9 MAJI 1945
Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë...
Nga Fritz RADOVANI
9 Maji 1945 “PËRANDORIA E SË KEQES” ME DISA MILJON SKLLAVË
■Ma në fund u gjet edhe mënyra per me shkatrrue Europen e qytetnueme!
■Edhe pse të gjithë e kishin kuptue se kush ishte Bashkimi Sovjetik dhe udhëheqësi i tij diktatori Stalin, as Rusvelti dhe as Çërçilli nuk ishin në gjendje me i caktue cakun se deri ku mund të shtrihej sundimi i tij, madje, shpesh, edhe tue harrue barbarizmin e tij.
Fatkeqsia e popujve të Europës e ma vonë të Azisë, ishte se Rusvelti asnjëherë nuk arrijti me kuptue mjeshtrinë diplomatike të Stalinit per me sigurue zonat e influences së vet!
■Atëherë kur Stalini dukej sikur kishte dalë nga vetvetja e po fliste në Jalta, pra në muejn Shkurt 1945, per “zgjedhje të lira dhe të drejtën e vetvendosjes në zonat e lirueme”, ishte ajo kohë kur ushtria sovjetike i kishte pushtue të gjitha ato, e do të vepronte si donte ai!
Stalini shkoi edhe ma perpara tue propozue edhe “Qeveri Demokratike në të gjithë Europën Lindore, të daluna nga zgjedhjet e Lira nder ata shtete!” Pikrisht, kur ushtria sovjetike vazhdonte marrshimin drejtë pushtimit të Tokave të tjera drejtë Berlinit!
■Prova ma e sakta e mashtrimeve të Stalinit për ata “premtime” ishin zgjedhjet që po përgatiteshin në Jugosllavi, dhe shtetin e varun prej saj në Shqipninë komuniste. Pra, Stalini zgjodhi dy shtete që nuk ishin çlirue nga ushtritë sovjetike, po influenca e tij ishte vendimtare në zgjedhjen e Titos e Enver Hoxhës, në këto “zgjedhje të lira e bolshevike”!
■Me 9 Maji 1945, Stalini kishte arrijtë shtrimjen e vet deri në lumin Elba ...
■Në të gjitha shtetet e Europës Lindore (e ma shumë nder ata Perëndimore), Stalini, jo vetem, nuk lejoi zgjedhje të lira, po edhe perforcoi poziten e partive komuniste nder të gjitha shtetet ku kishte kjoftë edhe vetem një ushtar sovjetik, ndersa, nga pikpamja e tyne “demokratike”, ata ishin dhe mbeten deri diten e fundit “parti staliniste”...
■”Perandoria e së keqes” Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike ase BRSS, me datën 9 Maji 1945 kishte 16 “republika bolshevike” që shtriheshin deri nder kufinjtë e Koresë dhe në Lindjen e Largët... poshtë me dalje në Detin e Zi dhe Adriatik e Jon... dhe me një territor të pushtuem ku, mbizotnonte diktatura staliniste nder këto shtete: Letoni, Estoni, Lituani, Poloni, Gjermani Lindore, Çeki e Sllovaki, Hungari, Rumani, Bullgari, Jugosllavi dhe Shqipnia ynë “Dera e Adriatikut”, e “Paktit të Varshavës”!
■Sikur të kalonim para syve tanë vetem portretet e udhëheqësve komunistë të këtyne vendeve para vitit 1990, tue fillue nga Oneker i Gjermanisë apo Çaushesku i Rumanisë, e deri tek anadollaku i Shqipnisë Ramiz Alia... Vetem atëherë, do të kuptonim fatin e zi të Popujve tanë, që per 70 vjetë vuejten nën diktaturen e pashoqe staliniste bolshevike.
■Nëse historia e BRSS nuk do ti harrojë kurrë “Gulagët” e Stalinit, apo ata tmerret e kampeve të shfarosjeve në Siberi... As Populli Shqiptar nuk do të fundosin në “Arkivin e Harresës” asnjëherë: Torturat, masakrat dhe zhdukjet e bame nga hetuesit dhe vrasësit komunistë, nder 26 Burgjet dhe hetuesit e Shkodres nga viti 1944... e përgjithmonë!
***
■Në këte 70 vjetor të datës 9 Maji 1945, Putin i Rusisë... ka mendue me dekorue edhe
24 vetë, që po i thonë se janë “shqiptarë’’: Rustem PEÇI, Odhise PORODINI,
Sul DOMI, Gjike KURTIQI, Ziqiri MERO, Faik ALIAJ, Servet AGALLIU, Orhan FRASHËRI, Gjemal KACANI, Spiro JANI, Llutfie MERO, Gjon BANUSHI,
Manushaqa MIKO, Lefkoshe PAPAJANI, Alfred MOISIU, Rita MARKO, Ballëm META , Kadri DINGU, Asllan GROPASI. Nuk i njoh! Edhe mund të jenë...
■Më çuditë vetem një fakt: Si përputhet mendimi i Putin me veprimin e kryeministrit Edi Rama, që në gjithë listen nuk ka mujtë me gjetë asnjë emen “katolik” ashtusi, edhe kryeministri Rama, tash dy vjet “nuk gjenë asnjë katolik, per ambasador në Vatikan”!!
A mos asht një kujtesë kjo e vitit 1945...Që, përkon me Sulltan Mehmetin e II...në 1478...
■“Në Shqipni, të mos mbetet ...Asnjë Katolik!”...
Fritz Radovani u lind në Shkodër me 6 janar 1940. Në bombardimin e bamë nga Aleatët me 13 tetor 1943 në Tiranë, ìu vra i ati Kol Radovani, major i policisë shqiptare dhe u rrit me t'ëmën.
Në vitin 1956, në Shkodër ka përfunduar shkollën e mesme Pedagogjike.
U emënue nga Ministria e Arsimit në Burrel, në fshatin Macukull. Për arsye shëndetësore u kthye në Shkodër dhe u emënue disenjator në Kabinetin Pedagogjik, ku punoi 4 vjet. Mbas katër vjetësh për arsye të shkurtimit t'organikës kaloi mësues në lagjen Liria po në Shkodër.
Gjatë asaj kohë pra, në vitin 1965 ka përfunduar Liceun artistik me korrespondencë në Tiranë. Nuk ìu dha e drejta me vazhdue shkollë të lartë për arsye biografie. Në vitin 1968 në periudhën e Revolucionit Kultural, mbas arrestimit të dytë të vëllaut të madh, u transferua në fshatin Kosmaç, mësues në klasat fillore.
Në vitin 1969, u largua nga arsimi (po për arsye biografie) dhe u emënue piktor në fabrikën e Tekstilit Shkodër. Aty nuk vazhdoi vetëm dy vjet me titull “Piktor” dhe kaloi në organikën e asaj fabrike si punëtor reparti stampimi deri me daljen në pension të parakohshëm në vitin 1992.
Që nga viti 1967 nuk ka pas të drejtë as me marrë pjesë në ekspozita pikture.
Që nga viti 1945 dhe deri në vitin 1998 (tue përjashtua vitet 1961–1964) ka pas vazhdimisht një njeri të familjes në burgjet e kampet e shfarosjes, prandej edhe ka qenë gjithmonë i përfshimë në “luftën e klasave” të pushtetit komunist. Në vitet 1945 janë arrestuar dy dajat Paulin e Mikel Prennushi.
Paulini ka ba 5 vjet burg e 5 vjet internim. Mikeli ka ba 10 vjet burg. Në vitin 1946 është arrestuar axha i nënës At Mati Prennushi, Provincial i Françeskanëve të Shqipërisë, i cili është pushkatuar me 11 mars 1948. Në vitin 1948 është arrestuar daja tjetër prift Don Kolec Prennushi, i cili mbas hetuesisë ka vdekur në vitin 1950.
Në vitin 1950 është arrestuar vëllau Alfonsi, dhe është dënue 8 vjet burg me grupin e studenteve të Gjimnazit Shkodër. Eshtë arrestuar prapë në vitin 1967 dhe është dënue me grupin e klerikëve të Tiranës, me 10 vjet burg për pikëpamje fetare tue u përfshi në nenin e “Agjitacionit e Propagandës kundër pushtetit”.
Në vitin 1991, në muajin janar u zgjedh Kryetar i Sindikatës së Fabrikës Pëlhurave të Shkodrës, në periudhën e lëvizjes antikomuniste në Shqipëri. Po këtë kohë u zgjedh edhe anëtar i Kryesisë BSPSh (Bashkimi i Sindikatave të Pavaruna Shqiptare) në Shkodër, për sektorin e propagandës dhe marrëdhënieve mes besimeve.
Ka kontribuuar në përmbysjen e qeverisë komuniste të Ramiz Alisë, tue organizuar mbledhje, mitingje, greva dhe në radio “Shkodra” e gazeta, me artikuj kundër komunizmit. Nuk u pajtue asnjëherë me demagogët dhe komunistët e konvertuem në “demokrat” e “socialist”, për këtë arsye edhe nuk kam ba pjesë asnjëherë në asnjë parti politike të djathtë as të majtë.
Kjo e ka shtye që në vitin 1997 me u larguar nga Shqipëria ilegalisht, mbasi u kercnue me vrasje. Në vitin 1998 u kthye në Tiranë dhe në vitin 2000 ka emigruar në Australi. Edhe këtu nuk kanë munguar veprimet kundër tij nga metastazat e Sigurimit famëkeq të komunistëve të Tiranës. Falë Shtetit Australian që i ka siguruar jetën.
Këtu ka përfunduar në vitin 2002 librin “Një monument nën dhe” dhe ka vazhduar punën për një botim të dytë të librit “At Pjetër Meshkalla S.J.”, i botuem për të parën herë në Shqipëri në vitin 1993. Në vitin 1992-1993 është bashkautor i librit “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944-1990”, libër i cili i është dhurue Papës Gjon Pali II, me rastin e vizitës në Shqipëri me 25 prill 1993. Kam përfundue edhe librin “Gurt’ e Parë” dhe është futë në “labirintet e demokracisë përparimtare”, me mujtë me i dhanë rinisë një punë tjetër modeste nga ana eme. Dy të fundit janë dorëshkrime. Përveç “publicistikës” tashti Radovani po punon mbi një libër të vogël (xhepi) për mësimin e bazave të para të GJUHËS SHQIPE (Gegërishtja e sotme), për nxënësit e rritun në Australi që kanë përfunduar shkollat e ulëta e nuk njohin Gegërishten.