2015-01-16

Ismet Azizi: Serbët po i vret murtaja e bardhë, çdo vit 35.000 më pak



Sipas të dhënave të fundit mbi popullsinë të Institutit Republikan të Statistikave, në Serbi në vitin 2013 kanë shkuar nga kjo botë 100,000 njerëz, ndërsa vetëm 65.540 foshnje janë lindur. Kjo do të thotë se shteti për çdo vit mbetet pa një qyteti të madhësisë së Kovinit, Pozhegës apo Nova Varoshit. Është tashmë e qartë se lajme të mira për një të ardhme të afërme nuk do të ketë. Të dhënat demografike për 2014, të cilat do të përpunohen dhe publikohen në fillim të këtij viti do ta dëshmojnë një gjë të tillë.
Ekspertët e statistikës kanë llogaritur se në fillim të viti 2014 në Serbi kanë jetuar saktësisht 7 146 759 njerëz. Kjo tashmë seriozisht ka lëkundë rezultatet e regjistrimit të cilat janë ende taze, të cilat tregojnë një shifër prej 7.2 milionë.
Në hartën e Republikës së Serbisë janë 1458 vendbanimeve në të cilat nuk është lindur asnjë fëmijë. Në dhjetë vitet e fundit kanë shkuar jashtë Serbisë për të jetuar dhe punuar 146,500 njerëz të arsimuar, të cilët kanë qenë në kulmin e pjekurisë riprodhuese, shkruan portali sandzakonline.
Masat e mëparshme të politikës popullative, të cilat me më shumë ose më pak entuziazëm zbatohen për më shumë se një dekadë nuk kanë dhënë pothuajse asnjë rezultat. Situata veçanërisht është alarmante sidomos në zonat rurale, ku vaji i foshnjës –është një mrekulli. Ekonomisti Mirosllav Zdravkoviq thotë se fshati është qelës për stabilitet demografik të Serbisë.
Lufta për natalitet, tashmë është e qartë, nuk do të jetë e lehtë edhe në qoftë se shteti del shpejt nga kriza ekonomike. Arsyet për rënien e numrit të fëmijëve janë të shumtë, dhe do të duhet bërë shumë përpjekje dhe agjitacion që situata të kthehet për të mire.

Mosha mesatare e popullsisë 

Viti
Meshkuj
Femra
gjithsej
1953
28.4
29.9
29.4
1961
29.6
31.4
30.5
1971
31.5
33.3
32.4
1981
32.8
34.6
33.7
1991
33.9
36.0
34.9
2002
39.0
41.5
40.2
2005
39.3
41.8
40.6
2009
39.9
42.5
41.2


Si është zvogëluar numri i popullsisë

Viti
Nr. i pop. kah mesi i vitit
Të vdekur
Të lindur
1999.
7.540.401
101.444
72.222
2000.
7.516.346
104.042
73.764
2001.
7.503.433
99.008
78.435
2002.
7.500.031
102.785
78.101
2003.
7.480.591
103.946
78.101
2004.
7.463.157
104.320
78.186
2005.
7.440.769
106.771
72.180
2006.
7.411.569
102.805
70.997
2007.
7.381.579
102.805
68.102
2008.
7.350.222
102.711
69.083
2009.
7.320.807
104.000
70.299

Burimi: Enti i Statistikave të Serbisë

Me këtë qëndrim të një numri të madh të ekspertëve të statistikës dhe të demografëve pajtohet edhe Jelena Zharoviq, sociologe dhe studiuese e trendëve demografike. Ajo vë në dukje se në politikën popullative ndikojnë një numër faktorësh të cilët janë të sferës së vlerave sociale.
Përvojat e ndryshme nga bota tregojnë se stabiliteti ekonomik dhe standard i lartë i një vend nuk do të thotë domosdoshmërish që ndikon në rritjen e popullsisë - shpjegon Zharoviq.- Shembulli më i mirë është ai i vendeve skandinave dhe shteteve tjera evropiane, gjithashtu shënojnë rënie të popullsisë. Nxitja e lindshmërisë patjetër duhet të ndiqet edhe modeli i caktuar kulturor, i cili duhet të korrespondojë me kushtet në të cilat jetojmë. Vetëm me ndërtimin e saj mund të priten rezultate pozitive, përfundon sandzakonline.

Autoritetet nuk përgjigjen për rrezatimin


 Liridona Hyseni


...Disa  qindra burime radioaktive që ndodhen në territorin e Kosovës, kryesisht në formë të rrufepritësve dhe lajmëruesve të zjarrit, do të duhej të kishin qenë të demontuara. Agjencioni për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Ministria e Ambientit nuk japin sqarime se përse ky demontim nuk ka ndodhur.

Izolimi i parregullt i dy rrufepritësve në oborrin e fabrikës së ujit në Shipol të Mitrovicës - e cila furnizon rreth 400 mijë banorë - ende nuk është rregulluar një javë që nga raportimi i Gazetës Jeta në Kosovë përkundër shqetësimeve të ngritura nga ekspertët.

Dy rrufepritësit ishin zbritur nga shtyllat 13 metërshe ku kishin qenë për mese 30 vjet për tu krijuar hapësirë ndërtimeve të reja, por ekspertët kanë kritikuar mënyrën e demontimit dhe izolimit nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) duke thënë se rrezatimi i krijuar kalon për mijëra herë rrezatimin natyror.

Gazeta Jeta në Kosovë ka zbuluar se tash e pesë muaj, në bazë të ligjit për Mbrojtje nga Rrezatimi Jonizues, Jojonizues dhe Siguri Bërthamore i cili është miratuar në shkurt 2010 ndërsa është publikuar në mars të po atij viti në gazetën zyrtare, qindra burime radioaktive është dashur të demontohen në tërë territorin e vendit.

“(2) Rrufepritësit radioaktivë të cilët janë montuar para aprovimit të këtij ligji, duhet të demontohen nën mbikëqyrjen e Inspektoratit dhe Shërbimit të Mbrojtjes nga Rrezatimi Jonizues”, thotë neni 28 i këtij ligji. “(3) Aparatet jonizuese kundër zjarrit të cilave u ka kaluar afati për punë mund të demontohen vetëm nga Shërbimi për Mbrojtje nga Rrezatimi Jonizues”.

Po ashtu, neni 29 thotë se “Qeveria e Kosovës do të krijojë mundësi për deponim të përkohshëm të mbeturinave radioaktive në afat prej dy (2) vitesh pas hyrjes në fuqi të këtij ligji” dhe se ajo do të sigurojë “kushte për deponim të përhershëm të mbeturinave radioaktive në afat prej dhjetë (10) vitesh pas hyrjes në fuqi të këtij ligji”.

Shyqri Dumani, ekspert për çështjen e rrezatimit dhe ish-shef i Shërbimit Kundër Rrezatimit në Institutin e Mjekësisë së Punës, i cili ishte shkarkuar nga pozita pasi kishte lajmëruar rastin e Shipolit tek autoritetet, i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë se ekzistojnë me qindra burime radioaktive të cilat janë të vendosura në vend që përpara vitit 1990.

Sipas tij, ato janë në formën e rrufepritësve radioaktivë (rreth 200), lajmëruesve të zjarrit, nivelmatesave dhe indikatorëve të ndryshëm në industri.

“Të gjithë këta kanë një funksion të caktuar, praktikisht tregojnë diçka apo na alarmojnë për diçka, qoftë të rrezikshme apo për kualitetin dhe kuantitetin e materialit”, tha Dumani. “Ani pse kanë kaluar 2 vjet nga aprovimi i këtij ligji, Agjencioni Kosovar për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore (AKMRrSB) nuk e ka bërë asnjë hap në këtë drejtim, gjegjësisht nuk ka dhënë ‘urdhër’ për demontim”.
Dumani tregoi se rrufepritësit radioaktivë janë të montuar në tërë territorin e Kosovës dhe se janë në funksion të mbrojtjes së objekteve, gjegjësisht infrastrukturës.

“Rrufepritësit radioaktivë të montuar nuk paraqesin rrezik për njerëzit kur janë në gjendje të rregullt" Shyqri Dumani
“Rrufepritësit radioaktivë të montuar nuk paraqesin rrezik për njerëzit kur janë në gjendje të rregullt, mirëpo ata paraqesin rrezik shumë të madh kur u qasemi në mënyrë joprofesionale apo duke mos ditur u afrohemi dhe i demontojmë”, tha Dumani. “Rasti konkret është me fabrikën e ujit në Shipol”.

“Nuk është vetëm ky rast. Kemi pasur shumë raste kur rrufepritësit radioaktivë janë demontuar dhe janë shitur në hekurishte”, shtoi ai.

Ky ekspert thotë se ekzistojnë edhe qindra lajmërues radioaktivë të zjarrit, po ashtu të vendosur më parë, të cilët duhet të demontohen sipas ligjit.

“Nuk është bërë asgjë në këtë drejtim”, tha Dumani. “Bile, disa lajmërues të zjarrit janë ‘vjedhur’ ose përzier me mbeturinat urbane sikur është rasti me ish-pallatin e shtypit ‘Rilindja’”.

Dumani tha se është përgjegjësi e AKMRrSB-së për të bërë largimin ose “sarkofagimin” e këtyre burimeve radioaktive. Ai fajëson krerët e këtij agjencioni për këtë.

Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor e Kosovës, kur është kontaktuar nga gazeta, ka thënë se përgjegjëse për të dhënë përgjigje se pse nuk janë bërë këto demontime siç kërkohet me ligj është Agjencioni Kosovar për Mbrojtje nga Rrezatimi. Kjo e fundit nuk ka kthyer përgjigje për një javë rresht. Ministria është kontaktuar sërish, dhe ajo është zotuar se agjencioni do të përgjigjet. Në fund, as agjencioni as ministria nuk është përgjigjur.

Gazeta ka zbuluar se në vitet e kaluara ishte nisur edhe një projekt për ndërtimin e një deponie që llogaritej se do të kushtonte rreth 200 mijë euro ndërkohë që për qëllime demontimi ishin dhënë mbi 1 milionë euro donacione europiane.

Autoritetet nuk kanë folur as për planet e ndërtimit të kësaj deponie radioaktive - që është një lëmi që në botë nxitë reagime të shumta të lëvizjeve shoqërore për arsye se materialet radioaktive kanë jetëgjatësi të madhe dhe, si hedhurina të “varrosura”, mund të përbëjnë probleme për gjeneratat e ardhshme.

Një raport i Bankës Botërore, i publikuar nga gazeta gjatë kësaj vere, tregonte ndërkohë se si Kosova ka ndotje gati tri herë më të madhe se vendet perëndimore.

Sipas raportit, më 2007, nga numri i pacientëve të regjistruar në kujdesin primar shëndetësor në Kosovë, brenda grupit të sëmundjeve që lidhet me mjedisin dhe faktorët mjedisorë, grupi i vetëm më i madh i pacientëve ka sëmundje respiratore - 663,353 raste në vit ose 31.5 për qind të pacientëve totalë.

Raporti thotë se rreth 835 vdekje të parakohshme në vit shkaktohen nga ndotja e ajrit në vend.

Fillon gjykimi i Naser Kelmendit


Naser Kelmendi, ndodhet në listën e zezë të SHBA-ve, si një nga bosët ndërkombëtarë të drogës

Naser Kelmendi
Në Prishtinë filloi procesi gjyqësor kundër Naser Kelmendit, shtetas boshnjak me prejardhje nga Kosova, i cili ndodhet në listën e Shteteve të Bashkuara si një nga bosët ndërkombëtarë të drogës.

Akuza e ngarkon atë me veprat penale krim i organizuar, vrasje e rëndë, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike, prodhim dhe përpunim të paautorizuar të narkotikeve të rrezikshëm.

Akuza e ngarkon atë si drejtues të një grupi të organizuar kriminal, për vrasjen në vitin 2007 të myslimano-boshnjakut Ramiz Dalaliç, i cili qe bërë një figurë kryesore në krimin e organizuar pas luftës, përfshirë edhe prodhimin dhe përpunimin e 100 kg drogë të tipit heroinë, 150, mijë tabletave “ecstasy”, etj.

Në fillim të procesit ai tha se nuk ndjehet fajtor për akuzat.

Naser Kelmendi i lindur në vitin 1958 në Pejë, në Kosovën perëndimore u arrestua më 6 maj të vitit 2013, në bazë të urdhër arrestit ndërkombëtarë, të lëshuar nga autoritet boshnjake dhe që atëherë mbahet në paraburgim në Kosovë.

Mediet në disa vende Ballkanike e cilësojnë atë si një prej njerëzve kryesor të krimit të organizuar ne rajon, ndërsa në listën amerikane emri i Naser Kelmendit radhitet përkrah atij të kreut të kartelit meksikan të drogës, Hoze Antonio Sota Gastemula, dhe atij të tregtarit afgan, Sajed Vazir Shah.

Më 1 qershor 2012, nga Departamenti i Thesarit, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Naser Kelmendi është identifikuar nën aktin për Bosët e Narkotikëve të Jashtëm, si një trafikant i lëndëve narkotike.


--------------------------------

Familja Kelmendi e udhëhequr nga Naseri ka në pronësi kompani tregtare që operon në Dubai, biznese që merren me patundshmëri në Mal të Zi, hotele e restorante në Sarajevë, biznese të tregtisë me naftë e vetura si dhe argjendari në Kosovë. Kreu i familjes mohon që merret me biznesin e drogës, por ai dyshohet se udhëheq një rrjet kriminal që merret me drogë, kontrabandë të naftës, duhanit, trafikimit me njerëz, pastrim parash e zhvatje.

“Njeri i dhënë pas veturave dhe femrave”, është përshkrimi që i ka bërë vetës biznesmeni kontrovers Naser Kelmendi, kur para një viti ka dhënë një intervistë ekskluzive për një medium malazias.

“I dua veturat. I dua femrat. Por ajo çka fillimisht mua më shkon në mendje janë vetëm femrat”. Madje, thotë ai, në Serbi shkon vetëm hatri tyre. 

Kur është pyetur se çka e lidhë atë me Serbinë, Kelmendi është përgjigjur shkurt: “Më pëlqejnë femrat”. 

“Jam 54 vjeçar e droga nuk më ka interesuar kurrë. Jam thjeshtë një biznesmen”, pati thënë vitin e kaluar Kelmendi, për Vijest-in, një shtëpi mediale në Mal të Zi. 

Sivjet ai ka 55 vjet dhe është në listë të zezë të SHBA-së pasi që vlerësohet se udhëheq një rrjet kriminal ballkanik që merret me biznesin e drogës. 
“I dua veturat. I dua femrat" Naser Kelmendi
Departamentit Amerikan i Thesarit dyshon se Kelmendi udhëheq një nga familjet më të forta kriminale shqiptare në Ballkan e cila merret me trafikimin e heroinës, kokainës dhe anhidridit acetik, një lëndë e parë që përdoret në prodhimin e heroinës, dhe në Europë transportohet nëpërmjet Ballkanit. 

Emri i tij në listë të zezë të Shtëpisë së Bardhë u vu përkrah liderit të kartelit meksikan të drogës Hoze Antonio Sota Gastemula si dhe tregtarit afgan Sajed Vazir Shah. 

Kelmendi është duke u kërkuar nga Policia e Bosnjë e Herzegovinës e cila ka marrë një aksion të gjerë për kapjen e tij. 

Një flet-arrest ndaj tij është lëshuar më 19 shtator edhe nga autoritetet në Kosovë pasi autoritetet boshnjake e kërkojnë Kelmendin përmes Interpol-it. 

Por, Naser Kelmendi ende nuk është kapur edhe pse dyshohej se kishte hyrë në vend prej datës 10 shtator. Zyrtarët policorë e kishin parë në Pejë duke pirë kafe por nuk kishin mundur ta arrestonin në mungesë të ndonjë urdhri përkatës.  

Pas lëshimit të flet-arrestit, policia kosovare zuri një person tjetër që i kishte përngjarë si Kelmendi, por e ka liruar më vonë. Ajo nuk e di nëse Kelmendi, që ndërkohë u bë i padukshëm, ende qëndron në Kosovë.

Por djali i tij Elvisi tashmë është arrestuar. 

Problematike mbetet ekstradimi i tyre në Bosnjë edhe nëse autoritetet arrijnë të arrestojnë Naser Kelmendin pasi që Kosova dhe ky shtet nuk kanë marrëveshje për këtë çështje. 

Gjatë këtij muaji, Naser Kelmendi kishte qëndruar edhe në “Hotel Dukagjini”, pronë e biznesmenit Ekrem Lluka.

“Hoteli është publik. Aty mund të rrijë kushdo”, i ka thënë Lluka gazetës, përmes telefonit.

Kelmendi kishte provuar burgun kur kishte vetëm 19 vjet

Biznesmeni nga Peja me nofkën “Meto”, i lindur më në shkurt të vitit 1957 kishte rënë në burg 19 vite më pas në shkurtin e vitit 76. 

Ai ishte dënuar nga një gjykatë në Pejë me 18 muaj burgim për shkak të një tentim vrasje.

Veç Naserit, edhe tre anëtarë tjerë të familjes së tij janë dënuar më herët nga gjykata në Sarajevë. 

Beqir Kelmendi në vitin 2004 u dënua për blerje dhe mbajtje të një arme pa leje.
"Beqir, Elvis dhe Liridon Kelmendi, të tre anëtarë të familjes së tij janë dënuar më herët"
Elvis Kelmendi në vitin 2009 ishte dënuar nga një gjykatë në Sarajevë për shkak të sjelljeve të dhunshme. Ai kishte goditur tri herë në fytyrë një burrë ndërsa kishte grushtuar edhe një grua. 

Po ashtu edhe Liridon Kelmendi ishte dënuar në vitin 2006 pasi që kishte armë e municion pa leje. 

Ndërkohë Naser Kelmendi, bazuar në të dhënat e The Organized Crime and Corruption Reporting Project (OCCRP), një organizatë  jo-profitabile që merret me gazetari në Bosnjë, edhe pas lirimit kishte qenë i dyshuar nga autoritetet për sjellje të dhunshme.

Kelmendi tash, 35 vite më vonë pas atij dënimi, është i martuar me Fatima Kelmendi dhe ka tre fëmijë Elvisin, Liridonin e Besnikun. 

Të tre djemtë e tij punojnë bashkë me të në bizneset e familjes e po ashtu edhe gjysmë vëllai i tij Beqir Kelmendi. 

Familja e tyre zyrtarisht merret me biznes të patundshmërive, hotele, argjendari, tregti të naftës e veturave por autoritetet në Bosnjë vazhdimisht kanë dyshuar se Kelmendët  merren me biznesin e drogës , kontrabandës me naftë e duhan, trafikim me njerëz , pastrim parash e zhvatje. 

Policia kantonale e Sarajevës deri më tash ka ngritur 13 kallëzime penale ndaj Naser Kelmendit e djemve të tij për çështje që kanë të bëjnë me vrasje e tentim vrasje. 

Në një rast Policia e kishte ndaluar Naserin dhe e kishte marrë në pyetje rreth vrasjes së Ramiz “Celo” Deletic një tregtar boshnjak i drogës i cili kishte pasur përplasje me shqiptarët lokalë por në këtë rast nuk u ngrit ndonjë aktakuzë ndaj tij. 

Ndërkohë OCCRP-së raporton se Interpol-i e Agjencia Shtetërore e Bosnjës për Mbrojtje dhe Hetime (SIPA) kanë të dhëna rreth lidhjeve të Naser Kelmendit. 

SIPA mendon se pjesë e rrjetit të tij janë edhe Safet Sajo Kalic, një trafikant droge nga Mali i Zi, si dhe Muhammad Gashi, një tjetër shqiptar me bazë në Sarajevë i cili merret me zhvatje. 

Intelegjenca serbe e lidh atë me mafien e Pejës si dhe liderë kyç politikë në Kosovë të cilët kishin drejtuar “krahun e luftës”. 

Kelmendi kishte pasur marrëveshje biznese me disa biznesmenë të fuqishëm përfshirë Fahrudin Radoncic pronar i gazetës më të madhe në tregun e Bosnjës.

“Në raportin e SIPA-s thuhet se biznesmeni i patundshmërive Raduniqi ka në pronësi gazetën Dnevni Avaz. ‘Avaz’ dhe Kelmendi shkëmbyen patundshmëri në Zenicë dhe Sarajevë. ‘Avaz’ bleu veturë të blinduar nga Kelmendi”, raporton OCCRP. 

Miq të Kelmendit përmenden njerëz si Ekrem Lluka, një biznesmen i fuqishëm në Kosovë, Naser Oric një komandant i forcabe boshnjake në Srebrenicë i cili shfrytëzon për të jetuar hotelin “Casa Grande”, si dhe Nihad Bojadzic që aktualisht është duke u gjykuar për krime lufte kundër kroatëve. 

Autoritetet në Bosnjë përmendin si njeri të lidhur me Naser Kelmendin edhe Jasmina Babiq me të cilën Kelmendi ka lidhje jashtë martesore. 

“Babiq lindi në Serbinë Perëndimore. Sipas të dhënave të Policisë ajo udhëton shpesh  Bar-Sarajevë me shumë para dhe i raporton tek autoritetet doganore. Disa kanë dalë të jenë të Kelmendit”, raporton OCCRP. 

Kompanitë e Familjes 
“Casa Grande”, një hotel dhe restorant në periferi të Sarajevës është në pronësi të Naser Kelmendit sikur edhe “Donata Company”, biznes i patundshmërive në Mal të Zi.

Kelmendi bazuar në deklarata dhënë prokurorëve në Sarajevë ka një kompani tregtare në Dubai që operon nëpër pikat doganore të këtij shteti. 
Naser Kelmendi po ashtu ka pesë apartamente e dy shtëpi në Sarajevë si dhe një shtëpi e një apartament në Ulqin.

Ai po ashtu ka pesë apartamente  e dy shtëpi në Sarajevë si dhe një shtëpi e një apartament në Ulqin. Në pronësi të tij janë edhe veturat si “Hummer”, “Armored Jeep Cherokee”, “Audi A 8” dhe “BMW X5”. 

Kelmendi po ashtu dyshohet që përfiton nga fajdet ku i jep huadhënie njerëzve me një kamatë prej 10 për qind. 

“Adolado”, një fabrikë me bazë në Sarajevë që merret me prodhimin e akulloreve është në pronësi të Beqir Kelmendit 

“Miss Donna”, një dyqan argjendarie në Pejë është në pronësi të Liridon Kelmendit.

“Dona Shell”, një kompani tregtare që ka në pronësi një stacion gazi, salon të veturave, markete, motele si dhe dyqan mobiliesh në Pejë. Ajo është pronë e Besnik Kelmendit.

Ja kush e shkruan sakte gjuhen shqipe

Një dokument interesant, i publikuar nga publicisti dhe studuesi Ilir Ikonomi, tregon se në vitin 1924, legata amerikane në Tiranë kishte një listë me 14 persona që mund të shkruanin saktë gjuhën shqipe. “Në vitin 1924, legata amerikane në Tiranë kishte një listë të 14 njerëzve që mund ta shkruanin saktë gjuhën shqipe. Nevoja e kësaj liste kishte lindur ngaqë një numër termash të përdorura në kushtetutën e përkohshme të hartuar me nxitim në Kongresin e Lushnjes (1920), mund të interpretoheshin me dy kuptime. Amerikanët donin të dinin se me cilët mund të këshilloheshin për çështjet e gjuhës. Lista ishte përgatitur nga përkthyesi i Legatës, Kol Kuqali. Sipas Kuqalit, sado të zgjerohej kjo listë, ajo nuk i kalonte të 40 vetët,” shkruan studiuesi shqiptar Ilir  Ikonomi.
Ja kush e shkruan sakte gjuhen shqipe
Më poshtë lista:

1-Faik Konica, Kryetar i “Vatrës”, editor i “Diellit”, Boston.
2-Fan Noli, Kryeministër dhe kryepeshkop i Dioqezës Ortokse të Durrësit.
3-Konstandin Çekrezi, pedagog, Universiteti George Ëashington, Uashington, DC.
4-At Gjergj Fishta, prift françeskan dhe poet, Shkodër.
5-Luigj Gurakuqi, Ministër i Financave.
6-Llazar Fundo, Kryetar i “Shoqërisë Bashkimi”, editor i gazetës së saj, Tiranë.
7-Kristo Dako, klerik i krishterë, i punësuar nga kompania Standard Oil, Tiranë.
8-Mit’hat Frashëri, ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi.
9-Milto Sotir Gurra, mësues, Korçë.
10-Sotir Gjika, zv/kryeredaktor, “Gazzetta di Puglia”, Bari.
11-Dom Lazër Shantoja, prift jezuit, Shkodër.
12-Arqile Tasi, editor i “Diellit”, Boston.
13-Sejfulla Malëshova, kryesekretar, zyra e Kryeministrit, Tiranë.
14-Andon Frashëri (Adams), sekretar privat i Kryeministrit, Tiranë.

Vdiq shkrimtari ,profesor Betim Muço.


Ndahet nga jeta shkrimtari Betim Muco

Në Maryland të SHBA u nda nga jeta në moshën 68-vjeçare poeti, shkrimtari dhe përkthyesi i njohur Betim Muço. Familja tha se ai vdiq papritur, në mëngjesin e 15 janarit 2015.

Profesor Betim Muço njihet si autor i shumë librave me poezi dhe prozë, ndonëse me profesion ishte sizmiolog. Pas zhvendosjes në SHBA në vitin 2001, ai i shumëfishoi forcat në fushën letrare. Librat e tij njihen për ndjeshmërinë dhe sinqeritetin, për stilin elegant dhe fjalën e qëlluar. Familja tha se ai ishte duke përfunduar një roman të ri.

Poezia e Betim Muços është përkthyer në disa gjuhë të botës, ndërkohë që ai vetë ishte një shqipërues i talentuar. Profesor Muço ishte i pari që solli në shqip tregimet e nobelistes Alice Munro, para se ajo të nderohej me çmimin e madh. Shquhen gjithashtu shqipërimet prej tij të James Joyce-it dhe Vladimir Nabokov-it. Ai ka qenë fitues i disa çmimeve letrare kombëtare në Shqipëri.

Betim Muço ishte edhe një shkencëtar i njohur. Nga viti 1993 deri në 1997 ka qenë drejtor i Institutit të Sizmiologjisë në Tiranë. Edhe pas ardhjes në SHBA, Profesor Muço vazhdimisht merrte pjesë në konferenca shkencore ndërkombëtare dhe kontribuonte për shkencën në forma të tjera.

Betim Muço kishte mbaruar studimet në fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë dhe për shumë vite ka qenë drejtuesi i Rrjetit Sizmiologjik të Shqipërisë.

Ai lë pas bashkëshorten, dy vajza dhe një djalë.


Ismail Kadare, fituesi i cmimit 'Jeruzalem'

Shkrimtari shqiptar me famë botërore Ismail Kadare është shpallur fitues i çmimit ‘Jeruzalem për Lirinë e Individit në Shoqëri’, çmim që i jepet shkrimtarëve që kanë trajtuar temën e lirisë njerëzore në shoqëri. Atij do t’i jepet çmimi gjatë çeljes së Panairit Ndërkombëtar të Librit në Jeruzalem, që do të mbahet më 8 Shkurt.

Sipas jurisë, Kadare u përzgjodh për “rrëfimin e tij ironik e mbresëlënës” duke veçuar se ai “shkruan për ndjenjën e fajit kolektiv dhe natyrën e papenetrueshme të së vërtetës. Ndërkohë që subjektet dhe protagonistët e tij janë gjerësisht lokalë, domethënia dhe rëndësia e tyre është universale.”

Fitues të mëparshëm të këtij çmimi kanë qenë filozofi Bertrand Russell dhe shkrimtarët Mario Varga Llosa, Milan Kundera, Simone de Beauvoir, Susan Sontag, Arthur Miller, Haruki Murakami dhe Ian McEwan.


Në 33 vjetorin e vrasjes së Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës


Më 01 tetor 2014 u mbushën pikërisht 69 vite nga lindja e Jusuf Gërvallës në Dubovik të Deçanit, vrarë mizorisht para 33 viteve ,më 17 janar 1982 në Untergrupenbah të Gjermanisë.


Nuk ka shqiptar në Kosovë që s'di se kush është Jusuf Gërvalla. Po them "është" meqenëse jam i bindur se nuk jetoi më kot dhe as nuk ra fli më kot, shembulli i tij mbeti i gjallë në gjithë ata intelektualë, shkrimtarë dhe qytetarë që nuk po e marrin rrugën e botës por rrinë e qëndrojnë ...

Jeta e Jusuf Gërvallës ka qenë e vështirë, vdekja e tij ka qenë tragjike. Për këtë është thënë e shkruar shumë dhe do të thuhet e do të shkruhet shumë. Por, edhe shkrimtari J. Gërvalla pësoi vështirësira të mëdha. Për poetin, prozatorin dhe dramaturgun Gërvalla është thënë e shkruar relativisht pak. Vepra e tij letrare nuk është tepër e njohur, me gjithë botimin shembëllor që ia bëri J. Gërvallës më 1992 Sabri Hamiti (Jusuf Gërvalla: Vepra letrare.

"Ora", Prishtinë, 1992). Opinioni e respekton dhe adhuron dëshmorin e kombit, simbolin e luftës për liri, shembullin e kurajës prej qytetari dhe intelektuali, ndërsa duket se e harron shkrimtarin e rëndësishëm që ishte dhe mbetet. Roli i tij prej simboli të qëndresës e hijesuaka faktin se ishte poet i dorës së parë. Fat ky i zi që duket se e ndan me shokun e idealit, Adem Demaçi (megjithëse i shpëtoi fatit të atij të fundit të cilin ca çapkënë qurranë e quajnë "shkrimtar të dështuar" ose çaprashisin çilimillëqe për "gabimet" e tij).

Në letërsi, ai nuk i takonte qarkut të "lapidaristëve" të poezisë fjalëpakë që e shoshiste të tashmen me shkrimin simbolplotë alegorik në petkun e arkaikes mbikohore e në frymën e visarit të traditave të lashta gojore.

Zëri i tij poetik ishte zë më vete, mjaft origjinal, personal dhe individual. Poezia e tij na flet drejtpërsëdrejti, ngrohtë, zbutë, thellësisht njerëzor e me një sensibilitet të stërholluar. Në dy përmbledhjet e tij të para - "Fluturojnë e bien" (1975) dhe "Kanjushë e verdhë" (1978) - poezia e tij merrej kryesisht me vatrën e poetit tek janë mjaft kuptimplotë titujt e cikleve "Shtëpia në kornizë" dhe "Skena nga jeta e fshatit". Poezia e tij e përmallshme e këndon dashurinë, e kujton dhimbshëm (dhe pa idilë ruraliste) vendlindjen dhe na e rrëfen porosinë e saj qendrore, kërkimin e poetit për "pak frymë njeriu e pak dritë qiriri". Me kohë, duke u bërë gjithnjë e më shumë refleksiv poeti kaloi gjithnjë e më shumë te një qark më i gjerë tematik dhe te të folurit poetik me bukuri e begati të rrallë metaforike e figurative.


Kështu, poezia e tij e përmallshme e vendlindjes gjithnjë e më shumë bëhet edhe universale. Në vëllimin e tretë poetik, "Shenjat e shenjta" (1979), kemi të bëjmë dhe me fjalë e elemente si "hije", "pluhur", "frikë", "terr", "ftohtë", "varr". Shkallëzohen vetmia dhe shqetësimet e poetit që flet shpesh edhe për fundin dhe vdekjen. Me një thellësi që nuk hetohet në lexim të cekët, na qet tabllo tejet të qëlluara të groteskës që e quajmë "jeta". Thelbi kryekëput human i vargjeve, ligjërimi lirik dhe substancial i poetit të mallit, të dashurisë, të dhembjes, të vetmisë e të vdekjes e bëjnë Jusuf Gërvallën një zë të patjetërsueshëm të poezisë së re shqipe.

Flori Bruqi


******


Me gjerësisht lexoni librin duke klikur:



http://www.scribd.com/doc/76039039/Libri-LEVIZJA-E-JUSUF-GERVALLES-Shkruan-Xhafer-Durmishi#scribd




Libri i Xhafer Durmishi"LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS"



*****************





 Jusuf Gërvalla: Tradhtarët e vjetër dhe tradhtarët e rinj


Çdo pushtues, për të bërë zap popullsinë e pushtuar, rekruton në organet e pushtetit të vet një numër vendësish, të cilët bëhen përçues të politikës, të ideologjisë dhe të urdhrave të atij pushteti. Nga viti 1912, kur tokat shqiptare në Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit, në Maqedoni, Mal të Zi si dhe ato në Serbinë e sotme të ngushtë iu shkëputën padrejtësisht trungut shqiptar dhe hynë nën zgjedhën e egër serbomalazeze, në shërbim të pushtetit të huaj hynë edhe njerëz nga radhët e popullsisë vendëse shqiptare, që nga “poverenikët” më të thjeshtë e deri te deputetët në parlament.

Përfaqësues tipikë të indigjenëve të rekrutuar në aparatin shtetëror të pushtuesve jugosllavë ishin dikur Dragajt e Mitrovicës, Begollët e Pejës, Kryezitë e Gjakovës etj., dhe më pastaj, në aparatin revizionist titist: Fadilj Hodzët, Dzavid Nimanët, Mahmud Bakallët etj.

Në kohën e Jugosllavisë së vjetër kishte ndodhur që populli shqiptar, duke u nisur nga të drejtat formale që garantonte kushtetuta e atëhershme, bënte edhe përpjekje për të zgjedhur përfaqësuesit e vet në organet e pushtetit ( rasti i Zef Lush Markut, Lufta e Baranit e 1937-ës) dhe, për ta realizuar këtë të drejtë, ishte përgjakur sa e sa herë me pushtetin shovinist. Ndërkaq, në Jugosllavinë e Titos, pushteti e ka kursyer popullin; ai është kujdesur vetë për njerëzit që do të zgjidhen në organet shtetërore.

“Poverenikët” dhe deputetët shqiptarë në “parlamentin” titist i gjejmë në një pozitë më të mirë se ata në Jugosllavinë mbretërore; këta s’kanë nevojë as të luajnë veshin për të bërë çka don për popullin në mënyrë që të fitojë simpatinë e tij. Mjafton që t’u përgjigjen kërkesave të pushtuesit dhe e kanë të siguruar kolltukun e butë. Vullneti i popullit përjashtohet fare, sepse, në vendet udhëheqëse (qoftë edhe për një drejtor të thjeshtë) funksionarët nuk zgjidhen, por emërohen nga forumet e larta lokale dhe qendrore.

Pasi t’i ketë zgjedhur për qejfi, pushteti i quan këta njerëz - përfaqësues të popullit. Po edhe populli, logjikisht, ata i quan - tradhtarë të popullit. Sepse, sipas praktikës së deritanishme, është dashur të japësh provime të shumta të gatishmërisë për të bërë politikë antishqiptare, ani pastaj të të emërojë pushteti në ndonjë organ lokal apo qëndror.

S’ka tjetër emër për këta sahanlëpirës që i shërbyen me besnikërinë e qenit, jo popullit, nga gjiri i të cilit kanë dalë, po regjimit të egër antipopullor e antishqiptar, te i cili janë shitur badihava. Ata u bënë thjeshtë një vegël e verbër në realizimin e politikës shoviniste dhe të gjenocidit mbi shqiptarët.
Me pajtimin e plotë të këtyre tradhtarëve u masakrua, më 1945, popullsia shqiptare në Drenicë e Gjilan, në Tetovë e gjetkë. Me heshtjen e tyre aprovuese u likuiduan dhjetëra mijra partizanë shqiptarë në Tivar, në Srem e Slloveni, ku kishin vajtur për t’u dalë në ndihmë popujve fqinjë jugosllavë në dëbimin e çizmes fashiste. “Poverenikët” dhe funksionarët titistë ishin kokë e këmbë të pranishëm kur u shkel me të dy këmbët vullneti i popullit shqiptar në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare, i shprehur në Rezolutën e Konferencës së Bujanit, më 1943, e cila shqiptarëve u garantonte të drejtën për vetëvendosje deri në shkëputje dhe bashkimin me vendin amë, Shqipërinë, e që ishte aspiratë e natyrshme shekullore e popullit tonë të martirizuar.

Në vend që të viheshin me guxim në ballë të popullit tonë të shkretë e të dërmuar luftërash, masakrimesh e skamjeje, t’i prinin atij në rrugën e mëtejshme të çlirimit kombëtar dhe klasor (kur Jugosllavia shkeli të drejtat e premtuara, për të cilat populli ynë pat derdhur pa kursim gjakun e bijve të vet të shtrenjtë), tradhtarët Fadilj Hodza e Dzavid Nimani me shokë, parapëlqyen qyqarinë dhe pajtimin në heshtje me të gjitha të zezat që kishte përgatitur për shqiptarët klika titiste. Ata ishin këtu edhe kur zbriti dhe u shkel për më se 20 vjet flamuri shqiptar. (Të verbëritë: Pse edhe ata nuk kërkuan të ndaloheshin flamujt e kombeve të tjera në Jugosllavi - në emër të “internacionalizmit proletar” - siç bënë jugosllavët me shkabën tonë dykrenare?!)
Ata nuk paraqitën kundërshtimin më të vogël as më 1947, ku u zbrazën drithnikët e Kosovës dhe populli ynë i uritur u detyrua të ushqehej me barishte, se kopallat e demagogjitë revizioniste nuk jepnin bukë. Për më tepër, tradhtari Xhevdet Hamza u ndodh në krye të detyrës për realizimin e aksionit famëkeq të armëve, më 1956, kur populli shqiptar u masakrua, kur dinjiteti i popullit tonë u kërcënua të ulej deri në baltë nga zullumet e gjakpirësve titistë-rankoviçistë.
Qyqarinë e tyre nuk e preku as vajtimi i djepeve shqiptare, loti i nënave as malli i burrave shqiptarë, që u dëbuan nga vatrat stërgjyshore dhe morën në sy shkretëtirat e Anadollit. Tradhtarët ishin gjithnjë këtu, të pranishëm kudo, si biberi në tavë dhe bënin jetën e tyre të rehatshme në kushtet e “vëllazërim-bashkimit” të xhelatit me viktimën. Dhe për këtë merrnin shpërblim racionin e turpshëm prej sahanlëpirësish; së pari në triska të majme për ushqim e veshmbathje, pastaj në shtëpi të mëdha e apartamente, e më pastaj në vila e vetura.



Kur krimet individuale e masive të ushtruara nga klika titiste mbi popullin tonë, s’e prekën dot atë lëkurë bualli-mamuth të renegatëve shqiptarë, marrëzia më e madhe është të pritësh prej tyre që të preken nga pabarazitë ekonomike, shoqërore e kulturore nën regjimin titist.



Në qoftë se të ardhurat kombëtare në Kosovë janë gjashtë herë më të vogla se ato në Slloveni, kurse zhvillimi i Kosovës bëhet me një ritëm 106 për qind në zotimet e jugosllavëve, në qoftë se papunësia te ne është njëzet herë më e madhe se ajo në Slloveni dhe krahu i lirë i punës derdhet varë-darë nga Kosova nëpër republikat e Jugosllavisë dhe në shtetet Perëndimore. Në qoftë se në Kosovë punohet në zhvillimin e një industrie nxjerrëse, që e pasuron Beogradin dhe jo të një industrie përpunuese - që do të pasuronte Kosovën, nëse fshatarësia kosovare është varfëruar deri në kufirin e zisë së bukës dhe rënkon në kushtet e një jete asociale, në qoftë se gruaja shqiptare ka mbetur edhe në fund të shekullit XX në errësirën mesjetare, e diskriminuar nga aspekti shoqëror dhe familjar, në qoftë se, më në fund, ky mjerim përjetohet në përmasa të shumëfishuara në viset shqiptare në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi, ç’kanë të bëjnë të gjitha këto me renegatët shqiptarë!!! Ata e kanë kolltukun e tyre, kanë pallatet dhe veturat, kanë rrogat e tyre të majme, si gjithë funksionarët dhe borgjezia jugosllave.



Dhe, mbi të gjitha - nëse popullit i ka ardhur shpirti në fyt dhe ngre zërin e tij të fuqishëm për të kërkuar bukë, të drejta e liri, kushte të njëjta a të përafërta me popujt e tjerë të mozaikut jugosllav, me të cilët e lidhin “vëllazërimin” e “bashkimin” - tradhtarët e kanë në dorë milicinë dhe ushtrinë. Natyrisht, jo për të për të përkrahur interesat e kërkesat e popullit, po për t’i shtypur në gjak ato. Dhe, kur të mos u mjaftojnë milicia e ushtria e stacionuar në tokat shqiptare të robëruara, ata mund ta thërrasin edhe milicinë dhe ushtrinë e Beogradit. E dinë se, për të bërë zap shqiptarët, Beogradi nuk kursen ushtri as milici. Tanke as avionë. Helikopterë as municion.



Kjo gjë, ç’është e vërteta, dihej mirëfilli. Ishte parë në ngjarjet e 1945-ës e në ato të 1968-ës. U pa edhe në tragjedinë më të re të Kosovës, në mars e prill (1981-Sh.B). Por, nuk dihej një gjë tjetër. Megjithë besnikërinë e tyre të pashoqe ndaj Beogradit, tradhtarët shqiptarë si Dzavid e Mahmudi, a e meritonin ata që Beogradi t’i nxirrte në rrugën e madhe? Dyzet vjet luftë antishqiptare të shkurtabiqit-bullafiq Dzavid Nimani nuk i siguruan atij as një pensionim të rehatshëm nga gospodari! Si qen i zgjebosur e i shogur i stanit, të cilit i janë rralluar të lehurat dhe i është dobësuar nuhatja, ai u detyrua të lërë stanin e kaçorren, të lërë koritën dhe qullin e përbashkët me qentë e tjerë të gospodarit. Ç’mund të bënte për Beogradin më shumë seç ka bërë, i shkreti Dzavid! Stazhi më se 10 vjeçar i shërbimit të Mahmudit qe vërtet më i shkurtër, po ky ishte një qen me dresurë dhe shërbimi i tij - shumë më intensiv e efektiv. Megjithatë, edhe Mahmudin e hodhi në shportë Beogradi si lëvoren e limonit të shtrydhur.



Po pse?

Edhe budalla e di se ajo që kërkon aktualisht prej tyre Beogradi, nuk është më fare në mundësinë e tyre. Populli i robëruar shqiptar kishte nevojë të madhe t’ia qanin hallet e t’ia mjekonin plagët e mëdha, që ishin pezmatuar sa s’bën më. Kurse Beogradi kërkon që renegatët shqiptarë t’i flasin këtij populli ashtu si i kanë folur qe 40 vjet, me demagogji, frikësime e shantazhe, Kërkon që ata të injektojnë edhe më në popullin shqiptar po ato mendime që kanë Beogradi, Mahmudi e Fadilji. Por, kjo është e kotë. Aq e kotë , sa do të kish qenë e kotë sikur shqiptarët të kërkonin nga Beogradi që ky t’ua japë falas ato të drejta e liri, të cilat s’fitohen veçse me luftë këmbëngulëse e me gjak.


donika_gervalla

Donika Isuf Gërvalla (me flaut) dhe Grid Rroi (në piano)

Duhet të jesh i verbër fare nëse nuk sheh se s’qitet më në krye me shqiptarin. Ka ndodhur diçka e re me të. Ai gjithmonë e ka urryer regjimin antipopullor jugosllav, i cili mban nën thundrën e vet të përgjakshme edhe popujt e tjerë të këtij mozaiku artificial, por dëmton veçanërisht shqiptarin. Po sot kjo urrejtje ka dalë haptazi dhe është bërë mur i pakapërcyeshëm për pushtuesin dhe tradhtarët e vendit. Në ngjarjet e marsit e të prillit, populli ynë tha njëherë dhe përfundimisht: Jo! Kjo i kushtoi gjak. Ndërmjet nesh dhe qeverisë së Beogradit tani ka hyrë gjaku i bijve të shtrenjtë të popullit tonë. Dhe ky gjak është ai që i fshin të gjitha perspektivat e kthimit në gjendjen e mëparshme.
Beogradi kërcënohet haptazi me gjakderdhje të re. Por s’i bën dobi. “Zemra jonë ka gjak sa gurra”. Dhe mbi gjakun e derdhur forcohen edhe më shumë themelet e vetëdijes kombëtare e klasore të shqiptarit të robëruar. Ndjenja e fuqishme e lirisë e ka bashkuar popullin tonë trim si një trup të vetëm. Me tanket e aeroplanët, me helikopterët e mitralozët, me ushtrinë e milicinë speciale, Beogradi s’bëri gjë tjetër pos që dogji etapat e luftës sonë të pashmangshme dhe na ndihmoi shumë në afrimin sa më të shpejtë kah dita e fitores së sigurt.


E di mirë Beogradi se nuk gjendet dot ilaç për ta shëruar te populli ynë kujtimin e vrasjeve e të plagosjeve, as akullin e burgjeve të kësaj pranvere. Por, këtë sikur nuk po e dinë ca tradhtarë të rinj që pushteti i ka futur në lojë si kartën e fundit. Kryesia e Serbisë e pat thënë që në fillim të prillit se disa udhëheqës vasalë kosovarë si Fadilji, Xhaviti e Mahmudi “janë të pjekur për t’u larguar nga skena politike”. Kjo i gjeti tashmë Xhavidin e Mahmudin, pritet të gjejë edhe Fadiljin. Nga ana tjetër, kur populli shqiptar shtroi çështjen e republikës së federuar të Kosovës, ishte e vetëkuptueshme që, kur të shpallej republika, nga postet e tyre duhej të binin dhe të merrnin nga populli dënimin e merituar të gjithë ata udhëheqës e kriminelë kosovarë e jugosllavë, që aprovuan apo urdhëruan gjakderdhjen në Kosovë. (Si mund të jetojë shqiptari nën shkopin dirigjues të atij që i vrau, i plagosi e i burgosi bijtë më të shtrenjtë?)

Tani plaga po pezmatohet gjithnjë e më shumë, sepse Beogradi, i vetëdijshëm për krimet e deritanishme dhe për rrugën e krimeve më të mëdha që ka ndër mend, emëroi në vende kyçe të pushtetit krahinor renegatë të rinj shqiptarë me kondicion edhe më të madh për tradhti të reja. Garnitura e vjetër e tradhtarëve të urryer u zëvëndësua këmbadoras me një garniturë findo të re tradhtarësh që çirren si të flamosur, duke pandehur se do ta frikësojnë e ta përulin një popull që kurrë s’është përulur, e përulet aq më pak sot që ka vendosur të luftojë pa u zmbrapsur për të drejtat dhe liritë e veta.
Tash që s’ka bukë, dhe shteti ka hartuar plane për një “otkup” të ri, këta renegatë të rinj thërresin: “Mirëqënia”, “Begatia”! Kur populli kërkon me të drejtë, republikën që e kanë të gjithë popujt e tjerë të Jugosllavisë, ata thërresin: “E kemi republikën - Serbinë”. Kur begatitë tona plaçkiten pa mëshirë dhe marrin rrugën e Beogradit, ata thërresin: “Vëllazërim -bashkim”!. Kur ushtria e milicia fashiste mbulojnë në gjak Kosovën, duke shkelur mbi popullsinë e pambrojtur, ata çirren: “Të distancohemi nga nacionalistët, shovinistët, reaksionarët e kundërrevolucionarët shqiptarë, që duan të rrezikojnë revolucionin dhe integritetin territorial të Jugosllavisë”! Me një fjalë, ata thërrasin si qyqarët më të mëdhenj të kësaj bote për një nënshtrim akoma më të madh të popullit tonë, për t’u pajtuar me humbjen edhe atyre pak të drejtave formale që kishin deri më tash në Serbinë. Ata e thërrasin kështu popullin shqiptar që ky, me sy në ballë, t’ia hapë vetvetes me duart e veta varrin e sigurt.

Ku e shohin vallë perspektivën këta renegatë të rinj? Ata s’e kanë as përvojën e paraardhësve të tyre, e kushtet kur u ngjitën në skenë janë pakrahasueshëm më të ndërlikuara se ato kur mbretëronin renegatët e vjetër. Për pushtuesit jugosllavë, shërbime më të mëdha se Fadilji, Xhavidi e Mahmuti nuk mund që nuk mund të bëjnë. Kurse populli shqiptar jo vetëm nuk po fiksohet nga shantazhet e tyre, po përditë po i konsolidon më shumë radhët e veta, po e forcon frontin e luftës e të hakmarrjes së madhe popullore. U mbetet një mundësi e vetme tradhtarëve të çirren e të përpëliten si peshku në zall, e kur t’i shtrydhë deri në fund pushtuesi e t’i hedhë në rrugë, atje t’i presë dora hakmarrëse e popullit. Të mjerët tradhtarë, ç’po u përgatit populli!


LEXONI SHKRIMIN:

http://www.albdreams.net/kush-e-vrau-jusuf-gervallen/


Kush e vrau Jusuf Gërvallën ?

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...