Autoritetet nuk përgjigjen për rrezatimin


 Liridona Hyseni


...Disa  qindra burime radioaktive që ndodhen në territorin e Kosovës, kryesisht në formë të rrufepritësve dhe lajmëruesve të zjarrit, do të duhej të kishin qenë të demontuara. Agjencioni për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Ministria e Ambientit nuk japin sqarime se përse ky demontim nuk ka ndodhur.

Izolimi i parregullt i dy rrufepritësve në oborrin e fabrikës së ujit në Shipol të Mitrovicës - e cila furnizon rreth 400 mijë banorë - ende nuk është rregulluar një javë që nga raportimi i Gazetës Jeta në Kosovë përkundër shqetësimeve të ngritura nga ekspertët.

Dy rrufepritësit ishin zbritur nga shtyllat 13 metërshe ku kishin qenë për mese 30 vjet për tu krijuar hapësirë ndërtimeve të reja, por ekspertët kanë kritikuar mënyrën e demontimit dhe izolimit nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) duke thënë se rrezatimi i krijuar kalon për mijëra herë rrezatimin natyror.

Gazeta Jeta në Kosovë ka zbuluar se tash e pesë muaj, në bazë të ligjit për Mbrojtje nga Rrezatimi Jonizues, Jojonizues dhe Siguri Bërthamore i cili është miratuar në shkurt 2010 ndërsa është publikuar në mars të po atij viti në gazetën zyrtare, qindra burime radioaktive është dashur të demontohen në tërë territorin e vendit.

“(2) Rrufepritësit radioaktivë të cilët janë montuar para aprovimit të këtij ligji, duhet të demontohen nën mbikëqyrjen e Inspektoratit dhe Shërbimit të Mbrojtjes nga Rrezatimi Jonizues”, thotë neni 28 i këtij ligji. “(3) Aparatet jonizuese kundër zjarrit të cilave u ka kaluar afati për punë mund të demontohen vetëm nga Shërbimi për Mbrojtje nga Rrezatimi Jonizues”.

Po ashtu, neni 29 thotë se “Qeveria e Kosovës do të krijojë mundësi për deponim të përkohshëm të mbeturinave radioaktive në afat prej dy (2) vitesh pas hyrjes në fuqi të këtij ligji” dhe se ajo do të sigurojë “kushte për deponim të përhershëm të mbeturinave radioaktive në afat prej dhjetë (10) vitesh pas hyrjes në fuqi të këtij ligji”.

Shyqri Dumani, ekspert për çështjen e rrezatimit dhe ish-shef i Shërbimit Kundër Rrezatimit në Institutin e Mjekësisë së Punës, i cili ishte shkarkuar nga pozita pasi kishte lajmëruar rastin e Shipolit tek autoritetet, i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë se ekzistojnë me qindra burime radioaktive të cilat janë të vendosura në vend që përpara vitit 1990.

Sipas tij, ato janë në formën e rrufepritësve radioaktivë (rreth 200), lajmëruesve të zjarrit, nivelmatesave dhe indikatorëve të ndryshëm në industri.

“Të gjithë këta kanë një funksion të caktuar, praktikisht tregojnë diçka apo na alarmojnë për diçka, qoftë të rrezikshme apo për kualitetin dhe kuantitetin e materialit”, tha Dumani. “Ani pse kanë kaluar 2 vjet nga aprovimi i këtij ligji, Agjencioni Kosovar për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore (AKMRrSB) nuk e ka bërë asnjë hap në këtë drejtim, gjegjësisht nuk ka dhënë ‘urdhër’ për demontim”.
Dumani tregoi se rrufepritësit radioaktivë janë të montuar në tërë territorin e Kosovës dhe se janë në funksion të mbrojtjes së objekteve, gjegjësisht infrastrukturës.

“Rrufepritësit radioaktivë të montuar nuk paraqesin rrezik për njerëzit kur janë në gjendje të rregullt" Shyqri Dumani
“Rrufepritësit radioaktivë të montuar nuk paraqesin rrezik për njerëzit kur janë në gjendje të rregullt, mirëpo ata paraqesin rrezik shumë të madh kur u qasemi në mënyrë joprofesionale apo duke mos ditur u afrohemi dhe i demontojmë”, tha Dumani. “Rasti konkret është me fabrikën e ujit në Shipol”.

“Nuk është vetëm ky rast. Kemi pasur shumë raste kur rrufepritësit radioaktivë janë demontuar dhe janë shitur në hekurishte”, shtoi ai.

Ky ekspert thotë se ekzistojnë edhe qindra lajmërues radioaktivë të zjarrit, po ashtu të vendosur më parë, të cilët duhet të demontohen sipas ligjit.

“Nuk është bërë asgjë në këtë drejtim”, tha Dumani. “Bile, disa lajmërues të zjarrit janë ‘vjedhur’ ose përzier me mbeturinat urbane sikur është rasti me ish-pallatin e shtypit ‘Rilindja’”.

Dumani tha se është përgjegjësi e AKMRrSB-së për të bërë largimin ose “sarkofagimin” e këtyre burimeve radioaktive. Ai fajëson krerët e këtij agjencioni për këtë.

Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor e Kosovës, kur është kontaktuar nga gazeta, ka thënë se përgjegjëse për të dhënë përgjigje se pse nuk janë bërë këto demontime siç kërkohet me ligj është Agjencioni Kosovar për Mbrojtje nga Rrezatimi. Kjo e fundit nuk ka kthyer përgjigje për një javë rresht. Ministria është kontaktuar sërish, dhe ajo është zotuar se agjencioni do të përgjigjet. Në fund, as agjencioni as ministria nuk është përgjigjur.

Gazeta ka zbuluar se në vitet e kaluara ishte nisur edhe një projekt për ndërtimin e një deponie që llogaritej se do të kushtonte rreth 200 mijë euro ndërkohë që për qëllime demontimi ishin dhënë mbi 1 milionë euro donacione europiane.

Autoritetet nuk kanë folur as për planet e ndërtimit të kësaj deponie radioaktive - që është një lëmi që në botë nxitë reagime të shumta të lëvizjeve shoqërore për arsye se materialet radioaktive kanë jetëgjatësi të madhe dhe, si hedhurina të “varrosura”, mund të përbëjnë probleme për gjeneratat e ardhshme.

Një raport i Bankës Botërore, i publikuar nga gazeta gjatë kësaj vere, tregonte ndërkohë se si Kosova ka ndotje gati tri herë më të madhe se vendet perëndimore.

Sipas raportit, më 2007, nga numri i pacientëve të regjistruar në kujdesin primar shëndetësor në Kosovë, brenda grupit të sëmundjeve që lidhet me mjedisin dhe faktorët mjedisorë, grupi i vetëm më i madh i pacientëve ka sëmundje respiratore - 663,353 raste në vit ose 31.5 për qind të pacientëve totalë.

Raporti thotë se rreth 835 vdekje të parakohshme në vit shkaktohen nga ndotja e ajrit në vend.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)