2016-08-03

Maks Velo: Pas poezisë për Stalinin, mendova të mos shkruaj më

Maks Velo: Pas poezisë për Stalinin, mendova të mos shkruaj më
Në fundjavën që shkoi, Velo me pak miq, duke sintetizuar se si kryhen punët me librin, e njohjen e tyre për lexime të reja, ka mundur të ndërtojë një bisedë raportesh, si në të tashmen, ashtu dhe në të shkuarën… Simbolika e tij është gjithnjë një reflektim absurd me kohën e burgut, duke zbuluar se, sapo ka marrë Dosjen e tij të plotë, ku ka lexuar “dëshmi” nga më të tmerrshme nga intelektualët e kohës…
“Jam një njeri që e dua shumë letrën…pasi është si një perde, ekrani…” – në këto pak fjalë që nis prezencën e tij, në daljen e librit të tretë me poezi, “Tapeti im i kuq”, piktori Maks Velo krijon një atmosferë ontologjike se si lidhet kjo imagjinatë me një kulture tipologjike, duke iu përgjigjur letrës, qoftë si frymëzim poetik, ashtu dhe në arsyen e tij më të fortë, si piktor.
Në fundjavën që shkoi, Velo me pak miq, duke sintetizuar se si kryhen punët me librin, e njohjen e tyre për lexime të reja, ka mundur të ndërtojë një bisedë raportesh, si në të tashmen, ashtu dhe në të shkuarën, si “filli i Arianës”. Simbolika e tij është gjithnjë një reflektim absurd me kohën e burgut. Por duke hyrë në një platformë estetike pak të njohur, të paraqitjes së poezisë me imazhin, shtëpia botuese Albas nuk bën diferencën edhe për Velon. Poezitë e Velos mbajnë dhe skicën metaforizuese, bardhezi, në të njëjtën linjë të “njeriut primitiv”, atij që sipas poetit, krijon zanafillën edhe në këtë rast. Si një nga njerëzit e artit, të lidhur në mënyrë të çuditshme me kujtimet, si ndjekje e pashmangshme, dhe në këtë rast, Velo ka kujtuar episode nga diktatura, kur në Korçën e tij vendosej ekrani i pëlhurës, në ngjashmëri me “letrën e tij”, se si gjysma e njerëzisë në komunizëm recitonin Majakovksin. Në këtë kohë, Velo flet për poezinë e tij të parë, që ishte për Stalinin. Pas kësaj “përvoje” piktori thotë se nuk mendoi më për poezinë. Ndërsa nuk i shmanget ligjëratës mbi pikturën e tij, refleksionet mbi artin primitiv, të përfshira në studime.
Në fakt, si artist, Velo krijon në disa gjini të artit: pikturë, prozë, poezi, publicistikë, sikundër është i angazhuar në çështje të aktualitetit shqiptar. Edhe ky vëllim poetik, duket se mban më tepër “angazhim” të kësaj natyre. I dënuar në regjimin komunist për mospërshtatje të krijimtarisë me ideologjinë, Velo ka vazhduar të ruajë “dorën” si krijues. “Jam origjinal, por jo poet profesionist”, pranon me modesti Maks Velo. Në këtë rast, nuk ka qëndruar pa sjellë “Spaçin e tij”, çfarë e ka tronditur në ditën e parë të burgut. “Ishte korrik, vapë…një ditë e tmerrshme”.
“U tmerrova” -ka kujtuar për Spaçin. Vazhdon se e ka pritur te dera kolegu i tij, piktori i njohur Edison Gjergo, kur në një moment ka dëgjuar një zhurmë të rëndë. “Sapo u hodh një njeri, nga kati III, do vriste veten. U tremba”. Ka një simbiozë rrëfimi në këtë ngjarje për Velon, e para, lidhet me një nga “arsyet” e vetëvrasjes, dhe e dyta, për njeriun enigmatik që donte të vetëvritej, pak ditë ia kishte mësuar arsyen, pothuaj pas 50 vitesh…nuk janë raste të pakta që gati “injorohen”, mjaft raste të burgimit politik në diktaturë, si kjo që tregoi Velo, me arsyen se lidhej me histori dashurie, braktisje e detyruar nga regjimi të të dashurave.
Një rast grotesk. Por prej kësaj ngjarjeje, thotë: “Jemi shteti më grotesk, se ne, në të gjithë kohërat, jemi gjysmë palaço, dhe kur ngjarjet, dhe njerëzit nuk lidhen me logjikën kalon tek e qeshura”. Kështu vëllimi “Tapeti im i kuq” shkel edhe në gurë varresh si tërheqje dhe kërkim te njeriu i kaluar, jetët e të tjerëve, si presohen. “Është interesante të shoh si ka qenë njeriu primitiv, duke menduar edhe poetikisht si afrohen me tingujt”.
Me këtë rast tërheqjeje, Velo thotë se arriti të shpëtojë edhe nga socrealizmi, duke kërkuar në imazhe të hershme, sidomos te poezia popullore. Velo thotë se duhet rivlerësuar bizanti, me mendimin e tij se aty gjenden vlerat, si rastin jo më të mirë, por më të saktë për vlerat që la, referuar ikonave apo afreskeve. Këto imazhe që ka mbartur, Velo thotë se e kanë ndjekur gjithë jetën, hyrë tek ai “dhunshëm”, me detyrim.
Në fund e shpreh duke thënë se mund të kishte bërë më shumë në pikturë, por “ky vend më ka penguar”, pse në kujtesën ruan hidhërimin se si janë djegur në diktaturë mbi 200 punë. “Intelektualët dhe artistët tanë, janë injorantë dhe të këqij”, thotë Velo, duke zbuluar se ka shtënë në dorë dosjen e tij, të plotë, ku ka lexuar “gjëra të tmerrshme”…! – V.Murati.

Rrëfehet shkrimtari i madh grek Vasilis Vasilikos: Letërkëmbimi me Kadarenë

Rrëfehet shkrimtari i madh grek: Letërkëmbimi me Kadarenë
Ai është i famshëm në të gjithë botën. Romani i tij më i njohur, “Z, orgjia e pushtetit”, është përkthyer në 32 gjuhë të botës, dhe filmi i bujshëm me të njëjtin emër, me Iv Montanin e Irenë Papasin, fitoi dy çmime Oskar, si dhe shumë çmime ndërkombëtare. Por kurrë vepra e tij nuk qe botuar në gjuhën shqipe. Vasilis Vasilikos, shkrimtari më i njohur grek që është gjallë, ka ardhur në Tiranë pikërisht për ta prezantuar librin e tij të përkthyer nga Kleo Lati.
Ai futet direkt në temën e marrëdhënieve mes vendeve, dhe Ismail Kadarenë e cilëson si mik të tij. “Ndërsa vizitova Muzeun Historik Kombëtar, ajo shprehja e thënë për italianët, “Una facia, una razza (Një fytyrë, një racë)”, vlen më shumë për grekët dhe shqiptarët. Ato portrete, dhe figurat e personaliteteve të shekujve XVIII dhe XIX që pashë në pavionet e muzeut, janë njësoj si grekët tanë të kësaj periudhe. Mendova se isha në Muzeun Historik të Greqisë,” thotë ndërsa fërkon llulën e mbushur me duhan, por që nuk e ndez. Nuk lodhet së 지㮠rmosuri librat e tij për fansat “vip” në Shqipëri, ndër të cilët kritikja e famshme e letërsisë, Klara Kodra. Vite para rrëzimit të komunizmit në Shqipëri, Vasilikos ndodhej në Korfuz, dhe i shkruan një letër Kadaresë. Saktësisht, më 20 korrik 1977.
“Po të drejtohem ty, pra, sepse është koha që t’i tejkalojmë politikanët tanë… dhe të vijmë në dialog, ne, si njerëz të kulturës dhe të artit. Romani yt i mrekullueshëm ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’… ka diçka nga fryma e Gogolit dhe nga fuqia e Malaparte-s,” i shkruante shkrimtari shkrimtarit. “Z, orgjia e pushtetit” është një nga kryeveprat e letërsisë europiane, por është përkthyer në shqip vetëm 40 vite më pas. Askush nuk di të përgjigjet, por shkrimtari thotë se e ka takuar dikur Edi Ramën, kur nuk merrej me politikë, por ishte një artist. “Jemi takuar në zyrën time në Paris (ka qenë ambasador i UNESCO-s); do të dëshiroja t’i jepja një libër me dedikim,” thotë Vasilis pasi ka thithur llullën mendueshëm. Shkrimtari i njohur kthehet e 지㮠rmos librat. Por nuk i rrihet pa folur për marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe grekëve. “Revolucioni i 1821-shit në Greqi nuk do të kishte fituar nëse nuk do kishte mbështetjen e shqiptarëve. Shumë emra të mëdhenj të revolucionit grek ishin nga Shqipëria. Nëse nuk do të ishte ai kontribut dhe ata shqiptarë, revolucioni nuk do të ishte kryer. Madje pa ata do të ishte shkatërruar dhe revolucioni i viteve 1947-1949 nëse Shqipëria nuk do t’i kishte hapur kufijtë për të majtët që u arratisën nga të djathtët në Greqi. Sot shqiptarët që gjenden në Greqi nuk janë grekë, por janë bërë qytetarë grekë. Problemi tani është se mos bëhemi ne emigrantë në Shqipëri. Kriza dhe situata janë të tilla,” thotë duke qeshur Vasilis Vasilikos, i cili më pas flet për librin. “… Eshtë botuar një libri im këtu, para shumë vitesh, ama nuk është përkthyer nga greqishtja, por nga frëngjishtja… Libri u shkrua 50 vite më parë, dhe bën fjalë për vrasjen e ‘Z’-së. Para dy vjetësh u ngjit në skenën teatrore të Athinës, dhe ‘Agimi i Artë’, ekstremistët, vranë një të ri grek. Pas 50 vjetësh njerëzit thërrisnin ‘Zite!!!’( Rron!!!). Dua të them që, për fat të keq, libri është aktual, pasi fashizmi nuk ka ngjyrime. Eshtë kudo dhe gjithnjë i njëjtë. Sivjet mbushen 53 vite nga vrasja e deputetit. Krimi, vrasja e ‘Z’-së u bë në Selanik, 150 metra larg shtëpisë së prindërve të mi. Ajo që doja të tregoja përmes këtij libri është varësia që ka një shitës nga polici, një polic nga qeveria, dhe qeveria nga vetë një pallat qeverisës ose mbretëror. Mbretëresha jonë në atë kohë ishte anëtare e një partie naziste. Deputeti Grigoris Lambrakis, për të cilin bën fjalë libri, ishte një mjek që solli endokrinologjinë, i pari në Greqi. Pesë herë kampion ballkanik. Pikërisht se ishte simbol, prandaj u vu qëllimi ta masakrojnë. Kështu ai u bë simbol, idhull i gjithë Greqisë. Gjithë ngjarjet e mëvonshme janë pasojë e kësaj ngjarjeje.
Kryeministri i atëhershëm i Greqisë, Karamanlis, ikën në Paris me pasaportë false, me pseudonimin Triandafilis. Në 1965 ndodhi grushti mbretëror i shtetit, dhe më pas Junta. Eshtë një zinxhir pasojash i këtij krimi politik. Dekada ‘60 ishte edhe 10- vjeçari i vrasjeve politike. I pari Llambrakis, më vonë Kenedi, dy vjet më pas vritet luftëtari i famshëm i Marokut, më pas Martin Luther King, Robert Kenedi, etj. Të gjithë u bënë heronj. Në dekadën pasuese, në atë të viteve ’70, ndalen vrasjet politike dhe kalojmë në fazën e vrasjeve që paraqiten si vetëvrasje. I pari ishte greku i rezistencës në Hagë, Jorgo Margojenis nga Kreta, i cili u vra dhe e paraqitën sikur ishte vetëvrasje. Nuk e dinin se ai ishte sallak. Thanë se u vetëvra kështu (tregon gjestin e vetëvrasjes me dorën e majtë në këmbëzë nga tëmthi i djathtë). Unë mora dosjen e tij. Kërkova dhe kërkova, dhe zbuloj se pse e vranë. Dhe shkruajta librin, ‘Metoda e vrasjeve politike’. Obobo, harruam se heroina në librin ‘Z’ është gruaja e Llambrakisit.
Në faqet e librit gjejmë krimin, vrasjen barbare, ndërsa pjesa më lirike është e lidhur me pjesët e gruas. Tek ajo ne gjejmë dramën e gjithë Greqisë. Në këtë botë nuk paguajnë burrat, por gratë.” Vasilikos thotë që sot diktatura e re është “mania e parasë”, kapitali që korrupton çdo gjë dhe këdo. “Asaj nuk ia gjejmë dot anën,” thotë, dhe shton se ka ardhur koha për një utopi të re, e cila do të sjellë një doktrinë të re për njerëzit që do të përballen me kapitalin.

Ah Zoti im, sikur të kisha një copëz jetë

Ah Zoti im, sikur të kisha një copëz jetë
Nga Gabriel Garcia Marquez*
“Sikur Zoti të harronte për një moment që unë jam një dordolec i ndrequr me rrecka dhe të më dhuronte një copëz jetë, mbase nuk do t’i thosha të gjitha ato që po mendoja, por sigurisht do t’i mendoja ato që po them. Do iu jepja rëndësi gjërave jo për vlerën, por për domethënien e tyre. Do flija pak, do ëndërroja më shumë, sepse çdo minutë që mbyllim sytë humbasim 60 sekonda dritë. Do vazhdoja kur të tjerët do ndalonin, do zgjohesha kur të tjerët do flinin. Do dëgjoja kur të tjerët do flisnin, dhe sa do e shijoja një akullore me çokollatë!!! Nëse Zoti do më jepte një copëz jetë, do vishesha thjesht, do shtrihesha përballë diellit duke e lënë të pambuluar jo vetëm trupin, por edhe shpirtin tim. Ah Zoti im, sikur të kisha një copëz jetë, nëse do mundesha, do shkruaja urrejtjen time mbi akull, dhe do prisja të dilte dielli. Nuk do të lejoja të kalonte as edhe një ditë pa iu thënë njerëzve që dashuroja, se i dashuroja. Do të bëja çdo burrë dhe grua të besojnë se janë njerëzit që dua dhe do të dashurohesha me dashurinë. Te njerëzit do të tregoja se sa gabim bëjnë kur besojnë se ndalojnë së dashuruari kur plaken, pa kuptuar se plaken kur ndalojnë të dashurojnë. Fëmijës së vogël do t’i jepja pendë, por do ta lija të mësonte vetë sesi të fluturojë. Pleqve do t’u tregoja se vdekjen nuk e sjell pleqëria por “harresa”.
Mësova kaq gjëra nga ju, njerëzit. Mësova se të gjithë duan të jetojnë në “majën e malit”, pa kuptuar se lumturia qëndron në mënyrën se si zbret “faqen e pjerrët”. Mësova se kur fëmija i porsalindur shtrëngohet mbi pëllëmbën e tij të vogël, për herë të parë gishti që zgjatet i babit të tij e robëron përgjithmonë. Mësova se njeriu ka të drejtë ta shohë tjetrin nga lart, vetëm kur duhet ta ndihmojë të çohet….Të thuash gjithmonë atë që ndjen dhe të bësh gjithmonë atë që mendon…
Nëse do ta dija që sot do të ishte hera e fundit që do të të shihja duke fjetur, do të të përqafoja fort, fort dhe do t’i lutesha Zotit që të bëhesha roja e shpirtit tënd. Nëse do e dija se kjo do ishte hera e fundit që do të të shihja të dilje nga dera, do të të përqafoja dhe do të të jepja një puthje dhe do të të thërrisja përsëri që të të jepja edhe të tjera. Nëse do ta dija që kjo do të ishte hera e fundit që do ta dëgjoja zërin tënd, do të regjistroja çdo fjalë tënden, që të mund të të dëgjoja përsëri, përsëri… Nëse do të dija që këto do të ishin momentet e fundit që do të të shihja, do të të thosha “të dashuroj” dhe do të supozoja jo logjikisht se e dije më parë. Ekziston gjithmonë një e nesërme dhe jeta na jep edhe mundësi të tjera që t’i bëjmë gjërat siç duhet, por nëse bëjmë gabime, na mbetet vetëm e sotmja. Do të doja të të thosha se sa shumë të dua dhe se kurrë s’do të të harroj. E nesërmja nuk është e sigurt për askënd, si i ri, si i vjetër. Sonte mund të jetë hera e fundit që i shikon njerëzit që do. Prandaj mos prit më, bëje sot, sepse e nesërmja nuk vjen kurrë. Sigurisht do pendohesh për ditën kur nuk gjete kohë për një buzëqeshje, një përqafim, një puthje dhe sepse ishe i zënë për të realizuar një dëshirë të tyre. Mbaji ata që dashuron pranë vetes, thuaju duke mërmëritur se sa shumë ke nevojë për ta, dashuroji, sillu mirë, gjej kohën për ta, thuaju “më vjen keq”, “më fal” , “faleminderit” dhe të gjitha fjalët e dashurisë që di. Asnjëri nuk do të të mbajë mend për mendimet e tua të fshehta…”
*shkrimtar, fitues i Çmimit Nobel

Çmenduria e mendjeve të bukura

Çmenduria e mendjeve të bukura
Shumë shpesh kreativiteti shkon paralelisht me çrregullimet mendore. Të jesh depresiv mesatar apo skizofren mesatar sjell fleksibilitet mendimi, sjellje të guximshme dhe kuturisje të guximshme. Mendjet e mëdha krijuese, të të gjitha fushave, nga shkenca te poezia, nga matematika te humori, mund të kenë tipare të përbashkëta që lidhen me problemet psikike.
Në shikim të parë, Ainshtajn, Salvador Dali, Toni Henkok duket se kanë pak gjëra të përbashkëta. Fushat e tyre, fizika, arti modern, komedia, janë vite dritë larg njëra-tjetrës. Kështu që cili mund të jetë ai faktor që me shumë gjasa lidh mendjet e atij që i dha botës teorinë e relativitetit, me gjeniun e artit surreal, apo me komedianin e papërsëritshëm? Sipas një studimi të ri, përgjigjja mund të fshihet te psikika. Mendjet kreative, të të gjitha fushave, nga shkenca te poezia, nga matematika te humori, mund të kenë tipare të përbashkëta që lidhen me psikikën. Tipare të tilla mundësojnë shfaqjen e mendimeve të pazakonta e ndonjëherë të çuditshme që u bashkëngjiten problemeve mendore, duke ushqyer kështu kreativitetin. Teoria bazohet tek ideja që nuk ekziston një vijë e cila mund të veçojë qartësisht atë që konsiderohet gjendje mendore e shëndetshme apo jo e shëndetshme.
Njerëzit vuajnë prej mijëvjeçarësh nga sëmundjet mendore. Teoricienët e evolucionit thonë që duke qenë se janë ende të pranishme, brenda tyre duhet të fshihet ndonjë lloj avantazhi që ka të bëjë me mbijetesën. Sipas tyre, po të qenë tërësisht negative, selektimi natyral do t‘i kishte zhdukur kohë më parë. Në disa raste avantazhi është më se i qartë. Ankthi, për shembull, mund të jetë një sëmundje mendore me simptoma dhe pasoja të rënda, por është gjithashtu një tipar që në nivele jo klinike përmban avantazhe të konsiderueshme në kuadrin e mbijetesës. Kur është në masë të shëndetshme, na mban të gatshëm të ruhemi nga rreziqet.
Sot po këmbëngulet gjithnjë e më shumë se edhe forma të tjera sëmundjesh bartin me vete avantazhe mbijetese, për shkak të tipareve që i lidh me kreativitetin. “Mund të jetë e vështirë për njerëzit të bashkëngjisin sëmundjen mendore me idenë se ato mund mos e bëjnë dikë të paaftë. Ndërsa pranojnë se ankthi sjell përfitime, nuk mendojnë kështu për skizofreninë dhe depresionin”, thotë profesor Gordon Klerixh, profesor psikologjie në universitetin “Oksford”. “Tani ekziston ndjesia se këto tipare kanë mbijetuar, pasi kanë disa vlera adoptive. Të jesh depresiv mesatar, apo skizofren mesatar sjell fleksibilitet mendimi, sjellje të guximshme dhe kuturisje të guximshme. Çmimi për të pasur këto tipare mund të jetë prania e ndonjë sëmundjeje mendore”.
Studimet e sotme po mbështesin gjithnjë e më shumë idenë se njerëzit krijues kanë tipare që lidhen me sëmundjet mendore. Një studim tregoi se mesatarja e humorit të keq dhe prirjeve vetëvrasëse mes poetëve anglezë dhe irlandezë qe shumë e lartë se ajo e njerëzve normalë. Studime të tjera kanë provuar se pacientët psikikë kanë rezultate më të mira në të menduarin abstrakt. Një tjetër studim, i kryer mbi 291 njerëz kreativë apo me rezultate të larta në disa fusha, zbuloi se 69 për qind e tyre vuajnë nga ndonjë lloj çrregullimi mendor. Më pak të prekurit qenë shkencëtarët, ndërsa artistët dhe shkrimtarët tregonin shenja të forta diagnozash psikike.
“Pjesa më e madhe e teoricienëve janë dakord që nuk janë rastet kur sëmundja shfaqet tërësisht, por format mesatare, ato që qëndrojnë në rrënjët e lidhjes së marrëzisë dhe kreativitetit”, thotë Emili Glezër, psikologe e “Oksfordit”. “Tiparet personale të lidhura me psikopatologjinë mesatare shtojnë aftësinë krijuese. Kur shfaqen në forma të rënda, i bëjnë pacientët të paaftë”.
Studimet tregojnë gjithashtu se tiparet e lidhura me sëmundje të ndryshme mendore luajnë efekte të ndryshme të kreativitetit. Kreativitetit që nevojitet për të konceptuar teorinë e relativitetit, për shembull, është shumë e ndryshme nga ajo që nevojitet për realizimin e pikturave surrealiste, apo të poezive.
Komedianët dhe depresioni: nuk është anekdotë.
E keni dëgjuar atë ankdotën mbi një njeri që shkoi të kërkonte ndihmë të specializuar për depresionin? Mjeku i tha të shkonte të shihte pjesën e një komediani të njohur, ku do të qeshte e do t‘i përmirësohej gjendja shpirtërore. “Po ai komedia jam unë”, tha pacienti. Anekdota, e përdorur nga Rod Martin, autor i librit “Psikologjia e humorit – përqasje integrative”, është e parapëlqyera e komedianëve, të cilët dihet se janë të prirur për të qenë depresivë. Sipas një teorie kjo shpjegohet me faktin se humori zhvillohet si përgjigje ndaj depresionit. Një studim i kryer po nga Martin, shqyrtoi rastet e 55 komedianëve meshkuj dhe 14 femra, që të gjithë të famshëm e të suksesshëm. Arriti në përfundimin se komedianët priren të jenë superiorë për sa i përket zgjuarsisë, zemërimit, mosbesimit, si edhe depresionit.
Po kështu, fazat e hershme të jetës së tyre janë karakterizuar nga vuajtje, vetmi, mungesë ngrohtësie dhe sipas Martin, përdornin humorin si mbrojtje ndaj ankthit, duke i konvertuar ndjenjat apo zemërimin e pashprehur nga agresion fizik në agresion verbal. “Aftësia për karriera të suksesshme në zhanrin e komedisë mund të zhvillohen si mjete për kompensimin e problemeve dhe vështirësive të hershme psikologjike”, thotë Rod Martin.
“Një numër i madh komedianësh duket se vuajnë nga depresioni”, thotë profesor Gordon Klarxh. “Komedia duket si një mënyrë për t‘u përballur me depresionin. Mendoj se tek ata gërshetohen stilet emocionale dhe konjitive me çrregullimet depresive, gjë që duket se ushqen kreativitetin”.
Salvador Dali nuk qe veç artist i madh. Përmbushte plotësisht kriteret për një seri diagnozash të rënda psikike, një përzierje mes skizofrenisë dhe depresionit. Njëherësh mund të ketë qenë paranojak, ashtu si edhe antisocial e histronik. “Pa këto çrregullime ndoshta nuk do të kishte qenë kurrë në gjendje të krijonte atë art të madh që krijoi”, thotë Karolain Mërfi, pedagoge psikologjie në “Oksford”. 

“Modernët e kohës”

“Modernët e kohës”

Studjuesi, kritiku dhe publicisti i njohur Sejdo Harka, kohët e fundit shfaqet para lexuesve me librin e ri “MODERNËT E KOHËS”, në të cilin janë përmbledhur analiza letrare, esse dhe portrete për njerëz të shquar të dijes, letërsisë, artit dhe kulturës.
Të shkruash për “modernët e kohohës”, nuk është e lehtë, sepse jo vetëm që kërkon njohuri të thella, por edhe shpirt e këndvështrim krijues. Këtu Sejdo guxon dhe fiton me llogjikën e analizës. Të zbulosh dhe të shijosh moderrnen në krijimtarinë e gjerë letrare dhe artistike të të gjitha kohërave, do të thotë të prekësh si me dorë shpirtin dhe zemrën, jetën dhe ëndrrën, poezinë dhe këngën e të gjithë njerëzimit. Në këtë rast Sejdo provon dhe na befason me fjalën e tij magjike.
Autori i këtij libri, edhe pse nuk i ka vënë qëllim vetes të përzgjedhë “modernët” e të gjitha kohërave, ka ditur jo vetëm të qëmtojë e shijojë, por dhe të përçojë te lexuesi, vlerat e papërsëritshme të disa prej figurave më të ndritura të mendimit dhe të filozofisë, të artit dhe të letërsisë botërore e asaj shqiptare. Disa prej “heronjëve” të këtij libri, janë:  Rumi dhe Esenini, Poradeci dhe Naimi, Dritëroi dhe Ismaili… etj, kollosë të tillë të mendimit dhe veprimit, të cilët, pavarësisht se ku e kur kanë jetuar e shkruar, duke i bërë dritë kohës së tyre, i bashkon udha e përbashkët e njerëzimit. Prandaj ata kurrë nuk humbasin e vdesin, kurrë s’shuhen, por përjetësisht të gjallë mbesin.
Krahas brendisë së pasur dhe argumentit të thellë që e karakterizon librin “Moderrnët e kohës”, ajo që më ka nxitur të hedh në letër këto shënime modeste, është gjuha e gjallë dhe tepër poetike që S.Harka përdor. Brenda çdo analize letrare, esseje dhe portreti, gjen edhe poezi, edhe këngë, edhe rimë e ritëm, edhe shpirt e ëndërr. Gjuha elegante që autori përdor në shënimet dhe analizat e këtij libri, e shoqëron lexuesin gjatë shfletimit të kësaj vepre, aqsa herë të duket sikur vërshëllen e herë sikur reciton, herë sikur kërcen e herë sikur këndon.
Harmonizimi i gjykimit të ftohtë me atë emocional, e bën këtë libër më të afërt me lexuesin. Me stilin e tij të veçantë, S.Harka sjell orgjinalitetin e vetë, jo vetëm për gjuhën poetike që përdor, por edhe për mënyrën e kompozimit të analizave dhe esseve kulturologjike. Me brumin e veprës artistike që analizon, autori krijon një prozë të bukur poetike, e cila shpesh i ngjan një ”poezie analitike”. Poetizimi i brendisë së librit nëpërmjet gjuhës së përzgjedhur dhe ritmit e rimës së brendshme, për mua është një vlerë e shtuar. Për ta plotsuar këtë mendim, më poshtë po citoj disa pjesë, duke qënë i bindur se edhe lexuesi do të jetë në një mendje me mua:
Ja ç’shkruan autori për Rumiun, gjeniun e kulturës dhe letërsisë iraniane në pjesën, “Shpirti i dashurisë njerëzore”: “E kush i lexoi poezitë e tij, dhe nuk u mrekullua nga dashuria e njeriut për lirinë dhe jetën, për shpirtin dhe shpresën, për besimin dhe besën, për dijen e shkencën dhe nuk u befasua nga mesazhet e tyre filozofike, për virtytin dhe vesin”.
Me titullin e bukur “Naim Shqipëria”, autori e nis shkrimin kushtuar rilindasit tonë të madh N. Frashëri. Për Sejdo Harkën ai “Është dhe mbetet atdhetari më i shquar dhe mendimtar i rrallë, iluministi mendjendritur dhe shkrimtari më ëndërrimtar, krijuesi i papërsëritshëm dhe poeti gjuhëzjarr”. “Në mendjen dhe fantazinë e poetit tonë të madh, shqiptari shfaqet herë i djersirë e herë i gjakosur, herë i qeshur e herë i vrerosur, herë i shtypur dhe herë i prangosur, por kurrë i trembur dhe i sosur”. … “Ti, Shqipëri më ep nder, më ep emrin shqipëtar”…. këto vargje të bukura të Naimit u bënë për shqiptarët shpatë e këngë, shpirt e zemër, frymë e ëndërr”.… Më poshtë ai shkruan: “Kur kujtoj Naimin, më shfaqet parasysh njeriu, që penën e ngjeu në flakë, për të zhurriur veset dhe ligësinë, servilizmin dhe babëzinë, hipokrizinë dhe tradhëtinë, frikën dhe verbërinë, harbutërinë dhe egërsinë”.
Pyes veten dhe lexuesin: Cili nuk u dashurua me “dashurinë” e lirikave të Lasgush Poradecit, kollosit të poezisë shqipe? Ndaj autori i librit shkruan: “Për Poradecin ka vlerë çdo gjë, që “mban erë Shqipërie”…. Për të Atdheu është, edhe djepi edhe varri, edhe fusha edhe mali, edhe uji edhe zjarri, edhe hëna edhe dielli, edhe buka edhe mielli, edhe mjalti e sheqeri, edhe helmi e zeheri, edhe jeta e fantazia, edhe skllavëria e liria”.
Ismail Kadarenë, të cilin autori e pagëzon me emrin kuptimplotë “Monarku” i letrave shqipe, e trajton me dhuntitë, të mirat dhe dobësitë e tij. Për S. Harkën, “Ismail Kadare para lexuesve lartësohet… sa i ditur aq dhe i talentuar, sa modern aq edhe koherent, sa i zakonshëm aq edhe i jashtzakonshëm, sa i kapshëm aq dhe i pakapshëm, sa i qetë aq edhe nervoz, sa i butë aq edhe i egër, sa i vëmendshëm aq dhe indiferent, sa i respektueshëm, aq dhe mospërfillës, sa i përmbajtur aq dhe i guximshëm, sa i drejtpërdrejtë aq dhe zhbirues”. Dikur quhej “i përkëdheluri i borgjezisë”, ndërsa sot për çudi quhet “i përkëdheluri i komunizmit”. Megjithatë, Ismail Kadare ka preferuar më mirë të ndezë një qiri, se sa të mallkojë errësirën”.
Me një frymëzim dhe dashuri të veçantë S.Harka shkruan për Dritëro Agollin. Midis të tjerave ai thotë : “Ky gjeni i letrave shqipe, ose siç e thërresin ndryshe “I përndjekuri i dashurisë”, me penën e tij te artë, i bie globit dhe e çan tejpërtej, i bie shpirtit dhe e ndriçon, i bie të keqes dhe e verbon, i bie të mirës dhe e mrekullon”. Dashurinë dhe thjeshtësinë e Dritëroit autori e gjen: “Në shpirtin e tij të pastër dhe në penën e tij të artë, në flokët e tij të bardhë dhe në zemrën e tij të zjarrtë, në ëndërrat e tij të bukura dhe në gojën e tij si mjaltë, në mendjen e tij të kthjellët dhe në moralin e tij të lartë, në këngën e tij devolliçe dhe në dollinë e rakisë, në brazdat e thella të ballit dhe në këngët e dashurisë, në vrullin e rinisë dhe hapat e matura të pleqërisë”.
Autori, pasi ka lexuar librin “Bedri Dedja në kujtesën tonë”, përgatitur nga dr. Murat Gecaj, shkruan: “Prof. Bedri Dedja rend si në legjenda, pa u lodhur në rrugë të pashkelura, përmes honesh e pritash, për të prodhuar e shpërndarë dritë e dituri, dinjitet e mirësi, prush nga zjarri Prometheut, vrrull e shpresë nga fuqia e Anteut, shpresë e besë nga besa e mëmëdheut”. Ndërsa
për librin “Dorela”, studjuesi S.Harka shkruan: “Brezat i përcjellin njëri-tjetrit shpirtin dhe dinjitetin, dijen dhe kulturën, gjuhën dhe mentalitetin, traditat dhe personalitetin, lirinë dhe dashurinë, gjakun dhe trimërinë, besën dhe burrërinë, shpresën dhe pathyeshmërinë, siqeritetin dhe besnikërinë”. Ndërsa për publicistin dhe studjuesin e njohur Murat Gecaj ai shkruan: “Kushe njohu nga afrër dhe nuk u mrekullua nga karakteri i tij i fortë dhe bujaria, nga guximi dhe vendosmëria, nga sinqeriteti dhe thjeshtësia”.
“Njeriu që reflekton kulturë”, kështu e titullon autori i librit, shkrimin për portretin e shkrimtarit, publicistit dhe autorit të mbi 40 librave, Viron Kona. “Kush e njohu nga afër shkrimtarin Viron Kona dhe nuk u mrekullua nga fjala e ngrohtë dhe buzëqeshja e sinqertë, nuk u befasua nga kultura e gjërë dhe shembulli i njeriut të drejtë, nuk u impresionua nga hapat e tij të matura dhe vendosmëria për të çarë në jetë, nuk u frymëzua nga përkushtimi për punën dhe durimi për të thyer çdo vështirësi e pengesë… Ai, përmes magjisë së fjalës, përjeton ëndërra zhvillimi dhe vret frikën e zhgënjimin, mbjell embrione lirie dhe rindërton ura miqësie”.
“I arti Bardhyl Xhama”, kështu e titullon publicisti Sejdo Harka, shkrimin për “Mësuesin Merituar “ dhe autorin e 15 librave për fëmijë e të rritur. Ja si shprehet ai, për këtë figurë të nderuar të arsimit, gazetarisë dhe lrtërsisë. “Sa më shumë ta njohësh Bardhylin, aq më i kthjellët të shfaqet shkëlqimi i njeriut të komunikueshëm dhe shumë punëtor, i njeriut të mençur e tepër gazmor, i krijuesit të rrallë e tepër popullor… Edhe pse gjatë jetës, herë është gëzuar e herë është trishtuar, herë është lodhur e herë është stërmunduar, atë s’e kanë tradhëtuar as kreshtat e flokëve, as freskia e fytyrës, as kujtesa e rrallë, as humori i gjallë, as mendja e mprehtë e hapat e shpejtë, as pika e rakisë së parë, as pena e rrallë”.
Mes përshkrimeve të tilla të bukura me ngjyrime të thella emocionale dhe poetike, merr frymë e gjithë brendia e librit. Në këto shënime të shkurtra, u mundova të shpalos vetëm disa prej krijimeve të bukura artistike e poetike të këtij libri. Ju siguroj se këndvështrime dhe përshkrime të tjera edhe më të bukura do të gjeni në librin “Moderrnët e kohës”, nëse do të vazhdoni të lexoni edhe shkrimet dhe essetë e tjera për Prometeun e Laokontin, për Eseninin dhe Savjanon, Për Lame Kodrën e Ali Asllanin, për Ben Blushin dhe Diana Çulin, për Sokrat Habilaj dhe Skënder Haskon, për Naxhie Dumën dhe Lame Xhamën, për Bashkim Hoxhën dhe Thanas Dinon, Helena Kadare, Enver Petrovci, Koçi Petriti, Musa Kraja, etj … Rima dhe muzikaliteti, u jep këtyre shënimeve bukurinë dhe melodinë e prozës poetike. I mbetet vetë lexuesit të shijojë e vlerësoj vjershërimin brenda çdo krijimi.
Në këtë libër vihet re edhe një hollësi tepër e vogël, por që në të vërtetë merr vlerën e një “porosie prej mësuesi”. Autori në fund të çdo shkrimi shënon datën. Kështu padashje i jep këndonjësit një këshillë të vyer, se në çdo kohë kur lexon një libër, për qejf apo për punë, mbaj shënime, së paku nënvizo nëpër rrjeshta, dhe shkruaji mbrest e ndjesitë e çastit, mëpastaj po pate nge, publikoji apo përmblidhi në libër, siç ka bërë edhe ai vetë.
Së fundi, e përshëndesim autorin për këtë prurje letrare, të bukur e të veçantë. Urime Sejdo Harka! Vazhdo në këtë udhë plot mundim, duke ujdisur, qëndisur e stolisur çdo shkrim.
Kadri Tarelli

Letra që i çonte e dashura Migjenit: Do vras veten, jam e dëshpëruar

Letra që i çonte e dashura Migjenit: Do vras veten, jam e dëshpëruar
Askush nuk di të thotë se si do të mund të transformohej Migjeni, nëse do të kishte jetuar gjatë dhe të përjetonte realizmin socialist.
Ai vdiq në 26 gusht të vitit 1938, në moshën 27­ vjeçare dhe për aq sa la pas, ai është konsideruar si një “uragan i ndërprerë”.
Dhimbja që shkaktoi vdekja e tij te njerëzit e dashur ishte e jashtëzakonshme.
Këtë e dëshmojnë letrat që e dashura e tij, Bojka Nikolla, i dërgon motrës së Migjenit, njëkohësisht mikeshë e saj, menjëherë pas lajmit të keq. Në zgrip të dëshpërimit ajo mendonte t’i jepte fund jetës.
Letrat që ajo i dërgonte Ollgës janë përfshirë në librin e studiuesit Nasho Jorgaqi, “Migjeni në kujtimet e bashkëkohësve”.
Letrat e shkruara me dorë, të një epoke tjetër, edhe në mos qofshin të bukura për t’u lexuar, janë gjithmonë interesante. Mes radhësh lexon e, pjesërisht kupton, vitet nëpër të cilat kanë jetuar ata që i kanë shkruar. Për shembull, në këto letra të gjata që mikesha e Migjenit, pas vdekjes së tij, i shkruan motrës së shkrimtarit, nuk ngjajnë me asgjë, as me më të ndjeshmin e romantikun e kohëve të mëpasshme (do ishte e tepërt të thoshim të sotshme).
Bojka Nikolla, më shumë sesa për të zbrazur dhimbjen e saj, duke i shkruar Ollgës, përpiqet t’i lehtësojë dhimbjen, t’i gjendet afër, qoftë edhe me fjalë ngushëlluese. Ato nuk i lidhte vetëm Milloshi; të dyja, qysh më herët kanë qenë mikesha, ndërsa tani, kur shkruhet letra, i bashkon një dhimbje e madhe. Dallohet një kujdes gati i tepruar i Bojkës, përmes fjalëve dashamirëse, për ta bërë Ollgën të ndihet më mirë. Ajo nuk merr përgjigje; mjaftohet me faktin që mund të jetë ngushëlluese.
Nëpër radhë, përveç gjendjes së saj pas humbjes së të dashurit, do të njiheni edhe me dashurinë e tyre, ç’marrëdhënie kishin. Nga ana tjetër, bisedat tregojnë gjithashtu për komunikimin e Migjenit me të motrat. Këto letra janë pjesë e librit “Migjeni në kujtimet e bashkëkohësve” të studiuesit dhe shkrimtarit Nasho Jorgaqi, i cili skalit portretin e një prej poetëve më të mëdhenj shqiptarë, një prej themeluesve të prozës moderne shqipe, përmes kujtimeve të miqve të tij bashkëkohës.
Ndërsa vetë Jorgaqi rrëmon në bibliotekën e Migjenit, nëpër librat e tij, për të kuptuar më shumë nga ajo dritë që ndriçonte shpirtin e gjeniut, që u fik, në moshën 27­vjeçare. E ndër të tjera, edhe letrat e Bojkas që i dërgon të motrës së Milloshit, ku i zbraz dhimbjen dhe ato momente dëshpërimi, gjatë të cilave mendonte t’i jepte fund jetës…
Letrat janë dërguar vetëm pak ditë pas vdekjes së Migjenit, i cili u nda nga jeta në 26 gusht 1936. Lexojini vetë, për të jetuar disa minuta në një epokë dashurie të vërtetë.
PJESË NGA LIBRI “MIGJENI NË KUJTIMET E BASHKËKOHËSVE” TË NASHO JORGAQIT
“Ollga ime e dashur, Sillem nëpër shtëpi dhe qaj. Qaj si rrallë kur. Qaj dhe të dëgjoj edhe ty si qan. A të shkon nëpër mend se edhe unë, në të njëjtën kohë, qaj me ty Mirkon e dashur? Do të donja të më dëgjoje se si dhe unë dënes me zë me ty. Oh, sa fatkeqe që jemi! Si nuk mund të vi tek ti të të përqafoj e dashura ime Ollga fatkeqe! Ndoshta je krejtësisht vetëm atje?! E ndiej dhëmbjen tënde thellë, sepse është në të njëjtën kohë edhe dhëmbja ime. Unë e kam dashur dhe respektuar. Unë nuk mund të ngushëllohem derisa mos të të shoh. A thua unë do të mund të të jap pak ngushëllim? Gjatë kësaj kohe jam në shtëpi, kam pasur momente që të vendosja për vetëvrasje. Një dëshpërim i papërshkruar, nerva të tendosura më kishin mbërthyer. Më dukej në disa momente se po shkoja drejt çmendurisë. Një shqetësim kishte pllakosur shpirtin tim. Dhe vetëm një gjë mendoja, një gjë të vetme dëshiroja, një gjë të vetme shpresoja dhe një gjëje të vetme i gëzohesha: ardhjes tënde.


Por kur dëgjova se vetëm nga fundi i tetorit do vije, më lëshoji edhe ajo shpresë e vetme, kjo dëshirë e vetme, i vetmi gëzim që prisja. Më dukej kjo tepër larg. Kur u lirova nga prangat e provimeve u ula që të shkruaj që këtej, por ndër ato ditë ndjeva dallgë të mëdha jetësore, që më hodhën dhe më coptuan pamëshirshëm në të gjitha anët. Ditët u bënë për mua gjithnjë e më të hidhura, shqetësimet në shtëpi gjithnjë e më të shpeshta, ndërsa varfëria bënte që të mos mendoja në asgjë tjetër. Qenë atëherë këto momente, por vetëm momente, kur çdo gjë dukej e mundur. Por koha tashmë kishte kaluar dhe të gjithë, tek të cilët u interesova për adresën tënde, më thanë se sigurisht ti do ta kishe lënë qytetin. Atëherë u shqetësova duke i numëruar ditët që duhet të kalonin derisa të të shihja më në fund. Plot një javë para se të merrja këtë lajm të zi, e kam parë në ëndërr pikërisht Mirkon tonë. As që më shkonte nëpër mend se ishte aq keq, sepse për sa kam qenë e informuar si edhe pse ishte në sanatorium, kam kujtuar se ishte atje më shumë për studime, siç më pat thënë edhe vetë ai. Kur u zgjova nga ëndrra mendova se ç’është kjo që duhet të di­me siguri Mirko ende mendon për mua, thashë me vete, edhe përsëri mendova të të shkruaj, por në kokën time kishte ende shpresë dhe përsëri u ndala. Ndërsa dje mora vesh për këtë të vërtetë të tmerrshme, e cila më ka shkatërruar fare. Unë do të kisha shumë për të treguar nga jeta e të dashurit tonë, Mirkos, dhe të të them ty se edhe ai në jetë ka qenë i lumtur.
Kjo për mua është ngushëllim e mendoj se ashtu do të jetë edhe për ty, prandaj do të them vetëm diçka për këtë. Ndoshta edhe ti vetë e ke vërejtur se ai më ka dashur, edhe pse unë këtë e kam fshehur prej teje sipas dëshirës së tij. Kur e kam pyetur se duhet të të them ty, sepse unë me ty gjithnjë kam thënë gjithçka, ai m’u përgjigj Jam i lumtur dhe i stërlumtur…”. Unë fillova të qeshja dhe ai më ndërpreu, që të lexoja më tutje dhe më tha me gëzim: “Kur je ti këtu, atëherë edhe unë jam shëndoshë­të shkojmë së bashku!”. Dhe kjo ditë qe për të plot gëzim, këtë ma tha më vonë dhe mua më kujtohet, sepse kam qenë kundrejt tij e përkujdesur edhe pse dëgjoja andej këndej qortime nga injorantët, të cilët të gjitha këto i shikonin me sy tjetër. Por, megjithëkëtë, e qortoj veten që në kohët e fundit nuk i shkrova ndonjëherë. Por ku ta dinja unë, fatkeqja, se ai do të na linte shpejt? Unë gjithnjë kam shpresuar se do të përjetonim një çast të lumtur kur ti do të diplomoheshe, se do vije këtu së bashku me mua dhe e mendoja atë ditë si diçka madhështore. Ky ka qenë gëzimi im i parë për të cilin kam shpresuar. Fatkeqësisht ky gëzim qe vetëm iluzion. Kjo vdekje është fatkeqësi e madhe, Ollga ime e dashur. Nuk e ndjen vetëm ti humbjen, por edhe ne që e njohëm dhe e tërë shoqëria, sepse ai ka qenë me të vërtetë një qenie shoqërore, një personalitet që do t’i kishte sjellë shumë dobi shoqërisë. Por jeta, ajo që do, që ndjen dhe kupton, është e shkurtër. Të lutem e dashura ime Ollga, bëhu trime sa të jetë e mundur më shumë. E kemi për detyrë t’i bëjmë ballë çdo fatkeqësie që na ndodh në jetë. Unë e ndjej edhe dhembjen tënde, edhe vetminë tënde dhe sigurisht që dëshiron të shihesh me motrat dhe me to të vajtosh, por e di që edhe këtu ke një pengesë­ detyrën që ke marrë përsipër. Kemi për detyrë që të jetojmë dhe punojmë për të tjerët, si ti ashtu edhe unë. E di që s’je e qetë, e kuptoj plotësisht gjendjen tënde të rëndë e kritike dhe e ndjej të vërtetën e tij edhe unë, e dashur Ollga, e di që s’mund të mendosh e jo më të mësosh, e di që je fatkeqe për shkak të humbjes shumë të madhe e të pazëvendësueshme, por të lutem mendo për ata, që pas tij i do më shumë dhe le të jenë për ty ngushëllimi dhe kuptimi i jetës. Sepse është e lehtë t’u japim fund jetëve tona, unë do ta bëja e para këtë gjë, sepse për mua e tërë jeta është një mizerje, kudo pengesa e fatkeqësi, por duhet ecur përpara për të mirën e të tjerëve.
“Dashuria njerëzore”­ishte parimi i Mirkos sonë të dashur, ti këtë e di dhe do ta mësojnë të gjithë, sepse kështu njoftojnë edhe gazetat, dhe ai do të rrojë gjithmonë në ndjenjat e kujtesën tonë dhe në veprat e tija. Të përqafoj me dhembje në shpirt, Ollga ime e dashur, dhe të lutem t’i dëgjosh lutjet e mia, të bëhesh trime, trime e vërtetë, që të përballosh me kurajo fatkeqësinë.
E jotja Bojka Pres të më dërgojnë adresën tënde dhe prit këtë letër të dhimbshme.
Çdo ditë që kalon, dhimbja ime për Mirkon bëhet më e madhe. Diçka më shtrëngon në gjoks kur mendoj për atë, për ty dhe motrat e tua, më zgjohen kujtimet e kohës kur ishim së bashku. Kam menduar se do të ripërtërihen… Më beso, që të them, se deri tani asnjë nuk kam qarë si atë. Vdekja e askujt nuk më ka paralizuar kaq shumë forcat dhe gjallërinë si ajo e tija; asnjëherë nuk kam qenë më e humbur në vetvete sesa tani dhe pareshtur mendoj për ty, o e dashura ime Ollga, për motrat e tua, për Çvetkën, që ka sakrifikuar aq shumë, por më tepër mendoj për ty, sepse ti tani je në gjendje më të vështirë. Jam me ty edhe pse ti nuk më shikon.
E jotja Bojka * * *
Në qoftë se gjen mundësinë, më shkruaj e dashur Ollga në adresën: B Nikolla/ rruga “Miss Edith Durham” 17/ 9.IX.1938 P.S Sot mora adresën tënde dhe nxitoj të të dërgoj këtë letër. Pareshtur mendoj për ty Ollga ime e dashur. E ndjej dhembjen tënde po aq sa ti dhe gjithnjë mendoj si ndjehesh dhe çfarë bën tani. Bëhu trime, të lutet Bojka jote, më beso se të dua me gjithë thellësinë e shpirtit, Ollga ime. Të përqafoj me dhembje në shpirt.
E jotja Bojka 

Ndoc Gjetja poeti i shëmbëllimeve delikate

Ndoc Gjetja poeti i shëmbëllimeve delikate

Nga Albert Vataj

Mes Shkodrës dhe Lezhës u ngjiz ky za kumtues i poezisë, kjo qëndresë e një ngadhnjimtari. Ai njeri i përkorë e mrujti brenda jehonës së shpirtit atë, zërin e shëmbëllimeve delikate, këndimin e ngulmit dhe gufimit të hovshëm. Mes djepit dhe varrit rendi ky shpirt lirie, me trazimin nër flatra e dhimbjen në trajtat e qiellores ku strukej ky kurm. Erdhi dhe iku në paqe. Jetoi në çaste mrazi e hekash, e veç n’kresht e mprehu ballin. Endi kangën e shpirtit “Poeti me fytyr Krishti”, dishepull i zanit të naltë të përjetimit.
“Rrezatim”, “Shqiponja rreh krahët”, “Qëndresa”, “E përdtishme”, “Çaste”, “Kthimet”, “Dhjata ime”, “Biri i njeriut”, kjo është diagrama krijuese e poetit Ndoc Gjetja. Rrugëtimi i tij poetik u qas të mbetej kumt i një shpirti dimesionesh lirie, anipse ai u ngjiz në kapërcyell të një diktature që rrekej të kolektivizonte jo vetëm individët, por edhe idetë dhe grindin poetik të një shpirti të kapluar prej një shtërngate kaltërsie, e cila duke u gjegj thirrjeve të shpirtit, diti të përplasej heshturazi mbi brigjet shkëmbore, duke stërpikur me yje sandejmi natën e ngulmeve pasionante.
Vetë jeta e poetit është tharmi i asaj lënde e cila u mrujt e u ngjesh në magjën e një shpirti ndjenjash delikate e një zaemrë puhizash të imëta pjalmimi.
Ndoc Gjetaj ishte i tillë, i predestinuar për të bërë punën e krijuesit. Ai iku, me fytyrën e Krishtit të mbuluar me një dhembje hyjnore (Kolec Traboini), por e shkroi Dhiatën e poezisë shqipe, një shkëndijë që do të gjallojë për jetë e mote, ngase atë nuk mund ta mbuloj terri e as antipoezia, të cilat i luftoi mjeshtërisht. Poezia e Ndoc Gjetjes “është kurora e letërsisë imagjinative, sepse ajo është një mënyrë profetike”(Harold Bloom), e cila parakoncepton jetën e poetit, perceptimet e tij për botën përreth tij, për fenomene tokësor e qiellore, për dashurinë, si toposin themelor të poezisë së tij. Kësisoj, ajo bëhet një shkollë e veçantë poetike, e cila komunikon një gjendje kulturore të posaçme, brenda një konteksti të zymtë poetik nëpër të cilën gjalloj poezia e tij dhe ai vetë. Nëpër këtë ferr, poezia e tij triumfoi, me armët e fuqishme, që janë metaforat e tij goditëse, dashuria e tij e pafundme dhe morali i fuqishëm (Ndue Ukja).
Jetëshkrim
Ndoc Gjetja u lind më 9 mars 1944 në fshatin Bërdicë të Shkodrës. Kur ishte shtatë vjeç, prindërit e tij u vendosën me banim në Lezhë. Në vitin 1970, filloi të botojë poezitë e para. Merret vetëm me poezi. Është autor i disa vëllimeve poetike. Studiues të njohur e kanë cilësuar Ndocin poet që di me çdo varg t’i bjerë bukur tastierës së humanizmit. Ai këtë frymë e timbër të zërit të vet kurrë nuk u rrek ta tradhtonte. Besnik i patundur i bindjeve e prirjeve të veta, si një orakull, ai vazhdon të shkruajë edhe sot e kësaj dite me atë sinqeritet siç u shfaq aq i befasishëm kur ishte veç se një gjimnazist në Lezhë. Poezi e thellë, e ndjerë, poezi në të cilën rrëfehet bota e njeriut, intimiteti, marrëdhëniet njerëzore, madje edhe me sendet rreth e rrotull. Ai ka shkruar veprat “Rrezatim”, “Shqiponja rreh krahët”, “Qëndresa”, “E përdtishme”, “Çaste”, “Kthimet”, “Dhjata ime”, “Biri i njeriut”.
Ndoc Gjetja, poeti që jetoi dhe shkroi se: “Poetet jetojnë ne Qytetin e Ideve” (Qyteti i ideve), ishte një kreshtë e madh e thurur me ide, me rravgime poetike nga më të çuditshmet dhe me imagjinatë shumë të bujshme, siç janë poetet e mëdhenj. Ai la tharmin shpirtit të tij poetik, si testament feje, la një poezi të frymëzuar nga dhiata shpirtit të tij, që bëhet identifikim subjektiv dhe shkreptinë shkëndija dashuri, tamam si prototipi i tij Jezu Krishtit, kryqin e të cilit e mban përditë ne shpine (Autoportret) dhe me të rrugëton drejtë ne Kishën Apostolike te Poezisë (Curriculum). Janë të paktë ata poetë që e fjalën poetike e peshojnë aq shumë, për ta ndërtuar tempullin e poezisë, një aureolë poetike, që mishëron të bukurën dhe të këndshmen, në funksione thellësisht etike, sikurse është poezia e Gjetjes- një poezi e ndërtuar nga sekuenca jete e që bëhen shkëndija poezie. E tillë është poezia e tij e përjetshme; poezi që jashtë çdo funksioni praktikë, ka synim të bukurën, bëhet kurorë e së bukurës dhe si e tillë mbetet model autentik i poezisë shqipe.
Ravgima poetike
Shkrimtari John Milton, pat shkruar se një: “Një i ditur, është si një qiri që ka dashurinë dhe dëshirën, të gjithë njerëzit t’i ndriçoi”. Këto tipare kaq të fisme, kaq hyjnore, kaq njerëzore, kaq të jashtëzakonshëm, i ngërthen poezia e Ndoc Gjetjes, e cila rrezaton ngrohtësi, freski, dashuri, humanizëm, në shumëtrajtësinë e saj dhe në shumëdimensionalitetin e saj- të diskursit dhe të poetikës. Ai krijoi një poezi elitare, thellësisht të inspiruar, të ndjerë e të jetuar. Kështu përshembull, poezia e tij “Dashuria” është një ungjill poetik, i konstruktuar me një diskurs të fuqishëm lirikë, në të cilën, kjo ndjenjë sublime dhe superiore njerëzore, ngrihet në lartësitë e plotfuqishme, para së cilës poeti dorëzohet, madje edhe atëherë kur ajo i shkakton aq shumë dhembje. Vargjet e kësaj poezie, janë drithërimat e shpirtit të ekzaltuar poetik, të njeriut të pasionuar pafundësisht për të bukurën, të njeriut që di të dashuroj deri në infinit. E, ketë dashuri e ngjizi në vargje të bukura, të cilat të shtangin trupin për fuqinë që kanë dhe të tronditin mendjen për mesazhet që përçojnë: “O perëndeshë e gjithëpushtetshme/ e universit mashkull-femër!/ Bëj ç’të duash me veten time/ jam instrumenti yt i verbër/ Në jetë më solle kaq shumë dhimbje/ dhe shqetësime pa mbarim/ po s’jam ankuar kundër teje/ as me gojë e as me shkrim/ Më hidh në zjarr, në det, në ferr!/ Më hidh në baltë, më hidh në hon!/ Veç të lutem mos më lër…/në atë vend ku ti mungon! “
Poezia e tij, me tiparet e saj moderne, shquhet për ritmet e brendshme poetike, të cilat përcjellin dhembjet e subjektit lirik, si notat e një simfonie të përkryer. Poezia e tij, tingëllon si muzika e shpirtit të dëlirë, ku lexuesi i pasionuar dhe lexuesi i kultivuar i letërsisë, prehen me madhështinë e humanizmit, me artin e fuqishëm që vihet në funksion të edukimit, të moralit, të së bukurës, tipare këto që e shquajnë atë dhe e bëjnë krejtësisht të veçantë në letërsinë shqipe. Ky është poeti që imagjinatën e ka të pafund dhe ajo i lundron mistereve të poezisë, ku vetëm një krijues i rrallë dhe me imagjinatë të bujshme depërton, siç del te vargjet: “Ne rendin e pafund te numrave te plote/ matematikisht, ti je me i vogli/ por, ti papritur u bere i madh/ ne saje te zerove qe te shkojnë pas” “Njëshit”). Këto zero, simbolikisht shprehin botën e vetmuar të poetit, të cilës me kohë i bashkëngjiten koret e njerëzve, lexuesit e pasionuar. Janë këto zero, të cilat i ngjiten poezisë së Gjetjes, këtij Njëshi poetik.
Poeti ngadhnjyes
Në poezinë bashkëkohore shqiptare, Ndoc Gjetja nuk do të mbahet mend si poeti që mjeli lopën e shterur të patriotizmit poetik, siç do të na thoshte Krist Maloku, nuk do të mbahet mend si poet që glorifikoi rrejshëm idetë e revolucionit dhe artin e masave, ai nuk e pranoi shëmtinë e kohës dhe ideologjisë, sepse ishte i formësuar për të qenë “kryeneç” me poezinë e tij të papërkulur: “Gjendja civile: Mbetje teknologjike e administratës shtetërore/ se nuk diti t’u japë përkuljet e duhura eproreve” (Autoportret). Mirëpo, ai krijoi një letërsi thellësisht të bukur, të inspiruar nga e bukura, pikërisht atë lloj të letërsisë që e sugjeron shkrimtari i mirënjohur amerikan, Ëilliam Faulkner, pra një letërsi të bazuar te dashuria, nderi, dhembshuria, krenaria, mëshira, sakrifica, vuajta, dramat njerëzore, etj. Këto perceptime për letërsinë, në rrafshet universale gjallojnë në mënyrë harmonike, brenda tematikës së poezisë së Ndoc Gjetjes dhe e bëjnë atë një poetik modeluese në poezinë shqipe. Ai ju shmang temave patetike, artit poetik deskriptiv dhe si një orakull me frymëzime mbitokësore, krijoi një poezi të inspiruar, subjektive, një lirikë të pastër, që relacionin mes së bukurës dhe produktit të saj- poezisë, e vuri në suaza të ndjenjave dhe perceptimeve të tij imagjinative të pakufishme. Poezia e tij shquhet për forcën e ideve, për universin e pafundmë të komunikimeve që ndërton, me botën e madhe të letërsisë, me antikitetin dhe Biblën, këto dy strombullara të letërsisë perëndimore. Dhiata biblike bëhet shënjues i poezisë së tij në librin me titull, “Dhiata ime”. Ndërsa antika vjen si evokim dhe reminishencë e kontesktualizuar, në poezinë e tij, përmes poezisë së shkëlqyer “Herakliti” dhe vargjeve jashtëzakonisht të realizuara bukur, si në planin tematik, gjithashtu në atë stilistik: ”Ne moshen 70 vjec, filozofi Heraklit/pati kërkuar ti nxjerrin syte/ -Pse Heraklit? -e pyeten krirurgu dhe shokët/ -Me pengojnë, -tha, -për te pare boten/ Dhe vrimat e veshëve i mbylli me dylle/ te dëgjoje zërat e vetvetes me mire./ Dhe rrinte i ngrire me ore te tera/ duke ndjellur ne koke mendime te thella/ Tmerrohej nga prekja e sendeve me duar/ çdo send e quante “një djalle i shëmtuar”/ Për te ruajtur te pastër dashurinë, i gjori/ tere jetën një femër për grua s’e mori./ S’kishte shtëpi dhe u thoshte te gjithëve/ -Kam lindur dhe banoj ne kokën time”.
Ashtu sikurse Dhiata që vlerësohet të jetë një libër i veçantë në kuadër të librave të panumërt në rruzullin tokësor dhe burim frymëzim për jete e poezie, nëpër breza të tërë, si mishërim i fjalës Hyjnore, gjithashtu, jeta e Ndoc Gjetjes është mishërim i veçantisë njerëzore dhe poezia e tij, mishërim i kësaj fuqie imagjinative poetike. Prandaj, si e tillë do të mbetet një testament poetik i bukur i poezisë shqipe.
Nëse do të kërkohej një poet i përveçëm në poezinë shqipe, që diti t’iu ik shablloneve, dogmave, që diti të krijoj një poezi thellësisht të inspiruar, me tipare tokësore dhe qiellore, një poezi që gufon nga ndjenjat e fuqishme të dashurisë, një poezi që komunikon fuqishëm me gjuhën e artit, pa dyshim se njëri nga ta do të jetë Ndoc Gjetja.
Poezia e tij, është një arenë e tendosjeve të pafundme, e dhembjeve të mëdha dhe si e tillë, bëhet reflektim emocional i shpirtit të trazuar, të cilin e rrahin fuqishëm tallazet e një jete bizare, e një jete, e cila i shëmbëllen vuajtjeve të kryqit të Krishtit. Poezia e tij, me gjithë tonin e fuqishëm të dhembjes që ka, me gjithë tallazet e fuqishme shpirtërore që përçon, asnjëherë nuk është montone, por është një reflektim thellësish njerëzor, emocional, ku lexuesi ndjen dridhmat e bukura, me gjuhën e ëmbël poetike. Edhe kur godiste dukuritë degjeneruese përreth tij, këtë e bënte me një pedanteri poetike: “Ç’mrekulli do te kishte qene/ sikur te jepnin qe sot dorëheqjen/ presidenti dhe çdo lloji ministri!/ Dhe ta merrte pushtetin Shpirti” (”Sikur”)
Ndoc Gjetja iku, duke lënë testamentin e fjalës poetike, që sikur shenja e tij poetike, është ylli udhërrëfyes, i cili do të rrezatoj dhe ndriçoj brezat në poezinë shqipe. Poezia e tij është një dhiatë e shpirtit hyjnor dhe kësisoj do të vlerësohet në poezinë shqipe.
Krijimtaria e Ndoc Gjetjes
Ndoc Gjetja: Dhimbja e poetit bëhet energji krijimi
Unë do ta përkufizoja, se njeriu kur vendos për t’u marrë me letërsi, për të nxjerrë diçka hyjnore nga shpirti i vetë, vendos një lloj fatkeqësie të vetvetes që do të thotë zgjedh një jetë me privacione, në qoftë se është shumë i talentuar bëhet i famshëm por dhe fama atë e kënaq, por lumturi nuk i sjellë, sepse, sa më shumë shkrimtari bëhet i vetëdijshëm për kohën njerëzit e vendit të tij aq më shumë i shtohen ato dhimbjet. Dhimbjet e shkrimtarit nuk janë si dhimbjet e politikanit. Shkrimtari e shikon realitetin me syrin e shpirtit jo me syrin thjesht të trurit, vet fantazia është një vuajtje njeriu, duke fantazuar harxhon energji më shumë se duke kositur një livadh të tërë me kos, po e përmend kosën se, siç thotë populli, puna më e lodhshme është kositja, po nuk ka punë më të lodhshme se vënia në përdorim të fantazisë.
“Pa këtë shpirt rebel, nuk ishte e mundur që të shkruaja ato lloj poezie. Kam bërë një jetë vetmitare dhe kjo më ka ndihmuar që të bëj një poezi të përvuajtur, të qetë, me një lloj fisnikërie kristiane.
Jo, se pa libra nuk kam mbetur. I kam gjetur në mënyrat e mia, nuk kam gjet pa lexuar, por më vjen inat se tani, që përsoset demokracia, në shoqëri përsosen dhe infrastrukturat e tjera, por libri vjen më pak afër nesh. Ne duhet të kemi librarinë tonë në Lezhë. Këtë ja kam kërkuar ministrave të Kulturës, po nuk kanë bërë asnjë gjë. Ministria më e varfër për mendimin tim ka qenë Ministria e Kulturës.
Ç’kënaqësi ju ka dhënë arti i krijimit poetik?
Më ka dhënë dhe më jep kënaqësi aq të madhe dhe aq të thellë sa që unë rezervohem ta përshkruaj sepse e di se nuk do të ma kuptojnë të gjithë ata që s’kanë prirje për të kryer një akt të tillë hyjnor. S’besoj të ketë lehonë që të di të artikulojë me fjalë dhimbjen dhe dallimin e gezimit të lindjes.
Edhe mua nuk më ka shpëtuar pa e hetuar shfaqjen e monotonisë në disa nga poezitë. Veçse atë nuk e kam kërkuar dhe gjetur vetëm te përdorimi i masave të njëllojta të vargjeve e të strofave, as dhe në rrahjen e njëllojtë të theksave, por para së gjithash në vetë përmbajtjen e tyre. Këtë s’besoj se do ta kisha shmangur dot edhe sikur të kisha përdorur format më të larmishme metrike. Monotonia vjen nga standartizimi i përmbajtjes në disa nga poezitë si dhe nga konkludimet e përafërta të tyre.
AUTOPORTRET
Vendbanimi:
Në Lezhë me trup dhe mendjen emigrante në yje.
Profesioni:
Thurës ëndrrash dhe mbrojtës besnik i tyre.
Gjendja sociale:
Mbetje teknologjike e administratës shtetërore
Se nuk diti t’u japë përkuljet e duhura eprorëve.
Gjatësia:
E mjaftueshme për të arritur një ditë mollën e ndaluar.
Pesha:
Sa vetja, sa ëndrra, sa fjala e thënë dhe e shkruar.
Shenja të veçanta:
Një pentagram rrudhash me nota trishtimi në ballë
Dhe një mjekër e thinjur nga moslejim kaq vite i saj.
Sytë:
Kafe me nuanca të turbullta pasionesh të djegura.
Ngjyra:
E errët për fshehjen e skuqjes nga faje të lehta.
Titujt:
I dekoruar Njeri qysh në ditën e lindjes nga Nëna.
Bindjet:
Njeriun në jetë e bën të lumtur vetëm Njeriu.
Antipatitë:
Burrat me Grada, gratë me shumë tule dhe miu.
Simpatitë:
Jezusi nga Nazareti, Don Kishoti i Mançës dhe Buda.
Frikërat:
Shëndoshja e trurit, uji, zjarri dhe turma.
Besimi:
Në kryqin e tij që e mban përditë në shpinë.
Pasuria:
Drita e mendjes me të cilën fitoi varfërinë.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...