2014-04-23

Nga Fatmir Terziu - Me ty baba, çdo çast vjen drita


image

(Babait tim të dashur Dail Terziu në ditëlindjen e tij)





Rruga nga shtëpia deri tek kafeneja e Teatrit “Skampa”
është rruga e mëngjeseve të tua. Doktori
më i kualifikuar për shëndetin tënd baba...

Sa herë që dëgjoj pas telefonit, hapat e tua në rrugë
dhe ndjej zhurmën e makinave,
ndjej ecjen tënde,
perceptoj qytetin që lëviz, ndaj bëhem erë
se e di edhe ti je nisur drejt kafenesë,
e di që je më mirë.

Të shoh Ty baba, shoh qytetin që më pas më duket,
si një kompozim i bardhë dhe fluror resh.

Hapësirave pa fund dixhitale, pastaj,
hapësirave gri që shtrojnë qilimin e mallit,
hapësirave të murmurta të përshpirtjes për së gjalli,
u largoj astarin e lotëve dhe gjuhën jeremçe
është urimi i ditëlindjes për babanë e dashur nga djali,
përmalluar nga kujtimi i një jete.

Urimi i ditëlindjes tënde baba është këngë në korr...
vitet e tua plot vrull, me djem e vajza, nipër e mbesa shumë,
ndër sy ta sjellin nga larg si në një ekran
rruga të hapet dhe bëhesh më i fortë se kurrë,
kur dëgjon ‘Ky urim është për gjyshin, babanë!”.

E di baba, je kaq i lumtur këtë çast,
qesh dhe thërret nga rruga, shtëpia, kafeneja
je tejpërtej i përshkueshëm nga lumturia,
tejpërtej i ndjeshëm je nga gëzimi që dëgjon zërra dhe sheh fytyra,
ja qyteti u zgjua, festohet ditëlindja,
me ty baba, çdo çast vjen drita.  

Cingërrimë përmallimi

Jam duke rrëkëllyer gllënkën e parë të kafes,
teksa cingërron celulari im.
Ndihet drithërima. Pastaj një melodi. Është një këngë mërgimi,
e zgjedhur nga qindra të tjera,
dhe ashtu me sytë nga numri në ekran,
më duket se ndjej babanë,
teksa lëviz gishtat e tij të rrudhur,
e zërri pastaj ma sjell pranë.

Sy, veshë e buzë bëhen palë për një çast
pranë celularit. ‘Mbrëmë nuk na telefonuat’.
‘U bëmë merak’. ‘Unë dhe mamaja
nuk fjetëm gjumë’. ‘Na mbytën ëndrrat.’
‘Fëmijët si janë?’ Dhe lotët bëjnë punën e tyre...

Celulari oshëtinte në kafenenë zhurmëplot
në zemër të Londrës,
si për ta fshehur syrin e përmallur që derdh lotët
në sy të botës.

Janë lotë të një kohe tjetër,
pa sofër të shtruar në mes të shtëpisë, pa nënën, pa babanë;
ç’mungonte nga melodia e këngës së mërgimit, tani
loti e tejçon matanë.

Më përhumbi gllënka e fundit e kafesë, mes Londrës...
Kur papritur dëgjova një zë si shkrepëtimë nga qielli:
-          Babai? Është mirë, të bën të fala...
... dje piva kafenë me të tek Kalaja.

No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...