2016-09-06
Urdhrat për pushkatimin e 34 oficerëve të lartë dhe burgosjen e 25 të tjerëve
Në vitet e para të Çlirimit të vendit janë pushkatuar nga komunistët 34 ushtarakë të lartë, tre kanë vdekur në burg dhe 22 të tjerë janë arrestuar.
Shumica e tyre janë pushkatuar pa gjyq nga forcat partizane në pragun e 28 nëntorit 1944, ndërsa një grup tjetër janë gjykuar e dënuar me pushkatim më 14 prill 1945. Në librin e shkruar nga Tomorr Aliko, kemi listën e plotë të oficerëve të lartë të pushkatuar e dënuar.
Pragu
Janë ditët e fundit të Çlirimit të vendit. Pjesa më e madhe e vendit është spastruar, ndërsa forcat partizane kanë edhe një mision tjetër; të heqin qafe elementet nacionalistë. Në materialet e mbledhura nga Tomorr Aliko, vërejmë se shumë oficerë janë pushkatuar pa gjyq nga partizanët. Akil Sakiqi, i diplomuar në Akademinë Ushtarake të Romës, pushkatohet më 28 nëntor 1944. Shefqet Deliallisi i shkolluar po në Itali torturohet e vritet më 13 nëntor 1944. Të njëjtin fat patën dhe Azis Blloshmi, oficer në karrierë, i cili u pushkatua më 2 nëntor. Rakip Kalenja, i diplomuar në Itali, Rifat Tërshana, Muharrem Liku që ka ndihmuar në organizmin e ushtrisë shqiptare, Hamid Greblleshi i arsimuar në Turqi, kushëriri i Bajo e Çerçiz Topullit, Subi Topulli, Selim Kelmendi, Hidajet Kulla, Anton Fekeçi, Hasan Dine, Petraq Pekmezi, Nazmi Uruçi dhe Abdullah Saraçi, të gjithë të arsimuar në akademitë ushtarake të Evropës, u ekzekutuan nga çetat partizane para Çlirimit të vendit. 13 ushtarakët e lartë që kishin marrë pjesë aktive në organizimin e ushtrisë dhe kishin luftuar për çlirimin, nuk mundën të shijonin lirinë. Edhe në fillim të vitit 1945, oficerë të tjerë të lartë u gjykuan dhe u dënuan me vdekje. Në një qarkore të datës 25 qershor 1945, Enver Hoxha, komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional Çlirimtare, u drejtohet të gjitha reparteve ushtarake, ku i njofton për dënimet me vdekje të 14 oficerëve efektivë të ushtrisë dhe 17 oficerëve që morën dënime të ndryshme, të cilët kishin qenë anëtarë të Ballit, Legalitetit, milici dhe xhandarmëri dhe sipas qarkores kishin bërë propagandë kundra tyre. “Këta renegatë me vetëdije e shpirt reaksionari të pakorrigjueshëm, kanë vazhduar tradhtinë e tyre duke mohuar gjakun e dëshmorëve të rënë për liri dhe sakrificat e panumërta të popullit shqiptar. Porse shpirtgjerësi nuk do të thotë dobësi, dhe për këtë, shpata e drejtësisë me vend ra mbi këta tradhtarë, duke u dënuar me vdekje; Enver Neka, Hajdar Teki, Sefedin Faslli, Harrun Hysejn, Syrja Zoto, Estref Mustafaraj, Nexhip Cenka, Mehdi Lamçe, Faik Tartari, Lec Ndreca, Zef Sadria, Gjon Cufi, (partizanë të brigadës së parë dhe civilët) Faredin Angoni e Myrteza Selusha. Me dënim të përjetshëm Avni Bejkova, me 30 vjet burg Luigj Camku, me 20 vjet Mehmet Shero, Luto Mustafa, Hysen Seiti, Can Dadoshi, Luigj Cepi e Tef Nika. Me 10 vjet, Samit Muço, Hajro Zyberi, Shyqyri Shasho, Safet Seiti, Baki Jonuzi. Me 5 vjet Riza Iliazi, Osman Halili. Me 6 muaj burg Jashar Aliu dhe me 2 muaj Muharrem Saliu. Këta të dënuar u ekzekutuan para reparteve ku bënin pjesë, ndërsa të tjerët vuajnë ndëshkimin me punë të detyruar. Në këtë qarkore të shkruar nga Enver Hoxha, ishte theksuar fakti se duhej të lexohej gjerë e gjatë në të gjitha repartet. Ushtarakët ishin ndër më të goditurit nga regjimi komunist, sidomos të arsimuarit jashtë shtetit. Në statistikat e të dënuarve në vitin 1947, në janar rezultojnë 22 të dënuar, në shkurt 22, në mars 30, në qershor 200, në korrik 187, në gusht 190, shtator 201, tetor 200, nëntor 193 dhe në dhjetor 200. Kjo statistikë përforcon edhe më shumë faktin e luftës së pushtetit kundrejt ushtarakëve.
Ligjet
Masat ekstreme të dënimit sigurisht që s’mund t’i shpëtonin askujt. Me dekret nr.239 të datës 5 dhjetor 1946, Presidiumi i Kuvendit Popullor miratoi ligjin për organizimin dhe kompetencat e gjykatave ushtarake. Në të gjithë botën po dënoheshin të ashtuquajturit kriminelë lufte, por në vendin tonë përmasat ishin të paimagjinueshme. Në një letër të kryetarit të Gjykatës së Lartë Ushtarake të vitit 1947, drejtuar Gjykatës Ushtarake të Gjirokastrës thuhet: Në gjyqet që do të zhvilloni duhet të kufizoni dënimet kapitale, do ta jepni këtë dënim vetëm në rast se është tepër serioz. Bën përshtypje të keqe kjo masë kaq e rreptë, prandaj shikojeni mirë këtë punë, mos u kënaqni kur jepni vetëm dënim kapital. Kjo letër mbante të shënuar vilën “tepër rezervat”. Më 1 tetor 1946, Ministria e Mbrojtjes Kombëtare me një urdhër të firmosur nga Enver Hoxha me cilësinë e komandantit të forcave të armatosura thuhet: Të gjithë ushtarakët e arrestuar nëpër divizione të kalojnë menjëherë para gjyqit ushtarak dhe vendimi i dënimit të njoftohet brenda datës 5 tetor 1946. Në bazë të urdhrit të Enver Hoxhës, nisën gjykimet masive dhe raportimet përkatëse. Gjykata Ushtarake e Gjirokastrës njoftonte Ministrinë e Mbrojtjes se ka dënuar 33 ushtarakë, mes të cilëve 8 me vdekje dhe 24 me burgim, ndërsa 1 është shpallur i pafajshëm. Në të njëjtën vorbull u përfshinë dhe ushtarakët që gjejmë në librin e Tomorr Alikos “Genocidi mbi elitën intelektuale të kombit shqiptar”.
oficeret e pushkatuar
RAKIP KALENJA
Lindur në Mallakastër më 1901. Mbaron Akademinë Ushtarake, Torino. Në 12 nëntor 1944, pushkatohet me urdhër të Mehmet Shehut.
RIFAT TËRSHANA
Lindur në Dibër, 1904. Kryen Akademinë Ushtarake në Itali. Arrestohet më 28 tetor 1944. Pushkatohet nga partizanët.
MUHARREM LIKU
Lindur në Tiranë më 1892. Kryen Akademinë Ushtarake në Stamboll. Në mesnatën e 31 tetorit 1944 pushkatohet nga njësitë partizane.
PJETER GURAKUQI
Lindur në Shkodër në 1912. Kryen Akademinë Ushtarake në Itali. Arrestohet në vitin 1945 dhe dënohet me vdekje pushkatim.
HAMID GREBLLESHI
Lindur në Tiranë më 1907. Mbaron Akademinë Ushtarake në Turqi. Në 4 nëntor 1944 pushkatohet nga njësitet partizane.
AQIF AVERIKU
Lindur në Kavajë, 1910. Kreu shkëlqyeshëm Akademinë Ushtarake në Itali. Nuk pranoi të vinte yllin e kuq. Pushkatohet më 1946.
ZEF KADARJA
Lindur në Shkodër, 1898. Diplomuar në Akademinë Ushtarake në Itali. Më 14 prill 1945 dënohet nga Gjykata e Lartë me vdekje.
SUBI TOPULLI
Lindur në Gjirokastër më 1891. Mbaruar Akademinë Ushtarake në Itali. Pushkatohet nga njësitet partizane natën e 12 nëntorit 1944.
SELIM KELMENDI
Lindur në Vuthaj më 1902. Diplomuar në Akademinë Ushtarake në Itali. Pushkatohet nga gueriljet partizane më 11 nëntor 1944.
HILMI LEKA
Lindur në Pogradec, 1913. Kreu Akademinë Ushtarake në Modena. Më 1940, ministër i Kulturës Popullore. Më 14 prill 1945 dënohet me pushkatim.
HIDAJET KULLA
Lindur në Nepravishtë, 1898. Kreu Akademinë Ushtarake në Itali. Arrestohet në vitin 1947 dhe dënohet me vdekje pushkatim.
RESHAT STERMASI
Lindur në Tiranë në 1911. Kryen Akademinë Ushtarake në Itali. Pushkatohet nga gjykata në vitin 1947.
SHYQYRI BORSHI
Lindur në Borsh, Sarandë 1893. Kryen Akademinë Ushtarake në Torino. Dënohet me pushkatim, më 14 prill 1945.
ANTON FEKEÇI
Lindur në Shkodër më 1917, me baba austriak, Josif Fekeç, dhe me nënë shqiptare, bijë nga dera e Boriçëve. Pushkatohet më 30 tetori 1944.
PETRAQ PEKMEZI
Lindur në Ohër, 1901. Mbaroi Akademinë Ushtarake në Austri. Pushkatohet nga gueriljet partizane më 12 nëntor 1944.
NAZMI URUÇI
Lindur në Dibër, 1904. Oficer karriere. Arrestohet nga njësi partizane dhe pushkatohet më 12 nëntor 1944.
ABDULLAH SARAÇI
Lindur në Tiranë, 1903. Kreu Akademinë Ushtarake në Itali. Komunistët e pushkatuan më 1 nëntor 1944.
NAZIF BABANI
Lindur në Baban, Devoll 1910. Diplomuar në Akademinë Ushtarake, Modena. Arrestohet më '47 dhe mbas një viti, pushkatohet.
DINO SHANI
Lindur në Stamboll, 1912. Kryen Akademinë Ushtarake në Itali. Në 7 prill 1948 dënohet me vdekje, pushkatim.
KRISTAQ PESHTANI
Lindur në Peshtan, 1880. Mbaroi Akademinë Ushtarake, Itali. Arrestohet më '45 me grupin. Vdes ne hetuesi më 1947.
DIK CANI
Lindur në Dibër 1905. Kreu Akademinë Ushtarake në Modena. Më 14 prill 1945, Gjykata e Lartë e dënon me vdekje, pushkatim.
ATIF GOLE
Lindur në Dibër, 1911. Kryen Akademinë Ushtarake në Itali. Ekzekutohet më 17 tetor 1947.
GAFUR JEGENI
Lindur në Dibër, 1908. Kreu Akademinë Ushtarake, Romë. Kapet në shkurt 1951 dhe pushkatohet për hedhjen e bombës te sovjetikja.
MYFTAR JEGENI
Lindur në Dibër në 1915. Kreu Akademinë Ushtarake në Itali. Pushkatohet 1951, "Bomba në ambasadën sovjetike".
XHEVIT LESKOVIKU
Lindur në Leskovik më 1891. Kreu studimet e larta në Akademinë Ushtarake të Stambollit. Vdes në burgun e Burrelit në vitin 1956.
ILJAZ DEMA
Lindur në Dibër më 1909. Oficer i karrierës. Arrestohet më 1945 dhe dënohet me 20 vjet burg. Vdes në bodrumin e spitalit më 1949.
SULEJMAN VUÇITERNA
Lindur në Drenicë të Kosovës 1898. Kryen Akademinë Ushtarake në Torino. Dënohet me 30 vjet burgim. Vdes në tortura në kampin famëkeq të Vloçishtit.
TË BURGOSUR
1. BILAL NIVICA
2. BAJRAM PUSTINA
3. MAHMUT GOLEMI
4. TAHSIN SPAHIU
5. JAHJA PANARITI
6. HALO KUÇI
7. ALI EREBARA
8. NIAZI ÇARÇANI
9. RESHAT BEQIRI
10. QERIM NASUFI
11. TAQO RUCO
12. SKENDER SHTYLLA
13. HAMID KROI
14. VESEL PITARKA
15. STEFAN BUMÇI
16. RIZA SELMANI
17. NINO KURTI
18. NEFAIL SHIKULI
19. IMER NDREGJONI
20. KAJMAK XHILAGA
21. SADIK OMARI
22. SAMI KOKA
Pergatiti: Rezarta Delisula
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...