Tetë vejt më parë, saktësisht më 12 prill të vitit 2006, ish-kreytari i bashkisë së Tiranës dhe aktualisht kryeministri i Republikës së Shqipërisë Edi Rama i dorëzoi çelësin e Tiranës dhe e shpalli qytetar nderi rokerin nacionalist serb Goran Bregoviqin.
Tetë vjet më pas Televizioni Klan ka ftuar këngëtarin serb Zdravko Qoliq që të marrë pjesë në festivalin tradicional “Kënga ime”. Madje vetë Zdravko Çoliq para disa dite çmendi një sallë njerëz në ‘’TV Klan’’ dhe ndezi opinionin publik, duke e ndarë në dysh, pro dhe koftra.
Të gjitha këto ngjarje më tepër se sa kulturore e muzikore janë bërë “prapa shpinës” së Kosovës. Madje solistë nga Kosova të cilët ishin përzgjedhur për të kënduar në festivalin “Kënga ime” të TV Klanit kanë paralajmëruar se do të bojkotojnë këtë festival për shkak të pjesëmarrjes së këngëtarit serb Zdravko Qoliq.
Kjo “urë kulturore” në mes të Tiranës e Beogradit i ka hapur “plagët” e pashëruara të shqiptarëve të Kosovës të cilët ia ka shkaktuar regjimi serb i Beogradit, e për të cilat, këngëtarët serbe u kanë thurur himne muzikore krimeve të serbëve në Kosovës dhe kriminelëve serbë që bënë krime ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Dikush mund të thotë se lufta ka përfunduar apo se Serbia e Shqipëria nuk kanë qenë në luftë mes vete!
Kjo arsyetim është më tepër se sa imitues, është tmerrësisht ofendues!
Shqiptarët e Kosovës janë një komb me shqiptarët e Shqipërisë. Kanë një gjuhë, një kulturë dhe një gjak!
Këngëtarët serbë jo që nuk kanë kërkuar falje, por kanë kënduar himne serbe për “luftën e shenjtë serbe” në Kosovë!
Prandaj...
Si mund të shpallet qytetar nderi i kryeqyteti të Shqipërisë, Tiranës, një këngëtar shovinist serb?
Si mund të ftohet në një festival gjithëshqiptar një këngëtar nacionalist serb?
Në vitin 2006, Goran Bregovici i ekzaltoi shqiptarët midis Tirane. Sot të njëjtën e bëri Zdravko Colici, në festivalin “Kënga ime”, në TV Klan.
Ai këndoi dy këngë i shoqëruar nën brohoritje, duartrokitje frenetike të publikut “korrekt” shqiptar. Të gjithë ata qëndronin në këmbë. Pamje “madhështore”!
Për të qarë.
Aty madje u dëgjua një rrëfim “prekës”: “Një këngëtar nga Korça, donte dikur, në kohën e komunizmit, të ikte në Jugosllavi për ta ndjekur një koncert të Zdravko Colicit”.
Teksa Colici e përfundoi performancën e tij, publiku u ngrit e kërkonte “repete”. Ndërsa, moderatorja që për pak nuk i ngjit për të, pëshpëriste ritmin e këngës “Pjevam danju, pjevam nocu”, me tekst të Branko Radicevicit, shokut të Vuk Stefanovic Karadzicit, poetëve kryesorë të romantizmit serb.
Të kthehemi te Bregovici. Derisa ky më 2006 nuk guxonte të kthehej në vendlindjen e tij në Sarajevë, kryeministri i tanishëm i Shqipërisë, atëherë kryetar i kryeqytetit, Edi Rama, ia jep Çelësin e Tiranës. Bregovici ishte shok i Radovan Karadzicit dhe Rajko Petrov Nogos. Ishte po ashtu dhe është mik i regjisorit antishqiptar Emir Kusturica, me të cilin punonin filma që planifikoheshin nga shefi i propagandës së Slobodan Milosevicit.
Në Tiranë ai i “çmend” shqiptarët me këngën “Kallashnikov”. Këtë këngë e ka kënduar ai edhe gjatë ardhjes në pushtet në Serbi të antishqiptarit tjetër, Vojislav Kostunica.
Ndërsa, pas tij, Tirana me dashurinë më të madhe, më 2007, e ftoi Momcilo Bajagic Bajagën.
Derisa më 28 mars të vitit 1999, kolonat kilometrike të shqiptarëve të deportuar të Kosovës, presin ditë të tëra në kufi me Maqedoninë dhe Shqipërinë, pa ditur nëse do të shpëtojnë dhe nëse do t’i shohin ndonjëherë anëtarët tjerë të familjes; përderisa të tjerët përjetonin tmerrin, të njëjtën ditë ky Bajaga me “yjet” tjera të muzikës serbe mbajnë koncert në sheshin kryesor të Beogradit ku këndojnë këngën: “Samo Sloga Srbina Spasava” (Vetëm uniteti e shpëton serbin). Ky titull - që është slogani nacional serb, i pranishëm në formën e 4 S-ve në simbolet e tyre kombëtare - është himni i cili i bashkonte serbët në luftërat që një shekull të tërë terrorizonin popujt e Ballkanit.
“Festim i frikshëm”. Kështu e cilësoi këtë koncert gazeta prestigjioze amerikane, “New York Times”.
Colici ka bashkëpunuar shumë herë me Bregovicin. Kurrë Colici nuk e ka thënë një fjalë dhembje për vuajtjet e shqiptarëve në Kosovë. Ai, kur Jugosllavia ishte në flakë, dhe i njëjti fat e priste Kosovën, karrierën e vazhdonte në Beograd.
Frustrimet e shqiptarëve të Kosovës me Bregovica, Bajaga e Colica në Shqipëri me siguri perceptohen në suazat e stereotipeve të gjoja një xhelozie ndaj Shqipërisë dhe kosmopolitanizmit të saj. Por, nuk ka këtu kurrfarë xhelozie. Në Kosovë, rock-bendet formohen që nga viti 1967. Kosova i kishte instrumentistët më të mirë, e edhe disa nga bendet dhe krijuesit më avangardë; kishte rock-skenën e saj, origjinale dhe të barabartë me të tjerat në ish-Jugosllavi, të cilën fatkeqësisht Shqipëria sot nuk është e interesuar ta njohë.
Madje, kujtojmë që në Pejë në kulmin e karrierës së tij e kanë larguar nga koncerti.
Pastaj, edhe Bregovici e edhe Colici ishin plagjiatorë. Mos të harrojmë që një ndër hitet e para të Coliciti, “Oktobar je, pocinje sezona kisa”, ishte ashiqare e vjedhur nga kënga “Hold the Line” e grupit Toto.
Sidoqoftë, dikush do të thoshte se nuk bën të ngatërrohet politika me artin. Por shumë do të dëshironim të shihnim se si do të “mirëpritej” një shqiptar duke kënduar shqip në Beograd.
Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, këngëtari serb Zdravko Colic, vizitoi edhe lokalin që mban emrin e tij.
Menaxheri i tij, Raka Maric, thotë se ishte i befasuar kur e dërguan në barin “Zdravko”.
“Pronari tha se ia la këtë emër për nderë të Zdravko Colicit, dhe kjo tregon se sa shumë e adhurojnë këtu”, ka thënë Raka për Blic.
Mos të harrojmë se në 15 vjetorin e tmerreve që kanë ndodhur në Kosovë, ndër të tjera edhe të eksodit - për çka qeveritë shqiptare takohen në Kukës (kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si kryetari i Tiranës ia kishte dhënë çelësin e qytetit Goran Bregovicit) - Zdravko Colic shkakton histeri në festivalin “Kënga ime” në TV Klan. Madje, moderatori i këtij festivali, Pandi Laço, thotë se ky titull është vënë sipas një kënge të Zdravkos.
Dhe, Zdravko tash planifikon të mbajë koncerte në Tiranë e në Shkodër. Vendi i tij i preferuar për koncert në Tiranë është: te pallati ku ka performuar Bregovici, aty ku publiku u ngrit në këmbë me “Kallashnikov”!
Më poshtë e keni të përkthyer një pjesë të biografisë së tij në Wikipedia, në gjuhën serbe, që flet edhe për vitin 1999 dhe bombardimet e NATO-s.Përkthimi do të jetë pa ndryshime të përmbajtjes.
“Me fillimin e luftës civile në ish Bosnje dhe Hercegovinë më 1992, Zdravko në Beograd i dërgon prindërit, babanë Vladimirin dhe nënën Stana. Në Beogradi i jeton edhe vëllai, Dragani, me familje. Në mesin e viteve ’90 ai kryqëzohet në kishën e Saborit në Beograd, ndërsa është i njohur si fetar dhe humanist i madh. Me para ndihmon Kishën Ortodokse Serbe, dhe shumë aktivitete tjera humanitare. Ai është pacifist dhe ka performuar dy herë pjesë gjatë agresionit të NATO-së në Bashkimin e Republikave të Jugosllavisë më 1999. Ka kënduar në urën e Brankut në Beograd, si dhe në Sheshin e Republikës, bashkë me Dorde Balasevicim dhe shumë artistë tjerë serbë dhe botërore që i dhanë mbështetje popullit serb në luftën e pabarabartë me Paktin NATO”, thuhet në atë biografi.