2015-05-03

Veton Surroi - Miliarderi

“Miliarderi” është romani i quajtuar nga kritika letrare si një histori rrënqethëse.
Miliarderi Veton Surroi

Publicisti Veton Surroi i rikthehet sërish letërsisë, më i pranishëm se kurrë. Një rrëfim plot humor e ironi. Një nga veprat letrare më serioze të Surroit, por edhe të letërsisë shqiptare të viteve të fundit.
Mbi autorin
Veton Surroi (1961) është gazetar, aktivist i shoqërisë civile dhe politikan. Ka themeluar revistën “Koha” më 1990, e cila në 1997 u transformua në gazetën e parë të pavarur të përditshme në Kosovë “Koha ditore”. Më vonë themeloi edhe stacionin televiziv KTV.
Si anëtar i delegacionit të Kosovës më 1999, ka qenë nënshkrues i Marrëveshjes së Rambouillet, e cila solli çlirimin e Kosovës. Më 2005 – 2008 ka qenë anëtar i udhëheqjes së delegacionit të Kosovës në negociatat e Vjenës për pavarësinë e Kosovës. Ka botuar librat “Fluturimi i fundit i Azem Berishës për në Kështjellë” dhe “Libri i fluturave”. Ky është romani i tij i parë.

Njeriu që i shpëtoi jetën Duçes

Me këtë roman, Roberto Ciai paraqet me qartësi vitet e ethshme dhe jo të qeta që nga shkëlqimi i përfaqtë i regjimit fashist të viteve tridhjetë të shpien te vorbulla e luftës dhe e shkatërrimit të fundit. Një mozaik i pasur me personazhe historike dhe të trilluara në letër ndizet me një dritë jashtëzakonisht të fortë, disa gjallërohen nga një mister i kobshëm apo nga njëfarë furie shkatërrimtare, kurse të tjerë të zotëruar nga demoni që pikon melankoli, kurajë apo thjesht një nevojë ulëritëse për hakmarrje.
Njeriu qe i shpetoi jeten Duces
Por ky roman di të ndërthurë në mënyrë të pashoqe ngjarjet e burrave dhe grave në luftë me veten e tyre më parë sesa me botën, aq sa mundimi angështues i konflikteve të tyre forcohet në mënyrë të mrekullueshme me tablonë më të gjerë të luftës që po shkatërron Mesdheun. Falë një rindërtimi historik të kryer me aftësi mjeshtërore, të vëmendshëm ndaj hollësive, madje edhe ndaj ngjyrimeve të veçanta, magjia e pamohueshme e këtij romani e tërheq lexuesin, përmes kthesave të ngjarjeve të mëdha, në fatin magnetik të secilit personazh….

Portreti i Belinit: Misteret e eunukut Jashim

Portreti i Belinit, Jason Goodwin


Në librin “Portreti i Belinit”, Goodwin dhe detektivi Jashim shpalosin aftësitë e tyre më të mira. Nëse doni vërtet të merrni arratinë nga kjo botë e sotme, e ftohtë dhe e mërzitshme, ky është libri që ju çon në një tjetër botë. Aq sa është një roman letrar dhe trillim historik, aq edhe një mister. Hetimi i shpie këta detektivë mendjemprehtë, guximtarë dhe tërheqës, në Venecia, ku lexuesit fatlumë përjetojnë një periudhë të magjishme të historisë së Venecias.

Një panoramë e mrekullueshme, zbavitëse dhe një përshkrim i saktë historik i Republikës së Venecias… Me një rrëfim të gjallë, Goodwin na sjell ndërmend Stambollin e përfshirë në valën e ndryshimeve.
Po aq i koklavitur dhe i mistershëm sa edhe rrugët ujore të Venecias. Të mbetet në mendje…
Lexuesit e rregullt të librave të Goodwin nuk do të zhgënjehen dhe lexues të rinj do ta gjejnë veten edhe mes rreshtave të veprave të hershme të Goodwin.
Pema e Jenicereve Jason Goodwin


Pema e Jenicereve Jason Goodwin

Pema e jeniçerëve

Pema e jeniçerëve, një nga romanët më të bukur historik të shkruar vitet e fundit, nga historiani dhe shkrimtari i njohur anglez Jason Goodwin, tashmë mund të lexohet edhe në shqip nga shtëpia botuese Saras, nën përkthimin e Fari Laçkës.
Category: .Product ID: 796

Product Description

Pema e jeniçerëve, një nga romanët më të bukur historik të shkruar vitet e fundit, nga historiani dhe shkrimtari i njohur anglez Jason Goodwin, tashmë mund të lexohet edhe në shqip nga shtëpia botuese Saras, nën përkthimin e Fari Laçkës. Nëpërmjet ngjarjeve të vendosura në Stambollin e viteve ‘1800, libri Pema e jeniçerëve ofron një panoramë nga afër të botës ekzotike të Perandorisë Osmane të vonë. Atmosfera në Perandori shfaqet plot me konflikte dhe luhatje ndërmjet dëshirës për të ringjallur traditat që po humbasin dhe forcave për ndryshim që kërkojnë të revolucionarizojnë perandorinë dhe ta vënë atë përkrah me fuqitë moderne të Europës së asaj kohe. Libri nuk është vetëm një përshkrim i ndier për Stambollin apo Perandorinë Otomane. Libri është dhe një rrëfim për historinë tjetër të Shqipërisë. Asaj historie që ne e gjejmë në rreshta librash qofshin ata dhe letrarë, si në rastin e këtij libri. Në rrugëtimin e tij historik, Goodwin na njeh me shumë personazhe shqiptare që i takoi në Stambollin e atyre viteve, mes të cilëve dhe një personazh të njohur, siç ishte Ali Pashë Tepelena. Libri është një dëshmi për rolin që kanë pasur shqiptarët në zhvillimin e Perandorisë Osmane, duke i përshkruar ata si njerëz me karakter të fortë e të aftë për të t’ia dalë çdo situate. “Një shqiptar nuk e ka problem luftën”, thotë ai. Dhe pse një libër letrar, në të sqarohen shumë raporte historike. “Është e pamundur të shmangesh nga ndikimi që historia ka te ty dhe në momentin kur je duke bërë një rrëfim letrar”, shprehet Goodwin. Teksa është përpjekur të rindërtojë Stambollin e pas viteve 1800, ai ka hyrë në filozofinë që mbajti gjallë një nga perandoritë më të mëdha në Ballkan e më gjerë, duke kuptuar mirë, rregullat e pashkruara që ende janë të forta sot në funksionimin e një shteti. Pema e jeniçerëve është një leksion i madh historie, një lexim i kujdesshëm i të cilit të bën të kuptosh raportet me të tashmen.
Në vitin 2007, libri Pema e jeniçerëve është nderuar me çmimin Edgarpër novelën më të mirë të vitit dhe është përkthyer në mbi 40 gjuhë. Jason Goodwin e ka bazuar librin mbi historinë e një detektivi, Jashimit, i cili do të bëhet protagonisti që do ta frymëzojë dhe për tri novela të tjera që do të vijnë për lexuesin sërish nga shtëpia botuese SarasGuri i Gjarprit, Karta Belini dhe Syri i keq. Seritë portretizojnë Jashimin, një eunuk në rolin e detektivit, i cili njeh shumë mirë kulturën osmane dhe atë perëndimore, gëzon besimin e sulltanit dhe zyrtarëve të lartë dhe më shumë i pëlqen të jetojë në një banesë modeste jashtë pallatit madhështor. Gjithë historia e Pemës së jeniçerëve bazohet në një ngjarje të vërtetë. Në qershor të vitit 1826, sulltani Mahmud II shpërbën dhe vret mijëra prej trupave jeniçere që dikur kishin qenë elita e forcave ushtarake të Perandorisë Osmane, por që me kalimin e kohës ishin kthyer në elementë turbullues dhe kishin dalë jashtë kontrollit të sulltanit. Dhjetë vjet më vonë, trupat e reja të modernizuara sipas modelit perëndimor, të cilat zëvendësuan jeniçerët, duhet të paraqesin para njerëzve disa manovra dhe taktika ushtarake gjatë një parade. Dhjetë ditë para kësaj ngjarjeje, katër nga oficerët zhduken. Njeri prej tyre gjendet i vdekur. Kryekomandanti ia beson detyrën për të zgjidhur këtë mister Jashimit. Ndërkohë vritet konkubina e re e sulltanit dhe vidhen edhe xhevahiret e nënës së tij. Jashimi duhet të hetojë tri raste të ndryshme në të njëjtën kohë. Për shkak të këtij misioni, këmba e Jashimit shkel në vende të ndryshme si: ambasada, xhami dhe nëpër rrugët e rrugicat e Stambollit. Për të zgjedhur këto vrasje, Jashimi kërkon ndihmën e ambasadorit polak dhe gruas së ambasadorit rus. Ai zbulon se rastet kanë lidhje me njëri–tjetrin dhe përfshijnë jo vetëm intrigën për hakmarrje nga ana e jeniçerëve të mbetur gjallë dhe të fshehur diku, por edhe luftën për pushtet midis eunukëve të pallatit dhe orvatjet pa fund të ushtarakëve për demokratizimin e jetës, shoqërisë dhe vendit.
Në fund, krejt ndryshe nga sa pritej, Jashimi ia del mbanë të parandalojë disa konspiracione me sukses.
Rrëfimi që Goodwin i bën kësaj historie është i jashtëzakonshëm. Stambolli i shekullit XIX shfaqet nga njëra fletë tek tjetra e librit, e duket sikur vetë Goodwin e shpie lexuesin nëpër qytet, ndërkohë që përshkrimet e tij mbi qytetin të ofrojnë një kënaqësi të pafund. E gjitha kjo e kombinuar me një protagonist, të cilit rrethanat e vështira i japin mundësinë që me mendjemprehtësi të zhbirojë natyrën komplekse të pushtetit dhe seksualitetit dhe në mënyrë të pashmangshme detektivi osman i Goodwin del ngadhënjimtar. Më shumë se një mister historik dhe ekzotik, ky libër lexohet si letërsi dhe përjetohet si një thriller. Por ajo çfarë e bën Pemën e jeniçerëve të jetë një libër i cili lexohet me një frymë është dhe mënyra sesi Goodwin shkruan. Vetë ai tregon në një intervistë se është dashuruar me Stambollin, që kur nisi të studionte histori në Kembrixh. Stambolli nuk është vetëm qyteti i pamjeve të bukura historike, por dhe qyteti ku mund të kuptosh më mirë forcën e pushtetit. Jason Goodwin ka lindur në vitin 1964 dhe është shkrimtar e historian britanik. Ai ka studiuar histori bizantine në Universitetin e Kembrixhit. Pas suksesit me librin Kopshtet e Barutit, ose Kohë për një çaj: Udhëtime në Kinë dhe Indi në kërkim të çaji, bëri një udhëtim nga Polonia në Stamboll të Turqisë. Me rrëfimin e tij mbi këtë udhëtim i titulluar Më këmbë deri në Bririn e Artë, në vitin 1993, mori çmimin John Llewellyn Rhys/Mail on Sunday. Më pas shkroi Zotat e horizonteve: Një histori e Perandorisë Osmane. Më vonë u bë i njohur si autori i serive misterioze duke filluar me librin Pema e jeniçerëve. Ngjarjet e novelës tjetër me personazh eunukun Jashim, Karta Belini, zhvillohen në Venecia. Novela e titulluar Syri i heq, me epiqendër haremin e sulltanit, doli në pranverë të vitit 2011 dhe një tjetër aventurë në Stamboll e titulluar Lexuesi latin, pritet të publikohet në vitin 2013.

Ali Pashë Tepelena, krime famëkeqe



Ali Pasha Alexander Dumas


I shkruar gati 40 vjet pas vdekjes së Ali Pashë Tepelenës, prej një prej personazheve më të njohura të letrave franceze, një shkrimtar sallonesh do ta quaja Aleksandër Dumas, “Ali Pasha, krime famëkeqe” është konsideruar nga historianët, si një nga biografitë më të mira kushtuar kësaj figure kaq kontroverse të historisë sonë.
Me stilin e një shkrimtari që di të eksplorojë thellë personazhin Dumas sjell një portret të njeriut që arriti të depërtonte në zemër të Perandorisë Otomane, dhe të kryesonte dhe Janinën…
Libri i Dumas është një libër i njohur prej vitesh për lexuesin e huaj. Ai ka qenë një manual referimi për çdo studiues të huaj jo vetëm për të mësuar për Ali Pashë Tepelenën, por dhe për periudhën e Perandorisë Otomane të fillimshekullit XIX, ku Ali Pasha ka pasur një rol të spikatur.
Ky libër është një dhuratë për lexuesin, pasi lexohet shumë lehtë për vetë stilin e Dumas, por ka brenda pasazhe të vërteta të historisë dhe historinë e një njeriu që e ka bërë Shqipërinë pjesë të bibliotekave të botës dhe personazheve të famshme kulturore dhe kur ajo ishte e izoluar, përmes jetës së tij.
Forma kronologjike e shtjellimit të historisë së Ali Pashë Tepelenës krijon mundësinë e ndjekjes funksionale, në ngjashmëri me një kronikë monografike. Që në krye, libri të bën të vetëdijshëm se kemi në dorë një nga historitë më të besueshme për Ali Pashën e Janinës, të zhveshur nga glorifikimet dhe sidomos stisjet për ta hijeshuar me petkun e atdhetarit të kombit shqiptar. Vetëm nga krijimtaria e një gjeniu si A. Dumas, figura e tij merr vlerat e vërteta dhe shndërrohet në një shikim real të stofit që e vesh atë. I venitur apo jo, arrijmë ta kuptojmë Ali Pashain dhe ta vlerësojmë veprimtarinë e tij më me qartësi”, tha Peçi. Sipas tij vetëm kur lexon librin kupton një gjë të sigurt: lënda nga vjen shtjellimi, burimi i informacionit, referimet e bashkëkohorëve të Ali Tepelenës dhe kujtimet e shkruara që vijnë nga një varg bashkëkohësish, nga ambasadori përfaqësues pranë Pashait, Pukëvijit, Lord Bajronit, Felicien Mallefille, Hughes dhe Uilliam Plomer, janë të mjafta për ta pranuar si titullin ashtu dhe jetëshkrimin, si më të saktin për jetën e tij.

VOLTERI: Rikthimi i një mendjeje vezullues

VOLTERI: Rikthimi i një mendjeje vezulluese











FATOS BAXHAKU

VolteriRrallë ndodh që një emër që e ke hasur apo lexuar në të ri të të krijojë sërish, edhe pse kanë kaluar tashmë shumë vjet, një kureshtje të plotësuar me kënaqësi dhe kthjelltësi, si nga e para. Zakonisht kjo ndodh me librat e fëmijërisë a të adoleshencës. Mund të jetë e zakonshme për Tuenin, Kolodin, Rodarin, Hashekun, por asesi për libra hijerëndë të filozofisë. E megjithatë, këto ditët e fundit, kjo ka ndodhur vërtet me disa prej nesh. Ai që na është kujtuar, duke e lexuar sërish me ëndje, është Volteri. (Volter, Traktat mbi tolerancën, përktheu Fari Laçka, SARAS, Tiranë 2015, 235 faqe, 800 lekë).
Zhan – Mari Arue, alias Volteri, e botoi këtë libër në 1763. Ishte 69 vjeç, në kulmin e famës dhe të bëmave. Historia e tij nis me një ngjarje të vërtetë. Në Tuluzë, që ishte bërë prej kohësh shesh beteje mes katolikëve në shumicë dhe hygenotëve në pakicë, një ngjarje e rëndë e ndau opinionin publik në dy palë. Në 1762, Zhan Kalas, një tregtar i mesëm, që jetonte deri atëherë qetësisht me gruan dhe dy djemtë e tij u dënua me vdekje menjëherë pas vetëvrasjes së djalit të tij të madh. Ai dhe familjarët e tij hygenotë (ithtarë të protestantizmit) akuzoheshin se kishin organizuar vrasjen e djalit të shtëpisë meqenëse ky i paskësh mbetur besnik katolicizmit klasik. Një akuzë absurde e cila, megjithatë u ekzekutua falë çmendurisë së përgjithshme që i kaplon në këto raste turmat.
Volteri revoltohet dhe mundohet të bërtasë mendimet e tij mbi tolerancën. Libri më pas nuk është gjë tjetër veçse një thirrje për paqe. Mendje të hapur dhe mirësi.
Përse duhet ta lexojmë ne Volterin edhe sot 250 vjet pas shkrimit? E para sepse është një libër që është shkruar në një mënyrë fare të këndshme, plot ngjyra, harmoni, ironi ndaj së keqes, por respekt për lexuesin. Nuk është imponues, nuk thotë të vërteta që i konsideron të prera, vetëm na shpreh mendjen e tij të hapur për gjërat që ka parë e dëgjuar, pastaj na lë ne, të tjerëve të vendosim, nëse ka pasur apo jo të drejtë. Edhe në mos duam të mësojmë seriozisht prej tij do të zbavitemi vërtet. Vetë ai shkruan në fund të kapitullit IV: Lexuesit e vëmendshëm që i shprehin lirshëm mendimet e tyre shkojnë edhe më larg se vetë autori… Botimi në shqip ka edhe një meritë tjetër. Ai është përkthyer në një shqipe të rrjedhshme bashkëkohore nga Fari Liçaj. Mbase pikërisht edhe andaj hera-herës, na duket sikur libri është shkruar në kohën tonë.
Pastaj ka edhe arsye të tjera. Traktati është një libër që na kujton plot e plot gjëra që kemi kaluar, po kalojmë e ka mundësi të na përsëriten edhe në të ardhmen. Errësimi i syve, mungesa e respektit për tjetrin dhe për jetën e tjetrit, dogma në vend të gjykimit, mendja e ngushtë në vend të dyshimit, a nuk janë këto gjëra që përditë i hasim ende në jetët tona?
Voltaire on a Je suis Charlie posterTraktati është gjithashtu një vepër e jashtëzakonshme për të gjithë ata që duan të dinë diçka jo vetëm mbi martirët, shenjtorët, papët, apo në përgjithësi për historinë e krishterimit, por edhe për historinë e feve në përgjithësi. Kultura e jashtëzakonshme e Volterit reflektohet sakaq që në kapitujt e parë të librit.
Kapërcimi ynë i madh nga ateizmi i dhunshëm shtetëror në ngazëllimin e rrëmujshëm fetar ka krijuar një konfuzion të madh si në ambientet religjioze, në ato shtetërore, por edhe në vetë ne individët e thjeshtë. Ta zëmë: a e kemi të gjithë të qartë diferencën mes jobesimtarit dhe ateistit, po atë mes ateistit indiferent dhe ateistit aktiv, po atë mes ateistit dhe deistit, po mes deistit dhe besimtarit të devotshëm praktikant? Po antiklerikal çfarë do të thotë? Ku është diferenca mes tolerancës dhe bashkëjetesës? Për të qenë të qartë Volteri, sikurse edhe shumë nga enciklopedistët e tjerë të shekullit XVIII, besonin në Zot, ai ishte një i krishterë. Ajo që ata kritikonin ishin intoleranca e bazuar në dogma dhe privilegjet e tepruara të kishës katolike asokohe, e cila në bashkëpunim me sundimtarë absolutë e mbante peng Europën e etur për liri dhe progres. Përmes rreshtave të librit të tij deisti Volter që këtu e 250 vjet më parë u ka dhënë përgjigje shumë prej pyetjeve që rreshtuam ca më lart.
Tani të gjithë e dimë, të paktën kështu na thonë, se prej kohësh edhe ne shqiptarët mëtojmë të bëjmë pjesë në Bashkimin Europian. Bukur fort, një dëshirë vërtet e ndershme. Por ama sa e njohim ne Europën, sa ia njohim themelet, mentalitetin, historinë, sakrificat? Përgjigjja e kësaj pyetjeje është e thjeshtë: pak, fare pak. Tashmë është një mendim i pranuar gjerësisht se fillesat e vërteta të Europës, të të vetëndjerit europian, kanë nisur me Iluminizmin francez dhe me jehonën që ai krijoi kudo në Europë, me mënyrën e tij të mendjes së lirë, të përpjekjeve së tij për kultivimin e tolerancës brenda vetë të krishterëve dhe më pas më gjerë, me besimet e tjera që nga Islami deri te Shintoizmi apo Budizmi. Një nga tiparet e gjenialitetit të Volterit është parashikimi i gjërave, shpresa se do të vijë një ditë, qoftë edhe pas 250 vjetësh që toleranca do ta dallojë Europën nga pjesa tjetër e botës. Ne që kemi aq shumë nevojë, bëjmë mirë t’i hedhim një sy këtij libri të rrallë.
Për herë të fundit, “Traktati mbi tolerancën” u ribotua në Itali në 2010. Parathënien e ka shkruar një nga mendjet më të hapura të kulturës italiane të këtyre dekadave të fundit, historiani dhe gazetari Serxho Romano. Ky na jep një arsye më shumë përse duhet ta mbajmë gjatë këtë libër në dorë. “Volteri kishte bindje të forta – shkruan ai në parathënien e tij – interesa të thella intelektuale, një kulturë të gjerë, një mënyrë të shkruari ironike dhe vezulluese, një kureshtje të jashtëzakonshme për ngjarjet e kohës së tij dhe një kapacitet të pafund për të rrëfyer idetë e tij. Me një fjalë të vetme, ndonëse termi është pak i kufizuar, ai s’ishte tjetër veçse një gazetar”. Volteri i parë si gazetar?! E përse jo? Mbase edhe kjo anë mund të na vlejë në jetë.

 Një i ndritur mes burgut dhe luksit

Kur më 1694 një djalë shëndetlig lindi në familjen e një juristi në Paris, askush nuk besonte se kishte lindur një prej gjenive që ka njohur deri më tani historia. Nga burgu, në diskutimet mes librave të vjetër deri te vezullimet perandorake. Kjo do të ishte jeta 83-vjeçare e Zhan-Mari Arue, që gjithë bota sot e njeh me emrin Volter.
I mbetur jetim nga e ëma që në moshën 7 vjeç, Zhan-Mari jetoi një adoleshencë dhe rini nën tutelën e hekurt të të atit. Madje, për disa kohë studioi edhe jurisprudencë, porse shpejt u dallua për shkrimet e tij në shtypin e kohës dhe për debate ironike, therëse, plot kulturë e guxim në një ambient që mbizotërohej nga monarkia absolute e Luigjit XIV. Shumë shpejt ky qëndrim do t’i kushtonte në fillim burgun, internimin në kufijtë e Francës dhe më pas kalimin në Angli.
“Periudha angleze” e Volterit (1626-1628) la mbresa të thella tek enciklopedisiti i ardhshëm. Monarkia kushtetuese angleze, Shekspiri jo plotësisht i famshëm, toleranca e anglikanëve ndaj priftërinjve të mbetur katolikë, racionaliteti anglez, a nuk ishin pikërisht këto që nuk i kishte parë në atdheun e tij? Kishte një nderim të madh për Njutonin, në varrimin e të cilit mori pjesë me sy të përlotur.
Pas rikthimit në kontinentin e vjetër për disa kohë, shpirti i tij gjeti paqe në udhëtimet e shumta në Holandë apo në Prusi, por duket se ngjarja më e madhe e jetës së tij asokohe ka qenë lidhja e dashurisë me Emili dë Shatle. Pikërisht në shtëpinë e saj, ku ndodheshin mbi 21 000 libra, ai nisi të shkruajë me një prodhimtari të paparë. Në 1746, me ndihmën e mikeshës së tij, Madamë Dë Pompadur, ai arriti një lloj paqeje me oborrin mbretëror duke u emëruar historian në Akademinë Franceze. Paqja nuk vazhdoi gjatë. Emilia e la për një tjetër dhe ai vendosi si gjysmë për hakmarrje, jo vetëm të martohej me mbesën e tij Denisë, por edhe të vendosej si çambelan në oborrin e Kaizerit Frederik I të Prusisë në Berlin. I vendosur në idetë e tij, kundër çdo kompromisi largohet edhe nga Berlini për të bërë jetë private në Zvicër. Në kështjellën e tij në Fernej, miqtë e tij të afërt ishin njerëz të tillë si Didro, d’Alamber, Kondorse, Adam Smith apo Eduard Gibon. Shkonte shumë keq me një tjetër të madh, me Rusoin, me të cilin, me sa duket, i ndanin diferenca të mëdha të karakterit.
Tashmë i plakur dhe i sëmurë, u kthye në Paris, i pritur me brohoritje të mëdha në 1778. Kishte jetuar plot 28 vjet në mërgim. Në të njëjtin vit u regjistrua në Lozhën Masonike së bashku me Benxhamin Frenklin.
Vdiq pak muaj pas rikthimit të tij. Trupi i tij i balsamosur u ruajt për shumë vjet një herë në Bibliotekën Kombëtare të Francës dhe më pas në “Comedie Française”. Kisha nuk pranoi ta varroste në vendet e saj të shenjta, atë që e konsideronte si heretik. A nuk ishte ai që në prag të vdekjes i kishte bërtitur priftit, që po i bënte shërbimet e fundit duke i përmendur Jezu Krishtin: Për atë Zot, mos m’i përmendni tani këta emra?! Por megjithatë në 1791, pas Revolucionit, u varros me madhështi në Panteon, atje ku prehen figurat më legjendare të Francës. Si për ironi të fatit, Panteoni vetë nuk është gjë tjetër veçse një kishë e madhe.

 Mësimet e mjeshtrit të vjetër

  • “Edhe pse shumë i madh, në Paris arsyeja triumfon mbi fanatizmin: kurse në provincë fanatizmi e tërheq arsyen prej hundësh”.
  • “Nderi i gjykatësve, ashtu si i çdokujt tjetër, qëndron në ndreqjen e gabimeve të veta”.
  • “Filozofia, vetëm filozofia, kjo motër e fesë i ka hequr besëtytnisë armët nga duart e gjakosura prej kohësh dhe tani që ka dalë helmi, mendja e njeriut habitet me mynxyrat ku e kishte shpënë fanatizmi”.
  • “Toleranca nuk ka nxitur kurrë luftë civile, kurse mostoleranca e ka mbuluar tokën me gjak”.
  • “Gënjeshtra i ka mbajtur njerëzit gjithnjë nën zgjedhë”.
  • “Ka një Zot i cili, pas kësaj jete kalimtare ku e kemi njohur aq pak dhe gjatë së cilës kemi kryer aq shumë krime në emër të tij, do të begenisë të na ngushëllojë nga të gjitha këto fatkeqësitë tona”.
  • “Po të marrim parasysh… urrejtjet e papajtueshme të ndezura për shkak të opinioneve të ndryshme dhe kur shohim të këqijat që ka shkaktuar devotshmëria e rreme, atëherë del se njerëzit e kanë jetuar ferrin prej kohësh në tokë”.
(Cituar nga Volter, Mbi tolerancën, përktheu Fari Laçka, SARAS, Tiranë 2015).

Maqedonia më e brishtë ndaj fanatizmit fetar


Mustafa Nano

Një rrëfim për konceptet e Volterit mbi tolerancën dhe fanatizmin fetar dhe atë çfarë ndodh sot me fenë në hapësirat shqiptare Kosovë apo Maqedoni
Ka treva ku fanatizmi fetar depërton më kollaj, si p.sh në Maqedoni, e ka treva ku ky fanatizëm gjen më shumë vështirësi për të depërtuar, si fjala vjen në Shqipërinë e Jugut.

Alda Bardhyli

“Në ditët tona ka ende fanatikë në ndonjë skutë të humbur, por kjo është sëmundje që moleps vetëm njerëz të ulët. Në Francë, arsyeja hedh rrënjë, si në dyqanet e tregtarëve, ashtu edhe vilat e zotërinjve. Ne duhen t’i kultivojmë frytet e saj, ca më tepër që nuk i pengon dot kush të rriten. Franca e ditëve tona nuk mund të qeveriset si në kohën e Garasit dhe priftit Meno. Sepse mbi të kanë hedhur dritë Paskali, Nikola, Arnoi, Bosyé, Dekarti, Gasendi, Bejli, Fontëneli etj”. Më 1763, Volter shkruante kështu në esenë “Traktat mbi tolerancën”, një libër që do të kthehej si një kushtetutë e pashkruar e ligjeve dhe shoqërisë njerëzore. Duke besuar te forca e arsyet dhe duke përjashtuar çdo prirje fanatike, Volter sjell në këtë ese filozofike jo vetëm një kronologji historike të raporteve fetare, por dhe një pamflet të mrekullueshëm kundër fanatizmit fetar. Me vështrimin e hollë të një filozofi, Volter duket se parashikon të ardhmen kur na e përshkruan Europën me veshjen që mbajnë sot grupet ekstremiste fetare, si për të treguar pafuqinë e institucioneve dhe shtetit për t’i vënë fre çdo rritjeje të dominimit fetar. Por në thelb, ky libër i sjellë në shqip nga “Saras” nën përkthimin e Fari Laçkës, është një libër që të ndriçon, një literaturë që më shumë se në çdo kohë tjetër duhet lexuar tani. Mustafa Nano, njohës i mirë i kontekstit historik fetar, sidomos të raportit historik të shqiptarëve me besimin, gjë që e ka sjellë në librin “Pax Albanica”, ua sugjeron librin e Volterit sidomos besimtarëve. Më poshtë duke u nisur nga ky botim i Volterit, ai vjen në një intervistë në një kontekst më të gjerë të rolit që ka feja në hapësirën shqiptare, dhe në dy hapësirat e tjera shqiptare Kosovë dhe Maqedoni.

Le ta nisim bisedën nga rasti që Volter trajton në librin “Traktati i tolerancës” ardhur në shqip nga “Saras”. Është historia e një burri protestant 68-vjeçar që ekzekutohet nga Gjykata e Tuluzës (Francë) për një krim që nuk e ka bërë (akuzohej se kishte vrarë të birin se donte të kthehej në katolik). Gati 250 vjet më pas, kjo histori ku përzihet fanatizmi dhe pafuqia për të ndryshuar një të vërtetë, ç’ju zgjon?
Ky libër do të duhej të ishte përkthyer me kohë në gjuhën shqipe, pasi është një nga librat më të rëndësishëm të botës. Por më mirë vonë sesa kurrë. Në këtë rast duket se është më mirë që është vonuar, pasi ka ardhur në një moment shumë të përshtatshëm. Nuk mund të gjeje një moment tjetër më të mirë për ta publikuar këtë libër. Do t’ua sugjeroja të gjithëve që ta lexojnë, sidomos besimtarëve. Nuk është një libër kundër besimit, por një libër kundër fanatizmit.

Volteri parashikonte një Europë të trazuar vite më parë…”Sa bukur do të dukej Europa e veshur me kapuç e maskë dhe me dy vrima të vogla të rrumbullakëta për sytë! Vërtet besojnë se në vend të rrobave të zakonshme Zoti do të parapëlqente këtë lloj veshjeje? …”, shkruan ai. A është Europa e veshur me kapuç e maskë sot?
Po, thënia e Volterit duket tamam për këto kohë, në të cilat po jetojmë. E dini? Gjithmonë mendohet se përsosja e qytetërimit dhe përhapja e dijes do të sjellë vetvetiu dobësimin e fanatizmit, por duket se nuk është kështu. Ose le të themi se nuk është kështu, në çdo rrethanë. Fanatizmi, me sa duket, do të ekzistojë gjithnjë, beteja me të do të jetë vazhdimisht një sfidë për njerëzimin. Unë kam bërë pjesë – dhe ende bëj pjesë, më duhet të them – te njerëzit që e besojnë se lufta ndaj injorancës, dhe edukimi i njerëzve pra, janë kura më e mirë për t’u përballur me fanatizmin. Por kohët që po jetojmë duket se po ma përgënjeshtrojnë këtë besim timin. Është e dhembshme kjo gjë. Ka prova se njerëzimi sot është më i dijshëm e më i arsimuar sesa në çdo kohë të mëparshme dhe prapëseprapë, fanatizmi është më i frikshëm se kurrë. Ja, ky është sandwich-i mes të cilit jam duke jetuar. Nga njëra anë kam besimin se dija e mposht fanatizmin, e nga ana tjetër shoh faktin se fanatizmi është arrogant edhe në këto kohë, kur analfabetizmi e arsimimi i njerëzve është më i madh se kurrë.
Nuk di ç’të them. Ndoshta ky shpërthim fanatizmi në këto kohë është thjesht një aksident historik; apo me fjalë të tjera, një parantezë e parëndësishme historike. Ndoshta.

A ka qenë toleranca e rrezikshme, flas për tolerancën që shteti historikisht ka pasur me raport me fenë…?
Ky është një diskutim delikat. Fanatizmit duhet t’i vëmë frerë, apo frena, por këtë duhet ta bëjmë me mjete të kulturës. Duhet të mobilizohen të gjitha energjitë civile, intelektuale, laike, kulturore, akademike, deri dhe fetare, duhen mobilizuar të gjitha mendjet e hapura të shoqërisë, në këtë betejë, në këtë debat. Me fjalë të tjera, ne duhet ta mundim fanatizmin me ndihmën e të gjithë atyre që besojnë te toleranca si vlerë.
Në këtë kuptim, toleranca nuk mund të vihet në diskutim. Po erdhi momenti që të pyesim veten, nëse ia vlen apo s’ia vlen që shteti, apo shoqëria, të jenë tolerantë, atëherë kemi kapur fundin. Nuk mendoj pra se e keqja duhet kërkuar te toleranca e aktorëve publikë, mes të cilëve është edhe shteti, ndaj ekstremizmit. E keqja duhet kërkuar te rrethanat, kushtet, situatat, që e prodhojnë fanatizmin. E di që mora poza moraliste në këtë rast, por nuk kam përgjigje tjetër.

Shqipëria shihet si një vend me tolerancë të lartë fetare, megjithatë shpesh ndeshemi me terma si veri dhe jug. Ju vetë e keni cekur këtë problem në një nga librat tuaj. A e shihni një tendencë për të dominuar përmes këtyre dy identiteteve?
Dikotominë veri-jug nuk i shoh të rrezikshme. Kjo dikotomi ekziston, nuk e mohoj. Ka njerëz sa të duash që janë të dhënë pas identiteteve lokale, pas patriotizmit tribal, ashtu siç ka edhe të tjerë që ua ka qejfi t’i afirmojnë këto identitete mbi kurrizin e atij nacional (edhe në politikë vihet re kjo sjellje tribale), por nuk jam i shqetësuar kushedi se çfarë lidhur me këtë gjë. Në botën shqiptare, rezultantja e këtyre vektorëve identitarë ecën në drejtim, e në favor të identitetit nacional. Ne jemi një komb i ri, në formim e sipër dhe unë vë re që ka një gjallërim e eksitim të madh nacional, që nuk mund ta dëmtojnë e cenojnë pasionet patriotike lokale. Madje, në doni ta dini, mua më shqetëson më shumë eksitimi nacionalist, sesa eksitimi gegë apo toskë. Pastaj, identitetet lokale kanë për të ekzistuar gjithnjë. Ato ekzsistojnë kudo. Edhe në botën e qytetëruar. Njeriu është i lidhur në mënyrë natyrale me “strofullën a folenë” e vet të origjinës dhe kjo nuk e dëmton idenë e një shtëpie të madhe të përbashkët.

Myslimanizmin e Shqipërisë gjatë periudhës otomane, ju e keni quajtur një proces që shqiptarët, në një masë të madhe, e kanë bërë me vetëdije. Megjithatë, shpesh përballemi me zëra që kërkojnë të nxjerrin në pah një truall të hershëm otoman ku janë ngulitur shqiptarët. Vetëm një javë më parë një imam në Kosovë tha se kosovarët duhet t’u jenë mirënjohës turqve që i sollën në këto toka?
Pretendimi i imamit në fjalë nuk është i bazuar shkencërisht. Nuk ka prova që është kështu. Dhe ai vetë nuk jep prova. Me sa duket, i flet zemra, e jo mendja. Të gjithë autorët seriozë që janë marrë me historinë e Shqipërisë nuk kanë bërë nënvizime të këtij lloji. Madje, të gjithë ata theksojnë të kundërtën, theksojnë pra që në këto viset tona, në ndryshim me atë që ka ndodhur në disa vise të tjera, nuk ka pasur ngulime turke, nuk ka pasur kolonë turke. Ka përjashtime, sigurisht, por këto përjashtime janë të vogla e të parëndësishme. Të kuptohemi, këtë thotë shkenca deri më sot. Nesër mund të dalin prova që vërtetojnë të kundërtën, por puna është se deri më sot këto prova nuk ekzistojnë. Prandaj, imami sipas meje thotë një gjë që ai vetë ka qejf të jetë e vërtetë. Ngatërron dëshirën me realitetin.

Në fakt, dëshira me realitetin duket sikur po ngatërrohet me kast në Kosovë…si e sheh realitetin atje…ku numri i kosovarëve që i bashkohen ISIS është rritur?
Nuk besoj se duhet të shqetësohemi prej numrit të atyre që rekrutohen nga ISIS-i. Këta mund të ishin edhe më shumë sesa kaq, por prapëseprapë nuk do shqetësohesha. Ashtu siç nuk do më ngushëllonte situata hipotetike, në të cilën nuk do kishim asnjë shqiptar të rekrutuar nga ISIS-i. Problemi për mua është flama e fanatizmit fetar, sepse është kjo që kap masa të mëdha të popullsisë, e që prodhon më pas edhe mish për topat e ISIS-it. Më duhet të them se në Kosovë nuk ka shumë fanatizëm të këtij lloji. Ka, por jo aq sa bëhet.

Megjithatë, ju jeni marrë me historinë e raporteve fetare në vend…Si e shihni terrenin ku operojnë fetë…është një terren i brishtë?
Është një terren, në të cilin, më lehtë sesa gjetkë, mund të kultivohet fanatizëm fetar. Por edhe ky fakt nuk është i vërtetë kudo njësoj në botën shqiptare. Ka treva ku fanatizmi fetar depërton më kollaj, si p.sh në Maqedoni, e ka treva ku ky fanatizëm gjen më shumë vështirësi për të depërtuar, si fjala vjen në Shqipërinë e Jugut.

Le të ndalemi pak në Maqedoni, aty ku shqiptarët duket se kanë përpara besimin pastaj kombin?
Është një argument që kërkon një thellim e fokusim të veçantë, por mendoj se më së shumti shpjegimi duhet kërkuar te historia e shqiptarëve atje. E kam fjalën për historinë e kohëve moderne, të këtij shekullit të fundit. Shqiptarët e Maqedonisë kanë pasur e kanë ndjesinë e vetëdijen e të qenët të margjinalizuar. Në fakt, kanë qenë e janë të margjinalizuar. Të margjinalizuar në botën shqiptare, e të margjinalizuar në shtetin maqedonas. Janë të harruar prej shqiptarëve e të shtypur prej maqedonasve. Fanatizmi i tyre fetar është një koracë mbrojtëse. Isha para disa javësh në Shkup. Dhe atje pashë qendrën e Shkupit, ku ishin ngritur monumente kolosale të Aleksandrit të Madh e të Filipit, të atit të Aleksandrit(vetëm një mendje e sëmurë mund të ngrinte monumente të tilla të çmendura, do thosha). E në anën tjetër, ishte lagja shqiptare e zhytur në një mjerim biblik. Çfarë mund të presësh në këto rrethana. Në këto rrethana edhe unë do isha bërë fanatik e ekstremist. Në mos ekstremist fetar, me siguri ndonjë ekstremist i ndonjë lloji tjetër.

Volteri do të thoshte se këtu duhet të ndërhyjë shteti?
Nuk e di cila do mund të ishte zgjidhja në këtë mes.

Megjithatë, le te ndalemi te një event gati provokues juaji. Është show juaj me titull “Dhe profetët dinë… të puthin” që do të realizoni më 24 prill?
Po, kam vendosur të bëj një show timin, një one-man show, ku do të flas po për këtë argument: fetë dhe shqiptarët. Nuk është show televiziv. Është një show në skenë. Provokativ? Nuk e di. Di që do të jetë një show ku do të tentoj të bëj një “desakralizim” të feve, ku do të hedh një vështrim laik e historik, më saktë historicist, mbi fetë. Për rrjedhojë, do t’u bëhet një kritikë doktrinave fetare, por do të jetë një kritikë e balancuar (nëse ky fakt vlen për të qetësuar ndokënd). Në përgjithësi, e kam menduar si një show për jo fetarë, ose për besimtarë që kanë një marrëdhënie të shpenguar me fetë.
Lidhur me leximin që ju i bëtë titullit (“Dhe profetët dinë… të puthin”), më duhet të them se puthja e profetëve nuk duhet marrë në mënyrë literale. Por nuk po ju them më shumë …

Administrata e Trump-it ofroi një mundësi, por jo një zgjidhje për problemet që ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë

  Search inside image Akademik  Mehdi Hyseni,PHD Profesor Dr. Mehdi Hyseni  , është Doktor i Marrëdhënieve Politike Ndërkombëtare dhe Bashkë...