2016-09-08

SHQIPTARËT QË FRIKËSOHEN NGA GJUHA E TYRE


Në shënjestër



Ahmet Selmani



Teksa e shohim këtë realitet, vetvetiu pyesim: Vallë, kush na e ka fajin, ne që s’na bën përshtypje gjuha jonë amtare apo maqedonasit që nuk e zbatojnë atë në praktikë? Sigurisht është e turpshme dhe e dhimbshme kjo sjellje poshtarake dhe dyftyrane. Prandaj, duhet thënë fare troç: Kur vetë ne, bijtë e shqipes, siç na pëlqen të angërdufemi shpesh, nuk e respektojmë gjuhën tonë, atëherë si mund të na e respektojnë të tjerët? Jo, ore jo, shqipja nuk mbrohet me hipokrizi të harlisur, por me vepra konkrete. Mungesa e vetërespektit është sëmundje shumë e rëndë që po na e ha shpirtin


Siç e dimë të gjithë, kohëve të fundit, çështja që ka të bëjë me zbatimim e gjuhës shqipe në mbarë qytetin e Shkupit, është bërë një temë jashtëzakonisht e nxehtë, duke i shqetësuar kështu shpirtërat e atyre të cilët prej kohësh e kanë patur si halë në sy. Me këtë rast, veçmas u vunë në shënjestër disa nga drejtorët e ndërmarrjeve publike, të cilët duket se qëllimisht e kanë heshtur problemin e dygjuhësisë, sikur të mos ekzistonte fare.
Prandaj, mund të thuhet se, efekti i parë mediatik që u arrit nga kjo luftë parimore, menjëherë u shënua si një triumfalizëm spektakolar, megjithëse në esencë rezultati ishte tepër minimal. Kjo do të thotë se zbatimi i shqipes filloi detyrimisht me një thjeshtëzim të skajshëm nga ndërmarrja e transportit të qytetit, më në fund, duke e vendosur mbishkrimin dygjuhësh vetëm në autobusët e njërës linjë, por me premtimin se një praktikë e këtillë do të ndiqej gradualisht edhe në të gjithë autobusët e linjave të tjera. Pavarësisht se deri ku arriti ky jetësim, e rëndësishme është të theksohet fakti se, pikërisht nga kjo trysni e drejtë, ca njerëz bishtnues e shpirtngushtë, sado që me zemër të plasur, u detyruan ta ndryshonin qëndrimin e tyre në të mirë të gjuhës shqipe, ashtu siç i obligon ligji që ka të bëjë me përdorimin e gjuhëve.
Mirëpo, krahas tërë kësaj ecurie të ngadalshme e të mundimshme, gjithsesi është e udhës të trajtojmë edhe një gjë po kaq të ndijshme për sa i përket zbatimit praktik të kësaj gjuhe. Thjesht, tani doemos lypset që vëmendjen tonë ta përqëndrojmë edhe në anën e kundërt, përkatësisht te vetë shqiptarët si bartës dhe dalzotës të gjuhës amtare. Pra, çështja në fjalë ka të bëjë edhe me faktin se anashkalimi ose shpërfillja e gjuhës shqipe nuk është një zakon i ligë vetëm i maqedonasve, por, fatkeqësisht, është edhe indiferencë shumë e shëmtuar e vetë shqiptarëve. Deshëm apo nuk deshëm ne, pikërisht këtu qëndron zanafilla e problemit i cili gjithnjë mbulohet lehtësisht me hipokrizi folklorike e patriotike.
Në qoftë se duam të kthjellohemi dhe të mos e gënjejmë veten me veprime tepër paradoksale, patjetër duhet të pyesim haptas se si qëndron puna me zbatimin e shqipes nga vetë shqiptarët? Për të qenë të sinqertë deri në fund, kjo as që është shtruar ndonjëherë me seriozitetin e duhur. Më e keqja është se tani një sjellje e këtillë gati-gati edhe nuk na bën përshtypje fare. Ose, për shkak se jemi mësuar gjithmonë të arsyetohemi me atë retorikën banale se fajin na e kanë të tjerët, se na urrejnë, se nuk na duan etj.
Në gjithë këtë dyfytyrësi kronike, është shumë e ndershme që së pari ta pyesim veten tonë se ç’po bëjmë ne realisht për zbatimin e gjuhës shqipe, të paktën në ato mjedise ku jetojmë dhe ku jemi më kompakt. A thua, me çfarë mbishkrimesh na shfaqen para syve autobusët privat të cilët qarkullojnë çdo ditë, që në shumicën e rasteve janë pronë e shqiptarëve? E vërteta është e hidhur: ne i shohim fare mirë kur kalojnë mespërmes lagjeve apo katundeve shqiptare, pa e vendosur as edhe një shkronjë të vetme në gjuhën shqipe nëpër autobusët e tyre, të cilët i ngasin me aq zell e krekosje. Përderisa ata enden pa ngurrim gjithë ditën e lume, ne s’kemi si të mos i lexojmë mbishkrimet e ndryshme që i kanë vendosur kryesisht në maqedonisht dhe me alfabet cirilik, bie fjala: “Privaten avtobus”, “Sajmishte – Karposh - Saraj i obratno” etj.. Përballë kësaj situate shumë të pahijshme e të padrejtë, thuajse askush nuk reagon, nuk e thotë asnjë fjalë të vetme, madje as që brengoset për dukurinë në fjalë.
Realitetin e këtillë kaq paradoksal e ilustrojnë edhe shumë shembuj të tjerë që po na i verbojnë sytë. Në këtë mënyrë, po t’u hedhim një sy vetëm atyre dhjetëra e dhjetëra mbishkrimeve që ndodhen para dyqaneve, marketeve, firmave, punishteve etj., nëpër komunat ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët, ku pothuajse nuk ka asnjë maqedonas, do të shohim fare mirë se situata bëhet akoma më e pakëndshme. Mjafton edhe një shëtitje e shkurtër, për të lexuar mbishkrimet e shpeshta si: “Staklar”, “Frizerski salon”, “Bravar”, “Berbernica”, “Autolimar”, “Autoelektriçar”, “Mehaniçar”, “Apteka”, “Kovaç”, “Kebapçilnica”, “Çajxhilnica” etj. Vendosja e shkronjave të mëdha cirilike gati sa vetë trupi i pronarëve, flet qartë se sa hipokritë dhe inferiorë janë këta shqiptarë të cilët në mesin tonë shtiren si burra me sedër dhe me dinjitet, ndërkaq në mesin e maqedonasve bëhen palaço cirku. Te ne gojën e kanë plot patriotizëm e micsokolizëm, kurse te maqedonasit - plot përulje e nënçmim.
Për të qenë ironia edhe më e madhe, ndonjëri prej këtyre pronarëve që i thotë vetes shqiptar, në ballkonin e shtëpisë së tij e ka vendosur edhe flamurin me shqiponjën dykrenare, por duke harruar i gjori se poshtë e ka ngjitur edhe mbishkrimin maqedonisht me shkronja cirilike. Nga ana tjetër, po ashtu, jemi dëshmitarë se ende ka nga ata shqiptarë që dokumentet e tyre të udhëtimit i nxjerrin vetëm në maqedonisht. Mjeranët e tillë rremenden se ashtu më mirë do ta kalojnë nëse i ndalon policia në rrugë apo nëse kanë nevojë për ndonjë punë administrative.
Teksa e shohim këtë realitet, vetvetiu pyesim: Vallë, kush na e ka fajin, ne që s’na bën përshtypje gjuha jonë amtare apo maqedonasit që nuk e zbatojnë atë në praktikë? Sigurisht është e turpshme dhe e dhimbshme kjo sjellje poshtarake dhe dyftyrane. Prandaj, duhet thënë fare troç: Kur vetë ne, bijtë e shqipes, siç na pëlqen të angërdufemi shpesh, nuk e respektojmë gjuhën tonë, atëherë si mund të na e respektojnë të tjerët? Jo, ore jo, shqipja nuk mbrohet me hipokrizi të harlisur, por me vepra konkrete. Mungesa e vetërespektit është sëmundje shumë e rëndë që po na e ha shpirtin.
Pa dashur të keqkuptohemi dhe, aq më pak, të bëjmë avokatin e dikujt, së pari fajin le ta kërkojmë brenda vetes sonë, e më pastaj do të kemi të drejtë që përgjegjësi të kërkojmë edhe nga të tjerët që jetojnë pranë nesh si bashkëqytetarë të këtij shteti të brishtë. S’do mend, në këtë rast mediat nuk do të bënin keq të merreshin edhe me këtë çështje kaq të neveritshme në mesin tonë. Sa keq kur vetë shqiptarët kanë frikë nga gjuha e tyre!

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...