2014-04-09

Teoria psikoanalitike e Zigmund Frojdit dhe roli i saj në jetën shoqërore




Nga dr. Arqile Boti

Nga fillimet e shekullit të 20 del në skenë një teori e re në psikologji dhe pikërisht teoria psiko-analitike e Zigmund Frojd(1856-1939).

Disa filozofë të ideologjisë marksiste-leniniste në kohën e Hoxhës kanë deklaruar që teoria e Frojdit është idealiste dhe reaksionare në tekstet universitare. Këtë surprizë do ta analizoj në rastet e mëposhtme, nëse është kështu me të vërtetë.

Kështu në aspektin fetar filozofik do t’i referohemi librit të Frojdit “Civilizimi, Burim Mjerimi”, ku në faqen 109, botim anglisht Frojdi shkruan: “Me ndihmën e të dhënave historike formulojmë mendimin që dogmat fetare janë MBETURINA NEUROTIKE dhe mund të themi se është çështje kohe që të zëvendësojmë në terapinë analitike të neurotikut sukseset e postimit me rezultat të një pune logjike ortodokse”.

Dhe më tej Frojdi vazhdon: “Feja do të ishte përgjithësisht një neurozë e përgjithshme e imponuar njerëzore dhe ashtu si ajo e fëmijës do të vinte nga kompleksi i Edipit nga lidhja me babanë. Dhe sipas Frojdit, tani jemi në një shkallë evolucioni që mund të parapërcaktojë largimin nga feja në saj të një formimi racional, intelektual, shkencor etj.

Dhe në faqen 196 të po këtij libri Frojdi shkruan: “Një psikolog që di shumë mirë se sa e vështirë është të gjejë njeriu rrugën e tij në këtë botë mundohet të gjykojë evolucionin e njerëzimit në bazë të njohurive të pakta që ka fituar në bazë të studimit të ngjarjeve të ndryshme gjatë procesit të rritjes që nga fëmijëria. Në këtë vrojtim arrin në mendimin që feja mund të krahasohet me një NEUROZË FËMINORE dhe është mjaft optimist të gjykojë se njerëzimi do të kapërcejë këtë fazë neurotike (domethënë të kalojë nga feja në ateizëm) ashtu si shumë fëmijë tejkalojnë një neurozë të ngjashme...”

Pra, nga këto të thënat e Frojdit rezulton se ai ka qenë një materialist dhe ateist konsekuent dhe është vërtetë për të vënë duart në kokë kur disa ideologë të Hoxhës e fusin në kampin e idealizmit duke pozuar një injorancë të pashembullt.

Këtë pikë unë do ta mbyll me një citat kuptimplotë që vijon: “Ashtu si Njutoni hoqi Zotin nga natyra, Darvini e hoqi nga jeta, ndërsa Frojdi e hoqi nga shpirti i njeriut. Mekanicizmi do t’i shkatërronte të gjitha, gjersa mbizotëroi në teorinë mbi natyrën dhe ku Zotin e zëvendësoi koncepti i natyrës dhe si rrjedhojë i këtij koncepti mekanicist trupi i njeriut ka ardhur nga natyra ose më saktë krijuar nga ajo, ndërsa ndërgjegjja e ka burimin nga trupi i tij (J.Barzun, Darvin, Marks, Wagner, Nju York 1958). Unë nuk kam çfarë të shtoj më tepër në këtë pikë.

Elementi qendror që përshkon teorinë psikoanalitike të Frojdit konsiston në postulatin që shumica dërrmuese e sëmundjeve neurotike dhe atyre psikike e kanë burimin në grumbullimin, në të ashtuquajturin inkoshient të përjetimeve seksuale shumë prej të cilëve që në kohën e fëmijërisë duke marrë parasysh dhe faktorin e trashëgimisë.

Kështu në librin e tij “Hyrje në psikoanalizë” Frojdi thotë në kapitullin e tretë: “Zbulimi i parë tek i cili na çon psikanaliza është që si rregull simptomat morboze ndodhen në lidhje direkte të drejtpërdrejtë me jetën erotike të të sëmurit, kjo dëshmon që dëshirat patogjene janë të një natyre me ato erotiket dhe na imponon ne që të konsiderojmë çrregullimet e jetës seksuale si shkaqet kryesore të sëmundjes...” dhe më tej po në këtë kapitull Frojdi vazhdon: “Vetëm po të zbulojë dikush ngjarjet e jetës fëminore, mundet të shpjegojë sensibilitetin tek traumat e mëvonshme dhe vetëm atëherë kur ne rikthejmë tek koshienca këto kujtime, të cilat zakonisht janë harruar ose më mirë janë fshirë nga harresa mund të mjekojë këto simptoma...Në qoftë se shumica dërrmuese e njerëzve mjekë ose jo kundërshtojnë të pranojnë këtë fakt, kjo shpjegohet thjesht që nën presionin e edukacionit harruan shfaqjet erotike të jetës së vet fëminore ose nuk dëshirojnë t’i kujtojnë më. Ndryshe veç do t’i shikonin gjerat në rast se do të merrnin mundimin të gjenin nëpërmjet psikoanalizës kujtimet e jetës së tyre fëminore, të observojnë, të analizojnë dhe të përpiqen t’i shpjegojnë...” dhe më tej ai shpjegon me hollësi auto-erotizmin e fëmijëve dhe karakterin instiktiv seksual të pirjes së gjirit nga fëmija.

Dhe në kapitullin e pestë të veprës së tij “Hyrje në psikoanalizë” Frojdi thotë: “Shohim se njerëzit sëmuren atëherë kur si pasojë e pengesave të jashtme ose të një përshtatshmërie të pamjaftueshme, plotësimi i nevojave të tij erotike bëhet e pamundur në realizimin e saj real. Shohim atëherë që këta persona kalojnë te sëmundja në saj të së cilës mund të gjejnë kënaqësinë, të cilën ua mohon jeta dhe më tej...nuk është vetëm “ego” e të sëmurit, i cili mohon kategorikisht të braktisë zmbrapsjet, të cilat e ndihmojnë personin të evitojë punët e tij fillestare, por edhe instinktet seksuale nuk dëshirojnë të heqin dorë nga kënaqësia, të cilën ua jep zëvendësuesi i krijuar nga sëmundja derisa nuk dimë nëse realiteti do t’u jepte diçka më të mirë...”

S. Freud, “Hyrje në psikoanalizë”

Komenti im

Duke qenë se Frojdi është ateist i hapur atëherë vetvetiu konkludohet që nuk pranon ekzistencën e shpirtit dhe si rrjedhojë inkoshienti i tij, që ka në epiqendër të terminologjisë në teorinë e tij psikoanalitike është produkt i zhvillimit të sistemit nervor, pra varet nga trupi material të zhvilluar në një shkallë të lartë sipas teorisë materialiste. Kështu që dëshira seksuale ose instinktet seksuale të frenuara, sipas Frojdit, janë të ngjashme me ato të kafshëve të larta gjitarë, të cilat ekzistojnë në kohën e riprodhimit të tyre.

Kështu, kafsha ha, pi, fle, riprodhon.

Njeriu ha, pi, fle, riprodhon.

Dhe nëse instinktet seksuale janë bazë e aktivitetit të njeriut dhe frenimi i tyre çon në shfaqjen e sëmundjeve neurotike dhe psikike atëherë në këtë fushë nuk kemi ndonjë ndryshim cilësor nga kafshët, por kemi një ndryshim sasior, kjo sepse njeriu është i pajisur me një logjikë që kontrollon instinktet.

Por Frojdi bën një ngatërresë themelore. Ai identifikon instinktet seksuale si shkak të sëmundjeve që janë karakteristike si për kafshët dhe për njeriun me ndjenjat që janë karakteristikë vetëm për njeriun. Kafsha në marrëdhënie seksuale nuk udhëhiqet nga ndjenjat, por nga instinktet. Daci dhe qeni nuk bëjnë poezi dashurie, as këngë dashurie në kohën e riprodhimit, por kryejnë instinktivisht dhe kalojnë në marrëdhënie seksi shpeshherë me dhunë të shkallëve të ndryshme. Njeriu ka ndjenja në shkallë të ndryshme, në marrëdhënie dashurore gjer në ato ndjenja të holla që janë shkruar romane, kompozime ku idealizohet dashuria dhe që ndonjëherë kalojnë në vetëmohim, si te Romeo dhe Zhulieta.

Njeriu është i prirur të krijojë marrëdhënie me atë që dashuron të seksit të kundërt dhe ndjenjat janë selektive, që ndonjëherë shprehen me dashuri në shikim të parë.

Dhe nuk janë instinktet seksuale që shkaktojnë sëmundje neurotike dhe psikike siç thotë materialisti Frojd, por janë prapësimi ose rikosheto e ndjenjës së dashurisë që mund të shkaktojë çrregullime psikologjike të shkallëve të ndryshme që nga neurozat dhe gjer te psikozat e vërteta. Ne mjekët e praktikës kemi parë mjaft të reja dhe të rinj që kanë pësuar jo vetëm neuroza, por edhe psikoza të vërteta gjatë thyerjes ose disfatës në dashuri pavarësisht a ka përfunduar në marrëdhënie seksuale apo jo, të cilat nuk kanë patur ndonjë ndikim në gjendjen psikologjike të personit.

Ndjenjat duke përfshirë dhe atë të dashurisë janë shfaqje shpirtërore, pra shfaqje të shpirtit dhe jo të materies të organizuar në shkallë të lartë siç thotë materializmi, zoti Frojd.

Shpirti njerëzor komunikon në këtë botë me mjedisin e jashtëm nëpërmjet tri hallkave themelore:

Hallka e parë është ajo e instinkteve si ajo e urisë, etjes, vetëmbrojtjes instiktive, instinktit seksual që aq shumë e ka për zemër Frojdi etj...

Hallka e dytë është ajo e ndjenjave ku rreshtohen frika, dashuria, urrejtja, smira, egoizmi, mëshira etj, pra kemi ndjenja pozitive dhe negative në aspektin moral.

Hallka e tretë është logjika ose arsyetimi që luan rolin e “doganës” që lejon ndjenjat dhe instinktet që nuk dëmtojnë shoqërinë dhe ndalon ato që dëmtojnë komunitetin dhe njerëzit e tjerë. Këto përbëjnë dhe bazën e normave morale të individit në raport me vetveten, familjen dhe shoqërinë.

Pastaj intuicioni dhe i quajturi syri i tretë është në kompetencë të Zotit që një njeriu mund t’i japë një ndriçim për një zbulim në filozofi, art, shkencë etj.

Frenimi i instinktit të riprodhimit ose seksual sipas Frojdit të shumtën mund të japë një agresivitet të lehtë ose nevrikllëk te meshkujt dhe tek femrat, por ky agresivitet kontrollohet në më të shumtën e rasteve nga logjika, ndërsa tek kafshët që nuk kanë logjikë, mosplotësimi i instinktit seksual si në rastin e demit që kur sheh lopën ka mundësi të marrë zvarrë edhe të zotin, ndërsa njeriu ka ndjenja që në rastin e riprodhimit është ndjenja e dashurisë dhe kur thyhet ose prapset ajo, atëherë mund të shfaqet ankthi dhe gjer në depresion kur një vajzë ose një djalë (kjo ndodh më tepër tek vajzat) humb shpresën se mund të rikthehet i dashuri i saj.

Kështu që identifikimi i ndjenjave me instinktet është një ndër gabimet themelore të materialistit Frojd dhe për këtë po marrim një shembull:

Një djalë ndodhet në shoqërinë e pesë vajzave, fjala vjen, ose anasjelltas një vajzë me shoqërinë e pesë djemve. Nëse ai nuk do të arrijë të ketë marrëdhënie seksi me katër prej tyre nuk i bën përshtypje kur nuk i dashuron, kjo ndodh edhe për vajzat që kur nuk duan një djalë jo vetëm që nuk u bën përshtypje, por nuk u lidhën seksualisht, por refuzojnë kategorikisht një lidhje të tillë.

Por çrregullimet neurotike dhe psikike do lindin në ato raste sidomos tek femrat atëherë kur thyhet ndjenja e dashurisë, që është karakteristike vetëm për njeriun. Që këtej del që dashuria si ndjenjë njerëzore nuk mund të jetë e barabartë me instinktin seksual dhe ndërmjet tyre nuk mund të vëmë shenjën e barazimit. Për një ateist dhe materialist siç është Frojdi, që nuk pranon shpirtin, ky gabim do të ishte i pashmangshëm.

Dhe nëse teoria psikoanalitike panseksuale e Frojdit që indirekt predikon lirinë e seksit për tu çliruar nga komplekset psikike dhe neurotike do të ishte e vërtetë, duhet të sillte në vendet ku është aplikuar diku më shumë dhe diku më pak uljen e ndjeshme të sëmundjeve neurotike dhe psikike. Por praktika e jetës vërteton të kundërtën, që atje ku ekziston liria e seksit, sëmundjet neurotike dhe psikike janë rritur në mënyrë të shpejtë, të lidhur dhe me përdorimin e drogave afrodiziake për të kompensuar rënien e fuqive fizike dhe seksuale sidomos tek meshkujt. Kështu që jeta e provon të dështuar teorinë e Frojdit.

Si konkluzion del që Frojdi duke konfonduar dhe barazuar dashurinë si ndjenjë e lartë njerëzore me instinktet dhe dëshirat seksuale që janë karakteristikë edhe për kafshët dhe duke mos bërë ndarjen ndërmjet tyre dhe kuptimin e rolit kryesor të thyerjes së ndjenjave erotike dhe jo instinkteve në shfaqjen e çrregullimeve të ndryshme psikologjike, faktikisht njeriun e redukton në një kafshë ose makinë të Ernst Heckel-it që ishte bashkëkohës i Frojdit. Kjo fatkeqësisht e çon Frojdin në pozitat e një materializmi vulgar në psikologji.

Për sa i përket rolit të xhindeve si shkaqe të sëmundjeve neurotike dhe psikike do të flasim në një shkrim tjetër.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...