Ambasadori amerikan Greg Delawie, në prag të ditës së pavarësisë e ka komentuar përsëri dhunën e opozitës. Ai ka thënë se ata që zgjedhin dhunën po e çojnë Kosovën drejt izolimit. Duke iu referuar këtyre sjelljeve, ambasadori amerikan ka thënë se Kosova ka arritur shumë që të kthehet mbrapa.
Delawie ka thënë se dhuna politike nuk përkon me demokracinë.
Në lidhje me procedurat penale që janë duke u zhvilluar në Gjykatën Themelore të Prishtinë sipas aktakuzave të ushtruara nga prokuroria kompetente kundër disa të akuzuarve që janë edhe deputetë apo aktivistë të Lëvizjes “Vetëvendosje”, dhe me qëllim të informimit të drejtë të opinionit kjo gjykatë njofton për sa vijon:
Për datën 15.02.2016 me fillim në ora 9.00 ka qenë e caktuar seanca në çështjen penale ndaj tani të akuzuarve: Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj Bujupi,dhe Faton Topalli. Në kohën e caktuar janë lajmëruar Albulena Haxhiu,Donika Kadaj Bujupi dhe Faton Topalli. Ka munguar i akuzuari Albin Kurti. Gjyqtari i çështjes ka prit edhe paraqitjen e të akuzuarit Albin Kurti.
Pavarësisht se me ligj nuk precizohet se sa kohë pret gjykata që të paraqitet një i akuzuar sipas ftesës, në rastet kur një i akuzuar nuk paraqitet me kohë në gjykatë, praktikohet që gjykata të pres për një kohë por jo gjatë. Në rastin konkret gjyqtari i çështjes në ora 9.15 është paraqit në sallën e gjykimit me qëllim që të vazhdojë me veprimet procedurale, dhe krejt çka ka mund të konstatojë ishte se edhe të akuzuarit që me kohë ishin lajmëruar në gjykatë të njëjtit pa lejen e gjykatës kanë dal nga salla e gjykimit dhe më nuk janë kthyer.
Në rastet kur gjykata i dërgon ftesë një personi ( qoftë i akuzuar apo edhe në ndonjë çështje tjetër ) cakton kohën kur ky person ( i akuzuar, paditës, i paditur apo edhe i dëmtuar) duhet të paraqitet në gjykatë por jo edhe kohën kur do të largohet nga gjykata. Koha e largimit të një personi të ftuar nga gjykata varet prej veprimeve procedurale të gjykatës, dhe për këtë vendos gjyqtari i çështjes.
Kjo sjellje e të akuzuarve, kur pa lejen e gjykatës kanë dal nga salla e gjykimit dhe më nuk janë kthyer konsiderohet si tentim për t’i ik prezencës në seancë.
Në këto raste gjykata merr vendim për shtyrje të seancës dhe urdhëron sjelljen e të akuzuarve me detyrim në gjykatë-veprim që është ndërmarrë nga gjyqtari, ashtu që seanca është shtyrë për datën 23.02.2016 në ora 9,00 dhe është urdhëruar sjellja me detyrim.
Sa u përket personave të ndaluar në da tën 15.02.2016 kjo gjykatë sqaron se është fjala për një çështje penale nga viti 2009 ku janë të përfshirë 27 të akuzuar. Për arsye se prej 27 të akuzuarve në gjykatë zakonisht –në çdo seancë të caktuar kanë munguar më shumë se 20 prej tyre, dhe për faktin se në çështjet penale ka edhe parashkrim të ndjekjes penale, gjykata ka qenë e detyruar që të caktoi seancën dhe të procedojë. Në seancën e datës 09.02.2016 nuk janë paraqitur 24 të akuzuar edhe pse gjykata me kohë ka ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale që ata të ftohen në mënyrë të rregullt.
Prandaj, për shkak se këta 24 të akuzuar nuk ishin paraqitur në gjykatë, dhe në pa mundësi që prezenca e të njëjtëve të sigurohet në mënyrë tjetër, gjykata në datën 09.02.2016 ka vendos që ndaj të njëjtëve të caktohet paraburgimi në kohëzgjatje prej 30 ditëve ( që llogaritet nga dita e ndalimit) dhe kështu të sigurohet prezenca e tyre në shqyrtimin gjyqësor.
Gjykata Themelore në Prishtinë, sikurse çdo gjykatë tjetër, në procedimin e çështjeve nuk guxon të niset nga ajo se një i akuzuar prej nga vjen, cilën pozitë e mban dhe cili është mendimi apo veprimi i tij apo sajë politik. Para gjykatës të gjithë janë të barabartë.
Asambleistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të Partisë Demokratike të Kosovës, e quajnë skandaloz takimin e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti me bashkatdhetarët në Bruksel, ku ka kërkuar nga ata që t’i bashkohen protestës së 17 shkurtit Në Kosovë.
Ndërsa, bashkatdhetari Agron Kelmendi thotë për Gazetën “Bota sot”, se kryetari Ahmeti ka marrë pjesë në një hotel luksoz në Bruksel ku ka ftuar mërgimtarët për t’iu bashkuar protestës.
“Takimi është mbajtur në Hotel Ramada, Plejademlaan 67, 1200 Woluwe. Ky hotel është luksoz, por nuk e di se me mjetet e kujt është paguar”, thotë Kelmendi.
Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli ka reaguar pas dorëheqjes së rektorit Ramadan Zenjullahu dorëheqja e tij përkon në ditën kur ky Universitet shënon 46 vjetorin e themelimit.
Në reagimin e Pacollit thuhet se bashkë me dorëheqjen e Zejnullahit është shuar shpresa e ndryshimit thelbësor të mësimit universitar në Kosovë, ndërsa për ata politikan me diploma false se po e gënjejnë vetën me ato diploma.
“Ju me diploma të falsifikuara!
Sot jam shumë i trishtuar. Në 46-vjetorin e Universitetit të Prishtinës, Universitet që e bëri të mundur shtetësinë e Kosovës në vitet shtatëdhjetë, rektori Zejnullahu dha dorëheqjen e pakthyeshme.
Bashkë me të, u shua dhe shpresa e ndryshimit thelbësor të mësimit universitar në Kosovë. Ky është një ogur i keq për llojin e shtetit dhe shoqërisë që ne po jetojmë, ditën e 8-vjetorit të pavarësisë sonë.
Unë dëshpërohem nga shkalla e lartë e rrejshmërisë që ekziston në shoqërinë dhe politikën tonë. Ne po gënjejmë veten të gjithë me «titujt akademikë».
Po kemi mjekë të rrejshëm, inxhinierë të rrejshëm, juristë dhe administratorë të rrejshëm, mësues të fëmijëve tanë, që gjithashtu janë të rrejshëm. Nuk duhet të jenë pak, por me mijëra. Unë sot, në tetëvjetorin e pavarësisë sonë dua t’ju pyes juve kolegë politikanë (e dini ju vetë kush jeni dhe unë ju njoh) me tituj të rrejshëm: a nuk jeni duke bërë një shtet të rrejshëm gjithashtu?
Shikohuni në pasqyrë, shikoni titujt tuaj akademikë, të prodhuar në këto fabrika të rrenës! A vërtet besoni se mund të qeverisni të padijshëm?”, ka shkruar Pacolli në Facebook
Në Kosovë po shënohet përvjetori i tetë i shpalljes së pavarësisë së vendit. Kryeqyteti, Prishtina, tashmë është dekoruar me flamujt dhe simbolet shtetërore, që krijojnë atmosferën e kremtes, ndërkohë që në Kosovë, tashmë kanë arritur edhe një numër delegacionesh dhe mysafirësh nga vendet tjera.
Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë uruar qytetarët e vendit për tetë vjetorin e pavarësisë së shtetit të tyre, por edhe me thirrjet që festa e 17 shkurtit të mos zbehet, duke iu referuar protestës së paralajmëruar nga partitë opozitare, e cila, siç është thënë, do të nis në orën 14.
Në pritjen zyrtare me rastin e tetë vjetorit të pavarësisë, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka theksuar se shteti i Kosovës ka lindur me shumë mundime, sakrifica të hatashme njerëzore, vuajtje të thella dhe me pasoja të rënda. Ajo tha se sakrifica për të arritur deri më sot, krijon vetëdijen se Kosova nuk mund të përvetësohet dhe nuk është e asnjë lideri politik.
“U takon qytetarëve të saj, të cilët sot janë më të bashkuar se kurrë, për t’i refuzuar përçarjet dhe ndasitë e kësaj klase politike, për të kërkuar llogaridhënie. Për të këmbëngulur për rend dhe ligj dhe për t’i dhënë fund degradimit moral dhe korrupsionit. Për t’i rikthyer në busull të angazhimit tonë vlerat dhe idealet që na ndihmuan që ta shpallim Kosovën shtet dhe që pranë kësaj kauze rreshtuan aleatët tanë të mëdhenj, shtetet çerdhe të demokracisë”, ka thënë Jahjaga.
Ajo ka shtuar se këtë vit, më shumë se çdo vit tjetër, janë përjetuar dhimbjet e rritjes, dhe në këtë kontekst , siç ka theksuar ajo, “mospajtimet janë të kuptueshme, sikurse sfidat e një kushtetute të aprovuar, por të pa testuar, e cila duhet të vazhdojë t’i japë peshën e legjitimitetit çdo vendimmarrjeje dhe veprimtarie”.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka theksuar se Republika e Kosovës është rrëfimi i përbashkët i suksesit të qytetarëve të Kosovës dhe aleatëve të tyre, ndaj të cilëve ata do të jenë gjithmonë mirënjohës. Ai gjithashtu iu ka referuar edhe kundërshtimeve të opozitës dhe protestës së paralajmëruar për 17 shkurt.
“Ne të gjithë jemi dëshmitarë të ngjarjeve të pakëndshme që i kanë ndodhur Kosovës këta muajt e fundit. Populli ynë thotë ‘shtëpi me tym e pa hidhërim, nuk ka’. Në fakt, është ngritur shumë tym, por reja e atij tymi do të largohet shpejt, sepse shteti nuk do t’i dorëzohet dhunës dhe inateve të askujt."
"Ne kemi vendosur rregulla demokratike, ligjet dhe kushtetutën e shtetit tonë. Vetëm ato do të jenë udhërrëfyese për Kosovën, sepse kështu ne e mbrojmë Republikën, e bëjmë atë partnere të denjë të aleatëve dhe aspiruese për tu bërë pjesë e familjes euroatlantike”, ka theksuar Mustafa.
Presidentja dhe kryeministri i Kosovës kanë falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian dhe gjithë aleatët tjerë për ndihmën dhe mbështetjen për Kosovën dhe ndërtimin e shtetit gjatë gjithë këtyre viteve.
Kryesuesi i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë i Senatit të Shteteve të Bashkuara, Senatori Bob Corker, i cili gjendet për vizitë në Kosovë, e ka uruar popullin e Kosovës për Ditën e Pavarësisë, si dhe e ka përgëzuar për përparimin, siç e ka quajtur, të jashtëzakonshëm.
“E di se disa qytetarë të Kosovës do të demonstrojnë për të shprehur vizionin e tyre për të ardhmen e Kosovës. Ata kanë të gjitha të drejtat që të protestojnë në mënyrë paqësore. Megjithatë, dallimet politike duhet të zgjidhen përmes debatit dhe jo me dhunë. Dita e pavarësisë duhet të jetë ditë e gëzimit, e jo të shënohet me dhunë”, ka thënë senatori Corker.
Ai ka shtuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë me Kosovën që nga fillimi dhe me Kosovën janë edhe tash.
Në ditën kur shënohet përvjetori i tetë i pavarësisë së Kosovës, opozita ka paralajmëruar protestë masive, me kërkesën për largimin e qeverisë së vendit dhe që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Protestat e opozitës kanë nisur muaj më parë, për të kundërshtuar marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, më 25 gusht, lidhur me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhemarrëveshjen me Malin e Zi për shënjimin e vijës kufitare.
Qeverisë së Kosovës dorëheqje po i kërkohet edhe nga një pjesë e intelektualëve të vendit. Grupi i Intelektualëve dhe i Autoriteteve Morale ka kërkuar dorëheqjen e qeverisë së Kosovës, si e vetmja zgjidhje për tejkalimin e gjendjes politike, në të cilin është futur vendi.
Në vazhdim e gjeni apelin e këtij grupi dhe emrat që e kanë nënshkruar këtë apel:
QYTETARËVE TË REPUBLIKËS, QEVERISË, FORCAVE POLITIKE TË VENDIT DHE TË INTERESUARVE TË TJERË
A P E L
Prishtinë, 16 shkurt 2016
Duke dashur të marrim përgjegjësitë tona qytetare e intelektuale, dëshirojmë t’u drejtohemi publikisht qytetarëve të Republikës, Qeverisë dhe forcave politike, lidhur me situatën në Kosovë, me qëllim që të ndihmojmë në marrjen e vendimeve të drejta e të rëndësishme për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës;
Përpjekjet e qeverisë aktuale për të kontrabanduar e realizuar marrëveshjet me Serbinë, pavarësisht vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese se ato janë në shpërputhje me frymën e kushtetutës dhe e cenojnë rëndë rendin kushtetues e juridik të Republikës, tregojnë qartë se kemi një qeveri politikisht të papërgjegjshme dhe të pamoralshme, dorëheqja e së cilës shtrohet si kërkesë dhe nevojë imediate.
Jemi të bindur se për shkak të problemeve të krijuara dhe të gjendjes me të cilën po ballafaqohemi, kemi ardhur në situatë kur Qeveria e Kosovës duhet të tërhiqet.
Konsiderojmë se kjo duhet të ndodhë për arsyet e mëposhtme: – për shkak të mënyrës se si po trajtohet pasuria nacionale (Trepça, Brezovica, Termocentralet e Kosovës etj.), – për shkak të sjelljes së Qeverisë lidhur me Marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi, – për shkak të dështimit në UNESCO, – për shkak të dështimit në procesin e liberalizimit të vizave, – për shkak të shkeljeve të premtimeve zgjedhore, – për shkak të mosfunksionimit të sistemit gjyqësor dhe të mungesës së drejtësisë në vend, – për shkak të largimit masiv të popullatës nga Kosova, – për shkak të ndjekjeve penale të një numri të konsiderueshëm të deputetëve dhe të represionit ndaj opozitës në përgjithësi, – Sidomos për shkak të nënshkrimit të Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, me të cilin akt kryeministri shkeli themelet e rendit kushtetues-juridik të vendit, të cilat shkelje i vërtetoi tashmë Gjykata Kushtetuese e Kosovës, dorëheqja e qeverisë bëhet imediate
Përfundimisht, vetëm dorëheqja e Qeverisë, që tashmë ka humbur legjitimitetin, do të rikthejë vullnetin e popullit dhe do ta ndalë shndërrimin e Kosovës në shtet autoritar.
Kosova nuk është pronë e asnjë lideri politik, zgjidhjet për vendin duhet të jenë kushtetuese dhe vetëm kështu arrihet përpara. Kështu tha presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga në pritjen zyrtare me rastin e tetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
I ftuar në këtë pritje, senatori amerikan Robert Corker, dha një mesazh për protestat që pritet të mbahen nesër, të organizuara nga opozita. Sipas tij, edhe pse të gjithë kanë të drejtë të protestojnë, dallimet politike duhet të zgjidhen në mënyrë demokratike dhe jo me dhunë.
Presidentja Jahjaga me këtë rast tha se tetë vjetori i pavarësisë së Kosovës është rrugëtim që forcon themelin e shtetit të tonë. Ajo për këtë arritje ka falënderuar shtetet mike që ndihmuan shtetin në rrugëtimin e sakrificës së popullit të Kosovës.
Ajo shtoi se kjo sakrificë nuk mund të përvetësohet, sepse sipas saj, Kosova i takon të gjithë qytetarëve dhe populli, siç tha ajo, është më i bashkuar se kurrë për t’i refuzuar përçarjet dhe ndasitë e kësaj klase politike.
Jahjaga: Kosova nuk është e asnjë lideri politik
“Sakrifica për të arritur deri këtu në bën të vetëdijshëm që Kosova nuk mund të përvetësohet. Ajo nuk është e as një lideri politik. U takon qytetarëve të saj të cilët sot janë më të bashkuar se kurrë për t’i refuzuar përçarjet dhe ndasitë e kësaj klase politike. Për të kërkuar llogaridhënie, për të këmbëngulur për rend dhe ligj. Për t’i dhënë fund degradimit moral dhe korrupsionit, për t’i rikthyer... angazhimit tonë vlerat dhe idealet që në ndihmuan të shpalim Kosovën shtet, që pran kësaj kauze u rreshtuan aleatët tanë të mëdhenj, çerdhet e demokracisë”, tha Presidentja Jahjaga.
Kryeministri Isa Mustafa tha se në këto tetë vjet, Kosova ka dëshmuar që mund të ndërtojë shtetin dhe ka zbatuar obligimet ndaj shteteve fqinje. Ai ka pranuar edhe dështimet në këto vite të shtetësisë dhe çlirimit që për të janë të njohura.
Mustafa: Ne njohim edhe ngecjet dhe dështimet tona
“Këto tetë vjet ne kemi demonstruar përkushtimin për ta bërë Kosovën një vend të denjë dhe për të jetuar. Kemi dëshmuar përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe jemi përpjekur të njohim dhe zbatojmë obligimet tona ndaj fqinjëve dhe ndaj partnerëve tanë ndërkombëtar. Tashmë Republika e Kosovës i ka bërë të vetat, vlerat e lirisë dhe demokracisë. Këto vlera nuk mund t’i rrënojë askush, sepse ato mbrohen nga qytetarët dhe institucionet e Kosovës. Ne do të kultivojmë fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet. Ne njohim edhe ngecjet dhe dështimet tona që na kanë përcjell në këto tetë vite pavarësi dhe për 17 vjet liri”, tha kryeministri Mustafa.
Ai më tej tha se ekonomia e një vendi është shtylla kryesore dhe Qeveria në fokus ka zhvillimin e saj. Ai foli edhe për procesin e liberalizmit të vizave, që sipas tij, Kosova është në prag të këtij p rocesi.
Kryeministri ka falënderuar shtetet mike, veçanërisht SHBA-në, Shqipërinë, e të tjerat.
Senatori amerikan Robert Corker, tha se nuk ka qenë e lehtë, por me të vërtet është arritur përparim i jashtëzakonshëm në një kohë shumë të shkurtër. Ai ka nxitur drejtuesit e institucioneve të Kosovës drejt komunitetit euro-atlantik. Po ashtu, ai foli edhe për protestat që pritet të mbahen në përvjetorin e pavarësisë. Corker tha se SHBA-të kanë qenë dhe do të jenë përkrah Kosovës.
Corker: Vendi im ka qenë me ju që prej fillimit, vazhdojmë të jemi me ju edhe tash
“E di se disa qytetarë të Kosovës ndoshta do të demonstrojnë nesër për të shprehur vizionin e tyre për të ardhmen e Kosovës. Ata kanë çdo të drejtë që të demonstrojnë në mënyrë paqësore. Megjithatë, dallimet politike duhet të zgjidhen nëpërmes debatit e jo m e dhunë. Dita e Pavarësisë duhet të jetë ditë e gëzimit e jo e dhunës. Vendi im ka qenë me ju që prej fillimit, vazhdojmë të jemi me ju edhe tash”, tha Corker.
Në këtë eveniment të organizuar nga Presidenca dhe Qeveria, u pritën ambasadorë të të gjitha shteteve më të mëdha në Prishtinë, KFOR-it, përfaqësues të BE-së, senatoër dhe deputetë, por jo edhe përfaqësues të opozitës.
Kryeministri Mustafa: Republika e Kosovës rrëfim i përbashkët i suksesit të Kosovës dhe aleatëve Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në pritjen zyrtare me rastin e tetë vjetorit të pavarësisë, të organizuar së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Para të pranishmëve të shumtë në këtë pritje solemne, kryeministri Mustafa tha se 17 shkurti i vitit 2008 është ditëlindja e shtetit tonë. “Është kurorëzimi i aspiratës së kosovarëve të çliruar me sakrificë sublime të mijëra dëshmorëve e martirëve e i angazhimit të veprimtarëve të shumtë. Është kurorëzim i veprës së Ibrahim Rugovës, i Luftës së UÇK-së dhe i mbështetjes së NATO-s. Është shpagimi i kontributit të secilit qytetar të Kosovës”, tha kryeministri.
Më tej, kryeministri Mustafa theksoi se Republika e Kosovës është rrëfim i përbashkët i suksesit të kosovarëve dhe aleatëve të tyre.
“Secili qytetar i Republikës së Kosovës, do t’i jetë përgjithmonë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipërisë, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, Austrisë dhe të gjitha shteteve tjera të Bashkimit Evropian e vendeve tjera që e mbështetën dhe po e mbështesin Kosovën në rrugëtimin e saj. Kjo mbështetje është garanci se Kosova ka të ardhmen e saj”, tha kryeministri Isa Mustafa.
Fjala e plotë e kryeministrit Isa Mustafa, në pritje.
Ndjehem i nderuar t’u drejtohem sonte, në vigjilje të 8 vjetorit të shpalljes së Kosovës-shtet i pavarur dhe sovran. 17 shkurti i vitit 2008 është ditëlindja e shtetit tonë. Është kurorëzimi i aspiratës së kosovarëve të çliruar me sakrificë sublime të mijëra dëshmorëve e martirëve e i angazhimit të veprimtarëve të shumtë. Është kurorëzim i veprës së Ibrahim Rugovës, i Luftës së UÇK-së dhe i mbështetjes së NATO-s. Është shpagimi i kontributit të secilit qytetar të Kosovës. Të dashur miq, 17 shkurti i vitit 2008 është, po ashtu, dëshmia më e freksët e ngadhnjimit të parimeve universale të drejtësisë. Duke e ndihmuar për çlirim, duke e mbështetur për rindërtim e pavarësim, Ju jeni shndërruar në miq të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Kosovarët janë të paktë në numër. Por, kanë zemër bujare dhe janë popull fisnik. Tek populli i Kosovës, Ju do të gjeni përgjithmonë aleatin besnik dhe partnerin mirënjohës e të përjetshëm. Zonja dhe Zotërinj, Republika e Kosovës është rrëfim i përbashkët i suksesit të kosovarëve dhe aleatëve të tyre. Secili qytetar i Republikës së Kosovës, do t’i jetë përgjithmonë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipërisë, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, Austrisë dhe të gjitha shteteve tjera të Bashkimit Evropian e vendeve tjera që e mbështetën dhe po e mbështesin Kosovën në rrugëtimin e saj. Kjo mbështetje është garanci se Kosova ka të ardhmen e saj. Zonja dhe zotërinj, Këto 8 vjet, ne kemi demonstruar përkushtim për ta bërë Kosovën një vend të denjë për të jetuar. Kemi dëshmuar përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe jemi përpjekur të njohim e zbatojmë obligimet tona ndaj fqinjëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë. Tashmë, Republika e Kosovës i ka bërë të vetat vlerat e lirisë dhe të demokracisë. Këto vlera nuk mund t’i rrënojë askush, sepse ato mbrohen nga qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ne do të kultivojmë fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet. Ne i njohim edhe ngecjet e dëshmtimet që na kanë përcjellë në këto 8 vjet pavarësi dhe gati 17 vjet liri. Sonte dua t’u siguroj se kosovarët nuk e meritojnë dhe jam i bindur se nuk do ta tolerojnë mbisundimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ashtu sikurse, jam i bindur që qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës do t’i mundin tendencat e infiltrimit të rrymave radikaliste, ekstremiste dhe terroriste, të cilat synojnë ta rrënojnë tolerancën dhe bashkëjetesën tonë tradicionale. Të nderuar të pranishëm, Ne të gjithë jemi dëshmitarë të ngjarjeve të pakëndshme që i kanë ndodhur Kosovës këta muajt e fundit. Populli ynë thotë: “Shtëpi me tym, pa idhnim nuk ka”. Në fakt është çuar shumë tym. Por, reja e atij tymi do të largohet shpejt. Sepse shteti nuk do t’i dorëzohet dhunës dhe inateve të askujt. Ne kemi vendosur rregullat demokratike, ligjet dhe Kushtetutën e shtetit tonë. Vetëm ato do të jenë udhërrëfyes për Kosovën. Sepse kështu ne e mbrojmë Republikën, e bëjmë atë partnere të denjë të aleatëve dhe aspirante për t’u bërë pjesë e familjes euro-atlantike. Të dashur miq, Siç e dini, Ekonomia është shtylla kryesore e programit tonë qeverisës. Unë vij këtu para jush, vetëm një ditë pasi që së bashku me Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, lansuam Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2016-2021, duke cilësuar kapitalin njerëzor, sundimin e ligjit, infrastrukturën dhe konkurrueshmërinë si shtylla të zhvillimit ekonomik të Kosovës në pesë vitet e ardhshme. Kemi bërë reforma të qëndrueshme fiskale dhe jemi duke e zbatuar një strukturim buxhetor, të bazuar në kursime, rritje të inkasimit dhe luftimit të ekonomisë joformale. Të nderuar të pranishëm, Në Qeveri jemi të vetëdijshëm se lufta kundër papunësisë nuk është e lehtë dhe e shpejt. Për këtë arsye ne kemi identifikuar sektorin e bujqësisë si potencial i madh për rritjen e prodhimit vendor dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Kemi nënshkruar marrëveshjen për investimin më të madh privat paslufte në Kosovë, ndërtimin e TC Kosova e Re me partner nga SHBA, ndodhemi në fazën finale të dhënies me koncesion të Brezovicës një konsorciumi francez dhe po punojmë për të ardhmen afatgjate të Trepçës. Kemi përgatitur bazën ligjore për tërheqje të investimeve të huaja direkte. Të nderuar të pranishëm, Viti që shkoi është historik sa i përket marrëdhënieve të Kosovës me Bashkimit Evropian, pasi që kemi nënshkruar marrëveshjen e parë kontraktuale me Bashkimin Evropian- Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Por, po ashtu, është vit në të cilin për herë të parë Kosova përfshihet për tu financuar nga Korporata e Sfidave të Mileniumit, të SHBA, duke përmbushur kriteret e kësaj organizate prestigjioze. Kosova ka arritur që ta ulë gati në zero emigrimin ilegal dhe ne tani ndodhemi në fazën finale të marrjes së rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave. Edhe nga ky përvjetor ju ftoj të vazhdojmë ta shohim Kosovën si projekt të suksesshëm të kosovarëve dhe miqve të tyre. Një shtet ku qytetarët e saj realizojnë nevojat dhe aspiratat e tyre, ku diversiteti kulturor, gjuhësor e etnik është pasuri dhe urë lidhëse e bashkëpunimit me vendet fqinje dhe e integrimit në familjen evropiane. Vend në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Fjalimi i Presidentes Atifete Jahjaga në pritjen zyrtare me rastin e tetëvjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës
I nderuar Kryeministër Mustafa, Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Kosovës, I nderuar senator Korker, I nderuar kongresist Terner, Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues te misioneve ndërkombëtare në shtetin tonë, Të nderuar familje të Dëshmorëve, Qytetarë të dashur, Zonja dhe zotërinj,
Sonte jemi bashkuar për të shënuar tetëvjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës, të vendit tonë të dashur, ditëlindjen e shtetit tonë të ri. Këtë ditë madhështore, të cilën breza të tërë për njëqind vjet e patëm ëndërr dhe që për një shekull e lartësuam si synim të përpjekjeve tona kolektive për të jetuar në paqe dhe liri.
Shteti ynë lindi me shumë mundime. Për të u bë një sakrificë e hatashme njerëzore, vuajtje të thella me pasoja të rënda, të cilat shumë familje vazhdojnë t'i jetojnë 16 vjet pas përfundimit të luftës, edhe në këtë natë përvjetori të pavarësisë.
Është pikërisht ky rrugëtim i jonë i përbashkët dhe përjetim i përveçëm për secilin prej nesh që e forcon themelin e Kosovës që e bëmë bashkërisht shtet. Na bën secilit t'i gëzojmë privilegjet dhe përgjegjësitë e të qenurit kosovar - përfshirë përgjegjësinë historike për ta përmbyllur këtë cikël shtetndërtimi - njëkohësisht. E bën Kosovën idealin e vetëm, sepse Kosova është më e rëndësishme se secili prej nesh.
Sakrifica për të arritur deri këtu na bën të vetëdijshëm që Kosova nuk mund të përvetësohet. Ajo nuk është e asnjë lideri politik. U takon qytetarëve të saj, të cilët sot janë më të bashkuar se kurrë për t'i refuzuar përçarjet dhe ndasitë e kësaj klase politike, për të kërkuar llogaridhënie, për të këmbëngulur për rend dhe ligj, për t’i dhënë fund degradimit moral dhe korrupsionit, për t'i rikthyer në busullë të angazhimit tonë vlerat dhe idealet që na ndihmuan ta shpallim Kosovën shtet dhe që pranë kësaj kauze rreshtuan aleatët tonë të mëdhenj, shtetet çerdhe të demokracisë. Ju faleminderit që jeni përkrah nesh Ambasador Delawie, Kosova nuk ka mik më të madh. Ambasadorë të nderuar, ju faleminderit për mbështetjen e pakursyer.
Këtë vit më shumë se çdo vit tjetër i kemi përjetuar dhimbjet e rritjes. Në kontekst të tillë, mospajtimet janë kuptueshme sikur që janë sfidat e një kushtetute të aprovuar, por të patestuar, e cila përkundër të gjithave duhet të vazhdojë t’i japë peshë e legjitimitet çdo vendimmarrjeje dhe veprimtarie tonë. Zgjidhjet tona duhet të jenë kushtetuese dhe institucionale, sepse vetëm kështu e forcojmë besimin që na duhet për ta rrumbullakuar këtë shtetformim. Është e pamohueshme që në këtë fazë të shtetndërtimit si shoqëri na duhet dialog i brendshëm për rrugën tonë përpara. Por, ky diskutim asnjëherë nuk guxon të sfidojë konsensusin bazik demokratik, të cilin e vendosëm në themelet e shtetësisë së Kosovës dhe mbi të cilin ndërtuam legjitimitetin tonë shtetëror e ndërkombëtar. Nuk guxon ta testojë miqësinë tonë me aleatët tanë apo ta vë në mëdyshje përcaktimin tonë për të ndërtuar shtet demokratik, të ngjallë frikë e të krijojë pasiguri për të ardhmen tonë. Kjo është ditë e shumëpritur, kjo është ditë e shenjtë që nuk shndërrohet në kontestim të dashurisë për atdheun.
Është e padiskutueshme që kemi shumë punë. Shumë punë për të kërkuar drejtësi për ata që nuk janë më. Punë për të përfshirë secilin qytetar, pa dallim etnie, në ndërtimin e shtëpisë tonë të përbashkët. Punë për t’i thënë jo korrupsionit që po monopolizon fuqinë në duart e një pakice që ia mohon të drejtën e barabartë për të konkurruar, punuar dhe për të krijuar mirëqenie qytetarit të Kosovës. Punë për të arsimuar gjeneratën e ardhshme. Për ta mbajtur atë të shëndoshë. Vendosmëri për t’i mbajtur përgjegjës të gjithë ata që nuk i kanë përfaqësuar interesat e qytetarëve denjësisht.
Padyshim, Dita e Pavarësisë duhet të jetë ditë reflektimi. Por, mbi të gjitha ajo është ditë feste, ditë gëzimi kur kthejmë kokën prapa dhe ndihemi krenarë për të arriturën tonë më të madhe këtë shekull, bërjen e Kosovës shtet. E ndajmë këtë ditë me më të dashurit tanë për të festuar dashurinë tonë më të madhe – dashurinë tonë për Kosovën, këtë ëndërr gjeneratash që ne kemi fatin dhe përgjegjësinë ta jetësojmë.
Kosova do të ecë përpara, ballëhapur e e patrembur. Qytetarët e saj do të vazhdojnë të jenë insistues për të ardhmen e tyre të pakthyeshme evropiane, të palëkundur në besimin që ditët e mira për Kosovën vetëm sa kanë filluar.
Qytetarë të Republikës së Kosovës, Urime 8 vjetori i pavarësisë. Të jemi krenarë me arritjet tona të përbashkëta dhe të mos ndalemi të aspirojmë më shumë.