2015-12-12

Edi Rama dhe Fatos Lubonja replikojnë në gazetën italiane

Gazeta italiane “Il Foglio” si pjesë të një reportazhi të saj me titull “Rruga e luftëtarëve të huaj italian kalon nga Shqipëria”, ka intervistuar kryeministrin Edi Rama si dhe analistin Fatos Lubonja për problemet që po çojnë Shqipërinë drejtë përqafimit të islamit radikal.

“Nëse këto ide radikale kanë gjetur vend në mendjet e njerëzve që jetojnë në Suedi dhe Norvegji, nuk mendoj se duhet të befasohemi nëse gjejnë hapësirë dhe në një vend të vogël dhe të prapambetur”, shprehet kryeministri, Edi Rama ndërsa mban në dorë një laps me të cilin sapo ka vizatuar një gjë abstrakte mbi letër.
Lubonja1
“Përgjigja për radikalizmin islamik është zhvillimi ekonomik, por edhe ai kulturor”.

Pavarësisht se janë rritur masat antiterror, Rama beson se terrorizmi luftohet vërtetë vetëm duke vepruar mbi shkaqet sociale dhe ekonomike që e shkaktojnë atë.

Për këtë Rama flet shpesh për progresin që ka bërë vendi i tij në këto fronte.

Sot thotë ai, vendi ka një demokraci të qëndrueshme me rritje ekonomike dhe një popullsi të re dhe të edukuar.

Fjala kyçe thotë Rama mbetet “modernizimi”.

“Por si e matim progresin e vendit tonë?”, pyet Fatos Lubonja nga një lokal në Firence, qytet ku kalon pjesën më të madhe të vitit.

“Të rinjtë vazhdojnë të largohen nga vendi dhe oligarkët në pushtet janë zgjatimi natyral i regjimit komunist”, thotë ai.

Këtë regjim Lubonja e njeh mirë, ai u dënua bashkë me babën e tij dhe kaloi 17 vite në burgjet e diktatorit Enver Hoxha.

Sipas Lubonjës, Rama dështoi të mundte oligarkinë në pushtet dhe çdo ditë e më shumë vendi po i afrohet Kosovës dhe jo Evropës.

“Mes dy alternativave të lindjes së një lëvizjeje për të protestuar ndaj oligarkisë si Syriza dhe lindjes së një lëvizjeje fetare si AKP, unë shoh më të mundshme këtë të fundit”, shprehet Lubonja.

Tensionet me Rusinë – Turqia do t’ia kufizojë Rusisë qasjen në Bosfor

Shkallëzimi i tensioneve mes Moskës dhe Ankarasë mbi rrëzimin muajin e kaluar të një avioni luftarak rus nga avionët turq po kërcënon të ringjallë një rivalitet të vjetër lidhur me qasjen në ujrat e Bosforit dhe Dardaneleve të Turqisë. Kjo ngushticë e lundrueshme është çelësi për tregtinë ruse dhe marinën e saj, në veçanti për furnizimin e bazave të saj në Siri.
tens trq
Ngushtica detare 30-kilometërshme e Bosforit, që e ndan Stambollin në gjysmë, është porta nga Deti i Zi për në ujërat ndërkombëtare.

Pjesa më e madhe e naftës ruse kalon nëpërmjet saj, po ashtu edhe flota e Detit të Zi, që tani furnizon forcat ruse në Siri. Kjo është arsyeja pse kjo ngushticë detare është bërë çështja qendrore e rritjes së tensioneve mes Ankarasë dhe Moskës.

Ambasadori turk në pension Murat Bilhani paralajmëron se kufizimi i qasjes në Bosfor mund të bëhet një alternativë për Ankaranë.

“Në rast të një konflikti të përshkallëzuar me Rusinë, Turqia mund ta përdorë këtë kartë, sepse, sipas Marrëveshjes së Montrosë, në qoftë se Turqia merr pjesë në një konflikt, palës tjetër në konflikt nuk i lejohet të kalojë në ujrat e Bosforit. Natyrisht, kjo është një kartë shumë e rrezikshme.”Përdorimi i rrugëve ujore të Bosforit dhe Dardaneleve është garantuar sipas Konventës së vitit 1936 nënshkruar në Montro të Zvicrës. Ankaraja asnjëherë nuk e ka bllokuar qasjen në këto ngushtica. Por mediat ruse kanë akuzuar autoritetet turke se kanë vonuar qëllimisht kalimin e disa anijeve; akuzë që Ankaraja e mohon.

Shkencëtari politik Cengiz Aktar i Universitetit Sulejman Shah të Stambollit paralajmëron se nëse Ankaraja përdor ngushticat kundër Moskës, ajo mbart rreziqe të mëdha.
“Kjo do të krijojë tension të madh ndërkombëtar. Por dua të them që ne nuk e dimë se si do të reagojë Ankaraja. Gjasat janë të mëdha dhe të hapura.”

Vëzhguesit paralajmërojnë se çdo ndërhyrje në lidhje me përdorimin e ngushticave mund të rezultojë në thirrje për rishikimin e Marrëveshjes së Montrosë, diçka që Ankaraja është e prirur për ta shmangur. Por tensionet u shtuan më tej këtë javë me shfaqjen e një fotografije të një marinari rus në një luftanije tranziti në Bosfor, i cili mbante mbi sup një raketë portative tokë-ajër. Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu e quajti foton një provokim, duke paralajmëruar veprimeve të papërcaktuara.

Ambasadori turk në pension Bilhani vë në dukje se Ankaraja mund të luajë kartën e mjedisit për të bllokuar trafikun në ngushticat ujore.
“Çisternat e mëdha, çisternat transoqeanike janë duke u bërë rrezik për ngushticat, veçanërisht në Stamboll. Stambolli ka një popullsi prej 18 milionë banorësh.”

Ndërsa Moska dhe Ankaraja kanë intensifikuar mbështetjen e tyre për palët kundërshtare të luftës civile në Siri dhe ndërsa ngushica e lundrueshme është një rrugë jetike për furnizimin e bazave ruse në Siri, vëzhguesit paralajmërojnë se kjo zona duket e destinuar të mbetet një pikë tensioni mes të dy palëve.

‘The Sun’ kërkon falje për tregimin e trilluar mbi terrorizmin

Tabloidi britanik “The Sun”, ka kërkuar falje për sajimin e tregimit në të cilin një honorarist i saj kishte udhëtuar nga Turqia deri në Paris pa patur fare pasaportë

the se


LONDËR – Njëri nga tabloidët më të popullarizuar në Britani të Madhe “The Sun”, ka kërkuar falje për sajimin e tregimit në të cilin një honorarist i saj kishte udhëtuar nga Turqia deri në Paris pa patur fare pasaportë.

Artikulli “6 Days to Terror” nga gazetari honorarist Emile Ghessen, i publikuar më 5 dhjetor, jo vetëm që pretendonte se gazetari ka kaluar destinacionin pa pasaportë, por se të njëjtën e ka bërë për vetëm gjashtë ditë.

Në sqarimin të botuar sot “The Sun” shkruan: “Në një artikull të 5 dhjetorit, të titulluar ‘6 days to terror’, ne publikuam ditarin e Emile Ghessen, dokumentarist me honorar dhe ish ushtar i njësitit Royal Marine, i cili tha se kishte kaluar ilegalisht nga Turqia në Paris pa pasaportë”.

Nga Blendi Fevziu : Ja çfarë ka ndodhur mes Ramës dhe Blushit!

Ishin miq! Pastaj u përplasën publikisht. Bashkëpunuan dhe u përplasën sërish! Histori e vështirë kjo mes Ben Blushit dhe Edi Ramës. Një histori që reflekton gjithë dilemat dhe pasigurinë e vetë Selisë Rozë.
blushi-rama
Raporti mes dy njerëzve më të rëndësishëm të Partisë Socialiste nis në fillim të viteve ’90 – të. Rama pedagog i pikturës në Institutin e Lartë të Arteve dhe Ben Blushi i sapo diplomuar në letërsi, ata u grumbulluan fillimisht rreth gazetës Koha Jonë dhe më pas rreth fondacionit Soros në Tiranë. Nuk dihet se kur dhe si janë prezantuar ata të dy në Tiranën e rrëmujshme të 1991 – 1992, por dihet se lidhja mes të dyve u bë më e fortë pas ardhjes së PS në qeveri në vitin 1997.

Në vjeshtën e atij viti Ben Blushi, në atë kohë zëdhënës I Kryeministrit, ndërmjetësoi një takim në Hotel “Maurice” në Paris mes Kryeministrit Nano dhe Edi Ramës që ishte emigrant në Francë. Takimi u pasua nga një fjalë përshëndetëse e Nanos në 7 vjetorin e Reflesioneve, në Dhjetor 1997, shoqëruar me elozhet e Ramës për të si dhe një darkë e papritur në Restorant Piazza. Produkt i të dyjave ishte thirrja e Ramës si anëtar Kabineti në Prill 1998, në postin e Ministrit të Kulturës.

Blushi ishte kumbari i dashurisë së re Nano – Rama. Një dashuri që gjithsesi nuk do zgjaste më shumë se disa muaj.
Blushi ndoqi po ashtu një rrugë politike. Ai u zgjodh deputet më 2001 dhe Ministër i Arsimit po atë vit. Midis tyre u vendos një aleancë e dukshme. Raporti qe aq bashkëpunues dhe aq i fortë, sa Ben Blushi ishte i vetmi anëtar i qeverisë që mbështeti kandidaturën e Ramës për kryetar i PS në kongresin e Dhjetorit 2003. Kanditaturë që ishte përballë asaj të Kryeministrit Nano. Nuk ka asnjë dyshim që tej preferencës së Ramës ndaj shefit direkt të tij, Kryeministrit, Blushi kreu edhe një gjest mjaft domethënës politik. Ndryshe nga shumica e Ministrave që ndiqnin humorin e Kryeministrit, ai u konfirmua si një figurë partiake.

E asaj stature që luante përtej interest të momentit si ministër dhe që shihte edhe anën e përtejme, atë të selisë rozë. Por padyshim, ky gjest duhet komentuar edhe me tolerancën emblematike të Nanos që nuk do të përsëritej më në PS.
Bashkëpunimi u bë më dominues në vjeshtën e vitit 2005, kur Blushi u angazhua fort për ardhjen e Ramës në krye të PS. Bashkëpunim që nisi ende pa mbaruar numërimi i votive të 3 korrikut. Mbasditen e herët të datës 4 Korrik, kur Edi Rama i veshur me pantallona të verdha, mbërriti në selinë e PS me një propozim konkret për Gramoz Ruçin dhe Ben Blushin.

T’i mbyllnin Nanos derën e PS me premtimin që si lideri i ri i asaj selie, ai t’i sillte në pushtet. Sipas të gjitha informacioneve mes Blushit dhe Ramës ka pasur atë mbrëmje një bisedë të gjatë. Një bisedë për të cilën nuk është shprehur më pas asnjë nga ata. Thelbi i saj mund të merret me mend. Pak muaj më pas Rama erdhi në krye të PS në vendin e lënë bosh nga Fatos Nano në respekt të një deklarate të bërë në emisionin Opinion më 10 Shkurt 2005 dhe të një standarti që Edi Rama e kishte propozuar në kongresin e majit të atij viti: “Kush humbet zgjedhjet, largohet nga drejtimi I partisë”!

Në dy vitet e para të Ramës raporti i tyre qe mjaft intensiv dhe kulmoi me emërimin e Blushit si Kryetar i Grupit Parlamentar të PS në Prill 2007. Por ai qëndroi në këtë detyrë vetëm pak muaj. Si pasojë e keqmenaxhimit të zgjedhjes së Presidentit në Korrik 2007 dhe mbështetjes së 6 deputetëve të PS për Bamir Topin, Blushi dha dorëheqjen. Në fakt raportet e tij me Ramën vijuan mjaft të mira deri në korrik 2009.

Pas humbjes në zgjedhje dhe kontestimit të Ramës që pretendonte se votat qenë vjedhur, Blushi deklaroi se PS i kish humbur këto zgjedhje dhe i kërkoi Ramës që të njihte përgjegjësinë e tij. Debati mes tyre mund të përmblidhet në dy fjalë: Rama deklaronte se humbja e tij e kish thelbin e saj në kutitë, ndërsa Blushi besonte dhe deklaronte se ajo gjendej jashtë tyre, madje tek Rama vetë.

Raportet e të dyve u tensionuan mjaft në verën e 2009 dhe Blushi kontestoi edhe rizgjedhjen e Ramës në krye të PS. Por nuk konkuroi vetë për Kryetar. Në këtë kohë, së bashku me 6 deputetë të tjerë Blushi krijoi Lëvizjen për mendimin Ndryshe. LMN funksionoi disa kohë, ajo e kontestoi PS në bazën dhe thelbin e saj, i solli mjaft probleme Ramës, por pushoi, pa ndonjë shpjegim të qartë. Nuk ka asnjë dyshim që rolin kryesor këtu e luajti Blushi që u tërhoq në momentin e një vendimi me mjaft përgjegjësi: A qenë ata 6 deputetë të gatshëm të krijonin një formacion tjetër politik në atë moment që Rama i mbylli shtigjet dhe ata s’mund të vijonin më tej brenda PS?

Nuk dihet se ç‘ka lëvizur tjetër, por një bilanc mund të bëhet këtë moment. LMN ndikoi mjaft për të kthyer një seri vendimesh absurde që do ta kishin rrënuar krejt të ardhmen e PS, bojkotin e parlamentit dhe strategjinë e dhunës. Dy gjëra që Blushi vijoi t’i mbrojë ende, siç është në rastin e dytë qëndrimi që ai ka mbajtur kundër grevës së urisë së majit 2010 dhe për 21 Janarin.

Rreth vitit 2012, kontestimet publike të Blushit ndaj Ramës u redaktuan, dhe ky i fundit, filloi ta përmendë emrin e Blushit sërish si një vlerë në PS.
Përpara zgjedhjeve të 2013, Rama dhe Blushi u panë disa herë bashkë, në takime të gjata, që vijonin edhe disa orë. Më shumë se takime shkrimtarësh që sapo kishin publikuar librat e tyre, ato ngjanë takime mediatike, për të dhënë sinjalin e një raporti të ri. Nuk dihet nëse mes tyre ka pasur sërish një marrëveshje, apo një pakt, por dihet se Rama dhe Blushi qenë rikthyer në një komunikim të ri.

Të ndryshëm nga ai i 2009, por padyshim, larg atij të vitit 2005. Edhe pse Blushi, vijon të jetë sot, i vetmi zë në PS që shpreh mendime të ndryshme nga ato të Ramës e madje edhe artikulon teza politike që prodhojnë debat në publik. Dhe absolutisht i vetmi që në disa qëndrime rresht ka qenë kritik ndaj vetë politikës së PS.

Raporti Blushi – Rama u duk sikur u tensionua pas zgjedhjeve të 2013 dhe caktimit të Qeverisë, Qeveri ku Blushi nuk bënte pjesë. Por Opinion.al ka pasur informacione që raporti Blushi – Rama ishte prishur më herët, që në Maj 2013 gjatë fushatës kur Blushi drejtonte qarkun e Elbasanit.

Shkaku i prishjes nuk dihet, por dihet se që atëherë, kontaktet dhe marrëdhënia mes tyre ka qenë shumë sporadike. Blushi ka qenë ndër pritikët kryesorë të qeverisë, me një kritikë të strukturuar. Herë herë ai ka marrë edhe përgjigjë të tërthorta të Ramës. Por ky i fundit, i pyetur në Opinion për një koment më konkret është përgjigjur se ai nuk komenton, komentatorët. Tentativa për një bisedë mes tyre thuajse një vit më parë gjatë një darke në Pezë po ashtu dështoi. Blushi nuk u përfshi në zgjedhjet lokale dhe sot, mbetet zëri më i drejtëpërdrejtë dhe më kritik i Qeverisë brenda mazhorancës.

A mund të vijojë Blushi të qëndrojë në PS apo do tentojë të krijojë një grupim të tijin politik? A do të presë ai me durim dështimin e Ramës për t’ju dhënë formë kritikave të vazhdueshme apo do tentojë ta shpejtojë këtë rrëzim duke u angazhuar edhe vetë politikisht?

Vështirë t’ju japësh përgjigje gjithë këtyre pyetjeve, nga të cilat varet jo pak edhe suksesi i vetë PS në zgjedhjet e 2017. Ose së paku është vështirë t’i japësh një përgjigje, derisa njëri prej tyre të flasë më drejtëpërdrejtë!

Shumë gabime gjatë përcaktimit të vijës kufitare Kosovë-Mali i Zi


muhametsadiku

Prof.Dr.Muhamet Sadiku

Kosova pas përfundimit të luftës ka kaluar një tranzicion tejet kompleks dhe të kushtueshëm. Në mungesë të kulturës demokratike dhe të koalicioneve, Kosova është përballur me probleme rreth zbatimit të disa projekteve me rëndësi strategjike dhe kombëtare siç ishte rasti i projekteve në sektor të energjetikës, telekomunikimeve, “Trepçës”.

Projekti i privatizimit në mungesë të konsensusit ishte bërë edhe shkak i zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Vështirësitë u krijuan në mungesë të arritjes së konsensusit të gjerë dhe mungesës së respektimit të involvimit të shoqërisë civile. Sikurse të mos jenë nxjerrë mësime nga sfidat gjatë realizimit të disa projekteve të mësipërme. Vëmendja shkon në procesin e përcaktimit të vijës kufitare Kosovë – Mali i Zi. Kemi shpresuar se Kosova ka ekspertizë gjeo-hartografike për ta qeverisur këtë proces me Malin e Zi. Procesi ka zgjatur, nuk është diskutuar që nga fillimi dhe është përfunduar në mungesë të transparencës dhe involvimit të gjithë akterëve shkencorë, institucionalë dhe të shoqërisë civile.

Për zhvillimin e këtij procesi opinioni kosovar më tepër është informuar nga portalet dhe raportet qeveritare të Malit të Zi sesa nga pala kosovare. Në përfundim të tij gjërat kanë filluar të qartësohen se Kosova do të humbë sipërfaqe tokësore dhe se sloganet politike se nuk e humbim asnjë centimetër duken joserioze.

Tani kemi një proces të devijuar dhe jemi duke u ballafaquar me sensibilizimin e opinionit të gjerë. Nënshkrimin e Marrëveshjes Qeveria e ka bërë lajm të mirë, ngase në botë çdo lajm për përcaktimin e vijës kufitare përçohet me mesazhe të paqes dhe bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë. Kështu edhe ka ndodhur në takimet e palës kosovare me qendrat e vendosjes të cilat nuk kanë treguar interesim për aktin e nënshkrimit të marrëveshjes. Këto qendra ndërkombëtare nuk e kanë vënë fokusin në kredibilitetin e kësaj marrëveshjeje. Ata këtë punë e konsiderojnë si çështje bilaterale. Por në momentin që kjo bilaterale nuk do të funksionojë e kthejnë vëmendjen rreth kësaj çështjeje duke e konsideruar edhe si çështje ndërkombëtare.

Në vijim do të paraqes disa defekte dhe gabime të bëra nga pala kosovare gjatë përcaktimit të vijës kufitare:

Partneriteti ndërkombëtar dhe fqinjësia integruese

Duke dashur të manifestojnë një lloj triumfalizmi dhe orientimi properëndimor në këtë punë, pala kosovare ka nënshkruar marrëveshje rreth demarkacionit e cila nuk i është prezantuar opinionit e as zgjedhësve. Këtë po e ndërlidhin për një kriter integrues “fqinjësia e mirë” dhe “liberalizimin e regjimit të vizave”. Të sqarojmë se fqinjësia e mirë ndërtohet me vullnetin e dy shteteve, sepse në të kundërtën kjo është fqinjësi asimetrike. Në anën tjetër në përafrimin e Serbisë në BE Kosovës i janë kërkuar investime të fqinjësisë së mirë. BE ka dashur që nëpërmjet negociatave Serbi – Kosovë të dëshmojë vitalitetin dhe afinitetin integrues të Serbisë.

Sa herë që Kosova thirret në fqinjësi, nga Serbia vijnë porosi se asnjëherë nuk do ta pranojnë Kosovën. Kjo do të thotë se Serbia, Kosovën nuk e konsideron së paku as fqinj, e lëre më si fqinj të mirë. BE-ja dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë, nga Kosova kërkojnë përmbushjen e kritereve integruese në kontekstin kompleksitetit të tyre. Dëshira dhe ngutia kosovare për të dëshmuar vitalitetin integrues dhe vullnetin kooperues ndërkombëtar shkon më larg se realiteti në terren. Kosova në këtë përpjekje duhet të respektojë procedurat demokratike duke promovuar stabilitet të brendshëm dhe të jashtëm. Në këtë sens duhet kuptuar edhe promovimin e porosive se ja Kosova e ka përcaktuar kufirin me Malin e Zi.

Në qarqet diplomatike, çdo lajm mbi përcaktimin e kufijve është i mirë dhe tingëllon për qetësi dhe fqinjësi të mirë. Këtë po e kërkon edhe Kosova në raport me vendet fqinje. Në të vërtetë kërkohen kufi të miqësisë, korrekt dhe kooperues. Mund të paragjykojmë se si do të shkojë procesi i vijëzimit të kufirit Kosovë – Serbi. Kjo do të krijoi situatë tejet sfiduese për Kosovën duke pasur parasysh atë që po ndodh me Malin e Zi. Hulumtuesit e kësaj problematike në ndërkohë kanë gjetur fakte dhe harta topografike të prodhuara në Serbi, Britani të Madhe, Gjermani, Rusi të cilat e tregojnë fiksimin e pikës kufitare Çakor dhe Kullë.

Kushtetuta e 1974-s nuk ka krijuar kufij administrativë të rinj

Me qëllim të shpalljes së një fitoreje të madhe thuhej se është nënshkruar vija kufitare e përcaktuar me Kushtetutën e RSFJ-së të vitit 1974. Të gjithë ata që kanë punuar brenda sistemit politik dhe ekonomik të ish-Jugosllavisë e dinë mirë se kjo Kushtetutë e ka decentralizuar pushtetin qendror federal duke bartur kompetenca ekonomike dhe politike në nivel të njësive federale.

Në kuadër të këtij procesi kompetenca federale kishte fituar edhe Kosova. Kjo Kushtetutë nuk ka krijuar kufij të rinj, por vetëm i ka sanksionuar kufijtë administrativë ekzistues të R / K të viteve më të hershme. Është joserioze që politikanët që e dinë këtë Kushtetutë dhe kanë pasur funksione politike dhe ekonomike brenda saj, ofrojnë publikisht garancione se Kosova e ka fituar kufirin e vet në vitin 1974. Sa për kujtim kuadrove të asaj kohe: Në vitin 1954 një komision i udhëhequr nga lideri komunist Gjillas në përbërje të autoriteteve ushtarake dhe profesionale ka punuar deri në vitin 1958 në përcaktimin e kufijve administrativë të republikave dhe krahinave autonome.

Hartat e punuara nga ky komision janë zyrtarizuar me botimin e tyre në Enciklopedinë e Jugosllavisë në vitin 1962. Hartat dëshmojnë se Çakorri dhe Kulla paraqesin pika kufitare administrative. Mjafton vetëm ky argument topografik për të bërë një pozicionim më të mirë gjatë bisedave me palën tjetër. Të rikujtojmë se në këtë periudhë Kosova nuk ishte element konstituiv i federatës jugosllave por vetëm një “Oblast” i Serbisë, që i bie se u përcaktua kufiri Mali i Zi – Serbi duke përfshirë edhe pjesën e Kosovës. Shtrohet pyetja perse komisioni i Kosovës të injorojë këto argumente të fuqishme politike dhe gjeografike dhe të pranojë argumentet kadastrale.

Parimet ndërkombëtare dhe kadastra e Kosovës

Gabimi tjetër ndërlidhet me qasjen profesionale në përcaktimin e vijës kufitare. Bota ka njohur disa parime ndërkombëtare gjatë përcaktimit të vijave kufitare, e këto janë principi natyror: kurrizi dhe ujëmbledhësit. Implementimi i këtyre principeve është përdorur në shumë vende të botës. Në vitin 1999 këto parime ishin përdorur edhe gjatë përcaktimit të vijës kufitare në mes të Timorit Lindor dhe Indonezisë. Kjo është bërë duke pasur parasysh se përcaktimi i vijës kufitare në mes të shteteve duhet të jetë kontribuues i raporteve miqësore dhe bashkëpunuese. Analistët dhe profesionistët e gjeografisë konfirmojnë se përcaktimi i vijës kufitare në Jugosllavi në vitin 1958 ka respektuar në plotëni këto parime ndërkombëtare edhe në rastin e Kosovës dhe Malit të Zi.

Në vend që pala kosovare të kërkojë zbatimin e principeve ndërkombëtare ka rrëshqitur gabimisht në principin kadastral duke u futur nën presionin malazez. Analiza dhe fletëposedimet kadastrale përdoren gjatë identifikimit të pronave dhe parcelave në mes të komunave brenda një shteti e jo në demarkacionin në mes të dy shteteve të pavarura. Kjo defanzivë dhe gep profesional i palës kosovare ka përfunduar në përcaktimin e një vije kufitare në dëm të interesave të përgjithshme të Kosovës, banorëve të saj dhe të komuniteteve që afektohen. Kjo sipas ekspertëve të gjeografisë e jo të kadastrës ka reflektuar në humbjen e 9.239 hektarëve tokë. Kjo është e pafalshme për të gjithë ata që ishin të involvuar në këtë proces.

Gabimet e tilla nuk duhet të jenë vetëm brengë e partive politike, e as atyre në opozitë, por e të gjitha institucioneve. Përgjegjësia më e madhe i mbetet Parlamentit të Kosovës që të stopohet një proces i dëmshëm për Kosovën. Botimi i një raporti studimor dëshmon se Kosova ka kapacitete shkencore – profesionale të kësaj fushe për të konfrontuar realitetin gjeo-topografik të Kosovës me realitete të projektuara gabimisht. Kam parasysh skandalin në Gjykatën e arbitrazhit në mes të Sllovenisë dhe Kroacisë. Qeveria kroate kishte informata se procesi i arbitrazhit po merrte anim slloven dhe në atë rast u bashkua pozita dhe opozita duke e votuar vendimin mbi zhvendosjen dhe largimin e Kroacisë nga një arbitrazh i njëanshëm. Edhe partitë politike dhe institucionet e Kosovës të tregojnë unitet dhe të tejkalohen devijimet e këtij procesi. Kuptohet për gjëra të tilla nevojitet vullnet politik dhe braktisja e interesave partiake dhe të grupeve të interesit.

Transparenca malaziase

Gjatë gjithë këtij procesi pala malaziase opinionin e vet e kishte informuar rregullisht duke e siguruar edhe përkrahjen e kësaj pune shtetërore. Në një raport të Qeverisë së Malit të Zi mësojmë më shumë se si ka vajtur ky proces, si janë zhvilluar bisedat dhe qëndrimet e palëve. Nga ajo që mund të konkludohet është se pala malaziase kishte qëndrim tejet aktiv rreth propozimit të manualit të punës, procedurave, parimeve dhe propozimeve rreth vijës së demarkacionit. Ky raport dëshmon edhe për pozitat asimetrike që kishin palët në këto bisedime duke pasur parasysh pranimin e të gjitha propozimeve të palës malaziase. Për fat ky raport është shpërndarë edhe në Kosovë dhe lexuesit dhe opinioni më së miri mund të nxjerrin përfundime rreth kësaj çështje.

Badinteri, Kumanova dhe Ahtisari

Zyrtarët e Kosovës kanë bindje se me këtë marrëveshje janë mbrojtur kufijtë e Kushtetutës së ish-Jugosllavisë, të Komisionit të Badinterit, Marrëveshjes së Kumanovës dhe Pakos së Ahtisarit. Se Kushtetuta e vitit 1974 nuk ka lidhje me kufijtë e rinj nuk ka nevojë të elaborohet më shumë. Komisioni i Badinterit të drejtën për pavarësi ua kishte dhënë vetëm republikave me një kushte që kufijtë ekzistues nuk mund të ndryshohen me dhunë dhe se ata do të mbrohen me të drejtën ndërkombëtare. Konkluzionet e Badinterit (1991) me një vonesë kohore të konsideruar vlejnë edhe për kufijtë e Kosovës me të tjerët.

Thirrja në kufi të Badinterit është tejet e pasaktë. Gjithashtu edhe thirrja në Marrëveshjen ushtarake të Kumanovës është gabim i madh, sepse NATO-ja kufirin e Kosovës e konsideronte aproksimativ. NATO kishte zbatuar harta intervenuese ushtarake duke mos krijuar kufij të rinj, por vetëm zona të sigurisë ajrore dhe zona të sigurisë tokësore. Dhe në fund Plani i Ahtirasit nuk është marrë me vendosjen e kufijve shtetërorë të Kosovës, por vetëm me përkufizimin kadastral të Kosovës në kontekstin e decentralizimit dhe krijimit të komunave të reja.

Kontrolli policor i vijës kufitare të kontestuar

Mali i Zi edhe para se të nënshkruhej marrëveshja kishte filluar të bënte kontrollin policor jashtë kufirit tradicional me Kosovën. Në kuadër të kësaj bëhet edhe shfrytëzimi i resurseve lokale duke e pamundësuar shfrytëzimin e pasurisë nga ana e komunitetit të kësaj ane. Komuniteti është anashkaluar edhe gjatë zhvillimit të bisedave. Nuk kanë mjaftuar vetëm disa takime për të krijuar mirëkuptim dhe gjetur zgjidhje që bazohen në fakte natyrore, etnike, historike dhe topografike, e jo argumente kadastrale të imponuara nga pala malaziase. Tani pas nënshkrimit të marrëveshjes, policia malaziase është duke e ushtruar një kontroll tejet rigorozë në këtë anë. Çfarëdo rinegocimi duhet të kushtëzohet me largimin e forcave policore të cilat e cenojnë fqinjësinë tradicionalisht të mire me malaziasit. Ky kontroll është duke u bërë edhe pengesë serioze e bashkëpunimit ndërkufitar në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.

Edi Rama :Ja pse u largova nga PD

Nuk e kisha menduar që të merresha me politikë. Dhe arsyeja, lidhet dhe me një moment tjetër. Atë ditë, kur hyra në PD, e cila sapo ishte krijuar, u largova menjëherë, sepse pata një konflikt me ata që gjeta aty, pra në PD.
rama-berisha
Ne ishim shumë më përpara, sepse në bisedat tona kishim shumë pritshmëri dhe strategji për të ardhmen. Për ne Ramiz Alia ishte kundërshtari. Për ne Ramiz Alia nuk ishte njeriu që po sillte demokracinë në Shqipëri, por ishte thjesht rregjimi komunist në Shqipëri. Ky është dhe konflikti që unë pata me ata që gjendeshin në atë kohë në PD. Nuk pata ndonjë dëshirë për t`u përshirë në politikë, pasi mua më interesonte liria dhe jo politika. Unë e kërkoja lirinë si nevojë të brendshme për të bërë gjërat që doja, dhe nuk e kërkoja për t`u marrë me politikë.

Pasi jam larguar atë moment nga PD-ja, ishte aty Arben Imami, të cilin unë e kisha shumë mik dhe kemi bërë një bisedë shumë interesante. Ai këmbëngulte që unë të kthehesha në PD, ndërsa unë këmbëngulja që të largonim më parë komunistin që kishin aty në PD, sepse do t`i marrë në qafë të gjithë. Beni më thoshte “po jo, se kemi nevojë për disa intelektualë pak më në zë, që t`i japim peshë dhe seriozitet të gjithë kësaj që po bëjmë, sepse është një gjë që sapo ka filluar, ne s`kemi eksperiencë”.

Ndërsa unë i thashë se Sali Berisha është komunist tipik dhe ka të gjithë eksperiencën si sekretar partie që t`ju eliminojë të gjithëve. I kam thënë se ai do ta bëjë PD-në vegël të Ramiz Alisë dhe ju nuk do të jeni dot në gjendje të flisni kundër Enver Hoxhës. E vërteta është, se ditën kur fola kundër Enver Hoxhës në Akademinë e Arteve, ata nuk flisnin dot kundër Enver Hoxhës.

Sa i përket asaj akuzës që unë isha provokator, unë kam qenë gjithnjë provokator, më pëlqente gjithmonë të provokoja. Sepse provokimi ishte e vetmja mënyrë reagimi kundër atij lloj sistemi. Pra, që reagimet e mia në atë kohë ishin provokim, kjo nuk diskutohet. Por pse me quanin radikal? Sepse unë ju thashë që në momentin e parë, që Ramiz Alia nuk është opsion, Ramiz Alia është armiku ynë, ai është rregjimi dhe jo njeriu që do sjellë demokracinë. Dhe unë thashë, se ne duhet të bëjmë luftë më Ramiz Alinë dhe kur thashë luftë, kisha parasysh luftën frontale të opozitës me regjimin. Kjo pastaj u transformua në këtë akuzë, që quhej radikal.

Tjetra që më bëri mua të konsiderohesha kështu nga ata, ishte se unë kërkoja që të liroheshin të burgosurit për politikë. Pasi unë mendoja, se nuk mund të konceptohet, që një njeri sjell demokracinë dhe mban në burg të burgosur politikë. Pra përfundimisht, unë mendoja se nuk mund të bashkëpunonim me këtë rregjim. Ideja ime ishte, që ata të dilnin jashtë ligjit, pra rregjimi, sepse nuk ishin të zgjedhur.

Unë isha radikal për ta, sepse unë mendoja dhe e shprehja, që komunistët nuk duhet të jenë në drejtimin e Partisë Demokratike. Partia Demokratike duhej të ishte e të rinjve, sepse në fund të fundit ishte dhe një përplasje gjeneratash, një gjeneratë e përzier shumë me komunizmin dhe këtu nuk është çështja për të bërë të fajshëm ose të pafajshëm dhe një gjeneratë tjetër, që edhe pse nuk e kishte jetuar pjesën më të egër të komunizmit, që ishte fundi i viteve `60 me revolucionin dhe goditjen kundër fesë dhe fillimi i viteve `70 me goditjen kundër shfaqjeve të huaja siç i quanin ata, kishte mundësinë të ishte më pak e trembur dhe më pak e infektuar.

Frikën e kishin më irracionale në krahasim me të tjerët, që e kishin frikën të lidhur me ç`ka kishin parë e jetuar në ato kohë të egra të komunizmit. Fakti është, që komunistët e morën në qafë PD-në.

Poezi nga SYLVIA PLATH -Tulipanët

USA postage stamp - Sylvia Plath (1932 ? 1963) was an American poet, novelist and short story writer

Tulipanët janë shumë nervozë, është dimër këtu,
Shiko si çdo gjë është e bardhë, e qetë, me dëborë.
Mësoj paqen, ndërsa prehet e qetë afër meje
si drita mbi këto mure të bardha, si ky shtrat, si këto duar.
S’jam askushi, s’kam të bëj me shpërthimet.
I dhashë emrin tim dhe rrobat e mia infermiereve,
historinë time anestezistit dhe trupin tim kirurgëve.

Kanë mbështetur kokën time midis jastëkut dhe buzës së çarçafit
si një sy midis qepallave të bardha që s’do të mbyllen.
Bebëz budallaqe, duhet të grumbullosh gjithçka.
Infermieret kalojnë dhe rikalojnë, nuk turbullojnë,
kalojnë si pulëbardhat drejt tokës me skufjet e tyre të bardha,
duke bërë gjëra me duar, të barabarta me njëra-tjetrën,
kështu që është e pamundur të thuhet se sa janë.

Trupi im është një gur për ata, bëhen gati si uji
për gurët mbi të cilat duhet të rrjedhë, duke i lëmuar me mirësjellje.
Më japin topitje me gjilpërat e halave xixëlluese, më japin gjumë.
Tani kam humbur veten time jam e lodhur nga bagazhet –
Çanta ime prej lëkurë si një kutizë e zezë pilulash,
burri dhe fëmija im buzëqeshin në fotografinë familjare;
buzëqeshjet e tyre më mbërthejnë lëkurën, grepa të vegjël të buzëqeshur.

Kam hedhur gjëra në det, unë, anija tridhjtëveçare.
bashkangjitur fort tek emrin im dhe tek adresa.
Ata kanë fshirë të gjitha ndjenjat e mia.
E frikësuar dhe e zhveshur mbi barelën e gjelbër plastike
Kam parë çajnikun tim, komonë e rrobave, librat e mi
të zhyten thellë, si dhe ujin të më arrijë mbi kokë.
Jam një murgeshë, tani nuk kam qenë kurrë kaq e pastër.

Nuk doja lule, doja vetëm të shtrihem,
me pëllëmbët lart krejtësisht bosh.
Të jesh i lirë, s’e keni idenë se sa të lirë jeni-
paqja është kaq e madhe sa të verbon,
S’ kërkon asgjë, një etiketë me emrin, ndonjë çikërrimë.
Me këtë, më në fund, mbyllin të vdekurit; i përfytyroj
duke e mbllaçitur si një meshë kungimi.

Tulipanët janë tepër të kuq në radhë të parë, më plagosin.
Edhe nëpërmjet dhuratës së paketuar si dhuratë i dëgjoja të merrnin frymë ngadalë,
nëpërmjet fashës së bardhë, si një fëmijë monstruoz.

Faqekuqët i flasin plagës sime, i përgjigjen.
Janë tradhtarë:duken se valëzojnë, edhe nëse më tërheqin poshtë,
duke më ngatërruar me gjuhën e tyre të beftë e me ngjyrën,
një duzinë tulipanësh të kuq të plumbtë rreth qafës sime.

Më parë asnjë s’më përgjonte, tani po më përgjojnë.
Tulipanët kthehen drejt meje, dhe dritarja pas
ku drita çdo ditë zgjerohet e hollohet,
unë shoh veten, madje, qesharake, hije letre e riprerë
midis syrit të diellit dhe syve të tulipanëve,
nuk kam fytyrë, kam dashur të shuhem.
Tulipanët gjallërues konsumojnë oksigjenin tim.

Para se të vinin atmosfera ishte mjaft e qetë,
Pulsonte, frymëmarrje pas frymëmarrjeje, pa ndërprerje.
Pastaj tulipanët e mbushën me zhurmë të madhe.
Tani ajri i shtyn dhe i vërtit përreth si lumë
i shtyn dhe i shtjell rreth një makine të kuqe-ndryshku të thellë.
Koncentrojnë vëmendjen time, që ishte e lumtur
duke luajtur e duke pushuar pa u angazhuar.

Edhe muret duken se u ngrohën midis tyre.
Tulipët duhej të qëndronin pas hekurave si kafshë të rrezikshme;
hapen si goja e një tigri të madh afrikan,
dhe unë kujtohem për zemrën time: hap e mbyll
vazon e saj të gonxheve të kuqe për dashurinë time të vërtetë.
Uji që shijoj është i ngrohtë dhe i kripur si deti,
dhe vjen nga një vend i largët si shëndeti.

Përktheu: FASLLI HALITI

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...