2016-09-06

Përjashtimi i Frederik Reshpes nga Lidhja e Shkrimtarëve



Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë
Dega Shkodër
Lënda: Mbi përjashtimin e Frederik Reshpesh nga organizata e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve
Tri janë arsyet për të cilat është përjashtuar nga LSHASH, Frederik Reshpja
1-Figura e tij politiko – morale ka qenë vazhdimisht objekt kritikash së opinionit publik. Në paraqitjen e jashtme jepte shenja të një shthurje, si në veshje, në qëndrim dhe në sjellje. Grindej nëpër lokale social – kulturore, deri në rrahje fizike (në kafe “Park”, ish kafe “Moska”, në rrugë, etj), organizonte thashetheme në përpjesëtime të rrezikshme, duke shpifur për njerëzit seriozisht, përgojonte dhe nënvlerësonte shokët, krijimtarinë, shkonte shumë keq me njerëzit e familjes, pinte vazhdimisht dhe nuk respektonte disiplinën e punës (gjatë një periudhe të shkurtër, ndërroi shumë vende pune).
2-Formimi i tij ideo-artistik dhe artistik ka qenë shumë i ulët. Ai nuk studionte filozofinë dhe estetikën marksiste – leniniste të Partisë sonë, veprat e shokut Enver Hoxha, historinë e artit shqiptar. Përkundrazi, lexonte literaturë të huaj dhe të vendit pa kriter, tregonte përulje ndaj së huajës, “modernist” dhe nënvlerësonte jo vetëm krijimtarinë letrare të rrethit, por edhe atë kombëtare, sidomos të sotme, para viteve ’60. Në një mbledhje të gjerë me shkrimtarë dhe artistë të rrethit, por edhe atë kombëtare, sidomos të sotme, para viteve ’60 ai shfaqi koncepte të tilla që u dënuan rëndë në plenumin e 4-rt të KQ të PPSH-së:
a-“Vlerë kanë veprat tona që kuptohen dhe shijohen nga të huajt, p.sh. nga anglezët”.
b-“Të vjetrit nuk janë më në gjendje të krijojnë dhe veprat e tyre nuk kanë vlerë”, duke ndarë kështu brezat në të vjetër dhe në të rinj.
c-“Ajo që përcakton vlerën e artit është në të vërtetë forma, sidomos në figurë (këtë gjë e materializoi edhe në disa vjersha të tilla të fundit hermetike).
3-Vepra e tij letrare, sidomos vjershat e botuara dhe të një vëllimi që dërgoi në shtyp dhe nuk u pranua nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”. Nisi dhe drama “Ëndrra e tokës”, e cila është kritikuar rëndë për huazime, deri në plagjiaturë, për manira hermetizmi, për tendencë të vënies së formës mbi përmbajtjen, etj. shprehje të tilla si “duar uji, duar zjarri, që zgjaten nga qielli...”, plagjiatura e dramës “Ëndrra e tokës” nga romani “Njerëz të pavarur” të Lliksnes-it, etj, janë dënuar haptazi në përmbledhje dhe në shtyp (“Drita”, “Nëntori”, në plenumin për poezinë të Lidhjes së Shkrimtarëve në konferencën e talenteve të reja të organizuar në Korçë, etj)
Për më tepër, siç doli nga instancat qendrore, ky ishte implikuar edhe në përkthimin e literaturës ushtarake revizioniste sovjetike dhe kishte tërhequr honorare për këtë (megjithëse rusishten nuk e zotëronte). Për këto tri arsye, mbledhja plenare e Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të rrethit, pas një pune të dendur edukative që kishte bërë, mbi bazën e plenumit të 4-rt të KQ të PPSH-së, vendosi njëzëri përjashtimin e tij nga radhët e Lidhjes dhe i propozoi Kryesisë së Lidhjes, ndalimin e të drejtës së botimet e të qarkullimit të veprave të tij. Ky vendim dhe ky propozim u miratuan, si nga kryesia e Lidhjes, ashtu dhe nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës.
Tërë opinioni publik e ka pritur shumë mirë këtë masë të drejtë ndaj një ish-shkrimtari të padenjë për revolucionin dhe për ndërtimin socialist.
Për kryesinë e Degës LSHASH për Shkodrën
Sekretari Fadil Kraja
Shkodër 24 korrik 1976

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...