2016-09-06

PASIONI I ENVER HOXHËS PËR LIBRAT DHE LEXIMIN E TYRE



Lexuesve u kemi premtuar se do të përpiqemi të zbardhim gjëra të ndryshme që kanë të bëjnë me Enver Hoxhën, me jetën dhe veprimtarinë e Tij. Kështuqë do të fillojmë nga e para – nga libri, roli dhe rëndësia e librit në jetën e Enver Hoxhës.

Shumë kush nga ne ka parë shpesh fotografi të Enver Hoxhës me libër në dorë ose pranë librave. Kjo nuk ishte e rastit dhe sa për ndonjë fotografi rasti. Këtë e dëshmon vet puna e Tij gjatë gjithë jetës, duke shkruar edhe vet një mori të tërë librash.

Që në vegjëli libri u bë për Enver Hoxhën shoku i Tij i pandashëm. Etja për dituri dhe informacione u bënë pasioni i Tij deri në frymëmarrjen e fundit. Edhe në shtigje të ndryshme anë e kënd Shqipërisë gjatë luftës, në çantën e Tij, pos hartave dhe dokumenteve, do gjente vendin e vet edhe ndonjë libër. Libri i rilindasit tonë kombëtar Sami Frashëri “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhet” e shoqëroi gjithandej deri pas çlirimit nga nazifashizmit.

Pikërisht libri, si pjesë e pandashme në jetën e Tij, u bë arsye që një grup bashkatdhetarësh tanë, në vazhdën e traditës për kremtimin e ditëlindjeve të Enver Hoxhës, që ditëlindja e 92-të e Tij që kremtohet në mes të librave. Një ide e tillë ndryshoi mënyrën e manifestimeve shabllone. Për këtë rast në një librari në qytetin Luzern të Zvicrës u hap një ekspozitë me fotografi të Enver Hoxhës dhe të periudhës në Shqipëri që lidhet drejtpërdrejt me emrin, punën dhe djersën e Tij. Në këtë Ekspozitë, pos fotografive u ekspozuan edhe një numër i madh librash të Enver Hoxhës në gjuhën shqipe, angleze, gjermane, franceze e spanjolle. Ekspozita ndenji e hapur për dy javë rresht dhe interesemi, sidomos i zviceranëve ishte i dukshëm. Librarinë e stoliste edhe një parullë e gjatë mbi 8 metra, e në të cilën shkruante “92 – Lavdi jetës dhe veprës së pavdekshme të Enver Hoxhës!”

Manifestimi me këtë rast përfundoi me një tubim rasti pikërisht në mes të librave në librari, ku disa dhjetëra dëgjuan me vëmendje leximin dhe diskutimin e poemës së Dritëro Agollit “Nënë Shqipëri” në gjuhën gjermane dhe në ate shqipe.

Lidhur me librat dhe bibliotekën e Enver Hoxhës si dhe me merakun e Tij për librat, më së miri e përshkruan bashkëshortja dhe bashkëpunëtorja e Tij e ngushtë Nexhmije Hoxha në librin e saj i dytë “Jeta ime me Enverin” kujtime 2. Pikërisht me librin dhe rreth librave ajo edhe e fillon librin e saj të dytë me titull “Pasuria e vetme e Enverit”. Prandaj po japim një pjesë të këtij kapitulli.

Tomorr Shpata


* * * *
* * *



PASURIA E VETME E ENVERIT

Enveri dhe Nexhmija në bibliotekë

Biblioteka e Enver Hoxhës përmbante rreth 25 mijë tituj librash. Përveç këtyre, secili nga të tre fëmijët tanë kishte afërsisht nga 5 mijë libra, shumë nga të cilat ua kishte falur babai i tyre, sipas interesave profesionale. Libri i parë që zuri vend në bibliotekën e familjes sonë të re ishte libri i të madhit Sami Frashëri, "Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e ç'do të bëhetë", që Enveri e nxori nga çanta e Luftës bashkë me një tok rezolucionesh e vendimesh historike të marra në Përmet, Berat, si edhe broshura e koleksione të trakteve të botuara gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. Dora-dorës, biblioteka u pasurua me botimet politike të Partisë së Punës dhe me botimet historike, letraro-artistike, shkencore etj. nga institucionet e shtetit tonë të ri.
Në bibliotekë u vunë librat që kishte ruajtur familja e Enverit nga koha e studimeve në Liceun e Korçës e në Monpelie të Francës. Libri më i vjetër në gjuhën frënge ishte "Le conte de Lisle antique" me shënimin: "Enver Hoxha - Gjirokastër-1926". Bashkë me këtë ishin një tok librash, të gjitha në frengjisht, të viteve 1936-1939.
Menjëherë pas Çlirimit u krijuan kushtet dhe në bibliotekën tonë filluan të vijnë shumë botime në gjuhën ruse nga Bashkimi Sovjetik, veprat e Marksit, Engelsit, Leninit e Stalinit, disa nga këto edhe të përkthyera në frengjisht nga vetë sovjetikët, si "Question du Leninisme" (Çështje të Leninizmit). Erdhën në Shqipëri dhe tërhoqëm për bibliotekën tonë edhe botimet më të mira të klasikëve rusë, që nga Dobroljubovi, Bielinski, Pushkini, Tolstoi, Dostojevski, Gogoli, Gorki, dhe të shkrimtarëve të periudhës së mëvonshme e të Luftës së Dytë Botërore, si Shollohov, Erenburg, Tvardovski, Fadejev etj., disa nga të cilët, më të hershmit, i kishim lexuar në frengjisht ose italisht, të tjerët i njohëm kur u përkthyen në shqip.

Pjesa më e madhe e librave të bibliotekës sonë ishte në gjuhën frënge, sepse këtë gjuhë zotëronte plotësisht Enveri. Pasurimi i bibliotekës në këtë gjuhë u favorizua edhe nga një marrëveshje që ishte lidhur mes Komitetit për marrëdhënie kulturore me jashtë (pranë Ministrisë sonë të Jashtme) dhe një zyre përkatëse që ekzistonte në Paris, më duket pranë Ministrisë së Jashtme, që merrej me përhapjen e kulturës franceze. Kjo zyrë shpërndante një katalog për botimet e reja në Francë dhe ato që ndodheshin në qarkullim, katalog që i vinte rregullisht Enverit. Pasi ky u vinte një shenjë anash titujve të librave që dëshironte (duke e frenuar veten, që të mos e tepronte) katalogu kthehej po në atë rrugë që vinte. Veçanërisht në kohën që Misto Treska ishte në drejtim të Komitetit për marrëdhënie kulturore me jashtë dhe kur shkoi si ambasador në Francë, pasurimi i bibliotekës sonë bëhej rregullisht.
Enveri ndonjëherë bënte porosi edhe drejtpërdrejt për të blerë ndonjë libër në treg. Lexonte në gazetën "Le Monde" ose në revista, si në "La Pensé" dhe në "Literature Française" që ishte vënë në qarkullim ndonjë libër i ri politik, filozofik ose edhe letrar, që dëshironte ta kishte sa më parë, e porosiste dhe i vinte nga ambasada jonë në Paris.
Në vitet e para pas luftës, librat na vinin, qoftë dhe ato nga Franca, me fashikuj (fletë) të paprera. Enveri nuk ia përtonte të merrej, në kohën e lirë, me prerjen e fashikujve me një thikë të mprehtë të posaçme librash ose të zakonshme kuzhine. Unë nuk kisha durim të merresha me këtë punë. Enveri, kur lodhej, thërriste infermieren e familjes, Kostandinën, e cila ulej dhe ajo në tavolinën e gjatë të bibliotekës dhe hapnin fletët e librit një e nga një.

Disa nga këto libra të vjetër, si edhe ato që ishin me lidhje të dobët, me shpinë e kapakë të dëmtuar, në vitet e mëvonshme u përtërinë fort bukur nga shtypshkronja "8 Nëntori", ku shtypeshin veprat e Enverit, dhe ato kanë të stamposur vulën e ndërrmarrjes.
Enveri, dora-dorës që në bibliotekë shumoheshin librat, e bëri zakon, si zbavitje, në mëngjes herët ose në kohën e lirë, të zhvendoste librat nga një vend tek tjetri, duke bërë një sistemim të ri: herë i vendoste librat në bazë tematike, herë në bazë periudhash historike, herë me autorë a sipas një plani që kishte ndërtuar ai në kokë. Ndodhte që unë merrja një libër për lexim, po pastaj s'ia gjeja vendin ku duhej vënë. Kështu, një ditë, kur kisha lënë mbi tryezë librat që kisha lexuar, Enveri më hoqi vërejtjen: "Jo vetëm s'më ndihmon për sistemimin e librave, por më ke bërë si bibliotekarin tënd" . "Po ç' të bëj unë, - i thashë, -kur ti një e dy ua ndërron vendin librave…". Qeshëm.

Enveri e trajtonte librin si diçka të shenjtë .

Kjo dukej që në mënyrën se si e mbante librin, të hapur në pëllëmbën e dorës së majtë, se si e kthente faqen me gishtin mesit të dorës së djathtë. Dy gjëra bëheshin objekt ngacmimi mes nesh: cigarja dhe libri. Unë i bija në qafë për cigaret e shumta që pinte, duke i thënë: "pije me masë!", "lëre fare!" etj.; ai, mua, për librat: "Kujdes! Mbaje mirë! Mos e thyej fletën ashtu!". Mua më dukej sikur ma bënte me qëllim për të më ngacmuar dhe nuk më vinte mirë kur ma përsëriste shpesh, sepse unë nuk isha nga ato që hapin faqet duke lagur gishtin me pështymë. Por, sidoqoftë, në kujdesin e respektin për librin nuk i afroheshe dot Enverit: unë, kur ndërprisja leximin mund ta thyeja fletën lart, poshtë, shumë ose pak, si të më vinte, pa vëmendjen e duhur, kurse Enverit i qe bërë refleks, edukatë. Thyente fletën e qoshes sipër fare pak dhe në një trekëndësh estetik ose, për librat e shtypura bukur e me fletë të mira, përdorte disa rripa prej lëkure që janë apostafat për t'u vendosur në mes librave. Të tilla Enveri i kishte blerë vetë gjatë pushimeve në Kaukaz, në Çekosllovaki ose ia kishin sjellë djemtë kur ishin jashtë për specializim. Në një sirtar të veçantë ruaja një libër të vogël, me kapakë të fortë kartoni, me fabulat e La Fontenit, që Enveri ia dërgonte nga Parisi Sanos, motrës së vet të vogël, ku, qoftë për të nxjerrë mallin e zënkave fëminore, ku vëllai më i madh e sidomos djalë i vetëm, ka epërsinë, e kërcënon së largu: " e zeza ti po e grise!".

Me lindjen e fëmijëve tanë, librat e Enverit u vunë në rrezik. U gjet libri i parë i çjerrë. Iliri ishte fëmija i parë, ishte akoma shumë i vogël për t'i folur për rëndësinë e librit, prandaj luajtëm pak "teatër": pa i bërtitur fare, e lamë të shihte se ishim shumë të pezmatuar nga kjo që kishte bërë, " gjynah, shih sa keq duket ky libër, e ndave nga shokët, ata kanë frikë se mos i bësh edhe ata kështu, librat i kemi xhan. Hajde shkojmë t'i bëjmë "oje, oje" (ishte shprehja e përkëdheljes për çdo gjë që i pëlqente të voglit) dhe kështu i erdhëm rrotull bibliotekës dhe djali përsëriste: "oje-oje", duke lëmuar librat me doçkën e vogël. Asnjë nga fëmijët tanë, as fëmijët e tyre nuk dëmtuan më asnjë libër të bibliotekës së Enverit.

Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për abetaret e librat e shkollës ose ata që u blenim nipërve për lexim, sipas moshës. Mania e tyre ishte t'u vinin figurave mustaqe, të vizatonin në to partizanë, milicë e gjermanë dhe ç'u thoshte fantazia e tyre.
Sidoqoftë, gjyshit iu desh të sakrifikonte dy libra, me ilustrime shumë të bukura: njëri ishte për qentë e racave të ndryshme dhe trajtimin e tyre, ndërsa tjetri për peshqit, për ata më të bukurit e më të çuditshmit në botë. Që t'i rrinin pak minuta në prehër, gjyshi filloi t'u tregonte herë librin e qenit, herë të peshkut, duke trilluar me pamjet e tyre lloj-lloj përrallash. Dhe ata, me të ardhur në studio, shpesh drejtoheshin te rafti i librave të tyre të preferuar dhe i kërkonin "xysit" herë "librin e çenit", herë të "pekut". Dhe gjyshi nuk ua prishte.

Sa ishim në godinën e vogël, ku banuam mbi 30 vjet, librat mbushën të gjitha mjediset e shtëpisë, dhoma e korridore, përveç dhomës së gjumit. Pastaj, në të gjitha raftet, librat u vendosën në dy radhë, gjë që vështirësonte gjetjen e librit të dëshiruar. Kur shtëpia nuk mbante më, filluam të hedhim sytë në ambientet e familjes së prindërve të Enverit. Dhoma e vetme e lirë u mbush gjer në tavan, por tavanet e asaj shtëpie ishin me kallama dhe, një natë dimri të ashpër, plasën tubacionet e ujit dhe dhoma u bë liqen. Arkitektët Eqrem Dobi e Sokrat Mosko e gjetën të pamundur të përforconin këtë shtëpi, që kishte dyshemetë me trarë e dërrasa e nuk mund të shërbente për vendosjen e librave të Enverit.

Iu drejtova shokut Hysni Kapo, Sekretar i KQ të Partisë, të cilit i parashtrova nëse duhej të shpërndaja e ku duhej të çoja një pjesë të bibliotekës së Enverit, sepse në shtëpi, - i thashë, - nuk ka më vend ku t'i vë. Mendimi im është që të mos i humbas librat e Enverit, qoftë edhe ato që u ka kaluar koha e mund të mos u kthehemi për lexim.
Edhe Hysniu ishte i një mendimi që në asnjë mënyrë të mos e shpërndanim bibliotekën e Enverit dhe propozoi "të gjenim përkohësisht ndonjë vend të përshtatshëm rreth e rrotull për t'i vendosur e, ndërkohë, të mendojmë - theksoi ai - të ndërtohet diçka në park a ngjitur me shtëpinë".

Fillova të kërkoj vende ku mund të dërgoja një pjesë të bibliotekës. Më në fund, një pjesë të librave, kryesisht ata rusisht dhe disa të tjerë që nuk na duheshin dora-dorës, i dërgova në katin e tretë të Shtëpisë së Partisë (që shërbente si klub për udhëheqësit e Partisë), që ishte afër shtëpisë sonë. Përgjegjësi i kësaj shtëpie ishte njëkohësisht kamerier që u shërbente shokëve të Sekretariatit e të Byrosë Politike në aparatin e KQ, Taqoja, siç quhej, ishte shumë i lidhur me Enverin. Ia dinte pasionin që kishte ky për librat. I thoshte: "Mos ki merak, se i kam kujdes vetë." Dhe me të vërtetë i mbante në rregull e pastër, megjithëse ishin dy dhoma plot deri në tavan. Kur i shpinte Enverit kafenë në zyrë, e kishte kënaqësi të madhe t'i çonte ndonjë libër që kishte ardhur në Bibliotekën e KQ. Megjithëse atë libër mund ta kishim në shtëpi, Enveri e falënderonte, duke qeshur dhe i thoshte: "Rrofsh, mo Taqo, që më sjell libra, më mirë libra se fruta…".

Një ditë Taqo Qirici u shtrua në spital, për të mos u ngritur më. Kur shkoi Enveri për ta vizituar, i miri Taqo i tha: "Mezi pres të dal, shoku Komandant, se kam merak për librat…".
Pas përpjekjeve të shokëve të udhëheqjes për të bindur Enverin që, përkrah banesës sonë, të ngrihej një godinë e re, më në fund, i vajti në zyrë Hysni Kapoja dhe i tha: "Shoku Enver, ne shokët e Byrosë vendosëm që të ndërtohen ngjitur me shtëpinë tuaj një ambient të përshtatshëm lidhur me moshën tuaj e gjendjen shëndetësore, si dhe për sistemimin e bibliotekës suaj…".

Kështu, më në fund, u vendos të ndërtohet shtëpia e re, që u ngrit brenda 15 muajve dhe në janar të vitit 1974 gjithë familja kaloi për banim në ambientet e reja.
Shtëpinë e vogël e lamë siç ishte, sistemuam më mirë e lirshëm librat nëpër rafte, duke i vënë në një radhë, të tjerët i kaluam në shtëpinë e re. Grumbulluam dhe librat që i kishim shpërndarë në ambiente jashtë shtëpisë.

LIBRI - SHOK I PANDARË GJITHË JETËN

Sado e ngarkuar të ishte dita e punës me problemet e hallet e Partisë e të shtetit, Enveri disa orë do të merrej me leximin e librave. Libri për Enverin është pak të thuash: " ishte ushqimi i ditës". Libri për Enverin ishte i domosdoshëm si ajri që thithte ditën e natën.

Ai e kishte zakon që lexonte paralelisht disa libra, duke i alternuar sipas kohës që i lexonte dhe interesit që paraqitnin. Të tjera libra lexonte në studio, të tjera në tryezën e punës, krejtësisht i përqendruar, të tjera libra lexonte në bibliotekë ose në këndin e tij të pushimit, në kolltukun pranë oxhakut, pasdreke a pas darke, të tjerë në krevat para gjumit, edhe këtu jo vetëm një libër. Tek komodina e krevatit kishte gjithmonë 3-4 libra të ndryshëm, që në 2-3 ditë ndërroheshin, sepse një libër nuk e mbante shumë ditë ose sepse, po të mos e tërhiqte njëri, merrte librin tjetër.

Refoja, punëtorja e shtëpisë, kur ndreqte krevatin, në mëngjes, shpesh binte ngushtë, sepse harronte të mbante mend a ta hiqte veç librin që Enveri kishte lexuar natën dhe e kishte vënë nën jastëk. Kur mbaronte së rregulluari krevatin, vinte pranë jastëkut një nga librat e komodinës. Kur shkonim për të fjetur, Enveri shikonte librin mbi krevat e më thoshte, duke qeshur: "Refoja sot më rekomandon të lexoj … filan libër, të … filanit."

Enveri edhe pas drekës, kur shtrihej për të pushuar, lexonte diçka dhe flinte shumë-shumë një orë a një orë e çerek. Ne e zgjonim, sipas porosisë së tij, në orën e caktuar. Pinte një kafe, hante një frut dhe fillonte punën në studio, shkruante ose lexonte materiale pune. Kur mbaronte punë, merrte e lexonte libra nga fusha të ndryshme.
Gjatë viteve shkollore e studentore, në Korçë dhe në Francë, Enveri u njoh me eposin francez, me shkrimtarët e poetët e mëdhenj të Francës, me iluministët e saj, me revolucionet e revolucionarët e mëdhenj francezë, që përmbysën sistemin feudal dhe bënë të mundur kalimin në sistemin demokratiko-borgjez.

Në mure të tërë, zinin vend raftet me librat që kishin të bënin me historinë e kulturën e Francës, që nga klasikët e vjetër të letërsisë, si Kornej e Rasini, me iluministët e shquar, Ruso, Volter etj., librat për gjithë periudhat e revolucioneve franceze dhe figurat e shquara të tyre, si Babëf, Sen-Zhyst, Marat, Danton, Robespier etj.

Në kujtimet për "Vitet e Rinisë", Enveri ka shkruar për këta kolosë të historisë, të kulturës e të letërsisë franceze, për preferencat e tij lidhur me këta emra të mëdhenj, duke vënë në krye Volterin, Robespierin, Sen-Zhystin e të tjerë… Pas botimit të këtyre kujtimeve, ku ai përmend shumë emra të shokëve të tij të Liceut të Korçës, e shoqja e njërit prej tyre rrëmoi në sendet e burrit të saj, që nuk jetonte më, dhe gjeti fletoren për të cilën i kishte folur dikur i shoqi. Ajo ia dha djalit të saj, që erdhi nga Shkodra dhe ma dorëzoi mua. Ishte një fletore me kapakë të fortë, e tëra e mbushur me shkrimin e imtë e të bukur të Enverit, ku kishte bërë konspektimin e Revolucionit demokratiko-borgjez francez, me shkaqet e ndikimet e tij në të ardhmen e Francës e më tej.

Kur një ditë pushimi po lexonte librin e Andre Malrosë "Trekëndëshi i zi", pjesën për Sen Zhystin (anëtar i Komitetit të Shpëtimit Publik gjatë Revolucionit Francez të vitit 1789), Enveri hapi bisedë e më tha:

"Sigurisht, libri është shkruar mirë dhe nga një njeri me kulturë, por nuk më pëlqen mënyra se si e trajton ai personalitetin e Sen Zhystit, revolucionar i madh, mik i Robespierit, duke e nxjerrë atë si "paraardhës" të Napolonit. Aty del pikëpamja reaksionare e autorit, që, pa pasur fakte e dokumente, përpiqet të vërtetojë se Sen Zhysti përgatiste "rrëzimin" e Robespierit dhe idetë e tij mund të quhen, më në fund, si frymëzuese të partive komuniste dhe fashiste"(!)

Siç theksonte Enveri, Andre Malro është i njohur për kulturën e tij, veçanërisht kur ai, si ministër i Kulturës në qeverinë e Francës, mori niciativën për pastrimin (zbardhjen) e ndërtesave të Parisit nga smogu shekullor.

Këtë e dinë të gjithë, por ndoshta nuk e kanë dëgjuar atë që na tha Sihanuku, kur ishte për vizitë në Shqipëri. Gjatë një pritjeje që u dha në Pallatin e Brigadave, kur biseda po sillej rreth vlerave kulturore e artistike të Kamboxhias, si monumentet e famshme skulpturore të Anghorit, ku rrënjët e drurët e pyllit janë kapërthyer me ndërtimet e gdhendjet e mahnitshme të shekujve të kaluar, Sihanuku, duke qeshur, na tregoi se Andre Malro, gjatë një vizite mes këtyre mrekullive, nuk e mposhti dot pasionin e tentacionin për të pasur diçka nga ky thesar dhe e mori fshehurazi një skulpturë të vogël. Por kjo nuk mbeti pa u marrë vesh dhe halla ime plakë, vazhdoi Sihanuku, (që nuk i ndahej nipit, si "familje mbretërore" që ishte), është shumë e revoltuar dhe e quan: "voleur, voleur!" (hajdut, hajdut!).

Shumë libra kishte në bibliotekën tonë për Napoleon Bonapartin, për ngritjen dhe rënien e tij, për figurën e tij kontradiktore. Enveri më thoshte se, me sa kishte lexuar, Napoleoni ishte një nga personazhet botërorë të së kaluarës për të cilin janë shkruar shumë libra dhe se qëndron në krye të listës së personaliteteve më të botuar. Por autorët borgjezë, theksonte Enveri, bëjnë dhe hilera, zgjedhin një titull interesant, manipulojnë të dhënat e njohura, shtojnë ndonjë gjë nga fantazia e tyre dhe nxjerrin një libër "të ri", që vjen edhe në Shqipëri…

Enveri hidhej nga tema të antikitetit e të së kaluarës në të sotmet. Për shembull, nga "Historitë" e Herodotit ose "Diskutimet e dhjetëvjeçarit të parë" të Tit-Livit ose "Princi" i Makiavelit në "Historitë sekrete të Hiroshimës", "Lufta sekrete 1939-1945" etj.

Në Bibliotekën e Enverit gjendeshin biografitë, autobiografitë, memoaret e persona-liteteve më të shquar botërorë të lidhur me Luftën e Dytë Botërore e më pas, duke filluar me Memoaret e Uinston Çërçillit, që i kishim në dy variante: ato shumëvë-llimshe, ku përshkruan jetën e tij që nga koha e rinisë së vet, kur ka marrë pjesë në luftën kundër boerëve në Afrikën e Jugut, dhe 2-3 vëllimet e veçanta për Luftën e Dytë Botërore, ku flet edhe për përshtypjet e tij nga takimet me Stalinin.
Për Rusveltin, ishin dy vëllimet e shkruara nga sekretari i tij i shquar e besnik, Hopkins, që ishin shumë tërheqëse dhe ishin vlerësuar lart nga qarqet politike, kritikët dhe nga opinioni publik, siç kam lexuar në shtyp.

Në bibliotekën tonë gjendeshin, gjithashtu, gjithë botimet, autobiografitë memoria-listike të presidentëve të SHBA, të familjeve të tyre, si ajo e dinastisë Kenedi, të bashkëshorteve ose këshilltarëve të tyre, si Kisingeri etj. Po ashtu edhe memoaret e Sharl dë Golit, ku përshkruan edhe gjithë ndeshjet (kontradiktat) që ai ka pasur gjatë Luftës së Dytë Botërore me qeverinë e Britanisë së Madhe.

Enveri ka qenë udhëheqësi im, si në çdo gjë, edhe në botën e librave

Ai më rekomandonte çfarë mund të lexoja, duke më folur shkurt për përmbajtjen e librit. E kishte zakon që, shpesh, gjatë leximit, kur i pëlqente diçka, si fakt, ngjarje, analizë me rëndësi ose ishte ndonjë poezi e bukur, ndonjë shaka e lezetshme, ma lexonte me zë. Natyrisht, unë e dëgjoja me vëmendje, se kjo më ndihmonte në zgjerimin e horizontit tim kulturor dhe më nxiste ta lexoja edhe unë atë libër.

Siç e kam theksuar diku, Enveri nuk lexonte më romane, por libra që shkruheshin për jetën dhe krijimtarinë e shkrimtarëve, të cilët ai i njihte gjerësisht, i lexonte me vëmendje e kënaqësi. Kur po lexonte një libër për Balzakun, më tha se autori e krahason me Napolonin, sikur Balzaku paska thënë: "Napoloni pushtoi Evropën, unë (Balzaku) me "Comedie Humaine" (Komedia Njerëzore) kam përfshirë në kokë tërë një shoqëri".

Enveri, duke e ditur se unë isha admiruese e veprave të Balzakut, në një letër të tij më shkruan:

"E mbarove librin e Balzakut "La terre" ("Toka")? Besoj se nuk ke gjetur ndonjë tjetër që të bëjë përshkrime aq të bukura…".

Enveri kushedi se kur e kishte lexuar këtë libër, si dhe shumë të tjera, por ai kishte një kujtesë fantastike, mbante mend përmbajtjen, emrat e personazheve, sikur i kishte lexuar një ditë më parë, kurse unë, ndonëse lexoj shumë, ruaj më shumë mbresat e përgjithshme që më lenë përshkrimet e gjendjeve shpirtërore të personazheve, lufta që bëjnë ata për jetën, për shoqërinë, për dashurinë etj.
Librat që merreshin më shpesh nëpër duar ishin ato të kolosëve të letërsisë franceze, që ne i kishim në kopje të veçanta, po edhe në seri të plota të veprave të tyre, siç qenë ato të Viktor Hygoit, shkrimtari apo, më mirë të them, poeti më i dashur i Enverit, shumë nga vjershat e të cilit i dinte përmendsh. Kurse nga francezët, shkrimtari im më i dashur ishte Honore Balzak, nga i cili kishim 2-3 lloj nga seritë e tij të plota, botimi më i fundit qe shumë i bukur e luksoz, me kapakë të bardhë e fletë shumë të holla, si të mëndafshta.

Në bibliotekën tonë nuk mungonte pothuajse asnjë nga shkrimtarët shumë të njohur francezë, si Stendal, Zhorzh Sand, Flober, Mopasan, Zola dhe të tjerë më të vonshëm, si Josef Kesel, Aragon etj.

Shumë interesante ishin veprat e biografit të shquar Andre Morua, që u ka kushtuar botime të veçanta disa shkrimtarëve me emër, si ajo kushtuar Hygoit, me titull "Olimpi", Bajronit me titull "Don Zhuan", Zhorzh Sandit, me titull "Leila", Dymave (at e bir), si dhe monografitë mbi jetën e Volterit, Disraelit, Shellit, Dikensit. Krahas këtyre portretizimeve letrare, po aq interesante ishin veprat e tij historike, si "Historia e Anglisë", "Historia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës" dhe "Historia e Francës".
Nga Henri Truaja kishim një seri të veprave të tij, me një lidhje të veçantë, të bukur dhe luksoze. Po kështu, lidhur bukur ishin edhe veprat e Moris Druon.

Marsel Panjol ishte një nga shkrimtarët që na kishte tërhequr veçanërisht të dyve, me stilin e humorin e tij, kur përshkruan fëmijërinë e vet. Ishin libra zbavitëse, prandaj i merrnim me vete disa herë kur shkonim në pushime.

Enverit shpesh i kujtoheshin poezitë e rinisë

Në studio, pranë oxhakut, përkundrejt qoshes së pushimit, kishim vënë televizorin. Zakonisht shikonim lajmet e Tiranës, lajmet e debatet që transmetonte televizioni italian dhe ndonjëherë shikonim ndonjë film. Shpeshherë Enveri më befasonte me komentet e kujtesën e fortë lidhur me temat historike që trajtonin filmat dhe poezitë që u kishin kushtuar atyre. Unë këtu po shënoj vetëm disa nga poezitë që Enveri i kujtonte rastësisht, të mësuara 50 e ca vjet përpara, në rininë e tij.

Një mbrëmje, kur po ndiqnim në televizor filmin mbi Eneidën, sipas Virgjilit, kur Hanibali kalonte nga Kartaga për t'u hedhur në Itali, Enveri filloi të më recitojë sonatën e famshme "La nebbia" e José Maria de Heredia:

"Sempronius Consul, fier de sa gloire neuve

"A fait lever le hache et marcher les licteurs

…………………………………………….

"Rougissant le ciel noir de flamboisement et lugubres

"A l'horisont brulaient les villages Insubres

(Konsulli Sempronius, krenar për fitoren e tij të re/ Bëri që të ngrejë sopatën dhe të vërë në lëvizje liktorët/

......................................................................
/Duke skuqur qiellin e zi me flakërime e zymtësi/ Në horizont digjeshin fshatrat e Insubris/.

Një pasdreke televizori po jepte një emision për kulturën franceze, po jepte pamje të një gjahu të aristokracisë për drerë. Enveri tek shikonte ato pamje, filloi të recitojë në frengjisht disa vargje, ku bëhej fjalë për:

"les cornes qui sonnent tristes" (boriet që bien trishtueshëm) që ndjekin "la biche" (sorkadhen) etj., etj., që unë nuk e mbajta dot mend as autorin, as vargjet e plota. E ndjej veten fajtore që s'i kam shënuar që në atë kohë, por këto ishin tepër spontane dhe, më vonë, kur isha shumë e ngarkuar me punë e, më pas, kur erdhën vitet e mbrapshta, të burgut, të persekutimit, nga të gjitha anët, dhe braktisja nga miqtë e mi shkrimtarë, nuk arrita të plotësoj boshllëqet e Ditarit tim me referencat e plotësimet nga autorët e vjershat që recitonte Enveri. Besoj se nuk është e pamundur që edhe nga 2-3 vargje të gjesh të tërën ose dhe autorin.

Një herë tjetër kur hapa televizorin dhe pamë që pianistja jonë Lili Tafaj po ekzekutonte disa pjesë, ndër to diçka nga Shuman, menjëherë Enveri nisi të recitojë disa vargje, që i shënova më vonë, siç i mbajta mend:

"E l'âme de Schuman

Errante dans l'éspace

Semble dire une peine

Impossible à guerir"

(E shpirti i Shumanit/ Endet në hapësirë/ Duket sikur flet për një dëshpërim/ I pamundur për shërim).

"Të kujt janë këto vargje?" - e pyeta. "Nuk mbaj mend, më tha.

Një natë duke parë filmin "Lufta dhe Paqa", sipas romanit të Tolstoit, me artist Sergei Bondarçukun (të cilin e kishim njohur në Karlovi Vari të Çekosllovakisë), kur po jepeshin ca skena furtune që përfytyronte Andrea Volkonski, i plagosur rëndë, Enveri tha: "E di si i quan V. Hygoi këto përfytyrime: "La tempette en crâne".

Kurse një herë, kur po shikonim filmin "Mosé…" Enveri, duke e ndjekur, tha: "Alfred dë Vinji ka shkruar një poemë, ku Moisiu thotë: "Laissez-moi m'en dormir du sommeil de la terre"

(Më lini të fle gjumin e tokës). Hebrenjtë - vazhdoi bisedën Enveri - besonin në një perëndi, por jo si kristianizmi që beson se Krishti u ngjall e shkoi te perëndia… Edhe myslimanizmi beson në një perëndi dhe pejgameri është i dërguari i tij në tokë.

Një herë tjetër po shikonim në televizor një film mbi Kleopatrën. Dihet në histori se me të u dashuruan dy konsujt e Romës, Jul Qezari e Mark Antoni. Ky i fundit në rivalitet me Qezarin, bashkoi anijet e tij me ato të Kleopatrës në luftën që bënte kjo në disa ishuj të Greqisë të asaj kohe. Në këtë luftë Mark Antoni humbi flotën e tij, por i mbeti Kleopatra. Enveri, duke parë Mark Antonin me Kleopatrën, qetë-qetë, nisi të recitojë disa vargje kushtuar Kleopatrës, nga të cilat unë mbajta mend ndonjë, ashtu gjysma-gjysma:

"Et dans le profond de ses yeux (të Kleopatrës)

"Il vit couler ses galéres…"

(Dhe në thellësinë e syve të saj/ Ai pa të fundosen anijet e tij/).

Këtu përmenda vetëm recitimet spontane të Enverit para televizorit, por ishin dhe të tjera rastet që e nxitnin Enverin të recitonte: mjaftonte një kujtim ose duke lexuar një libër, si dhe gjatë ndonjë shëtitjeje, Enveri fillonte të recitonte, me atë zërin e tij të ngrohtë. Ai më bëri të njoh e të shijoj shumë nga poetët francezë.
Enveri pëlqente stinën e vjeshtës, me gjethet e verdha të kuqe. Në parkun e oborrin e shtëpisë dhe pranë ballkoneve - me porosi të tij - kishim mbjellë drurë dekorativë e lule kacavjerrëse, si bukëvile, që në vjeshtë kishin lule të bukura, rozë e lilah, kurse gjethet u skuqeshin; madje kishim mbjellë edhe hurma, jo për frutat e tyre, por pikërisht sepse gjethet skuqeshin bukur në vjeshtë. Ndoshta në këtë shije kishin ndikuar edhe vjershat e shumë poetëve francezë kushtuar "gjetheve të vdekura" (les feuilles mortes). Të kujt ishin vargjet që recitonte Enveri nuk e di, por shpesh dëgjoja emrat e Anatol Frans, Alfred dë Vinji, Alfred dë Mysè e të tjerëve.

Më kujtohet një rast, kur më 1 shtator, përcollëm për herë të parë në shkollë nipërit, Enveri më tha: "… Po më kujtohet një përshkrim i bukur i Anatol Fransit, kur shkoi për herë të parë në shkollë, me beretën e ngjeshur në kokë, me kartelën (çantën) në krah, me zemrën që i rrihte:

quand je traversais le jardin de Luxembourg,

quand les feuilles d'automne tombaient une à une

sur les épaules blanches des statuts"

(kur kaloja kopshtin e Luksemburgut,/ kur fletët e vjeshtës binin një nga një/ mbi supet e bardha të statujave).

Më kujtohet po ashtu se ai permendte shpesh "Poil de carrote" të Zhyl Renard dhe "Petit chose" të Alfons Dodés.

Në bibliotekë kishte mjaft libra me studime e përshkrime të historisë e të kulturës së popujve të kontinenteve të ndryshme, si ata për astekët, konkuistadorët, për shtypjen e skllevërve dhe zakonet e çuditshme në ishujt e Karaibeve, që ishte një seri e tërë me autor Zh. Zhakemar (Jean Jacquemard); një seri tjetër, me kapakë të zinj mbi Atlantidën, "kontinentin e zhdukur" në oqeanin Atlantik, që ndan kontinentin tonë dhe atë të Afrikës me dy Amerikat, për të cilat, Enveri, me tregimet e tij, më nxiste t'i lexoja edhe unë, po kështu më tregonte për luftën "e çuditshme" të tupamarëve të Amerikës Latine.

Biblioteka, për Enverin, nuk ishte stoli

Për këtë mund të flitet pa mbarim. Nga çdo lexim ai nxirrte konkluzione për vete, për veprimtarinë e tij politike e shoqërore dhe për ata që e rrethonin, si për mua, për fëmijët dhe për shokët që mund të kishin nevojë.

Po sjell një shembull:

Enveri pasi lexoi një libër për Jan Husin, heretikun dhe rebelin reformator çek, shkruar nga Rishard Hedertal, nisi të më tregonte për përmbajtjen dhe dobinë e tij. "Ky libër të jep mundësi - tha - të njihesh me ato nuanca të holla të përpjekjeve dhe të luftës së reformatorëve të kishës katolike romake, të rebelëve dhe të heretikëve, të jep një pasqyrë të kontrasteve e të kthesave të një periudhe të zezë, por në të cilën po skalitej fizionomia e ardhshme e vendeve perëndimore".

Libra si ky, mbi lëvizjet fshatare, Enveri i lexonte me vëmendje të veçantë dhe, duke iu rikthyer atyre, sigurisht, këtë e bënte për t'u orientuar më drejt në historinë e popullit tonë, ku shumicën e përbënte fshatarësia. Kur, një herë, Byroja Politike ngarkoi Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste të ndërmerrte një studim të shumanshëm për fshatarësinë tonë, më kujtohet një thënie e Enverit: "Studimi i historisë së fshatarësisë shqiptare është të bësh pak a shumë historinë e popullit shqiptar". Enveri edhe kishte shkruar për disa momente të rëndësishme të historisë së luftës kundër shtypjes sociale, fetare, kundër papatit, duke mbajtur parasysh ato që kishte shkruar Engelsi për luftën e fshatarësisë gjermane. Enveri ndalet në figurën e reformatorit Tomas Myncer, të Martin Luterit dhe të Savonarolit, i cili, para tyre, ngriti krye kundër sunduesve të Firences dhe kundër Papës.

Në bibliotekë Enveri kishte shumë libra që bënin fjalë për historinë dhe kulturën e popujve të Orientit, sidomos lidhur me atë të Persisë, të Lindjes së Afërme e të Mesme, të popujve arabë, të filozofisë së tyre islamike, që u shtri, edhe me armë, gjatë gjithë bregut verior të Afrikës, që e quajnë edhe Magreb, e deri në Spanjë.
Një natë Enveri më lexoi pjesë nga poema e Gilgameshit, vepër nga më të vjetrat në letërsi e që për mua qe krejt e panjohur. Ai e lexonte me kënaqësi të madhe. Kjo më bëri ta lexoj e ta ruaj me kujdes atë libër në një vend të posaçëm, sepse ishte botim shumë i vjetër dhe i vogël sa një paketë cigaresh, por brenda ishte një xhevahir, që nuk doja të humbiste mes gjithë atyre librave voluminozë që kishim në bibliotekë.

Një ditë, tek po lexonte një libër mbi historinë e Algjerisë, Enveri më thoshte që lufta e algjerianëve ka qenë më e komplikuar dhe e vështirë, se ata kanë vuajtur shumë nga infiltrimi i armiqve të maskuar ose nga tradhtia e disa kuadrove me përgjegjësi të FLN (Front de Liberation National - Fronti i Çlirimit Kombëtar), që kanë shkaktuar humbje të qindra e mijëra vetave. Te ne nuk ndodhi kështu, nuk jemi dëmtuar aq nga tradhtia.

Duke lexuar nga seria "Memorial des siécles" (Kujtesa e shekujve), Enveri ndeshi në një shkrim të vjetër, "Aleksiada", të shkruar nga princesha Ana Komnena, vajza e perandorit të Bizantit, Aleksis i Parë, që mbretëroi nga 1081 deri më 1118 në Bizant, nën sundimin e të cilit ishte dhe Dyrrahiumi (Durrësi). Princesha Ana Komnena flet për kryqëzatën e parë dhe pikërisht për mbretin Ubos, që valët e detit e përplasën në Durrësin e vjetër dhe është pikërisht ajo që thotë se anija e këtij mbreti u shkatërrua në "Kepin Palli". Pra, Bishti i Pallës, vërejti atëherë Enveri, sipas Ana Komnenës, s'ka të bëjë as me pallën, as me Skënderbeun, që jetoi tre shekuj më vonë nga kjo ngjarje. "Në shkolla - shtoi Enveri - si mua dhe bashkëkohësve të mi, na mësonin dhe kështu e dinim dhe kështu ka mbetur, sikur Bishti i Pallës në Durrës ardhka nga fjala pallë, pasi ka formën e pallës dhe, për më tepër, se atje Skënderbeu kishte luftuar me turqit me pallë, prandaj këtij vendi i paska mbetur emri "Bishti i Pallës". Kjo të bën të mendosh - tha Enveri - për erudicionin që u duhet historianëve tanë, që e kanë për detyrë shkencore t'i kërkojnë të dhënat, t'i analizojnë, t'i krahasojnë, t'i verifikojnë…".

Ishte eveniment kur Enveri gjatë leximeve të librave gjente pjesë ku flitej për Shqipërinë. Duke lexuar një libër të njëfarë Klod Pastër, me titull "Le prince de Ligne - l'enchanteur de l'Europe" (Princi i Linjës - mahnitësi i Europës), botuar nga libraria akademike Pervin), Enveri gjeti në të dy paragrafë ku flitet për shqiptarë. Më nxiti ta lexoj edhe unë atë libër.

Ky princ francez, që kishte shëtitur gjithë oborret mbretërore të Europës dhe ishte mik i Katerinës II të Rusisë (e cila mbretëroi në vitet 1762-1796), kur po udhëtonte në stepa dhe ishte mik në Khanë tek tartarët, u ndal në Kaukaz. Pasi përshkruan veshjet e princërve kaukazianë, çirkazienë, si në përrallat e një mijë e një netëve, shkruan: "…et ce bataillon de deux cent femmes albanaises armées de fusils et de lances, les cheveux longs et tressés, les seins fiers, venues de loin saluer le cortege, sur de chevaux à demi sauvages… (…dhe ky batalion me dyqind gra shqiptare, të armatosura me pushkë e shigjeta, me flokë të gjata, të bëra gërshet, me gjinj të ngjeshur përpjetë, të ardhura nga larg për të përshëndetur kortezhin mbi kuaj gjysmë të egër…).

Diku më poshtë (f. 186) shkruhet: "… Ligne regarda les Tartares… il leur fit demande par un interprete albanais, (nënvizimet janë të miat - N.H.), s'ils savaient qu'il était leur maitre? Non, ils ne comprenaient pas trés bien ce que cela voulait dire…" (Linjë vështroi tartaret, dhe nëpërmjet një përkthyesi shqiptar i pyeti nëse e dinin se cili ishte komandanti i tyre. Jo, ato nuk e kuptonin shumë mirë se ç'do të thoshte kjo…).

Lidhur me këta paragrafë shkëmbyem disa mendime me Enverin: nga vinte ky batalion grash? Po ky përkthyes? Mos ka të bëjë kjo me atë që i kishte thënë Stalini se ka në Kaukaz një vend që quhet Alban, por që shkencëtarët sovjetikë iu përgjigjën Stalinit, në prani të Enverit: "Jo, s'kanë të bëjnë me shqiptarët"?

Këtu po bëj një ndërhyrje. Enveri nuk e kishte zakon të bënte nënvizime në libra dhe këtë ma kishte ndaluar kategorikisht edhe mua a kujtdo që merrte libër nga biblioteka e tij. Ai nuk e kishte fort qejf të merrte dikush libra, pra, tregohej tejet gjirokastrit, ose ia jepte, por me njëqind porosira. Megjithatë, në disa raste bënte përjashtim, kur në ndonjë libër - si në këtë rast interesant - kur flitej për Shqipërinë e shqiptarët, e nënvizonte me bojë të kuqe. Po kështu bënte edhe në disa libra historie ose filozofie.

Në këtë libër, edhe një gjë tjetër më tërhoqi vëmendjen: ky princ nuk lë mbretër e princesha të asaj kohe pa i zënë në gojë me hollësira të çuditshme rreth jetës së tyre, ndërsa "mbretër" të asaj kohe në fushën e letërsisë e të muzikës, o nuk i zë fare në gojë, si Bethovenin, ose për Gëten thotë: njëfarë Volfgang Gëte.

Eshtë i njohur interesimi i Enverit për origjinën e gjuhës shqipe, po ashtu takimet e bisedat e tij me prof. Spiro Kondën, që mbronte tezën e origjinës sonë nga pellazgët. Ai kishte lexuar dhe mjaft libra që shkruanin për gjuhën etruske, që gjer në kohët tona nuk kishin mundur ta deshifronin në pllaka e në varre që gjendeshin në tokën italiane. Kur studiuesi italian, Manjani, i dërgoi me autograf librin e tij "Fundi i misterit etrusk", ku deshifron gjuhën etruske me anën e gjuhës sonë, Enveri u entuziazmua dhe tha: "Kjo është shumë e bukur dhe do të na pëlqente që gjuha jonë të ishte kyçi i zgjidhjes së këtij problemi misterioz".

Në këtë drejtim, edhe shoqja ime e shkollës, Nermin Vlora -Falaski, ka bërë zbulime interesante, që i ka paraqitur në konferenca e botime të saj, të cilat m'i ka dërguar mua dhe i kam lexuar me kënaqësi, pavarësisht se gjuhëtarë tanë të njohur nuk janë të një mendimi me Manjanin dhe me Nerminin.

Një mbrëmje Enveri, tek po lexonte librin "Dans le turbillon de l'Histoire" (Në vorbullën e historisë) të amerikanit Sulcberger, më tha: Janë kujtimet "gazetareske" të këtij njeriu, që hiqet si gazetar, por, në fakt, është një nga agjentët më të kualifikuar të zbulimit amerikan, CIA-s, e të djallit me të birin…

Në kapitullin për Ballkanin ai zë në gojë Shqipërinë gjatë Luftës së Dytë Botërore, por me përbuzje, duke thënë se populli shqiptar "di vetëm të çajë dru dhe të shesë lajthi qosheve të rrugëve".

Urrejtja që ndjen ai për Shqipërinë- theksoi Enveri- e bën atë jo vetëm të nënçmojë luftën e popullit tonë, por duke i ardhur keq që ne erdhëm në fuqi, zbulon intrigat dhe komplotet që kanë kurdisur anglezët, amerikanët dhe miqtë e tyre, për të likuiduar "qeverinë e Hoxhës", siç e quan ai pushtetin e popullit…

… Sulcberger citon Xhulian Emerin, oficer i misionit anglez te ne në kohën e Luftës dhe, pas Luftës, ministër, i cili, më 1949 ka shkruar se "anglezët dhe amerikanët shumë e kanë tjerrur deri në vezë organizimin e revoltës brenda në Shqipëri. Unë jam i mendimit - thotë Emeri- se me pak flori mund të ngremë fiset e Veriut të Shqipërisë kundër Hoxhës, pa u bërë vonë". Ja, si mendonin e vepronin armiqtë tanë. Këtë e pohojnë me gojën e tyre në librat që kanë shkruar.

… Titoja, nëpërmjet Gjilasit, e ngarkoi Sulcbergerin që të shkonte te mbreti i Greqisë dhe te shefi i shtatmadhorisë greke e t'u propozonte përfundimin e një pakti Jugosllavi - Greqi - Turqi, që u nënshkrua më vonë. Por rëndësi ka ajo çka shkruan Sulcbergeri në këtë libër për ne. Dëgjo, më tha Enveri, dhe më lexoi:

"Paris 28 prill 1953. Sonte në mbrëmje piva një gotë dhe bisedova me mikun tim të vjetër, Panajot Kanellopullosin, ministër i Mbrojtjes i Greqisë. Kur e pyeta si shkonin marrëdhëniet me Jugosllavinë dhe me Turqinë, ja ç'më tha ai haptazi: Në rast lufte nuk do të ketë ofensivë të përbashkët greko-jugosllave kundër Shqipërisë. Shpresohet që, brenda dy deri nëntë muajve që vijnë, do të arrijmë të kryejmë një grusht shteti, me anën e të cilit do ta çlirojmë Shqipërinë nga Hoxha dhe nga sovjetikët. Në qoftë se do të jetë e nevojshme, trupat amerikane do të mbajnë qetësinë pas grushtit të shtetit. Grekët pranuan që të mos merren me çështjen dhe lajmëruan, gjithashtu, pak a shumë me terma jo aq të qarta, jugosllavët…
Megjithatë- vazhdon "gazetari" të citojë ministrin grek të Mbrojtjes- në rast se grushti i shtetit nuk përfundon me sukses, me aprovimin e admiralit Karni, u vendos që nuk do të jetë e nevojshme të pushtohet Shqipëria. Kështu divizionet greke dhe jugosllave, që ishin vendosur të sulmonin Shqipërinë dhe të pushtonin vendin, lirohen…" (për t'u kthyer në bazat e tyre).

Dhe ky "gazetar", pas disa dekadave, kur planet greko-jugosllave për "grusht shteti e pushtim të Shqipërisë" dështuan dhe Shqipëria shpëtoi edhe nga synimet e mbrapshta të sovjetikëve hrushovianë, i kërkoi Enver Hoxhës të vijë në Shqipëri për ta intervistuar. Si mund ta priste Enveri këtë "gazetar", që futi në xhep gjithë ato informacione kobzeza për Shqipërinë, ish-aleate të vendit të tij, "duke pirë një gotë", që ai, në përfytyrimin e tij, i shikonte shqiptarët si njerëz që zbresin nga mali për të prerë dru… ose për të shitur lajthi..?!

"Gazetari" atë detyrë kishte, po dhe Enveri kishte krenarinë për atdheun e kombin e vet.

Duke pasur parasysh fqinjësinë dhe marrëdhëniet me Jugosllavinë, Enveri shënonte në katalog dhe i vinin librat që shkruheshin për Jugosllavinë nga autorë jugosllavë dhe të tjerë. Kështu, ai lexoi librin e shkruar nga Stojadinoviç, kryeministër i Jugosllavisë para Luftës së Dytë Botërore. Kishim në bibliotekë edhe dy libra të Milovan Gjilasit, ish-krahu i djathtë i Titos gjatë luftës, por që më vonë u shkëput nga ai dhe nga pozitat komuniste. Njëri nga librat ishte me kujtimet e tij nga takimet me Stalinin, ku bëhet fjalë edhe për vetëvrasjen e Nako Spirut, për disa shprehje të Stalinit për marrëdhëniet Shqipëri-Jugosllavi dhe për debatin e këtij me Dimitrovin, për të cilat unë kam shkruar në vëllimin I të kujtimeve të mia. Libri tjetër i Gjilasit, i botuar më vonë, ishte "La guerre dans la guerre" (Lufta brenda luftës), ku, ndër të tjera, vinte në dukje se lufta partizane jugosllave dhe veçanërisht udhëheqja e Titos dhe e grupit të tij (në të cilin Gjilasi nuk e përjashton veten, por e tregon më të dobëtin), ka qenë plot gabime politiko-ideologjike dhe ushtarake. Titoja dhe shokët e tij kanë djegur fshatra të tëra, njëlloj siç vepronin njerëzit e Drazhës, çetnikët dhe ustashët e Paveliçit. Lufta kryesore e Titos, sipas Gjilasit, ka qenë më shumë një luftë civile dhe më pak kundër pushtuesve.

Atëherë në Jugosllavi ishin në botim e sipër Veprat e Titos. Ne në bibliotekë kishim vetëm disa nga vëllimet e para të tyre, të cilat nuk e di nëse na kishin ardhur nga ambasada jonë në Beograd apo nga Kosova. Në shfletimin dhe leximin diagonal që u bëmë nuk na u dukën me interes. Kishim lexuar ndonjë nga shkrimet e biografit të Titos, Vladimir Dedijer, publicist i njohur edhe jashtë Jugosllavisë për mendimet e tij të lira dhe objektive.

Ky V. Dedijer, në qershor të vitit 1980 ndodhej në Konferencën ndërkombëtare që zhvillohej në Teheran të Iranit rreth problemit të luftës së popullit iranian kundër agresionit të imperializmit amerikan, ku merrte pjesë edhe një delegacion nga vendi ynë. Ditën që Dedijeri do të drejtonte seancën e Kon-ferencës, kur i kërkoi delegacionit tonë emrin e atij që do ta merrte fjalën, shfrytëzoi rastin dhe i tha përfaqësuesit tonë shprehimisht:

" Unë jam Vladimir Dedijer... Përshëndeteni nga ana ime shokun Enver Hoxha. Ai është nga njerëzit e mëdhenj të kohës, që luftojnë me guxim kundër të gjithë armiqve.
Unë e njoh, e njoh që në Konferencën e Paqes (të Parisit, 1946 - shënimi im: N.H.). Ngjarjet politike na kanë ndarë. Megjithëkëtë, unë ruaj respekt për të, e admiroj dhe e krahasoj me Skënderbeun.

Ju lutem, i transmetoni Enver Hoxhës përshëndetjet e mia dhe i thoni edhe këto:
Shqipëria ka një histori të trishtuar për shkak të fqinjëve. Unë kam gjetur një dokument për një aleancë që është arritur midis serbëve dhe malazezve për ndarjen e Shqipërisë në vitin 1912. Këtë marrëveshje bashkë me hartën e kam botuar në librin tim "Zonat e influencës".

Ju lutem edhe një herë ia thoni këto shokut Enver Hoxha".

Në bibliotekën tonë kishim një kolanë librash të vegjël nga formati, por shumë të rëndësishëm nga përmbajtja: ishin studime të zgjedhura nga universitetet më të shquara të botës mbi tema nga fushat më të ndryshme të shkencave e të teknikës. Ato mbanin siglën U dhe ishin shumë instruktive. Enveri i lexonte ato me kujdes dhe mbante ndonjë shënim, që e shfrytëzonte në raste të ndryshme, sidomos për mbledhjet e rëndësishme të Plenumit të KQ për Revolucionin tekniko-shkencor, për programet e lëndëve shkencore në shkollat tona, matematikën, fizikën, biologjinë, energjetikën, të rejat në këto fusha, si dhe për agronominë, shëndetësinë etj.
Në takimet me intelektualë e specialistë, Enveri nuk e ndjente veten ngushtë, sepse ai vazhdonte të studionte me këmbëngulje si një student e studiues, natyrisht, jo vetëm librat e kësaj kolane, por edhe nga enciklopeditë shumë të rëndësishme, që kishim në bibliotekë, si dhe botime të veçanta për fushat ekonomike-shkencore.

Enveri porosiste në katalogë edhe libra të fushës së mjekësisë, sidomos nga ato që kishin të bënin me diabetin dhe zemrën. Këto i lexonte vetë, por kur mjekët u bënë si të shtëpisë dhe hynin lirisht në bibliotekë, Enveri ua jepte për lexim, madje ndonjë edhe ua falte ose ndonjë libër që e kërkonin ai e porosiste. Kështu, i solli prof. Ylli Popës një libër voluminoz që, sigurisht, ishte për zemrën. Ose, kur na erdhi një "Encyclopedie Medicale", me ilustrime të organizmit të njeriut, të sëmundjeve të ndryshme, Enveri e hoqi nga biblioteka dhe ia dhuroi prof. Fejzi Hoxhës.

Biblioteka - shkollë e dytë për fëmijët

Ishte një kënaqësi e veçantë për fëmijët të gjenin babanë e tyre në bibliotekë, sepse në çdo rast ai e mbyllte librin që po lexonte dhe ata uleshin përballë tij, në tryezën e gjatë në mes të dhomës dhe, si të gjithë të vegjëlit, kuriozë, gjithë sy e veshë, ndiqnin histori që u tregonte Enveri.

Tregimet e tij synonin edukimin e tyre me frymën patriotike, të dashurisë për atdheun, për gjuhën, për njerëzit e shquar që ka pasur Shqipëria.

"Kur u ngrit në Vlorë Flamuri ynë, pas 500 vjet robëri nën pushtimin e turqve osmanllinj - u thoshte Enveri- unë isha i vogël, kur xhaxhai im, që e quanin Hysen Hoxha, kishte marrë pjesë në ngjarjen e madhe të Vlorës. Në shtëpinë tonë kishim një oda të madhe, ku shpesh vinin miqtë e xhaxhait tim, që ne të gjithë i thërrisnim Baba Çeni. Unë, si i vetmi djalë i shtëpisë, rrija në një cep të dhomës dhe dëgjoja bisedat që bënin si të mbronin lirinë e Shqipërisë nga armiq që i kanoseshin. Në një rast - vazhdonte Enveri - sikur po u tregonte një përrallë - xhaxhai im hapi një sënduk dhe nxori që andej një flamur të kuq me shkabën e zezë dhe më thirri mua e më tha: "Enver, puthe këtë, ky është flamuri ynë, me të cilin luftuan gjatë pesë shekujve Skënderbeu dhe të parët tanë, ta mbani lart dhe ju tani dhe ta nderoni".
Dhe ne, gjithë shokët e shkollës, me këtë flamur demo-nstronim në rrugët e Gjirokastrës në çdo 28 Nëntor, në përvjetorin e Ditës së Flamurit, ose kur dëgjonim se në Greqinë fqinje thureshin plane antishqiptare për ta shkëputur Shqipërinë e Jugut, sidomos Gjirokastrën, ose kur regjimi i mbretit Zog arrestonte patriotë që mbronin haptas pavarësinë e vërtetë të Shqipërisë. Këto demonstrata na ndiznin ndjenjat tona atdhetare dhe këndonim me zjarr këngët e rilindasve e të patriotëve të mëvonshëm, kushtuar Mëmëdheut, Flamurit, gjuhës sonë… Këndonte gjithë rinia, në shkolla e në rrugë, në Gjirokastër e Korçë, në Vlorë e Elbasan, në Tiranë e Shkodër:

"Shqipëri, atdhe i dashur

Ne s'të lëmë të varfërë"

……………………….
Ose:

"Të gjithë ne o shokë

Të japim besënë……"

Enveri i këndonte këto këngë me melodinë e tyre. Me të bashkohesha edhe unë dhe fëmijët edhe habiteshin, edhe qeshnin.

Ata hapnin sytë kur Enveri u tregonte se në vitet kur ai kishte bërë shkollën, nuk kishin fletore, por shkruanin në pllaka të zeza me kalema guri. Gjithashtu, Enveri u tregonte se në të kaluarën shkollat shqipe ishin të ndaluara, lejoheshin vetëm shkollat në turqisht ose në gjuhën greke. Edhe shkrimi i gjuhës sonë shqipe nuk është ky që mësoni e përdorni ju tani në shkollë, - u thoshte Enveri. Që të shkruhej kështu siç e kemi sot, gjuhëtarë dhe mësues të mëdhenj u mblodhën në një kongres, në Manastir, në qytetin ku ka lindur mamaja juaj- u tregonte Enveri fëmijëve në parantezë- duke u kthyer nga unë me buzëqeshje. Shumë mësues që luftuan për shkollën shqipe e alfabetin shqip, u vranë ose u helmuan. Ja, kur të mbaroni shkollën 8-vjeçare, do të shkoni në gjimnazin "Petro Nini Luarasi", që kemi në lagjen tonë. Ju do ta njihni atë se si dha jetën për gjuhën shqipe.

Enveri u përshkruante se me sa vështirësi gjenin ndonjë libër shqip, si të Naim Frashërit e të të tjerëve, që gjatë pushtimit otoman shtypeshin në Bukuresht. Ne - u thoshte Enveri- vjershat, këngët i mësonim përmendsh dhe vinim në skenë drama patriotike. Fëmijët qeshnin, kur babai i tyre u përshkruante rolet që kishte luajtur ai vetë, për mustaqet prej leshi të zi dhe që ndonjëherë i shqiteshin mu në lojë e sipër.

Biblioteka ishte ambienti më i gjerë që kishim në shtëpi. Dimri na mblidhte rreth oxhakut, po muajt e tjerë të vitit, në kohën e lirë, shpesh, fëmijët na gjenin në bibliotekë. Kur ishin të vegjël - siç kam shënuar më parë - babai u fliste atyre për historinë e Shqipërisë, për patriotët e për njerëzit e saj të mëdhenj, që luftuan me dije e me pushkë për Lirinë e Pavarësinë e saj. Kur ata hynë në shkollë të mesme, Enveri i pyeste se çfarë bënin në lëndën e historisë, të letërsisë etj. dhe pastaj fillonte t'u fliste atyre për periudha të ndryshme të historisë, duke filluar nga qytetërimet antike. U fliste për piramidat, që ishin një nga 7 mrekullitë e botës, si i kishin ndërtuar ato me mijëra skllevër, si kishin vdekur me qindra nën peshën e atyre gurëve aq të mëdhenj, pa pasur vinça e mekanizma siç ka sot; u fliste për faraonët, për zakonet e tyre, për mumifikimin e tyre, që i ka bërë të mos prishen për mijëra vjet. U tregonte, gjithashtu, për botën egjease, për pallatet e Kretës, për legjendën e "fillit të Arianës" në labirintet e Mikenës. Por edhe më shumë e në hollësi u fliste për "Iliadën" e "Odisenë", për luftën e Trojës, për Akilin, Hektorin, si e zbuluan Trojën etj., etj. Herë tjetër u tregonte për historinë e kohëve të mëvonshme dhe, sigurisht, gjerë e gjatë, për Revolucionin Francez, që solli kthesa të mëdha në jetën e shoqërisë, duke rrëzuar mbretër e robëri. Në një nga këto "orë mësimi", Enveri, si duket i kishte pyetur fëmijët për historinë më të re të Europës. Kur hyra unë, më thotë Enveri: "Moj, po këta nuk dinë se kush ishte Klemansoi!". Mua më erdhi ca për të qeshur, se Enveri dukej seriozisht i çuditur, kurse djemtë kishin ulur kokën si të zënë në faj. Dhe unë, me të qeshur, i thashë: "Po tani, Enver, në shkollat tona nuk e mësojnë me shumë hollësi historinë e Francës, siç e ke bërë ti në Liceun e Korçës… Tani këta mësojnë gjëra të reja, që atëherë në shkollat tona nuk na i bënin, si lidhur me revolucionin socialist etj.

Biblioteka ishte vendi më i qetë e komod, ku fëmijët, por edhe unë, mbylleshim për të përgatitur provimet, diplomat e punime të tjera me përgjegjësi, si referate etj. Kur punonin djemtë, Enveri hynte në bibliotekë, shkëmbente me ta ndonjë fjalë, merrte librat që donte dhe dilte. Por, kur vajza, si arkitekte, do të përgatiste diplomën, projektin për Muzeun e Krujës, ajo "pushtoi" gjithë bibliotekën, hapi mbi dysheme gjithë vizatimet e saj dhe, kur i duhej të dilte për të ngrënë ose për të fjetur, i vinte çelsin dhe e merrte me vete, se mos ia ngatërronim fletët. Nuk mbaj mend, por vazhdoi kështu mjaft ditë e net. "Na fiku, - thoshte Enveri - po mbetemi pa libra, si t'ia bëjmë?".
Enveri bënte edhe rolin e konsulentit dhe të rekomanduesit se çfarë librash të shfrytëzonim.
Kështu, kur Teuta, bashkëshortja e djalit tonë, Ilirit, përgatiste për botim librin me dokumente mbi Ismail Qemalin, Enveri i dha disa libra për historinë e Perandorisë Osmane, për Lindjen e Afërme, vendet e Ballkanit dhe luftën e këtyre kundër pushtimit osman e të tjera libra, zhvilloi me të disa biseda për vetë Ismail Qemalin, mbi funksionet e tij të larta në administratën turke, lëvizjet e tij në Europë dhe përpjekjet e tij për bashkëpunim me atdhetarët më të shquar brenda e jashtë Shqipërisë, derisa arriti në Shpalljen e Pavarësisë, në Vlorë, më 28 Nëntor 1912, si dhe peripecitë që hoqi pas këtij akti të lartë, deri sa vdiq.

Kur unë përgatitesha për provimet e historisë e të letërsisë, Enveri pasdrekeve e pasdarkave, mbetej vetëm e mërzitej. Vinte në bibliotekë, hapte bisedë, më pyeste se ç'isha duke lexuar. Po të ishte provim për historinë, atëherë ai ishte i pashterur në tablonë që më jepte për ngjarje, figura e periudha historike, që zgjeronin shumë horizontin e dijeve të mia.

Një herë po përgatitesha për provimin e letërsisë ruse. I erdhi rrotull bibliotekës, pa më thënë gjë. Unë kujtova se po kërkonte ndonjë libër për vete, kur ai më solli një libër të Çehovit. Ishte një nga veprat e tij që nuk e kisha lexuar dhe as ia kisha dëgjuar emrin. Ai nuk më solli vepra as të Tolstoit a të Dostojevskit, as të Pushkinit apo të Gorkit, ngaqë ishte i sigurt që i kisha lexuar. Kur ma dha librin e Çehovit, më tha: "Lexoje, është i bukur…". Ishte një libër me novela, që ashtu si tha Enveri, vërtet ishin shumë interesante. Dhe ndodhi një koincidencë e çuditshme: në provim më ra të flas pikërisht për Çehovin. Kur në fund të provimit i thashë pedagoges së mirënjohur të Universitetit të Tiranës në letërsinë ruse, Vitore Ballvora, për librin që kisha lexuar ato ditë, ajo u kënaq shumë, sepse në rusisht nuk i kishte rënë në dorë ky libër.

Kur do të shkonim me pushime, unë merresha me zgjedhjen e veshjeve e të ndërresave që do të na duheshin, kurse Enveri vinte rrotull përgjatë rafteve të bibliotekës, duke zgjedhur libra që do t'i lexonte, mbushte me libra një a dy valixhe të mëdha, prej kartoni, që i kishim enkas për librat e tij. Edhe kur shkonte me shërbim jashtë Tirane, ai do të merrte patjetër një tok me libra.

Enveri kujdesej edhe për literaturën që duhej të lexonin fëmijët tanë, në kohën e lirë, gjatë vitit, po edhe më shumë gjatë pushimeve verore. Për djemtë, që ishin më të prirur për literaturën shkencore-teknike, Enveri zgjidhte libra që u interesonin në këtë drejtim, por duke mos i lënë ta kufizonin vetëm për qëllime utilitare, për elektronikën, mekanikën, arkitekturën, por donte që horizonti i tyre kulturor, qoftë si njerëz të fushave shkencore-teknike, të ishte i shumanshëm. Mbaj mend që një vit, Enveri tërhoqi një libër me biografi të shkurtëra të astronomëve të shquar në shekuj, që nga Hiparku, Ptolemeu, Tiho Brahe, Kepler, Koperniku etj. dhe ia dha Sokolit, duke i thënë: "Lexoje këtë, të kesh një ide për njerëzit e mëdhenj të kësaj shkence kaq të gjerë, kaq të thellë dhe me kaq të panjohura, që shkenca aktuale bën përpjekje gjigante për të zbuluar sa më shumë. Lexo një herë biografitë - i tha - pastaj po mund të të hipë sevdaja, dhe duhet të të hipë, të jap libra të tjera që flasin gjerë mbi teoritë dhe zbulimet e tyre".

Enveri kujdesej veçanërisht për leximet e vajzës, e cila kishte filluar të lexojë edhe në frengjisht. Një vit, kur po niseshim për pushime, Enveri sugjeroi disa libra të Anatol Fransit. Unë mora dhe ndonjë nga librat e Jozef Keselit, Heminguejit. Ajo kërkonte edhe ndonjë Maigre të Simenonit, por Enveri s'ishte dakord, kurse unë mendoja se nuk prishte punë, meqenëse kishin një gjuhë më të thjeshtë, më të kuptueshme. Por Enveri kishte të drejtë kur thoshte se "nuk duhet harxhuar koha duke lexuar "gjepura", pavarësisht se ne vetë çoku i kemi lexuar, por nuk mund t'i deformonin shijet tona, sepse ne i kemi lexuar në një kohë kur botëkuptimi ynë ishte konsoliduar.
Siç e kam theksuar dhe diku më parë, si "libra gjumi" lexonim dhe nga literatura e "verdhë", si ato me bëmat e Sherlok Holmsit, personazhi kryesor i O'Konan-Dojl, Maigret-ë e Simenonit, kushtuar policit "humanitar" e babaxhan, si dhe historitë e çuditshme të Agatha Kristit, autorja më e botuar në fushën e kësaj letërsie.
Libra të tilla, të lehta, si dhe me kuriozitete, të quajtura dhe "livre de poche" (libra xhepi), që kushtonin më lirë, zakonisht na i sillnin djemtë kur shkonin jashtë për ndonjë specializim. Në një letër drejtuar Ilirit, Enveri i shkruante: "Lilo, po ta takosh shokun Misto (Treska - ambasadori ynë në Paris), i thuaj të na gjejë ndonjë libër të ri, për t'u zbavitur, për të qeshur dhe me kuriozitete, se libra seriozë dhe me probleme serioze e të koklavitura për të studiuar kemi boll".

Kurse i Iliri i shkruante: "… Babush, kemi menduar dhe ne këtej që koha të të kalojë sa më mirë. Të kemi gjetur së bashku me shokun Misto, një tufë me libra të ndryshme…".
Enveri i përgjigjet: "Librat i morëm. Kemi filluar leximin. Sikur na vënë në gjumë, pse vetëm këtë vlerë kanë këto lloj librash, që të të zerë gjumi dhe të mos të mbetet gjë në kokë".

Në krevat Enveri merrte libra me kuriozitete dhe kur gjente ndonjë gjë të bukur dhe interesante, ma lexonte me zë. Por kishte raste, si, për shembull, kur kishim rënë për të fjetur, unë doja, zakonisht, të lexoja dhe të afroja gjumin, që e kam mjaft kapriçioz, i thosha Enverit: "Të lutem, dua të fle, lexo për vete". Ai vazhdonte.
Për shembull, kam shënuar në Ditar: "Mbrëmë lexonte një libër mbi "nanët" (shkurtabiqët) dhe më thoshte: "Dëgjo këtu, në botë paska rreth 800 mijë nanë" dhe pas pak: "Si thua ti, sa centimetra mund të jetë shkurtabiqi më i vogël?".

"Po ja, nja 50 centimetra", ia këputa unë në tym.

"Jo, 16 centimetra thotë këtu" dhe pastaj më lexonte se "babai i tij e fuste në gji për ta mbajtur ngrohtë, por nuk jetoi shumë".

Në bibliotekë kishim edhe libra me anekdota të bukura e humoristike të popujve të ndryshëm. Këto Enveri i lexonte me qejf kur ishte me fëmijët ose kur binte për të fjetur. Ato e bënin të qeshte me zë. Kur unë i thosha: "Ç'pate?", ai më thoshte: "Dëgjo këtu dhe më lexonte me zë disa nga batutat… Por unë, shpesh, mbetesha e heshtur, pak e hutuar dhe e pyesja: "E pastaj?!". Enveri shpërthente në gaz. "Domethënë s'kuptove gjë?! Ha, ha, ha!". Unë justifikohesha: "E po nuk e marr vesh "esprinë" e hollë franceze. Gëzohem që qesh ti!".

Enveri më ndihmoi të njoh më thellë filozofinë e krijimtarinë e rilindasve tanë

Kur unë ndiqja studimet e larta, Enveri më ndihmoi duke më gjetur librat që mund të lexoja ose duke më folur për to, për periudha të caktuara të historisë ose vepra letrare.
Ne, në shkollë e më vonë ishim njohur me veprimtarinë patriotike të rilindasve tanë, por nuk na ishte folur e nuk njihnim aq edhe filozofinë e tyre aq përparimtare, lidhjen e ideve të tyre me Rilindjen evropiane. Enveri më shpjegonte se Samiu ynë ishte nga ata filozofë që pohon se burimi i parë është materia, se "materia është baza e vetme, thelbi, substanca e gjithë gjërave dhe sendeve", se ai i afrohej shumë materialistit francez Didero.

Gjithashtu, Enveri më shpjegonte se Naimi ishte jo vetëm njëri nga poetët më të mëdhenj të Rilindjes kombëtare, por edhe ai, si vëllezërit e tij, kishte një kulturë të gjerë letrare e shkencore. Nga veprat e tij duket qartë që ai njihte shkrimtarët e filozofët arabë, persianë, grekë e romakë; ai njihte edhe Danten, Spinozën, Lajbnicin, Darvinin, Shatobrianin, Lamartinin, Hygoin, Gëten etj. Naimi ishte një humanist i madh, që shihte me simpati veçanërisht pikëpamjet përparimtare të iluministëve francezë: Volterit, Rusoit, Didëroit etj. Ai mendonte, ashtu si iluministët francezë, se vetëm shkenca e çon shoqërinë përpara. Kjo duket në përkrahjen që ai i jep metodës shkencore racionale të Dekartit. Me gjithë ato shkrime e poezi me përmbajtje fetare (bektashiane), pikëpamjet e tij filozofike ishin tepër të avancuara edhe në krahasim me filozofë të mëdhenj të asaj kohe; ato edhe sot tingëllojnë të reja, përparimtare. Naimi thoshte: "Bota s'ka as fillim, as mbarim" (domethënë kjo: në kundërshtim me atë që bota u krijua në 6 ditë, të shtatën pushim). Naimi thoshte: "Perëndia është te njeriu", "Kush njeh veten, njeh Perëndinë".

Për poetin, Enveri thoshte: "Naimi ynë, në disa çështje të moralit social, si për rolin e gruas në shoqëri, ishte "më modern" e "europian" se edhe shkrimtarë e poetë të shquar francezë… Në Ditarin e tij, ai shënonte: "Është e çuditshme, por Molieri, Bualoi, Fenëloni, Rasini dhe La Bryjeri flasin, në veprat e tyre, me ironi kundër lirisë së grave, kundër kulturës për to… Çuditesh - shtonte Enveri- kur shikon në Enciklopedinë e Madhe, që publikohej nga Didëroi, që ndaj gruas ndiqet rruga tradicionale… gjen fraza të tilla: "natyra u ka dhënë burrave të drejtën të qeverisin…". Naimi, ashtu si dhe Samiu, Çajupi e rilindas të tjerë, me një theksim të veçantë kërkon që gruas t'i jepet vendi që meriton në shoqëri e në familje. Ai shkruan. "Gruaja është nënë e fëmijës, zonjë e shtëpisë dhe krej i njerëzisë".

Këto mësime të Naimit e të rilindasve tanë, që Enveri i kishte në qendër të programit të tij të luftës e të punës për emancipimin e gruas, mua më ndihmuan jo vetëm në hapjen e horizontit kulturor, por edhe në veprimtarinë time konkrete për emancipimin e gruas shqiptare.

Mbaj mend se ato ditë që morëm lajmin për vdekjen e personalitetit të shquar e aq popullor, Fan S. Noli, Enveri tërhoqi nga biblioteka e tij, për rilexim, ato vepra nga proza, poezia e përkthimet e Nolit, të cilat në fillim i kishim shumë të kufizuara. Më vonë biblioteka jonë u plotësua me botimet që u bënë në vendin tonë, kryesisht ato nga studiuesi e biografi i shquar i Fan Nolit, prof. Nasho Jorgaqi, si dhe ato që u botuan në Kosovë, në një nivel të denjë si përmbajtje e si paraqitje.

Për "Historinë e Skënderbeut", Enveri theksonte se Noli u mbështet te vepra e mirënjohur që na la Barleti për Skënderbeun, por duket që qëllimi i Nolit, thoshte ai, nuk ishte të jepte një vepër shkencore, por të jepte më shumë një histori popullore për Heroin Kombëtar, të ngjallte krenarinë e shqiptarëve.

Nuk di të them nga ç' botim kishte lexuar Enveri lidhur me veprën e Nolit "Bethoveni dhe Revolucioni Francez". Më duket se në shqip,vetëm në revistën "Nëntori" qe botuar diçka. Enveri më foli për këtë vepër nga njohja e gjerë që kishte për Revolucionin Francez, ishte në gjendje të bënte krahasimin që bënte Noli ndërmjet ideve të Revolucionit Francez dhe qëndrimeve të Bethovenit. Enveri më tregonte se Bethoveni ia kishte dedikuar Eroikën e tij Napolonit, të cilin ai e kishte quajtur gjeni të Revolucionit. Kur i thanë se heroi i tij e kishte shpallur veten Perandor të Francës, ai e grisi faqen me emrin e Napolon Bonapartit. Noli ka theksuar se të gjitha parullat e Revolucionit frëng kanë frymëzuar Bethovenin në shkrimet e kompozimet e tij.
Inteligjencia jonë dhe gjithë atyre të cilëve u ra në dorë, u ndjenë krenarë për këtë vepër të mençur e të guximshme të birit të kësaj toke a të kolegut të tyre, për jehonën që pati ajo në radhët e personaliteteve më të njohura në fushat e kulturës, letërsisë, arteve, shkencave në shumë qendra të mëdha të Evropës e të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Nga përkthimet e Nolit, Enveri i njihte të gjitha tragjeditë e Shekspirit e të tjerat. Një nga përkthimet që Enveri e lexonte duke buzëqeshur ishte "Rubairat" e O. Khajamit.
Enveri kishte një libër, ku një nga veprat e Shekspirit - ose kam përshtypjen më shumë se mund të ishte për "Rubairat" e O. Khajamit - jepej në dy gjuhë (bilingue) krahasuese, anglisht e frengjisht. Enveri u mor gjatë e me kënaqësi, duke bërë krahasimin e variantit frengjisht me përkthimin e Nolit. Mbaj mend që në fund Enveri u shpreh i entuziazmuar: "Me të vërtetë, përkthimi i Nolit tonë tingëllon më bukur!".
Unë, nga ana ime, kisha një dobësi të veçantë për dramën e Ibsenit "Armiku i popullit". Në kohën e grupeve komuniste atë e lexonim dhe e rekomandonim bashkë me romanin "Nëna" të Gorkit, të cilat - bashkë edhe me disa broshura marksiste - ishin si "abetare" për edukimin e simpatizantëve tanë.

Ç'u bë me bibliotekën e Enver Hoxhës?

Biblioteka e Enver Hoxhës e kalonte kuadrin e një biblioteke personale a familjare, si nga numri i vëllimeve, që siç e kam përmendur - arrinte deri në 25 mijë - ashtu edhe nga përmbajtja, shumë e larmishme dhe me autorë të shumtë të shquar e me vepra të njohura të kulturës e të shkencës botërore.

Menjëherë pas ardhjes në pushtet të (ashtuquajturës) Partisë Demokratike, me urdhër të kryetarit të saj, Sali Berishës, e nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Azem Hajdarit, veprat e Enverit dhe gjithë literatura marksiste, u dogjën në rrugë e sheshe, në kapica të mëdha zjarri, siç kishin bërë nazistët e Hitlerit, kur morën pushtetin në Gjermani apo dhe Inkuizicioni, veçse me një ndryshim, "militantët" e ekzaltuar të kësaj partie që "do të na çonte në Europë", kërcënonin e bërtisnin rreth këtyre turrave zjarri e flake si më primitivët e tribuve afrikane.

Me një vendim qeveritar, kryeministri i PD-së, Aleksandër Meksi, urdhëroi që gjithë literatura politike e marksiste e bibliotekës së Enver Hoxhës të dërgohet për karton. Nuk ka dokument më të qartë që flet vetë për injorancën e intolerancën e figurave më të larta që erdhën në pushtet në emër të demokracisë.

Me gjithë urdhërat e lëshuara, kjo lloj literature nuk është zhdukur. Njerëzit e ndershëm, të guximshëm dhe me kulturë i kanë ruajtur, hapur ose fshehurazi, veprat e Enverit, librat me kujtimet e refleksionet e tij, për blerjen e të cilave thyheshin xhamat e librarive, ku bëhej vargu i njerëzve që më 4 të mëngjesit, megjithëse kishin arritur të botoheshin disa herë, me një tirazh deri edhe në 180 mijë kopje një titull.
Edhe çdonjëri nga ne, si familje, unë dhe tre fëmijët e mi, mundëm të sigurojmë serinë e plotë të Veprave të Enverit, që i kishim për përdorim personal, por ne nuk mundëm t'i tërheqim disa vëllime të ruajtura që nga Lufta Nacionalçlirimtare e të viteve të para pas Çlirimit, gazeta, trakte, broshura, revista etj. Këto i kisha paketuar me kujdes dhe i kisha vënë në një dollap, në papafingo, siç e quajnë gjirokastritët katin nën çati. Po kështu kisha paketuar abetaret, libra, vizatime të fëmijëve tanë gjatë viteve të shkollës fillore, bashkë me dëftesat e tyre, si edhe librezat ku mësueset shënonin vërejtje, lavdërime, karakteristika të veçanta të nxënësve, që unë i vlerësoja shumë dhe Enveri bënte shënimet nga ana e tij dhe vinte firmën si prind.
Askush nga ata që kishin në dorëzim shtëpinë nuk diti të më thotë ç'u bënë këto. Sigurisht, i hapën për të parë "ç'dokumente" ishin paketuar me aq kujdes: ato të Luftës ua acaruan nervat, për ato të fëmijëve kanë thënë: "Sa budallenj!" dhe "të mençurit, të emancipuarit" e partisë demokratike i çuan në furrat ku dogjën librat e Enverit dhe veprat e Marksit, Engelsit, Leninit e Stalinit, duke menduar se kështu "digjnin historinë e periudhës komuniste".

Këtë fat patën dhe gjithë librat e shkrimtarëve tanë, si letërsi e "realizmit socialist", nuk u kursyen as librat "Historia e Shqipërisë", ato mbi Historinë e Luftës Nacionalçlirimtare etj.

Nuk dihet ç'kanë bërë me 5 vëllimet voluminoze (në formatin e enciklopedive të mëdha) të procesverbaleve të Kominternit (Internacionales Komuniste), që me kërkesë të Enverit i qenë dërguar nga Moska. Ishte kopje e vetme në Shqipëri, e vyer jo vetëm për komunistët, por për çdo studiues, historian e njeri me kulturë.
Nuk di ç'u bë me librat në gjuhën ruse, ndoshta edhe këto janë djegur a çuar për karton, pavarësisht se ishin kryesisht të kolosëve të letërsisë ruse, Pushkin, Tolstoi, Dostojevski, Gorki etj.

Nuk e marr dot me mend se në ç'shtëpi kanë përfunduar gjithë ato vëllime të fjalorit enciklopedik francez "Larousse" (Larus), që i kishim në bibliotekë që nga botimi më i vjetër, i madh, i rëndë, si dhe të gjithë tipet e mëvonshme të "Petit Larousse" (Larus i vogël), më të përsosur në përmbajtje e më praktikë në përdorim, madje, edhe në format xhepi. Këta fjalorë përdoreshin nga gjithë pjesëtarët e familjes, që njihnin dhe punonin në frëngjisht.

Ku kanë shkuar Enciklopeditë angleze, italiane, ruse, që ishin një gurrë e pashterur njohurish, të cilat Enveri nuk përtonte t'i shfletonte e të gjente atë që kërkonte vetë ose që donin të dinin fëmijët?

Ku vajti tërë ajo pasuri kulturore, siç ishin albumet e mëdha me riprodhime të pikturave nga Muzetë më me famë të Europës, albumet me riprodhime të ilustruara të ndërtimeve më të bukura e interesante botërore, si ato të antikitetit, piramidat e Egjiptit, tempujt e Athinës, kështjellat e Mesjetës e pamje të tjera me vlera të veçanta historike e artistike të popujve të ndryshëm?

Ku kanë përfunduar, pra, të gjitha këto vëllime të vyera, cilat duar i kanë përve-tësuar?

Po ai koleksion i pasur pullash postare nga më të vjetrat të shtetit shqiptar dhe nga shumë vende të huaja, që ia kishte dhuruar Enverit Drejtoria e PTT-së, me rastin e një përvjetori ditëlindjeje dhe që ai e mbante në pjesën e poshtme të bibliotekës, të mbyllur me kapakë, pikërisht prapa karrikes së tryezës së tij të punës, në cilën dorë ka rënë? Nuk e di nëse i ka rënë në vesh Genc Pollos se ku ka përfunduar ky koleksion i rrallë, se, sigurisht, do ta kishte shumë zili, pasi kur ishte i vogël ai ishte një koleksionist amator i pasionuar i pullave postare. Këtë e kam mësuar, kur isha një herë në shtëpinë e tij, për të uruar në një ditëlindje babain e tij, shokun tonë Stefanaq Pollo. Mamaja e Gencit, kur ma prezantoi djalin e saj, më tha se atij, nga vendet e Europës i mungonin pullat vetëm të një vendi të vogël, Lihtenshtejnit. Unë, u interesova sinqerisht t'ia plotësoja këtë kërkesë, por pullën e këtij shteti nuk e gjeta.

Në një pjesë, me xham, të bibliotekës kishim vendosur librat që i kishin ardhur Enverit nga miq e shokë të huaj, me autografe e dedikime. Ishin afro 50 tituj. Disa nga emrat i kujtoj, por tekstet e dedikimeve nuk mbahen mend. Kam gjetur në sirtaret e bibliotekës vetëm nja dy dedikime të shënuara në dy fletë të vjetëruara, ku shënohet:

-Aragon - Les communistes –

Au camarade Enver Hodja,

ce roman de la veritable France

en hommage au peuple albanais

Aragon

-Aragon - La semaine sainte

A Enver Hodja

Aragon

-René Paraf - Israel dans le monde

A' l'illustre Enver Hodja

Ce reflection

René Paraf

Nga personalitetet politikë ose letrarë që kanë dërguar librat e tyre me dedikasë, mbaj mend që kanë qenë:

Pol Eluar - libër me poezi
Moris Torez - Le fils du peuple
Zaharia Manjani - Le fin du mistere etrusque
Pier Kurtard - publicist, korrespondent i gazetës së PKF, "L'Humanité" - shkroi një libër mbi Shqipërinë.
Dolores Ibarruri (Pasionaria) - nuk ia mbaj mend titullin - ishte mbi Luftën e Spanjës dhe jetën revolucionare të autores. Ky libër na erdhi menjëherë pas Mbledhjes së 81 partive komuniste e punëtore në Moskë (1960), ku Ibarruri u radhit me të tjerët kundër fjalimit të Enverit, që demaskonte veprimtarinë revizioniste e antishqiptare të N.S. Hrushovit. Kur morëm librin, diskutuam gjatë: ky libër është postuar para Mbledhjes apo pas saj, për t'i thënë Enverit: "Fola ashtu në Moskë se s'mund të bëja ndryshe"? Mbeti mister ardhja e këtij libri.
E, pra, ku të kenë përfunduar edhe këto libra, që për mua kishin vlerën e një tok dekoratash që i ishin dërguar Enverit, në shenjë nderimi, nga personalitete të shquar botërorë?

Kryeministri i PD-së, Aleksandër Meksi, për të mbuluar djegiet e grabitjet e Bibliotekës së Enver Hoxhës, me shkresë të veçantë urdhëroi që librat e kësaj biblioteke të dorëzohen në Bibliotekën Kombëtare. Mirëpo këtu janë dërguar vetëm 2675 libra dhe unë, që jam njohur me listën e tyre, kam parë që ato janë disa libra të dorës së dytë e të tretë, që nuk janë preferuar si përmbajtje e paraqitje nga "kusarët me shkolla të larta".

Në prill të vitit 2000 më njoftuan të shkoj të marr librat që kishin mbetur në shtëpinë ku kishim banuar. Ato i gjeta të hedhura në bodrum, ku rrezikoheshin nga uji që kishte dalë. Ishin rreth 3-4 mijë copë, siç më thanë. Unë i mora pa ndonjë inventar, "derr në thes", siç thotë një fjalë e popullit.

Mbetem me shpresë se do të më kthehen edhe librat që padrejtësisht janë në Bibliotekën Kombëtare.

Se çfarë mund të bëj unë më vonë me librat e Bibliotekës së Enver Hoxhës, kjo më përket mua të vendos. Jemi akuzuar për shumë vendime arbitrare që qenkan bërë nga ana e pushtetit popullor, por ama asnjë libër i Kryetarit të Ballit Kombëtar, Mit'hat Frashërit (alias Lumo Skëndo) nuk humbi e nuk u dogj, por biblioteka e tij personale u dorëzua e plotë e u ruajt me kujdes në Bibliotekën Kombëtare.

Po me librat e tjerë të Enverit ç'u bë?

Pjesa më e madhe dhe më e mirë e librave nga Biblioteka e Enver Hoxhës u grabit e u përvetësua pa skrupull nga pushtetarët e lartë të partisë demokratike, duke filluar nga ish-Presidenti Sali Berisha, ish-Kryeministri Aleksandër Meksi, ish-Kryetari i Kuvendit Popullor Pjetër Arbnori (Toma), ish-kryetarë të PD-së e të tjerë anëtarë "intelektualë" të Kryesisë së PD-së.

Nga të gjitha dhimbjet që kam ndier në këto dhjetë vjet të mbrapshtë, dhimbja më e thellë, e pashërueshme ka qenë dhe djegia, grabitja, humbja e Bibliotekës së Enverit. Më duket sikur Enveri, edhe nga varri, më qorton që nuk munda ta shpëtoj Bibliotekën, që ai aq shumë e donte, sa e radhiste menjëherë pas fëmijëve. "Jo - u thosh mjekëve - s'dua të shkoj me pushime jashtë Tiranës, pushoj më mirë në shtëpi, këtu kam fëmijët dhe bibliotekën!".

Por kjo dhimbje u qindfishua kur pamë që u shkatërrua jo vetëm një Bibliotekë, por u shkatërrua e gjithë Shqipëria, gjithçka kishte krijuar populli, gjatë gjysmë shekulli, me gjak dhe me djersë!

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...