Nga Violeta Tarina
Nën vështrimin e përditshëm, kur shkoj në punë, më bëjnë përshtypje njerëzit, sidomos gratë. Që nga paraqitja e jashtme, kupton se kujt shtrese i përket gruaja që më shfaqet përballë, fshatit apo qytetit, shtresës intelektuale apo amvisës së thjeshtë.
Mjafton një zhbirim i syve për ta kuptuar, një grua të ardhur nga fshati, për të shitur ato pak gjëra në qytet, mjaftojnë blanat e zeza që ka lënë dielli në fytyrën e rreshkur dhe në duart me vijëzime të prera thellë nga puna për të përballuar lodhjen e jetës në ditët e panumërta. Bota për të është shërbimi i tokës dhe njerëzve të shtëpisë. E thënë ndryshe, robinë, apo model i skllaves pa zë të shtëpive shqiptare. Kurse, një vajzë qyteti, që ka thithur ajrin dhe ka puthur vesën e kulturuar të dijes,ëndërron aromën e luleve të dashurisë. Fantazia e çon tek princi, i cili e shpëton nga kështjella e mamasë dhe babait të jetojë shkëputjen e lumtur. Me emocion ajo përzgjedh ose i përzgjedhin bashkëshortin e saj. Skllavëria fillon gradualisht me rrethin e artë të martesës. Në fillim duhet t’i bindesh mendimeve dhe dëshirave të mashkullit, pa pasur hapësirë për të thënë të tuat, sepse ari i unazës së gishtit nuk lejon nxënie, ndryshe këputet. E pakënaqur në vetvete mërzia si fije e padukshme vesh shpirtin. Pastaj vjen fëmija e parë. Lodhja dhe stërmundimi lë të nënkuptohet një nënë që i dedikohet shpirtërisht e fizikisht rritjes së fëmijës. Netët pa gjumë, përtesa e bashkëshortit të ngrihet natën,shmangja nga detyrimi për të ndarë së bashku mundimet, të cilat krijojnë një hendek pakënaqësie, që shpesh ajo e kalon duke shpresuar se e nesërmja do jetë më e mire. Një gënjeshtër për të rritur kurajën të ecësh në lumin e ditëve. Puna e përditshme, punët e shtëpisë, fëmija dhe shpesh kur bashkëjetesa është me prindërit e burrit, mishëron një lule gruaje kokulur e drobitur nga lodhja, që herë here shpërthen si brez vetëtime. Zëri,fytyra,flokët, veshja, gjithë qenia e saj proteston pa zë. “Kush e kupton?”. Asnjëherë nuk e kanë kuptuar. Pas orëve të lodhshme të punës, bashkëshorti duhet të hajë drekën dhe të çlodhet me joshjen e gjumit dhe qejfet e shtratit. Skllavja bashkëshorte duhet të durojë lodhjen ditë për ditë, me shpresë se fëmija do të rritet dhe vuajtja do të minimizohet.
Po të pyesësh, të gjitha gratë në këtë periudhë thonë të njëjtat fjalë: ”Sa kam vuajtur” Natyrisht që jetë pa vuajtje nuk ka, por kur ato pjesëtohen, barra është më e lehtë. Gruaja nuk është një leckë pastrimi,një buzëqeshje kukulle, apo hija e burrit. Ajo është një shpirt plotë drite dhe ngrohtësi, e cila ka nevojë për një fjalë të mirë dhe për pak dashuri, që nëse i jepen, ajo i shumëzon brenda shpirtit të saj fisnik, dhe nëse jo , në sytë e përulur, ku nuk ndihet as shenja më e vogël e falënderimit për sakrificave të saj, ulet flutura e mendimit Shekspirian “Të rrosh apo mos të rrosh”. Në këtë çast shpirti bredh me retë e mendimit, ulërin me memecërinë e furtunës dhe “barku i zemërimit i mbushet’’ për tu zbrazur pranë nënës, motrës, apo një shoqeje. Cilat ishin ëndrrat e vajzërisë, dhe si i shkoi jeta e skllavëruar. Por shumë vajza dhe gra të reja kanë kuptuar thelbin e jetës, se vetëm dituria është arma për të këputur vargonjtë e skllavërisë. Sa më të arsimuara, aq më pranë vijës së kufirit të barazisë së burrit do të ndihen. E megjithatë, sa dekada do kalojnë, që gratë shqiptare të bëhen luftëtare të fjalës, për të fituar barazinë. Një mendim, një shkrim, mund të jetë vetëm një erë stuhie. Por zëri i bashkuar i të gjithave grave përbën spiralen tornado, ku stuhia zhvesh lakuriqësinë e prangave të farkëtuara ndër vite nga mentaliteti i burrave.
Grua, sikur të kuptosh elementet nga se përbëhet drita jote, kurrë nuk do të bije në nënshtrim, sikur të kuptoje që shumë here ke shëtitur imazheve të qiellit, nuk do bije në dëshpërim, sikur ta dije se sa herë ke ndërtuar një botë të vogël parajse, buzëqeshjen do e kishe vetëm në sy. Teksa shpirti i mashkullit blerohet vetëm me pranverën e gruas, shpirti i gruas ndrin vetëm nga dielli i fshehur i qiellit burrëror. Sot, unë grua jam mishërimi i skeletit të botës tënde, or burrë, dhe ti je për mua kolona kockore që mban këtë botë. Pra, a s’duhet të jemi të barabartë?…