Libri “Kosova histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike” i Oliver Jens Shmitit është i shkruar si një “letërsi e popullarizuar”, me synimin që të jetë në shërbim të atyre që duan të argëtohen, gjithnjë pa ngarkesën që të verifikojnë vërtetësinë e fakteve. Prandaj, lehtësia me të cilën autori ka shtjelluar këtë temë, më shumë është ajo e autorëve të teksteve fiksionale, që nuk e kanë për gjë të trillojnë, të krijojnë kundërthënie me fjalët e veta, të përrallisin me seriozitet pompoz për gjëra të vogla, që janë të njohura dhe monotone por edhe të “citojnë” nga pak tekstet e huaja, gjasme sipas poetikës postmoderne.
Pa e paragjykuar për asnjë çast autorin si “të huaj” (sepse në shkencë nuk ekzistojnë kategori të tilla si “ne”- “ata” ose “vendas”- “të huaj”), e kam krejtësisht të pakuptueshme se si është e mundshme që një autor e lejon veten të shndërrohet në një spekulues të kësaj përmase. Vërtet, ky rast është për keqardhje, sepse kontributi potencial i tij dhe i studiuesve të tjerë, që vijnë nga përvoja të tjera akademike dhe me një distancë emocionale të domosdoshme në këtë fushë studimesh, mund të jetë shumë i dobishëm për transformimin e studimeve albanologjike në studime me standarde rigoroze shkencore, sidomos të asaj metodologjie të cilën Karl Poperi e quante “pluralizëm kritik”. Fatkeqësisht, në librin “Kosova histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike”, Oliver Shmiti është e kundërta e kësaj mundësie. Arsyet pse ai ka rrezikuar kaq shumë etikën e tij akademike, i di më së miri vetë ai. Këtu do të skicoj vetëm disa raste drastike të spekulimeve dhe të të pavërtetave të tij. Pra, jo të gjitha, sepse në atë rast do të duhej të shkruhej një libër i tërë, meqë pothuajse i gjithë ky libër i Shmitit është i ndërthurur mbi spekulime, plagjiarizma dhe të pavërteta.
Plagjiarizëm me “marifet”
Ka raste të shumta, ku Shmiti ka huazuar materialin e një autori tjetër dhe e ka përshtatur për veten e vet, duke bërë ndryshime kozmetike, por duke e ruajtur esencën e definimeve ose vlerësimeve të huazuara. Kjo është një plagjiaturë në dukje inteligjente, por prapë se prapë plagjiaturë mbetet, me gjithë ngarkesën imorale dhe pseudoshkencore që bartë në vete ky ves. Ja një shembull tipik që e shpërfaqë teknikën e huazimeve të Shmitit:
“Si perandori e karakterizuar nga tradita shtetërore romake, besimi ortodoks dhe gjuha greke, Bizanti …”
Kështu e definon Bizantin Hans Oliver Jens Shmiti në faqen 37 të librit të vet, duke e kontekstualizuar këtë definim lidhur me rrethanat në të cilat ndodhi sundimi bizantin mbi Kosovën dhe trevat e tjera ballkanike. Vërtet, definimi i Bizantit në këto tri nivele tingëllon korrekt dhe e paraqet autorin si njohës të historisë së Bizantit. Krejt do të ishte në rregull, sikur këtë definim të mos e kishte bërë një autor krejt tjetër dhe shumë kohë para Oliver Shmitit. Georg Ostrogorski në studimin e tij, “Historia e Perandorisë Bizantine” (i cili shqip është botuar në vitin 2002 nga shtëpia botuese “Dituria” e Tiranës) e definon kështu Perandorinë e Bizantit:
“…Strukturë shtetërore romake, kulturë greke dhe besim i krishterë: këto janë burimet kryesore kulturore të zhvillimit të Perandorisë Bizantine”. (Georg Ostrogorski, Historia e Perandorisë Bizantine, Dituria, Tiranë, 2002, f. 17)
Kur krahasohen këto dy definime, na del qartë se Shmiti e ka huazuar definimin nga Ostrogorski, por ka bërë disa ndryshime kozmetike për të fshehur huazimin: fjalën “strukturë” të Ostrogorskit e zëvendëson me fjalën “tradita” (pra në vend të formulimit të Ostrogorskit”,strukturë shtetërore romake” e bën “tradita shtetërore romake”. Më tutje, sintagmën “kulturë greke” e bën “gjuha greke” dhe sintagmën “besim i krishterë” e shndërron në “besimi ortodoks”. Por, esencialisht janë formulimet e huazuara nga Ostrogorski, të cilit nuk i referohet kurrkund. Kurrkush nuk mund të thotë se ngjashmëria është e rastësishme, sepse një njohës i Bizantit është e pamundur të mos e njohë studimin monumental të Ostrogorskit dhe nëse e njeh, atëherë duhet edhe ta citojë e mos ta huazojë, duke e fshehur huazimin me disa terma të përshtatur.
Tek flet për “religjionet dhe konfesionet”, në rastin e Krishterimit, autori pohon se “duhet të bëhet dallimi mes Krishterimit të parë dhe të dytë” (f. 87) pa iu referuar për këtë lloj definimi Peter Bartlit, i cili shumë para Shmitit e ka definuar me kësi termash përhapjen e Krishterimit ndër shqiptarë (punë tjetër është se sa i vërtetë është ky pohim). Kjo teknikë e Shmitit, e huazimit të definimeve të një autori tjetër dhe të fshehjes së huazimit, duke bërë disa ndryshime kozmetike, është plagjiaturë tinëzare, por gjithsesi është plagjiaturë.
Libri i Shmitit si fabrikë për prodhimin e të pavërtetave
Një kohë të gjatë nuk kam mundur të besoj se ky autor ka ngarkesë armiqësore ndaj shqiptarëve, edhe pse ka pasur raste kur është akuzuar si i tillë. Më janë dukur teprime, me të cilat fatkeqësisht komunikimi ynë publik është shumë i familjarizuar, si pasojë e jetës së gjatë nën presion e dhunë dhe të një frike neurotike që ka prodhuar ajo gjendje. Por, disponimi armiqësor i Shmitit ndaj shqiptarëve nganjëherë shpërthen edhe krejt pa takt, gati iracional. I tillë është edhe ky konstatim i tij:
“Kështu, shqiptarët ishin pjesëmarrës në rrethimin e dytë të Vjenës në vitin 1683”.
Formulimi i këtillë eksplicit për shqiptarët, lë të kuptohet se shqiptarët kanë qenë subjekt i asaj lufte, pra palë në luftë, përkatësisht një agresor që e ka sulmuar Vjenën. Ndërsa, kjo absolutisht nuk është e vërtetë. Në ushtrinë osmane që ka rrethuar Vjenën dhe në ekspeditat e tjera të saj ndër shekuj, do të ketë pasur edhe shqiptarë, krahas edhe pjesëtarëve të popujve të tjerë që ishin të sunduar nga Perandoria Osmane, por të gjithë ata kanë qenë si ushtarë të ushtrisë osmane. Një ushtri perandorake si ajo osmane, ka pasur në radhët e veta pjesëtarë popujsh nga më të ndryshmit, por ata nuk kanë përfaqësuar popujt e vet, sepse ose kanë qenë të nënshtruar ose vasalë. Pasaktësitë e kësaj natyre lënë shije të hidhur, sepse mund të interpretohen vetëm në sfondin e perceptimit të historiografisë nacionaliste serbe, për shqiptarët si mercenarë dhe antievropianë të përjetshëm. Pak më poshtë Shmiti bëhet edhe qesharakë, kur po këta shqiptarë që e paskëshin rrethuar Vjenën, i paraqet hiç më pak se si “organ ekzekutiv”, pra qeveri të osmanëve! Nga ana tjetër, një historian korrekt nuk do të aludonte se gjoja “këtu gjenden rrënjët pak më të thella-ndonëse ky nuk është shpjegimi i vetëm- për konfliktin e riinterpretuar si etnik mes shqiptarëve me shumicë myslimane dhe serbëve ortodoksë në shekullin e 20-të”. Ky në fakt është një riinterpretim keqdashës dhe pothuajse armiqësor i vetë Shmitit për rrënjët e konfliktit shqiptaro-serb në shekullin XX, i cili nuk ka asnjë lidhje me “kujtesën” e shekullit XVII. Shmiti nuk mund të ankohet se nuk ka dokumente e fakte për shkaqet e konfliktit ndërmjet serbëve e shqiptarëve në shekullin XX, që nga luftërat ballkanike e deri në spastrimin etnik dhe gjenocidin serb të vitit 1999. Ka aq shumë dokumente serbe që dëshmojnë qartësisht se qëllimi serb ka qenë zgjerimi territorial i Serbisë dhe dëbimi/shfarosja e shqiptarëve për interesa të shtetit nacional serb. Projektet dhe luftërat i kanë bërë individët dhe institucionet shtetërore serbe. Është e vërtetë se është instrumentalizuar edhe Kisha Ortodokse Serbe, por ajo ka qenë pjesë e instrumentalizuar e projekteve imperiale të shtetit. Por, në asnjë rast konflikti mes shqiptarëve e serbëve nuk ka pasur karakter fetar, mes myslimanëve e ortodoksëve, sikundër përpiqet ta paraqesë tinëzisht Shmiti. Dhe aq më pak si kujtesë gjoja e konservuar që nga shekulli XVII, për të cilën Shmiti lë të kuptohet se gjoja serbët kanë qenë të identifikuar me Vjenën. Në shekullin XVII as serbët e as shqiptarët nuk kanë pasur struktura shtetërore, që do të ishin subjekte të pozicionuara me vullnetin e vet ose pro ose kundër asaj lufte, që sot të aktivizoheshin në kujtesën historike si rrënjë të konfliktit shqiptaro- serb.
Një e pavërtetë monstruoze në librin e Shmitit është edhe lidhur me gjoja pasionin e shqiptarëve për armë dhe shpjegimin e rebelimeve të tyre për këtë shkak. Ky është një stereotip për shqiptarët, por në realitet është një e pavërtetë, sepse në kohë të qeta shqiptarët si gjithë popujt e tjerë kanë jetuar me pasionin për jetë, me përkushtimin ndaj besimeve fetare, me dashurinë për vlerat e familjes, të kolektivitetit e të atdheut. Nuk ka qenë dhe nuk është për shqiptarët arma “si koncept themelor social”, sikundër pohon Shmiti, me synimin që të na paraqet më afër barbarisë. Në fakt, interpretimi spekulativ i Shmitit përpiqet ta transmetojë pikërisht mesazhin për shqiptarët si barbarë, të pasionuar pas armëve dhe vdekjes. Ja se deri ku shkon kjo prirje absurde e Shmitit, kur flet edhe për kohën më të re, atë të administrimit të Kosovës nga OKB-ja:
“Këtë përvojë e patën së fundi edhe autoritetet e Kombeve të Bashkuara në vitin 1999. Për dallim prej tyre autoritetet shtetërore për një kohë u përpoqën t’i përfitonin sidomos burrat shqiptarë, duke iu shpërndarë atyre sistematikisht armë moderne. Popullsinë patriarkale të Kosovës vërtet e karakterizon një marrëdhënie vërtet afektive ndaj armëve. Vlerësohet se në vitin 2003, ‘60-‘70 për qind e shtëpive në Kosovë kishin armë. Mbrojtja e nderit bëhej në mënyrë ofensive, gjë që krijonte një potencial të dukshëm dhune”. (f. 76)
Kaq të pavërteta në një paragraf, kjo është një prirje perverse e një historiani, e denjë për t’u neveritur prej saj. Shmiti pohon se gjoja autoritetet shtetërore (lë të nënkuptohet për ato osmane, ato jugosllave e edhe këto të tashmet!!!) u kanë shpërndarë armë moderne banorëve, ndërsa e vërteta që dihet është se edhe autoritetet osmane edhe ato jugosllave, në periudha të caktuara, kanë zbatuar masa represioni nën pretekstin e mbledhjes së armëve. Kur ka filluar Lufta ballkanike, shqiptarët kanë qenë praktikisht duarthatë, sepse autoritetet xhonturke ua kishin marrë edhe ato pak armë që kishin pasur (çarmatosja masive e shqiptarëve pati ndodhur në kohën kur pikërisht autoritetet xhonturke lejonin armatosjen e Serbisë nëpër portin e Selanikut.) Ndërsa, në vitet pesëdhjetë, mbledhja e armëve është shfrytëzuar si mjet për detyrimin e shqiptarëve të Kosovës që të arratiseshin në Turqi. Në Kosovën e ditëve tona, ku ka prezencë masive të NATO-s e të EULEX-it, kush mund të gënjejë ditën për diell se gjoja “autoritetet shtetërore” u shpërndajnë armë moderne burrave shqiptarë?! Këto janë akuza keqdashëse dhe nuk kanë asgjë të bëjnë me studimin e historisë së Kosovës.
Një akzzë tjetër po kaq absurde është se gjoja shqiptarët në Kosovën e sotme i përdorin armët në “mënyrë ofensive” pra që të vriten njerëzit pa e bërë ende krimin, po vetëm pse dyshohet se mund të bëjnë ndonjë gjë dhe e paraqet shoqërinë e Kosovës si shoqëri tërësisht të militarizuar. Duke e njohur tashmë teknikën e huazimeve të teksteve të huaja nga ana e Shmitit, jam i prirë të mendoj mos është ky ndonjë fragment i ndonjë publicisti serb, që Shmiti ka harruar ta krehë (si tekstin e Ostrogorskit), e ta përshtatë, duke e zbutur pak me stilin e tij? Vërtet, dëshiroj të besoj që ky paragraf të mos jetë i Shmitit, sepse është shumë i ndyrë.
Vlerësime absurde për identitetin kombëtar dhe konvertimin
Një vlerësim i pavërtetë dhe absurd i Shmitit është edhe ai lidhur me identitetin kombëtar të shqiptarëve. Shmiti thotë:
“Sot identiteti kombëtar shqiptar barazohet me Islamin, ndërsa identiteti kombëtar serb me ortodoksinë”. (f. 92)
E para, nuk ka një shenjë barazie ndërmjet mënyrës së kombformimit të shqiptarëve dhe serbëve. Kombformimi serb e ka pasur ortodoksinë dhe pansllavizmin si tharmin e identitetit kombëtar, ndërsa në rastin e shqiptarëve ka qenë gjuha, historia, kujtimet e përbashkëta për paraardhësit, ato që kanë formësuar tharmin e identitetit kombëtar. Në fakt, teza e Shmitit për identitetin shqiptar si shtresë vetëm islame, ka për synim të prodhojë një mosbesim brenda vetë kombit shqiptar dhe të trembë kombet përreth po edhe ato evropiane nga një “komb islamik” shqiptar.
Po në të njëjtin paragraf autori bën edhe një shpërthim tjetër po kaq joshkencor:
“Pranimin e Islamit nga ana e shqiptarëve historianët shqiptarë e shpjegojnë me politikën gjoja asimiluese të Kishës mesjetare serbe. Por, kjo nuk mund të provohet nga burimet”. (f. 92)
Nuk e kam të qartë se çka nënkupton në këtë rast me burimet Shmiti, nëse si kryeburim në këtë çështje nuk e trajton dokumentin kryesor, që kishte sanksionuar edhe mënyrën e sundimit fetar në shtetin mesjetar serb, pra, Zakonikun e car Dushanit. Në këtë dokument zyrtar shtetëror e kishtar, parashiheshin masa drastike të dhunës ndaj atyre që nuk ishin serbë dhe që nuk futeshin/ktheheshin me dhunë në ortodoksi. Termat e Zakonikut të Dushanit zbulojnë qartë se doktrina latine, katolicizmi, bashkë me herezinë bogumile, ishin në qendër të përndjekjeve përkatësisht të “pastrimit të fesë” nga herezia altine dhe bogumile. Zakoniku i car Dushanit që në nenin e parë e afirmon pikërisht synimin e “pastrimit” të ortodoksisë nga herezia latine:
“1. Për krishterimin: pikë së pari për krishterimin. Në këtë mënyrë të pastrohet krishterimi”.
Në pajtim me idenë kryesore, të pastrimit të krishterimit, në disa nene, veçmas në nenet 7, 8 dhe 10, urdhërohen masa kundër herezisë latine përkatësisht për kthimin me dhunë të të gjithë njerëzve në ortodoksi:
“7. Për herezinë latine: Dhe të nxjerrë Kisha e Madhe protopopët në të gjitha qytetet dhe në të gjitha sheshet, që të kthejnë krishterët nga herezia latine, ata që janë kthyer në fenë latine, dhe t’u jepet urdhër i shenjtë dhe të kthehet secili në krishterim. 8. Për popin latin: Edhe popi latin, nëse gjendet, duke kthyer të krishterët në fenë latine, të dënohet sipas ligjit të etërve të shenjtë.
10 Për heretikun: Dhe nëse ndokush gjendet si heretik, duke jetuar në mesin e të krishterëve, të damkoset nëpër fytyrë dhe të dëbohet, ndërsa kush do ta fshehte, edhe ai të ndëshkohet”.
Pra, dokumente për planifikimin dhe zbatimin e dhunës fetare serbe nga ana e autoritetit shtetëror e fetar, ka dhe ato janë të disponueshme për secilin që nuk përpiqet t’i fshehë. Me zbatimin e këtij ligji rigoroz të Dushanit edhe në trevat shqiptare, pasojat për identitetin fetar dhe etnik të shqiptarëve kanë qenë serioze, sepse ato e kanë sforcuar asimilimin e tyre në serbë. Natyrisht, për t’i shpëtuar këtij presioni të Kishës Serbe dhe të shtetit mesjetar serb, pas ardhjes së osmanëve, ka pasur një largim nga ortodoksia serbe të ish të konvertuarve me dhunë, të cilët e përqafuan Islamin.
Një publicistikë e dobët
Në librin e Shmitit, që më shumë se gjithçka tjetër është një publicistikë e dobët, gjithandej ka trillime të mëdha. Fjala vjen ai thotë se “në verën e vitit 1999 shqiptarët shkatërruan disa qindra kisha dhe monumente të tjera ortodokse në Kosovë” (f. 283. ) Ne që kemi jetuar në këtë vend, e dimë se në verën e vitit 1999 nuk ka pasur tendenca të sulmeve ndaj kishave dhe objekteve të tjera serbe të kultit. Po ashtu, deri sot nuk kam ndeshur në asnjë burim të shkruar, i cili do të vërtetonte se verën e vitit 1999 ka pasur përpjekje për shkatërrimin e kishave dhe monumenteve të tjera ortodokse. Nga i merr Shmiti këto “të dhëna” vetëm ai e di. Po ashtu, ai pohon se Arsenije II Çarnojeviçi ka udhëhequr kryengritjen kundër sundimit osman, ndërsa Noel Malkolmi ka vërtetuar se Çarnojeviçi nuk ka qenë pjesë e asaj kryengritjeje të udhëhequr nga Pikolomini e të ndihmuar nga Pjetër Bogdani dhe as që ka qenë në Kosovë, kur janë zhvilluar ato ngjarje. Pra, ai saktësisht afirmon vetëm tezat që trumbetojnë historianët serbë. Nëse nuk u beson fakteve që prezantojnë për këtë çështje historianët shqiptarë, së paku Noel Malkolmin mundur ta kishte marrë para sysh.
Kreu i dytë i librit “Kosova histori e shkurtër e një treve qendrore të Ballkanit”, ku gjasme studiohet gjendja e Kosovës në vitet 1912-1999, është një publicistikë edhe më e dobët, konfuze, me shumë pasaktësi e interpretime arbitrare të autorit. Por, kjo histori është më e njohur, prandaj shanset e Shmitit për ta hutuar e mashtruar publikun janë më të vogla. Për këtë arsye edhe nuk kemi vullnetin që të merremi tash për tash me të.
Sidoqoftë, përfundimi ynë nga leximi i gjithë këtij libri është se ky historian nuk mund të shkruajë histori korrekte, sepse është shumë i ngarkuar me paragjykime ndaj shqiptarëve. Ai tashmë ka profilizuar një “disiplinë të re” që mund të emërtohet si Shmitologjia dhe e cila është ngritur për të fabrikuar kastile të pavërteta kundër shqiptarëve. E gjitha është për të ardhur keq.