2015-04-04

Ismail Kadare rrëfehet për “Mjegullat e Tiranës”

Image result for ismail kadare

Kadare: E dashura e fakultetit, si ma shpërfytyroi kolegu në roman

NGA VIOLA ISUFAJ

TIRANE- “Historia e dashurisë” u shkrua në dy romane. Njëri i përkiste realizmit socialist, tjetri, imi, s’kishte të bënte me të…

Shkrimtari i madh rrëfehet për romanin e parë të tij “Mjegullat e Tiranës” shkruar gjatë kohës kur ishte student në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë, në vitin 1957-1958.
Zoti Kadare, jeni shprehur se nuk do të shkruani më letërsi artistike. Në fakt, kjo ka ardhur ngase keni ndier se i keni thënë gjithçka lexuesit, apo ngaqë me të gjitha mënyrat i keni thënë diçka?
-As njëra, as tjetra. Është një fazë që i vjen natyrshëm një pjese të shkrimtarëve. Ndërkaq, vështirë se mund të gjendet një shkrimtar që mendon se ka thënë gjithçka. S’është e mundur, madje s’është e nevojshme të thuhet gjithçka.

Image result for ismail kadare  Mjegullat e Tiranës

Jeni shprehur se nga mosha 10-12 vjeç keni kuptuar se letërsia ju tërhiqte. Ja ku jeni tani, para një auditori global; nga “Qyteti pa Reklama” tek “Aksidenti”, i keni bërë njerëzimit një dhuratë të paçmueshme. Përveç viteve, çfarë i ndan këto dy momente? Si do ta karakterizonit këtë kohë të midistë? Me ç’fjalë do ta përshkruanit?
-Kam pasur fat. Të duash letërsinë e quaj fat. Të bësh letërsi, në këtë rast, është fat i dyfishtë. Ta duan edhe të tjerët atë që ti krijon është fat i rrallë.
Gjithashtu keni treguar se e kishit parë veten para një auditori kozmik. Ky përfytyrim, para apo pas romanit që po botojmë këtu?
-Kam qenë magjepsur pas letërsisë së paku shtatë ose tetë vjet përpara këtij romani. Sa më herët të vijë kjo magjepsje, aq më mirë është. Arti kërkon që ti të mrekullohesh përpara tij. T’i besosh si asnjë gjëje tjetër në botë. Dhe kjo, më lehtë dhe më natyrshëm se kurdoherë, ndodh në periudhën midis fundit të fëminisë dhe fillimit të adoleshencës.


Image result for ismail kadare  Mjegullat e Tiranës
Ëndrra për auditor të përbotshëm të duket e rrokshme në këtë moshë. E pamundura gjithashtu, bashkë me gëzimin që s’njeh kufij, programohen pikërisht në këto vite. Ndërkaq, koha ngre përpara shkrimtarit të ardhshëm paradoksin më të madh: nuk i jep mundësinë e të shkruarit. Duket sikur kjo ndodh si një ndëshkim për atë fluturim e atë guxim të marrë. Dhe kjo është në të vërtetë një fat. Shumë shpejt shkrimtari i ardhshëm e kupton se ato që ka shkruar në atë moshë nuk kanë e nuk mund të kishin asnjë vlerë. Dhe se e gjithë aventura duhej të mbaronte kështu. Ndërkohë, ai e ndien se, pavarësisht nga kjo, ajo aventurë ka qenë e tillë, që e ka bërë rob të një dashurie të pangjashme me asnjë tjetër në botë. Dhe ai bëhet gati seriozisht, dramatikisht të vihet në shërbim të saj.
Pra, jeni magjepsur pas letërsisë dhe pas ëndrrës për auditor të përbotshëm disa vite përpara shkrimit të këtij romani të titulluar “Mjegullat e Tiranës”. A ka mbajtur gjithnjë këtë titull romani në fjalë apo ia keni ndryshuar më vonë?
-Ky roman nuk ka pasur asnjëherë titullin “Mjegullat e Tiranës”. Ai titull nuk ka qenë veçse një gabim i kujtesës sime. E kam quajtur, me sa duket kështu, në ndonjë bisedë me shokët, dhe më pas, sinqerisht për një kohë të gjatë, e kam besuar si të vërtetë. Titulli, në të vërtetë, ka qenë “Dashuria Nr. 2”.
“Dashuria nr. 2” tingëllon e pazakonshme. A mund të thuhet se ka një dozë snobizmi?
-Natyrisht që titulli e ka gjithë dozën e snobizmit të mundshëm. Dhe bashkë me të një lloj lehtësie të shtirur, tipike për shumë djem të kohës. Ishte një lloj kundërshtimi i “dashurisë romantike”, që ngjante si tipar i prapambetur, i një letërsie të prapambetur. Një lloj shpalljeje se kishte ikur koha e “dashurisë së vetme”, që “s’harrohej kurrë” etj., etj., dhe në vend të këtij sublimimi, dashuria, si shumë gjëra të tjera, mund të kishte një numër! Në të vërtetë, e gjithë kjo ishte një trill, me të cilin ne studentëve na pëlqente të gënjenim veten. Siç mund të duket nga vetë romani, ne dashuronim gati-gati njëlloj si më parë, me po ato dufe e psherëtima, ndonëse hiqeshim si cinikë modernë.
A mund të na thoni si i gjeni titujt e veprave tuaja?
-Pak a shumë si shumica e shkrimtarëve. Rastësisht, në fillim ose gjatë shkrimit të veprës. Rrallëherë në fund.
Image result for ismail kadare  Mjegullat e Tiranës

A është kjo sprova juaj e parë për të shkruar një roman?
-Ky është romani im i parë i vërtetë. Në fakt, siç e kam rrëfyer shumë herë, përpara tij kam shkruar ndonjë duzinë “romanesh”, për të cilat epiteti “i çuditshëm” do të tingëllonte i zbehtë. Këto romane përbëheshin zakonisht nga një tekst që shkonte nga dy faqe në dhjetë ose dymbëdhjetë. Ndërkaq, secili prej tyre shoqërohej me një sasi të madhe reklamash të përfytyruara të tipit “Doli në shitje romani i mahnitshëm, madhështor, i pashoq etj., etj., i I. H. Kadaresë”. Teksti i reklamave e kalonte zakonisht vetë tekstin e romanit, madje, shpesh, i lodhur prej tyre, s’kisha durim të shkruaja veprën e shpallur me aq bujë.
Më duket sikur po lexoj një tekst të ri tuajin në këtë rrëfim gjithë humor për “romanet me reklama”! Natyrisht, ato duzina romanesh më shumë të përfytyruara se të shkruara, nuk e panë asnjëherë dritën e botimit... Po “Mjegullat e Tiranës”, ky roman “i parë i vërtetë”, siç e quani, përse nuk u botua asnjëherë?

Image result for ismail kadare  Mjegullat e Tiranës

-Nuk kam përgjigje për këtë pyetje. Di vetëm që çështja e botimit nuk u shtrua as prej meje, as prej ndokujt tjetër. Ka gjasë që mbarimi i tij përkon me përgatitjet për të shkuar për studime në Moskë. Ethja e daljes jashtë shtetit ka qenë ndoshta shkaku i shpërfilljes ndaj tij dhe i braktisjes, më pas.
Po përse romani në fjalë nuk përmendet në intervistat dhe esetë tuaja; përse nuk përmendet në “Ftesë në studio”, një libër që është pikë referimi për çdo studiues të veprës suaj, gjenetist qoftë ky ose jo?
-Arsyeja ishte e thjeshtë. Ky roman mbeti edhe më pas si një vepër e mohuar prej meje. Për të qenë më i saktë, ai ishte pjesë e jetës sime të njeriut, por jo e asaj të shkrimtarit. Në këtë të fundit, ai i ngjante një fëmije të paligjshëm. Kjo kishte të bënte, ndoshta, me dyshimin tim se romani, duke qenë jashtë problemeve të kohës, do ta kishte të pamundur botimin. Veç kësaj, pas kthimit nga Moska, ishte e natyrshme që ai të më dukej i prapambetur. Sidomos pas “Qytetit pa reklama”, që e kisha shkruar atje, dhe që qëndronte, nga çdo pikëpamje, më lart se ai. Më vonë, kur ka ardhur puna për të përcaktuar atë që do të ishte teksti im i parë, pak a shumë serioz, zgjedhja ra mbi novelën e shkurtër “Në dheun e huaj”, shkruar më 1953, kur isha ende gjimnazist, shtatëmbëdhjetë vjeç.
Atëherë, si vendosët që dorëshkrimi të dilte nga sirtarët dhe të merrte formën e një libri të shtypur?
-Kjo ka ndodhur shumë vonë, më 2012, në kohën kur po qartësohej ideja e një botimi të ri të veprave të plota në shtatë vëllime, ku vëllimi i fundit do të përmblidhte vepra të pakryera plotësisht, shestime, sinopse ose motërzime të ndryshme. Kjo do të ishte një lëndë tepër e larmishme, që mund të zgjonte interes po aq te studiuesit, sa te lexuesit e mirëfilltë.

Image result for ismail kadare  Mjegullat e Tiranës
Pasi vendosët ta botoni romanin, a ju mundoi ndonjëherë frika se lexuesi, i mësuar me madhështinë tuaj, do të harronte se këtu kishte të bënte, përmbi të gjitha, me një “archi-roman”, e, njëkohësisht, me një shkrim të brishtë?
-Sigurisht që s’kishte si të mos ndodhte një gjë e tillë. Megjithatë më ka qetësuar mendimi se herët a vonë ky krijim letrar do të merrej ashtu siç ishte: edhe archi-roman, edhe i brishtë, edhe imi e, njëherësh, jo. Në fund të fundit, pa kërkuar ndërlikime, mund të thuhet se kjo ishte edhe arsyeja kryesore që ai do të botohej jo me emrin tim në mbulesë, por me atë të studiuesit, në këtë rast me emrin tuaj.
Zoti Kadare, si është shkruar romani; dua të them: është shkruar në letër, është incizuar me magnetofon (si një pjesë e “Qytetit pa reklama”), ka ardhur nga një ditar, nga një letërkëmbim, a kishit një dosje të parë shënimesh, copëza letre... diçka tjetër?
-Romani është shkruar me dorë, në fletore shkrimi. Është shfrytëzuar një ditar që kam mbajtur me ndërprerje gjatë viteve studenteske në Tiranë. Letra gjithashtu. Të mia dhe të vajzës studente që ka shërbyer si personazh.
Image result for ismail kadare  Mjegullat e Tiranës

Ju tregoni dhe dëshmoni se romani lindi nga një ditar. A mund të na thoni për lexuesin, po ditari me çfarë është shkruar, me penë, me stilograf, laps?
-Është e vërtetë. Është shkruar pjesërisht me stilograf, pjesërisht me laps.
Letrat e tjera i keni sajuar vetë?
-Nuk më kujtohet mirë. Ndoshta një pjesë. Është diçka lehtësisht e vërtetueshme.
Mund të na thoni, zoti Kadare, çfarë lexonit teksa shkruanit “Mjegullat e Tiranës”? Me fjalë të tjera, çfarë leximesh kanë ndikuar në ngjizjen e tij?
-E kam vështirë të përgjigjem saktësisht. Në atë kohë lexoja në shqip dhe në rusisht. S’mund të them se kishte botime të mjaftueshme, por as nuk mendoj se ndihej uria e leximit.
Më bën përshtypje përkthimi i një vjershe të Pushkinit që përsëriste Ema, personazhi i këtij romani, dhe që thuhet se e kish përkthyer një shok i kursit: “Përse të fundit lule vallë/na zgjojnë në zemër më shumë mall?/Në shpirt të trishtë me kujtime/ato na ndjellin fushës qetë/ashtu sikurse nga takimet/m’e ëmbël ndarja ndodh të jetë”. Kush e ka bërë përkthimin? Ndoshta ju? Ç’vend zinte Pushkini në formimin dhe parapëlqimet tuaja; sa u detyrohet ky roman i parë ndikimeve nga Pushkini dhe, në përgjithësi, autorëve rusë?
-Me sa duket, përkthimin e kam bërë vetë. Lidhur me ndikimin e Pushkinit, me kalimin e kohës, kam kuptuar diçka tepër të veçantë: shumë shkrimtarë që janë ndikuar prej tij, shumë shpejt e harronin këtë, aq sa, duke kujtuar të kundërtën, e mohonin ndikimin, madje dukej sikur iu vinte turp për të. Mendoj se kjo vjen ngaqë ndikimi i Pushkinit është aq i natyrshëm, saqë nuk bie në sy. S’është asnjëherë i bujshëm si ai i Shekspirit, që bubullin që larg. Është më i përkorë se prania e stinës. Vonë e kam kuptuar se kam qenë i ndikuar prej Pushkinit. Dhe s’kam ndier kurrfarë bezdie, aq më pak turp. Përkundrazi.
Jeta e Tiranës jepet përmes zhurmave, vitrinave, shkëlqimit të rrugëve; aty ka të qeshura, grupe të gëzuara të rinjsh, djem e vajza, me dëshira, pasione. Parqet e Tiranës janë përplot tryeza dhe vallëzues, ka reflekse dritash në sheshin “Skënderbej”, ëmbëlsi, net dehëse; ju përshkruani se në sytë e vajzave që takojnë djemtë shkëlqen lumturia dhe turpi që gënjejnë prindërit dhe ndiejnë në buzë të puthurat... ato përshëndeten me “Hello” dhe “adio” dhe në sfond jehon “Storia dolce d’amor”. Kështu shkëlqente Tirana në të vërtetë apo keni hedhur më shumë dritë se ç’kishte, për shkak se ishit i ri dhe perceptimi ndryshonte? Apo është ndoshta një poemë dashurie juaja, që e sjell Tiranën ashtu siç do të dëshironit të ishte?

Image result for ismail kadare  Mjegullat e Tiranës

- Kur, pas më shumë se gjysmë shekulli, e kam lexuar dorëshkrimin, atmosfera kryeqytetase që përmendni ka qenë për mua po aq befasuese, sa edhe për ju. Pyetjen se cila nga dy tablotë ka qenë e vërtetë, ajo që është përshkruar në roman, apo ajo e jetës së njëmendtë, e kam bërë së pari unë vetë. Jeta e njëmendtë ka qenë vërtet e ashpër dhe e mërzitshme, por, sado e keqe të ishte jeta, më e keqe se ajo ishte letërsia. Kjo e fundit ngjante aq e mjerë, sa të vinte turp të ishe shkrimtar.
Mund të thuhet se në vitet pesëdhjetë letërsia shqipe ishte në ditët më të zeza të saj. Një thatësirë e papërfytyrueshme zotëronte kudo, personazhe pozitive që të kallnin krupën, politizim i skajshëm, ngjyra bardhë e zi - partizanë, ballistë - shkurt asgjë njerëzore nuk ndihej në faqet e saj. Në roman nuk ka përftesa moderne të dukshme, por atë e përshkon kryekëput një frymë moderne; aty gjenden personazhet që te “Dimri i vetmisë së madhe” do të jenë djemtë e rrugës “Broduej”, aty është Bardhyli, të cilin e kishin kritikuar për tendencë modernizmi, aty thuhet se në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve po flitej në lidhje me përhapjen e modernizmit në letërsi, pikturë dhe muzikë.
Sa i vetëdijshëm ishit për këtë frymë moderne që përcillte romani juaj në klimën që mbizotëronte në Shqipëri në ato vite?
-Ajo që ju e quani “frymë moderne” nuk është shpikja ime. Ndonëse e drojtur është ndier vërtet, fill pas dënimit në Moskë të krimeve të Stalinit, kryengritjes në Hungari më 1956 dhe konferencës së Tiranës, po atë vit. Unë disi e kam theksuar atë frymë, por në rrethet kryeqytetase, sidomos studenteske, pulsonte vërtet. Për fat të keq, në letërsinë shqipe nuk pati asnjë shenjë, asnjë jehonë të saj. Ndaj, parë nga ky këndvështrim, romani im nuk mund të ishte veçse rrëfimi i një Don Kishoti të vetmuar.
Kjo ka qenë ndoshta edhe arsyeja që s’kam bërë asnjë përpjekje për botimin e tij. Madje, as mendja s’më ka shkuar, përderisa dorëshkrimi nuk është daktilografuar kurrë. Të jesh i vetëdijshëm se romani që ke shkruar nuk do të botohet kurrë (çka edhe i ndodhi këtij romani brenda epokës komuniste), mendoj se dëshmon për një vetëdijesim më të gjerë. Këtu dua të përsëris se kjo liri, përpara se të më vinte nga idetë dhe burimet e njohura të lirisë së njeriut, më ka ardhur prej vetë letërsisë. Më saktë, prej andej nga s’pritej: fantazmave të Shekspirit.
Ndalemi pak te personazhi që nuk u ngjet aspak atyre që diktonte Socrealizmi. Bardhyli nuk ka asgjë të përbashkët me heroin pozitiv. Si mundët të krijonit një personazh të tillë në kohën kur teknikat tuaja poetike ishin ende të pasofistikuara? A e ndienit ju këtë? Pra, sa e kuptonit se, dashje pa dashje, ai, Bardhyli, ishte i ndryshëm nga personazhet që kërkonte koha? Ndoshta enkas e krijuat të tillë?
-Çështja e “heroit pozitiv” ka qenë e para që më ka dalë përpara, në raportet e mia me realizmin socialist. Për t’i rënë shkurt, ishte shëmtia e parë që arrita të dalloj, pa ndihmën e askujt, përveçse të vetë letërsisë. Ishte një nga themelet e socrealizmit, ndaj dhe ndarja me të më ka ndihmuar në ndarjen e përgjithshme me këtë mjerim.
Me të ashtuquajturin “hero pozitiv” në qendrën e tij, realizmi socialist kishte nënshkruar dekretin e vet mortor. Pa u zgjatur, po ju tregoj një ngjarje që lidhet me romanin për të cilin po flasim. Një letrar i kohës, dashamirës dhe i njohuri im, shkroi dhe botoi një “histori dashurie”, të ngjashme me atë që përshkruhej në “Dashuria Nr. 2”. Kishte qenë në dijeni të ngjarjes mbi të cilën ishte bazuar teksti im, ndaj dhe ngjashmëria e dramës ra në sy të rretheve letrare, madje të lexuesve, që rastësisht dinin diçka rreth saj. Shkurt, e njëjta ngjarje përshkruhej dy mënyrash, por romanet ishin me fate të ndryshme: njëri do të botohej e tjetri jo.

Image result for ismail kadare  Mjegullat e Tiranës

Por ky ishte vetëm ndryshimi i jashtëm. Ndryshimi tjetër, ai thelbësori, ai fatali, ishte se, ndërsa njëri nga tekstet i përkiste realizmit socialist, tjetri, imi, s’kishte të bënte me të. Kur e kam lexuar, në vend të kënaqësisë, që do të ndiente çdokush që një ngjarje e jetës së tij kishte frymëzuar një vepër letrare, kam vënë duart në kokë. M’u duk një tmerr i vërtetë. Dhe ky tmerr lidhej, në radhë të parë, me personazhin kryesor, që duhej të isha unë vetë. Çdokush mund të pyeste: të paska nxjerrë keq në atë vepër? Të ka bërë personazh negativ? Përgjigjja ime do të ishte e qartë: ku ta gjeja të isha negativ. Ishte e kundërta, duke kujtuar se më bënte nder, më kishte vënë në qendër të veprës si “hero pozitiv”! Dhe ishte pikërisht kjo që m’u duk si fatkeqësi.

Image result for ismail kadare  Mjegullat e Tiranës


Nuk e kisha marrë me mend se do të vinte dita që mbi shpinën time të ndieja se ç’turp do të ishte të gjendeshe si hero pozitiv në një vepër të realizmit socialist! Që ta rrokni këtë, po jua shpjegoj. Personazhi qendror, domethënë unë vetë, isha një student që më rrinte mendja ditë e natë se si, pas mbarimit të studimeve, të shkoja ku të më dërgonte partia, për t’i shërbyer popullit. Që ia kisha bërë të qartë të dashurës sime, studente gjithashtu, se mbi dashurinë ndaj popullit s’vija asgjë, madje as atë vetë, e kështu me radhë. Nga ana tjetër, e dashura ime portretizohej si një vajzë trillane kryeqytetase, që e kishte mendjen të krihej e të zbukurohej, pa çarë kryet “për kauzën” etj.

Image result for ismail kadare  Mjegullat e Tiranës

Ky ishte edhe thelbi i dramës që do të na çonte në ndarje! Zemërimi im për negativitetin e së dashurës (në të vërtetë, ajo ishte një vajzë e mrekullueshme nga të gjitha pikëpamjet) bashkohej me mllefin për pozitivitetin tim të padurueshëm. Por kryesorja ishte tjetër gjë. Për herë të parë, si një ndëshkim për atë me të cilën do të merresha, unë kuptova sesa çnjerëzor mund të ishte ky art. S’ishte ndonjë teprim po të dëgjoje se ishte shpikur një mallkim i ri, si ata që nisnin me fjalët “të pafsha në dreq a në dreqollë”. Në këtë rast, mallkimi do të ishte: të pafsha hero pozitiv në një roman të realizmit socialist!

NGA HYSNI NDREU-UNI POETIK SI SHENJË UNIKE QË ZBULON VLERAT E VËLLIMIT “QYTETI I LUTJEVE” TË REXHEP SHAHUT

Image result for rexhep shahu

REXHEP SHAHU

Përmbledhja “Qyteti i lutjeve”, që përfaqëeson librin e katërtë të autorit, në të gjithë hapësirën e teksteve që shpalon, përveç shenjave të dukshme letrare, në marrëdhënie me vargun, i cili anësohet nga vargu i lirë, fjalën, me ekuilibrin ndërmjet thënies dhe shprehësisë, ta tërheq vëmendjen sidomos për praninë e unit poetik, të ndërlikuar e të hapur, dhe që krijon situatën e marrëdhënies, sidomos ndërmjet dy tiparesh mbizotëruese:
Së pari: Identifikimi i unit lirik dhe qytetar, i rrokjes së gjerë të gjithë problematikave sociale, i kritikës së hapur, i bashkëshkrijes së unit të poetit me fatin e shoqërisë dhe qenies shqiptare, kudo që ajo mbijeton në hapësirat e Ballkanit. Kjo vihet re në një mori poezish, si te ato me titull: “bulevardi i mbretit”, “jam i lirë të vdes”, “fluturoi pa leje një kometë”, “orakull”, “çfarë të bëj me veten” etj., si dhe në mënyrë të veçantë te poezia “të guxosh”, në të cilën, kjo lloj lirike shënon një përmasë krejt kualitative. Sa i përket lirikës në fjalë, objekt poetik i saj bëhen një varg problematikash që hasen në përditshmëri, si dhe një sërë mangësish të ndryshme, të cilave poeti u qaset në një mënyrë të hapur e të sinqertë, por edhe me një ndjeshmëri të theksuar lirike e shprehësie poetike.

Image result for rexhep shahu


Së dyti: Identifikimi i unit lirik intim, që vjen përmes një spektri të pazakontë ndjenjash dhe rrezëllimash lirike, duke na shpërfaqur kështu një marrëdhënie të larmishmërisë së jetës erotike, të bashkëbisedimit dhe dialogut ndërmjet dy qenieve të ndryshme dhe të ngjashme, që lidhin shpirtin, trupin, zemrat. Edhe kjo prani e unit lirik, tipik erotik, është një situatë që vihet re dukshëm në disa poezi, të tilla, si: “ti je prej uji”, “ti kurrë nuk mund të jesh më e bukur”, “historinë e shpirtit tim”, “krijimi i diellit”, “krijimi i natës” etj., por që e arrin kulmin në poezinë “më ka marrë malli”.
Me këtë vëllim, poeti i ka zgjeruar edhe më tej përmasat e lirikës intime në letërsinë shqipe, duke na hedhur në shtigje poetike pak ose aspak të njohura më pare, sidomos në lirkën e pas viteve ‘90. Uni lirik i dyfishtë, qytetar dhe intim, shpërfaq një tipar të poezisë së ndërlikuar, të bashkëshkrimit të problematikës së fatit të njeriut, të shoqërisë dhe individit, që të shpie te poezia e angazhuar, me poezinë erotike, pra me lirikën e pastër, që e shpërfill angazhimin. Kjo situatë shënon një nga tiparet e dalluara të ekzistencës së unit poetik, por edhe të formësimit të një poezie qytetare në thelbin e vet, në domethënie, në shprehësi e, mbi të gjitha që kërkon të bashkëjetosh fatin e ligjërimit, pra, përjetimin poetik ta marrësh si të tillë, si shenjë të ndërlikimeve që ka jeta qytetare. Një përkujdesje të veçantë tregohet edhe ndaj mënyrës se si janë organizuar poezitë, si janë konceptuar strofat, e vargjet, ku vihet re një ndërthurje ndërmjet poezisë, poemës, distikut më shpesh e triptikut më rrallë, me sa duket për të krijuar një larmishmëri llojesh, jo vetëm duke krijuar, eksperimentuar me forma të ndryshme, por edhe duke shmangur monotoninë, që mund të ndiente lexuesi nga përdorimi i vetëm një lloji poezie. Një rol të rëndësishëm, në hapësirat e teksteve, luajnë edhe përsëritjet, të cilat përbëjnë një nga veçoritë kryesore stilistike të poezisë së autorit. Ato na vijnë jo vetëm si anafora, por edhe si asonanca e konsonaca, si për shembull në vargun: “Një korb si kob krrokon korbnisht”. Nëpërmjet përsëritjeve janë krijuar harmoni imitative tingujsh, fjalësh e shprehjesh, të cilat jo vetëm e përveçojnë vargun për nga origjinaliteti, por edhe pasurojnë nëntekstin semantik dhe sidomos emocional të poezisë. Në këtë mënyrë, strofa e poezisë shqipe begatohet edhe më tej, jo vetëm se vargjet, fjalët, na vijnë të kursyera deri në kufijtë e fundmë, por edhe sepse vlerat estetike të këtij vëllimi dallojnë për një mjeshtëri të pazakontë në mënyrën e qasjes, për fjalën e zgjedhur, mënyrën e përdorimit të gjuhës, stilin apo figuracionin. Madje, për të zgjeruar diapazonin e standardit, autori përdor trajta gjuhësore të gegnishtes, ku më shpesh bie në sy përdorimi i formës së pashtjelluar të foljes, i paskajores, duke e bërë edhe më të larmishme e më stilistike mundësinë e shprehjes. Ato e pasurojnë poezinë me kuptimësi figurative, i shtojnë një tjetër përmasë semantike dhe e bëjnë më lakonike fjalën e përdorur, duke qenë se bartin ngarkesa emocionale të fuqishme. Po ashtu, duket se të njëjtin qëllim ka edhe përdorimi i dy llojeve të vargut, i atij të lirë dhe i atij me rimë, duke ecur kështu jo vetëm në hullitë e poezisë moderne, por edhe të asaj tradicionale. Një tjetër veçori e poezisë në fjalë është se autori ka vendosur të qëndrojë larg abstraksionit poetik apo hermetizmit, jo se kjo mungon, por poeti e ka zbritur në një nivel racional-analitik. Duke iu shmangur kësaj lloj poezie, lexuesit i hapen shtigje për argumentime më të sakta, më bindëse, por njëherësh, sendërtohet një poezi me një nëntekst të pasur figurativ dhe mjaft emocional, me një figuracion në dukje të thjeshtë, por që bart mesazhe në nëntekst e kontekst dhe që të fton për lexim e rilexim.
Nisur nga këto tipare të pranishme në poezinë e librit, mund të themi se autori ka krijuar një poetikë krejtësisht të vetën, me veçori të stilit artistic, që e dallojnë atë jo vetëm nga përftesat semantike, stilistike e të pasura në kuptimësi, por edhe me nota lirike dhe vlera të larta estetike, duke siguruar kështu një komunikim edhe me lexuesin e nesërm. Si përfundim, do doja ta mbyllja me dy vargje të shkëputur nga poezia me titull “më ka marrë malli”, ku ndër të tjera, poeti i drejtohet asaj duke i thënë: “U binda nga ti për një të vërtetë të thjeshtë / Fitohet çdo betejë në jetë, qëllimin veç ta dish”. Mendoj se me ketë vëllim poetik, poeti për të cilin jemi mbledhur sot e ka pasur të qartë jo vetëm betejën që ka nisur, por edhe qëllimin e saj. Dhe, e ka fituar.

NGA DEDË SHKURTI-REFLEKSIONE PËR POEZINË DHE PUBLICISTIKEN E REXHEP SHAHUT

Image result for rexhep shahu

“Nga dritarja ime në majë të Pikëllimës
Vështroj si zog përmbi botë.

Me dritën e syve të mi
Shkruaj melodinë e përmallshme
Të një kënge të trishtë që s’e njoh.

Lexoj luftrat e humbura të të parëve të mi
Luftra të përgjakshme ku secili
Prej tyre edhe pse ish ushtar i vetëm
Sillej si ushtri.

Nga dritarja ime në majë të Pikëllimës
Shoh luftrat e sotme të bashkohësve të mi
Luftra të egra që bëjmë me veten,
Mburrjet neveritëse të humbësve
Dhe mashtrimin që humbjet i shet si fitore.”

Kjo është vetëm njëra nga qindra vjershat, mijëra vargjet dhe sentencat publicistike të Rexhep Shahut. I lindur dhe rritur në gjoks të malit të Pikëllimës, në brinjën e majtë të Drinit të Bardhë, me emrin, po të bardhë, Bardhoc, i del Pikëllimës së vet në majë ku shpalos pa drojë kontrastin bardhë e zi të botës shqiptare me lavdinë, heroiken, të zakonshmen dhe shëmtinë e vet.

E kam takuar heret fjalën e tij të shkruar dhe, si zakonisht, kam arritur ta bëj identikitin e tij ndonëse ka qenë Shahu i fundit që e kam kontaktuar fizikisht.

Më mungon kompetenca të bej një analizë të mirëfilltë letrare, kjo për shkak të edukimit tim fundamental, por do të shpreh impresionin tim: Në ndërtesën gjigande të fjalës së shkruar, Rexhepi, vjen si një ndërtues kështjelle. Të duket sikur i ka marrë gurët e palatuar imët të Pikëllimës se vet por vetëm në dy faqe dhe i ka vendosur të rrijnë rëndshëm dhe natyrshëm në gravitetin e plotë të pacënueshëm nga tërmetet e kohrave.

 Ngrehina e tij poetike nuk ka horosan, blloqet janë të akopjuar me njëri-tjetrin që, sido të ndrydhen e shtrydhen, prej tyre del një mendim poetik dhe publicistik i kulluar. Është tamam kështu, siç Drini i Zi , Sheja dhe Luma nuk trubullohen kurrë nga shirat sepse malet e Lumës nuk shtrydhin baltë në to.

Rexhep Shahu e ka shqisën poetike më të mprehtë se syri i shqiponjës. Nga majat e Pikëllimave të tij ai i dallon fare qartë skutat e errëta të veprimit dhe vetëdijes, lakoret e kohrave dhe anekset e mykta të përditshmërisë shqiptare. Prej këndej kam shquar një cilësi të tij dalluese nga të gjithë rrokësit e penës: Ai nuk e përkëdhel duke e joshur partneren e gjakut dhe të shpirtit të vet e njëkohshëm nënën tonë të të përbashkët,

Shqipërinë halleshumë edhe duke qenë ndër tremilion aksionerët e ligjshëm të saj. Kapotën apo pelerinën e saj të rreme Rexhepi nuk ia heq duke ia ledhatuar supet, duke e shkopsitur me kujdes, por, siç shprehen lumianët, duke e shkoq, vrullshëm e pa hezitim për t’ia parë, ashtu siç e ka në të vërtetë, edhe ndriçimin e shkuar, edhe rrudhat e mplakjes së parakohshme që vetë ia kemi shkaktuar, edhe mbipeshën e dhjamit dhe sklerozën e dejeve të saj.

Do të isha hipokrit po t’mos e shprehja këtu zilinë time si i njëjti pjestar i Rodit: Me Rexhepin i përkasim së njejtës fillesë në kultivimin tonë si lapsaxhinj. Ai mbeti tek Tekniku i mesëm Mekanik për t’u bërë Inxhinier dhe arkitekt i fjalës së shkruar shqipe. Unë u bëra Inxhinier Mekanik po duke mbetur nje teknik i dobët në instrumentin e magjishëm të Penës. Jam gati të investoj t’i injektoj shumë dije racionale dhe teknika inxhinierike, nëse do t’ma kompensonte me pak mjeshtri në fjalën e shkruar sepse të dy nuk dimë të vjedhim zanat.

"ÇAST VEJUSHE"




NGA IRENA GJONI


Unë po skicoj krahët e mi në një mërmëritje të dehur. Forma boshe poshtë diellit si pluhuri i erës në një mëngjes tjetër, duket si ditë e zezë. Sa ditë e lodhshme! Ndjeva pavarësinë nga realiteti dhe mendova se unë nuk do të vdisja kurrë. Me buzëqeshje dhe zemër të thyer njerëzit vrapojnë në kohën e tyre, në një kohë të lodhur nga vuajtja. Lule të egra që mbijnë në qiellin blu nga mërzitja e realitetit.
Sonte në këtë obsesion, vajtimet janë bërë kënga e lirisë së shpirtit. Uau... më duket vetja e sëmurë të jetosh jetën me këta fëmijë të egër dhe këto gra të frikshme. Është bërë si një kopësht i mbyllur me pasiguri dhe djallëzi. Në këtë kopësht vdekja bëhet engjëlli i shpirtrave tanë dhe na jep krahë që ne të fluturojmë mbi retë e çoroditura. Duke ecur në shoqërinë e vetes, ajo të kujton një reminishencë nga e kaluara e afërt dhe përpara syve të mi, verbëria e realitetit trondit qenien e pafajshme në këtë botë pambarim.
Po unë po bie derisa të prek në tokë.
Unë mund t’ju them se pse shtrihem përtokë. Të gjithë mund të pyesin veten se pse i pëlqen të rrijë vetëm. Ndoshta vërtet kanë humbur kontrollin. Duke vrapuar drejt hënës, dëgjohen të qarat e dallgëve të brishta dhe të kuptojnë se si vuan shpirti i njeriut, kur bindesh se një pjesë e tij ka ikur tutje në shtëpinë e ftohtë ëngjëllore.
Sa larg u shtri ky vështrim! Në sa agoni ndeshi ai! Nga një anë prehet mendimi se çdo gjë është e bukur, e mrekullueshme dhe në gjunjët e këtij mendimi, shtrihen vuajtjet që të bëjnë të pyesësh dhe të tretësh veten deri në fund.
Ditë pas dite e gjithë dhembja e urrejtjes dhe dashurisë fle si gur në zemrën e mbushur me vajtim.
Në gjithë presionin e kësaj bote gënjeshtare të bën suprem. Si një gjarpër i vrerosur zilie mbyt të vërtetën dhe si errësira vret ditën, njerëzit i vjedhin shpirtin njëri - tjetrit dhe bëhen të tërë të vuajtur. Secili është zot në zbrazëti. Por disa zbrazëtinë e mbushin me iluzione dhe imazhe që burojnë nga moraliteti i kotë. Dhe duke u ngritur në rutinën e tyre, djegin të vërtetën, mbjellin urrejtje dhe vdekje. Në universin e plagosur nga vdekja - e vërteta, jetojnë ato që mund të jetojnë.
Sa më thellë të zhytesh në humnerën e realitetit, aq më shumë robërohesh prej tij dhe në fund të humnerës vajtimi që del nga trupi është: “Ndihmomë të arratisem nga kjo ekzistencë. Unë pres përgjigje. Mund të më ndihmosh?” Dhe pas shumë vjetësh jete dhe pas shumë kohësh ëndërrime, duke u mbytur në një det ëndërrimesh dhe iluzionesh, ndoshta rruga e shpëtimit do të ishte vërtet arratisja nga ekzistenca e vërtetë...

Ksenofon M. Dilo: Bir selman i nënës

Image result for Ksenofon M. Dilo
          Ksenofon M. Dilo





Bir selman i nënës ç’të të qaj më parë..

Në dilemë nëna e Selmanit,në dilemë. Mund të më thotë dikush se përse ka dalë kjo shprehje dhe përse nëna e Selmanit , e lodhur më në fund prej bëmave të Selmanit të saj, me sa duket kur Selmani ndërroi jetë nuk dinte nga ta fillonte vajin. Apo Selmani ishte ai djali plëngprishës që bënte vetëm zullume , e e shkreta nënë,,,

Sa herë e kam thënë e jam fshehur prapa kësaj shprehje dhe e kam mbaruar me një rënkim. Gjithnjë merrja rolin e nënës, e, Selmani ishin gjithë prapështirat që më trokisnin në portën e jetës , e cila asnjëherë nuk u qetsua nga të...trokiturat. Kur dëgjonim në fillim se do të jemi të gjithë të barabartë, e se do ta bëjmë Shqipërinë një kopësht të lulëzuar nën udhëheqjen e ndritur të mëmës së lavdishme Parti të punës, prisnim të shihnim në fillim të mbillej ky kopësht e pasi të rriteshin pemët e të lulëzonin, një force e mbinatyrshme, forca e partisë mëmë do i mbante ato të lulëzuara, gjithmonë. Do të ndalonte natyrën të vazhdonte punën e saj , të fekondonte lulet të lidheshin fruret të mblidheshin frutet....

Njëçikë e vështirë.. Dhe unë thosha brenda meje, Bir Selman i nënës.. e fillonte vaji sepse në vënd të krijoheshin kopshtet u shkatruan dhe ato që kishin qënë krijuar prej njerëzish të përgjegjshëm që e njihnin zanatin q që e dashuronin atë si dashurohet Jeta e bukura.

Çirrej enveri;-Edhe bar do të hamëZot shyqyr që nuk ishin shumë të studjuar e si injorantë që ishin nuk e dinin se duhet të bënin nganjëherë atë që detyronin të tjerët të bënin.. Po të kishin provuar të parët ata barin nuk do t’i kishte rëgjuar sëmundja e sheqerit. Mos o Zot akoma të gfjallë do ti kishim ferra nëpër këmbë,,Unë avazin tim e dinja mirë Bir Sejman i nënës...

Shqiptari i shkretë me triskën e ushqimeve në dorë duke u dergjur radhave për një kile sheqer e për dy pako makarone e për nëntëdhjet gram kafe, e për një shishe gjysmëkilshe vaj ulliri që ishte gjer në gjysëm me një llum që edhe makinave tja u vije do ti nxirrte jashtë përdorimit ...E na prapë unë në një skutë;-Bir o bir selman i nënës...

Po kur u ngritën kundër Vëllajt të madh rus, na mbyllën në darën e një varfërie që kishte edhe barin , edhe triskat por që duhej edhe të realizohej plani, U shojtën të djelat nga defteri dhe dolli Naimi i madh i raskapitur të përsëritë ; punë...punë...nat...e ditë...

Duke rënkuar në qoshen time unë-bir, bir o birSelman o i shkretë...Ç’të të qanj më parë..
Ajde mirë, humbëm një vëlla harakat, po mend pse nuk vumë? Çna u desh e largëta Kinë që na u bë motra e madhe e dëshiruar. Ajo mezi sa ja dilte me të shtatë milionët e saj qysh do tja dilte ndanë edhe me ne nipërit e pafaj..Bir Selman i nënës ç’të të qaj më parë..

Dhe shqiptari i shkretë tërhiqej zvarrë. E mjer kush gojën hapte se , shtëpi mund të mos kishte, se mund të hante dhe bar, se vetëm nga dy thërrime djathë e gjalpë në muaj kishte e pushime asnjë po mjer thashë kush e nxirrte gjuhën prej dhëmbëve se atëhere ..O atëhere ishte e mrekullueshme dhurata që e priste nga mëma e dashur parti që aq e kujdesèshme ishte;E priste krahahapur .....

 Kush e gjen? Mos u lodhni, se dua ta mbaroj me ligje të qarrën e Selmanit.

Kush kishte sy e shihte përtej hundës, kush kishte gjuhë e nuk e kafshonte, kush kishte mendje e nuk e kontrollonte , e priste një qeli në burgjet që nëna parti me aq shumë dashuri i kishte ndërtuar në pikat më strategjike të Atdheut ,Aty thonin që qeni koskën mos ta shpinte se nga tmeri edhe eshtra do të ulërinte Por partia jonë e dashur e kishte zemrën të madhe , sa një shpellë dhe aty ku nuk kishte jetë ajo donte të bënte një nga çudirat e saj ;TË provonte se sa do të rezistonte njeriu në ato varre të hapura e pa tavan. Aty degdisi djemtë më të mirë ,lulen e djalërisë shqipëtare dhe i la aty si të harruar prej Zotit, por jo kurrë prej prej mëmës parti që pas çdo 10 vjetësh i qeraste edhe me 10 vjet të tjera sepse akoma nuk ishte e bindur plotësisht se sa mund të duronte njeriu në ato vare të pambuluara.

E çë pastaj!Çfarë doni të thoni se nuk kishte të drejtë Selmani?

Eksperimentet japin gjithmonë rezultate të sakta që nëpër formularë tregonin vazhdimisht se sa humanitare dhe sa e dashur ishte partia jonë...

Nuk duroj më gjatë e dua një ulërimë të stërgjatë në qiell të lëshoj;O ti,që the për herë të parë,bir Selmanin e nënës, pse nuk prite dhe pakDo ishte më e kohës e do ishe shkruar në histori sikur të thoshe: Bij e djallit moj parti pu.. që e dogje dhe e shojte popull e atdhe e s’le gjë të gjallë ,aman oi ç’ë të qaj i varfri më parë!!!

Administrata e Trump-it ofroi një mundësi, por jo një zgjidhje për problemet që ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë

  Search inside image Akademik  Mehdi Hyseni,PHD Profesor Dr. Mehdi Hyseni  , është Doktor i Marrëdhënieve Politike Ndërkombëtare dhe Bashkë...