2016-09-06
Pushkatimet dhe dënimet e mbi 200 klerikëve që nga 1945
Pushteti i vitit 1945 e vuri në shenjë kryesisht Kishën Katolike të Shqipërisë, duke e cilësuar atë si çerdhe të agjentëve të huaj në Shqipëri. Frika nga ndikimi i madh i njerëzve të fesë në popullatë, solli një luftë të hapur kundra tyre.
Në vitet e komunizmit, referuar librit të Tomor Alikos “Genocidi mbi elitën intelektuale”, u dënuan me pushkatim 24 katolikë dhe u burgosën e internuan 24 të tjerë. U pushkatuan 7 bektashinj, 4 vdiqën në burg dhe 7 të tjerë u persekutuan. E po të njëjtin fat patën 20 pjesëtarë të komunitetit mysliman dhe 8 nga ai ortodoks. Rreth 217 klerikë u vranë e persekutuan nga regjimi i egër komunist.
Vala e parë
Për këtë arsye, qysh në fillim, kishës katolike shqiptare iu kërkua të shpallte autoqefalinë e saj. Por të dy peshkopët katolikë, imzot Gaspër Thaçi dhe imzot Vinçenc Prenushi, nuk e pranuan një gjë të tillë dhe u dënuan. U arrestuan 30 françeskanë, 15 jezuitë dhe mjaft seminaristë. Disa prej tyre u pushkatuan e disa vdiqën të munduar nëpër kampe përqendrimi dhe në punë të detyruar. Patër Gjon Fausti, Patër Daniel Dajani dhe Patër Gjon Shllaku, ishin pjesëmarrës në organizatën antikomuniste “Bashkimi Shqiptar Shkodër”. Të tre priftërinjtë u pushkatuan më 1946 si armiq të pushtetit. I njohuri Patër Anton Arapi, drejtor i kolegjit françeskan në Shkodër, pati të njëjtin fat. Në shkurt të vitit 1946, ai u dënua me vdekje, pushkatim. Në vitet e para pas çlirimit nisi mësymja e përgjithshme dhe në idetë komuniste, fetarët duheshin eliminuar, sepse ndikimi në popull ishte shumë i madh. Patër Bernard Llupin e gjetën dhe e pushkatuan në Pejë, e po kështu dhe Patër Lorenc Mazrekun, Patër Leonard Tagaj... ndërsa Patër Çirjan Nika u pushkatua më 1946, duke thënë si fjalë të fundit; “Rroftë Krishti Mbret, rroftë Shqipëria edhe pa ne”. Akuzat për priftërinjtë katolikë ishin nga më të ndryshmet, por kryesisht ato i quanin; armiq të pushtetit dhe spiunë të Vatikanit, si Imzot Fran Gjini, i cili u pushkatua më 1946. Vala e luftës kundra bektashinjve është në vitin 1948. Pas pushkatimit të Baba Qamil Gllava, Sali Niazi Dede dhe Baba Zylfo Turani në prag të çlirimit, u arrestuan dhe u pushkatuan Baba Ali Tomorri, Baba Shefqet Koshtani, Baba Bedri Cakrani, Baba Myrteza Kruja. Ndërkaq në listën e drejtuesve fetarë myslimanë personalitete si Sheh Karbunara, deputet i legjislacionit të parë të 1945, u dënuan dhe pushkatuan në grupin e deputetëve antikomunistë. Ndërsa priftërinj ortodoksë, si At Kostandin Bozdo, At Dhimitër Leka... u pushkatuan si armiq të vendit. Shumë vuajtën në kampet e punës dhe vdiqën atje. Për At Sifi Papamihalin tregojnë se e kanë varrosur të gjallë në kënetën e Maliqit, Dom Sandër Sirdanin e kanë hedhur në gropë deri sa dha shpirt e po kështu dhe Dom Pjetër Çunin, që e hodhën në kanalin e ujërave të zeza.
“Rrno për me tregue”
At Zef Pëllumbi, një nga katolikët e dënuar në kohën e diktaturës komuniste, në librin e tij me kujtime “Rrno për me tregue” rrëfen shumë skena rrëqethëse në kënetën e Bedenit. Në kujtimet e vitit 1948 ai shkruan; “Kam parë me sytë e mij Atë Gegë Lumën, që e kishin zhytë në ujë të kënetës dhe dy të burgosun i hidhnin llucë sipër”. Ai tregon se si u rrah At Aleksi nga komandanti me lopatë deri sa i ra të fikët... “Ishim 29 priftërinj që punonim të ndarë. E kishim të qartë se aty do të vdisnim. Këtë na e kishin deklaruar komandantët e burgut disa herë. Por, edhe ne donim me jetue mbi të gjitha vështirësitë. Kushdo që nuk bënte normën, përfundonte në atë kryqin e torturës fizike përballë kuzhinës... Ndërsa një i dënuar politik, ish-oficer i Ministrisë së Brendshme të kohës së Mbretnisë, ishte duke shtyrë karrocën e drurit që peshonte aq rëndë, një i burgosur i shkonte nga prapa duke e goditur me shkop nga shpina. Ky vazhdoi rrugën deri në fund ku pa një lopatë, të cilën e rrëmbeu dhe iu kthye të burgosurit ordiner dhe e goditi disa herë sa e la në tokë. Disa të burgosur të tjerë bashkë me policët, e rrahën keq të burgosurin politik dhe e dërguan në kamp të lidhur në kryqin para kuzhinës”. Në librin e At Zef Pëllumbit tregohet se qëllimisht të burgosur ordinerë i bashkonin me ata politikë për të krijuar skena sherresh, ndërsa shto vuajtjeve, ushqimi ishte skandaloz.
Vala e dytë
Kunja me kishën katolike vazhdonte e ndërsa ushtrimi i fesë survejohej ishin mbyllur shkollat, manastiret katolike, medresetë, kudo. Më 1967, besimet fetare dhe institucionet e tij e ndërprenë me dhunë veprimtarinë e tyre. Dom Zef Bici arrestohet në vitin 1967 dhe pushkatohet një vit më vonë. Po në kuadrin e ndalimit të fesë u dënua me pushkatim Dom Mark Dushi. Lëvizja kundër institucioneve fetare, e nxitur nga shteti diktatorial komunist, u mbulua me një lëvizje të rinisë ateiste. Shumë kisha u kthyen në salla publike, disa u kthyen në salla bagëtish, disa u rrënuan plotësisht. U prishën 2169 objekte kulti, si kisha, xhami e teqe. Atëherë u burgosën 217 klerikë për terror e disa prej tyre vdiqën nëpër burgje ose u pushkatuan. Kodi Penal i vitit 1977 dënonte propagandën fetare si dhe përhapjen e liturgjisë. Sipas këtij Kodi, u dënuan shumë ish-klerikë, por edhe laikë. Pas përmbysjes së rendit ateist në Shqipëri, më 4 nëntor 1990, patër Simon Jubani, që ishte mbyllur 26 vjet në burg, si dhe Karlo A.Sevilla që ishte dëbuar nga Shqipëria që në vitin 1946, dhanë një meshë për të gjallët e për të vdekurit, në kapelën e vogël të varrezave të Shkodrës, e cila shërbeu si altar. Pjesëmarrja në meshë ishte e jashtëzakonshme. Po atë ditë u dha një duva në Xhaminë e Plumbit në Shkodër nga myslimanët.
AT DHIMITER LEKA
Lindur në Kudhës, Sarandë, në 1910. U arsimua në Korfuz. Arrestohet në 1944, ku dënohet me vdekje nga një trup gjykues partizan. Pushkatohet në përroin e fshatit nën akuzën “armik i popullit”.
AT KOSTANDIN BOZDO
Lindur në 1902 në Koshovicë nga një familje klerikësh ortodoksë. Arrestohet dhe torturohet 16 muaj. Në shtator 1964 dënohet me vdekje nën akuzën e tradhtisë ndaj Atdheut.
Imzot KRISTOFOR KISI
Lindur në Berat, 1881. Diplomuar për teologji. Në vitin 1937 emërohet Kryepeshkop deri në vitin 1948, kur u zëvendësua nga besniku i Qeverisë Komuniste, At Pashko. Vdekja e tij mbeti një mister. U gjet i helmuar.
KLERIKET KATOLIKE TE PUSHKATUAR
1. Patër Gjon Fausti
2. Patër Daniel Dajani
3. Patër Gjon Shllaku
4. Patër Anton Harapi
5. Patër Bernard Llupi
6. Patër Çiprian Nika
7. Patër Leonard Tagaj
8. Patër L. Mazreku
9. Imzot Gjergj Volaj
10. Imzot Frano Gjini
11. Imzot Nikoll Noga
12. Patër Mat Prendushi
13. Dom Zef Bici
14. Dom Mark Dushi
15. Dom Engjell Kovaci
16. Dom Ded Malaj
17. Dom Luigj Pici
18. Dom Luigj Prenushi
19. Dom Lazër Shantoja
20. Dom Anton Zogaj
21. Dom Ndre Zadeja
22. DOM ALFONS TRACKI
23. Mons.Nikoll Deda
24. Sem.Mark Çuni
VDEKUR NË BURGJE,TORTURA
1.Patër Florian Berisha
2.Patër Pal Dodaj
3. Patër CIRIL ÇANI
4. Patër Klement Miraj
5. Patër Karlo Sereqi
6. Patër Gasper Suma
7. Patër Serafin Konda
8. Imzot Vicenc Prenushi
9. Imzot Gjergj Haberi
10. Mons Jul Bonati
11. Dom Kolec Prendushi
12. Dom Jak Bushati
13. Dom Anton Muzaj
14. Dom Engjell Deda
15. Dom Mark Hasi
16. Dom Pjeter Gruda
17. Dom Nikoll Gjini
18. Dom Pjeter Noga
19. Dom Lec Sahatcia
20. Dom Pjetër Çuni
21. Dom A. Sirdani
22.Dom Mark Gjani
23.Fratel Gjon Pantelia
24.DOM LAZER JUBANI
BEKTASHINJTE E PUSHKATUAR
1. Sali Niazi Dede
2. Baba Zylfo Turani
3. Baba Qamil Gllava
4. Baba Ali Tomorri
5. Baba Shefqet Koshtani
6. Bedri Cakrani
7. Dervish Ali Kocia
VDEKUR NE BURG
1.Baba Myrteza Kruja (Paja)
2.Dede Kamber Prishta (Meçe)
3.Baba Mehmet Zyka
4.Baba Islam Leskoviku
TË BURGOSUR - TË INTERNUAR
1. Baba Bajram Mahmutaj
2. Baba Islam Jangolli
3. Baba Hilmi Kurtesi
4. Dede Ahmet Myftari
5. Dede Reshat Bardhi
6. Baba Hajro Progonati
7. Baba Sherif Canametaj
MUSLIMANET
1. Sheh Qerimi Delvines
2. Sheh Ibrahim Karbunara
3. Hafiz Ali Korça
4. Hafiz Musa Dërguti
5. Hafiz Ismet Dibra
6. Hafiz Ibrahim Dalliu
7. Hafiz Ali Kraja
8. Hafiz Sherif Lëngu
9. Hafiz Sabri Koçi
10. Hafiz Bakalli
11. Hafiz Myrtja
12. Hafiz Muhamet Bektashi
13. Hafiz M. Varoshi
14. Sheh Ali Pazari
15. Sheh Reiz Sinani
16. Sheh Qazim Hoxha
17. H. Adem Metalia
18. Vexhi Buharaja
19. Jonuz Buliqi
20. Shaban Demiri
ORTODOKSE
1. Imzot Visarion Xhuvani
2. At Gjergj Suli
3. At Dhimitër Leka
4. At Kostandin Bozdo
5. Imzot Kristofor Kisi
6. At Sifi Papamihali
7. Imzot Irine Banushi
8. Episkop Kozma Qirjo
Pergatiti: Rezarta Delisula
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...