2016-08-05

“Kolaboracionistët grekë projektuesit dhe udhëheqësit e genocidit në Çamëri”


kolab


kolab“Kolaboracionistët grek projektuesit dhe udhëheqësit e genocidit në Çamëri” i historianit Arben P. Llalla. Në këtë libër autori sjellë fakte rreth Genocidit grek kundër popullsisë shqiptare në Çamëri si dhe dëshmi se nuk ka patur asnjëherë bashkëpunim kolektiv të popullsisë çame me pushtuesit italian dhe gjermanë, qëllimi i Genocidit grek ishte për të spastruar Çamërinë-Epirin e Jugut nga shqiptarët myslimanë, grabitja e pasurisë si dhe vendosja e refugjatëve ortodoksë të ardhur ndër vite nga Azia e Vogël.
Gjatë operacionit në shpërnguljen e hebrenjve të Janinës për në kampet e përqendrimit dhe shfarosjes, gjermanët në bashkëpunim me xhandarmërinë greke shpërngulën edhe dhjetëra çam antifashistë. Kjo tregon qartë se shqiptarët e Çamërisë ishin në anën e partizanëve grek.
Konservimi nga ana e shtetit grek, të shtëpive dhe tokës private që pronarë të vërtetë janë shqiptarët, tregon qartë se spastrimi etnik i Çamërisë nga elementi shqiptar ka patur prapavijë politike e pa mbështetur në asnjë fakt për akuzën e bashkëpunimit me gjermanët.
Pa një zgjidhje të çështjes kaq delikate çame nuk mund të ketë fqinjësi të mirë, miqësi të sinqertë midis grekëve dhe shqiptarëve të cilëve më shumë i bashkojnë lidhjet e interesave se sa i ndajnë.
Që mbi pasionin të dalë vlerësimi objektiv shkencor i dukurive dhe fakteve që parashtron e analizon, historiani Llalla sjellë rreth 60 fotografitë origjinale ku tregohet qartë bashkëpunimi i shtetit grek dhe klerikëve të lartë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Greqisë me pushtuesit italian dhe gjermanë.

PASTHËNIA E AUTORIT

Nuk ka asnjë dokument dhe fotografi që vërteton bashkëpunimin e popullsisë shqiptare në Çamëri me pushtuesit italian dhe gjermanë gjatë viteve 1941-1945. Kanë bashkëpunuar me gjermanët individë dhe kjo është më se e logjikshme se çdo etnitet ka edhe njerëz të tillë. Në Greqinë e viteve 1941-1945, shumica e popullsisë, klerikë të lartë ortodoksë, politikanë, intelektualët grek, vlleh, sllavë bashkëpunuan me pushtuesit e Greqisë, bullgarët, italianët dhe gjermanët.
Të gjithë ato histori se ekzistojnë fotografi apo dokumenta që implikojnë popullsinë shqiptare në Çamëri si bashkëpunëtor të italianëve dhe gjermanëve nuk ekzistojnë, janë gënjeshtra, histori të shpikura. Teoria e bashkëpunimit të çamëve me gjermanët dhe italianët është teori e konspiracionit e cila u ndërtua nga vllehët për të mbuluar historinë e tyre të errët për Pavarësinë e Principatës së Pindit apo themelimin e shtetit të vllehve. Pas vitit 1944, politikanë, qeveritarë, kisha greke, historian, publicistë, etj., ju përveshën punës për të hedhur baltë mbi shqiptarët e Çamërisë. Nuk mund të vërtetohet apo të dokumentohet që shqiptarët e Çamërisë kanë bashkëpunuar me italianët dhe gjermanët, sepse historia e gënjeshtrës nuk mund të quhet histori e vërtetë. Asnjë akademik apo historian grek nuk ka vërtetuar shkencërisht bashkëpunimin e masës së gjerë të çamëve me italianët dhe gjermanët. Ata gjithnjë kanë ngritur akuza politike, një metodë klasike e njohur tashmë për tu mbyllur gojën atyre që thonë dhe mbrojnë të vërtetën.
Mundet të ketë pasur individë çamë që kanë qenë spiunë të gjermanëve, por nuk mundet të përfaqësojnë të tërë Çamërinë dhe të persekutohet një popull i tërë në emër të tyre edhe pse nuk është faktuar shkencërisht që kishte çamë spiunë. Bashkëpunimi i Dinojve me italianët dhe gjermanët është më se i logjikshëm nëse shihen me gjakftohtësi gjërat. Shteti grek u kishte sekuestruar pa të drejtë pasurinë e tyre të trashëguar dhe i kishte përzënë nga Greqia. Kështu, pushtimi i Greqisë nga Italia dhe Gjermania u shfrytëzua si një mundësi për tu rimarrë pasuria, për tu vendosur e drejta e pronës. Deri më sot ende nuk është vërtetuar se Dinojt bashkë me rojet e tyre që akuzohen se kanë bashkëpunuan me italianët dhe gjermanët të kenë marë pjesë në ndonjë masakër kundra grekëve. Grupacion i tyre jo i rregullt ushtarak kanë luajtur rolin e ruajtjes së rendit dhe qetësisë në vendbanimet shqiptare në Çamëri nga keqbërësit e shumtë që qarkullonin si pasojë e urisë së zezë që kishte kapur Greqinë ato vite.
Historiani grek Jorgos Margaritis shkruan se shqiptarët e Çamërisë u rreshtuan në Ushtrinë Çlirimtare Popullore Greke e Shqiptare në shifra rreth 3.000 njerëz.
Në fillim të vitit 1944, në Qeramicë të Filatit u krijua Batalioni IV i përbashkët shqiptaro-grek “Ali Demi” diku me 500 luftëtare, Batalioni hyri në përbërjen e Regjimentit te XV të Ushtrisë Nacional-çlirimtare greke. Në komandën e tij ishin Spiro Shqevi, Muharrem dhe Tahir Demi, Dervish Dojaka, Vehip Hyso, Ali Shane, Kasem Demi, Izet Osmani, Hasan Minga.
Nga Greqia u përzunë për mos tu kthyer më edhe ata shqiptar që ishin rradhitur në forcat partizane greke, një rast të tillë kemi të dokumentuar të prof.Petrit Demi, babai i politikanit të njohur Leonard Demit. Mësuesi Panajot I. Mici nga Finiqi, kujton se Petrit Musa Demi ishte partizan në rradhët e ushtrisë greke ELAS. Në Mars të vitit 1943, një grup partizanësh greke kishin qenë në disa fshatrat e minoritetit për t’i mbrojtur nga gjermanët. Midis këtyre partizanëve grek kishte qenë edhe Petrit Musa Demi. Minoritari Panajot I. Mici, ka edhe një foto të këtyre partizanëve ku tregon se cili ishte Petrit Musa Demi.
Nuk mund të ketë asnjëherë miqësi dhe fqinjësi të sinqertë të grekëve me shqiptarët përderisa Greqia nuk kërkon falje për genocidin e 1944-1945. Greqia si anëtare e BE-s, NATO-s dhe e shumë organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut duhet t’ju kthejë pasurinë e grabitur çamëve dhe të krijojë kushtet e rehabilitimin në trojet e tyre. Por a do të rikthen ndonjëherë çamët në shtëpitë e tyre? Kjo pyetje ngjall pesimizëm dhe emocione të forta tek shqiptarët. Unë besoj se shqiptarët e Çamërisë do të rikthen një ditë sepse historia e botës ka njohur Perandorinë Romake e cila u zhduk me gjuhë e kulturë, kishim Perandorinë e Bizantit e cila u shpërbë, më tepër se 500 vjet Perandoria Osmane kishte pushtuar popujt e tjerë të Ballkanit e më gjerë dhe u tkurr. Për 50 vite kishim ndarjen e Gjermanisë, por një ditë ata u bashkuan, ashtu siç kishim Çeko-Sllovakinë të cilët u ndanë paqësisht.
Për rikthimin e çamëve në Çamëri nuk është se duhet të ndodhi ndonjë çudi, nuk është as e pamundur, por grekët dhe shqiptarët duhet të jenë të përgatitur që rikthimi të bëhet paqësisht, dhe mirësia e dashuria të mbretërojë përfundimisht midis dy fqinjëve që më shumë i lidhin gjërat me njeri-tjetrin se sa i ndajnë. Të mos harrojmë se grekët dhe shqiptarët kanë më shumë martesa midis tyre se me popujt e tjerë, ky është një fakt i pamohueshëm.
Tashmë e vërteta dihet, përse shqiptarët e Çamërisë u përzunë nga Greqia dhe ju hoq pa të drejtë shtetësia greke. Pas shumë vite kërkimesh dhe vizitash që kam bërë në Epirin grek, në disa fshatra që njihen historikisht si vendbanimet që kanë jetuar shqiptarët erdha në përfundimin se në shumicën e këtyre fshatrave janë vendosur vlleh dhe emigrantë të ardhur nga Azia e Vogël. Këta ardhacak u grabitën shqiptarëve të Epirit të Jugut, historinë e lavdishme, veshjen popullore, këngët, shtëpitë dhe pronat. Pjesa më e madhe e shqiptarëve ortodoks nga Çamëria emigruan për t’i shpëtuar racizmit shtetëror jashtë Greqisë dhe brenda saj, thellë në Athinë e Selanik. Disa familje ndërruan mbiemrat e tyre për të humbur gjurmët. Sot, shumë deputet dhe kryetar bashkie në Çamëri janë njerëz që vijnë nga familjet e vllehve që kanë qenë bashkëpunëtor të italianëve dhe gjermanëve dhe nuk u dënuar asnjëherë kolektivisht.
Historia e vërtetë, pavarësisht shtrembërimeve që mund t’i bëhet gjatë viteve, ajo nuk mund të zhbëhet, por do dali në sipërfaqe në vendin dhe kohën e duhur për t’na rikujtuar gëzimet apo dhimbjet që na ka shkaktuar.

Miki Manojlović: S’janë serbët dhe shqiptarët që urrehen, por politika e shteteve

serbet dhe shqiptaret dje
Leximi politik i veprës së Shekspirit “Romeo dhe Zhuljeta”, nga regjisori serb, Miki Manojlović, një bashkëpunim serbo-shqiptar, me propozimin e komunikimit kulturor, si urë e vetme pajtimi mes dy vendeve, edhe pse urrehen. Pas premierës në Beograd, udhëtimi i shfaqjes drejt Zagrebit, Sarajevës, Bosnjës, Prishtinës dhe së fundmi, konsideruar si rrjedhje e natyrshme, me dy mbrëmje në Tiranë. Prezenca dhe deklarata në shqip e aktorit Uliks Fehmiu, djalit të aktorit të madh, të ndarë nga jeta pak kohë më parë, Bekim Fehmiut
Nga Violeta Murati
Regjisori i njohur serb, Miki Manojlović, mbrëmë dhe sonte është në Tiranë bashkë me një trupë teatrore shqiptaro-serbe, me shfaqjen “Romeo dhe Zhuljeta”. Shfaqja është vënë në Beograd së pari, shqip dhe serbisht, në Zagreb, Sarajevë dhe së fundi, në Prishtinë.
Një vit më parë, Manojlović ka refuzuar ftesën për të qenë në Shqipëri në festivalin e Butrintit, me ide të njerëzve të teatrit, Qendra Mesdhetare e Teatrove. Ndërsa këto dy ditë, vjen në Tiranë i mbështetur politikisht nga Ministria e Kulturës.
Vepra sqarohet se ka qenë mjaft e kushtueshme, me një ekip talentesh, të cilin e ka mbështetur edhe Fondacioni Sorros dhe në bashkëpunim me Qendrën MultiMedia, e njohur prej dramaturgut nga Kosova, Jeton Neziraj.
Së fundmi, ka një tendencë kulturore të njerëzve të artit për të dhënë një alternativë “paqeje” në Ballkan, sidomos mes serbëve e shqiptarëve, dhe pse shkojnë në një linjë me politikën, dëshirën për t’u pajtuar pa çuar gjërat në vend.
Regjisori Manojlović i ka quajtur aktorët e tij të guximshëm, një grup fisnikësh me artistë nga Kosova dhe Serbia, me të cilët ka punuar për dy vjet e gjysmë deri në realizmin e shfaqjes shekspiriane, që sintetizon një mënyrë të jashtëzakonshme se si politika e bën dashurinë të pamundur, qoftë dhe atë, thjesht, njerëzore. Manojlović, në daljen e djeshme para mediave në Tiranë, pohon: me shfaqjen “Romeo dhe Zhuljeta”, patëm disa njerëz të talentuar, nuk ka qenë asnjëherë teatri në këtë nivel!
Plotësimi i Hervin Çulit, drejtorit të Teatrit Kombëtar, mbante klishetë e një politike miqësore duke thënë se: kjo shfaqje tregon si mund të bashkëpunojnë dy popuj përmes një historie dashurie, kjo është shfaqje për paqe dhe dashuri në Ballkan!!!
Është vlerësuar si një mundësi e rrallë ardhja e aktorit Uliks Fehmiu, djali i aktorit të famshëm Bekim Fehmiu, ndarë nga jeta pak vite më parë, tragjikisht, me vetëvrasje.
Me këtë peshë, Fehmiu i ri, i cili është pjesë e shfaqjes “Romeo dhe Zhuljeta”, në rolin e Lorencos, fratarit, kishte përgatitur në shqip një fjalë të shkurtër, duke menduar se ka realizuar një ëndërr të lënë në mes nga i ati, interpretimin shqip në skenën shqiptare.
Uliksi, që nuk nguron ta shprehë se nuk ndihet i plotë për shkak se nuk flet mirë shqip, prezent për herë të parë në Shqipëri, ka thënë: “Është kënaqësi e madhe të jem në Tiranë e Shqipëri, për herë të parë në jetën time. Jam shumë i lumtur, i kënaqur që erdha me shfaqjen ‘Romeo dhe Zhuljeta’, tema e së cilës fatkeqësisht do të jetë e përhershme: urrejtja është temë e përhershme, ndërmjet popujve, shteteve, familjeve, por ky është tregim edhe për dashurinë, e cila është më e forta dhe e përjetshme. Artistët janë shpesh ata që të parët i ndërtojnë urat e rrënuara ndërmjet popujve. Shpresoj që publiku do ta pëlqejë shfaqjen dhe do ta kuptojë në mënyrë të drejtë. Puna në këtë shfaqje ka qenë fantastike dhe emocionuese prandaj do të ketë vend të veçantë në kujtesën time. Shpresoj që edhe publiku do të ndihet në mënyrë të njëjtë”.
Dramaturgu Jeton Neziraj është një nga autorët më të angazhuar qoftë për kulturën shqiptare, ashtu edhe për imazhin politik të vendit të tij, Kosovës. Në këtë përpjekje, projekti me serbët, për Nezirajn është një përvojë nga më interesantet për shkak të realizmit të tij nga një artist i jashtëzakonshëm, siç është regjisori serb, Manojlović, duke folur për një proces të vështirë dhe me shumë sfida. Duke mos e parë këtë si rast unik, Neziraj ka treguar përpjekjet e vazhdueshme që janë bërë më herët për komunikimin kulturor serbo-shqiptar, duke e vlerësuar këtë herë simbolike, prezencën e aktorit Uliks Fehmiu.
Konteksti politik i kësaj vepre ka sjellë një rast për të pozicionuar kontributet kulturore të të dyja vendeve si ura të vetme komunikimi. Por në një realitet historik, ashtu siç propozon edhe shfaqja “Romeo dhe Zhuljeta”, për dramaturgun Neziraj përvoja është unike, jo në aspektin politik, edhe pse del jashtë vullnetit të tyre. “Ne s’bëjmë politikë, por teatër, por në kontekstin kur realizohet ky bashkëpunim, merr konotacione politike. Qëllimi ynë është të realizojmë një shfaqje për të komunikuar në rajon, Serbi e Kosovë. Është fakt që, në këto rrethana, kur janë edhe bashkëpunime të natyrshme, marrin konotacione politike, kjo e ndihmon politikën, por jo në mënyrën si propagandë. Kjo iu shërben njerëzve të zakonshëm dhe elitave politike. Deshën apo s’deshën, ne kemi bërë hapin e parë, para politikës, pasi bashkëpunimi ynë ka rrjedhur kaq natyrshëm. Do doja të merrej si shembull prej politikës”, ka thënë Neziraj.
Në këtë raport të politikës me Teatrin, sidomos për historinë shqiptare, regjisori serb, Manojlović ka një mendim politik, se në këtë rast vetë Evropa ka shumë tensione politike, si kudo, me justifikimin se ato janë të përjetshme…një arsye  pse toka është e mbushur me gjak, dhe që po mbushet! Reflektimi i menjëhershëm e kthen vëmendjen e Manojlović te rasti i “Romeo dhe Zhuljetës”, mbi dy gjuhë që janë larg njëra-tjetrës, që mbajnë kontekstet e komunikimit ndërmjet dy njerëzve, dy grupeve që në rastin e dashurisë kuptohen mes tyre, por që ndodh edhe e kundërta. Ideja e qartë e Manojlovićit lidhet me socializimin njerëzor, konkretisht serbo-shqiptar, përmes miksimit të gjuhëve, argëtimit me njëri-tjetrin, qoftë dhe vetëm duke u parë. Me simbolikën e personazheve që i lidh dashuria, por janë të ndarë nga politika; Zhuljeta serbe dhe Romeo shqiptar, ata që duhen në të dyja gjuhët. “Ne kemi dy njerëz që duan njëri-tjetrin dhe dy grupe që urrejnë njëra-tjetrën, pafund, përgjithmonë.  Gjë që për mua nuk është e pranueshme. Ndërsa pyetja më e rëndësishme e Shekspirit, që përmendet, është: Kush jam unë?  Nuk janë serbët dhe shqiptarët që urrehen, është politika e shteteve”

Autori i “Pse”-së: Im atë, Sterjo Spasse


sterjo spasse
Një monografi e romanizuar mbi jetën dhe veprën e shkrimtarit Sterjo Spasse, shkruar nga i biri, Ilinden, u promovua dje në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës.  Libri vjen si një roman mbi shkrimtarin, e mbështetur mbi një material të gjerë arkivor të familjes Spasse. Të panjohura janë fakte e tablo nga jeta letrare e viteve ‘30, me figura si Petro Marko, Mitrush Kuteli, Nonda Bulka, V. Kokona, Nexhat Hakiu etj., shkrimtarë të formuar me parimet krijuese të viteve ‘30 -të
Intervistoi: Violeta Murati
Një monografi e romanizuar mbi jetën dhe veprën e shkrimtarit Sterjo Spasse, shkruar nga i biri, Ilinden, u promovua dje në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës.  Libri vjen si një roman mbi shkrimtarin, e mbështetur mbi një material të gjerë arkivor të familjes Spasse. Leximi bëhet në mënyrë kronologjike që nga fëmijëria deri në ikjen nga kjo jetë, duke sjellë fakte reale, jetësore, që e formuan dhe afirmuan shkrimtarin Sterjo Spasse. Për herë të parë sillen fakte e tablo nga jeta letrare e viteve ‘30, me figura si Petro Marko, Mitrush Kuteli, Nonda Bulka, V. Kokona, Nexhat Hakiu etj., shkrimtarë të formuar me parimet krijuese të viteve ‘30 dhe që kaluan të detyruar në filtrin e ri krijues të imponuar nga regjimi komunist mbas vitit 1944. Libri jep dhe zhvillimet e mëpasshme të jetës krijuese në Tiranë, angazhimet dhe thellimin në kërkimet krijuese të prozatorit Sterjo Spasse. Mbajtur në fakte reale dhe në hollësitë e jetës së përditshme, këto shënime vlerësohen njëherësh letërsi, përshkrim, analizë, dialog, lëndë letrare e gjallë, që na çon drejt karaktereve njerëzore, në përpjekjet për t’u realizuar si njerëz e shkrimtarë.
-“Im atë, Sterjo”, si erdhi ideja e këtij libri të romanizuar, ku sillen jeta reale, letrat, dëshmitë, që janë pjesë e arkivit të shkrimtarit Sterjo Spasse?
-Ideja për hartimin e këtij libri më lindi menjëherë pas vdekjes së Sterjos, më 1989. Ai  u nderua jashtëzakonisht  shumë nga lexuesit e tij dhe nga intelektualët e vendit në përgjithësi… Pra në atë kohë ndjeva respektin që ai gëzonte tek lexuesit e shumtë dhe te ish nxënësit e studentët e tij. Kjo ishte shtysa kryesore, që më nxiti t’i futesha hartimit të këtij libri
-Si është ruajtur ky arkiv?
Është pyetje e vështirë për mua sepse pasi e shfrytëzova nuk kam arritur ende ta sistemoj siç ka qenë.
-Cilat kanë qenë vështirësitë e të shkruarit të këtij libri, formë romanore?
Vështirësitë e të shkruarit të këtij libri kanë qenë të shumta. Kjo mbase dhe nga përvoja e pakët që kisha. Ndaj m’u desh të shfletoja shumë biografi e monografi të autorëve shqiptarë e të huaj. Por, në vetvete unë, nuk puqesha për shumë gjëra me atë çka ata kishin shkruar për heroin e tyre kryesor… Ndaj iu futa punës vetë ashtu siç më vinte në kokë. Në fillim shkrova çdo gjë që më kujtohej për jetën dhe krijimtarinë e Sterjos. Më vonë studiova arkivin e tij ku shumë dokumente i krahasova me ato që kisha shkruar vetë…Dokumentet më kujtuan shumë ngjarje dhe bëma, më nxitën të zbërtheja shumë personazhe që i kisha njohur si miq të babait, por edhe të studioja për krijimtarinë e tyre, pastaj u konsultova me mjaft miq e shokë të tij dhe të mi dhe  kështu erdhi një ditë dhe monografia mbaroi…
-Spasse është një shkrimtar që ka jetuar në dy epoka, që ka njohur dy realitete. Në cilën prej tyre vijnë mbresat më të forta, më gjurmëlënëse qoftë edhe në krijimtari?
Duke u njohur me tërë dokumentacionin, korrespodencat, duke njohur fizikisht mjaft prej shokëve të tij që ishin edhe objekt dhe subjekt i zhvillimeve të arsimit e të letërsisë shqiptare, dalëngadalë edhe unë po mbushesha me njohuri të reja që kishin të bënin me këto dy realitete për të cilët ju pyesni…
Dhe kur arrita  të “mbushesha” me këto njohuri, e pata dhe ende e sot e kam të vështirë të them  se cili realitet më ka lënë më tepër gjurmë në vetëdijen time. Mbase në libër ky problem del. Nuk e di.
-Pse për ju është simbol, Sterjo?
Për çdo njeri, prindi i tij është simbol. Kjo shprehet sidomos nga artistët, kush duke kënduar  për prindërit e tyre që u kanë ikur, kush ka shkruar ndonjë monografi, kush është përpjekur për t’i bërë ndonë varr më të mirë, kush e ka kompozuar në pikturë  etj, etj. Unë u përpoqa që këtë dashuri, këtë simbol ta paraqisja me anën e këtij libri… Shorti i jetës e solli që unë të bashkëpunoja mjaft me tim atë, mbase dhe kjo ka ndikuar, që unë atë ta shihja atë si simbol.
-Gjithë libri vërtitet në emra shkrimtarësh, dhe ngjarje për të cilat ende ka errësira në perceptim. Pse zgjodhët gjininë e romanit dhe jo ta sillnit librin drejtpërdrejt, si dokumentar?
Dihet, që dokumenti në vetvete është i ftohtë. Futja e personazhit që ke marrë përsipër të shkruash në mjedise të ndryshme të jetës, në kontakte miqësie në vetvete krijon, ose më mirë te themi zbulon shpirtin e personazhit që shfaqet pikërisht, në mjedise të ndryshmer e me shokë të ndryshëm që kanë ndikuar në mënyrë të ndërsjellë në formimin e tyre si personalitete në rastin tonë, të arsimit e të letërsisë shqiptare. Pikërisht në zbulimin e këtij shpirti njerëzor mendoj  se qëndron kyçi i suksesit apo i mossuksesit të një vepre. Të shkruash për një shkrimtar të veçuar nga realiteti, nga njerëzit, nga problemet e kohës…do të thotë që të fluturosh në hava…
-Shumë emra dhe histori shkrimtarësh të cilët janë persekutuar, përndjekur nga regjimi por dhe i kanë shërbyer regjimit ndodhen në librin tuaj, me të cilët është  lidhur edhe jeta e Spasses. Ç’ishin këto miqësi për të?
Këto miqësi për të kanë qenë burimi kryesor i frymëzimeve të tiij, kanë qenë jeta e tij.
-Ka një moment interesant në dëshminë tuaj, kur në një reportazh Kuteli shënon emrat e Spasses, Nonda Bulkës dhe të fundit emrin e tij, pasi nuk i jepej hapur e drejta e botimit. …pse kjo histori, çfarë shënonte?
Ma merr mendja që këtu kemi të bëjmë me një farë autocensure që ekzistonte sidomos në mjediset intelektuale. Në rastin tonë bëhet fjalë për Mitrush Kutelin. Ai ishte dënuar nga regjimi në fuqi (se për çfarë nuk e di ekzaktësisht)…Ndërsa për letërsi, ma merr mendja jo, pasi ai, punonte si përkthyes në Shtëpinë Botuese Naim Fashëri, dhe përkthimet e veprat e tij janë botuar…Pikërisht kjo autocensurë i bëri këta shkrimtarë të vinin të tre emrat për të tatuar pulsin. Pra, atij me shkrim nuk i ishte hequr e drejta e botimit. Dhe pas kësaj Mitrushi vazhdoi të shkruajë normalisht edhe letërsi artistike.
-Në libër tregohet se titulli i romanit “Harbutët” është ndërruar me “Ata nuk ishin vetëm”? Jemi në vitin ’49 kur Lidhja e Shkrimtarëve bëri prerjen ideologjike, duke lënë jashtë letërsisë emrat që deri në atë kohë bënin letërsinë tradicionale shqiptare. Si është kjo histori?
Ndërrimi i titujve të veprave të tyre nga shkrimtarët është një gjë e zakonshme, mendoj unë: Një shkrimtar një vepër e nis me një titull që ai e ka menduar, por kur e mbaron veprën, ose vetë, ose shokët i sugjerojnë një titull tjetër, më simbolik, më të fortë etj. Edhe në rastin në fjalë po kjo gjë është. Librin “Harbutët”, Sterjoja e kishte nisur që para çlirimit: Gjatë luftës dhe pas çlirimit kanë ndodhur ndryshime të mëdha jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë: Bota u nda në dy kampe të mëdha. Shqipëria kaloi në kampin socialist…Pra u krijuan mendësi të reja në botëkuptimin e shkrimtarëve…Titullin “Harbutët”  Sterjoja e zëvëndësoi ne “Ata nuk ishin vetëm”…gjë krejtësisht norrmale, mendoj unë.
-Sterjo bënte pjesë në grupin e disa studentëve që u kthyen nga Moska në ’60-ën, ku studioi atje. Si e ka kujtuar këtë kohë, vitet e shkollës babai juaj?
Sterjoja nuk bënte pjesë në studentët e kthyer nga Moska në vitin 1960. Ai së bashku me Ismail Kadarenë kryen një kurs dy-vjeçar në Institutin Gorki të Moskës, dhe mbasi e mbaruan atë u kthyen në Shqipëri. Sterjoja në atë kohë ishte mbi  40 vjeç dhe i afirmuar si shkrimtar…
-Në libër është një foto historike dalë në mjediset e Akademisë së Rumanisë…
Po, në 1972 vdiq Viktor Eftimiu. Për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit, nga qeveria Shqiptare u dërgua një delegacion shkrimtarësh i përbërë nga Dhimitër Shuteriqi (kryetar delegacioni), Sterjo Spasse dhe Vehbi Bala… Krahas  ngushëllimeve të rastit, ky delegacion pati takime edhe me krerët e Akademisë së shkencave dhe të lidhjes së shkrimtarëve rumunë. Kjo është e tëra.
-Ka një moment dobësie, kur Spasse në kulmin e krijimtarisë bashkë me disa krijues të tjerë, nxirren në pension, kur në shtypin e kohës thoni se për propagandë këta trajtoheshin si profesionistë. Çfarë e shqetësonte në këtë atmosferë Spassen?
Këto ishin politika të kohës, ishin vite kursimi…Dhe në këtë aspekt Sterjon nuk e shqetësonte asgjë, veç rënies nga rroga…
-Dua të kujtoj një tjetër rast, sa njerëzor aq edhe intelektual që ju e sillni në këtë libër, momenti kur vdiq Skënder Luarasi. Sterjo në rastin e ndarjes nga jeta të këtij personaliteti, “anatemohet” pse mori pjesë në ngushëllime për të. Si ishin ndërtuar këto marrëdhënie në kohën e diktaturës, a ishin të vështira për babain tuaj, si shprehej për këtë?
Këtu problemi është një çikë i ngatërruar. Çdo shkrimtar , artist e sidomos, tani politikan janë njerëz publikë. Dhe si njerëz publikë ata kanë fansat e tyre që duartrokiten, por kanë  edhe opozitarët e tyre. Në këtë aspekt Sterjoja me Skënder Luarasin kane qenë opozitarë. Por kjo nuk do të thoshte, që t’i mbaje aq mëri, sa mos të veje për ngushëllim në një rast të tillë. Madje ata edhe përshëndeteshin njëri me tjetrin kur takoheshin rastësisht në rrugë. Pastaj po të dëgjosh fjalë poshtë e përpjetë gjërat zmadhohen dhe shumëfishohen sipas oreksit të njërit e tjetrit.
 -A nuk është pak e çuditshme që në rastin e daljes nga shtypi, më 80-ën, të serisë me tetë vëllime, e krijimtarisë 50- vjeçare të Spasses lihet jashtë pikërisht romani i tij historik, “Pse”, si dhe “Ja vdekje, ja liri”? Pse ndodhi kjo, si i vlerësonte vetë Spasse këto vepra?
Romani “Pse” ishte “anatemuar” nga koha, pasi ai ishte roman pesimist, në atë kohë duheshin romane “optimiste” duheshin heronj pozitivë, që të çanin malet etj…Ndaj dhe nuk u përfshi në botimin në seri të veprave të tij. Ndërsa për romanin tjetër “Ja vdekje, Ja liri”, ai doli pasi ishte botuar seria. Më vonë u përfshi si numri 9 i kësaj serie.
-Ka një moment në libër që flisni se kritika e kohës po e vlerësonte krijimtarinë e Sterjos, por kishte një “betejë” në redaksinë e romanit, me veprat “Ja vdekje, ja liri”,”Kryengritësit”, e sidomos me “O sot, o kurrë”. Për këtë publikoni të plotë një letër, duke iu drejtuar me tone. A mund të na thoni ç’ishte kjo situatë?
Ishte një situatë krejt e zakonshme që ndodhte midis autorit dhe redaksisë, ku për mendimin tim nuk kishin faj as autorët e as redaksitë, se e tillë ishte situata, se kishim të bënim me një farë autocensure…
-Është emblematike romani “Pse” me të cilin identifikohet Sterjo Spasse. Çfarë gjurmësh keni gjetur mbi pritjen e këtij romani, edhe pse është shkruar mjaft herët më 1933? Fati i këtij romani pas ’90-ës, ribotimi?
Në atë varfëri të letërsisë shqipe në vitet ’35 ky roman bëri mjaft bujë, pasi ishte romani i parë filozofik që dilte në Shqipëri, dhe që trajtonte problem tepër aktuale, sidomos të rinisë intelektuale që nuk shihte asnjë dritë jeshile për të ardhmen e saj. Atëhere kur doli është pritur jashtëzakonisht mirë aq sa në popull ka mbetur ende shprehja pse? Pse-në nuk e ka gjetur as Sterjo Spasse. Para çlirimit pati dy ribotime të “pse”-së, vitet ’35 dhe ’44. Në Kosovë ka pasur mjaft ribotime, duke u pritur mjaft mirë nga kritika e atjeshme. Pas viteve ’90-të romani “Pse”, ka pasur ribotime edhe në Shqipëri. Romani “Pse?!…” pak a shumë është roman autobiografik, që mendoj se është zbërthyer mirë në libër.

Gjuha më e vështirë në botë përkthehet në shqip


gjuha me e veshtire ne bote
Gjuha më e vështirë në botë, kështu e kanë pagëzuar të parën antologji të poezisë moderne finlandeze në shqip, përzgjedhur nga Erkki Kiviniemi dhe përkthyer nga  Silvana Berki, promovuar pak ditë më parë nën logon e botimeve “Toena”.  Janë  23 poetë, më të mirët e rrymës moderne në vendin e largët  skandinav që vijnë për herë të parë në shqip…
Sfondi i muzikës elektronike në Sallën e Bibliotekës  së Muzeut Historik Kombëtar e bënte gjuhën,  përmes së cilës poeti lexonte poezinë e tij   “Jo kjo e kuqe”  si të vinte nga një botë tjetër, e lashtë, ndërsa vargjet me zërin kumbues të një burri thuajse  60 –vjeçar tingëllonin si lutje e ndonjë rituali  të shenjtë …
Gjuha më e vështirë në botë, kështu e kanë pagëzuar të parën antologji të poezisë moderne finlandeze në shqip, përzgjedhur nga Erkki Kiviniemi dhe përkthyer nga  Silvana Berki, promovuar pak ditë më parë nën logon e botimeve “Toena”.
Janë  23 poetë, më të mirët e rrymës moderne në vendin e largët  skandinav që vijnë për herë të parë në shqip, në një gjuhë po aq të vështirë dhe e pangjashme  me të tjerat sa e tyrja, ndërsa dy prej tyre;  Jurki. K. Ihalainen dhe Kirsti Kuronen  janë dy prej autorëve që kanë  ardhur në Tiranë, jo vetëm për të  qenë pjesëmarrës në këtë promovim por edhe për të lexuar poezitë e tyre në gjuhën mëmë si një hap i parë i një ure që afron distanca të largëta, jo vetëm fizike por edhe kulturore.
Ajo që Kristi Kuronen bën gjatë promovimit është një improvizim i atypëratyshëm duke marrë fjalë të shkëputura nga audienca e duke bërë me to një poezi , me lëng shqip që tingëllon pastaj në çdo lloj gjuhe.
Ajo çka ka rëndësi për të është emocioni, ndaj edhe për lexuesit shqiptarë, ata që do të marrin në dorë këtë antologji, Kuronen thotë “Mos u përpiqni të kuptoni apo të analizoni gjatë”, sepse gjuha e poezisë, sado e vështirë të jetë flet përmes emocionit universal.
“Jam shumë e lumtur dhe krenare që poezia ime ka një shans për t’u njohur në një vend si Shqipëria”- thotë Kuronen, ndërsa e pranon se gjuha finlandeze, edhe pse shumë e lehtë për ta si vendas, është e vështirë e pangjashme me të tjerat edhe në gramatikë, gjë që e bën ta meritojë titullin e antologjisë “Gjuha më e vështirë në botë”.
Jurki Ihalainen, poet, përkthyes dhe botues finlandez thotë se finlandishtja di të jetë gjithashtu poetike, edhe pse ai shpesh shkruan poezi edhe mbi politikën dhe ekonominë, mbi atë çka ndodh në vendin e tij, krahas temës së madhe të dashurisë.
Finlanda pranojnë dy poetët është tokë pjellore për poezinë, veçanërisht atë moderne që lëvrohet në stile, rryma, tema e struktura krejt të veçanta.
“Kemi një shkollë të veçantë poetike në Finlandë  që është  e ndikuar në ajo amerikane , por gjithashtu ka rrënjë të thella në kulturën finlandeze”- pohon Ihalainen, ndërsa poetja Kristi Kuronen  shton se poezia të jep të gjithë lirinë e mundshme për të bërë poetike edhe atë që  nuk duket e tillë.
“Mendoj se  e gjithë poezia sillet rreth dashurisë, por tema ime kryesore është vetmia, rinia, fëmijët, dashuria… Më pëlqen të shkoj pas në  vitet e fëmijërisë dhe adoleshencës dhe të shkruaj sesi duket tani”-  rrëfen Kuronen, autore e  15 romaneve për të gjitha moshat.
Sa i përket formës apo përmbajtjes poeti Jurki Ihalainen, studiues dhe përkthyes i poetëve aziatikë i kushton rëndësi të madhe edhe formës, e ngjashme me atë të poezisë epike që e gjen te poetët aziatikë.
Për Kuronen ritmi është më i rëndësishmi, ndërsa poezia është një mjet për të ngadalësuar mendimet e saj që ecin shumë shpejt. “Të shkruarit është mjaftueshëm i ngadaltë për mendjen time dhe shpesh më ndodh të kaloj ditë të tëra duke menduar për një fjalë” – përfundon Kuronen.
Lexuesi shqiptar gjen në këtë antologji një përfaqësim të gjerë të poezisë dhe poetëve finlandezë, jo vetëm  në moshë por edhe në stile eksperimentale ndaj edhe mënyra e të lexuarit vetvetiu ndryshon nga njëri autor tek tjetri.
“Poetika e Kirsti Kuronen-it është konkrete dhe e qartë. Ajo shkruan pa vështirësi ndjenja të thella, në atë mënyrë që ato nuk kanë nevojë të sqarohen: “Vrapo përpara vrapo mbrapa/ vetëm vrapo/ shiko se si puthen rosat shiko shatërvanin/ vetëm shiko”. Ajo ka shkruar një vëllim
poetik rreth gëzimeve të jetës, si për shembull, skijimi. Poezia duket të jetë për Kuronen-in një zonë gëzimi. Në vëllimet prozaike ajo ka trajtuar edhe tema të vështira, si sëmundjet dhe problemet e të rinjve – kështu e cilëson përzgjedhësi  i  autorëve të përfshirë në  këtë antologji,  Erkki Kiviniemi, ndërsa për   Jurki  K. Ihalainen thotë se   është shkrimtar, poet i kompletuar, i cili zotëron të gjithë zinxhirin e librit: ai shkruan, përdor makineri botimi, interpreton nëpër shfaqje poetike dhe panaire libri, si edhe i shet vetë librat, shpeshherë nga dora në dorë. Për Ihalainen poezia është komunikim, por edhe një proces gjithëpërfshirës, i përshtatur me momentin dhe vendin, komunitetin, gjuhën dhe kulturën. Ihalainen nuk ka harruar, mbi ç’bazë është ndërtuar pyetja: “Ne vazhdojmë drejt traditave të vjetra, të cilat kanë lindur dhe rritur njerëz anonimë, punëtorët, poetët, shamanët”. Poezia e tij shpesh është publikim i thënë listash ose monologësh, që e shtangin lexuesin dhe publikun me përsëritjet dhe ritmin simpatik.
Si botues, Jurki Ihalainen pranon se  finlandezët preferojnë  të lexojnë më shumë prozë, ngase poezia i duket rrymë më e vështirë, veçanërisht ajo që ai boton, e cila nuk është e lehtë për t’u shitur.
Përkthyesja Silvana Berki, e cila  për lexuesin shqiptar ka ardhur gjithashtu me një libër të saj me poezi titulluar “ Kur vetëtin çiftelia”  thotë se janë dashur një vit për ta sjellë në shqip antologjinë, por  e gjithë puna përfshirë  përzgjedhjen e  redaktimin ka zgjatur thuajse tre vjet.
“Nuk ishte punë e lehtë, sepse ndërtimi i poezisë ishte moderne jo narrative dhe ishte pak e vështirë për t’ u kuptuar nga lexuesi apo redaktori shqiptar. Por ruajtëm rregullat  e punës dhe nuk ia ndryshuam strukturën poezive  dhe e kemi sjellë në formën origjinale”- thotë Silvana Berki, e cila jeton dhe punon prej  20 vitesh në Finlandë dhe është anëtare e Lidhjes finlandeze të shkrimtarëve. E pyetur sesa larg qëndron poezia moderne finlandeze me atë  të rajonit tonë e veçanërisht me atë shqip, Berki përgjigjet  “ Nuk e di për rajonin, por Shqipëria ende nuk është integruar në Europë,  sepse po të  integrohej mentaliteti europian do ta impononte të menduarin modern poetik . Shqipëria është në fazat e para  të kërkimit të  vetes  në poetikën moderne”- thotë ajo, duke shtuar  se është në proces për të çuar poezinë shqipe në Finlandë me anë të një antologjie të poezisë shqip në finlandisht, fare pak apo aspak të njohur për lexuesin e atjeshëm, siç edhe e pohojnë dy poetët e ardhur nga Finlanda se nuk njohin asnjë autor shqiptar. 
Suadela Balliu

The Guardian: Arta Dobroshi refugjatja që s’harron të kaluarën

arta dobroshi

Gazeta e njohur britanike “The Guardian” i ka kushtuar një hapësirë të veçantë aktores së famshme kosovare, Arta Dobroshi, e cila ka folur për vështirësitë gjatë karrierës së saj në film. Në një intervistë për të përditshmen britanike, aktorja Dobroshi para premierës së filmit të saj të shkurtër “Home”, ka folur për të kaluarën e saj si refugjatë dhe vështirësitë në fëmijëri
Gazeta e njohur britanike “The Guardian” i ka kushtuar një hapësirë të veçantë aktores së famshme kosovare, Arta Dobroshi, e cila ka folur për vështirësitë gjatë karrierës së saj në film.
Në një intervistë për të përditshmen britanike, aktorja Dobroshi para premierës së filmit të saj të shkurtër “Home”, ka folur për të kaluarën e saj si refugjatë dhe vështirësitë në fëmijëri. Ajo ka kujtuar kohën kur prindërit e saj vazhdimisht e kanë këshilluar atë dhe dy vëllezërit e saj që të kënaqeshin gjatë jetës së tyre. “Vetëm kënaquni”, i kishin thënë prindërit Arta Dobroshit derisa ajo po rritej së bashku me vëllezërit e saj. “Çdo ditë më thoshin: Mos u mërzitni për gjithçka – vetëm kënaquni’”.“The Guardian” shkruan se këtë familje e bënë të jashtëzakonshme vendosshmëria që të jenë të lumtur duke jetuar në një zonë lufte.
“Por përveç shmangies së plumbave dhe detyrimit që të largoheshin me dhunë nga shtëpia e tyre për në një kamp refugjatësh, prindërit e saj nuk ndaluan të jenë të lumtur, pozitivë dhe me plotë shpresë për të ardhmen”, shkruan gazeta britanike.
“Me çfarëdo që përballeshim, prindërit e dinin se gjëja më e rëndësishme që t’i jepnin fëmijëve ishte shpresa, buzëqeshja dhe lumturia”, thotë Dobroshi.
E kaluara e saj si refugjate, shkruan “The Guardian”, i ka ndihmuar Arta Dobroshit që ajo të realizojë filmin e shkurtër “Home”, premiera e të cilit do të jepet në Lodër gjatë kësaj fundjave.
“Filmi është i dizajnuar që të bëjë një gjë që Arta gjithmonë besonte se do të bënte dallimin: Vendosja e njerëzve fatlumë në këpucët e njerëzve të pafat”.
Filmi është një rrëfim i njohur, por diçka dallon: Familja që ka vendosur në filmin e saj nuk është siriane ose afgane. Është britanike. “Filmi përcjell fatin e një familje me dy fëmijë të cilët janë të detyruar që të largohen nga shtëpia e tyre. Ata paguajnë kontrabandistë për t’i bartur me vetura, në njërën fëmijët e tyre ndërsa në tjetrën prindërit. Ka frikë dhe dhunë. Çifti detyrohet disa herë që të bartë fëmijët e traumatizuar nëpër fusha dhe nëpër ndërtesat e rrënuara dhe në një moment ata vrapojnë për të shpëtuar pasi gjenden në mesin e një fushëbeteje”.
Privilegji më i madh i karrierës së saj që tani Arta Dobroshi po e shijon, lidhet me mundësinë e për të treguar rrëfimin për refugjatët. “Shpresa ime më e madhe tani është se ndoshta pas 10, 20 ose 40 vjetësh, fëmijët ose nipërit tanë do të thonë, a mund ta imagjinoni? Ka pasur kohëra në të kaluarën kur njerëzit edhe pse në liri nuk kanë mundur t’i shpëtojnë refugjatët. Me të vërtetë ka pasur këso kohëra”, ka thënë Dobroshi.

Shkëlqim Çela: Si u krijua “Embriologjia” e diktaturës


Shkelqim Cela


Në ironi të plotë, është koha e duhur për leximin “mbrapsht” rikthimin në gjenezë, një fakt sociologjik të të gjithë shqetësimit të autorit, pse brezat gjenden mes paradokseve të sotme. Është periudha e tretë, mosha e parë, fëmijëria që përcakton ekzistencën e species. Autori i “Embriologji” e gjen në zanafillë evokimin e diktaturës, si ka rrjedhur deformimi prej moshës së parë

Nga Violeta Murati
Për një shkrimtar që i qëndron larg historisë së sotme shqiptare, si duket kujtesa bëhet ekzistenca mentale. Gjendja e kthimit në një periudhë të caktuar të moshës, rikthimi dhe përcaktimi final mbi këtë rikthim qëndron në embrion të evokimit të diktaturës së veprës së Shkëlqim Çelës, të cilit dje iu dorëzua çmimi “Kadare” nga Fondacioni Mapo, për librin triptikun “Embriologji”. Ky autor jeton jashtë atdheut, duke hedhur një spirancë raportesh jo të zakonshme si autor i afro dhjetë romaneve në shqip, ku të shumtat i gjen në rekorde digitale.
Për lexuesin shqiptar “Embriologji” është i pari në formatin letër duke thyer për ironi paradokset e këtij autori, pasi pohon me bindjen se “letra” vazhdon të shijojë lexuesit klasikë, krahasuar me shkarkimet digitale.
Çela një autor shqiptar pak i njohur në qarqet e këtushme letrare, është vlerësuar si proza më e mirë me librin e tij “Embriologji” mes 33 konkurrentëve në garën e 2016. Jashtë pritshmërive të këtij mjedisi motivimi nga juria e çmimit “Kadare” ka qenë: “Për një tekst që ndërthur letërsinë e kujtesës nëpërmjet groteskut dhe autoironisë, me një individualitet që iu garanton këtyre tri novelave dhe autorit, një hyrje në letrat shqipe”.
Shpesh raportet e prezencës së autorit në vlerësimin kritik kanë një debat të gjerë, duke e lënë lexuesin të vetëm përballë tekstit. Ky autor është rasti. Lexuesi ka përballë një libër, me tre novella që vijnë organikisht me njëra tjetrën. Një raport i përmbysur i ekzistencës së individit që nis më fundin e jetës, e përfundon në fillimin e tij.
“Përgjuesit”, “Zbori” dhe “Yjet e (pa) shuar” – krijojnë në mbyllje të tyre një skemë të plotë, të pandara nga njëra tjetra, sa sociologjike po aq dhe antropologjike.
Autori hyn në moshën e tretë, mbi një tipologji të “përgjuar”, si një kërkim psikik mbi këtë realitet të tretë. Ngjarjet në të tri pjesët fotografojnë një brez, të rritur të edukuar në diktaturë, por të moshuar në fund të saj.  Natyra e të rrëfyerit bëhet sureale, aq e paimagjinueshme në një kontigjent tërësisht mashkullor. Është gati një libër maskilist. Autori njihet për ironinë. Në këtë trilogji limitet e fantazisë s’marrin kontekste trilli. Ndryshe nga një letërsi fiction prerja mbi këto tri novela fshehin mjaft situata absurde. Autori nuk i mëshon shumë faktit se kjo ndodh në komunizëm. E sidomos të tregojë se kjo ka ndodhur në komunizmin tonë. Një ngasje gati oruelliane mund ta nënkuptonte absurdin nën diktaturë. Por autori ka mbetur një trajtë besnike e fotografimit, një fare reminishence. E vetmja mbetje e këtij realiteti janë “përgjuesit” që krijojnë bëmat heroike prej të cilave morën titujt e veteranëve. Lexuesi mbi një strukturë pak komplekse mbetet i sugjestionuar duke përjetuar brutalitetin e së keqes. Fantazi e shfrenuar, atmosferë erotike të pazakontë, frenetizëm banal në një klub pleqsh që gjerbin kafenë duke mërmëritur si saga heronjsh historinë. Novela lexohet sot, dhe si e kaluar. Është një qytezë që ka prodhuar çmënduritë e tyre, shfrimet e vona seksuale. Një letërsi e paradoksit dhe ironisë. Ta njohësh tjetrin nga historia. Kjo lë brengën tek autori për të menduar mbi “Zborin”, novela e dytë që e rikthen në rini. Intensiteti i rrëfimit bëhet më klasik. Autori mbetet në distancë në këtë rrëfim, pa nënkuptuar asnjë fakt ironik, përveçse një mundimi të kaluar, se si paranoja diktatoriale nisi të zhbëjë individin. Faktet janë sa reale, aq dhe absurde. Këta janë shqiptarët e brezit të ri nën komunizëm. Përzgjedhja e frontit të “luftës” dhe në këtë novelë, si vazhdimësi e së parës, por në rikthim, krijon surealin më të fortë. Të rinjtë që mbajnë kujtesën nën rrobë luftarake në llogore fiktive, jashtë çdo konstrukti sjelljeje nga “veteranët” e parë. Zërat e parë kritikë e kanë quajtur një vepër çmitizuese të diktaturës, për shkak të ironisë me “veteranët” dhe brutalitetit të autorit në natyrën e rrëfimit mbi to. Pjesa e dytë, “Zbori” e thyen këtë pasqyrë, duke reflektuar të parat thyerje, plasaritje të psikozës. Mbetet nga të rrallat reflektime të ndeshura në letërsinë e pas ’90-ës, edhe pse nga letërsia e diktaturës ka pasur larmi prurjesh e rrëfimesh, por gjithnjë në nivele të urrejtjes, diktatit, autoritetit, dhunës, pushtetit, krimit. Në “Zbor”, si dhe në pjesën e tretë “Yje të (pa) shuar” autori del pothuaj jashtë atij sistemi, për të rrëfyer burgun e tij, se si Shqipëria për vite mbeti një burg, një burg i dyfishtë për ata që vuajtën, e u persekutuan. Në pjesën e tretë të trilogjisë, autori bart mundimin, ngjizjen, gjithë leximin mbrapsht të këtij romani. Në ironi të plotë, është koha e duhur për leximin “mbrapsht” rikthimin në gjenezë, një fakt sociologjik të të gjithë shqetësimit të autorit, pse brezat gjenden mes paradokseve të sotme. Është periudha e tretë, mosha e parë, fëmijëria që përcakton ekzistencën e species. Autori i “Embriologji” e gjen në zanafillë evokimin e diktaturës, si ka rrjedhur deformimi prej moshës së parë.

Çmimi “Kadare 2016”, Bakalli: Një rast leximi të fjalës së zhveshur nga pesha e autorit

Nismëtari dhe donatori i këtij çmimi, Henri Çili, tha ai, vjen si pjesë e një iniciative letrare më të madhe që media Mapo ka ndërmarrë me mbështetjen e Universitetit Europian të Tiranës, siç është suplementi Mapo Letrare tek gazeta Mapo, ngritja e rrjetit të kritikës për letërsinë shqipe dhe hapja e degës së Letërsisë. Duke garantuar një strukturë të pastër të konkurrencës, dhe vullnet të plotë të jurisë, Çili ka thënë se me këtë mecenat japin një kontribut të rëndësishëm kulturor për vlerësimin dhe botimin e autorit shqiptar
Autori shqiptar si një nga pretendimet më të rëndësishme për t’i dhënë vëmendjen e munguar prej 25 vitesh ishte nxitës për të ngritur një çmim unik, me mecenatin e parë të vlerësimit të letërsisë shqiptare, siç është çmimi “Kadare” nga Fondacioni “Mapo”. Në edicionin e tij të dytë, çmimi “Kadare 2016” pati fitues një autor pak të njohur, Shkëlqim Çela, me librin e pandashëm “Embriologji”. I promovuar dje, në mjediset e Universitetit Evropian të Tiranës, në prezencën e autorit, kontributi për letërsinë e shkruar në prozë mban vlerën monetare të 10 mijë euro. Pena e këtij autori pak të njohur, Shkëlqim Çela, ka marrë shumicën e votave të jurisë së Çmimit Kadare 2016.
Autori jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe profesioni i tij është shumë larg letërsisë. Ai punon si staticien, ndërsa shkruan poezi dhe prozë prej vitesh, por për herë të parë emri i tij u bë kaq i njohur pasi fitoi një nga çmimet më prestigjoze që ndahen sot për letërsisë shqipe, çmimin “Kadare”. Autori tërhoqi vëmendjen e jurisë që vitin që shkoi me një përmbledhje me proza të shkurtra për të arritur një vit më pas që të tërheqë dhe votat e tyre që e nxorën fitues.
Gjatë ceremonisë së dhënies së çmimit drejtori i Media Mapo, gazetari Alfred Lela, tha se Fondacioni Mapo po synon të ngrejë një traditë të së ardhmes me këtë çmim me vlerë 10 mijë euro, duke e bërë atë një nga çmimet më të rëndësishme letrare në vend, ku në dy vite janë përfshirë në këtë garë 70 autorë.
Nismëtari dhe donatori i këtij çmimi, Henri Çili, tha ai vjen si pjesë e një iniciative letrare më të madhe që media Mapo ka ndërmarrë me mbështetjen e Universitetit Europian të Tiranës, siç është suplementi Mapo Letrare tek gazeta Mapo, ngritja e rrjetit të kritikës për letërsinë shqipe dhe hapja e degës së Letërsisë. Duke garantuar një strukturë të pastër të konkurrencës, dhe vullnet të plotë të jurisë, Çili ka thënë se me këtë mecenat japin një kontribut të rëndësishëm kulturor për vlerësimin dhe botimin e autorit shqiptar.
Dalja në skenën letrare të emrit të Çelës, pak të njohur, ka ndikuar në mendimet e jurisë, nga debati i distancës të autorit me veprën. Këtë rast e ka shqyrtuar në fjalën e tij, drejtori i Qendrës së Studimeve Letrare “Kadare”, Gilman Bakalli duke u ndalur tek fokusi i lexuesit tek libri, edhe pa njohur autorin. Në këtë “luks” leximi sipas tij fjala vjen e zhveshur nga ngjarjet dhe pesha e autorit. Gjendja e çmitizimit të diktaturës, përmes portretit të veteranit, në një nga pjesët e para të veprës “Embriologji” është lexuar për auditorin e pranishëm, për të perceptuar një shije leximi, mbi estetikën dhe historinë e rrëfyer me ironi dhe sarkazëm.
Shkrimtarja Diana Çuli, që ishte dhe anëtare e jurisë, i dorëzoi trofeun shkrimtarit Shkëlqim Çela duke vlerësuar veprën e tij e cila tregon sipas saj për momentet e zhvillimit të letërsisë shqipe.
Vetë autori vlerësoi çmimin si një kontribut që bëhet për promovimin e autorit shqiptar dhe prozës shqipe duke e cilësuar “si një mungesë që duhet plotësuar”.
Gjatë 3 muajve që ishte hapur thirrja konkurruan 33 autorë, nga të cilët u kualifikuan 11 autorë, në short listën e fundit ishin 7 autorë; të cilët janë: Ada Çapi me “morPhina”, Arb Elo me “Ursa Major”, Bardhyl Londo me “Qyteti i pandehmave”, Grigor Banushi me “Simfonia e pambaruar”, Mustafa Nano me “Selam aleikum, baba”, Pranvera Bekteshi me “Ora me rërë” dhe Shkëlqim Çela me “Embriologji”.
Juria ishte e përbërë nga shkrimtarë dhe kritikë; Diana Çuli, Ylljet Aliçka, Rudolf Marku, Preç Zogaj, Agim Baçi, Gilman Bakalli dhe Alfred Lela. Në votimin final për fituesin juria u nda 4 me 3 ndërmjet Vera Bekteshit dhe Shkëlqim Çelës.
Juria e zgjodhi “Embrilogjinë” e Çelës si prozën më të mirë me motivacionin: “Për një tekst që ndërthur letërsinë e kujtesës nëpërmjet groteskut dhe autoironisë, me një individualitet që iu garanton këtyre tri novelave dhe autorit, një hyrje në letrat shqipe”.
Çmimi “Kadare” me vlerë 10 mijë euro akordohet nga Fondacioni Mapo me mbështetjen e Universitetit Europian të Tiranës. Fituesi u shpall gjatë Ditëve Letrare të Razmës që u mbajtën në fund të muajit Maj në Razëm.
Ky çmim u themelua në vitin 2015 dhe fituesi i parë ishte autori Rudolf Marku me romanin “Tri divorcet e Viktor N.”

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...