2016-09-06
Natasha Lako: Nuk i fal ata që deponuan ndaj babait tim
Admirina Peçi
Kam lindur më 13 maj, ditën kur është arrestuar babai im. Për herë të parë e kam parë babanë kur isha 2 vjeç e gjysmë. Nuk kishte si ta shihja më parë... Ai ishte në burg. Nga shokët dhe miqtë e mi, asnjëri nuk ka ditur asgjë, asnjëherë. Nuk ia kam thënë askujt. S'kisha si t'ia thosha. Nuk mund ta diskutoja. Ja tani po e flasim bashkë.... dhe më vjen turp që e them, pse nuk e kam thënë më parë. Edhe prindërit e mi, nuk ma kanë thënë tamam. Unë e kam marrë vesh shumë vonë. E kam mësuar tamam historinë e babait tim falë një kokëkrisje time, kur në fund të 1989-ës vendosa të mposhtja frikën dhe të shkoja në Gjykatën e Lartë, dhe të pyesja nënkryetaren e kësaj gjykate për vërtetimin e dënimit të babait tim.
Por merreni me mend se me çfarë emocioni e kam bërë këtë. Me dukej sikur në Gjykatën e Lartë, aty ku unë prisja të merrja një përgjigje, tek unë ishin ngulur tërë sytë e veshët. Më ngjante se të gjithë do të më shihnin dhe nuk do të më flisnin kurrë më, sepse kështu ka qenë koha.
Sepse kjo nuk është diçka që i përket historisë. Nuk është një kapitull i mbyllur. Ne ende sot jetojmë me hijen e asaj kohe. Ne nuk i flasim dot hapur njëri-tjetrit. Ne ende edhe sot, nuk e dimë se kush jemi. Jo më në atë kohë...
***
Natasha Lako, nuk i pëlqen debatet dhe replikat, që shpesh, në mos gjithherë degjenerojnë në sulme të ulëta e të pabaza. Por, ajo e rrëfen këtë copëz të historisë së saj, ndërsa përpiqet të më shpjegojë se s'mundemi sot t'i ndajmë si me thikë shkrimtarët zëdhënës të regjimit dhe shkrimtarët e dënuar të atij sistemi.
Pas intervistës së poetit Gëzim Hajdari, në "Gazetën Shqiptare" të hënën më 6 qershor, në të cilën përmenden emra shkrimtarësh e poetësh për të dy kategoritë dhe intervistës së Visar Zhitit vetëm një ditë pas saj, kjo bisedë me poeten Natasha Lako na zbërthen një tjetër këndvështrim mbi këtë përballje në botën e shkrimtarëve që gjeneron debate prej 20 vjetësh.
***
Lako përmend Çabejn, këtë intelektual që siç thotë ajo "ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm me veprat e tij", por sa i takon biografisë ai cilësohej atëkohë me biografi..." është pak të themi e murrme", - thotë poetja dhe vazhdon, "megjithatë këto gjëra nuk thuheshin hapur, sepse ishte një sistem aq i sofistikuar sa s'mund ta thuash me fjalë".
Pak çaste pas kësaj, si një krahasim realitetesh, poetja Natasha Lako, rrëfen një faj.
"Faji im i madh i asaj periudhe është ky: që nuk kam njohur Musine Kokalarin, megjithëse nëse e analizojmë, ç'faj mund të kem unë kur nuk ma kishte thënë asnjeri? Mbaj mend që në atë kohë kisha hasur disa shkrime në gazetat e kohës, disa poezi me pseudonimin Muza. Unë e ndjeja që kjo ishte grua nuk ishte burrë. Dhe pyesja shpesh brezin e mëparshëm, more po kush ishte Muza? Nuk ma thoshte njeri nga frika. Ishte një sistem aq i komplikuar...!"
Dhe mandej, kur historia e Muzës është rrëfyer së bashku me ndjenjën e fajit, Lako, nxiton të tregojë për dy personazhe të veçantë.
"Ai ishte nga njerëzit më të rrallë që kam takuar. E veçoj nga të gjithë njerëzit e tjerë..." E ka fjalën për Petro Markon. "Unë e dija kush ishte, sepse ishte kthyer në një legjende dhe e dija që kishte qenë në Spanjë dhe se përveç letërsisë së tij të madhe, shumë të thellë, e humaniste, ai njihej si një nga qëndrestarët, një nga stoikët, më të mëdhenj të këtij vendi", - thotë Lako.
Ndërsa, personazhi i dytë i veçantë për të ishte Lasgush Poradeci. "Merreni me mend, thotë poetja, "më 22 maj 1938, vetëm dy ditë pas bashkimit zyrtar të Austrisë me Gjermaninë, periudhë, kur asnjeri nuk guxonte të hapte gojë, Lasgush Poradeci bënte thirrje të shpëtonin Joklin nga antisemitizmi. Ishte nga të parët që dilte me thirrje publike, mund ta krahasojmë me Ajnshtajnin. Pra, ka pasur vizionarë të mëdhenj e të paepur që janë madhështorë", - thotë Natasha Lako dhe me keqar-dhje përmend një fakt, që diktatura nxitonte t'ia vinte në dukje sa më shpesh Poradecit. "E dini që në kohën e sistemit komunist Poradecin e dënonin se paskësh bërë një poezi njëherë për mbretin!!! E ç'rëndësi ka kjo?".
Sipas Natasha Lakos, ajo që vlen të diskutohet sot është vepra. Dhe jo vetëm në kontekstin e kohës kur u shkrua, por sa qëndron ajo në sistemin e vlerave. "Sot secili ka këndvështrimin e tij. Sa mirë që jemi kaq të ndryshëm dhe që mendojmë dhe i shohim gjërat ndryshe! Është një sistem konkurrence dhe konkurrenca bëhet me vlerën, me çfarë qëndron. Nëse ka një shkrimtar që i qëndron vepra letrare këto, diskutimet që bëhen sot, janë thjeshtë budallallëqe, domethënë nëse një shkrimtari i qëndron vepra letrare dhe nuk goditet vepra por shkrimtari si njeri, kjo është tjetër punë. Por është ndryshe nëse dikush mendon se i kanë vënë poshtë madhështinë e tij dhe tani i duket vetja se duhet të bjerë dikush që të ngrihet ai lart. Unë uroj që të arrijë famën çdo njeri. Rëndësi ka të ketë vlera letrare".
***
A duhet të çuditemi? Si duhet të reagojmë ndaj spiunimeve, reagimeve, frikës a rrethanave e tjera të asaj kohe? Si duhet ta analizojmë atë periudhë? Duke i gjykuar në kompleks, Natasha Lako thotë se nuk çuditet me asnjë reagim. Këto janë gjëra krejt njerëzore. Nuk çuditem me asgjë. U botua së fundmi një libër, ku jepej se Konica ka spiunuar Nolin dhe kur vërtet dosjet e CIA-s, asnjëherë nuk e kanë vërtetuar se Noli ka qenë i lidhur me atë që thuhet këtu me propagandën bolsheviste. Se po kështu me bolshevizmin po lidhin edhe Migjenin!!", - thotë Lako dhe i mëshon theksit në natyrën e njeriut që në rastin e Petro Markos, kishim të bënim me një qëndrestar të paepur, por në ndonjë një rast tjetër, jo dhe aq. I përmend zonjës Lako, disa mëkate shkrimtarësh, që zënë shpesh faqet e gazetave. Për këto mëkate, një pjesë e të lënduarve kërkojnë shpagim. E një pjesë tjetër kërkon të harrojë. Natasha Lako, pohon me kokë se ka patuar edhe mëkate. "E kanë thënë hapur. Janë shkuar edhe libra, për ata që kanë deponuar. Unë atë gjë nuk e bëj. Nuk e pranoj dot. E kam provuar mbi veten time. Nuk mund ta fal dikë që ka deponuar. Babai im e ka falur. Por babai e falte pasi, thoshte, 'e kanë torturuar'. Por unë personalisht nuk i fal, sepse mendoj se në qoftë se ne do të kishim qenë pak më të guximshëm nuk do të kishim këtë shoqëri që kemi sot. Sepse ne nuk jemi gjyqtarë të mirë për disa gjëra që kemi përgjegjësi.
Për gjëra që i takojnë krijimtarisë nuk i gjykoj. Por veprimet konkrete, deponimet, nuk i fal".
***
Do të ndajmë me poeten Natasha Lako edhe një mendim të fundit, mbi faktin se pse situata ishte kaq e nxehtë për rrethet e shkrimtarëve dhe artistëve? Ajo thotë se kështu ngjan në dukje. Mbase nga që shkrimtarët janë më të njohur, a mbase për efekt të konkurrencës, por absolutisht ata janë si të gjithë njerëzit e tjerë.
"Ajo ka qenë një periudhë e vështirë dhe vijon ende sot një inercie e saj. Nuk ka përfunduar. Është e pambyllur". Natasha lako rrëfen një fragment nga kujtimet e saj dhe nxjerr nga ky rrëfim një përfundim që ngjan kaq i prekshëm e real, mbi rrënjët e hershme të mafias në Shqipëri.
"Vetëm njëherë kam shkuar në Komitetin e Partisë për të kërkuar shtëpi, sepse ishim shumë ngushtë. Mbaj mend se atë ditë kam parë 3000 letra anonime që i përmblidhte sekretarja dhe hartonte raport për Foto Çamin. Mbase ishte një përmbledhje e anonimeve të një muaji. Por, m'u dukën vërtet shumë. 3000 letra anonime!!! Më është fiksuar një letër që vinte nga Valiasi, nga një mbledhje e Partisë atje. Më bëri shumë përshtypje. Unë nuk kam qenë asnjëherë anëtare partie dhe isha shumë e interesuar të dija se ç'bëhej brenda mbledhjeve të partisë. Ata për mua janë një enigmë e madhe. Mbase mafia e parë shqiptare është krijaur në ato mbledhje e organizmi. Nuk dua t'i rëndoj se edhe unë në fisin tim kam pasur komunistë, por kjo është e vërtetë. Për mendimin tim përgjegjësia morale e komunistëve duhej të ishte shumë më e madhe".
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...