2016-09-05

Enver Hoxha, hero kombëtar i Serbisë

Edhe nëse ndodh që Shqipëria t’i heqë dekoratat e titujt, diktatori e ka të sigurt lavdinë që ia njeh Serbia.
enveri 1
Sot mbushen 31 vjet nga dita, kur vdiq diktatori Enver Hoxha. Edhe pse ka kaluar kaq shumë kohë, ka njerëz, madje edhe media që e kthejnë në kujtesë dhe jo për veprat kriminale që kreu për 50 vjet. Ka nostalgjikë që i shkojnë ende tek varri e përkujtojnë, ka media që e sjellin vazhdimisht në vëmendje pa prekur thelbin e krimeve të tij. Ka politikanë që e vlerësojnë ende. Por një e vërtetë rreth gjithë krimeve të tij ende nuk ka dalë në dritën e botimeve. Herë pas here dalin detaje, por që nuk e përmbledhin të plotë veprën e tij kriminale.
enveri 23
Një iniciativë e deputetëve të PDIU-së, Mesila Doda e Shpëtim Idrizi, tenton të heqë dekoratat atyre që kanë kryer krime në komunizëm. Diktatori Enver Hoxha është i pari që do të duhet të humbasë titujt, të cilët me sa duket ende i ka nëpër dokumentacionet e shtetit shqiptar.

Por edhe nëse ndodh që në Shqipëri t’ia heqin dekoratat e titujt, diktatori Enver Hoxha e ka të sigurtë që në Serbi do të vazhdojë të jetë hero kombëtar. Fotografia e botuar nga 27.al, konfirmon këtë trofe të diktatorit, marrë nga Serbia në vitin 1946.

Në fakt, e meriton këtë titull se është udhëheqësi që vrau pa mëshirë popullin e tij, jo vetëm ata që i eliminoi fizikisht, por vrau lirinë e një populli të tërë për gjysmë shekulli. Pasojat e atij sistemi Shqipëria po vazhdon t’i vuajë edhe sot.

Pse Enveri nuk shkoi në Kosovë, kur vizitoi Beogradin më 1946?

Pse Enveri nuk shkoi në Kosovë, kur vizitoi Beogradin më 1946?
Politikani Esat Myftari, “emigrant kosovar” në librin e tij “Kosova dhe Enver Hoxha” sjell ngjarje dhe fakte të panjohura që dalin nga Arkiva e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në këtë libër përmendet nomenklatura shqiptare e Kosovës, si Fadil Hoxha, Ali Shuria, Veli Deva, Xhavit Nimani, Ismet Shaqiri… të cilët kishin njohje personale apo miqësi me diktatorin. Myftari bën një trajtesë profesionale për këtë pjesë të historisë duke përdorur dokumente arkivore që dëshmojnë një dakordim të jashtëzakonshëm të shërbimit të fshehtë serb me regjimin shqiptar përgjatë viteve të udhëheqjes së Enver Hoxhës.

Biseda e pazakontë e Enver Hoxhës për Kosovën


Biseda e pazakontë e Enver Hoxhës për Kosovën

Në librin “Katër ditë vizitë në Kosovë”, Tefta Cami shkruan: “E mora në telefon sekretarin e Enverit, Haxhi Kroin, dhe i thashë se dua të takoj Enver Hoxhën, për t’i raportuar për problemet e arsimit dhe të kulturës.
Po atë ditë, ndihmësi i Ramiz Alisë, Mehmet Karakushi, më tha që t’i thosha edhe Nexhmije Hoxhës se dëshiron të takohesh me Enver Hoxhën për problemet e arsimit dhe kulturës. Dhe ashtu bëra. Hyra te paradhoma e Nexhmijes dhe sekretarja më çoi te zyra e saj, e cila e mirëpriti kërkesën time për të takuar Enverin.

Pas një jave, më 18 janar të vitit 1980, më njoftoi Haxhi Kroi se, sipas kërkesës së paraqitur, për të takuar komandantin siç e thërrisnin në ato vite Enver Hoxhën, më tha se ju pret nesër paradite në orën 11.30 në zyrën e tij.

Të nesërmen, më datë 19 janar, që në orën 11.00 shkova në aparatin e KQ të PPSH dhe në orën 11.15 hyra në paradhomën ku punonte Haxhi Kroi. Në orën 11.30 fiks Haxhi Kroi hapi derën e zyrës së Enver Hoxhës dhe unë hyra pas tij.

Enver Hoxha po qëndronte në këmbë impozant në mes të zyrës, dhe më priti me përzemërsi e më tregoi karrigen ku do të ulesha, në një tavolinë pranë dritareve me pamje nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.

Sapo u ulëm pranë tavolinës, e mori fjalën Enver Hoxha:

-“Kam dashur prej kohësh të bisedojmë për zhvillimet e arsimit dhe të kulturës, por kam qenë i zënë me punë. Megjithëse jam informuar nga shoku Ramiz (Alia), dëshiroj të më informoni dhe ju, shoqja Tefta, sepse më mirë është drejtpërdrejt sesa me ndërmjetës.

Fillova ta marr veten, më krijoi një ambient më të qetë, që ndikoi të më kalonin emocionet. Atëherë fillova të dalloj pamjen e zyrës dhe tavolinën e punës. Tavolina e punës e Enver Hoxhës ishte e veçuar, e cila ndodhej në anën e Korpusit qendror të UT, dhe ishte e mbushur me libra e gazeta. Një abazhur me disa llamba ndodhej pranë tavolinës në krah të majtë. Në të dy faqet e murit ishin të varura portretet e Marksit dhe Engelsit. Ndërsa, në faqen tjetër të murit qe vënë një pikturë me portretin e Heroit Kombëtar, Skënderbeut.

Raportimi im u zhvillua në formë bashkëbisedimi. Enver Hoxha kishte një njohje të gjerë të arsimit e të kulturës. Materiali i këtij bashkëbisedimi është botuar pothuajse i plotë në veprën e dytë të Enver Hoxhës “Mbi shkencën”.

Tefta Cami e vijon më tej rrëfimin e kësaj skene që i është ngulitur në mendje për çdo detaj të saj: “Pasi mbaruam për problemet e arsimit e të kulturës, Enver Hoxha vazhdoi të më pyeste për marrëdhëniet me Kosovën dhe me viset shqiptare përtej kufirit. I raportova se si i kishim ndjekur e po i ndiqnim si ministri dhe institucionet përkatëse marrëdhëniet me Kosovën e viset e tjera shqiptare, duke theksuar se e kemi vlerësuar dhe e vlerësojmë si një nga drejtimet kryesore të MAK. Në mënyrë të përmbledhur i fola për vizitën në Shqipëri të dr. Ymer Jakës, sekretarit për Arsimin, Shkencën e Kulturën të KSA të Kosovës.

Enver Hoxha më dëgjoi me vëmendje dhe, pasi mbarova, tha: “Jam i informuar për punën që bëhet në drejtim të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare. Këto marrëdhënie po na ecin mirë, se ti je ministre e Arsimit dhe Kulturës, që vjen nga një familje e madhe patriote. Edhe për vizitën e ministrit të Kosovës jam i informuar se qe një vizitë e suksesshme”.

Pastaj menjëherë Hoxha i ka komunikuar: “Ti do të jesh e privilegjuar, se sivjet do t’i kthesh vizitën ministrit të Kosovës, pra do të shkosh në Kosovë. Ata janë më patriotë se ne këtu, sepse po luftojnë për të mbijetuar e përparuar dhe për të ringritur ndërgjegjen kombëtare në kushtet e një regjimi të dyfishtë, të atij titist, dhe të shovinizmave serbe, maqedonase dhe malazeze, që po ngrenë krye e po acarojnë gjendjen në Kosovë. Edhe unë jam me mendimin tënd. Të mos i lejoni që t’i etiketojnë shqiptarët e Kosovës, se ky apo ai është agjent i UDB-së e spiunë. Ata janë e mbeten vëllezërit tanë të një gjaku e të një etnogjeneze historiko-kulturore”.

Pohon pas kësaj Tefta Cami: “E mora me mend se Enveri ishte i mirë informuar për problemin që më preokuponte. Kush e kish bërë dhe si, nuk e mora vesh”.

Sigurisht Cami e ka fjalën për çështjen e përhapjes së librave politikë të Hoxhës në trojet shqiptare në Jugosllavi dhe më pas përshkruan: “Kur po fliste për Kosovën, vura re që Enver Hoxha u përlot me dhimbje. Dhe duke përfunduar tha:

“Është Kosova, prandaj është edhe Shqipëria. Shqiptarët e Kosovës që nga ai më i thjeshti e deri te politikanët janë shprehur hapur se vetëm kur të kalojnë mbi trupat e tyre , mund të sulmohet Shqipëria amë”.

Në vazhdim të kësaj deklarate të fortë, pra se mbi të gjitha ekziston Kosova prandaj edhe mbijeton si shtet Shqipëria dhe aspak nuk është e kundërta, Enver Hoxha ka vijuar me fjalët “Takimet e bisedat me shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë e të Malit të Zi duhet të jenë takime pune e vëllazërore me interes të përbashkët”.

Pastaj Hoxha këmbëngul: “I kam thënë Ramiz Alisë që, gjatë bisedimeve me shqiptarët përtej kufirit, të mos përmendet partia apo emri im, pra të mos lejoni që të politizohen problemet e bisedimeve, sepse dëmtohen marrëdhëniet vëllazërore me ta dhe vihen në situata të vështira, sepse dihet se në ç’sistem jetojnë dhe ç’pasoja e rrjedhoja mund të kenë kur të kthehen në vendet e tyre”.

Kur dola nga zyra e Enver Hoxhës, m’u duk se kisha marë përkrahjen e nevojshme dhe të domosdoshme…”

Materiali i plotë i bisedës me Enver Hoxhën

Tefta Cami ende nuk e mbyll këtu skenën mbresëlënëse të takimit të saj me Enver Hoxhën dhe pa e fshehur pikëllimin dhe habinë, shkruan: “Me keqardhje, bisedën me Enver Hoxhën për marrëdhëniet me Kosovën e viset e tjera shqiptare dhe vlerësimet e orientimet që më dha, nuk i kam gjetur në fondet e Arkivit Qendror të Shtetit”.

Vërtet, përse nuk janë ruajtur. Shumë vite pas rënies së sistemit politik të para nëntëdhjetës, siç autorit të këtij shkrimi i ka pohuar, ajo për këtë çështje pati pyetur edhe Nexhmije Hoxhën.

Në mëngjesin e 19 janarit 1980, pikërisht atë ditë kur Enver Hoxha, sipas kërkesës së Tefta Camit, e priti këtë të fundit në zyrën e tij, gazeta “Zëri i Popullit” kishte në faqen e parë një kryeartikull, në të cilin bëhej e ditur një deklaratë e qeverisë shqiptare.

Sipas saj, në rast të një agresioni kundër Republikës Federative Jugosllave, populli shqiptar do të luftonte përkrah popujve jugosllavë.

Qenë ditët kur shëndeti i Titos së shtruar në Qendrën e Klinikës së Lubjanës kishte rezultuar shumë problematik dhe pothuaj ishin prerë shpresat se mund të rikthehej në drejtimin ekzekutiv të shtetit.

Deklarata e Tiranës qe bërë posaçërisht për të dekurajuar një përpjekje të mundshme të Traktatit të Varshavës për sulm ushtarak ndaj vendit fqinj, çfarë do të hapte rrugën edhe për një agresion në Shqipëri.

Gjithsesi, duke ndjekur fillin e shkrimit të një dite më parë, në librin e saj “Katër ditë vizitë në Kosovë” Tefta Cami pranon se ka mbetur mjaft e habitur se si pjesa më interesante e bisedës së saj me Enver Hoxhën jo vetëm nuk u publikua në ndonjë botim politik të kohës, në ndonjë “Ditar” apo cikël të “Vepra”-ve të tij, por nuk e ka gjetur atë dëshmi të jashtëzakonshme të largpamjes së Hoxhës as në arkivin e Shtetit, ku ndodhet edhe tërë arkivi i Komitetit Qendror të Partisë së Punës.

Përderisa një pjesë të bisedës, atë të fillimit, Cami e pohon se ka qenë e publikuar tek botimi “Mbi shkencën” i Enver Hoxhës, pra i përkujdesur prej Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste të drejtuar prej bashkëshortes së tij, Nexhmijes, do të thotë se për gjithçka në mesditën e 19 janarit 1980 është biseduar mes Hoxhës dhe Camit, siç ka qenë praktikë, është regjistruar dhe zbardhur.

Ish-ministrja e ka pyetur pas vitit nëntëdhjetë Nexhmijen për mungesën në arkivin e Shtetit dhe të KQ të PPSH-së të pjesës më të spikatur në mesazh të asaj që i ka thënë Enver Hoxha dhe ka marrë prej saj përgjigjen se kjo qe detyrë e sekretarit teknik, Haxhi Kroi.

Cami e mbylli këtu bisedën e sqarimit të fatit të mungesës në kujtesën e shtetit dhe të vendit, të asaj pjese të bisedës, ku Enver Hoxha shkëlqen në elasticitetin politik të tij, çfarë nuk qe rast i shpeshtë për dogmatizmin që kishte. Ajo nuk dëshiron të vërë në pozitë të vështirë Nexhmije Hoxhën, e cila e ka dashur dhe po ashtu e ka, si dibrane, bashkëkrahinase. Mirëpo autorit të këtij cikli të titulluar “E fshehta e vitit 1981”, që po botohet prej shumë muajsh, pjesë-pjesë, nga gazeta “Shqiptarja.com”, e gjen të domosdoshme të mos e mbyllë me kaq.

Arsyeja?

Sepse këto punë nuk mund t’i vendoste kurrë Haxhi Kroi. Paradhoma e tij i regjistronte, pastaj të ngarkuar të posaçëm i zbardhnin dhe i korrektonin, lënda i dërgohej Enver Hoxhës, por këto çaste, janar 1980, për shkak se prej diabetit agresiv vështrimi i qe dobësuar rëndë, materiali kalonte nëpërmjet të shoqes.

Të hamendësojmë se Nexhmije Hoxha ia ka lexuar apo parashtruar të gjithë lëndën dhe Enveri ka dhënë lejën për t’u publikuar vetëm njëra pjesë, ajo, po e quajmë, më “zyrtarja”, por përse nuk është ruajtur në arkivin e partisë edhe pjesa tjetër?

Që botohej vetëm një pjesë ky ishte rregull i zakonshëm, e pazakonshme është përpjekja për të mos e ruajtur në kujtesën kombëtare të një bisede ku Enver Hoxha deklaron se “është Kosova pa është edhe Shqipëria”?

Nedin Hoxha në Beograd: t’i rrisim shkëmbimet tregtare pesë fish

Në mes të korrikut të atij viti, 1980, qe një ministër tjetër shqiptar që pati vizituar Jugosllavinë dhe kishte kryer bisedime në Beograd. Ky qe Nedin Hoxha, drejtuesi i Ministrisë së Tregtisë me Jashtë.

Ai pati firmosur dy marrëveshje të rëndësishme: e para kishte të bënte me shkëmbimet tregtare mes dy vendeve dhe e dyta për tërë marrëdhëniet ekonomike midis Beogradit dhe Tiranës për një pesëvjeçar të tërë: 1981-1985.

Në vitin 1982 shkëmbimet tregtare do të mbërrinin deri në 135 milion dollarë, tërë pesëvjeçarin do të shkonin në 720 milion. Qe një rritje pesëfishe.

Jugosllavët qenë shprehur mjaft të gëzuar nga kjo vizitë dhe e patën vlerësuar si shenjë të bukur të dëshirës për paqe në Ballkan.

Gjithsesi vizita e Tefta Camit prej Enver Hoxhës, që në çastin kur e vlerësoi më të lartën e qeverisë shqiptare në Jugosllavi për vitin 1980, do ta ruante këtë epërsi, të paktën për objektivin e saj: ta hapte më shumë rrugën për çështjen kryesore, bashkimin e ardhshëm të trojeve.

Kështu tre ditë para se të nisej për vizitën e saj zyrtare në Kosovë, më 3 tetor 1980, Tefta Cami u takua me Ramiz Alinë, sekretar i Komitetit Qendror të PPSH që mbulonte sektorin ideologjik. Gjatë raportimit Cami nuk u mjaftua me qëllimin e misionit të saj për nxitje të shkëmbimit në fushën e dijes dhe të kulturës, por u shty edhe më tej, deri edhe të tregtisë. Ajo i tha Alisë që delegacioni i drejtuar prej saj qe i ndërgjegjshëm që “Kemi interes për të marrë nga Kosova artikuj të ndryshëm si plumb të përpunuar, lloje plehrash të ndryshme dhe minerale, grurë të fortë për makarona, vaj dhe farë luledielli etj”.

Ramiz Alia ia miratoi gjithçka që ministrja i parashtroi si objektiva me përparësi të vizitës dhe e porositi se duhej të mbante parasysh orientimin që i kishte dhënë Enver Hoxha: “Të mos politizohen bisedimet dhe të mos përmendet partia dhe emri i Enverit”.

Po ashtu Alia i tha se “Duhet të pranohen të gjitha propozimet që do t’ju bëhen gjatë bisedimeve zyrtare e private në Kosovë”.

Porosia e tretë e tij qe: “Vizita juaj në Kosovë duhet të mbetet vetëm në kuadrin e Kosovës dhe nuk duhet të shtrihet në republika e krahina të tjera të RSFJ-së”.

Në 5 tetor, e diel, Tefta Cami u takua me shtatë anëtarët e tjerë të delegacionit. I pranishëm qe edhe ambasadori jugosllav Branko Komatina. Ai e njoftoi ministren se nuk do ta shoqëronte gjatë vizitës në Kosovë, por gjithsesi prej ambasadës së tyre do të kishte pranë një punonjës.

Ky do të qe sekretari Spaso Tuniq si edhe shqiptari Qemal Muhaxhiri.

Më pas e tërë dërgata u nis për në Kukës dhe natën e kaluan në Kukësin e ri. Ministrja Cami fjeti shumë pak, jo vetëm prej emocioneve të kalonte. Lexoi edhe një libër të fundit të Rexhep Qoses, të porsabotuar në Tiranë.

Mesazhi Bashkim-Shqiponjë

Në pikën doganore të Shqipërisë në Qafë Morinë i priste ambasadori në Beograd Sokrat Plaka dhe kur në orën nëntë hynë në territorin jugosllav në pikën doganore të Kosovës ndodheshin dy zëvendësit e Ymer Jakës si edhe shefi i protokollit i qeverisë së krahinës.

Në pritje të Tefta Camit dhe delegacionit të Tiranës gjendeshin ato çaste edhe dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Qenë veshur me uniformë shkollore dhe shallin e kuq të pionierit në qafë. Që të dy mbanin në duar nga një buqetë me karafila të kuq.

Ato kohë, shumë mund t’i mbajnë mend, sepse më pas, sidomos pas vitit nëntëdhjetë kjo traditë u zbeh deri sa u harrua, karafilat e kuq qenë simbol shprehjeje i dashurisë së shqiptarëve të Kosovës për atdheun amë.

Tefta Cami, duke qenë edhe vetë nënë, pasi i përqafoi të dy fëmijtë, kur i pyeti se si quheshin u emocionua shumë. Vajza tha se quhej Shqiponja dhe djali se e kishte emrin Bashkim.

Ajo u rrëqeth e tëra. Ishte mesazh.

Kosova po e priste qeveritaren shqiptare më të lartë të ardhur pas vitit 1948, me kodin e saj të palëkundur për t’u rikthyer në trungun e shtetit unik të shpallur në 28 nëntor 1912.

Ministres Cami prej shtangies nga ky emocion i papritur i hipi një çast meraku se mos në emër të dërgimit të një mesazhi politik për bashkimin e trojeve amtare, emrat e vërtetë të dy fëmijëve, nxënës të shkollës tetëvjeçare të Prizrenit, mund të ishin realisht të tjerë.

Ia tha këtë ambasadorit Plaka dhe ky, kurioz por edhe i vëmendshëm të “lexonte” çdo shenjë diplomatike, iu afrua atyre dhe pa u rënë në sy se e bënte qëllimisht, i pyeti si quheshin.

“Shqiponja” u përgjegj vajza, “Bashkim” shqiptoi djali.

Kësaj radhe Tefta Cami u përlot, madje për pak sa nuk ngashëreu. Shkoi dhe i puthi në ballë. Vajzës i tha “Ti me siguri do të bëhesh shqiponjë malesh dhe do t’u ngjash Norës së Kelmendit dhe Shote Galicës”, kurse djalit: “Ke një emër shumë të madhj, që sintetizon ëndrrën e madhe të të gjithë shqiptarëve”.

Kur delegacioni do të largohej nga pika doganore e Qafë Morinës për të hyrë në brendësi të Kosovës, djali dhe vajza e buqetave me karafila, edhe pse një oficer i rojes së pikës kufitare u përpoq t’i shkëpuste nga makina e ministres, sigurisht thjesht për të mos e bezdisur, nuk u larguan. Vazhdonin ta përshëndetnin me dorë.

Po ashtu bëri edhe ministrja Cami, deri sa të dy palët humbën nga sytë e njëri-tjetrit.

Biseda sekrete e Enver Hoxhës më 1956: S’kemi pengesa për zhvillimin e marrëdhënieve me Jugosllavinë

Biseda sekrete e Enver Hoxhës më 1956: S’kemi pengesa për zhvillimin e marrëdhënieve me Jugosllavinë

Janë ca pika kyçe në historinë e një vendi, për të cilat mendohet se dihet shumë, por në të vërtetë ka ende shumë për të zbuluar. Një nga këto ngjarje është edhe Konferenca PPSH­së e Tiranës, e vitit 1956. Historiania Ana Lalaj, i rikthehet edhe një herë këtij momenti, parë nën dritën e një dokumentacioni të plotësuar nga arkiva shqiptare dhe të huaja, si dhe e çliruar nga çdo lloj paragjykimi.

Procesverbali i bisedës së Sekretarit të Parë të KQ të PPSH, Enver Hoxha, me ambasadorin e BS në Shqipëri, Leonid Krillov

Tiranë, më 16 prill 1956

Nga raportet e Leonid I. Krillov Sekret, Ekz., Nr. 1, 8 maj 1956 Nr. 168

Sot, Sekretari i Parë i KQ të PPSH, Enver Hoxha, që ka mbërritur në Tiranë, më rrëfeu përshtypjet nga konferenca e partisë së qytetit.

Mbrëmë, thotë Hoxha, mua m’u desh tri herë të merrja fjalën. Fillimisht e mora fjalën menjëherë pasi mbërrita dhe u përpoqa të zbusja gjendjen në konferencë dhe të jepja përgjigje të qeta për çështje të ngritura, duke treguar me këtë se konferenca kishte rrëshqitur nga rruga e drejtë. Kjo fjalë e parë e imja nga konferenca u prit përgjithësisht mirë.

Por, pas meje e mori fjalën një demagog dhe tha se Enver Hoxha këtu foli shumë drejt, por le të na tregojë përse shtetit i kushton mnjë milion lekë trajtimi i çdo anëtari të Komitetit Qendror.

Atëherë unë nuk u përmbajta, tha Enver Hoxha, dhe që nga vendi për këtë shpifje i shpalla luftë këtij demagogu, si rezultat i së cilës ai u detyrua të ikte nga tribuna. Kjo sigurisht që ishte pak e ashpër nga ana ime, por t’u jepje liri këtyre qëndrimeve demagogjike, duke vlerësuar edhe situatën e përgjithshme të konferencës, ishte gjithashtu e palejueshme.

E gjitha kjo shkaktoi thyerjen e njohur në punën e konferencës dhe pas kësaj delegatët nisën me vlerësime të mira kritike, si për punën e organizatave të qytetit, ashtu edhe për punën e atyre të qendrës. Pas kësaj unë, tha Enver Hoxha, e mora fjalën për të tretën herë dhe ngrita çështjen se kujt i interesonte drejtimi që konferenca mori në fillim dhe se kush e ka fajin për këtë. Tani konferenca është duke punuar krejt normalisht dhe ne jemi të bindur për rezultatet e saj të suksesshme. Ne nuk i konsiderojmë këto fakte të rastësishme, tha Enver Hoxha. Me patjetër që njëfarë grupi njerëzish është përgatitur sipas mënyrës së saj për konferencën duke u përpjekur që ta kthejë kundër Komitetit Qendror. Por për këtë as KQ, as Komiteti i partisë i qytetit nuk dinin gjë.

Ky është një mësim i mirë. Në lidhje me këtë, duket shumë antipatike edhe veprimtaria e Byrosë së Komitetit të qytetit dhe e sekretarëve të saj. Udhëheqjen e Komitetit të partisë të qytetit neve na duhet ta rinovojmë plotësisht. Më tej, Enver Hoxha u ndal në disa çështje politike të ngritura në politikë lidhur me kultin e individit dhe marrëdhëniet me Jugosllavinë. Puna është, tha Enver Hoxha, se pasi mora në Kongresin XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik tekstin e raportit të fshehtë të Hrushovit, ne nuk mundeshim që përmbajtjen e tij t’ia bënim të ditur popullit dhe prisnim një sinjal nga KQ e Partisë Komuniste të BS, ndërkohë që në Republikën Demokratike Gjermane, në Hungari e Poloni, shokët vepruan sipas mënyrës së tyre dhe gjerësisht ranë dakord me të gjitha çështjet që kanë lidhje me kultin e individit, duke na kaluar në këtë pikë.

Ne gjithashtu e bëmë këtë pas shkrimit të njohur në “Pravda”, siç e bënë edhe shokët kinezë. Prandaj u krijua një mendim te disa punonjës tanët se në diçka po heshtnim për çështjen e kultit të individit, edhe pse të gjithë e dinë se partia jonë që më 1954, sipas shembullit të Partisë Komuniste të BS, e ka bërë punën më të madhe për largimin e kultit të individit në kushtet e Shqipërisë dhe tashmë mund të flitet vetëm për disa reminishenca të kultit të individit. Në konferencë u fol gjithashtu përse ne heshtim për çështjen e Koçi Xoxes dhe për marrëdhëniet me Jugosllavinë.

Por, kjo çështje është shumë delikate. Çështja e ndëshkimeve të Koçi Xoxes te ne është shumë e qartë. Për sa i përket lidhjes së tij me Jugosllavinë dhe në përgjithësi të marrëdhënieve tonë me Jugosllavinë, ne kemi në plan ta shtrojmë këtë çështje në kongresin e ardhshëm të tretë të Partisë së Punës së Shqipërisë në raportin e KQ në një mënyrë të tillë: Marrëdhëniet miqësore mes popujve të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë u lidhën dhe u forcuan në rrjedhën e luftës së përbashkët çlirimtare. Pas përfundimit të luftës, këto marrëdhënie u forcuan dhe u zhvilluan edhe më shumë.

Bashkë me këtë, nga të dyja palët, u bënë gabime të njohura, që mund të largoheshin me përpjekjen e të dyja palëve. Por kur ne zbuluam veprimtarinë kriminale të Koçi Xoxes, kur pas veprimtarisë kriminale të bandës së Berias u publikuan rezolutat antijugosllave të Komiternit, të gjitha këto fakte në përfaqësimin tonë morën ndriçim të veçantë dhe ne në mënyrë jo të drejtë lidhëm veprimtarinë kriminale të Koçi Xoxes me Jugosllavinë.

Ne mund të themi më tej se tashmë, kur të gjitha janë të qarta, ne nuk kemi asnjë pengesë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shoqërore me Jugosllavinë. Por sipas kësaj teze, tha Enver Hoxha, ne mendojmë që deri në kongres të këshillohemi me KQ të Partisë Komuniste të BS. Enver Hoxha, sipas përshtypjes sime nga biseda, e përjeton seriozisht atë që ka ndodhur në Konferencën e Partisë së Tiranës, por e ndien veten plotësisht të bindur dhe nuk demonstron nervozizëm të tepërt. Ambasadori i BS në Shqipëri

Pse Enver Hoxha ishte kundër një Republike të Kosovës?!

Pse Enver Hoxha ishte kundër një Republike të Kosovës?!
Me pak fjalë, në asnjë dokument të Partisë Komuniste Jugosllave dhe në asnjë lloj dëshmie tjetër nuk gjendet ndonjë urdhër apo thjesht direktivë për ta ndëshkuar me censurë frazën e rezolucionit të Konferencës së Bujanit, ku flitet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Madje, këtu, në këtë qëndrim të butë, shumë të kujdesshëm për të shmangur konfliktin të brendshëm me shqiptarët këtej dhe përtej kufirit, fshihet edhe gracka dinake, shkruan studiuesi Ylli Polovina.

PKJ dhe Tito ishin të ashpër vetëm me shtetin e shqiptarëve, atje ku nacionalistët e shumtë dhe të organizuar në Ballin Kombëtar kishin prijës të birin e Abdyl Frashërit, i cili pati qenë një gjysmë shekulli më parë flamurtari më i paepur i luftës për pavarësi të një Shqipërie me të gjitha trojet etnike.

Jo në Kosovë, të cilën, duke e pasur brenda shtetit jugosllav, mund ta mbante nën kontroll, por në shtetin e tyre amë u dha goditja shtypëse. Dihet tashmë që ndaj nacionalistëve të Ballit Kombëtar, jo vetëm gjatë periudhës deri në 1948, kur udhëheqjen politike të vendit e mbanin nën kapistall, por edhe më pas, deri sa regjimi i modelit të Enver Hoxhës ra, u mbajt qëndrimi i përdhunës së papushuar.

Për Partinë e Punës Shqipëria e bashkuar si objektiv armiqësor

Kur në shkurt të vitit 1944 një buletin i “Zërit të popullit” botonte artikullin e posaçëm për Konferencën e Bujanit fraza thelbësore e rezolucionit të saj se “populli i Kosovës e i Rrafshit të Dukagjinit si gjithmonë dhe sot dëshiron me u bashkue me Shqipnin”, mungon tërësisht. Është e censuruar. “ZP” kishte mbështetur po aq sa edhe PKJ e Tito patën shpallur.

Josip Broz madje dukej edhe më i përparuar. Një muaj para se të ndodhte ngjarja, në letrën e tij të 2 dhjetorit 1943 drejtuar Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare (dhe Miladin Popoviqit), që në fillim të saj ai shkruante se “Kur kemi të bëjmë me çështjen nacionale, duhet të kemi parasysh dy fakte: Së pari, çdo komb ka të drejtë për vetëvendosje, duke futur këtu edhe shkëputjen, ndarjen”. Pastaj dhelparaku Tito kushtëzonte: “Së dyti, ne nuk përkrahim të gjitha lëvizjet nacionale, por vetëm ato që me vepra janë vërtet kundër imperializmit në përgjithësi, domethënë ato që janë për një zhvillim të vërtetë demokratik nacional”.

Ja pse Enver Hoxha dhe Bujani janë po aq larg nga njëri-tjetri sa edhe vetë Josip Broz Tito me këtë konferencë.

Në fund të fundit që Bujanin e bëri vetë me shokët e tij të afërt, ishte edhe fati i Fadilit dhe i biografisë së tij politike, për të mos u nëpërkëmbur kurrë më pas. Ai, kështu, i shpëtoi ndikimit të Enverit, ndërhyrjes së tij, e cila do të qe domosdoshmërisht shbërëse.

Arsyeja për këtë ishte shumë e kuptueshme. Katër muaj më parë se të mbahej mbledhja e famshme me thirrjen publike për bashkimin e trojeve historike të shqiptarëve dhe që në fillim të rezolucionit thuhej se për këtë në konferencë kishin qenë të një mendjeje “Shqiptarë, Serbë e Malazez: nacionalistë, komunistë, rini antifashiste, rini komuniste, gra antifashiste, përfaqësues t’Ushtrisë Nacional-Çlirimtare…”, pati ngjarë hedhja poshtë nga PKSH e marrëveshjes së Mukjes, ku shkak kryesor për prishjen qe bërë pikërisht parrulla programore e realizimit pas lufte të Shqipërisë Etnike.

Teza e Shqipërisë së bashkuar ishte shpallur armiqësore. Pas kësaj Enver Hoxha nuk kishte rrugë tjetër veç ta shuante që në ide një përpjekje të dytë, qoftë edhe me në krye komunistë. Madje në këtë rast të fundit edhe ca më shumë. Në historinë e shqiptarëve gjatë luftës duhej të mbetej vetëm skema e tij e zgjidhjes.

Për pasojë akuza e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror Jugosllav bërë ndaj Fadil Hoxhës në dhjetor 1984 se “Është marrë vesh me Enverin për organizimin e konferencës së Bujanit”, përbën kryekëput një të pavërtetë dhe blof. Për këtë ngjarje historike dy Hoxhat nuk kanë kryer asnjë vepër bashkëpunuese.UDB mban shënim çfarë ndodh në Tiranë

Ndryshe nga Hoxha i Tiranës, Hoxha i Prishtinës, në një intervistë në fillim të viteve nëntëdhjetë të shekullit të shkuar pati pohuar se “Në fakt, unë kam qenë vazhdimisht për bashkim me Shqipërinë, i përcaktuar për këtë kurs politik, i bindur se vetëm ajo është zgjidhje e vërtetë e çështjes sonë kombëtare”.

Fadil Hoxha po ashtu, në këtë komunikim me publikun (1994), duke iu referuar çfarë mendimesh kishte shkëmbyer dikur me një udhëheqës të lartë komunist kroat, pati deklaruar: “Asokohe më kujtohet se Vladimir Bakariqi në një bisedë me mua kishte dhënë idenë kësisoj: “Fadil, merre iniciativën dhe ta bëjmë Shqipërinë republikë të shtatë jugosllave”. Unë me atë rast e pata kundërshtuar ashpër një ide të tillë, duke i thënë Bakariqit se kurrë nuk pajtoj me një projekt dhe kërkesë të tillë.

Bakariqit i pata thënë se aktualisht edhe unë nuk pajtoj me disa koncepte politike në Shqipëri, por herëdokur, kur të zgjidhet çështja shqiptare, pra edhe çështja e Kosovës, e cila është ndër çështjet kyçe të çështjes sonë kombëtare, Kosova do të bashkohet me Shqipërinë”.

Pas këtyre thënieve, dukshëm të sinqerta, mund të pranohet se Shërbimi i Sigurimit Shtetëror Jugosllav, duke mashtruar qëllimisht për bashkëpunimin e dy Hoxhave në mëkëmbje të Shqipërisë së plotë, për çështjen e bindjes së patundur të Fadilit se konferenca e Bujanit duhej të ishte platforma e tërë së ardhmes dhe e fatit të trojeve amtare, në parim kishte të drejtë. Atë qendër spiunazhi nuk e ndihmonin vetëm informatorët e shumtë në Tiranë, as edhe intuita apo predispozita tradicionale kundërshqiptare.

Ishte më së pari vetë Enver Hoxha. Qëllimisht apo jo, le ta shohim. Parë nga ky kënd mund të na shkojë në mendje edhe një “herezi”: nuk qe Fadili agjent i Enverit, por, në një farë mënyre, ky i fundit kreu shërbime në favor të UDB-së.

Duke mos gabuar në idenë se Hoxha i territorit të tyre qe për krijimin e Shqipërisë së bashkuar, njerëzit e shërbimit të fshehtë jugosllav në superdosjen e tyre të vitit 1984 mashtronin ndërgjegjshëm në akuzën se për të realizuar këtë Fadil Hoxha bashkëpunonte me Enver Hoxhën, edhe për një fakt.

Ky i fundit, përsa qe gjallë, nuk provohet në mënyrë të sigurt se e pati vënë në ndonjë projekt veprimi këtë objektiv.

Ndërkohë, herë pas here, këtij qëllimi i gjenden disa gjurmë, edhe pse janë të zbehta, të rralla e të shpërndara, madje jo përherë të besueshme se deklarohen sinqerisht.

Enver Hoxha pret që çështja e Kosovës të piqet si fiku e të bjerë vetë

Për ta pasur më të qartë nëse Hoxha i Tiranës e projektonte apo jo një bashkim Shqipëri-Kosovë, po i drejtohemi një bisede të gjatë dhe shumë këndvështruese që ai bëri në 19 shtator 1970 me ambasadorin e tij në Beograd, Lik Seitin.

Aty Enver Hoxha thotë shprehimisht për kreun bashkëkombës dhe mbiemërnjëjtë të Prishtinës: “Fadili ka qenë më i persekutuar nga të tjerët në kohën e Rankoviçit, krijimin e republikës në kuadrin e Jugosllavisë ai nuk e pranon, megjithëse me këtë nuk deklaron se dëshiron që Kosova të bashkohet me Shqipërinë. Ky bashkim, ta kemi të qartë se do të vijë në situata të tjera.

Këtë as ai, as ne, nuk mund ta themi, pse ka akoma shumë ujë për të rrjedhur ndën urë. Fadili kërkon vetëm autonomi të plotë dhe në këto situata edhe ne jemi dakord me kaq. Qëllimi është që në Kosovë të mos sundojnë serbët, këta të shkojnë në vendin e vet, kurse në pushtet në Kosovë të sundojnë kosovarët, këta të jenë atje në krye në të gjithë sektorët, në pushtet, në ekonomi, në ushtri, në sigurim etj, bile të luftojnë që kudo të fusin njerëz të mirë që, kur të vijë momenti, atëherë do të jetë pjekur fiku dhe bashkimi bëhet vetvetiu”.

Papritur i bërë “ballist”, njeri që beson tek pritmëria më shumë se tek aksioni për ta parapërgatitur një rezultat, në messhtator 1970 Enver Hoxha e kthjellon edhe më idenë e tij: “Çështja, pra, duhet bërë dialektikisht, se me dëshirë nuk bëhen këto gjëra. Dëshira është diçka tjetër, zemra vërtet na qan për Kosovën, po realiteti është ndryshe”.

Pastaj menjëherë bën të ditur platformën e tij, asnjëherë të bërë publike: “Ne duhet të ndjekim rrjedhimin e historisë, por për situatat që duam të krijojmë duhet t’i përgatisim ngjarjet qysh më parë”.

Kjo frazë e fundit “duhet t’i përgatisim ngjarjet qysh më parë”, e shqiptuar papritur kur deri atë çast qe shprehur se bashkimi Shqipëri-Kosovë ishte proces i një fiku që piqet dhe bie vetë, e pohuar në një bisedë sekrete ku përveç dy të mësipërme, qe edhe një i tretë, Ramiz Alia, mund të ketë shkuar gjer tek veshët e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror Jugosllav si edhe në Sekretariatin Republikan të Punëve të Brendshme të Republikës Socialiste të Serbisë.

Në mos këtë rast, në të tjera, nuk ka asnjë dyshim që të fshehta të tilla kanë arritur të shkojnë deri në Beograd. Agjentura jugosllave ishte tepër kthetrashtrirë nëpër administratën e shtetit tonë të atëhershëm, zgjatur fort deri në brendësi të strukturave kryesore partiake. Përgjatë vitit 1981 u zhvilluan në Tiranë dhe në Prishtinë të tilla ngjarje që e provuan katërcipërisht këtë gjë, por le të rikthehemi tek biseda Enver Hoxha-Lik Seiti e 19 shtatorit 1970.

Në projektin se çfarë, me t’u rikthyer në Beograd, diplomati i Shqipërisë duhej t’i deklaronte Hoxhës së Kosovës, qenë edhe këto fjalë: “Mendimin tuaj për të mos pranuar krijimin e një Republike të dytë shqiptare ne e quajmë të drejtë. Ky është qëndrimi i drejtë dhe patriotik. Një qëndrim të kundërt Republika Popullore e Shqipërisë do ta luftojë me të gjitha forcat. Ne jemi dakord me mendimin tuaj se në botë ka vetëm një Republikë Popullore të Shqipërisë”.

Menjëherë më pas Enver Hoxha i mëshon edhe më tej kësaj direktive: “Gjithashtu është i drejtë mendimi juaj që duhet punuar për forcimin e autonomisë së Kosovës. Autonomi e plotë, ashtu siç e thatë edhe ju, do të thotë sigurim i të drejtave të plota: në pushtet, në ekonomi, në arsim e kulturë, në përgatitjen e kuadrove të të gjithë sektorëve, duke përfshirë edhe oficerë për ushtrinë, për sigurimin e shtetit, etj. Dhe kjo jo vetëm përputhet me politikën e drejtë nacionale, siç e kuptojmë ne, por edhe se Kosova është një entitet kombëtar i madh, i njohur nga vetë kushtetuta jugosllave. Prandaj të kërkosh autonominë e plotë dhe të drejta të plota për Kosovën, në kuadrin e Federatës, nuk është antiserbe, as antijugosllave. Me këtë kërkesë, përkundrazi, luftohen vetëm shovinistët serbë”.

Para se ta kapërcejmë analizën më tej, ritheksojmë edhe njëherë atë çfarë dëshironte Hoxha i Tiranës të bënte Hoxha i Prishtinës: të mos pranonte kurrë për Kosovën jo vetëm bashkimin me Shqipërinë, por as statusin e një republike në kuadrin e federatës jugosllave.

Për inat të Josip Broz Titos, fjalimi i famshëm i Enver Hoxhës në Tropojë

Për inat të Titos, fjalimi i famshëm i Enverit në Tropojë


Ngjarjet e viteve 1968 dhe 1981, që lidhen me raportet e ish-Jugosllavisë me Shqipërinë deri tani kanë njohur interpretime nga më të ndryshmet.

Për këtë arsye politikani e diplomati, Esat Myftari tregon se nisi punën për librin e tij Kosova dhe Enver Hoxha, sjellë përmes dokumenteve arkivore të pabotuara deri më sot.

Myftari ka shfrytëzuar dosjet diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

Në këto dokumente shprehet se ka gjetur ngjarje, zhvillime politike e kulturore, emra njerëzish të njohur personalisht ose të dëgjuar, të cilët lidhen drejtpërdrejt ose tërthorazi, që përmbanin motivin dhe objektivin e raportimeve të diplomatëve shqiptarë, sidomos të atyre të akredituar në Beograd, Vjenë, Ankara, Stamboll e Paris. Sigurisht disa emra që përmenden sot nuk janë gjallë.

“Dokumentet që janë shfrytëzuar për këtë libër janë kryesisht raportimet e diplomatëve tanë, por të shkruara në sfondin e përvojës dhe vëzhgimeve vetjake përgjatë gjysmë shekulli si ‘emigrant kosovar’. Duhet pasur parasysh se raportimet janë bërë prej diplomatëve tanë ideologjikë, me hapësinë fort të ngushtueme monovrimi a nisme vetjake. Por gjaja tjetër që bie më shumë në sy e që të befason megjiahtë për mirë, asht përmbajtja e këtyne raportimeve: Në to nuk ka aq fanatizëm ideologjik sa kisha kujtue, madje herë-herë ka nji shqetësim atdhetar e objektiv të pasqyruem për veshin e eprorëve të tyne. E në këtë pikë, ata janë të zotë e të ftohtë. Sidoqoftë, për shkak të vendeve ku shërbenin dhe natyrës së kontakeve të tyne njerëzore, përzgjedhja e diplomatëve tanë ka pasë nji karakter specific: Atje qenë emnue, sidomos në momente delikate, përgjithësisht njerëz që kishin shërbye në organet sekrete shqiptare, e që e njihnin nga afër problemin shqiptar dhe strukturën e gjallë të saj” thotë Myftari në parathënie. Në këtë frymë e praktikë të njohur vendin më të spikatur e zinte nomenklatura shqiptare e Kosovës, ku autori përmend disa antarë të saj si Fadil Hoxha, Ali Shuria, Veli Deva, Xhavit Nimani, Ismet Shaqiri, të cilët kishin dalë nga lufta, por edhe të shkolluar në Shqipëri që kishin njohje personale apo miqësi me diktatorin.

***

Si u pa që Enveri doli kundër statusit republikë, kosovarët e kuptuen se do të ishte thjesht aventurë të hapej fronti i dytë me Shqipninë, sepse këtë gja mezi e prisnin serbët. Prandaj mblodhen forcat për me e ndjekë rrugën e amendamenteve të inicueme prej Titos si mjete juridike të reformave e, mbi të gjitha, të decentralizimit të pushtetit politik dhe ekonomik.

Nga ana tjetër, si pjesë kompensimi, Enveri mori rrugën për Tropojë, ku mbajti fjalimin e njohun për bashkëpunim me Kosovën dhe shprehu “gatishmërinë e Shqipërisë për t’u ardhë në ndihmë vëllezërve kosovarë”.

Fjalim që u pritë mirë në federatë dhe në qarqet arsimore të Kosovës.

Filloi kështu dekada e bashkëpunimit shqiptaro-kosovar 1970-1980 që mund të përkufizohet edhe si dekadë e zhvillimit të Kosovës në rrugë kushtetuese dhe komunikimit e njohjes ndërshqiptare mbas atij veçimi çnjerëzor 25-vjeçar.

Në këtë klimë të re do të merrnin udhë disa aktivitete që do të mbanin doemos vulën e këtyne ndryshimeve. Në larminë e tyne, ato përbanin gjithë mozaikun e marrëdhanieve shqiptaro-kosovare, gjithsesi të dobishme e të shënueshme për të dyja vendet.

Diskutimi i amendamenteve

Amendamentet, me të cilat mendohej t’i jepej formë reformave dhe konsolidimit të decentralizimit, ishte fushë-beteja e kësaj dekade që po shqyrtojmë dhe, në mjaft pikëpamje, ato përcaktonin fatin e kosovarëve.

Serbia kishte vendosë me ndjekë vijën e hapun kundër përfshimjes së krahinës së Kosovës në këtë lloj reforme. Ajo gjykonte se zgjanimi i autonomisë së Kosovës do ta zbehte shumë kontrollin e saj mbi krahinë, dhe se do të përgatiste në këtë mënyrë kushtet objektive për shkëputjen progresive të saj nga Serbia në trajtën e republikës së shtatë të Jugosllavisë (reminishencë e nji projekti të vjetër për Shqipninë e E. Hoxhës!).

Por edhe Fadil Hoxha me shokë – dhe këtu banin pjesë nji numër i vogël kuadrosh drejtues serbë vendorë – po kështu e quente krejt të pavend përjashtimin e Kosovës nga këto reforma, sa kohë që ajo me ligj do të mbetej pjesë e Serbisë. Prandaj, më 8 janar 1971 u mbajt mbledhja e zgjanueme e kryesisë së konferencës republikane të Lidhjes Socialiste të Serbisë në Beograd, kushtue këtyne problemeve. Në grupin e kosovarëve bante pjesë treshja e njohun: Fadil Hoxha (anëtar i Byrosë ekzekutive të LKJ-së), Asllan Fazlia (Kryetar i Konferencës krahinore të LS së Kosovës) dhe Ismajl Bajra (Drejtor i të përditshmes “Rilindja”).

Ky ballafaqim u zhvillue në nji atmosferë të ndeme, sepse shtypi serb, ndryshe nga ai krahinor dhe ai i republikave të tjera, kishte raportue sikur atje poshtë, në Prishtinë, qe përgatit shkëputja e Kosovës nga Serbia, madje me praktika pothuej konspirative. Të ndodhun para akuzash kaq të ashpra treshja kosovare e ndjeu veten të mbështetun për muri, prandaj detyrimisht duhej të kundërsulmonte me forcë e pa mëdyshje. Aq ma parë që kishin përkrah Titon. Dhe në fakt, qendrimi e fjala e të treve ishte në nivelin që e kërkonte momenti. Natyrisht, kjo treshe nuk ishin kopja e njeni-tjetrit, jo vetëm për shkak të posteve të ndryshme që mbanin, por edhe për shkak të meritave personale e historisë së tyne të ndërlikueme në raport me PKJ-në. Në këtë kuptim, fjala e Fadil Hoxhës u prit me interes të veçantë. Të gjithë e dinin se për shumë probleme shqiptare, sidomos mbas largimit të Rankoviqit, ai ishte pothuej alter egoja e Titos. Por, pak kush e dinte, ndoshta asnjeni prej të pranishmëve në sallë, edhe pjesën e fshehtë të Enver Hoxhës në mendimet e qëndrimet e F. Hoxhës.

Për t’iu përgjigj pyetjes që kishin ngritë gjithandej serbët nëse edhe Kosova si krahinë e Serbisë që ishte duhej të përfshihej në ndryshimet e sistemit politik, përgjigjia u dha në mënyrë mjaft ekstensive, ngapak edhe patetike. Thuhej se në këtë mënyrë kundërvuemjeje kishte dorë edhe kroati Mika Tripallo, si këshilltar i pashpallun i F. Hoxhës, herë mbas here edhe speech-maker i tij. Prandaj, për të largue dyshimin kryesor serb, ai doli jashtë argumenteve aktualë dhe në zellin për të qenë sa ma i pranueshëm për udhëheqjen në mjedisin serb, ai iu referue historisë në mënyrë shumë spekulative dhe rrejti pa fije skrupulli kur tha:

“Ne më 1945 në mënyrë vullnetare ju bashkuam Republikës Federative të Serbisë, në marrëveshje midis popullit të Kosovës dhe popullit të Serbisë… Ne nuk iu imponuem Serbisë, dhe as nuk u përdor ndonji forcë që ne këtë ta banim, por në mënyrë vullnetare e në interes të dy popujve…”

Pjesa tjetër e fjalës së tij reflekton nji argumentim të menduem mirë, jo për të arritë statusin e dëshiruem prej popullit shqiptar të Kosovës, por për të përligjë tërheqjen e tij nga qëndrimi i parë pro Kosovës republikë dhe për të ripërtri besimin e eprorëve te ai. Me këtë spjegohen edhe formulimet e tija si: “…Nuk ka asnji argument, nuk jepet as edhe nji argument se afirmimi i krahinave autonome, afirmimi i gjithë këtij procesi të zhvillimit, do të çojë në pozitë jo të barabartë republikën e Serbisë.

Argumente nuk ka as në materialet që ne kemi lexuar, dhe as në ato që u folën sot. Asnjeni prej nesh nuk do ta dëshironte këtë, dhe as populli i Kosovës. Ata dëshirojnë vetëm afirmim të plotë të krahinës në të gjithë këtë sistem, dhe ne si përfaqësues të tyne, jemi të detyruem që të theksojmë dhe ta mbrojmë, mbasi në të kundërtën do të humbim prestigjin që ne kemi atje dhe besimin që na është dhënë, dhe të tjerët do ta marrin çështjen në duert e tyne, në rast se nuk veprojmë kështu…”

Ky kërcënim i Fadilit jo vetëm që prekte arsyetimin logjik, por edhe bante aluzione për demonstratat e para nji viti që kishin dëshmue forcën e rinisë kosovare dhe gatishmëninë për sakrifica. Dhe fjalën e vet e mbylli me nji pohim goditës:

“Nuk polemizoj, dhe nuk dëshiroj të polemizoj me ata njerëz, të cilët asnji herë nuk kanë mundun të na kuptojnë ndryshe por si qiraxhinj në këtë vend. Forcat subjektive në këtë vend, komunistët në Kosovë, dhe forcat e tjera, asnjëherë nuk e kanë pa veten, as në Republikën Demokratike Federative të Jugosllavisë, as në përbamjen e Republikës Socialiste të Serbisë si qiraxhinj, as nuk e ndijnë veten “si në shtëpinë e tyne”, por pikërisht në shtëpinë e tyre…”.

Dragosllav Markoviq, Kryetar i Komisionit Kushtetues të Kuvendit të R.S. të Serbisë, i njohun prej të gjithëve për ndjenjat e tija antishqiptare, i cili kishte mbajtë pak ma parë referatin kryesor në të cilin qe mundue të argumentonte përjashtimin e Kosovës nga ky proces reformash, nuk u impresionue gjithaq nga argumentet e Fadilit sa nga toni pothuej kërcënues i tij pikërisht në kuvendin serb, ndaj iu shmang përplasjes me te. E kishte të qartë se mbrapa Fadilit qëndronte Tito dhe pena “dinake” e Tripallos.

Vizita e Titos në Kosovë – prill 1971

Tito kishte qenë edhe dy herë të tjera në Kosovë, por ato vizita për nga randësia ngjanin me ndodhi periferike politike. Jo se në vetvete ato s’kishin pasë peshën që u përkisnin – fundja vinte për vizitë i pari i nji regjimi autokratik – por sepse raporti Kosovë-Serbi kishte pasë konfiguracion tjetër. Kurse tash, as Serbia nuk ishte ma ajo e ditëve të freskta të mbas përmbysjes së Rankoviqit kur qe diskreditue e mund të përfitohej shumë nga gjendja e saj, as Kosova nuk shihej ma si viktimë e pranueme e me të drejta të plota kompensimi. Në këtë kuptim, vizita e Titos merrej si prekje pulsi për gjendjen reale të krahinës dhe si premtim për perspektivën e afërme të saj. Demonstratat e vitit 1968 ende vazhdonin me efektet e tyne dhe në qoftë se Titoja ia kishte dalë ta amortizonte kundërgoditjen serbe, kjo nuk do të thotë se ishin amnistue plotësisht edhe “teprimet” e kosovarëve. Nga ana tjetër, kërkesa për Kosovën republikë tashma qe shqiptue si ambicie e parevokueshme dhe e hapët e të gjithë shqiptarëve në Jugosllavi, kurse masa shpërthyese në qytetet kosovare, sidomos në Prishtinë, e bante këtë ambicie shumë serioze. Prandaj vizita e Titos u pritë me interes të veçantë prej të gjithëve, sepse ishte e paracaktueme për me rrezatue ndikim të veçantë edhe për ecuninë e matejshme të amendamenteve. Por, në mungesë të nji polemike të lirë, të trija palët u shërbyen me gjeste ndërkëmbyese, të cilat doemos do të zbërtheheshin në mënyrë të plotë e pa dykuptimësi në Plenumin e Brioneve. Për aq sa kishin në dorë, palët i dhanë mesazhet e tyne.

Pjesa e zemrueme e kosovarëve, sikurse njoftojnë pedagogët e Shkencave të Natyrës të Tiranës, pakënaqësinë e tyne e shprehën “përmes indiferencës së theksueme, nuk pati asnji brohoritje me përjashtim të fishkëllimave që shoqnuen korteun.

Edhe kur Tito u fut në rektorat – bëhej mësim. Fehmi Agani e Nexhat  Daci ndejën me pedagogët e Tiranës dhe refuzuen me dalë në rresht para fakultetit. Gjashtë flamujt: të Jugosllavisë, Serbisë, LKJ-së, Turqisë, Shqipërisë dhe flamuri ndërkombëtar i minatorëve, zhduknin çdo gjurmë a simbol të krahinës me shumicë dërmuese shqiptare. Kishte vetëm zbukurime të thjeshta, të zhveshuna.
Frazeologjia e fjalimeve vërtitej rreth vllaznim-bashkimit e ndihmës ekonomike…” shkruenin ata në relacionin e tyne.

Sidoqoftë, mendimi i përgjithshëm ishte se objektivi kryesor i kësaj vizite qe goditja e Serbisë, meqë atje klani i Rankoviqit, i kryesuem prej Dobrica Çosiçit, tashma po e merrte veten dhe po sinjalizonte nevojën e kthimit te parimet centraliste. Ky grup kishte përfshi intelektualë të njohun serbë dhe nji pjesë të mirë të profesoratit të Beogradit. Dueli filloi qysh ditën e mbërritjes së Titos në Mitrovicë. Atje ai u prit me përzemërsi të madhe prej Veli Devës. Tito, madje, e puthi. Por nji shenjë e tillë simpatie publike i tërboi serbët. Aq ma fort kur në të gjitha fjalimet e tij, Tito nuk tha pothuaj asnjë fjalë të mirë në adresë të udhëheqjes së Serbisë, përkundrazi në forma të ndryshme i dënoi prirjet shoviniste të shtetit të madh (çka nënkuptonte Serbinë). Si kundërpërgjigje, në njoftimet e ditës së parë të mbërritjes së tij në Mitrovicë, televizioni qendror nuk e përmendi fare faktin se Titon e shoqnonte Fadil Hoxha, kurse gazeta “Borba” e 15 prillit, organ i afërt me partinë, dha vetëm njoftim mbi mbledhjen e aktivit politik të Kosovës. Të nesërmen, si “Borba” ashtu dhe “Politika”, botuen shkurt fjalimin e Titos në këtë aktiv, po atë tekst që e kishte dhanë edhe Tanjugu. Ishte hera e parë që shtypi qendror dhe ai serb i banin nji obstruksion të tillë të qartë, të premë e pa pikë rezerve. Lanë po kështu në heshtje edhe fjalën e tij mbi marrëdhaniet e Jugosllavisë me vendet e tjera, për të cilat thuhej se Tito kishte folë gjatë. E gjithë kjo u komentue si guxim i tepruem. Dhe paradoksi ishte ky: kundërshtimi i vinte mu prej liberalëve, të cilët kishin qenë ma dashamirës ndaj reformave kushtetuese se sa të gjitha rrymat e tjera serbe, të kohës ose të traditës. Por, me sa dukej, mospajtimet e tyne rreth Maspokut – Nikeziqi (kryeministri serb) nuk u ba pjesë e korit kundër kësaj lëvizjeje – qenë thellue shumë e s’kishte ma kthim mbrapa as midis tyne.

Por kulmi i qendrimit anmiqësor të shtypit serb arriti kur “Politika”, për mbledhjen e aktivit politik të krahinës, botoi pjesë të shkurta të diskutimeve kryesore të mbledhjes, ndërsa nga ana tjetër i dha vend të randësishëm diskutimit të anëtarit të këshillit federativ Pavël Zaviçeviç, i cili në fjalimin e tij theksoi me të madhe rrezikun që u vjen serbëve në Kosovë prej shqiptarëve, “duke vënë gjithashtu pjesë edhe nga diskutimi i Katerina Paternogiqit, që e hidhte poshtë si pabazë një argument të tillë”.

Përqendrimi i Titos gjatë kësaj vizite në çeshtjet ekonomike mund të merrej edhe si nji taktikë, sepse ai kishte nji arsye të fshehtë që të vepronte kështu. Së shpejti do të mbahej plenumi i ri në Brione ku do të merreshin vendime me peshë, ndaj nuk donte të konsumohej e të ngjallte zhurma të parakohshme. Ai u mjaftue për publikun me fjalët: “krahina ka parashtruar disa kërkesa të inkuadruara në amendamentet konstitucionale në diskutim dhe premtoi se këto kërkesa do të diskutohen midis komunistëve kur ai të kthehej në Beograd”. E vetmja pikë, ku ai nxori dhambët në mënyrën e tij karakteristike, ishte sfera ekonomiko-morale.

Ambasadorit ynë, Lika, njoftonte: “Nga sa u njoftua në televizion dhe nga sa u botua në shtyp, të tërheq vëmendjen fakti se Tito kritikoi pa emër kuadro kryesore që drejtojnë ekonominë e vendit dhe paralajmëroi se do të merren masa ndaj tyre. Theksoi se edhe në të kaluarën siç është fjala në kongresin e sindikatave më 1968, ose në prag të kongresit të 9 të LSJ më 1969, ai bëri paralajmërime të tilla dhe në fakt u morën një seri masash duke larguar nga postet kryesore mjaft persona të ndryshëm”.

/mapo.al/

2016-09-04

Bajram Gecaj: Kush ua preu teshat Shpejtim Bulliqit dhe Florim Isufit

Zëvendësministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj ka komentuar deklaratën e kryetarit të ASHKA-ut, Hivzi Islamit i cili demantoi Shpejtim Bulliqin dhe Florim Isufit lidhur me Demarkacionin.

Gecaj përmes një postimi në Facebook ka thënë se mbetet enigmë se pse Bulliqi dhe Isufi kanë ndryshuar mendjen për kufirin, pra kush ua preu teshat!.

Postimi i plotë:

KUSH UA PREU TESHAT BULLIQIT DHE ISUFIT

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Hivzi Islami, në një punim të tij sjell harta të ndryshme [fotot e mëposhtme 1-4] në të cilat janë thirrur dhe i kanë bazuar përfundimet e tyre shkencore më të hershme Shpejtim Bulliqit dhe Florim Isufit [të dytë ish-studentë të tij]. Që të gjitha ato punime pa përjashtim kanë qenë në përputhje të plotë me vijat e shënuara kufitare të Komisionit Shtetëror. Mbetet enigmë pse ata sot kanë ndryshuar mendjen për kufirin; pra, kush ua preu teshat! Për më keq, disa nga këto punime të këtyre autorëve, sipas Akademikut Islami, kishin edhe elemente plagjiature. I zhgënjyer me këtë qasje, Prof. Islami për krejt këtë ka një përfundim: “Kur këtu janë në gjendje të spekulojnë aq shumë, pse mos të gënjejnë edhe për kufijtë!”…
Gjithashtu, gjatë viteve 2000-2002, Florim Isufi ishte përgjegjës për përgatitjen e Atllasit të Kosovës nga HCIC [fotot e mëposhtme 5-8]! Si ndodhi që edhe në këtë rast Florim Isufi mos të ishte në dijeni se Bjelluha dhe Çakorri kishin mbetë jashtë kufirit të Kosovës? Pse atëherë nuk e ngriti fare zërin për këtë çështje, ndërsa që tani [me “teshat e reja”] është aq i zhurmshëm?


Kryetari i ASHAK-ut i quan diletantë, gënjeshtarë dhe plagjiatorë Bulliqin dhe Isufin

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe i Arteve, Akademik Hivzi Islami, në një tekst të botuar në një revistë ka plasuar hartat në doktoraturat e Shpejtim Bulliqi dhe Florim Isufi, në të cilat qartësisht janë lënë jashtë kufijve të Kosovës Çakorri dhe 8.000-9.000 hektarët e pretenduar prej tyre.

Akademik Islami, i ka quajtur diletantë, keqpërdorues të botimeve dhe ekspertë në thonjëza Bulliqin dhe Isufin, duke i demantuar shumë pretendime të ngritura nga ta deri më tani.

Sipas tij, me këto pretendimet e ngritura këta dy po përpiqen që të dalin nga anonimiteti dhe se e gjithë lufta politike zhvillohet jo për territor të Kosovës dhe kufi të drejtë, por për puro pushtet të individëve dhe grupeve, transmeton lajmi.net.

Në këtë shkrim, Islami fillimisht thekson se shumë studime të studiuesve të njohur kosovarë në harta gjeografike apo tematike, që nga vitet e 60-ta e prezantojnë Kosovën në kufij të njëjtë dhe sipërfaqe të njëjtë, me 10.887 km2, pra pa Çakorrin dhe këto 80-90 km2 të “ekspertëve”!

Më tutje, Akademik Hivzi Islami flet për diletantizmin në funksion të profiterëve dhe konflikteve politike duke theksuar se ata i kanë keqpërdorur edhe botimet e prof. Asllan Pushkës para dhe pas vdekjes së tij dhe duke ngritur pyetjen se kur këtu spekulojnë aq shumë, pse të mos gënjejë për kufijtë!

“Florim ISUFI dhe Shpejtim BULLIQI, ish studentët e mi, më vonë dhe bashkëpunëtorë e kolegë, nuk i dija për ekspertë për kufij, me njohuri teorike, nuk kisha parë të ishin marrë me këto çështje dhe të kishin zhvilluar hulumtime në zonat kontestuese në terren. Jam shkëputur nga Departamenti ka 5 vjet dhe mendova se paskan ecur në fushën e gjeopolitikës dhe të gjeografisë politike të Kosovës, prandaj u shtrëngova të freskoja njohuritë e mia duke parë CV-të e tyre. Gjëja më serioze që gjeta si botim (i shaptilografuar, çudi për “ekspertët” e GIS-it, sepse ka 30 vjet që shaptilografi nuk përdoret!) nga ta ishte studimi “Llapi veçoritë fiziko-gjeografike”, që në fakt ka qenë tema e magjistraturës e Bulliqit (këtë e dija), por tani me koautor Florim Isufin! Ky i fundit duhet të mbajë përgjegjësi shkencore, akademike dhe morale, sepse me këtë punim të huaj është avancuar; kështu i ka keqpërdorur edhe botimet e prof. A. Pushkës para dhe pas vdekjes së tij)! Kur këtu spekulon aq shumë, pse të mos gënjejë për kufijtë!”, thotë Islami,

Ndërkohë, që më poshtë Akademik Hivzi Islami thekson se këta dy kolegë, për të dalë nga anonimiteti, po thonë se Kosova me këtë vijë kufitare po humbë 8.000-9.000 ha, ose 80-90 km katrorë.

“E kam të vështirë dhe të pamundur që këtë pohim ta marr të gatshëm, sepse po bazohen vetëm në disa harta të APJ-së dhe në ato të enciklopedike me përmasa 1:500.000, 1:1.000.000 etj. dhe kanë një qasje selektive dhe ekstensive ndaj tyre, i lexojnë në një mënyrë specifike, të pazakonshme në hartografi e topografi dhe në gjeoshkenca! Kritikën kryesore ndaj Komisionit Shtetëror për Demarkacion këta dy kolegë (dhe juristët e bllokut opozitar), e drejtojnë te mbështetja vetëm në parimet e kadastrit. Po pse atëherë gjatë gjithë këtyre viteve në hartat e doktoratave të tyre, që janë në internet (në faqen ueb të UP-së), e përdorin bazën kadastrale të Agjencisë Kadastrale të Kosovës? Florim ISUFI është magjistruar me temën “Roli i kushteve natyrore dhe faktorëve shoqërorë në zhvillimin e veprimtarive ekonomike në komunën e Gllogocit” (isha në Komision), që nuk ka të bëjë me kufij. Doktorata e tij është “Krijimi i GIS-it në Kosovë” (më tepër çështje teknike sesa shkencore!). Ndërsa Sh. Bulliqi ka magjistruar në temën “Veçoritë fiziko-gjeografike të Llapit (2011) dhe ka doktoruar në temën “Veçoritë morfologjike të pjesës verilindore të Kosovës” (2006). Pas luftës erdhën përfaqësuesit e UNHCR-it dhe i kërkuan dy veta për të punuar tek ata. Si përgjegjës i Departamentit dërgova dy asistentë, Florimi ishte njëri prej tyre. Qëndroi gjatë aty dhe kurrë nuk sinjalizoi se po ndodhte diçka rreth territorit tonë – po rrudhej hapësira në dobi të fqinjëve apo jo? Edhe Florim isufi, edhe Shpejtim Bulliqi, nuk kanë asnjë njohuri teorike për kufij dhe, sipas vetë deklarimeve të tyre, nuk e kanë shkelur kurrë terrenin e komunave kufitare me Malin e Zi (Peja, Deçani, Burimi dhe Juniku). Në doktoratat e tyre të pabotuara (që i detyroi rektori R. Zejnullahu t’i hedhin në internet) i përdorin hartat, ku Çakorri dhe këto 8.000-9.000 ha janë jashtë Kosovës, ose siç tha ambasadori amerikan (duke u mbështetur në vlerësimet shkencore amerikane), G. Dellawie në debatin e orkestruar nga organizatori dhe drejtuesit e tij më 3 gushtit 2016, “Kufiri është aty ku ka thënë Komisioni, rrejshëm po thonë se humbin 8.000 ha”, tha Islami.

Ai më tutje ka shpalosur edhe një varg hartash të Isufit dhe Bulliqit në doktoraturat e tyre pa Çakorr dhe 8.000-9.000 ha!

“Edhe Isufi, edhe Bulliqi, njëri si “ekspert”, e tjetri si deputet, e kanë mbështetur projektin “Parku Kombëtar i Bjeshkëve të Nemuna”, pa 8.000-9.000 ha dhe pa Çakorrin. Ligji për këtë Park është votuar dhe në Parlamentin e Kosovës më 13 dhjetor 2012, pa Çakorrin dhe hektarët “e humbur”! Ky fakt tregon se e gjithë lufta politike zhvillohet jo për territor të Kosovës dhe kufi të drejtë, por për puro pushtet të individëve dhe grupeve! Këta dy “ekspertë” të kufijve, po të ishin marrë me studime të themelta për kufijtë e Kosovë-Mali i Zi do t’i kishin studiuar “Planet e zhvillimit hapësinor” të këtyre komunave nga 1945 e deri më sot për të parë deri ku janë shtrirë territoret e tyre. Sipërfaqet e këtyre komunave (Pejë, Istog Burim, Deçan, Junik), siç po raportohet, janë po ato që kanë qenë. Territori i komunës së Pejës, si më i problematizuari, p.sh. është 603 km2 të rrumbullakuara në të gjitha publikimet statistikore të pasluftës II Botërore….” thotë Hivzi Islami.

Akademik Hivzi Islami, këtë shkrim e ka ilustruar edhe me disa dhjetarë harta të tjera të profesorëve si Akademik Mark Krasniqi, Prof. Dr. Qasim Lleshi, Prof. Dr. Asllan Pushka, Prof, Dr. Ruzhdi Pllana, Akademik Minir Dushi, dhe dhjetëra harta tjera të viteve të ndryshme të cilat konfirmojnë vijën kufitare të tanishme.

Vërejtje nga Redaksia "Floripress"

Këtu më poshtë i gjeni Disertacionet e Dr. Shpejtim  Bulliqit dhe Dr.Florim  Isufit


Florim Isufi : 


Krijimi i sistemit informativ gjeografik në Kosovë, rëndësia praktike dhe shkencore
               

Shpejtim Bulliqi: 


Veçoritë morfologjike të pjesës verilindore të Kosovës




https://drive.google.com/file/d/0Bxeq-XV-U8mhT2VicFZqUm1aU28/view



https://drive.google.com/file/d/0Bxeq-XV-U8mhSl9zV0o1c3Y5YzA/view



Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...