Agjencioni floripress.blogspot.com
2014/04/08
Koha e Hyxhymit dhe shkenca në Shqipëri
Vjen një kohë për njeriun e aftë që lodhet e mërzitet nga një realitet që s’pyet e s’do t’ja dijë për përpjekjet e tij. Vjen një kohë që pasioni për punën i nxihet si një rulon filmi i hapur në diell dhe ai hiqet mënjanë i zhgënjyer dhe e shtyn jetën me gjëra të tjera më pak të rëndësishme. Kjo është koha kur mediokrit ngazëllehen, dalin nga skutat e anonimitetit dhe lëvrijnë plot energji e bërtasin “Hyxhym! Përpara për fitorje të reja!” Ka ardhur ora e tyre: koha e mediokrëve.
Ky skenar po ndodh me shkencën shqiptare, ashtu si me shumë fusha të tjera të jetës së këtij vendi që nuk i kanë munguar kurrë njerëzit e aftë e të zotë. Por veçse po t’i hidhni një sy tërë kulturës e dijenisë shqiptare në kohra, do të vini re se më të shquarit e saj kanë shkëlqyer më shumë jashtë vendit se sa brenda tij. Atje ata kanë gjetur kushte më të mira për punën e tyre, larg meskiniteteve e zilirave shqiptare, larg kurtheve politike dhe intrigave e nënështrimit ideologjik asfiksues të periudhave të ndryshme.
Regjimit komunist të Enver Hoxhës i duhej si fasadë një Akademi e Shkencave të cilën e ngriti në vitin 1972. Në përbërje të saj u përfshinë figura të shquara të shkencës shqiptare të asaj kohe, shumica me studime të larta të kryera jashtë vendit por që diktatura komuniste nuk i lejoi kurrë të shpalosnin vokacionet e aftësitë e tyre më të mira mishëruar në punën e mirëfilltë shkencore.
Në krye të viteve 1990, Akademia e Shkencave ashtu si e gjithë jeta e vendit u përfshi në reforma të vrullshme të projektuara më së shumti pa largpamësi e të zbatuara nga njerëz arrivistë që rrëmbyen lugët (apo garushdet) dhe ju turrën detit që ishte bërë kos. Veprimi më i shëmtuar për shkencën në qeverinë e parë demokratike dhe “peshqeshi” për mediokrit i Komitetit të Shkencave të asaj kohe me Z. Maksim Konomi në krye, ishte prishja e sistemit të gradave shkencore me dy shkallë dhe njësimi e kthimi i ish Kandidatëve të Shkencave, në Doktorë të Shkencave. Ky vendim i hapi rrugë vërshimit të papërmbajtshëm, të “Doktorëve” të shkencës që u bënë shpejt e shpejt “Profesorë“. Llogaritet se nga doktorët e profesorët e sotëm të shumtë që ka Shqipëria, mbi 95% ose kanë mbrojtur vetëm gradën e Kandidatit të Shkencave, që atë kohë ka qenë një normë e detyruar për të gjithë punonjësit kërkimorë-shkencorë dhe si shkallë e parë e kualifikimit shkencor, pa shumë pretendime për prurje origjinale, ose mbrojtën pas këtij vendimi vetëm një gradë të vetme dhe u bënë “Doktorë”.
Shkenca shqiptare njohu pas kësaj një serë ligjesh e kundraligjesh, statutesh e kundërstatutesh të miratuara e hedhura poshtë sipas rradhës së ardhjes në pushtet të demokratëve apo socialistëve. Vetë Akademia e Shkencave dhe të gjithë strukturat shkencore të vendit u politizuan dhe në krye të tyre u vunë militantë (ose xhaketa të vjetra ish komuniste, ose demokratë dalë nga anonimati). Flamurtarë dhe oligarkë të riorganizimit të të gjithë shkencës së vendit u bënë ca kuadro të shkencave bujqësore si Gjongecaj në vitet 1990 dhe Tafaj në vitet 2000.
Me riorganizmin e fundit, institucionet shkencore pothuajse morën fund duke u hequr nga vartësia e Akademisë së Shkencave dhe duke u bashkëngjitur tek Universitetet sipas ca kritereve të dyshimta e kaotike. Ishte e padyshimtë që këto institucione duhej të riorganizoheshin dhe kërkimi shkencor në Shqipëri duhej vënë në binarë të mbarë, por jo kësisoj siç i thonë: prish poçe e bëj kënaçe. Po të bisedosh me kuadrot e këtyre institucioneve, të gjithë të ankohen nën zë për humbjet e arkivave, prishjes së bibliotekave dhe shpërfilljes së kërkimit shkencor në vite, për shkarkimet nga puna dhe emërimet e reja pa kurrfarë kriteri veç atij partiak.
Dhe me që është koha e Hyxhymit, mediokrit nxorrën nga brezi lugët e mëdha (ose garuzhdet) dhe u turrën përsëri. U turrën drejt marrjes së gradave të larta doktorë e profesorë. Në qeverinë e sotme shqiptare më shumë se gjysma janë doktorë e profesorë. Po të shikonte e dëgjonte kaq shumë tituj shkencore Prof. Dr. deri tek kryeministri e presidenti, një alien i ardhur nga përtejbota, pasi t’i spjegoheshin se ç’ishin ato, do të thoshte se ky është vendi më frutdhënës për shkencën në gjithësi.
Ashtu siç është sot një biznes i leverdisshëm të bëhesh deputet, ashtu u zbulua si biznes edhe të qënët akademik. O burra pra të zëmë listat e të luftojmë për pensionet e akademikëve se tjetër gjë nuk na mbeti. Dhe na del në krye të Akademisë së Shkencave një farë peshëngritësi si Gudar Beqiraj, i aftë sigurisht për pesha të rënda e shkenca të lehta, së bashku me një aradhë mediokrish të tjerë ku rrallë spikat ndonjë shkencëtar i vërtetë që t’i vësh gishtin. Klikoni në Google Scholar emrin e kryetarit të ri të Akademisë së Shkencave dhe do të gjeni vetëm dy raporte informative. Asnjë punim shkencor.
Ky matematicien “i shquar” është përgjegjës për prishjen (jo tani që u bë riorganizimi, por me kohë përpara) të Institutit të Informatikës. Për vite me rradhë ky institut i kthyer në një ndërmarrje me drejtor Z. Beqiraj, mikun e patundur të ish kryeministrit Meksi por jo më pak edhe të kryeministrave të tjerë peshëngritës, ndihmoi të bëheshin kadastrat e Italisë nëpërmjet ca projekteve të dyshimta ku përfitonin personalisht si Z. Beqiraj dhe sipërmarrësit italianë.
Një tjetër “akademik” del në krye të kryesisë: Salvador Bushati, gjeofizik. Sikur dalin nga nëntoka këta akademikë. A thua se kontributin më të madh Shqipëria e paska në shkencat e natyrës që të ketë në krye matematicienë e gjeofizikë. Por zoti Bushati nuk ju fut më kot me hyxhym riorganizimit të shkencës dhe nuk punoi më kot nja ca vjet si rrogëtar i Akademisë, po të mos kishte shpresë të dilte në krye të saj. Aferim!
Veçse është e turpshme që në Shqipërinë e shekullit të 21-të, në krye të kësaj palo akademie janë ca lapangjozë që nuk u vijnë as te maja e gishtit mjaft prej atyre që kishte vënë Enver Hoxha në krye të akademisë së vet, që ndonse qenë gojëzënë e s’thoshin dot atë që mendonin, qenë të nderuar edhe në botë në fushat përkatëse të shkencave të tyre.
Në riorganizimin e fundit veç ca figurave të njohura si Agolli e Kadare, na futën në Akademi edhe ca shkrimtarë e poetë të tjerë si Kongoli e Spahiu. Po këta përse janë? Për shkencë? Po të jetë se janë për art, akademia duhet të quhet Akademi e Shkencave dhe Arteve që gjë nuk është quajtur. Një mishmash që s’e merr vesh qëni të zotin.
Por kjo gjë nuk po ndodh vetëm me Akademinë e Shkencave në Shqipëri. Vini re çfar “vlerash” po dalin në krye të universiteteve. Dhori Kule, një ish politikan i paskrupull që nuk gjeti më vend në politikë, ju turr me rradhë karrigeve të dekanit e rektorit dhe me një kurrikulum fare ordiner e mediokër për një shkencëtar e profesor të ekonomisë, mbretëron mbi arsimin universitar shqiptar. E vetmja gjë që thonë se bën mirë është ndarja e parave nga konkurset e pranimit dhe vendet e punës.
Nuk është e rastit që organizimet shkencore shqiptare më me vlerë sot po bëhen e zhvillohen jashtë vendit. Mjafton të përmendim AlbShkencën, që po kthehet në një organizatë të fuqishme shkencore me mjaft shkencëtarë të rinj shqiptarë që po shquhen me dinjitet në fushat e tyre përkrah shkencëtarëve më të mirë të botës. Vënë pranë saj, Akademia Shqiptare e sotme e shkencave mban erë myk e kutërbon mediokritet.
Po a mund të bëjë ndryshe zhvillimi i shkencës në Shqipëri? A mund të ndahet zhvillimi i saj nga zhvillimi i jetës së vendit? Kush ja ka ngenë asaj në këtë qerrata vend? Përveç ca posteve, ca rrogave e ca pensioneve që zhvaten prej saj, askush nuk është i interesuar tamam e siç duhet për të. Qeveria e politikanët kanë hyxhyme të tjera. Është koha e Hyxhymit të madh.
y.m.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
Bashkimi Evropian ka hequr disa prej masave ndaj Kosovës
Bashkimi Evropian ka hequr disa prej masave ndaj Kosovës, sipas një letre të drejtorit të përgjithshëm për zgjerim të BE-së, Gert Jan Koopma...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Search inside image Shkruan Akademik prof.dr.Flori Bruqi, PHD Search inside image Pak biografi për t’mos ju ardhtë mërzi…. Search inside ...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
Kërko brenda në imazh Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme Haki Taha, u lind n...
-
Shkruan Akademik Flori Bruqi, PHD. Në historinë e popujve të Evropës, vështirë se mund të gjendet ndonjë popull që...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...
-
Organizatorët e protestave antiqeveritare në Serbi kërkuan nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që të paraqesë planin e tij për Kosovën ...
-
Shkruan Akademik Prof. Dr. Flori Bruqi, PHD AAAS. Në Arkivin Qendror të Shtetit, Tiranë, në Fondin 144 – Koleksioni i hartav...
-
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...
-
Kush është Koço Kokëdhima ? Koço Kokëdhima nga Qeparoi i Himarës është njëri ndër biznesmenët më të pasur dhe të suksesshëm në...
No comments:
Post a Comment