Nga Skifter Këlliçi
Në maj të vitit 1970, disa javë para se në Meksikë të fillonte botërori i nëntë i futbollit, pata pyetur një inxhinier të Qendrës Eksperimentale të TV-së se a mund të kalohej figura e RAI-it dhe e televizioneve jugosllave që shiheshin shumë mirë, në kanalin tonë. M’u përgjigj se nuk kishte asnjë vështirësi. Atëherë i thashë se unë isha gati të komentoja ndeshje futbolli të botërorit meksikan, duke dëgjuar komentin me kufje. Ai i gëzuar ia përcolli këtë propozim Thanas Nanos, që aso kohe vazhdonte të ishte drejtori përgjithshëm i Radio Tiranës, ku përfshihej edhe Qendra Eksperimentore e Televizionit.
Por më kot. Thanas Nano, dogmatik dhe konservator, as që e përfilli fare këtë ide e kështu QE e Televizionit , në kohën kur televizionet e huaja transmetonin Botërorin meksikan, transmetonte sa për të kaluar radhën filma artistikë dhe dokumentarë, shumica kinezë, që nuk i shihte askush.
Por më 1972 Todi Lubonja që zëvendësoi Thanas dogmatikun, e pëlqeu këtë ide dhe kështu po atë vit, kur tashmë TVSH-ja shihej thuajse në tërë hapësirën e vendit tonë, transmetoi, së pari Kampionatin Evropian të Futbollit dhe Lojërat Olimpike që atë vit zhvilloheshin në Mynih.
Por më 1973, pas Plenumit të 4-ët famëkeq që Enver Hoxha, duke u nisur nga Festivali i 11-të i Këngës në RTVSH, (dhjetor 1972), e ktheu në sulm ballor kundër letërsisë, artit dhe kulturës, me spastrime e dënime të rënda sidomos të vetë Todi Lubonjës, me 15 vjet burgim, RTVSH-ja ra në dilemë. Do të transmetohej Botërori i Dhjetë, aq më tepër që zhvillohej në RF Gjermane, ende vend militaristo-revanshist sipas Enver Hoxhës?
Përgjigja që erdhi nga Kupola e Kuqe, dhe me siguri nga vetë diktatori Hoxha, qe pozitive, se Ramiz Alia aso kohe ishte plotësisht ne hije, madje kandidat i mundshëm për t’u dënuar krahas Todi Lubonjës e Fadil Paçramit etj, sepse ishte shefi i Propogandës dhe nën hundën e tij ishte zhvilluar kjo…goxha veprimtari armiqësore, aq me tepër që Todin e kishte pasur shok të vjetër mëhalle…
Por ky transmetim u bë me një kusht: zëri i kometatorit të huaj, sidomos jugosllav, duhej hequr e bashkë më të edhe zhurmat në mjediset e stadiumeve.
Shkurt… filma pa zë!..Megjithatë,”kur s’ke pulë ha sorrë” ,siç thotë populli.
Më kujtohet se shumë sportdashës, nga ata që nuk dinin italisht, më thoshin se, pasi dëgjonin hyrjen time me kuriozitete historiko-sportive për skuadrat,lojtarët…kalonin te stacionet e huaja, se si mund të shijohet një ndeshje kur nuk dëgjon britmat e sportdashësve, sidomos kur bëhet gol?!…
Kur ia tregoja këto “qyfyre” Martelinit, ai ngrinte supet e sikur nuk besonte për një “zbulim” të tillë të… byro-komitetqëndrorasve” tanë…
Po të kthehemi te ky botëror, ndeshjet e të cilit u zhvilluan nga 13 qershori, deri më 7 korrik i vitit 1974 në stadiumet e Mynih, Berlin Perëndimor, Dortmundit, Dyseldorfit, Gelzenkirshenit, Frankurtit, Hanoverit dhe Shtutgardit. Së pari, duhet thënë se për mbarëvajtjen e tij pa më të voglin shqetësim u morëm masa të mëdha sigurie. Arsyeja ishte se dy vjet më parë gjatë zhvillimit të lojërave olimpike në Mynih, terroristët arabë kishin marrë peng në fshatin olimpik 11 sportistë izraelitë. Në përpjekje për lirimin e këtyre sportistëve u vranë tërë terroristët.
Për të mënjanuar teket e sistemit me mënjanim të drejtpërdrejtë pas ndeshjeve në grupe, ku rastiste që të përplaseshin dy skuadra të forta në një çift, që i hanin kokën njëra-tjetrës e në çiftin tjetër dy të dobëta, nga ku kalonte në turin tjetër një skuadër e “kësojllojshme”,u vendos që pas ndeshjeve në grupe, tetë skuadrat fituese të ndaheshin sërishmi në grupe, që do të ndesheshin përsëri me sistem rrethi. Dy skuadrat fituese në këto grupe do të luftonin për vendin e parë, pra, për titullin kampion të Botës dhe dy të dytat për vendin e tretë.
Ky botëror solli edhe tjetër të re: Pasi Brazili fitoi përfundimisht Kupën e Botës. U krijua një kupë e re, vepër e skulptorit italian, Kacaniga, e quajtur Kupa e FIFA-s. Pas çdo botërori, fituesit do t’i dhurohej një kopje e origjinalit të kësaj kupe .
…Natyrisht më të ethshmit për të fituar këtë kupë janë të zotë e shtëpisë. Por ja e papritura e parë: ata humbasin takimin me vëllezërit tyre, gjermanët e Lindjes, që janë ku e ku larg tyre. “Takim historik, sepse historia e kishte ndarë Gjermaninë hitleriane në dy pjesë.” Situatë paradoksale, sepse gjermano-lindorët, përfaqësuesja e të cilëve në futboll, ndryshe nga sporte të tjera, nuk ishte shquar kurrë në futboll, deri atëherë kishin bërë gjithnjë bënin tifo për skuadrën vëllezërit e tyre “armiq” dhe kështu ndodheshin në dilemë. Por jo drejtuesit komunistë të RDGJ-së që fitoren e përfaqësueses së tyre 1-0 në Hamburg pas golit të Sparvaserit, e quajtën fitore të sistemit socialist mbi atë… kapitalist të RFGJ-së! Aq më tepër, kur gjermano-lindorët zunë edhe vendin e parë në këtë grup duke i lënë ata pas së bashku me Kilin dhe Australinë.
Në grupin e dytë e njëjta gjë ndodh me Jugosllavinë që le pas brazilianët, kampionë botërorë dhe Skocinë. Që të trija kanë pikë të barabarta nga 4, por jugosllavët dhe brazilianët kanë golavarazh më të mirë. Në grupin e tretë nuk vihet në dyshim fitorja e holandezëve të Krujfit me shokë të tjerë të “Ajaksit” të famshëm. Fill pas tyre vjen Suedia, kurse Uruguai dhe Bullgaria i thonë “lamtumirë” Botërorit.
“Ajo që ndodhi me Italinë,”- më thoshte Martelini, – “ishte dramë më një akt, sepse ashtu si më 1966 “axurrët” nuk arritën veçse vendin e tretë. Mundën Haitin e varfër 3-1, barazuan me Argjentinën, 1-1, por u mundën nga Polonia që do të ishte e papritura e këndshme e këtij botërori. Meqë argjetinasit “spastruan” Haitin 4-1,i shin ata që zunë vendin dytë dhe kështu u ndanë pa bujë nga ky botëror.
Duke i kujtuar Martelinit komentin e tij në këtë ndeshje, i thashë: – “Të dëgjoja me kufje dhe më vinte keq për gjendjen në të cilën ndodheshe.
- “Isha vërtetë i pikëlluar ,”- më shpjegoi Martelini,- “sepse polakët shënuan dy gola me anë të Sharmakut dhe Deinës, që u kthyen në xhelatë të “axurrëve” për të cilët goli i Kapelos disa minuta para mbarimit të takimit ishte i pamjaftueshëm.”
E megjithatë Valkarexhi që katër vjet më parë e kishte çuar Italinë në vendin e dytë tha: – “Djemtë e mi luajtëm mirë, por nuk shfrytëzuan rastet e krijuara”.
“Pas këtij mënjanimi,” – kujtonte më pas futbollisti i njohur, Macola,- “autobusin në të cilin udhëtonim e sulmonin emigrantë italianë të pakënaqur nga ky dështimi turpshëm i skuadrës sonë që katër vjet të shkuara kishte qenë nën-kampione e botës”.
Dukej paradoksale se pas fitores së Italisë 4-3 ndaj skuadrës së Bekenbuerit në Vaterlonë meksikane, kur po këta emigrantët italianë kishin dalë për të festuar nëpër rrugët e qyteteve gjermane,i shin sulmuar keqas nga tifozë vendas.
Në prill të vitit 1973 vendin e Todi Lubonjës si drejtori i RTVSH-së e zuri përsëri Thanas Nano. Kështu i krisi në kokë Enver diktatorit. Kishte aprovuar propozimin që tani të largohej nga drejtimi i RTVSH-si për metodat dogmatike dhe konservatore me të cilat e drejtonte dhe tani, duke hedhur poshtë çdo propozim tjetër mbi listën e kandidatëve të rinj, shkruante:”…Në radio të kthehet Thanasi. Ngritje profesionale mund të mos kemi, por proçkat e Todit nuk do t’i bëjë.”
Thanas Nano kishte urrejtje kaq të madhe për Todin, (dhe kjo vinte edhe nga kompleksi i inferioritetit intelektual që kishte ndaj tij), sa që duke e ditur që ai më vlerësonte si komentator, rrekej të gjente sipas tij cenin më të vogël për të më sulmuar. Kur gjatë ndeshjes Itali-Poloni, në ekran u duk Valkarexhi i drobitur që skuadra e tij po humbiste, unë vura në dukje me pak fjalë këtë gjendje të tij shpirtërore.
Të nesërmen Thanasi gati sa nuk më mbyti në korridor me fjalët “Ç’merresh me atë Valkarexhin…”, thua se ai të ishte armik i …i Partisë .
Por të kthehemi përsëri te botërori. U krijuan kështu dy grupe me nga katër skuadra. Pra, nuk do të kishte ndeshje me eliminim të drejtpërdrejtë. Dhe ja e papritura e parë: Brazili, që kishte ardhur në këtë grup me dy barazime të bardha më Jugosllavinë dhe Skocinë, (0-0), u duk së pas fitores me Zairenë e panjohur, e vetmja skuadër afrikane në këtë botëror, që madje ishte shpartallua 9-0 nga jugosllavët, (por vite me pas Kameruni Gana, Nigeria, Bregu i Fildishtë,…siç do të shohim, do t’i tregonin profesorëve të futbollit se edhe ata kishin ç’të mësonin prej tyre, pra ky Brazil, u duk para Holandës fantazma e Brazilit të Pelesë, që kishte triumfuar katër vjet më parë në Meksikë.)
E kam komentuar këtë ndeshje natyrisht me kufje në vesh nga një studio e TVSH-së duke dëgjuar zërin e Martelinit. Kur i thashë se, duke u mbështetur në komentin e tij, gjatë ndeshjes Holandë-Brazil 2-0, përdora shprehjen “perëndimi i perëndisë”, ai më përgëzoi për këtë gjetje të goditur. Nuk u realizua kështu thënia e Zagalos, ish-futbollist i madh, dy herë kampion i botës më 1958-1962, tashmë trajner i kësaj skuadre, që pyetjes :“A do të këtë metamorfozë Brazili, i ishte përgjigjur pa ngurrim: – “Sigurisht”.Golat e Neskensit dhe Krujfit qenë gola shembullorë, që dëshmuan se futbolli total i zbatuar nga “Ajaksi” ishte një dukuri e rrallë në futbollin botëror.
Në grupin tjetër RF Gjermane pasi u hakmor 2-0 kundër Jugosllavisë që e kishte mënjanuar në botërorin e vitit 1962, (1-0), mposhti pastaj Suedinë 4-2, ku luante Edstromi, edhe sot futbollisti më i gjatë i të gjithë botërorëve (1.90), por kurrsesi më i ngathëti. Pastaj, pasi ngadhënjeu mbi Poloninë 1-0, u ndodh në finale me Holandën.
“Fitorja e gjermanëve, por nderi i holandezeve”, ky ishte opinioni i përgjithshëm i shtypit botëror, pas kësaj ndeshjeje. I kujtova Martelinit se trajneri gjerman Shën, pas fitores në europianin e viti 1972 kishte shprehur dyshimin nëse skuadra e tij do të ruante të njëjtën formë. – “Nuk arriti ta ruante plotësisht,”- më shpjegoi.- “Holanda në atë ndeshje qe më e kompletuar, por në ato vite Gjermania qe më e mira.”
Në sekondën e 50-të Fogsti nuk arrin ta frenojë Krujfin e papërmbajtur dhe me 11- metërsh Holanda udhëhiqte 1-0. Por e njëjta skenë përsëritet para portës holandeze. Hënes, po me 11-metërsh barazon. – “Kur shënova golin e dytë,” – tha Myleri pas ndeshjes, – “e ndjeva se do të fitonim, por pa portierin Majer nuk do të ishim bërë kampionë të botës”.
Ishte lajtmotivi i “shturm und drangut”, (gjermanisht: stuhi dhe vrull) të 20 vjetëve më parë, pikërisht më 1954 që aq shumë u përfol për arsyet që i kam renditur në pjesën e pestë të këtij cikli,sidomos për dyshimin se mos vallë gjermanët kishin përdorur drogë që kishte sjellë si përfundim një fitore të pamerituar.
Me këtë triumf, Gjermania Perëndimore dëshmoi se pas Brazilit, tri herë kampion i botës, ishte absolutisht fuqia e dytë e rruzullit tokësor në futboll: dy herë kampione e botës,(1954,1974), e dyta më 1966, e treta më 1970 , e katërta më 1958 dhe në çerekfinale më 1962.
- “Mbi të gjitha,” – më tha Martelini, – “fitorja gjermano-perëndimore e vitit 1974 ishte një aksiomë dhe ajo, siç dihet, që nuk ka nevojë për vërtetim”.
Gerd Myleri, duke përshirë edhe fazën finale të këtij botërori shënoi 14 gola dhe gjithsej dhe shkoi në 68 gola me përfaqësuesen.
I kisha premtuar Dhimitër Verlit, kryeredaktorit të “Zërit të Rinisë”, që ashtu siç kisha shkruar katër vjet të shkuara për botërorin e zhvilluar në Meksikë, të shkruaja edhe për botërorin gjerman. Por atë vit, pas Plenumit të 4-t famëkeq, në kosën e Enver Hoxhës do të binte edhe ai e do të degdisej mësues i thjeshtë i një shkolle tetëvjeçare të Beratit, kur po mbushte 60-vjeç. Arsyeja, sepse kishte botuar shkrime me frymë liberale…
Por edhe unë do të lija TVSH-në, mikrofonin dhe kamerën sportive, siç do të flas në pjesën tjetër të këtij cikli…
Tabela e rezultateve të fazës finale
Gr I
Brazil-RD Gjermane 1-0
Holandë- Argjentinë 4-0
Holandë-RD Gjermane 2-0
Brazil-Argjentinë 3-1
Holandë-Brazil 2-0
Argjentinë RD Gjermane 1-1
Gr II
RF Gjermane-Jugosllavi 2-0
Poloni-Suedi 1-0
RF Gjermane-Suedi 4-2
Poloni-Jugosllavi 2-1
RF Gjermane-Poloni 1-0
Suedi-Jugosllavi 2-1
Për vendin e tretë
Poloni-Brazil 1-0
Finalja
RF Gjermane-Holandë 2-1
Gjermania: Majer, Fogst, Shvarcenbek, Bekenbauer, Brajtner, Bonhof, Overat, Hënes, Grabovski, Myler, Helcenbajn
Holanda: Jongblod, Zyrbir, Rejsbergen, (De Jong), Haan, Krol, Hansen, Van Hanegen, Neeskens, Rep, Kruif, (Van de Kerkof), Renzenbrink.
Gjyqtar: Teilor (Angli)
Golashënuesi i më i mirë: Lato (Poloni), 7 gola
Nga galeria e yjeve:
Gerd Myler (RFGJ), Johan Krujf (Holandë), Berti Fogst (RFGJ), Gregor Lato (Poloni) Neeskens (Holandë) Deina,(Poloni)
Ndeshje: 38
Gola: 97 (2,55 për ndeshje)
Shikues: 1.774.022,9
Nga Skifter Këlliçi, Boston, SHBA