2016-01-20

Merita Bajtraktari Januzi : MITRUSH KUTELI –FIGURAT LETRARE

Merita Bajtraktari Januzi

     Sulm e lotë


Me  librin e vet Sulm e lotë,  të botuar në  vitin 1944, Kuteli realizoi veprat e  tij më të arrira në rrafshin poetik.  Ky libër përmban Poemin kosovar, Poemin e Shendaumit dhe dy lirikat: Balta shqiptare dhe Po të vdes në vend të huaj.
 Poem kosovar,  vjen si tekst me qëndrimin autorial kundrejt politikës antishqiptare serbe, teks me të cilin identifikohet autenticiteti, qëndresa dhe morali kosovar. Poema ka një narrator autorial, pasi Kuteli del si autor, narrator i identifikuar me kosovarin që jepet në tekst. Ndërkaq  Poem i Shëndaumit  flet për periudhën e pushtimit të Shqipërisë nga fashistët italianë.
       Teksti Poem kosovar ishte tekst i ndaluar për kohë të gjatë sa me dekada nuk u ribotua. Kjo ndodhi si edhe me shumë vepra që me përmbajtjen  e tyre ndeznin zjarrin e atdhedashurisë, nacionalizmit  dhe gjithsesi edhe revoltën kundër pushtuesve.
 “Është poemë me narrator autorial, që deklaron, dëshmon dhe rrëfen...Ky narrator është edhe personazh i tekstit. Sipas asnjë gjykimi, ky personazh nuk del epik. Ai është rezultat  i konvertimit të emocionit autorial, empirisë autoriale në simbol dhe simbolizim. Ndaj, është pesonazh-simbol e personazh simbolizues”[1]
                                Poema i ka pesë pjesë që titullohen: Qëndrimi, Durimi, Sulmi, Ndërtimi dhe Qëndrimi. Dhe brenda tyre shpalos etjen e madhe të autorit për lirinë, pavarësinë  e Kosovës, prandaj narratori i tekstit identifikohet me kosovarin autokton në trojet e veta:
                                             Jam kosovar
       Pra jam shqiptar:
         Zot e krenar,
-        Zot e bujar-
mbi këtë Dhe,

q`e kam si fe`,
E përmbi fe:
E kam Vatan!
e kam Atdhe!
gjysh stërgjysh,
bres pas bres,
gjithmonë![2]

Brenda këtyre vargjeve tejet emocionuese e të fuqishme shohim edhe figurat si: metaforën, krahasimin, anaforën,  aliteracionin dhe gradacionin që e gjejme e dhe në shkallëzimin e titujve brenda poemës dhe të situatave që i përjeton autori- narratori. Më tej ai  thërret për flijimin që do ta çojë popullin drejt lirisë së shumëpritur, prandaj me një eksklamacion të sintetizuar në metaforë thur vargjet:

“ Se loti është  robëri,
Gjaku: Liri!”[3]

         Vetë kosovari rinjihet në pamjen e vet: eshtër math, bojali, me sytë plot shkëndi,  gjoksin që rreh si drim. Etj. Vargjet e tij japin një përshkrim të pamjes së kosovarit nëpërmjet gërshëtimit të figurave të larmishme, kryesisht të përsëritjes dhe intonacionit, të cilat bashkë me  rimat herë të puthitura e  herë të alternuara, arrijnë efektet e duhura artistike dhe ideore:
                                                 Jam si më sheh
                                                         e si më njeh:
                                                         kësulë-bardhë e krye-lidh,
                                                         krye-lidh me një shami,
                                                         me tri shami:
                                                         për trimëri!

                                                       Jam eshtër-madh,
                                                       i  vrazhët jam
                                                       e bojali-
                                                       dhe sytë e mi:
                                                                   janë plot shkëndi
                                                                   si batërdi[4]

Epitetet metaforike: eshtërmadh, bojali, kësulë-bardhë,  krye-lidh dhe krahasimi: sytë e mi: janë plot shkëndi si batërdi nxjerrin në pah karakteristikat e njeriut kosovar, të rryer në trimëri, të gatshëm për sfida të reja dhe sypatrembur plotë vigjilencë.
Brenda poemës ka shpërthim emocional, zë të fuqishëm patriotik, dhembje e ndjeshmëri deri në vaj dhe ideal për lirinë  me thirrjen për çlirim dhe të gjitha situatat artikulohen me larushi figurative.
             Ja vargjet në vijim që shprehin,  autenticitetin e popullit tonë, qëndresën heroike  nëpër shekuj dhe vargjet artikulohen nëpërmjet epizeuskës ( dyzimit), aliteracionit dhe  anadiplozës:
                                     
                                                  Un jam këtu nga moti
                                                   kur vetë Zoti
                                                   e bëri fushën fushë
                                                   e malin mal.

                                                  Un jam këtu e do të jem
                                                     -dem baba dem-
                                                      sa mali të bëhet hi
                                                      e hiri mal përsëri![5]
                                                                        ( Qëndrimi)

Poemi i Shëndaumit lidhet me përjetimin e thellë personal të autorit, me djegien e shtëpisë së tij në Pogradec nga fashistët, kur i digjet i ati. Fillimi i poemës nëpërmjet të figurave  të përsëritjes: epiforën e gërshetuar me pasthirrmën dhe epizeuskën ( dyzimin)  shpreh emocionin e lartë, dhembjen  që e përmban  e gjithë poema:

“ E njoma pendenë në vrer
T`ju shkruaj këtë kartë,-
                                                               Ah , këtë kartë.          

( Sa tmerr, o Zot, sa tmerr,
      Ta njomësh pendënë në vrer)”[6]
                                                                         

Edhe figurat të tjera shohim në vazhdim. P.sh. asonancën, metaforën dhe antitezën i  gjejmë te vagjet:
                                               Dhe jam q`ahere si më sheh
                                               Ah, si më sheh e nuk më njeh:
                                                Një fletë e thatë nëpër erë
                                                Kur në parajsë kur në skëterrë[7]
                                                   
                                                                ( Poemi i Shëndaumit)

Te vargu i dytë e kemi asonancën pasi zanoret e njëjta përsëriten brenda vargut, duke krijuar tingëllimin e  harmonishëm ( sheh, njeh). Vargu u tretë Një fletë e thatë nëpër erë na del si metaforë, pasi autori qenies së vet i jep kuptimin e një flete të thatë nëpër erë që paraqet përballjen e tij me sfidat e mëdha dhe më pas vjen antiteza që ai veten e sheh në situata kontradiktore, sa në parajsë sa në skëterrë,  dhe nëpërmjet saj poeti parajsë e quan të kaluarën në familje dhe në vendin/ shtëpinë e tij, ndërkaq skëterrë, faktin e humbjes së asaj vatre të ngohtë. Teksti i saj i pushtuar nga vaji e dhembja merr karakteristikat e elegjisë. Njohim aty të folurit e nënës e cila, në variacione, vajton djegien e fëmijes së njomë, foshnjës dhe burrit. Këto variacione të dhembjes së nënës për foshnjën, në shkallëzime fantazmagonike bashkohen me fatin e figurën e Shën Mërisë, që humbi të birin.  Ajo ëndërron, bie në tokë e ngjitet në qiell, po dhembjen ta mundë assesi:
                                                   Pa nis dhe unë edhe qaj,
                                                   Vajtoj- vajtoj me vaj.

                                                                  O sa çudi!
                                                                  O sa çudi!
                                                     Të qajë Zonja Shënmëri,
                                                                 Si qan një çilimi... [8]
             
                                                  ...Shtëpinë e  pashë kur m`u doq
                                                  E pashë foshnjën kur m`u poq
                                                  Sa u përpoq!
                                                  Sa u përpoq! [9]    
                                                 Edhe tim shoq.
                                                 Ah edhe tim shoq![10]
                                                                                   ( Poemi i Shëndaumit)

Në këto vargje autori realizon temën dhe motivin nëpërmjet shprehjeve figurative mjaft eksperive, të cilat përçojnë emocione të forta.  Aliteracioni, dyzimi, inversioni, krahasimi dhe epifora janë bashkë brenda artikulimit artistik të ndjenjave që i shpreh autori, ndërkohë që pasthirrma O dhe Ah   janë të barabarta me dhimbjen dhe trishtimin.
               Kjo poemë është këngë e dhimbjes dhe e vrerit, këngë e vajtimit dhe e dëshpërimit. Këngë e përjashtimit të të huajit që mbyt njerëz e bën gërmadha. Është  kënga e poetit që kthimin e vonë në atdhe e përjeton me tragjedinë e brendshme të familjes dhe të vendit të vet.                                
            Te dy lirikat: Balta shqiptare dhe Po të vdes në vend të huaj, autori shpreh mallin e mërgimtarit për vendin e vet.  Balta shqiptare shpalos dashurinë e madhe që ka Kuteli për atdheun, nëpërmjet notave të theksuara dhe origjinale të dhembjes dhe adhurimit:

   Të dua baltë shqiptare!
Të dua:
egërsisht!
Dëshpërimisht!
                                                           Si ujku pyllin
                                                           Si vala valën
                                                           Si balta baltën! [11]

Te këto vargje shihen qartë anafora, krahasimi dhe epizeuska apo dyzimi, si figurë e përsëritjes, nëpërmjet të cilave përforcon idenë e lidhjes së tij me vendin e vet.
Edhe figurat tjera janë të pranishme brenda kësaj poezie. Shihet metafora, kontrasti, anafora dhe aliteracioni te vargjet në vijim:
                          
                                                     Të dua baltë shqiptare
                                                      magjistare
                                                      ti mjaltë e ëmbël
                                                      pelin e hidhur[12]
dhe:
                                                    Se thellë jam këtu,
                                                    brenda teje:
                                                   gjer mbi gju
                                                   gjer mbi bel
                                                  e gjer mbi krye.[13]
                                                                     ( Balta shqipëtare)

 Baltën shqiptare e quan ndryshe magjistare dhe kjo fjalë del në funksion të metaforës, siç është del edhe mjalta e ëmbël,  cila pastaj vehet në pozicion kundërvënës me të qenurit pelin e hidhur, duke sajuar kontrastin. Balta shqiptare është e ëmbël pse autori dhe secili e don baltën dhe vendin e vet, por është edhe e hidhur pasi i shkakton vuajtje secilit që është larg saj ose edhe kur  vendi është nën robëri.
              Elegjia Po të vdes në dhe të huaj është lirika më e fuqishme e Kutelit. Poezia i ka përbrenda thirrjet që i artikulon në frikën se mos do të humbet e të harrohet në vend të huaj. Thirrja e parë është për vendin, ndërkaq e dyta për  nënën. Për të qenë i lidhur me vendin e tij ai kërkon një grusht dhe nga toka e vet:

“ Pa një grusht nga toka jonë
-        Balt` nga balt` e vete-
Të ma sillni e ta vini
Drejt ne zembr` e shkretë.”[14]

Kurse dhembjen e madhe të mërgimit ia përcjell si mesazh nënës dhe kjo shprehet me një emocion tepër të rëndë:
                                      “ se m`i lumtur jam i fjetur
Se sa i mërguar,
                                                        Mot pas moti arratije, -
Zembër copëtuar...”[15]
 
                       (Po të vdes në dhe të huaj)
Brenda strofës e  kemi figurën e aliteracionit pasi  përsëritet shkronja m, në vargun e dytë kemi krahasimin, ndërkaq në vargun e  tretë e kemi dyzimin, pasi kemi përsëritjen e fjalës mot. Këtu figura shton efektet ritmike dhe të muzilakitetit brenda vargjeve, në funksion të vazhduesëm të rrjedhës emocionale nga vargu në varg. Gjithashtu vihet theksi te fjala mot që vjen e dyzuar dhe paraqet vitet e rënda të mërgimit.
 Mitrush Kuteli  ndonëse  ishte autor nga e Shqipërisë Jugore (  nga Pogradeci), ai me veprën e tij Sulmë e lotë ka përdorur zhargonin e autenticitetit kosovar pa u ndje ndonjë mungesë, pasi shihet qartë se ai ka njohur mirë të folurit, mentalitetin dhe ambientin e vendit në tërësi, qoftë jugu apo veriu. Kjo vepër sjell temën thellësisht kombëtare dhe idetë për autenticitetin, identitetin, lashtësinë, atdhetarinë, gjakimin për liri, lidhjen me vendin  etj., të artikuluara mjaft mirë si në aspektin ideor ashtu edhe në atë artistik.  I kemi vërejtur disa nga figurat e shprehura në vargjet e këtij autori si: metaforën,  epitetet metaforike, krahasimin, kontrastin, anaforën, epizeuskën, anadiplozën,  aliteracionin etj. që rrinë bukur brenda përmabjtjes së vargjeve, strofave dhe veprës në tërësi.




[1] Kujtim M. Shala, Shekulli i letërsisë shqipe, Buzuku, Prishtinë, 2006, f.56,57.
[2] Kuteli, Prozë dhe vargje të zgjedhura, Migjeni, Tiranë, 2001, f. 223.
[3] Po aty, f. 236.
[4] Kuteli, Prozë dhe vargje të zgjedhura, Migjeni, Tiranë, 2001, f. 225.
[5] Po aty, f. 224.
[6]Kuteli, Prozë dhe vargje të zgjedhura, Migjeni, Tiranë, 2001, f. 249.
[7] Po aty, f. 249.
[8] Kuteli, Prozë dhe vargje të zgjehura, Migjeni, Tiranë, 2001, f. 253.
[9] Po aty, f. 257.
[10] Po aty, f.258.
[11]Kuteli, Prozë dhe vargje të zgjehura, Migjeni, Tiranë, 2001, f.243.
[12] Po aty, f. 245.
[13] Po aty, f. 244.
[14] Kuteli, Prozë dhe vargje të zgjehura, Migjeni, Tiranë, 2001, f. 261.
[15] Po aty, f. 262.


(Merita Bajraktari Januzi, e lindur në Vushtrri më 10.12.1972. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Vushtrri, ndërkaq studimet universitare  në Fakultetin e Filologjisë të UP-së, në degën: Letërsi dhe gjuhë shqipe. U diplomua më 1997  dhe si absolvete mori çmimin Studente e dalluar. Pas një pauze për arsye familjare, iu rikthye studimeve dhe në maj të vitit 2012 mbrojti  me sukses temën e  diplomës së studimeve pasuniversitare ( Figuracioni poetik te autorë të njohur të letërsisë moderne shqipe). Tani vazhdon studimet doktorale në degën e letërsisë, në Universitetin e Prishtinës.
            Qysh prej fillimit të studimeve bazike është marrë me recensione, vështrime letrare dhe ka botuar punime në gazetat dhe revistat e kohës. Së fundi i ka botimet në gazetën Zëri  ( tema: Tradita dhe modernia me referenca të shumta historike) dhe në revistën Shkëndija ( Idetë letrare të Gjergj Fishtës). Merret edhe me poezi për çka edhe ka marrë çmime në Takimet  e poeteshave shqiptare.   Ka në dorëshkrim një numër të konsiderueshëm të poezive dhe studimeve letrare që mund t`i botojë ndërkohë.

            Jeton në Vushtrri me bashkëshortin dhe katër vajzat, ndërkaq punon në Prishtinë, në Ministri të Arsimit Shkencës dhe të Teknologjisë.)

Merita Bajraktari Januzi : Ëndrra në parajsë


Merita Bajraktari Januzi



          Sali Bashota dhe brezi krijues të cilit i takon, kanë shënuar hapa të rëndësishëm te ne në identifikimin dhe krijimin e letërsisë që tashmë quhet letërsi postmoderne me identitet nacional dhe me elemente aktuale e universale brenda kornizave të artit letrar.
          Që nga vepra e parë e tij ”Album i grisur” e deri te ”Ëndrra në parajsë”  shohim pothuaj të gjitha elementet e ligjërimit poetik si në fushën e poezisë ashtu edhe në prozë, ndërkaq  tani  konkretisht flitet për prirjen e autorit për t`i ofruar  në planin estetik poezinë dhe prozën e që kjo sheshit është fryma postmoderne që i ofron zhanret si dhe i lidh bashkë  traditën dhe modernen me referencat e shumta  historike, politike, etike, estetike etj.
          Duke analizuar përgjithësisht veprën ”Ëndrra në parajsë” dua të argumentoj pak a shumë atë që e thashë më lartë. Kjo vepër është  një përmbledhje me tregime të shkurtra, brenda të cilave ka narracion që është elementi qenësor  i prozës, por në shumicën e tyre narracioni është i artikuluar në formën e ligjërimit poetik, me rrjedhën ritmike të vargjeve dhe me  figurat poetike gjë që bëhet fjalë pra për  krijimet në mes të poezisë dhe prozës. Vetë sensibiliteti i shprehur brenda tekstit flet për krijuesin poet, ndërkaq forma tekstuale anon kah tregimi i shkurtër.

Imazhe me referenca autobiografike
          Vepra fillon me një poezi të titulluar ”Qielli, uji, toka” dhe mbaron prapë me poezi, titulli i të cilës është inversioni i titullit të poezisë  së parë dhe del: “ Toka, uji, qielli”. Me fjalët: Qielli, uji, toka emërtohen pjesët e përmbledhjes:

I      Qielli
II     Uji
III    Toka

Dhe ky leksik që zakonisht simbolizon jetën, procesin e krijimit, te ky autor jep figura kontekstuale që lidhen me vdekjen, shqetësimin, vetminë, lëndimin, klithjen, melankolinë, dhembjen, po edhe ringjalljen. Qielli, uji, toka, fjalët që nga Bogdani e deri te Lasgushi etj. janë përdorur për të ofruar nga afër konceptin filozofik për krijimin e rrozullimit apo vallen e përjetësisë, Bashota i përdor për të dhënë imazhe  të tjera nga më të ndryshmet  për jetën ku dukshëm shihen referencat autobiografike, historike, politike dhe pashmangshëm ato estetike. Autori deshi ta vras gjarprin që simbolizon armikun e vendlindjes së tij dhe të shkrimeve të tij të djegura ( shih “Gjarpri i vetmisë”), por vrasja mashtruese ishte pamundësia për t`u përballur me armikun, prandaj duke kaluar nëpër krijimet tjera brenda veprës shohim: ofshamë, brengë, vajtim, lule të thara, gjethe të thara, vrasje të ëndrrës  që sjellin një trishtim  të pambarimtë  e një shpresë të pashuar.
       Motivet shpalohen lehtë nga vetë narracioni  si element strukturor brenda tekstit. P.sh. te teksti ”Imagjinata”, narratori që është i afërt me autorin flet për vashën e bukur ( motivi i dashurisë) nëpërmjet një diskursi ligjërimor përshkrues që korrespondon ngushtë me  diskursin oral ( letërsinë gojore) dhe fillon tamam si poezi:
                             ” Ajo kishte trup të bukur.
                                Sy të shkruar.
                                Flokë ngjyrë gështenje.
                                Vetulla të zeza.
                                Qafë të gjatë.
                                Buzë të holla.”[1]
Për të vazhduar tutje si prozë dhe tema vazhdon të artikulohet me mjeshtërinë artistike  nëpërmjet figurave të dukshme si:

Kontrasti + krahasimi:
  
             ” Ajo ishte vetë mrekullia e botës, përmasa e saj më  e ndritshme, por e plasaritur përgjysmë, si arra e fortë e Dukagjinit[2]

Pastaj hiperbola:

     ” Gjëmuan fjalët: lipsej forcë e madhe për ta puthur...”  dhe litota ku vasha –vetë mrekullia e përmasave të madhërishme shkrihet, tretet, bëhet lot i ngohtë në sytë e   narratorit/autorit. 

 Te  ”Shpirti i shenjtë” shohim raportin intertekstual me legjendën biblike për mëkatin e Evës, ndonëse Eva nuk figuron aty, por Ajo ( gruaja), pema e lulëzuar dhe zjarri i  mëkateve të sjell nëpër mendje mëkatin e Evës, prandaj  konstatoj që ky tekst ka në brendinë e vet modelin/ diskursin biblik ( intertekstualiteti, komunikimi me tekstet/idetë e vjetra është një elementet bazë të postmodernizmit apo jo?)
    
      ”  Më në fund, u dogj edhe shpirti i drurëve, thanë të dashuruarit.”[3] Kjo shprehje metaforike flet për shkatërrimin, dëmin,  pasojën e mëkatit.

  Vepër me ndërtimin e qëndrueshëm artistik

       Brenda këtij libri të Bashotës përsëriten shpesh shprehjet dhe fjalët si: lulet e thara, trëndafilat e vyshkur, gjarpërinjtë, helm, merimangat, minjtë  që paraqesin shpirtin e shqetësuar të autorit, i cili duke qenë krijues i angazhuar përcjell dhe reflekton gjendjen shpirtërore të popullit dhe individit në situatat e caktuara. Te krijimi ” Plisi” ai shpreh shqetësimin për rrezikun e humbjes së shenjës së moçme identifikuese për kombin tonë.
         Në gjithë këtë proces autori nuk e lë pa iu kthyer vetes, poetit dhe muzës së tij:  ”Muza ime nuk vdes këtu[4] thotë autori brenda  krijimit me titull  ”Poeti” kur  poeti tjetër i dehur donë ta  theri Muzën  për të cilën reagojnë edhe ” të vdekurit duke i gërryer muret e parajsës” e njerëzit në parajsë janë njerëzit e mirë, të devotshëm e  të mençur. Nëpërmjet një raporti dialogjik dhe mesazhit që jepet si thirrje dhe lutje në fund të tekstit  shpaloset ideja se Muza për autorin është vet shpirti i tij pa të cilin nuk mund të jetojë ai dhe çdo moment krize për muzën e tij është e dhembshme, shqetësuese dhe e padurueshme jo vetëm për të, por edhe për të gjithë ata që çmojnë vlerat artistike, artin letrar.
         Në këtë  vepër shumë shpesh subjekt/ personazh është Ajo , diku e shfaqur me bukurinë e saj (Imagjinata, Bukuria, Buzëqeshja), diku e zhytur brenda ëndrrës në parajsë ( Fytyra), diku  viktimë në internim ( Ajo, Gruaja e njohur).  Ky subjekt/ personazh  bashkë me motivet dhe temat shoqërore ( dashuria, vuajtja, robëria,  internimi,  etj.) japim koloritin e ideve që i japin funksion kryesor dhe domethënie  veprës në përgjithësi. Gjatë gjithë kohës ai sikur donë  ta theksojë dhembjen, lëndimin që e përjeton personazhi i tij në valët e jetës, prandaj kemi ëndrrën për jetën më të mirë - ëndrrën në parajsë.
           Siç e kam thënë në fillim  përmbledhja fillon me një poezi dhe mbaron me një tjetër. E para  vë në theks vdekjen ( Stinët e dashurisë vdesin, vdesin kujtimet), dhe vjen nga dorëshkrimi i djegur i autorit, ndërkaq te e  dyta  fjala pikon gjak nëpër shekuj dhe mbijeton, prandaj vjen nga dorëshkrimi i tij i ringjallur.
          Përgjithësisht kjo vepër me përmasat që i ka, me ndërtimin e qëndrueshëm artistik, të harmonishëm me idetë, temat dhe motivet, zë vend të merituar në letërsinë aktuale, në letërsinë shqipe përgjithësisht.                                                                                                                                                                                      Bibliografia:
                            

  1. Bart Rolan, Aventura semiologjike, Rilindja, Prishtinë, 1987
  2. Bashota Sali, Ëndrra në parajsë, Rozafa, Prishtinë, 2006.
  3. Çapaliku Stefan, Letërsi e interpretuar, ARBRI, Tiranë, 1998
  4. Rrahmani Kujtim, Intertekstualiteti dhe oraliteti, AIKD, Prishtinë, 2002
  5. Vinca Agim, Kurs i teorive letrare, Libri shkollor, Prishtinë, 2002
                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                  

[1] Sali Bashota, Ëndrra në parajsë,  Rozafa, Prishtinë 2006,  faqe 20

[2] Po aty, faqe 20.
[3] Po aty, faqe 19.
[4] Po aty,  faqe 15



(Merita Bajraktari Januzi, e lindur në Vushtrri më 10.12.1972. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Vushtrri, ndërkaq studimet universitare  në Fakultetin e Filologjisë të UP-së, në degën: Letërsi dhe gjuhë shqipe. U diplomua më 1997  dhe si absolvete mori çmimin Studente e dalluar. Pas një pauze për arsye familjare, iu rikthye studimeve dhe në maj të vitit 2012 mbrojti  me sukses temën e  diplomës së studimeve pasuniversitare ( Figuracioni poetik te autorë të njohur të letërsisë moderne shqipe). Tani vazhdon studimet doktorale në degën e letërsisë, në Universitetin e Prishtinës.
            Qysh prej fillimit të studimeve bazike është marrë me recensione, vështrime letrare dhe ka botuar punime në gazetat dhe revistat e kohës. Së fundi i ka botimet në gazetën Zëri  ( tema: Tradita dhe modernia me referenca të shumta historike) dhe në revistën Shkëndija ( Idetë letrare të Gjergj Fishtës). Merret edhe me poezi për çka edhe ka marrë çmime në Takimet  e poeteshave shqiptare.   Ka në dorëshkrim një numër të konsiderueshëm të poezive dhe studimeve letrare që mund t`i botojë ndërkohë.

            Jeton në Vushtrri me bashkëshortin dhe katër vajzat, ndërkaq punon në Prishtinë, në Ministri të Arsimit Shkencës dhe të Teknologjisë.)

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...