur disi nga pluhuri, turiste te tjere vijne ne qytetin me te vizituar prej te huajve, banoret vazhdojne jeten ne qytetin e tyre, tymnajat e guroreve, ndertimet, kalaja , rrugicat karakteristike, sari sallteku, e ne kembet e krujes qyteti Ilir i Zgerdheshit apo Albanopoli, e ç’duhet te kishte me shume nje qytet qe te meritonte investime te verteta dhe nje mbrojtje qe t’i ruante rrenjet ?! Largohemi…nga pas mbeten guroret qe vazhdojne te hane si te babzitura qytetin e Krujes…

Liqeni i legjendave

Duke kërkuar në rrënojat e së shkuarës/ Kristaq Nanushi i ka kushtuar jetën studimit të historisë së qytetit të tij, Pogradecit

Pushtimet e gjata të trojeve iliro-shqiptare prej romakëve, bizantëve, sllavëve e osmanëve sollën si pasojë shkatërrimin e shumë qyteteve e kështjellave, ndërrimin e emrave në shumë vendbanime dhe territore gjeografike. Megjithatë, popullsia vendase vijoi të mbijetonte në këto troje, duke e ruajtur kulturën e vet materiale dhe atë shpirtërore. Njohja dhe sjellja në ditët tona e kësaj kulture është, padyshim, një vlerë e çmuar. Sidomos është e mirëpritur ajo pjesë e kulturës shpirtërore që lidhet me legjendat, mitet, gojëdhënat, besëtytnitë, ritualet, e cila ende njihet pak. Këtë pikërisht po bën Kristaq Nanushi me dy librat e tij, “Legjendat e Liknidës”, botuar më 2002-shin dhe “Legjendat e Enkelanës” i sapobotuar. Siç kuptohet nga vetë toponimet Liknida është emri ilir i liqenit, kurse Enkelana është emri ilir i trojeve pranë tij, autori është një studiues i lidhur fort pas vendlindjes së tij. Puna prej katër dekadash si mësues letërsie mesa duket nuk ia ka përmbushur kërkesat shpirtërore, ndaj me shtysat e brendshme dhe me formimin letraro–shkencor që e karakterizon, me zell dhe përkushtim shembullor, ai i ka mbledhur dhe i ka rikrijuar ato, duke ruajtur burimin dhe atmosferën e kohës.

Liqeni i legjendave
Një cikël legjendash me shenjtëri, që përbëjnë kapitullin e parë në “Legjendat e Enkelanës” duken vërtet sikur pikojnë nga qielli e rrëzëllejnë nga nëndheu. Aty nuk është e vështirë të kuptohet se autori më shumë sesa si besim, ato i ka shprehje dëshire që njerëzit të lidhen në ideale të pastra e të larta morale dhe në jetë të priren drejt së mirës. Vetëm me marrëdhënie të tilla të ndërsjella, të mbushura me ide e ideale të bukura, shoqëria mund të vetëpastrohet – ky mesazh i tyre duket sa universal dhe i gjithëkohshëm, aq edhe imediat e imperativ për shoqërinë shqiptare sot. Legjendat e emërtimeve krijuar përmes imazheve konkrete janë emocionuese. Mbeten të pashlyeshme emërtimet e Linit, të mjellmës, guzës, pëllumbit, thëllëzës, gurnecëve etj. E veçantë ndër to është legjenda e sirenës së liqenit. A ka pasur sirena ky liqen me bukuri magjike? A ka sot? Kjo pyetje shtjellohet përmes një rrëfimi shumë të bukur dhe emocionues, që të hap para syve imazhe befasuese.

Tjetër atmosferë vjen përmes një vargu temash nga jeta shoqërore, trajtuar në pjesën e dytë të librit, të cilave autori me të vërtetë “ua ka fryrë pluhurin e kohës dhe i ka lënë me shkëlqimin e tyre, si varg smeraldesh në gushë të popullit”. Ato lindin nga liqeni, nga kalaja e qytetit, nga Mali i Thatë, nga Qafa e Panjës, nga Mokra e Gora. Janë subjekte të lehta e të këndshme, por që filozofojnë bukur mbi jetën shoqërore. Edhe fjala vret (Qafa e Panjës pa panjë), edhe i vogli mund të ndeshet me të pamposhturin (Bajamja që çel në dimër), në jetën tonë duhet të dallojmë lulet shëruese nga lulet helmuese (Lule helmi nën dëborë) e të tjera si këto lexohen etshëm, por të futin dhe në mendime.

Një cikël shkurtimesh nga jeta shoqërore në qytet vijnë si gojëdhëna jo të thëna, por të kënduara. Në këngët popullore qytetare ka shumë histori intriguese të dashurive romantike, platonike, melankolike, kokëkrisura etj. Herë me citime e herë me evokime ato duken si rikrijime të bukura poetike të historive, të cilat, ndonëse janë të shkuara, mbeten të pavdekshme sot e përjetë.

Arkeologët tanë, në bazë të gjetjeve të ndryshme, mbështetur në imagjinatën dhe në formimin e tyre shkencor, krijojnë skica e vizatime për gjendjen origjinale të objekteve iliro–arbërore të zbuluara, kurse Mitrush Kuteli dikur dhe Kristaq Nanushi, tani kanë rikrijuar përmes rrëfenjash e tregimesh ngjarjet dhe bëmat iliro–shqiptare që kanë shërbyer si bërthama të krijimit të legjendave dhe gojëdhënave të lashta, të cilat shpeshherë na kanë mbërritur të cunguara. Në pjesën e tretë të librit, K. Nanushi zbulon dhe i rikrijon mjeshtërisht heronjtë – persona dhe personazhe – nëpër ag e mug të shekujve, vendbanimet dhe vendluftimet e tyre, kalatë dhe fortifikimet natyrore, vetitë morale dhe shpirtërore, organizimin e jetës shoqërore e familjare, etërit dhe perënditë që lutnin ata. Dy kalatë, e Pogradecit dhe e Blacës, por dhe disa të tjera më të vogla në Mokër, dëshmojnë pushtetin e të parëve tanë mbi viset tona dhe na mbushin me ndjenja idhujtarie. Idhujt në një komunitet janë si gurët kilometrikë në udhët e jetës, janë piketa të udhëve të historisë. Sa më shumë idhuj të ketë një shoqëri, aq më shumë vlera ka. Duke i zbuluar këta, siç bën K. Nanushi në librat e tij, ne ridimensionojmë kulturalisht shoqërinë tonë.

Galeria e heronjve që sillen në libër janë jo si sfond i jetës, as si asistencë, por si ekzistencë. Në panteonin e kombit, midis etërve të shtetformimit ilir Epidamn, Monun, Glauk, Pirro, Teuta, Gent… radhitet edhe Bardhyli i Enkelanës, me identitetin dhe unikalitetin e vet. Duket qartazi se portreti i këtij mbreti bëhet pas një pune të gjatë e të mundimshme, duke hulumtuar me durim një literaturë mijëra faqesh. Është një portret që interceptohet nga të dhënat e atykëtushme historike dhe që pastaj mbushet me përfytyrime letraro–artistike. Ma sa dimë, ky është portreti i parë që bëhet për këtë mbret. Plotësohet kështu një bosh dhe një nevojë jo vetëm për pasardhësit e enkelejve në Pogradec, por edhe për gjithë këtë lloj literature. Të njëjtat konsiderata mund të themi edhe për heronjtë e tjerë të librit, si Mbreti i Malit të Thatë, Bendo Shapërdani, Sulejman Starova, Angjevini i Mokrës, Kolë Brana, Petro Kapedani, Jashar Starova e të tjerë. Te të gjithë këta ne njohim pleksjen e materiales me shpirtëroren dhe me lentet e shpirtit dhe forcën e imagjinatës rilindim epokat. Me fjalë të tjera, fytyrëzohet qytetërimi shqiptar rreth liqenit Liknidë.

Lidhur me legjendën e popullit tonë për trimin Ago Ymeri, të cilit i këndohen variante në gegërisht e toskërisht, na tërheq vëmendjen varianti i treguar prej Nanushit. Ky variant, që këndohet në Mokër e në Pogradec, përmend emrin e mbretit kundërshtar, mbretit që ka kapur rob Ago Ymerin. Ky mbret përmendet me emrin Krajl Marko, pra është princi serbo-bullgar Krajleviç Marko (v. 1335-1395), për të cilin kanë kënduar e këndojnë këngë lavdëruese serbët e bullgarët, por jo ne shqiptarët, sepse për ne ai ishte pushtues.

Koha e shkurtër e vajtje-ardhjes së Ago Ymerit (tri ditë vajtje nga pallati i krajlit te shtëpia e tij dhe tri ditë për t’u kthyer sërish te krajli) na shtyn të mendojmë se varianti që përmend Spanjën si vend burgosjeje të trimit duhet të jetë variant i vonshëm. Mendimi se varianti mokrar mund të jetë origjinali, mund të mbështetet dhe nga vetë problemi themelor i baladës: mbajtja e besës së dhënë dhe shpërblimi i saj me lirimin e Ago Ymerit dhe të shokëve të tij. Kjo dukuri tregon se balada e Ago Ymerit duhet të jetë ngjizur për ngjarje që kanë ndodhur në trojet ballkanike, në troje fqinj me trojet arbëroro-shqiptare, ku fqinjët tanë e kanë njohur dhe e kanë vlerësuar normën morale të besa-besës arbërore. Ky sugjerim kërkon studim të mëtejshëm…

Me thjeshtësinë dhe këmbënguljen që e karakterizon njeriun e punës, autori nuk mjaftohet me hulumtimet në gojën e popullit dhe nëpër libra e gazeta të vjetra të kësaj pasurie burimore. Ai punon shumë për përpunimin artistikisht të gjuhës me të cilën na i përcjell ato dhe arrin me shumë sukses një nivel të lartë bukurie në komunikim me lexuesin, duke përdorur fjalë të sakta e të bukura, plot nuancime e ngjyresa kuptimore të freskëta. Me dhjetëra fjalë e kompozita të reja melodioze ka krijuar ai në këtë vëllim. Për nga pasuria gjuhësore dhe fjalëformimi mund të thuhet pa mëdyshje se K. Nanushi ecën në rrugën e bashkëqytetarëve të tij M. Kuteli e L. Poradeci.

Ky libër, ashtu si edhe i pari, është ilustruar mjeshtërisht nga “Piktori i merituar”, Anastas Kostandini. Ilustrimet e tij vijnë jo si plotësuese ose konkretizuese të subjekteve, por si interpretime të tyre me mjetet specifike të pikturimit. Bashkëpunimi shkrimtar – piktor bëhet kështu një “duet” mbresëlënës i imazheve, ku fjala dhe figura, të pranëvëna njëra–tjetrës, qëndrojnë në një harmoni të përputhur e të natyrshme. Duke përfunduar, mund të themi se legjendat iliro–shqiptare buzë liqenit të Pogradecit, të rikrijuara në dy librat e K. Nanushit, duken si në festën e tyre. Heronjtë e të gjitha kohërave janë ulur bashkë në kuvend, në odeonin e qytetit. Ata kuvendojnë, muzat dëgjojnë… Subjekte koncize, të strukturuara bukur, thënë me gjuhë të thukët, me fjalë e fjali të figurshme, me nëntekste që zgjojnë kërshëri e të vënë në mendime, mesazhe humane dhe filozofike për jetën – këto janë disa nga veçoritë që autori i ruan nga libri i parë dhe i dëshmon edhe në të dytin. Nuk kish si të ndodhte ndryshe, kur këto janë tipare të stilit të tij krijues. Kjo punë me vlera të dukshme për rindërtimin e historisë dhe të kulturës sonë të lashtë, duhet vijuar e shpënë edhe më tej, si prej studiuesit K. Nanushi ashtu edhe prej kolegëve të tjerë, për zonat rreth liqenit të Liknidës, pra dhe në qytetet Strugë, Ohër dhe fshatrat e tyre. Gjithashtu këto vepra mund të shërbejnë si shembull për punë të ngjashme në mbarë trojet shqipfolëse brenda e jashtë kufijve shtetërorë, mbasi kjo është pasuri kulturore jo thjesht shqiptare, por dhe ballkanike…

Turizmi i munguar i kullave te Veriut

Turizmi i munguar i kullave te Veriut
                           


Kulla, kjo banesë tipike e malësive të Veriut, disponohet si resurs turistik krejt i virgjër, i pashfrytëzuar dhe për fat të keq ende “i paftuar” në strategjitë e zhvillimit të turizmit shqiptar. Në fakt, në platformën turistike që në vitin 2008, MTKRS shpalli si projekt risi “turizmin e 40 haneve” përmes një momenti solemn duke e shpallur si çelësin e suksesit të turizmit shqiptar. Gjithsesi, sot e asaj dite nuk ka një statistikë të saktë sa joshës u bë ky lloj turizmi, por dihet se në disa rajone si në Theth a Valbonë, morën formën e tyre disa bujtina të ngritura nga vetë banorët e atjeshëm. Ndërkohë, u la në harresë bujtina tipike, kulla e Veriut, që gjendet fshat më fshat të trevave veriore. Por cilët të huajt apo studiues vendas kanë pikasur ndër mote në kullat e Veriut, duke bërë vlerësime për këto ndërtime dhe duke analizuar jetesën e veçantë të malësorëve?

Dy antropologët amerikanë

Studiuesi korçar, Stavri Frashëri, së bashku me dy amerikanët antropologë burrë e grua, kalojnë fshat më fshat në Mirditë, që nga nisja prej Zadrime e deri në dalje në Pukë. Kalojnë nga maja e Velës, në Ungrej, Frekën, ndjekin ujin e Dibrrit, dhe flenë në një han. Behet fjale për dimrin e vitit 1930. Kalojnë një natë në mes të bisedave me të zotin, të pritur me mish të skuqur, mollë, arra, me lugë prej druri, një e ngrënë shqiptarçe. Pas disa ditësh kalojnë në Rras, ku flenë në një kullë. Në odëne burrave mblidhet thuajse tërë fshati që sheh me kureshtje të madhe amerikanin dhe sidomos gruan e tij, që ishte veshur me rroba burri. Për darkë, nusja e re sjell koritën dhe ibrikun të lanin duart, i zoti i shtëpisë solli rakinë, ushqimin e pasur deri tek petullat me mjaltë etj.

Por, antropologët futen edhe në një shtëpi të varfër ku kalojnë një natë të vështirë, në mes tymit, pa rraqe fjetjeje dhe mungesë ushqimi, por mes njerëzish shumë mikpritës. E rrethuar prej ndonjë copë toke të mbjellë, qëndron shtëpia e mirditasit për t’u bërë ballë luftërave. Ajo është e fortë prej guri, dritaret i ka të vogla, përmbi portë përgjithësisht është “çikmaja” me një dritare të vogël dhe me disa frëngji për të luftuar. Nëpër qoshe të shtëpisë vërehen vrima të tjera, të cilat e mbrojnë shtëpinë nga të gjitha anët. Shtëpisë me dy kate i thonë kullë, mbulojën e ka me plloça, me qeramidhe ose, atje ku ka pyje me dërrasë pishe. Ka edhe shtëpi përdhese prej guri ose prej dërrase të mbuluar me qeramidhe, me dërrasa, me plloça ose kashtë. Këto janë të klasave të fundit.

Odat e kullës


Kulla mund të ketë tre, katër ose më shumë oda. Atje ku mungon kasollja, oda përdhese përdoret për bagëtinë. Një shkallë e ngushte posa hyn tek dera të shpie në odën e burrave ku priten miqtë dhe ku qëndron oxhaku. Mbi zjarr është varur poçja prej balte me zinxhir. Pishtari, një lloj rrjete prej teli, varet nga tavani dhe shërben për të vënë pishën e ndezur që ndrit odën. Oda nuk ka shumë mobilie, nëpër kënde është shtrirë ndonjë mutaf ose ndonjë lëkurë deleje, andej-këndej, nëpër odë sheh shkaminj trekëndësh e të shkurtër, ndonjë fron të moçëm të skalitur dhe fort të bukura dhe ndonjë sënduk të vjetër të skalitur. Në qoshen e këndit mund të vësh re ndonjë cung druri, i cili përdoret në vend të jastëkut. Në të dyja anët e oxhakut dhe në mur mbi dy këndet janë kamaret të mbyllura në dërrase të skalitur, kanë pamje të bukur dhe i zoti i shtëpisë vë takëmet e kafesë. Kafenë taze mirditasi e ka “allaminutë”. Dritaret janë të vogla dhe pa xhama, mbyllen me kanate dërrase të trashë, muret e lyer me gëlqere dhe pa dekorim, diku shikon ndonjë pushkë të varur (kur kanë leje nga qeveria), ndonjë çifteli, ndonjë kryq a ndonjë korë ose fotografi të të zotit të shtëpisë që mund të ketë dalë në Shkodër a Tiranë.

Pakëz nën tavan duken disa çengela ku varen pushkët e trimave, një lloj i tillë gjendet edhe te dera e jashtme. Tavani mund të jetë i ndërtuar me dërrasë ose trinë. Përmbi vatër varet pastërmaja, e cila qëndron mbi një lloj rrjete prej trene. Jo shumë larg kësaj rrjete është dhe një dru horizontal dhe mbi atë thajnë rrobat e lagura. Për të larë duart kanë ibrikun dhe koritën ose mund të vesh te sqolli që është në një anë të odës në mur, ku uji derdhet nga një vrimë përjashta. Dallim nga këto bën shtëpia e Kapedanit në Orosh, e ndërtuar në majën e një kodre me një pamje piktoreske. Në një dhomë të pastër dhe të mbajtur, qëndrojmë në frone dhe jo këmbëkryq si tjetërkund. Një trim na sjell kafe dhe pastaj na rehatojnë në një dhomë tjetër ku hamë së bashku darkën e pasur me supë, pulë të zier, mish thiu të fërguar, djathë të bardhë, gjalpë, pilaf dhe verë të mirë. Pasi darkojmë, falënderojmë Kapedanin sipas zakonit, lajmë duart dhe pastaj i avitemi zjarrit, i cili të vë në mendime.



Kullat e malësorëve me vulën e vjetërsisë mbi gurë


Karakteristikë për disa prej këtyre banesave të vjetra shqiptare është edhe vula që shënon datën e ndërtimit të kullës, apo emrin e të zotit të saj. Humanistja austriake Marianne Graf, nismëtare e disa projekteve ambicioze për ruajtjen e kësaj trashëgimie, përshkruan gjithë rajonet e viseve të Veriut dhe Verilindjes, duke vëzhguar imtësisht kullat e moçme dhe sidomos ato të fshatit Shul-Batërr të Matit. “Më krijohet një ndjenjë sikur me çdo hap që bëj përpara shkoj dy hapa prapa, tek e kaluara” - shkruan Graf. Atë e tërheq kultura e popullit në të ndërtuar dhe gjithçka të ruajtur me kujdes, por e shqetë-son deri në trishtim bjerrja edhe humbja e saj. “Jemi në një vend krejt të izoluar, i cili ruan të kaluarën e largët. Asnjë frymë njeriu nuk duket. Mos vallë janë mure të magjepsur, që ngrihen para nesh, si të kenë hedhur shtat nga format e rrumbullakosura të një guri vullkanik!”. Megjithëse ndërtesat, në ndonjë rast, mbajnë rëndë vulën e vjetërsisë, ato të gjitha transmetojnë një shkallë të lartë artizanale dhe saktësi. Gurë të përpunuar me mjeshtëri të lartë, bashkohen artistikisht në shtylla, mbajtëse, harqe dhe mërtek, dhe e detyrojnë vizitorin për një vrojtim më të saktë të portaleve, të punuara me dashurinë më të madhe.



Kulla “Limpreht”

Kullat e Lurës kanë shërbyer si fortifikata, por dhe vende ku gjallon jeta malësore në tërë hapësirën e vet sociale dhe ekonomike. Ali Koçeku i ka studiuar imtësisht ato. Kati i parë i kullës luriane është përdorur si haur bagëtish, pastaj në katin e dytë oda e burrave, si një institucion edukimi. Luriani e ka shtruar odën e miqve bukur dhe e ka hijeshuar. Shtrohej në të dy anët me hasra thekre dhe mbi to mutafi karakteristik nga leshi i dhisë që blihej në Prizren. Sipër mutafit, në shtëpitë pak më të kamura, vihej dhe sixhade, lëkurë delesh e qilima. Dyshekë e jorganë herët nuk kishte ndaj miqtë e ardhur mbuloheshin me postahe që i punonin në vegjë. Dyshekët e parë në Lurë erdhën në kohën e Zogut, ndërsa masivisht u futën pas Çlirimit. Oxhaku karakteristik është i punuar në gur dhe i futur rreth 25 cm. Kati i tretë apo i katërti quhej “kullë”. Këtu rrinin burrat për verë. Kishte dhe dollapë qorr me dy tri frëngji.

Në një qoshe ishte çakmani, një dollap rreth një metër dhe i mbyllur me oxhak, aty mbaheshin vegla armësh. Kullat e Lurës kanë shërbyer edhe si fortifikata për luftë. Po ç’lidhje ka kulla Limpreht me malësorët, kur në fakt atje njihen me shumë emra kullash të përmendura si toponim fisesh; si kullat e Marisenëve, kulla e Vladit, e Bucajve, Bruçajve a të tjerë. Por kjo lidhje fillon kur Limpreht, ish-ambasadori amerikan, i njohur si diplomati më sportiv, ndër preferencat e tij kishte malësitë e vendit. “Medet, hej mik” - të thonë banorët lurianë - “iku shpejt ai burrë zotni, se do na e kishta ba Lurën!”. Ata thonë se amerikani qe ulur “gju më gju” me malësorët në kullat e tyre para se të ngjitej tek mrekullitë e Nezhtës së Kurorës së Lurës. Në një prej krojeve të freskëta, kishte mbaruar tragjikisht jeta e ambasadorit sportiv.

Megjithatë Lura e ka përftuar një simbol në trajtën e monumentit, “kullën Limpreht”. Për të shkuar tek ajo, kalojmë një rruge kalldrëmi. Nuk ka njeri brenda dhe si shumë kulla të tjera, edhe ajo përjeton heshtjen e madhe. Pyetja përse pikërisht këtë kullë e ka zgjedhur diplomati amerikan, për ta shënuar si “kullën e tij”, e merr përgjigjen që në pamje të saj. Ka qenë një sy i pagabuar në përzgjedhjen e saj pasi është vërtetë kullë tipike. Këtu kanë banuar prej shekujsh fisi Tollaj, ndërsa nuk i dihet mosha e ndërtimit, edhe pse pyesim dhe më të vjetrin e fshatit, një 104 vjeçar. Kjo është kulla e parë e braktisur në Lurë, pasi ka më se 30 vite që këtu nuk banon njeri, por dhe pronësia e saj është e zorshme për t’u përcaktuar.



Nënshejt, fshati i kullave alpine


Nënshejt! E quajnë të tillë sepse gjendet pak metra poshtë Malit të Shenjtit në bjeshkët më të larta të Mirditës verilindore. “Fshat ndër më të hijshëm në Shqipëri, padyshim më joshësi” - na thonë një grup turistësh amerikanë, që kanë vendosur ta kalojnë fundjavën në këto anë e ku bëhen pjesë e hareshme dhe në një guidë turistike me ansamblin “Mirdita”. Fshati i vogël me fare pak shtëpi ndodhet nën “sqetullën” e këtij mali me emër shenjtorësh. Mali i Shenjtë në bjeshkët e Oroshit shënohet si kryetempulli i Krishtërimit në Mirditë. Ndue Dedaj, studiues i njohur, thotë se ndoshta këtë tempull e themeloi ndonjë nga shenjtorët shqiptarë, që u sakrifikua aty. Nënshejti dallohet për kullën tipike dykatëshe. Numërohen tetë kulla të mëdha, të tjerat janë shtëpi alpine përdhese, ndërsa thuajse tërë kullat mbulohen me fruxha, me përjashtim të njërës që ka përdorur tjegullën. Kullat e këtij fshati, veç ndërtimit me gurë të bardhë dhe tavanet karakteristike, të veçantën e kanë patur tek dyert. Ustallarë të përmendur e kanë latuar e gdhendur mjeshtërisht gurin e fortë të këtyre viseve. Këtë na e shpjegon dhe Gjet Ndoj duke përmendur ustain legjendë të ardhur nga Fani, Ded Halili, ndërsa na e servir një gotë raki vendi në oborrin të rrethuar me gardhe karakteristike.

'Barleti apo Becikemi?' dhe hipotezat e tezat per veprat mbi Skenderbeun


Në tetor 2010, në Tiranë, doli në qarkullim vepra Barleti apo Becikemi? Një pështjellim në shkencën shqiptare, hartuar nga studiuesi Ilia S. Karanxha, i cili jeton e punon në Firence të Italisë, prej vitit 1997. Pas një pune shumëvjeçare nëpër bibliotekat e atij qyteti, ky studiues ka hartuar pesë vepra me vlera të rëndësishme për jetën dhe bëmat e shqiptarëve, të cilët jetuan në diasporë, në Italinë Verilindore në shek. XV-XVI. Me studimin Barleti apo Becikemi?... hapet kjo seri veprash që ka për të pasuruar shkencat albanologjike dhe humanizmin europian.
'Barleti apo Becikemi?' dhe hipotezat e tezat per veprat mbi Skenderbeun
Vepra që kemi në duar sjell hipoteza e teza të reja lidhur me autorësinë e dy veprave monumentale të albanologjisë Rrethimi i Shkodrës dhe Historia e Gjergj Kastriotit Skënderbeut… të cilat, siç dihet, deri më sot janë konsideruar si vepra të Marin Barletit.

Që në leximin e parë të bie në sy se hartimi i kësaj vepre ka kërkuar punë e pasion të madh, kualifikim të shumanshëm, guxim shkencor dhe logjikë të mprehtë. Vetëm të tilla tipare mund ta ndihmonin këtë autor të luftonte, që me veprën e tij të parë, për krijimin e tezave dhe hipotezave të reja, kur teza e hipoteza të vjetra kishin kohë që ishin përhapur e kishin zënë vend.

Duke krahasuar një mori të dhënash historike, filologjike e ikonografike, duke u thelluar në leximin e tekstit dhe duke përqasur pjesë tekstesh nga panegjirikët e njohur të humanistit Marin Becikemi me tekstet e veprave të lartpërmendura, Karanxha, përmes arsyetimesh logjike, ka tronditur fort një sërë problemesh dhe ka sjellë përfundime të reja bindëse.

Këto përfundime sqarojnë autorësinë e këtyre veprave, duke e lidhur atë me emrin e humanistit të njohur prof. Marin Becikemit e duke e lënë Marin Barletin thjesht si një emër pas të cilit është dashur të fshihej autori i vërtetë; sqarojnë se i quajturi portret i Marin Barletit është vetëm një klishe ikonografike e përdorur dhe në vepra të tjera si portret autori, saktësojnë datën e botimit të Historisë së Skënderbeut... duke e spostuar atë në vitin 1522; shpjegojnë ndërhyrjet e pasardhësve të Pal Engjëllit në botimet e mëvonshme për qëllime lavdie familjare, si dhe plotësojnë me të dhëna biografike jetën e humanistit të madh shkodran Marin Becikemi dhe të botuesit B. Vitali, një shqiptar tjetër ky që u shqua si editor në botimet veneciane të shek XV-XVI. Jeta dhe veprimtaria e vëllezërve Vitali është objekt studimi i njërës nga pesë veprat e I. S. Karanxha që do të dalin në vijim.

Mbas qëmtimesh të kujdesshme të fakteve të fshehura brenda në tekstin e veprave janë mbledhur të dhëna biografike për persona historikë që përmenden aty, janë krahasuar ato me të dhëna dokumentare dhe është ngritur me guxim teza e re. Sipas kësaj teze nuk ka qenë vëzhgues e përshkrues i shumë ngjarjeve autori i këtyre veprave, i quajturi Marin Barleti, siç është konsideruar deri sot, por babai i Marin Becikemit. Ky person i njohur historik, i cili quhej gjithashtu Marin, kishte qenë një nëpunës i Venedikut, i cili kishte shërbyer shpeshherë si i dërguar, si ndërmjetës, pra si vëzhgues i Republikës së Shën Markut (i Venedikut) te drejtuesit e trupave osmane, edhe në Krujë pranë Gjergj Kastriotit Skënderbeut, në Shkodër pranë komandantëve venecianë A. Loredan dhe A. da Leçe. Ky vëzhgues e luftëtar, i cili u vra gjatë luftimeve heroike të rrethimit të dytë të Shkodrës, duket se ka qenë kronikani i shumë ngjarjeve, hartuesi i relacioneve, të cilat janë shfrytëzuar për hartimin e këtyre dy veprave madhore prej hartuesit të tyre.

Pasi jepen sqarime biografike për marrëdhëniet midis qeveritarëve të Venedikut e prof. Marin Becikemi, mbasi jepen sqarime lidhur me opinionin konkret të qeveritarëve venedikas për Gjergj Kastriotin Skënderbeun, të cilët nuk donin t’ia dëgjonin më emrin në dhjetëvjeçarët e parë të shek. XVI, argumentohet fakti pse vepra madhore Historia e Gjergj Kastriotit Skënderbeut… u desh të botohej jo në Venedik, po në Romë, pa datë botimi, pa emrin e vërtetë të autorit, pa emrin e plotë të botuesit, si dhe me prezantues të maskuar në kopertinë.

Sqarohet se emri Marin Barleti me cilësimin prelat shkodran, u përdor për fshehjen e emrit të hartuesit të vërtetë, Marin Becikemit, meqë vepra e tij sillte interpretime të ndryshme nga historiografia zyrtare veneciane.

Emri Marin Barleti, i cili shfaqet në disa dokumente, si emër i një djaloshi para vitit 1497, humbet krejt gjurmët e veta si person fizik në kapërcyell të shek. XV dhe del vetëm si emër autori i dy veprave të mirënjohura, mirëpo nuk ka asnjë dëshmi ndër letra, ligjërata, libra, ose dokumente të botuara për jetën e tij si person konkret. Njëfarë biografie që është sajuar për këtë autor është krijuar kryesisht duke u mbështetur në të dhënat e brendshme të tekstit të veprave Historia e Gjergj Kastriotit Skënderbeut… dhe Rrethimi i Shkodrës, të cilat në të shumtën e rasteve duhet t'i përkasin babait të Marin Becikemit. Ndërsa për personin Marin Becikemi sillen të dhëna që dëshmojnë se ai kishte qenë tepër i ri, kur kishte emigruar në Venedik. Këto fakte e shtyjnë studiuesin të hedhë idenë se Marin Barleti dhe Marin Becikemi përjashtohen nga mundësia e të qenit pjesëmarrës të drejtpërdrejtë të luftimeve në rrethimet e Shkodrës, e aq më pak në betejat e mëparshme skëndërbejane.

Rrëzimi i hipotezës ekzistuese, sipas së cilës autori i këtyre dy veprave kishte qenë pjesëmarrës në luftimet që përshkruhen aty, shoqërohet me të dhëna biografike e bibliografike për të supozuarin Marin Barleti dhe për profesorin real Marin Becikemi.

Duke përqasur të dhënat biografike të këtyre dy humanistëve, autori i studimit thekson faktin se jetët e tyre afrohen shumë me njëra-tjetrën, kurse duke gërmuar në të dhënat e brendshme filologjike të tekstit të veprave, ai ka mbërritur në rezultatin se prapa emrit Marin Barleti prift shkodran, duhet parë profesori universitar Marin Becikemi. Bëhet një hap i parë e i sigurt në një rrugë të gjatë e të braktisur prej shekujsh, duke rikthyer në plan të parë meritat e mohuara të humanistit të shquar italian nga Lombardia Paolo Xhovio (Jiovio). Studiuesi Karanxha e njeh mirë jetën dhe pasuritë artistike e ikonografike të këtij humanisti italian dhe së shpejti do të hedhë në shtyp veprën e tij të dytë, titulluar Shqiptarët në Muzeun e Paolo Xhovios.

Të dhënat për prelatin e devotshëm Marin Barleti tregojnë se ai mbetet i projektuar në një situatë sureale, gati komplet i panjohur dhe jashtë ambientit të Rilindjes italiane. Kurse të dhënat për profesorin universitar Marin Becikemi tregojnë se ka qenë një hartues i talentuar fjalimesh, ligjëratash biografike dhe komentesh për autorë e personalitete të antikitetit romak e italian dhe se ka qenë një gërmues i njohur i arkivave, sidomos i atyre veneciane. E kaluara e largët dhe e afërt e popullit shqiptar ishin temat e preferuara me të cilat Becikemi rrekej të afirmonte identitetin dhe dinjitetin e popullit të tij në arrati.

Kështu bëhet e pranueshme hipoteza e re, sipas së cilës autori i veprave Rrethimi i Shkodrës dhe Historia e Gjergj Kastriotit Skënderbeut ka qenë profesori i talentuar Marin Becikemi. Për hartimin e tyre, ky gërmues i arkivave ka shfrytëzuar si kronikat e relacionet e shkruara prej babait të tij, edhe aftësitë e tij oratorike e letrare për mbushjen e veprave me ligjërata të shumta në përshtatje si me periudhën historike dokumentare, kur ndodhën ngjarjet, po ashtu edhe me mendësitë e kohës kur u shkruan dhe u botuan veprat.

Të dhëna të shumta bëjnë të qartë pse Marin Becikemi nuk donte të komprometohej me argumente delikate historike në një ambient, ku faktet e ngjarjet e ndodhura në Shqipëri mes venecianëve dhe shqiptarëve ishin tepër të pleksura me fërkime të shumta. Në Venedikun e dozhëve, nga shumë persona, këto argumente do të shiheshin me një sy jo dashamirës. Me një fjalë historiografia e Becikemit, me një mjeshtëri të hollë e me mençuri të madhe, arriti të dilte nga konturet e historiografisë zyrtare veneciane, si dhe nga ligjet që pengonin e dënonin ata që guxonin të diskutonin veprimtarinë e Republikës së Venedikut. Pra përdorimi i emrit Marin Barleti prift shkodran e mbronte autorin e vërtetë nga pasojat, si dhe veprën e parë monumentale shqiptare e thënë me fjalët e vetë autorit nga kafshimet e zemërkëqijve.

Vepra Barleti apo Becikemi… ka dhe merita të tjera. Aty analizohet në një kapitull të veçantë pleksja e dhunshme e familjarëve Ëngjëlli në themelet e kulturës shqiptare. Këto vëzhgime e kanë shpënë studiuesin në konkluzionin se të afërmit e pasardhësit e Pal Engjëllit, peshkopit të devotshëm të Durrësit dhe bashkëpunëtorit të afërt të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, gjatë shekullit XVI shkuan tepër larg në ambiciet e tyre, për të ngritur sa më lart origjinën e lidhjet e tyre fisnore, duke e lidhur familjen e Engjëllorëve me familje të shquara të Perandorisë Romake e asaj Bizantine. Kjo mani i çoi ata në shtrembërime, thjeshtime dhe shtesa të tjera në veprat e hartuara prej Marin Becikemit, të cilat na janë transmetuar deri në ditët e sotme me emrat Marin Barleti (1555) apo Paolo Xhovio (1539, 1541) e Dhimitër Franku (1584 e më tej).

Si konkluzion themi se studiuesi Karanxha me rezultatet e reja mbi autorësinë e veprave Rrethimi i Shkodrës dhe Historia e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, me sqarimet e shumta për rrethanat e botimit, me shpjegimet për ikonografinë kastriotiane, me ndjekjen e idesë për helmimin e Gjergj Kastriotit, me fundin misterioz e të papritur të Marin Becikemit etj., ngul piketa të reja në studimet skëndërbejane. Me rezultatet e tij, ai tërheq me sukses vëmendjen e studiuesve dhe hap hapësira të reja në këtë fushë të rëndësishme të studimeve albanologjike me vlera të mëdha edhe për studimet e humanizmit europian.

Duke ia njohur vlerat këtij studimi të hartuar prej një studiuesi të diasporës së sotme, i cili nuk ka mundësi të merret me shpërndarjen e veprës, sugjerojmë që Ministria e Arsimit të ndërmarrë shpërndarjen dhe shitjen e tij si në Shqipëri dhe Kosovë. Jemi të sigurt se leximi i kësaj vepre do të ndihmojë lexuesit, sidomos studentët e degëve të historisë dhe letërsisë shqiptare, të marrin një formim më shkencor.

SQARIM PER EMRIN SHQIPTAR

SQARIM PER EMRIN SHQIPTAR



1 Thanas
                                                                          Prof. Asoc. Dr. THANAS L. GJIKA/

Ne shkencat albanologjike per sqarimin e emrit SHQIPTAR ka mbizoteruar shpjegimi qe kane dhene prof. Eqerm Cabej, Osman Myderizi, Shaban Demiraj dhe tani se fundi Kristo Frasheri. Sipas tyre emri SHQIPTAR u krijua nga fundi i shekullit te XVII-te dhe dokumentohet per te paren here ne fillim te shek XVIII ne vepren Kuvendi i Arberit me 1703, ku shkruhet: “JEMI MBLEDHUR ARBER DHE SHQIPETARE”. Me fjalen ARBER quheshin, si dhe me pare, banoret e krishtere te Arberise, kurse me fjalen SHQIPETARE quhen per te paren here, me sa dihet deri me sot, arberoret e konvertuar ne myslimane. Nga fundi i shek XVIII ose nga fillimi i shek XIX, kur arberoret qe kishin ruajtur besimin e krishtere perbenin pakicen e popullsise se Arberise, dhe jetonin jo ne nje territor kompakt, por te shperndare disa fshatra, disa fise, ose disa lagje (mehalle) ketu e disa atje ne mes te arberoreve myslimane, te cilet e quanin veten SHQIPETARE, pranuan ta quanin veten edhe ata SHQIPETARE. Keshtu gjate shek. XVIII-XIX u perhap fjala SHQIPETAR / SHQIPTAR per te emeruar gjithe banoret e Arberise, myslimane dhe te krishtere bashke. Kurse vendi ku ata banonin u quajt SHQIPERI. Keshtu humben fjalet Arber, ARBERISHT dhe ARBERI, te cilat u zevendesuan me fjalet SHQIPTAR, SHQIP, SHQIPERI.
Persa i perket fjaleformimit te fjales SHQIPETAR / SHQIPTAR studjuesit e lartpermendur shpjegojne se ajo u krijua per te nenkuptuar banoret qe flisnin shqip, qe flisnin gjuhen e vendit, gjuhen e kuptueshme per te gjithe vendalinjte. Kete fjale e krijuan SHQIPTARET myslimane per te treguar se ata vertet e nderrruan fene dhe nuk mund te quheshin me ARBER per shkak te besimit te ri, por ishin po ata banore te vendit qe flisnin po ate gjuhe, gjuhen e perbashket qe e kuptonin te gjithe vendasit. Pra fjala SHQIPETAR / SHQIPTAR u krijua per te nenkuptuar te gjithe perdoruesit e gjuhes SHQIPE. Gjate shek XVIII-XIX prej rrenjes SHQIP (GJUHA SHQIPE) u krijua emri SHQIPTAR, per te nenkupotuar banorin qe fliste gjuhen SHQIPE; dhe fjala SHQIPERI per te nenkuptuar emrin e vendit ku flitej gjuha SHQIPE.
Mirepo, z. Aristotel Mici, pa njohur keto shpjegime, pa pyetur asnje historian a historian te gjuhes shqipe, shkroi e botoi me vrap ne kuadrin e 100-vjetorit te pavaresise nje permbledhje me disa esse, ku vendin qendror e ze esseja MBI EMRIN SHQIPTAR. Ne kete esse ai shpjegon sipas mendimit te vet origjinen e fjales SHQIPETAR / SHQIPTAR sikur ajo eshte krijuar per te emeruar banoret e vendit tone me qe ata mbanin shqiponjen si simbol ne gjokset e tyre dhe ne flamur. Pra sipas tij SHQIPTAR do te thote, jo perdorues i gjuhes SHQIPE, por mbajtes i shqiponjes. Mirepo dihet se kjo fjale u krijua ne fund te shek. XVII-te kur flamuri dhe shqiponja si simbole te te pareve tane ishte shdukur prej pushtuesve osmane.
Ne rast se z. Mici do te kishte kerkuar nje opinion prej studjuesve te Tiranes per ta botuar si parathenie te vepres, ose si vleresim ne kapakun e prame te vepres se tij, do te kishte marre pergjigjen e duhur dhe nuk do ta kishte botuar vepren me kete shpjegim vulgar te sajuar prej hamendjes se tij.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...