2016-09-06

SI SHPËTOI MEHMET SHEHU, PETRO MARKON NGA PERSEKUTIMI I KOMUNIZMIT



Shkruan: prof. Pëllumb A. Çabej “Gazeta shqiptare”

Shkrimtarin Petro Marko pata fatin ta njoh në Klubin e Gazetarëve përballë me "Zërin e Popullit" nga shkrimtari i mirënjohur Shefqet Musaraj, pas daljes nga burgu. Petrua kishte fizik të bëshëm, ishte shpatullgjerë, megjithëse vinte pak i kërrusur. Me siguri do kishte rënduar mbi të pesha e burgut. Kaçurrelat mbi ballin e gjerë ia kishte spërkatur bryma me argjendin e saj. Fytyra e tij fisnike me vështrim të qetë dhe të menduar kishte pamje burrërore. Ajo të kujtonte ilirët, portretin e Lekës së Madh dhe atë të Pirros. Karakteristikë e veçantë e Petro Markos ishte se kur bisedonte me njeri, cigaren nuk e hiqte nga cepi i buzës. Njohja ime me të shumë shpejt u shndërrua në miqësi nëpërmjet babait, ish- mësuesit Arshi Çabej, i cili në atë kohë punonte në Ministrinë e Arsimit, në sektorin e librit shkollor, me kryetar dege të ndjerin Musin Kroi. Babai vuante nga astma. Mjekët e këshilluan të ndërronte klimë. Tirana kishte lagështirë. Më në fund ai shkoi arsimtar në fshatin Luz i vogël të Kavajës, ku drejtor i shkollës ishte Aliu, kunati i Petro Markos, vëllai i Safos, bashkëshortes së tij. Babai, sa herë vinte me pushime në Tiranë, takohej edhe me Petron.



Një ditë ai më tregoi se si një të diel paradite, kur po pinin kafe në Bar "Çajupi" Petroua, në bisedë e sipër më kishte lavdëruar duke më quajtur djalë të mirë, me talent, shkruan bukur, me kalimin e kohës do të bëhet poet i mirë.



Në një rast tjetër Petrua i ishte ankuar babait, i kish qarë hallin se ishte pa punë, shkrimet nuk ia botonin. Aq ngushtë ishte ekonomikisht, deri aty sa merrte veresie në një kosaxhi në afërsi të kinema "17 Nëntorit", si dhe sot disa familje të varfra marrin me fletore. Honoraret që merr Safua, i kish thënë, kur boton ndonjë pikturë nëpër gazeta, s‘dalin as për shpenzimet e saj, pa le pastaj për blerjen e bojërave. Nga ngushtësia ekonomike Petrua nuk blinte më paketa me cigare, por kishte filluar të pinte duhan me të dredhur.

Hera-herës dhe me llullë. Që ta linte, nuk e linte dot, e kishte shok që në burg. Me të largonte mërzitjen dhe dëshpërimin.

Petrua bënte vazhdimisht përpjekje për të botuar, po përpjekjet e tij ishin të kota. Disa nga funksionarët e shtypit, njerëz servilë dhe frikacakë, në vend që t‘i jepnin dorën, t‘i hapnin rrugën dhe ta mbështesnin, i shmangeshin. Ata prisnin të shihnin një herë se çfarë qëndrimi do mbante Partia dhe ish-organet e Punëve të Brendshme ndaj Petros pas daljes nga burgu.
Në atë kohë po afronte dita përkujtimore mbi hedhjen e bombës atomike në Hiroshima. Petrua e shfrytëzoi këtë rast; përktheu nga një poet i huaj një poezi që i kushtohej Hiroshimës, me shpresë se me botimin e saj mund t‘i hapej rruga dhe për botime të tjera. Përkthimi i tij ishte i goditur, e bënte poezinë edhe më tërheqëse. Ai e dorëzoi për ta botuar në "Zërin e Rinisë", "Sporti Popullor", deri te gazeta e ushtrisë "Luftëtari", botoheshin te godina e "Zërit të Popullit", në katin e parë, në një sallë me premisa të mëdha, ku ishin vendosur dy makineri pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, që kur ndizeshin dhe viheshin në lëvizje, shkaktonin një zhurmë të fuqishme, si zhurma e një lokomotive treni, sa dëgjohej edhe jashtë deri në trotuar. Dritaret e sallës, për të mos parë njerëzit nga jashtë, rrinin gjithmonë të mbuluara me perde të mëdha prej mushamaje.

Në atë kohë, gazeta "Zëri i Rinisë", veç materialeve të tjera, në çdo dy të shtuna botonte dhe faqen letrare me krijimet e debutuesve të rinj, si me skica, tregime, poezi e deri te përkthimet. Kjo faqe letrare përgatitej nga grupi i letrarëve të rinj, si Bekim Harxhi, Murat Nezha, Muharrem Gazioni, Neki Lezha etj, ku bëja pjesë edhe unë. Si e përgatisnim, ia kalonim kryeredaktorit për ta kontrolluar e për ta firmosur përpara se ta çonim në shtypshkronjë. Kryeredaktor ishte Dhimitër Verli, i cili nuk merrte vesh fare nga shtypi, por që vendin e kryeredaktorit e kishte zënë vetëm nëpërmjet një njeriut të tij, Aleks Verlit, që në atë kohë ishte ministër i Financave, por që ndryshonin shumë nga njëri-tjetri, si nata me ditën. Kur po kontrollonte materialet e faqes letrare dhe kur pa poezinë kushtuar Hiroshimës me emrin e Petro Markos si përkthyes, e hoqi menjëherë, duke thënë: "S‘kemi nevojë për përkthimet e burgaxhinjve, ndërroheni, vini ndonjë poezi tjetër". Mirëpo ne ishim të vendosur se me botimin e këtij përkthimi, Petro Markos mund t‘i hapej rruga për botime të tjera. Bekimi tha ta marrim njëherë me vete, të shohim se mos e rregullojmë me ata të shtypshkronjës dhe e futi në xhep.

Punëtorët në shtypshkronjë e merrnin punën në orën dhjetë të mbrëmjes dhe e linin në orën gjashtë të mëngjesit, pasi të kishte filluar shpërndarja e shtypit. Ata ishin njerëz të mirë, megjithëse ne shiheshim një herë në dy javë, kishim krijuar miqësi të ngushtë dhe të sinqertë. Ata kishin konsideratë për ne, shkrimet tona i lexonin me dashamirësi. Kur u dorëzuam lëndën e faqes, biseduam dhe për problemin e Petros. Ata morën përsipër botimin e poezisë, megjithëse mund të kishin edhe pasoja pas saj, duke thënë se Petrua duhet ndihmuar.
Në mëngjes, kur kryeredaktori po i hidhte një sy gazetës dhe kur pa të botuar poezinë kushtuar Hiroshimës me emrin e Patro Markos si përkthyes, u bë si i tërbuar. Me dhjetëra herë na thërriste në zyrë e na pyeste sikur të ishim në hetuesi, duke na bërë presion. Kërkonte të gjente fajtorët për t‘i vënë përpara përgjegjësisë. Kishte frikë se mos i thoshin nga lart: Po ty, përse të kemi vënë? Deri sa më në fund përpjekjet e tij dështuan, u varrosën njëherë e përgjithmonë në pusin e harresës. Sado që poezia për Hiroshimën, me përkthimin e goditur të Petro Markos u prit mirë nga lexuesit, prapë atij nuk iu hap rruga për të botuar.
Petro Marko në atë kohë banonte në bulevard, te pallati në qoshe në formë trekëndëshi, tek rrugica për te "Dervish Hatixheja", ndërsa unë banoja në fillim të "Rrugës së Fortuzit", kur hyn nga bulevardi, në rrugën "Hamit Shijaku". Ishin pothuajse komshinj me Petron dhe shpesh takoheshin në rrugë, furrë apo dyqan dhe kur e bënim rrugën bashkë, kishte raste që më kthente për vizitë në banesën e tij, pinim kafe dhe bisedonim rreth letërsisë.
Një të diel janari u takuam rastësisht. Ai shkoi për vizitë në një familje në Tiranë të Re, ndërsa unë për tek motra. Rrugën e bëmë bashkë. Megjithëse moti ishte i kthjellët, bënte ftohtë. Drita e diellit në fasada ishte e verdhë, si limon. Gjatë bulevardit biseduam rreth veprave të disa klasikëve. Kur arritëm në qendër, aty ku ndodhen sot shatërvanët në formë govate, papritmas u përballëm me një makinë të re si tip Pezhoje ngjyrë çokollate në vishnje të thellë. Duhet të ishte prodhim i fundit, ngjante më shumë me krahun e një avioni. Siç mora vesh më vonë, e kishte sjellë nga jashtë Mehmet Shehu pas përfundimit të mbledhjes me kryetarët e shteteve, që ishte zhvilluar në Nju Jork. Përpara me shoferin ishte Fiqiretja, pas saj Mehmeti. Fiqiretja kur na pa, ktheu kokën prapa dhe se çfarë i tha Mehmetit. Ai i bëri me dorë shoferit për të ndaluar makinën dhe ajo frenoi para këmbëve tona. Fiqiretja, si uli xhamin e dritares, i foli Petros, duke i zgjatur dorën: Si je? Pas Petros i dhashë dorën edhe unë. Petrua i tha për mua se është një letrar i ri. E njoh Pëllumbin Petro, e njoh, në diskutimet e rretheve letrare. Diskutimet e tij kanë qenë gjithmonë të vlefshme, të drejta dhe parimore. Apo jo Pëllumb?, - më tha. Më buzëqeshi dhe më pa në sy.

Mehmeti, si hapi pak derën e makinës, u përshëndet me Petron dhe i tha: Petro, mos u bëj merak. Kam biseduar unë me ata shokët atje, shkova vetë dhe më thanë se do ta botojnë. Ishte fjala për romanin "Hasta la vista". Pra, Mehmet Shehu ishte ai që i hapi rrugën shkrimtarit Petro Marko për të botuar.

Si ishte e mundur që Mehmet Shehu, shok armësh me të në Luftën e Spanjës, duke qenë dhe kryeministër, të lejonte arrestimin dhe burgimin e Petro Markos? A nuk është për t‘u habitur? Apo ndoshta, megjithëse Mehmeti ishte kryeministër, komandonte dikush tjetër?
Si u ndamë me ta dhe makina e tyre bëri për nga fundi i bulevardit, unë me Petron u ndamë përpara Pallatit të Kulturës.

Pas ca kohe, kur u shpall konkursi letraro-artistik me rastin e njëzetvjetorit të çlirimit, një të diel paradite në Pallatin e Kulturës "Ali Kelmendi", në sallën e koncerteve, u zhvillua një ceremoni, ku u shpallën emrat e atyre që kishin fituar. Listën e lexoi i ndjeri Dalan Shapllo. Midis emrave fitues u përmend edhe emri i Petro Markos. Njerëzit, nga kureshtja, hodhën sytë nëpër sallë për ta parë, por për fat të keq Petrua nuk ndodhej. Si mbaroi ceremonia festive, siç isha me trastë në dorë u nisa për në Pazarin e Ri për të psonisur. Edhe më parë, bashkë me babanë psonisnim atje, sepse prodhimet që sillnin fshatarët ishin më të freskëta dhe me çmim të arsyeshëm. Kur kalova mapon e veshmbathjes në Rrugën e Dibrës, atje ku sot ndodhet gropa e Hajdin Sejdisë, sa mora kthesën për të dalë në Rrugën e Barrikadave, gati sa nuk u përplasa me Petro Markon. Kujdes Petro, - i thashë, - se desh më shtype, largoje atë dreq cigare se më dogje. Qenke në humor sot, - më tha. Si të mos jem, - i thashë, - kur do të të jap një lajm të gëzuar: ke fituar çmimin e dytë dhe tridhjetë mijë lekë shpërblim për romanin "Hasta la vista". Tani sapo i komunikuan emrat në Pallatin e Kulturës "Ali Kelmendi". Po a je i sigurt se u përmend emri im?, - më pyeti ai. Siç duket, ai nuk kishte besim se do të fitonte, meqë kishte qenë në burg.

Fytyra e tij e pezmatuar u çel menjëherë. Sytë iu mbushën me stërkala lotësh gëzimi. Ndoshta në atë fitore varej jeta e tij. Më rroku dhe më shtrëngoi para gjoksit të tij. Përpara se të ndaheshim nuk lashë pa bërë një shaka me të: Petro, - i thashë, - kur të marrësh shpërblimin, mos harro t‘i paguash borxhin kosaxhiut. A rrufjan, - më tha, - kush të ka thënë, xha Arshiu?
E ndoqa me sy që prapa deri sa e mbuloi turma. Ngrita kokën drejt qiellit dhe thashë me vete: O Zot, deri kur do të vuajnë këta apostuj, inxhinierët e shpirtit?

Gjatë vitit 1992, kur u vendos demokracia, partitë e sapokrijuara kërkonin godina për t‘u vendosur për të ushtruar aktivitetin e tyre politik. Socialdemokratja, me në krye zotin Skënder Gjinushi, u vendos në Rrugën e Fortuzit, pikërisht në godinën ku ndodhet edhe sot. Në një paradite prilli, kur kalova andej, dikush më thirri: O Pëllumb, Pëllumb! Kur ktheva kryet, pashë se ishte zoti Lisen Bashkurti. Menjëherë mu kujtuan rrethanat se si isha njohur me të.
Përpara vitit 1992, unë vazhdoja të botoja poezi nga më të ndryshmet, si në revistën "Nëntori", gazetën "Drita" dhe në "Zërin e Rinisë". Në atë kohë, kryeredaktor në
"Zërin e Rinisë" ishte zoti Remzi Lani, sot analist. Sektorin e kulturës së kësaj gazete e drejtonin dy shokët e mi, Preç Zogaj dhe Ilirjan Zhupa.

Një paradite, duke biseduar në zyrën e zotit Lani, ku ndodhej edhe ish-kryeredaktori i revistës "Shkenca dhe jeta", zoti Kudret Isai, trokitën në derë. Në zyrë hyri zoti Lisen Bashkurti, shtatlartë, elegant, veshur me gusto e me fytyrë simpatike. Më shumë përshtypje tek ky njeri më bëri edukata e të folurit. Që nga ai çast mu krijua për të respekti dhe konsiderata. Më përshëndeti duke më zgjatur dorën dhe më pyeti se për ku isha nisur. Në Ndërmarrjen e Librit, - iu përgjigja, - për t‘u furnizuar. Furnizimin lëre për një herë tjetër, - më tha, - sepse do të të ngarkoj me një detyrë: do të shoqërosh deri tek ish-Blloku dy miq francezë, një gazetar dhe një fotoreporter, duan të shohin nëse është hequr rrethimi në vilën e Enver Hoxhës. Unë kam një mbledhje të rëndësishme dhe nuk mundem t‘i shoqëroj. Pastaj iu drejtua të huajve: Njihuni, është një miku im, është poet, me të jeni të sigurt!

Për fat të mirë, gazetari dinte pak shqip dhe komunikonim lirshëm. Që aty shkuam në hotel "Arbëria", ku ata kishin fjetur një natë më parë. Unë i prita në sallon, ndërsa ata u ngjitën lart. Gazetari mori bllokun e shënimeve, ndërsa fotoreporteri aparatin fotografik.

Kur po kalonim pranë "Zërit të Popullit", gazetari më tha: "Zoti Pëllumb, nëse shihni rrugës ndonjë shkrimtar serioz, disident, që të ketë vuajtur nëpër burgjet e diktaturës komuniste, ju lutemi na njihni me të për t‘i marrë një intervistë, do ta botojmë kur të kthehemi në Paris! Unë pohova.

Kur arritëm tek Pallati i Kulturës "Ali Kelmendi", sytë më shkuan tek bufe "Peza" në lulishten para pallatit, ngjitur me bufenë pashë të ulur në stol Petro Markon. Ju qëndroni këtu, - u thashë miqve francezë, - sa të shkoj e të bisedoj me të nëse pranon. Shkova e takova, e pyeta për shëndetin dhe ai më tha se kishte kohë që vuante nga mushkëritë, deri aty sa hera-herës i bllokohej frymëmarrja. I thashë ta shoqëroja për në shtëpi, por ai nuk pranoi, sepse pas çlodhjes e ndjente veten më mirë dhe mund të shkonte vetë. Pastaj i thashë: Zoti Lisen Bashkurti më ka dhënë dy gazetarë francezë për t‘i shoqëruar deri te ish-Blloku. Ata kanë dëshirë të të marrin një intervistë nëse dëshiron. Pse jo Pëllumb, - më tha, - janë të mirëpritur. Kur Petrua bisedonte me gazetarin, u habita që ai e zotëronte aq mirë frëngjishten. Ndërsa ata bisedonin, fotoreporteri vazhdonte të fotografonte Petron me poza nga më të ndryshmet. Kur u ndamë Petrua më tha: Pëllumb, s‘di si të të shpërblej, ndjeva një kënaqësi me mikun francez.
Kur arritëm tek ish-Blloku, si gazetari dhe fotoreporteri panë me sytë e tyre se rrethimi nuk ekzistonte më. Njerëzit kalonin të qeshur e të gëzuar. Ata i merrnin në intervista, i pyesnin, mbanin shënimet e duhura, i fotografonin. Pyesnin për emrat e disa rrugëve, derisa më në fund vizituan edhe vilën ku kishte jetuar Enver Hoxha. Kur po ktheheshim për në qendër, gazetari kërkoi të më bënte një vizitë në familje dhe unë pranova.

Të ulur në kolltukë, duke pirë kafe dhe lëng frutash, gazetari nxori nga kuleta kartëmonedha në dollarë dhe m‘i vuri përpara mbi tavolinë si shpërblim për mundimin që kisha bërë kur i çova për te ish-Blloku, por unë iu ktheva, megjithëse kisha nevojë për to, sepse gjithë ditën rrija nëpër trotuare, midis pluhurit, shiut dhe diellit duke shitur libra për të fituar bukën e gojës.

Biseda jonë vazhdoi pothuajse një orë. Ju tregova se si një pjesë e mirë e intelektualëve shqiptarë e zotërojnë mjaft mirë gjuhën frënge, jo vetëm kaq, por janë edhe përkthyes të talentuar, si Jusuf Vrioni, Vedat Kokona, Sotir Caci, Misto Treska, Javer Malo, Fejzi Dika, Mitrush Kuteli, Remzi Xheneti, Skënder Luarasi e të tjerë. Ju nuk e dini, - u thashë, - se nga gjithë veprat e letërsisë botërore të përkthyera në shqip numrin më të madh e përbëjnë veprat e letërsisë franceze. A mund të na tregoni disa?, - më pyetën ata. Dhe unë fillova: "Të mjerët:, "Viti 93", "Katedralja e Parisit", "Njeriu që qesh", "Vaterloja", "Antologji poetike", "E kuqja dhe e zeza", "Manastiri i Parmës", "Lysjen Lëveni", "Iluzionet e humbura", "Shkëlqimi dhe mjerimi i kurtizaneve", "Lëkura prej shargini", "Fshatarët", "Evgjeni Grande", "Kushëriri Pons", "Fajdexhiu Gobsek", "Shpartallimi dhe paraja", "Zonja Bavari", komeditë e Molierit, tregimet dhe novelat e Mopasanit, fabulat e Lafontenit, lirikat e Mysjesë dhe të Lamartinit, e sa e sa të tjera. Kur unë u tregoja, ata më shikonin drejt e në sy, sikur donin të shkëpusnin fjalët e mia përpara se t‘i nxirrja nga goja. Hera-herës gazetari ia përkthente në frëngjisht kolegut të tij, fotoreporterit. Ju e patë vetë, - i thashë gazetarit, - kur biseduat me shkrimtarin Petro Marko, dhe vazhdova. Ju nuk mund ta dini se përkthyesit e talentuar shqiptarë, me punën e tyre këmbëngulëse dhe të papërtuar, kanë krijuar për lexuesin shqiptar arsenalin e kulturës franceze. Përmes veprave letrare të përkthyera, lexuesi shqiptar mund të njohë Francën. Kjo është e vërtetë, - më tha gazetari francez, - ne deri tani nuk dinim asgjë. Kjo është një mrekulli si për kulturën tuaj, edhe për kulturën franceze.

Të dy miqtë francezë mu dukën njerëz të mirë. Ata kishin respekt dhe flisnin me admirim për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ndjeheshin të entuziazmuar për vendosjen e demokracisë në Shqipëri dhe për përmbytjen e diktaturës komuniste...

Ata, duke menduar se ishin borxhlinj karshi meje, nuk donin të ndaheshin pa më bërë një favor. Gazetari më kërkoi pasaportën për të marrë një vizë në ambasadën franceze për të vizituar Parisin, kryeqytetin francez. Unë i falenderova për kujdesin që tregonin dhe për dashamirësinë e tyre, por u thashë se megjithëse kisha shumë qejf ta vizitoja Parisin, nuk i përballoja dot shpenzimet.

Përpara se të ndaheshim gazetari më vuri në tavolinë kartëvizitën me adresën e tij. Mirëpo unë bëra një gabim, duhet t‘i jepja edhe unë adresën time që të më dërgonte gazetën ku ishte botuar intervista me Petro Markon. Mendova se mos kishin marrë adresën e Petros, prandaj këtë problem e rraha një ditë me bashkëshorten e tij, zonjën Safo, kur u ndodha në banesën e tyre për kopertinën e librit, por edhe ajo më tha se nuk kishin dërguar gjë.

Kohët e fundit, një mbrëmje, në lajmet televizive u bë fjalë për disa nga gazetat franceze, ku midis tyre u përmend edhe gazeta "Lë - Parisje". Me të dëgjuar këtë emër, mu kujtuan menjëherë dy miqtë francezë, gazetari dhe fotoreporteri, të cilët në atë kohë punonin në këtë gazetë...

Dhe sot e kësaj dite nuk dihet se çfarë i tha shkrimtari Petro Marko gazetarit francez gjatë intervistës, përpara se të vdiste?!

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...