2014-04-08

Filantropet Endrju Karnegi, Xhorxh Soros, Bill Gejts


Dhuntia e të dhënit

Të japësh për të tjerët në nevojë, është një traditë e lashtë që nga kolonistët e parë në SHBA. Filantropë të tillë si Endrju Karnegi, Xhorxh Soros, Bill Gejts e shumë e shumë të tjerë, kanë përjetësuar tashmë emrat e tyre në bëmat e ndihmës ndaj atyre në nevojë dhe në të mirë të komuniteteve të ndryshme. Sot bujaria ka arritur nivele të larta në Amerikë. Sipas aneksit të Uashington Post, Parade, në vitin 2006, dhurimet e bamirësisë i kaluan atje 295 miliard $, që është më shumë se prodhimi bruto i Norvegjisë dhe 12 miliard $ më shumë se një vit më parë. Rreth 68% e familjeve amerikane dhanë diçka për bamirësi në 2006. Në nivelin e lartë, 21 vetë gjatë këtij viti dhanë për bamirësi çeqe me së paku 100 milion $. Ndër ta janë Uorren Bufet që premtoi 85% (më tepër se 40 miliard $) të pasurisë së tij dhe Ofra Vinfri që dha 58 milion $ për arsimin në Afrikë. Sipas të dhënave, 65% e kontributeve që ndihmojnë të financohen kuzhinat e bamirësisë apo kujdesin e përditëshëm pa pagesë, vijnë nga familjet që fitojnë më pak se 100,000 $ në vit. Amerikanët që dhurojnë janë më të shumtë se ata që votojnë. Amerikani mesatar dhuron 2.6% të të ardhurave të veta. Njerëzit që fitojnë më pak se 50,000 $ japin mesatarisht 971 $ në vit për bamirësi, ata me të ardhura 50.000 deri 100.000, japin 1.918 $ dhe ata mbi 100,000 japin 3.975 $. Natyrisht Amerika ka edhe dukuri të tilla kur miliarderë e milionerë u lënë trashëgimi qenve e maceve, por kjo nuk është e zakonshmja. E zakonshmja është ajo çka thamë më sipër.


Pse japin vallë ata? Veç motiveve të veçanta personale, janë disa përcaktues të përbashkët që i bëjnë njerëzit të japin: bërja e botës një vend më i mirë për të jetuar, dhëmbshuria për ata në nevojë, apo një ndjenjë për të shpërblyer shoqërinë për fatin e tyre të mirë. Me librin e tij të fundit, “Duke dhënë: si secili nga ne mund të ndryshojë botën”, ish presidenti Klinton është bërë një ambasador i filantropisë. Pavarësisht nga të ardhurat që ke, thotë ai, pavarësisht nga mosha e aftësitë, ka prapë diçka që mund të bësh. Në vend të mendosh se kanë pllakosur problemet, bëj një gjë. Po të mund të ndryshosh jetën e një njeriu, ke bërë një gjë të madhe, thotë ai. Kjo është në përputhje me atë çka thënë e madhja Nënë Terezë: “Në qoftë se nuk mund të ushqesh 100 vetë, atëhere ushqe vetëm një.” Bamirësia nuk e ndryshon botën, por të paktën zbut dhimbjet e shumë njerëzve mbi dhe.


Dhuntia e të dhënit nuk është karakteristike për shoqërinë e sotme shqiptare. Gjatë këtyre 17 vjetëve, pas thyerjes së barazitizmit të pështirë e artificial komunist, pasuria e shqiptarëve u polarizua në mënyrë të skajshme. Tranzicioni, demokracia e tregu i lirë, nuk mund të favorizonin një lloj një njeri të thjeshtë në Gramsh, Bulqizë apo Pukë (duke lënë mënjanë të gjithë ata ç’qenë në fshat) nga dikush që punonte ta zemë, në tregtinë e jashtme apo në institucione të rëndësishme, në Tiranë. Pasuria u përfitua me mjete nga më të ndryshmet, me mbështetje politike, me dhunë, me spekullime e shkelje ligji, por edhe me punë të ndershme e me respekt të ligjit. Dukuri të tilla nuk qenë që ndodhën vetëm në Shqipëri. Kudo, në botë janë vënë re të tilla zhvillime, në etapa të caktuara.


Fuqia ekonomike e të kamurve bie në sy në zë qytetet e mëdha të Shqipërisë veçanërisht në zonën e metropolit Tiranë-Durrës. Vila luksoze me pishina e kopështe në tarraca, makina të prodhimit të fundit e pushime atje ku nuk hyet dot me kuleta rrogëtarësh të zakonshëm. Milionerët e rinj shpesh prishin pa hesap për kënaqësi vulgare e vanitoze, ata ndodh të mbyllin lokalet jashtë vendit, siç tregojnë, për ta bërë qejfin më vete, lënë miliona e miliona në kazinotë e vendit e botës, i mësojnë fëmijët e tyre të jetojnë jetën e snobit duke harxhuar pa hesap klubeve e orgjive. Ndërkaq, mijra e mijra të tjerë s’kanë bukë të hanë, luftojnë me skamjen e vështirësitë e përditëshme ku shteti, në vend t’i ndihmojë, nuk u siguron as minimumin që duhet të bëjë një shtet për shtetasit e vet. Ata jetojnë mes fukarallëkut e stresit që prodhon mungesa e rrugëdaljes, papunësia, privacionet e shumta, kriminaliteti dhe ligji i korruptuar. Kjo po sjell paprerë jo vetëm drama tragjike në jetën e shoqërisë shqiptare: vrasje, vetëvrasje, hakmarrje e krime të përçudëshme të padëgjuara më parë, por po deformon realisht edhe psiqikën shqiptare.


A nuk mendojnë vallë të kamurit shqiptarë se jeta e tyre do të ishte më e mirë në qoftë se edhe vendi ku ata jetojnë do të ishte sado pak, një vend më i mirë për të rrojtur? Të përqëndruar në egoizmin e tyre, ata shpesh herë harrojnë se nuk mund të ndërtosh një klimë perfekte lumturie në qoftë se pak metra larg teje ulërin mjerimi e skamja. Sado të ruhen e të mbrohen, shpesh herë ai përçudnim shoqëror që ndodh me shumicën e shoqërisë, i arrin dhe i godet edhe ata duke i vënë në qendër të dramave po aq tronditëse me fëmijët e tyre, gratë e ata vetë.


Shqiptarët tradicionalisht janë mbajtur për mikpritës e bujarë. Kjo është pjesë e legjendave patriotike. Ç’është e vërteta, shqiptari është bujar kur është i varfër. Zakonisht ai është bujar kur e sheh se ti je më në hall se ai. Një i varfër të pret duarhapur dhe e ndan varfërinë me ty po të jesh në hall. Po të kamurit? Vini re se ç’ndodh me atë që nuk bën vaki në botë: vijnë festat dhe çmimet në tregjet shqiptare rriten. Kaq të paskrupull janë këta tregtarët shqiptarë që medoemos duan ta shfrytëzojnë për të fituar më shumë edhe një rast të tillë? Veç kësaj, me pasanikët shqiptarë ndodh si me atë evgjitin e përrallës që ku u bë pasanik lyente dhe të pasmen me kos. E pra, ata prishin pa hesap për gjëra të kota dhe kurrë nuk japin gjë qoftë për komunitetin ku rrojnë qoftë për bashkëkombasit e tyre që fati u ka dhuruar skamjen e pamundësinë.


E pra, kujt t’i bjerë rasti të vizitojë Amerikën, do të shohë shkolla e spitale, parqe e muzeume, biblioteka e teatro të ndërtuara nga individë të shquar e pasanikë të vendit që nuk janë prona të familjeve të tyre por të mbarë komuniteteve e shoqërisë. Do të ndodhë kjo vallë dikur me Shqipërinë? A nuk janë edhe varfanjakët e sotëm në Shqipëri ata që kanë kontribuar për pasurinë e milionerëve të rinj në njërën apo tjetrën mënyrë? E pra, ku është sensi i mirënjohjes e përdëllimit? Le të mos harrojnë ata se jeta është tepër e shkurtër kur e jeton brenda egoizmit tënd të paskrupull dhe mund të zgjatet e të bëhet më e denjë për t’u rrojtur vetëm me altruizëm, bujari e me dhuntinë e të dhënit.
Y.M

Si t’i shkruajmë në shqip emrat e huaj?



Vitet e fundit në shqipen e shkruar po theksohet me të madhe prirja për t’i shkruar emrat e huaj ashtu siç shkruhen në origjinal. Për shembull: Pierre-Auguste Renoir, Langston Hughes, Dwight Eisenhower për të dhënë pak shembuj. Të kalluar në strukturat e lakimit të shqipes, këta emra do të duhej të shkruheshin për shembull: Renoir-in, Renoir-it, apo Hughes-in, Hughes-it apo Eisenhower-in, Eisenhower-it. E kështu me rradhë me shumë emra të tjerë.
Por fjala nuk është vetëm për emrat e përveçëm. Në gjuhën e shkruar shqipe po hyjnë një shumicë emrash që do të ishte qesharake të bëje përpjekje t’i gjeje të gjithave fjalën e përshtatëshme në shqip e aq më tepër t’i përktheje. Kështu ka mjaft fjalë që tashmë në shqip i shkruajnë si në origjinalet e tyre: site, click, scoop e shumë të tjera. Edhe këto do të jepnin një mish-mash të vërtetë po të lakoheshin duke ruajtur strukturën origjinale.
Ajo që të bën përshtypje në një prirje të tillë është se ajo po zhvillohet ndanë shurdhmemecërisë së gjuhëtarëve dhe kësisoj nuk gjen asnjë bazim shkencor në këtë rrugëtim. Ndërkaq ky stil i të shkruarit të emrave të huaj po duket në median e shkruar e në shumë botime. Dikush e shkruan emrin e huaj siç shqiptohet, dikush tjetër, siç është në origjinal. Duhet të kemi një normë për këtë?

Disa e quajnë si për fyerje të përdorësh për shembull në shqip në vend të emrave apo fjalëve të mësipërme, ekuivalentët e tyre siç shqiptohen, për shembull: Renuar, Hjuz, Ajzenauer ose fjalët: sajt, klik, skup etj. Pse injorantë jemi ne, thonë që nuk dimë si shqiptohet emri apo fjala, po qe se e lexojmë si në origjinal?

Këtu nuk është fjala as për injorancë dhe as për kulturë. Fjala është për përcaktimin e një rregulli bazuar në karakteristikat e gjuhës shqipe për futjen e emrave të huaj apo fjalëve të reja.

Disa gjuhë janë fonetike. Kjo do të thotë se mund të shohësh një fjalë të shkruar e të dish si ta shqiptosh atë ose mund të dëgjosh një fjalë dhe të dish të thuash e rradhë gërmat që e përbëjnë atë. Gjuhët fonetike kanë një marrëdhënie të drejtpërdrejtë midis shqiptimit dhe tingullit. Gjuha shqipe është një gjuhë fonetike.

Po të shohim fillimet e shqipes së shkruar do të vinim re se autorët e lashtë shqiptarë (hidhini një sy për shembull Pjetër Budit) e shkruajnë emrin e birit të Zotit, Krisht e jo Christ. Më pas Noli, shkruan Shekspir e jo Shakespeare dhe Don Kishot e jo Don Quixote apo Don Quichotte.

Shumë nga idhtarëve të të shkruarit origjinalist duhet t’u kujtohet se kontakti i gjuhës shqipe me kulturën e botës nuk është pas viteve 1990. Po t’i shkonim pas kësaj prirjeje, do të duhej të rishkruanim një numër të madh emrash të përveçëm që tashmë kanë zënë vend në regjistrin e gjuhës dhe do të ishte absurde t’i ndryshonim. Të tillë do të duhej t’i bënim Newton e jo Njuton, Chopin e jo Shopen, Rutherford e jo Radhërford, Picasso e jo Pikaso, Goethe e jo Gëte, Byron e jo Bajron, Chateaubriand e jo Shatobrian, Heine e jo Hajne për të përmendur sa më pakë prej tyre. Pastaj fjalë të tilla si kompjuter, raketë, satelit do të duhej t’i shkruanim: computer, rocket, satellite.

Po të shkonim më tej, u dashka të shkruajmë në shqip edhe emrat e vendeve ashtu siç shkruhen në gjuhët e tyre origjinale. Për shembull London në vend të Londër, New York, në vend të Nju Jork, Sevilla në vend të Seviljes (dhe në këtë rast do thoshim: Berberi i Sevilla-s!), Bordeaux në vend të Bordo(dhe do thoshim p.sh: verë e Bordeaux-it!), Lisboa në vend të Lisbonës e Utah në vend të Jutah e kështu me rradhë.

Mendimi im është se idhtarët e prirjes për të shkruar në shqip emrat e përveçëm dhe fjalë të tjera ashtu siç shkruhen në origjinal, lënë pas dore e harrojnë shumë gjëra. Harrojnë për shembull se gjuha shqipe që shkruhet me një modifikim të alfabetit latin nuk ka në repertorin e saj mjaft karaktere qe kanë gjuhë të tjera. Si pas teorisë origjinaliste, duhet që Washington ta shkruajmë tamam kështu. Po ku ta gjejmë W-në në shqip. Ja se e gjetëm, po si të shkruajmë ta zemë një emër origjinal në greqisht, apo turqisht, apo sllavisht, apo në arabisht a në gjuhët e tjera të lindjes? Mos duhet që ta shkruajmë me jeroglifet kineze emrin Mao Ce Dun? Po emrin e famëkeqit Karaxhiç mos u dashka ta shkruajmë Kараџић?

Pastaj ata harrojnë se jo të gjithe ne shqiptarët dimë gjuhë të huaja e mund t’i lexojmë ashtu siç duhet emrat e huaj të shkruara në shqip si në origjinal. Ndaj e gjithë kjo ndërmarrje është një kuturisje e kotë. Gjuha shqipe bazohet mbi parimin që lexohet siç shkruhet. Dhe edhe emrat e huaj dhe fjalët e reja që hyjnë në të duhet të futen të shkruara siç shqiptohen.

Por edhe kjo ka vështirësitë e veta. Një fjalë mund të shqiptohet në mënyra të ndryshme nga individë apo grupe të ndryshme. Dihet për shembull se ka ndryshime midis shqiptimit në anglishten klasike dhe anglishten amerikane. Edhe në shqip hyjnë sipas shqiptimit, emra e fjalë që s’janë korrekte. Në këtë rast janë gjuhëtarët gjykatësit e gjuhës dhe ata duhet t’i vënë këto fjalë e emra sipas shqiptimit të duhur. Hidhini një dy librit të famshëm të Roberto Savianos, Gomorra. Është tej mase i lodhshëm me konstrukte të tilla si: Edoardo La Monica-s, Voncenzo Verde-n, Giulio Ruggero-s, Mario Santoro-ja, Al Mahdi-së, që përkthyesit kanë përdorur me qindra tej e ndanë librit.

Dihet se gjuhët e shkruara evoluojnë më ngadalë se gjuhët e tyre korrespondues të folura. Kur regjistri i një gjuhe bëhet tepër i ndryshëm nga gjuha e folur, kjo shpie në dukurinë që quhet diglosi. Dhe kjo mund të ndodhë edhe me shqipen po vazhdoi në këtë rrugë. Ky problem është një S.O.S. për gjuhëtarët e shqipes.
y.m

Koha e Hyxhymit dhe shkenca në Shqipëri


Vjen një kohë për njeriun e aftë që lodhet e mërzitet nga një realitet që s’pyet e s’do t’ja dijë për përpjekjet e tij. Vjen një kohë që pasioni për punën i nxihet si një rulon filmi i hapur në diell dhe ai hiqet mënjanë i zhgënjyer dhe e shtyn jetën me gjëra të tjera më pak të rëndësishme. Kjo është koha kur mediokrit ngazëllehen, dalin nga skutat e anonimitetit dhe lëvrijnë plot energji e bërtasin “Hyxhym! Përpara për fitorje të reja!” Ka ardhur ora e tyre: koha e mediokrëve.

Ky skenar po ndodh me shkencën shqiptare, ashtu si me shumë fusha të tjera të jetës së këtij vendi që nuk i kanë munguar kurrë njerëzit e aftë e të zotë. Por veçse po t’i hidhni një sy tërë kulturës e dijenisë shqiptare në kohra, do të vini re se më të shquarit e saj kanë shkëlqyer më shumë jashtë vendit se sa brenda tij. Atje ata kanë gjetur kushte më të mira për punën e tyre, larg meskiniteteve e zilirave shqiptare, larg kurtheve politike dhe intrigave e nënështrimit ideologjik asfiksues të periudhave të ndryshme.

Regjimit komunist të Enver Hoxhës i duhej si fasadë një Akademi e Shkencave të cilën e ngriti në vitin 1972. Në përbërje të saj u përfshinë figura të shquara të shkencës shqiptare të asaj kohe, shumica me studime të larta të kryera jashtë vendit por që diktatura komuniste nuk i lejoi kurrë të shpalosnin vokacionet e aftësitë e tyre më të mira mishëruar në punën e mirëfilltë shkencore.

Në krye të viteve 1990, Akademia e Shkencave ashtu si e gjithë jeta e vendit u përfshi në reforma të vrullshme të projektuara më së shumti pa largpamësi e të zbatuara nga njerëz arrivistë që rrëmbyen lugët (apo garushdet) dhe ju turrën detit që ishte bërë kos. Veprimi më i shëmtuar për shkencën në qeverinë e parë demokratike dhe “peshqeshi” për mediokrit i Komitetit të Shkencave të asaj kohe me Z. Maksim Konomi në krye, ishte prishja e sistemit të gradave shkencore me dy shkallë dhe njësimi e kthimi i ish Kandidatëve të Shkencave, në Doktorë të Shkencave. Ky vendim i hapi rrugë vërshimit të papërmbajtshëm, të “Doktorëve” të shkencës që u bënë shpejt e shpejt “Profesorë“. Llogaritet se nga doktorët e profesorët e sotëm të shumtë që ka Shqipëria, mbi 95% ose kanë mbrojtur vetëm gradën e Kandidatit të Shkencave, që atë kohë ka qenë një normë e detyruar për të gjithë punonjësit kërkimorë-shkencorë dhe si shkallë e parë e kualifikimit shkencor, pa shumë pretendime për prurje origjinale, ose mbrojtën pas këtij vendimi vetëm një gradë të vetme dhe u bënë “Doktorë”.

Shkenca shqiptare njohu pas kësaj një serë ligjesh e kundraligjesh, statutesh e kundërstatutesh të miratuara e hedhura poshtë sipas rradhës së ardhjes në pushtet të demokratëve apo socialistëve. Vetë Akademia e Shkencave dhe të gjithë strukturat shkencore të vendit u politizuan dhe në krye të tyre u vunë militantë (ose xhaketa të vjetra ish komuniste, ose demokratë dalë nga anonimati). Flamurtarë dhe oligarkë të riorganizimit të të gjithë shkencës së vendit u bënë ca kuadro të shkencave bujqësore si Gjongecaj në vitet 1990 dhe Tafaj në vitet 2000.

Me riorganizmin e fundit, institucionet shkencore pothuajse morën fund duke u hequr nga vartësia e Akademisë së Shkencave dhe duke u bashkëngjitur tek Universitetet sipas ca kritereve të dyshimta e kaotike. Ishte e padyshimtë që këto institucione duhej të riorganizoheshin dhe kërkimi shkencor në Shqipëri duhej vënë në binarë të mbarë, por jo kësisoj siç i thonë: prish poçe e bëj kënaçe. Po të bisedosh me kuadrot e këtyre institucioneve, të gjithë të ankohen nën zë për humbjet e arkivave, prishjes së bibliotekave dhe shpërfilljes së kërkimit shkencor në vite, për shkarkimet nga puna dhe emërimet e reja pa kurrfarë kriteri veç atij partiak.

Dhe me që është koha e Hyxhymit, mediokrit nxorrën nga brezi lugët e mëdha (ose garuzhdet) dhe u turrën përsëri. U turrën drejt marrjes së gradave të larta doktorë e profesorë. Në qeverinë e sotme shqiptare më shumë se gjysma janë doktorë e profesorë. Po të shikonte e dëgjonte kaq shumë tituj shkencore Prof. Dr. deri tek kryeministri e presidenti, një alien i ardhur nga përtejbota, pasi t’i spjegoheshin se ç’ishin ato, do të thoshte se ky është vendi më frutdhënës për shkencën në gjithësi.

Ashtu siç është sot një biznes i leverdisshëm të bëhesh deputet, ashtu u zbulua si biznes edhe të qënët akademik. O burra pra të zëmë listat e të luftojmë për pensionet e akademikëve se tjetër gjë nuk na mbeti. Dhe na del në krye të Akademisë së Shkencave një farë peshëngritësi si Gudar Beqiraj, i aftë sigurisht për pesha të rënda e shkenca të lehta, së bashku me një aradhë mediokrish të tjerë ku rrallë spikat ndonjë shkencëtar i vërtetë që t’i vësh gishtin. Klikoni në Google Scholar emrin e kryetarit të ri të Akademisë së Shkencave dhe do të gjeni vetëm dy raporte informative. Asnjë punim shkencor.

Ky matematicien “i shquar” është përgjegjës për prishjen (jo tani që u bë riorganizimi, por me kohë përpara) të Institutit të Informatikës. Për vite me rradhë ky institut i kthyer në një ndërmarrje me drejtor Z. Beqiraj, mikun e patundur të ish kryeministrit Meksi por jo më pak edhe të kryeministrave të tjerë peshëngritës, ndihmoi të bëheshin kadastrat e Italisë nëpërmjet ca projekteve të dyshimta ku përfitonin personalisht si Z. Beqiraj dhe sipërmarrësit italianë.

Një tjetër “akademik” del në krye të kryesisë: Salvador Bushati, gjeofizik. Sikur dalin nga nëntoka këta akademikë. A thua se kontributin më të madh Shqipëria e paska në shkencat e natyrës që të ketë në krye matematicienë e gjeofizikë. Por zoti Bushati nuk ju fut më kot me hyxhym riorganizimit të shkencës dhe nuk punoi më kot nja ca vjet si rrogëtar i Akademisë, po të mos kishte shpresë të dilte në krye të saj. Aferim!

Veçse është e turpshme që në Shqipërinë e shekullit të 21-të, në krye të kësaj palo akademie janë ca lapangjozë që nuk u vijnë as te maja e gishtit mjaft prej atyre që kishte vënë Enver Hoxha në krye të akademisë së vet, që ndonse qenë gojëzënë e s’thoshin dot atë që mendonin, qenë të nderuar edhe në botë në fushat përkatëse të shkencave të tyre.

Në riorganizimin e fundit veç ca figurave të njohura si Agolli e Kadare, na futën në Akademi edhe ca shkrimtarë e poetë të tjerë si Kongoli e Spahiu. Po këta përse janë? Për shkencë? Po të jetë se janë për art, akademia duhet të quhet Akademi e Shkencave dhe Arteve që gjë nuk është quajtur. Një mishmash që s’e merr vesh qëni të zotin.

Por kjo gjë nuk po ndodh vetëm me Akademinë e Shkencave në Shqipëri. Vini re çfar “vlerash” po dalin në krye të universiteteve. Dhori Kule, një ish politikan i paskrupull që nuk gjeti më vend në politikë, ju turr me rradhë karrigeve të dekanit e rektorit dhe me një kurrikulum fare ordiner e mediokër për një shkencëtar e profesor të ekonomisë, mbretëron mbi arsimin universitar shqiptar. E vetmja gjë që thonë se bën mirë është ndarja e parave nga konkurset e pranimit dhe vendet e punës.

Nuk është e rastit që organizimet shkencore shqiptare më me vlerë sot po bëhen e zhvillohen jashtë vendit. Mjafton të përmendim AlbShkencën, që po kthehet në një organizatë të fuqishme shkencore me mjaft shkencëtarë të rinj shqiptarë që po shquhen me dinjitet në fushat e tyre përkrah shkencëtarëve më të mirë të botës. Vënë pranë saj, Akademia Shqiptare e sotme e shkencave mban erë myk e kutërbon mediokritet.

Po a mund të bëjë ndryshe zhvillimi i shkencës në Shqipëri? A mund të ndahet zhvillimi i saj nga zhvillimi i jetës së vendit? Kush ja ka ngenë asaj në këtë qerrata vend? Përveç ca posteve, ca rrogave e ca pensioneve që zhvaten prej saj, askush nuk është i interesuar tamam e siç duhet për të. Qeveria e politikanët kanë hyxhyme të tjera. Është koha e Hyxhymit të madh.

y.m.

Të investosh për kulturën është të investosh për të ardhmen e shoqërisë


My Photo

YLBER MEMIA



Një shkrim i Betim Muços në Gazetën Shqiptare disa ditë më parë tërhiqte vëmendjen ndaj një pune të madhe që ka bërë me një qendër kulture një kompozitor i njohur i vendit, punë e cila nuk ka gjetur aspak ndihmën e inkurajimin e shtetit. Autori mendonte me të drejtë se shteti në Shqipëri bën pak për kulturën. Por po ta shohësh problemin më gjerë, del se shteti jo bën pak por nuk bën kurrgjë për kulturën.

Me përjashtim të disa strukturave të trashëguara nga e kaluara komuniste që mbahen ende nga shteti, nuk ka asgjë që të të bëjë të thuash se shteti financon e mbështet një kulturë të shëndetëshme e të vlefshme për njerëzit. Buxheti shqiptar për vitin 2010 kishte për ministrinë e turizmit, kulturës, rinisë e sporteve vetëm rreth 3.39 miliard lekë (ose rreth 23.64 milion euro) ose 1.4% e buxhetit total. Po të heqim mënjanë turizmin, kuptohet se ç'shumë mikroskopike mbetet vetëm për kulturën. Po këtë vit, ministria e kulturës, rinisë e sporteve e Kosovës (ku nuk hyn turizmi) kishte rreth 13.9 milion euro. Pra nga sa shihet, edhe në Kosovën me aq halle më të mëdha se Shqipëria, investohet më shumë për kulturën.

Pa u zgjatur shumë, për vitin 2007, vetëm Kenedi Center në Uashington DC, SHBA, kishte 38.71 milion USD nga buxheti i shtetit (pa llogaritur donacionet private).

Në Shqipëri financohen nga shteti (edhe këto me pikatore) vetëm ca festivale e organizime që bëhen për t'i treguar botës se sa bën vendi për kulturën, ca struktura si RTV shtetërore, Opera e Baleti, Teatri Kombëtar, Qendra e Filmit, Muzeu Kombëtar etj. Por vallë vetëm këto përbëjnë kulturën e një vendi? Dikush mund të thotë se kultura financohet edhe nga qeverisja lokale. Po a ja merr mendja ndokujt se mund të japin për kulturën buxhetet xhepashpuar lokalë?

Regjimi hoxhist-ramizist kishte mbjellë si kërpudhat nëpër fshatra ato që quheshin vatra kulture. Kishte nga një sallë kinemaje në çdo qytet apo qytezë, kishte biblioteka nëpër lagje. Në kuadrin e izolimit të plotë nga bota, ato i duheshin regjimit për të formuar njeriun e ri komunist. Ishin ashtu sië ishin, për faqe të zezë por tani nuk janë fare. Sot ato duhet të qenë zëvendësuar me salla kompjuterash e interneti, me vende të vogla e të mëdha ku të bëhej muzikë e të luheshin lojra, me biblioteka e cyberbiblioteka, me muzera e ekspozita arti e njohurish.

Ndërtimet e reja pa kriter e me lakminë e fitimit kanë gëlltitur e gëlltisin çdo pëllëmbë hapësire dhe nuk lënë vend fare për kulturën, dëfrimin, shlodhjen qoftë të rinisë qoftë të të moshuarve. Ç'u mbetet njerëzve? Vetëm televizori, përpara të cilit ulen e mpijnë mendjen që të harrojnë hallet e ditës. Por edhe ato zhurmojnë e ulërijnë budallallëqe e komercializma dhe t'i ngatërrojnë më keq trutë me politikë, politikë, politikë, me muzikë koti, kitche pseudoartistike e biseda e komunikime banale.

Problemi i krijimit të një shtrati të shëndetshëm kulturor është me mjaft rëndësi e urgjencë veçanërisht për rininë. Duke e lënë atë pa këtë shtrat, ajo do të gjejë të tjera "kultura" dhe do të bëhet pre e parazitizmit, drogës, zvetënimit dhe e krimit. Shumë mirë që në Shqipëri bëhen rrugë, shumë mirë që bëhen hidrocentrale por shumë keq që nuk investohet më shumë për kulturën e cila nuk është një gjë abstrakte por ka të bëjë me të ardhmen e shoqërisë. Ajo e manifeston veten në sjelljen e përditëshme, në punë, familje, veprimtari e sjellje, në mendimin shkencor e krijimin artistik, në ndërgjegjen e vetëkontrollin e njeriut, në çfardo marrëdhënie me të tjerët, në shoqëri, miqësi e dashuri.

Askush nuk lind i kulturuar. I kulturuar bëhesh nëpërmjet edukimit dhe një procesi të gjatë që vazhdon tërë jetën. Pra është shoqëria që ka për detyrë ta vërë individin në udhën e shtratin e kulturës. Dhe është shteti ai që duhet të gjejë më shumë mundësi e fonde për këtë qëllim. Njeriu i kulturuar është në interesin e shtetit e shoqërisë. Ai e kupton e ndërton marrëdhënie më të mira me shtetin se sa njeriu i pakulturë. I kulturuari bëhet partner i ndërgjegjshëm i shtetit në ndërtimin e një jete më të mirë, i pakulturuari kërkon vetëm ta vjedhë e të përfitojë nga shteti, të marrë e të mos japë.

Mendoni një Tiranë tjetër, me më pakë sorollatje të kota e kafene e klube të shumtë ku konsumohen kafe e alkohol por me më shumë salla leximi e interneti, salla shfaqjesh e lojrash. kurse gjuhësh të huaja. kurse vallzimi, klube shahu e arti, vende të vërteta ku të lozin fëmijët dhe ku të kalojnë kohën pleqtë. Shumë nga këto do t'i bëjnë me kohë sipërmarrësit privatë se shteti as që do t'ja dijë. Por është në të mirën e tij, të shtetit pra, t'i ndihmojë këto sipërmarrje dhe kur nuk financon direkt për to.

Ashtu sic janë ngritur televizionet e kinematë private, do të ngrihen në Shqipëri edhe muze private, teatro private e objekte të tjera kulturore që bashkojnë frymën e biznesit me idealin kulturor por shteti është koordinatori i madh e i pazëvëndësueshëm këtu për të mbështetur e orientuar këto nisma. Në vendet e përparuara asnjëherë nuk jepen leje ndërtimi për komplekse të mëdha pa parashikuar e detyruar ndërtuesin të marrë përsipër ndërtimin brenda tyre të objekteve social-kulturore.

Biznesmenë të fuqishëm bëhen në këtë mënyrë partnerë me shtetin jo vetëm në zhvillimin e mbarë shoqërisë por edhe në krijimin e një klime kulture që do ta shpinte më përpara këtë shoqëri. Janë ata që financojnë e mbështesin bashkë me shtetin teatrot e qendrat artistike, muzeumet e bibliotekat, memorialet e qendrat rekreative të komuniteteve. Kjo praktikë është ende e huaj për biznesmentë shqiptarë të cilët duhet ta mendojnë e ta vënë atë në praktikat e tyre, sepse investimi për kulturën është gjithashtu në dobi të biznesit e biznesmenëve. Një shoqëri me njerëz të kulturuar është e vetëkontrolluar, qëndron larg dhunës e jetës së kotë mbushur me qorrsokaqe njerëzore.

E pra, Shqipëria ka nevojë për shumë e shumë gjëra. Por bëni kujdes e mos e shihni kulturën si njerkë, të nderuar pushtetarë e politikanë. Bëni më shumë për të sepse do të ndiheni të shpërblyer e do të qeverisni edhe ju më lehtë e më me kulturë.

Rreth figures se Laokontit

Laokonti, Laocoonte (gre: Λαοκόων; lat: Laocoon) personazh i mitologjise greke, ishte i biri i nje te moshuari me njohur, Antenorit. Ishte nje Orakull dhe nje nga kleriket me te njohur te Apollonit.

Rreth figures se Laokontit qarkullojne legjenda te shumta po ajo me famshmja qe e prezanton me se miri historine e tij legjendare e qe njihet si version zyrtar thekson se, kur trojanet futen brenda mureve te qytetit, kalin e famshem, dhurate-simbol e grekeve per paqen e nenshkruar, Laokonti e pershkoi kalin me nje heshte mespermes e tha shprehjen e famshme “Timeo Danaos et dona ferentes” (i druhem grekeve edhe kur bejne dhurata)“. Poseidoni, qe mbante anen e grekeve e ndeshkoi Laokontin duke derguar dy gjarperinj te medhenj qe pasi dolen nga deti arriten dy bijte e tij dhe i mbeshtollen; ne ndihme te tyre erdhi Laokonti por pa sukses, gjarperinjte mbyten edhe ate dhe dy djemte e tij. Trojanet e moren kete ngjarje si nje shenje dhe vendosen qe ta fusin kalin brenda mureve te qytetit.



Laokoonti
Më shihni tek mbytem nga gjarpërinjtë
në muze të Louvrit në Madrid, Në New York
Para syve tuaj e aparate turistësh.
Qindra vjet kam që vuaj
nga që s'flas dot
Si të flas?
A mundet një nofull mermeri
të lëvizë një grimë, të korrigjojë diçka?
vini re syte e mi, te zgavrat e thella
një enigmë, si amebë të tharë atje ka.
Një të fshehtë të madhe ndrydh brënda gjoksit
para syve tuaj, në Paris, në Madrid.
Ah, do të doja dyfish të m'i shtonit,
veç sekretin e madhë të shkarkoja një ditë.
Tek më vini rrotull, unë them me vete
kaq të verbër të jeni sa të mos të ndjeni këtë,
që ky ngërç e ky ankth në qënien time
s'êshtë nga gjarpërinjtë, por nga një tjetër gjë?
Mijëra herë në mijra net e ditë
të vërtetën e frikshme përsëris pa pushim.
Me shpresën e marrë se nga kjo përsëritje
ndoshta mermeri peson një ndryshim.
Po s'ndërron ai kurrë.
Art i skulpturës
gënjeshtrën mbi të ka ngrirë përgjithnjë.
I mbërthyer në dëshminë e saj të rreme,
të vërtetën kujtoj e qaj për të.
Si çdo gjë e tmerrshme është i thjesht sekreti,
që brënda boshllëku i gjoksit mban.
Afroni, pra, kokat të dëgjoni të vërtetën,
mua s'më mbytën gjarpërinjtë por trojanët më vranë.
O, sikur të mundja gjithçka të tregoja.
Si do të ngrinit para meje si gur,
por une i dënuar mes rropamës suaj
moskokëçarëse
monologun të thurr.

Ju e dini se përpara Trojës ahere,
kali i drunjtë, dhuratë e grekëve u shfaq.
Ky kalë në dy grupe i ndau trojanët:
ta pranonin atë, ose ta flaknin sakaq.
Pajtim me armikun, ulërinin tradhtarët
mjaft më me luftë, zjarr edhe helme.
Erdhi koha që shpatat ti kthejmë në parmenda
armiqte ne miq erdh koha të kthejmë.

Në mbledhje të gjatë "pro" dhe "kundra" kalit,
unë "kundra", kryesova me tërbim.
Dhe juve ju kam thënë atëhere se hyjnit
gjarpërinjtë më dërguan si ndërshkim.
Ç'përralla kalamajsh, ç'trillim për budallenjtë
unë gjarpërinjtë do t'i mbrapsja me një shkelm.
Po ç'ti bëj fushatës së tradhëtarëve kundër meje
shantazheve, letrave anonime plot helm.
Ditë e natë e me javë polemika vazhdonte,
nga shtresat e mesme e gjer në qeveri.
Ishte vjeshtë.
Nën qiellin e hirnosur me erë
kali i drunjtë përjashta priste në shi.
Atë kalë unë i pari e kisha goditur,
ndaj,e dija, ate s'do të ma falnin përjetë.
Më në fund "vijë e butë" fiton mbi të "ashprën",
dhe ne "kokëfortët" na vunë në arrest.
Në burg, me gotën e ujit, në mesnatë
helmin na dhanë ata të pijmë
ata qe ulërinin kundër dhunës e shpatës
Që dinin të kafshonin tamam si gjarpërinjtë
Në mëngjez që pagdhirë në breg të detit
ma hodhën kufomën drejt mbi zhavor.
Rapsodet anembanë përhapën
version fals të gjarpërinjve hyjnorë.
Ky ishte mbarimi i polemikës për kalin,
ju e dini me Trojën se ç'ndodhi pastaj.
Tre mijë vjet rrjesht,
nga muzeu në muzera,
unë hamalli i mermertë, gënjeshtrën mbaj.
Tre mijë vjet...Akoma zjarret e Trojes
si floknaje e kuqe më rrinë në sy.
Po më i tmerrshëm se zjarret, kumet e vomet
ishte fundi fare,
kur u bë qetesi.
Troje e braktisur.
Gërmadhë
Hi i ftohtë
dhe poshtë ne të vdekurit shtrirë rresht.
Dhe papritur, në muzg sipër tokës se mardhur
u ndje diçka që atë çante përmes.
Ç'ishte kjo gërvimë kështu, kjo jehonë?
Vumë veshin. Kuptuam, grekët e ligj
përmbi qëndrën e qytetit me parmëndë lëronin
për të thënë se Troja përjetë vdiq.
Ja më në fund dhe parmënda e tyre.
Ah,plugu i saj si na çante më dysh!
Nga tradhëtia e Trojës, nga gjithë dhembjet,
ky kafshim i parmëndës më i hidhur ish.
T'i kthejmë shpatat më në fund në parmenda.
Kështu thërrisnin atëhere ata.
Midis fjalëve tuaja, si mallkim, si gjëmë
veshët me kapën edhe këtë hata.
Më kanë lodhur më shumë, besomëni, ca fjalë,
se kjo peshë e neveritshme gjarpërinjsh.
Ju, që gjer në hënë kini shkuar, si vallë
s'depërtoni dot deri në gjoksin tim?
Gumëzhina juaj si zhaurimë deti
më vjen nga çdo anë më përplaset në vesh,
nga copëra bisedash shumëgjuhëshe rreth meje
shqetësimet e mëdha të botës marr vesh.
Dëgjoj emra shtetesh të reja që kanë dalë,
emra kombesh e popujsh të rinj dëgjoj,
veç ai, i vjetri, i tmerrshmi kalë,
ashtu si atëhere ka mbetur njëlloj.
Prej patkonjve të tij unë rrënqethem akoma
dhe kështu në mermer i mbrojtur siç jam,
kurse ju, të panjohurit, ju prej mishi dhe kocke
vërtiteni mospërfillës nga salla në sallë.
Vërtiteni,
flisni për teatrin e për plazhet,
për gjithfare motorësh e gjithfarë qeverish,
pa ju shkuar mëndja që ai mund të shfaqet
në një ditë të rëndomtë, nje mëngjes me shi.
Ashtu si atehëre....
po mjaft,
u lodha.
Nga vërtitja juaj po më erren sytë,
nga rropama juaj veshët më gjëmojnë
në muze të Londrës në Louvre e Madrid,
në pafshi ndonjë ditë të bëhem copëra
nga marazi, siç thonë, të plas, t'ia bëj "krak"
jo kujtimet e Trojës, as gjarpërinjtë monstra,
po indiferenca juaj
do të bëhet shkak
Ismail Kadare

2014-04-07

Preludi i Pavarësisë Kombëtare, Kryengritja e Malësisë së Madhe 1911-2014,

Vilhelme Vranari Haxhiraj



Kryengritja e Malësisë së Madhe 1911 është Preludi i Pavarësisë Kombëtare
Çudi! Përse ka heshtur dhe hesht politika për këtë ngjarje të madhe historike?!
Aty ku lindi besa dhe mirësia, po aty jeton atdhetarizmi, trimëria dhe shqiptaria.
U mbushën 103 vjet nga ngritja e falmurit në Deçiç nga heroi legjendë Ded Gjo Luli

Përse qarqet politike shqiptare janë heshtur në 100 vjetorin dhe po heshtin për këtë ngjarje kaq të madhe, që ishte embrioni që lindi nga fara e hedhur gjatë shekujve, prej të cilit aty u mbollën rrënjët e lirisë, në krahinan e Mbi Shkodrës në vitet 11910- 1912. Ishte zanafilla e kushtrimit kundlër robërisë që çoi në shpalljen e Pavarësisë Kombëtare nga Plaku i mençur Ismail Qemali.
Kur vet shqiptari harron veten, kombin, historinë e tij, të shkruar me gjak, bëmat që i dhanë një emër, bota s’e ka për gjë që ta fshijë e ta mohojë nga /në harta gjeopolitike. Mbushen ekranet, faqet e gazetave dhe revistave shqiptare me budallallëqet qesharake se “X” yll kinemaje apo muzike, u nda për të dhjetën herë me bashkëshortin se ishte homoseksual, se e tradhtoi, apo gruaja e “Y” ishte biseksuale. Të njohësh kulturën botërore është pasuri, investim intelektual, por të mbushësh programet mediatike me jetën private të vipave dhe nuk flitet për një kryengritje kaq të madhe që tronditi nga themelet Portën e lartë, Diplomacinë evropiane apo Fuqitë e Mëdha, duke e bërë Shqipërinë faktor politik, etnokulturor dhe etnëhistorik në Ballkan dhe në Evropë, për mendimin tim është e pafalshme.
Ka vetëm 8 vite që Mali i Zi fitoi Pavarësinë kombëtare duke u shkëputur nga Serbia. Pikërisht brenda kësaj kohe kaq të shkurtër, shqiptarët që jetojnë aty në trojet e tyre, trojet që u kanë lënë të parët ilir, po mbajnë gjallë gjuhën shqipe, traditën, po zhvillojnë kulturën amtare me parametra bashkëkohor, gjithmonë mbështetur mbi tabanin kombëtar. Krenar për atë që janë dhe ç’trashëgojnë, ata mbajnë lart simbolete e Kombit, si flamurin e Skënderbeut, atë flamur të kuq me shkabën dykrenare, që ngriti në Bratilë të Deçiçit, më 6 prill 1911, heroi legjendë Ded Gjo’Luli. Edhe pse përbëjnë minoritet në shtetin e ri të Malit të Zi, gjuha e tyre në familje, në rrugë është ajo shqipe. Në shkolla flitet dhe mësohet gjuha e mëmës, gjuha e bukur shqipe. Kanë gazetën e tyre shqip “Koha Javore” dhe TV “Borana”, ku shkruhet dhe flitet vetëm shqip.
*Po sjell në kujtesë 100 vjetorin...
Edhe pse mungoi politika në 100 vjetorin e kryengritjes , aty kishin ardhur nga Shqipëria (nga Muzeu historik ,Instituti i Historisë), nga Maqedonia dhe nga Kosova. Adem Jashari i kishte lënë amanet të nipit:“Murat, bir, mos e korit gjakun e 50 e ca Jasharëve dhe martirëve të Kosovës, ndaj kurrë mos mungo aty, ku të thërret zëri i tokës mëmë!”-dhe magjistri Murat Jashari, bashkë me ish deputetin Ramadan Gashi dhe miqtë e tyre, erdhën dhe nderuan kujtimin e kësaj kryengritjeje. Kleri katolik, si atëherë kur e përkrahu kryngritjen e 7 Bajrakëve, edhe kur kryengritja mbushi një shekull, nuk mungoi. Ishte i pranishëm në festë Dom Gjergj Simoni i Shkodrës, si dhe grupi artistik- filarmonia dhe baleti “Prenk Jakova”
Mungoi media shqiptare, gjithsesi, dashamirësit nga të gjitha trevat shqiptare, apo ku banohet nga shqiptarë dhe flitet gjuha shqipe, shkuan në Tuz dhe ndoqën festimet që kishin filluar për vendasit, qysh më 25 mars dhe përfunduan në datën 6 prill.Nuk mungonin as shqiptarët me banim në Sh BA, si Kol Gojçaj me banim në Miçigan, Zoti Camaj nga Hoti, po në ShBA, z. Dod i cili kishte ardhur nga vendi i demokracisë për të rindërtuar kullën e të parëve, si dhe shumë të tjerë, të cilët jo vetëm ishin të pranishëm çdo ditë, në çdo aktivitet, por për nder të Kryengritjes së vitit 1911 kontribuan financiarisht në këto aktivitete. Për nder të pranishmëve aty u dha programi artistik nga SHKA “Dedë Gjon Luli” dhe “Rapsha” nën drejtimin e Gjon Dushaj dhe Nikollë Berishaj.

Liria rrënjët i mbolli në Malësinë e Madhe dhe hodhi shtat në Vlorë më 28 Nëntor 1912.

Që të gjykojmë vlerat apo rëndësinë vendimtare të Kryengritjes së Malësisë së Madhe në përgatitjen e terrenit të vendit për Pavarësi Kombëtare, duhet më parë të dimë se në ç’rrethana lindi kryengritja e vitit 1911? Si e la kryengritja e vitit 1910 Malësinë? Cili ishte qëndrimi i Malit të Zi, Austro- Hungarisë dhe Serbisë ndaj kësaj treve shqiptare? A kishte mbështetje kjo kryengritje nga kleri katolik apo rrethet diplomatike brenda dhe jashtë vendit?
Pas pushtimit të gjatë osman gjysmë shekullor, u zgjua ndërgjegja kombëtare e shqiptarëve udhëhequr nga atdhetarët e Rilindjes Kombëtare në mërgim, e cila mori hov gradualisht . Pas kuvendesh të njëpasnjëshme krahinore, kombëtare apo ndërballkanine, u arrit në formimin e Lidhjes së Prizrenit, si formacioni i parë politik i organizuar, me atributet e Qeverisë së përkohshme. Pavarësisht nga jetëgjatësia e saj, Lidhja e Prizrenit që hodhi rrënjë në Janinë dhe u kurorëzua në Priyren, pati vlera të padiskutueshme për vendin dhe rajonin. Në këtë lëvizje mbarëkombëtare, e cila fillimisht e shkëputur apo sporadike, edhe pse zgjati 3 vjet, ishte një ngjarje që i tregoi politikës evropiane, pushtuesit dhe shqiptarëve se ne ishim në gjendje të vetëqeveriseshim dhe ta ndërton im shtetin në mënyrë të pavarur. Pra Lidhja e Prizrenit hapi perspektivën e së nesërmes, çeli rrugën e shpresës drejt Pavarësisë Kombëtare.
Kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911, pas Lidhjes së Prizrenit, është një nga ngjarjet më kryesore të periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Kjo është zanafilla ku u mbollën rrënjët e lirisë sonë kombëtare. Me këtë kryengritje u arrit një kulm pjekurie politike për kohën, pasi ajo zë një pozicion kulmor në vijimësinë e ngjarjeve kohore që do të pasojnë këtë lëvizje. Ajo përmban karakteristikat e mirëfillta të një kryengritjeje me orientim kombëtar, sepse përfshiu në qellimet e veta, një plan të mirëfilltë mbarëshqiptar. Kjo kryengritje shpërtheu në një nga rajonet më të shtypura nga pushtuesi turk, ku kontradikta themelore ashpërsohej në një besim fetar krejtësisht të ndryshëm me atë të Perandorisë Osmane. Kryengritja e 1911 e ngriti për herë të parë seriozisht çështjen shqiptare, në nivelin e një çështjeje të mirëfilltë nacionale në tryezat e diplomacisë evropiane. Shqipëria u bë e njohur si një etnitet i veçantë nacional, kulturor dhe gjeopolitik, që do të diskutohet në skenën e diplomacisë evropiane dhe ballkanike.
Me këtë ngjarje Shqipëria filloi të bënte pjesë seriozisht në rajonin ballkanik, duke e bërë veten faktor të debatueshëm mes Fuqive të Mëdha që luftuan nga fillimi i shekullit XIX e në vazhdim, mbi një bazë tashmë nacionale, ndaj një pushtuesi aziatik, që i rrezikonte identitetin etno - kulturor dhe fetar, që shkatërroi vlerat qytetare të mesjetës dhe i vuri në dyshim ekzistencen "fizike" të kombit.
Pushtimi osman shkatërroi vlerat më të mira nacional - kulturore, që evolucioni historik shumë-shekullor autokton kishte krijuar në trevat tona. Shqipëria përbënte tanimë, një entitet të qartë dhe të dallueshem nga trevat e popujt e tjerë të rajonit. Fatmirësisht ky pushtim, edhe pse pesë shekuj, nuk i eliminoi treguesit themelorë që bëjnë të dallueshëm një komb. Ndër këto elemente, rezistenca kulturore është ndër më themeloret. Kultura dalluese e një kombi ka qenë përherë baza e mëvetësimit dhe ndërgjegjësimit kombëtar. Për kohën më e spikatura ishte Malësia e Madhe, si një vatër ndërgjegjësimi kombëtar. Kurse kryengritja ishte fakti më pozitiv, që tregon formimin nacionalist antiturk të Malësisë. Kjo veti dalluese, karakteristik për popujt me ndërgjegje kombtëare të formuar në Ballkan, ishte segment i rëndësishëm i shqiptarizmës. Kjo do të jetë prova e qartësisë politike të malësorit e shqiptarit mëmëdhetar. Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës e vitit 1911, paraqitet si një shpërthim i zemëruar, i një popullsie rajonale me një pozitë politiko-nacionale, social - ekonomike dhe fetare të nënshtruar, kundër pushtuesit të atëhershëm në trevat shqiptare.
Duke nisur si një rezistencë e paorganizuar e popullatës në kushtet e dhunimeve të rënda të statusit vetqeverisës, pas ndërmarrjes luftarake të Turgut Pashës së vitit 1910, ajo do të merrte karakteristikat e një kryengritjeje të mirëfilltë me pikësynime të kristalizuara nacionale në periudhen mars-gusht 1911. Për ecjen përpara, Dedë Gjon Luli me 7 Lekët e Malësisë thirrën kuvendin e Greçës ku u drejtuan fuqive të mëdha Memorandumin e Greçës, me kërkesa të tilla që nuk u ndikuan dot as nga ndërhyrja e Malit të Zi. Edhe pse me origjinë të hershme ilire, të lidhur me krushqi ndër breza me shqiptarët, Mali i Zi kishte nisur të sllavizohej. Kjo bëri që masat popullore të emigrojnë drejt Malit të Zi, si e vetmja rrugë shpëtimi. Nga ana tjetër, Mali i Zi, shteti i ri dhe i vogël, për të forcuar identitetin e vet, shfrytëzoi çastet historike për zgjërimin territorial.
Se e çfarë kategorie është kjo kryengritja, po paraqes disa të dhëna të kohës.
Këtë na e tregon letërkëmbimi i Edith Durham-it me konsullin anglez në Trieste, Spence, që tregon qëndrim realist dhe miqësor ndaj çështjes shqiptare. Nga ana tjetër, diplomatët anglezë, përkatësisht Akers-Douglas në Cetinjë, zëvendës-konsulli Suma në Shkodër, vetë ministri i jashtëm Edward Grey, ambasadorët dhe të ngarkuarit me punë britanikë në Vjenë, Kostandinopojë, Romë, Beograd, Shën Petersburg, Berlin etj, mundësojnë të zgjerohet dhe të hidhet dritë e re, më e plotë, mbi kuadrin diplomatik të kryengritjes së Malësisë së Mbishkodrës së vitit 1911. Tashmë mund të thuhet pa frikë, ndryshoi mënyra e shqyrtimit dhe e trajtimit të çështjes shqiptare nga diplomacia ndërkombëtare. Nga ky moment çështja shqiptare do të mund të trajtohet realisht si çështje e veçantë e diplomacisë evropiane, me qëllime të qarta nacionaliste të kryengritësve malësorë, që e bënë të dallueshme Shqipërinë nga Turqia. Më me shumë* rëndësi ka madhështia e kryengritjes. Dokumentet arkivore dhe sidomos korrespondencat e gazetës "The Times" të kësaj kohe, nga Podgorica, Cetinja, Shkodra, Kostandinopoja dhe Vjena, kanë mundësuar studiuesit për të krijuar një tablo të epopesë së *Shtatë Lekëve të Malësisë, që në të vërtetë ka qenë në përmasat e një legjende. Rëndësi të veçantë kanë pasur *shkaqet e kryengritjes që nuk janë artificiale por reale, bazuar *jo në intrigat e Malit të Zi, por në *ashpërsimin e kontradiktës themelore në këtë rajon. Gjithashtu hidhet dritë e plotë mbi* rolin e madh nacionalist të klerit katolik, që u bashkua në masë me kryengritësit dhe luajti në momente të caktuara, rolin e mediatorit pro çështjes shqiptare. *Ismail Qemali, si figurë e madhe, u përfshi gjërësisht në përkrahje të Kryengritjes shqiptare të malësorëve, në orientimin e drejtë të kryengritjes, si dhe në njohjen e çështjes shqiptare nga diplomacia evropiane. *Kopja e origjinalit të Memorandumit të Greçës dhe bashkëngjitur me të, *letra drejtuar Edward Grey-it, shkruar në gjuhën frënge me dorë, dhe *vulosur me gishtërinjtë e vulat përkatëse të Ded Gjo' Lulit e 19 krerëve të tjerë të kryengritjes, duket se është një fakt i ri, që i sillet dokumentacionit të historisë kombëtare tani vonë nga Instituti i Shkodrës, më 2002 .
Kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911 është një nga ngjarjet më me rëndësi të historisë shqiptare dhe në veçanti, moment dallues i lëvizjes rilindëse në krahinën e Shkodrës.
*Shkaqet e kryengritjes ishin veprimet Turqve të Rinj në Shqipëri, që pati si pasojë pakënaqësi dhe lëvizje revolucionare në vend. Prirjet islamike dhe propaganda antikatolike e pushtuesit turk, si dhe qëndrimi jo i sinqertë i qeverisë së vilajetit të Shkodrës ndaj ngjarjeve të vitit 1910, i nxitën malësorët në një kryengritje me karakter kombëtar dhe në një lloj aleance me Malin e Zi. Të çarmatosje malësorët shqiptarë nënkuptoje afirmimin e nënshtrimit të tyre ndaj armikut shekullor, mbasi mbajtja e armëve pa iu nënshtruar kontrollit apo kufizimeve qeveritare ishte një lloj privilegji shumë i vjetër i zonave malore shqiptare. Megjithatë, mbledhja e armëve, përjashtimi nga taksat dhe nga shërbimi ushtarak i detyrueshëm, ishin vetëm shkaqe dytësore. Shkaku kryesor i kryengritjes shqiptare të vitit 1911 duhet kërkuar në bazen e zhvillimeve të përgjithshme politike, ekonomike dhe shoqërore.Gjendja e krijuar në Shqipëri, në tërësi, zgjoi dëshirat dhe vullnetin e patriotëve shqiptarë për t’i dhënë fund pushtimit osman. Kështu filluan përgatitjet për një kryengritje të përgjithshme në vitin 1911, e cila, ndryshe nga kryengritja zonale e vitit 1910, do të përfshinte të gjitha krahinat shqiptare. Krahina e Malësisë përfshihej në këtë kryengritje të përgjithshme për faktin e njohur të qënies si bërthamë ekzistente e qëndresës shqiptare, ashtu edhe për thellimin e kontradiktave themelore në këtë rajon, që nga gushti 1910, mbi bazën e një programi politik. Por organizimi mbarëkombëtar i kryengritjes së vitit 1911 ishte i një shkalle jo të kënaqshme. Nuk duhet të harrojmë shkallën e ulët kulturore-arsimore të të gjithë zonës.
Kryengritja antiosmane e vitit 1911, filloi para kohe dhe nuk mundi të përhapej në të gjithë Shqipërinë etnike.Gjithsesi ajo përbën një nga përpjekjet më të rëndësishme të shqiptarëve për të fituar autonominë.
Kryengritja e Malësisë e vitit 1911 shpërtheu në ditët e para të pranverës, e ndihmuar me armatim nga Mali i Zi (apo prej disa segmenteve politiko-ushtarake të këtij shteti), pritej edhe një ndihmë e premtuar nga ana e gjeneralit italian, Ricciotti Garibaldi. Nga ana tjetër, ata shpresuan më kot ndërhyrjejen e Perandorisë Austro-Hungareze, në rastin e ndonjë ndërlikimi të situatës së tyre ushtarake. Mali i Zi e nxiti shpërthimin e kryengritjes një javë para kohës së vendosur nga udhëheqësit shqiptarë, për qellimet e veta.
Planeve shoviniste malazeze malësorët iu përgjigjen me ngritjen e flamurit shqiptar në majen e Bratilës (Deçiç). Udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, edhe pse kryengritja nisi para kohe, nuk qëndruan duarkryq. Ata u drejtuan nëpër Evropë për përkrahje dhe ndihmë, në mënyrë që kryengritja të përfundonte me sukses dhe Europa ta njihte autonominë e Shqipërinë dhe të drejtat e saj.
Kryengritja shpërtheu me 24 mars të vitit 1911, në Malësinë e Madhe,jo si rezultat i intrigave të Malit të Zi, por si rezultat i kontradiktës politike në Shqipëri. Kjo shënon fazën e parë që pati një zhvillim të kryengritjes në të gjitha vijat e frontit. Momenti kulminant që shënon karakterin e kryengritjes është ngritja e flamurit shqiptar me 6 prill në Bratilë. Veprimet luftarake të shqiptarëve, tërhoqën vëmendjen e forcave nacionaliste shqiptare dhe të diplomacisë ndërkombëtare, e cila ishte tepër e interesuar në ruajtjen e status-quo-së politike të Perandorisë otomane. Pra mbronte interesat e Turqisë.
Shpirti i kryengritjes së vitit 1911 ishte Dedë Gjo' Luli, i njohur ndryshe edhe si "Heroi i Traboinit", një burrë energjik, me karakter të fortë, që nuk bëri kurrë asnjë lëshim në kurriz të të drejtave të malësorëve dhe të shqiptarëve. Madje edhe atëherë kur iu nënshtrua kërcënimeve nga më të rënda. Për t’i zbutur malësorët iu ofruan shuma të konsiderueshme në të holla nga Turqia ashtu dhe nga Fuqitë e huaja, por ai nuk u mposht.
Operacione turke rifilluan në shkallë të gjërë më 14 maj, pasi u erdhën përforcime ushtarake. Këtu nis faza e dytë e Kryengritjes, që zgjati deri në prag të 23 qershorit 1911. Ushtria e huaj e madhe në numër, disa herë më e madhe , bëri që forcat kryengritëse të venë në zbatim planin strategjik ushtarak. Nisën qëndresën në rajonet e vështira , të papushtueshme nga armiku.Por gjendja e krijuar pati pasoja edhe në situaten politiko- diplomatike të Ballkanit, duke i detyruar Fuqitë më të interesuara, të ndërrmarrin lëvizjet e veta që ta veçojnë çështjen shqiptare si një nga problemet më të rëndësishme të kohës për Perandorinë Osmane.
Figurave të shquara nacionaliste shqiptare, si:Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi, Ismail Qemali dhe Nikoll Ivanaj hynë në shtabet kryesore të kryengritësve dhe refugjatëve shqiptarë, mbështetja e plotë e kryengritësve nga ana e qytetarëve shkodranë në mërgim, e klerit katolik,do të kurorëzohet në Memorandumin e Greçës më 23 qershor 1911 ose "Librin e Kuq", ku u miratuan kërkesat për krijimin e një province autonome shqiptare, bashkimin e të katër vilajeteve në një të vetëm. Memorandumi i Greçës pati një rëndësi se doli nga gjiri i kryengritjes dhe pati karakter kombëtar. Kërkesa për një provincë autonome shqiptare ishte e moderuar, duke pasur parasysh se ekzistonte edhe paramendimi i një shteti autonom shqiptar, e cila ishte më e mundshme për t'u pranuar. Pati rëndësi se parandaloi në ndryshimin të status kuo-së, copëtimin e trojeve kompakte etnike shqiptare për atë kohë. Memorandumi i Greçës shndërroi dhe e zgjeroi çështjen shqiptare më 1911, nga një çështje e paqësimit të Malësorëve, në një çështje më të gjërë, kombëtare që lëvizja të shtrihej në të gjithë Shqipërinë. Qeveria turke, e frikësuar nga karakteri kombëtar i lëvizjes, nisi bisedimet me udhëheqësit e fiseve kryengritëse të Hotit, Grudës, Kelmendit, Kastratit, Shkrelit etj, duke u përpjekur që të shmangte fillimin e bisedimeve mbi bazen e Memorandumit të Greçës. Qeveria turke dhe Fuqitë e Mëdha, duke e kuptuar seriozitetin e lëvizjes dhe rëndimin e situatës vendosën të shpëtonin interesat e tyre në Ballkan, duke bërë përpjekjet për ta shuar kryengritjen sa më parë që të ishte e mundur. Fuqitë e Mëdha, mbasi Turqia pranoi të modifikonte listen e lëshimeve, vendosën që të ftonin qeverinë malazeze të këshillonte malësorët refugjatë në territorin e saj që të ktheheshin në vatrat e tyre. Në këtë mënyrë arriheshin disa qëllime të shumëfishta: ruhej integriteti territorial i Perandorisë Osmane, nyja më e rëndësishme kjo për ruajtjen e status-quo-së; Fuqitë e Mëdha përfshiheshin drejtpërdrejtë në zgjidhjen e problemit dhe në garantimin e të drejtave të dhëna malësorëve kryengritës; garantohej dhe lidhej më mirë përgjegjshmëria e Malit të Zi në zhvillimet politiko-diplomatike ndërkombëtare. Kryengritja e vitit 1911 nuk u përhap në masën e duhur dhe mbeti e kufizuar në Malësinë e Madhe. Gjithsesi pati rëndësinë e madhe historike të pakundërshtueshme ,se shërbeu si shkak i lëvizjes së përgjithshme shqiptare.Aty nisën fillimet e Kryengritjes së përgjithshme 1912, e cila u manifestua me shpalljen e Pavarësisë Kombëtare.
Në kryengritjen e Malësisë së Madhe hodhi rrënjë liria, kurse Pavarësia e shumëpritur shtatin e hodhi në Vlorë më 28 Nëntor 1912. Le të shërbejë kjo festë e përvitshme e Malësisë së Madhe si një apel për historinë, politikën dhe kulturën tonë kombëtare.

LAOKOONTI E SHQIPTARËT...

Nga Fritz RADOVANI:





LAOKOONTI

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë...


LAOKOONTI E SHQIPTARËT...

Në vitin 1962, në sallen e pikturës pranë Shtëpisë së Kulturës në Shkoder, kam vizatue koken e Laokoontit, veper e skulptorit madh Mikelangjelo...
Ishte 50 vjetori i Pavarsisë së Shqipnisë.
Edhe pse gjarpni e kishte kafshue Shqipninë që në vitin 1468...
Na dukej se në vitin 1912, kishim fitue dishka... Sikur, dervishët na e kishin largue friken.
Kjo statujë, sikur, na e kthjelloi shikimin dhe mendimin e turbulltë... Ishim të rijë...
Që në vitin 1944, Shqipnia vazhdonte me kenë e lidhun nga një gjarpen i mnershem dhe i pakrahasueshem në Shekullin e XX, me asnjë tjeter që kishte lidhë dhe kafshonte perditë Popullin e vet, ku dhimbja dhe helmi depertonin në krejt trupin e çveshun të Shqiptarit...
Gati askush nuk e dallonte koken e tij të maskueme me “Yllin e kuq” që ushqehej me gjak Atdhetarësh, e vazhdonte me kafshue dhe me helmatisë Rininë Shqiptare.
Ata baballarë që ishin të lidhun prej tij do të shihnin me sytë e tyne edhe trashigimtarët e vet, pa asnjë shpresë shpëtimi nga kafshimi i këtij perbindshi me pamje gjarpni...
Gjarpni nuk falë as nuk dihet se ndonjëherë asht tregue i mëshirshëm...
Podrume, biruca, qeli, lagështinë, uri, errësinë, etje, ndytsinë, pisllek, torturë, rrahje, thyemje kockash, djegëje syshë me cigare, vezë të zieme nenstjetulla, mace të egersueme nder thasë, tredhje organesh gjenitale, perdhunime vajzash nder sytë e baballarëve të vet,
gra të lidhuna nder sy të burrave, burra të vuem në hell, e vllau tue dishmue per vllaun... Të gjithë të lidhun prej një gjarpni që quhej Enver Hoxha në mënyren ma mizore e që, me helmin e tij “lufta e kllasave”, shkatrroi Atdheun, Shqiptarin, Virtytet dhe Fenë e Tij.
Besa, Burrnia dhe Bujaria e trashigueme nder shekuj... u shue me helmin anadollak...
Çapini shovenist sllavokomunist ushqente me helmin vllavrasës gjarpnin e kobren...
Populli Shqiptar nder shekuj i robnuem dhe i coptuem copa copa, duhej perça e robnue ashtusi persa shekuj vepruen pushtuesit turq me veglat e tyne tradhëtare anadollake.
E gjarpni ngopej e knaqej tue pa një Popull në dhimbje, vorfni e pashpresë shpetimi...
Mbi 50.000 Shqiptarë, i mbyti me helmin e tij... E virrmat e Tyne humben nder labirintet e podrumet e golleve të hapuna nga gjarpni per 47 vjet, pa asnjë minut dritë në Shqipni.
Mbi 500.000 Shqiptarë, nder kampe pune, ferma e minjera...leckoheshin perditë në trup dhe në Shpirtë, per me knaqë epshet e gjarpnit dhe kobres që lëshonin vezë e jarg helmi.
E zemra e gjarpnit me “Urdhën nga Naltë”, njëditë... do të plaste... me 11 prill 1985...
“Amaneti” i sulltanit per Shqipninë e Gjergj Kastriotit ishte: “Të bie shehadet per veprat që ka bërë në jetë kundër Allahut! Këte e ka dhe Kur’ani, që është shumë më i përparuar dhe më njerëzor se Bibla, dhe si përfundim: Shqiptarët duhet t’i pershtatën atij.” (E.Hoxha, “Shënime për Lindjen e Mesme” 1958 – 1983. Botue Tiranë, 1985.)

Melbourne, 2014.

Administrata e Trump-it ofroi një mundësi, por jo një zgjidhje për problemet që ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë

  Search inside image Akademik  Mehdi Hyseni,PHD Profesor Dr. Mehdi Hyseni  , është Doktor i Marrëdhënieve Politike Ndërkombëtare dhe Bashkë...