2016-09-04

Bajram Gecaj: Kush ua preu teshat Shpejtim Bulliqit dhe Florim Isufit

Zëvendësministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj ka komentuar deklaratën e kryetarit të ASHKA-ut, Hivzi Islamit i cili demantoi Shpejtim Bulliqin dhe Florim Isufit lidhur me Demarkacionin.

Gecaj përmes një postimi në Facebook ka thënë se mbetet enigmë se pse Bulliqi dhe Isufi kanë ndryshuar mendjen për kufirin, pra kush ua preu teshat!.

Postimi i plotë:

KUSH UA PREU TESHAT BULLIQIT DHE ISUFIT

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Hivzi Islami, në një punim të tij sjell harta të ndryshme [fotot e mëposhtme 1-4] në të cilat janë thirrur dhe i kanë bazuar përfundimet e tyre shkencore më të hershme Shpejtim Bulliqit dhe Florim Isufit [të dytë ish-studentë të tij]. Që të gjitha ato punime pa përjashtim kanë qenë në përputhje të plotë me vijat e shënuara kufitare të Komisionit Shtetëror. Mbetet enigmë pse ata sot kanë ndryshuar mendjen për kufirin; pra, kush ua preu teshat! Për më keq, disa nga këto punime të këtyre autorëve, sipas Akademikut Islami, kishin edhe elemente plagjiature. I zhgënjyer me këtë qasje, Prof. Islami për krejt këtë ka një përfundim: “Kur këtu janë në gjendje të spekulojnë aq shumë, pse mos të gënjejnë edhe për kufijtë!”…
Gjithashtu, gjatë viteve 2000-2002, Florim Isufi ishte përgjegjës për përgatitjen e Atllasit të Kosovës nga HCIC [fotot e mëposhtme 5-8]! Si ndodhi që edhe në këtë rast Florim Isufi mos të ishte në dijeni se Bjelluha dhe Çakorri kishin mbetë jashtë kufirit të Kosovës? Pse atëherë nuk e ngriti fare zërin për këtë çështje, ndërsa që tani [me “teshat e reja”] është aq i zhurmshëm?


Kryetari i ASHAK-ut i quan diletantë, gënjeshtarë dhe plagjiatorë Bulliqin dhe Isufin

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe i Arteve, Akademik Hivzi Islami, në një tekst të botuar në një revistë ka plasuar hartat në doktoraturat e Shpejtim Bulliqi dhe Florim Isufi, në të cilat qartësisht janë lënë jashtë kufijve të Kosovës Çakorri dhe 8.000-9.000 hektarët e pretenduar prej tyre.

Akademik Islami, i ka quajtur diletantë, keqpërdorues të botimeve dhe ekspertë në thonjëza Bulliqin dhe Isufin, duke i demantuar shumë pretendime të ngritura nga ta deri më tani.

Sipas tij, me këto pretendimet e ngritura këta dy po përpiqen që të dalin nga anonimiteti dhe se e gjithë lufta politike zhvillohet jo për territor të Kosovës dhe kufi të drejtë, por për puro pushtet të individëve dhe grupeve, transmeton lajmi.net.

Në këtë shkrim, Islami fillimisht thekson se shumë studime të studiuesve të njohur kosovarë në harta gjeografike apo tematike, që nga vitet e 60-ta e prezantojnë Kosovën në kufij të njëjtë dhe sipërfaqe të njëjtë, me 10.887 km2, pra pa Çakorrin dhe këto 80-90 km2 të “ekspertëve”!

Më tutje, Akademik Hivzi Islami flet për diletantizmin në funksion të profiterëve dhe konflikteve politike duke theksuar se ata i kanë keqpërdorur edhe botimet e prof. Asllan Pushkës para dhe pas vdekjes së tij dhe duke ngritur pyetjen se kur këtu spekulojnë aq shumë, pse të mos gënjejë për kufijtë!

“Florim ISUFI dhe Shpejtim BULLIQI, ish studentët e mi, më vonë dhe bashkëpunëtorë e kolegë, nuk i dija për ekspertë për kufij, me njohuri teorike, nuk kisha parë të ishin marrë me këto çështje dhe të kishin zhvilluar hulumtime në zonat kontestuese në terren. Jam shkëputur nga Departamenti ka 5 vjet dhe mendova se paskan ecur në fushën e gjeopolitikës dhe të gjeografisë politike të Kosovës, prandaj u shtrëngova të freskoja njohuritë e mia duke parë CV-të e tyre. Gjëja më serioze që gjeta si botim (i shaptilografuar, çudi për “ekspertët” e GIS-it, sepse ka 30 vjet që shaptilografi nuk përdoret!) nga ta ishte studimi “Llapi veçoritë fiziko-gjeografike”, që në fakt ka qenë tema e magjistraturës e Bulliqit (këtë e dija), por tani me koautor Florim Isufin! Ky i fundit duhet të mbajë përgjegjësi shkencore, akademike dhe morale, sepse me këtë punim të huaj është avancuar; kështu i ka keqpërdorur edhe botimet e prof. A. Pushkës para dhe pas vdekjes së tij)! Kur këtu spekulon aq shumë, pse të mos gënjejë për kufijtë!”, thotë Islami,

Ndërkohë, që më poshtë Akademik Hivzi Islami thekson se këta dy kolegë, për të dalë nga anonimiteti, po thonë se Kosova me këtë vijë kufitare po humbë 8.000-9.000 ha, ose 80-90 km katrorë.

“E kam të vështirë dhe të pamundur që këtë pohim ta marr të gatshëm, sepse po bazohen vetëm në disa harta të APJ-së dhe në ato të enciklopedike me përmasa 1:500.000, 1:1.000.000 etj. dhe kanë një qasje selektive dhe ekstensive ndaj tyre, i lexojnë në një mënyrë specifike, të pazakonshme në hartografi e topografi dhe në gjeoshkenca! Kritikën kryesore ndaj Komisionit Shtetëror për Demarkacion këta dy kolegë (dhe juristët e bllokut opozitar), e drejtojnë te mbështetja vetëm në parimet e kadastrit. Po pse atëherë gjatë gjithë këtyre viteve në hartat e doktoratave të tyre, që janë në internet (në faqen ueb të UP-së), e përdorin bazën kadastrale të Agjencisë Kadastrale të Kosovës? Florim ISUFI është magjistruar me temën “Roli i kushteve natyrore dhe faktorëve shoqërorë në zhvillimin e veprimtarive ekonomike në komunën e Gllogocit” (isha në Komision), që nuk ka të bëjë me kufij. Doktorata e tij është “Krijimi i GIS-it në Kosovë” (më tepër çështje teknike sesa shkencore!). Ndërsa Sh. Bulliqi ka magjistruar në temën “Veçoritë fiziko-gjeografike të Llapit (2011) dhe ka doktoruar në temën “Veçoritë morfologjike të pjesës verilindore të Kosovës” (2006). Pas luftës erdhën përfaqësuesit e UNHCR-it dhe i kërkuan dy veta për të punuar tek ata. Si përgjegjës i Departamentit dërgova dy asistentë, Florimi ishte njëri prej tyre. Qëndroi gjatë aty dhe kurrë nuk sinjalizoi se po ndodhte diçka rreth territorit tonë – po rrudhej hapësira në dobi të fqinjëve apo jo? Edhe Florim isufi, edhe Shpejtim Bulliqi, nuk kanë asnjë njohuri teorike për kufij dhe, sipas vetë deklarimeve të tyre, nuk e kanë shkelur kurrë terrenin e komunave kufitare me Malin e Zi (Peja, Deçani, Burimi dhe Juniku). Në doktoratat e tyre të pabotuara (që i detyroi rektori R. Zejnullahu t’i hedhin në internet) i përdorin hartat, ku Çakorri dhe këto 8.000-9.000 ha janë jashtë Kosovës, ose siç tha ambasadori amerikan (duke u mbështetur në vlerësimet shkencore amerikane), G. Dellawie në debatin e orkestruar nga organizatori dhe drejtuesit e tij më 3 gushtit 2016, “Kufiri është aty ku ka thënë Komisioni, rrejshëm po thonë se humbin 8.000 ha”, tha Islami.

Ai më tutje ka shpalosur edhe një varg hartash të Isufit dhe Bulliqit në doktoraturat e tyre pa Çakorr dhe 8.000-9.000 ha!

“Edhe Isufi, edhe Bulliqi, njëri si “ekspert”, e tjetri si deputet, e kanë mbështetur projektin “Parku Kombëtar i Bjeshkëve të Nemuna”, pa 8.000-9.000 ha dhe pa Çakorrin. Ligji për këtë Park është votuar dhe në Parlamentin e Kosovës më 13 dhjetor 2012, pa Çakorrin dhe hektarët “e humbur”! Ky fakt tregon se e gjithë lufta politike zhvillohet jo për territor të Kosovës dhe kufi të drejtë, por për puro pushtet të individëve dhe grupeve! Këta dy “ekspertë” të kufijve, po të ishin marrë me studime të themelta për kufijtë e Kosovë-Mali i Zi do t’i kishin studiuar “Planet e zhvillimit hapësinor” të këtyre komunave nga 1945 e deri më sot për të parë deri ku janë shtrirë territoret e tyre. Sipërfaqet e këtyre komunave (Pejë, Istog Burim, Deçan, Junik), siç po raportohet, janë po ato që kanë qenë. Territori i komunës së Pejës, si më i problematizuari, p.sh. është 603 km2 të rrumbullakuara në të gjitha publikimet statistikore të pasluftës II Botërore….” thotë Hivzi Islami.

Akademik Hivzi Islami, këtë shkrim e ka ilustruar edhe me disa dhjetarë harta të tjera të profesorëve si Akademik Mark Krasniqi, Prof. Dr. Qasim Lleshi, Prof. Dr. Asllan Pushka, Prof, Dr. Ruzhdi Pllana, Akademik Minir Dushi, dhe dhjetëra harta tjera të viteve të ndryshme të cilat konfirmojnë vijën kufitare të tanishme.

Vërejtje nga Redaksia "Floripress"

Këtu më poshtë i gjeni Disertacionet e Dr. Shpejtim  Bulliqit dhe Dr.Florim  Isufit


Florim Isufi : 


Krijimi i sistemit informativ gjeografik në Kosovë, rëndësia praktike dhe shkencore
               

Shpejtim Bulliqi: 


Veçoritë morfologjike të pjesës verilindore të Kosovës




https://drive.google.com/file/d/0Bxeq-XV-U8mhT2VicFZqUm1aU28/view



https://drive.google.com/file/d/0Bxeq-XV-U8mhSl9zV0o1c3Y5YzA/view



Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...