Dua të përshëndes Vatrën për organizimin e këtij tubimi sonte për të shënuar kujtimin e Profesor Arshi Pipës me rastin e 95-vjetorit të lindjes. Është me vend, në fakt është detyrim, që ky përvjetor të shënohet ashtuqë të mos hidhet në harresë ky burrë i madh i Shkodrës i cili, me aktivitetin dhe veprat e tija që ka lënë pas, ai ka nderuar veten dhe kombin.
Sonte pra shënojmë 95-vjetorin e lindjes së profesor Arshi Pipës, për të kujtuar atë të cilin shumë prej nesh kemi patur fatin ta njohim për së afërmi, e disa prej jush kini patur rastin të punoni me të, kur ai ka shërbyer si Kryetar i Vatrës dhe Editor i Diellit. Marrim pra pjesë në kujtimin e një shqiptari të madh për ta kujtuar sonte jo vetëm me miqë të vjetër të Arshi Pipës, por edhe me dashamirë të ri, të cilët ndoshta nuk kanë patur rastin ta njihnin sa ishte gjallë. E kujtojmë në shënjë nderimi dhe respekti për veprën dhe kontributin e tij në fushë të ndryshme dhe si patriot, të një veprimtarie të shumëanëshme krijimtarie si në letërsi, në filozofi, në poezi, kritikë letrare, studime politike, ndër të tjera, mbi stalinizmin shqiptar dhe mbi Kosovën, e të tjera.
Si shqiptarë dhe si mërgimtarë, ia kemi borxh Profesor Arshi Pipës dhe familjes së tij të vuajtur dhe të sakrifikuar. Në të vërtetë kemi një detyrim moral që ta kujtojmë atë dhe vuajtjet e tija personale dhe sakrificat sublime të familjes Pipa në përgjithësi nën regjimin komunist të Enver Hoxhës, përfshirë edhe vrasjen e vëllait të tij dhe mbrojtësit të të pafajshëmve, të elitës së kulturës shqiptare — përfshirë klerikët më të njohur katolikë të Shkodrës — avokatit të shquar të shkodran, Muzafer Pipës. Pas arrestimit dhe torturave çnjerzore, Muzafer Pipa u vra nga regjimi komunist i Enver Hoxhës me porosi të teneqexhisë, Koçi Xoxe, në shtator të 1946. Siç dihet Koçi Xoxe ka shërbyer si Ministër i Mbrojtjes dhe Ministër i Mbrendshëm në regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe ishte aleat i ngushtë i jugosllavëve.
Familja Pipa është njëra prej familjeve shkodrane dhe shqiptare, e cila deri në arratisjen dhe në zhdukjen fizike të anëtarve të saj, me vendosmëri luftoi për të drejtën, për lirinë dhe demokracinë e Shqipërisë dhe kundër vendosjes së diktaturës komuniste në atë vend.
Por megjithë një jetë plot peripeci për veten dhe familjen e tij, Arshiun e kujtojmë edhe si optimist, i cili ndonëse në vitin 1946 arrestohet i akuzuar si kundërshtar i regjimit komunist dhe kalon 10-vjetë në burgje dhe kampe përqëndërimi në Shqipëri – edhe duke e shikuar vdekjen në sy në rrethanat ku jetonte — ai shprehej se, “Komunizmi nuk ka të ardhme. Ai do të përsëritet në involucjone gjithnjë ma të dobëta derisa të shterret vetvetiu”, kishte parashikuar që në fillim, Arshi Pipa. Shëmbjen e komunizmit e kishte ëndërrë dhe shpresë. Si patriot dhe si intelektual, Arshi Pipa nuk pushoi asnjëherë së luftuari drejtë këtij qëllimi dhe në mbështetje të lirisë e demokracisë, të lirisë së fjalës, dhe për lirinë e Shqipërisë dhe të Kosovës në përgjithësi — gjithmonë në një papajtueshmëri të plotë ndaj regjimit dhe diktaturës komuniste, të cilën e urrente me pasion. Visar Zhiti, një tjetër shkrimtar e poet që ka vuajtur tmerrin e burgjeve të regjimit komunist, pas takimit me të, ka shkruar se shihej që Arshi Pipa “ishte njeri i prerë, i pakompromis, ‘madhërisht i pamëshirshëm’ me diktaturën”.
Argumentat e tij e kishin bazën në një përgatitje të gjithanshme arsimore, kulturore, politike dhe filozofike perëndimore. Arshi Pipa, përveç përvojës akademike në universitet më të njohura amerikane ku ka dhënë mësim për dekada, dituria dhe angazhimet e tija në mbështetje të lirisë dhe dinjitetit njerëzor, e kanë gjithashtu bazën edhe në vuajtet e tija personale dhe të anëtarëve të viktimizuar të familjes së tij. Mishërimi i përvojës akademike, zgjuarsia e tij prej natyre dhe vuajtjet e veta dhe të familjes e bënin Arshi Pipën një bashk-bisedues — ndonëse nganjëherë i pa kompromis — që njëherazi angazhonte si kolegun ashtu dhe kundërshtarin duke paraqitur argumentat e veta me një gjallëri përbindëse të idealeve dhe qëndrimeve të tija. Ishte i fortë në argumentat e tija, i palëkundur në bindjet dhe parimet e veta. Kishte pak fjalë, por bindëse!
Disa mund të thonë se Arshi Pipa ishte një personalitet kompleks dhe kritikët e tij do e karakterizonin si i pa kompromis në qëndrimet e tija dhe disa do të thoshin i vështirë në marrëdhënje me të tjerët. Por cili nga ne mund të hedhë gurin e pare kundër Arshi Pipës, cili prej nesh nuk ka të meta e mungesa në jetën e përditshme dhe në jetën tonë profesionale dhe në marrëdhënje me punën dhe me njerëzit për rreth.
Të gjithë ne i kemi karakteristikat tona që na dallojnë, për mirë ose për keq, me prirjet tona të veçanta vetiake, në marrëdhënje pune, si individë dhe si pjesëtarë të shoqërisë në të cilën jetojmë.
Por kontributi i Profesor Arshi Pipës peshon shumë më rëndë nga ato që kritikët e tij mund ti karakterizojnë si të meta ose mungesa të tija. Mund të mos jeshë dakort me Arshi Pipën për ndonjë qendrim ose pikëpamje të tij, por nuk mund të mohohet vepra dhe kontributi i tij në lëmi të shumëta të gjuhës dhe kulturës shqiptare, të botuara jo vetëm në shqip por edhe në një numër gjuhësh më të rëndësishme në botë, siç janë anglishtja, frëngjishtja, italishtja dhe gjermanishtja.
Në këtë përvjetor të lindjes së tij, ne përkujtojmë Profesor Arshi Pipën ashtu siç e mbajmë mend kur ishte gjallë: një figurë e madhe e kombit në fushën e letërsisë, gjuhësisë, filozofisë dhe publicistikës. E mbajmë mendë si një atdhetar i përkushtuar ndaj fatit të kombit të vet dhe çlirimit nga komunizmi; si një person me një energji të palodhëshme anti-komuniste kurdo dhe kudo e donte nevoja.
Me një rast në vitin 2005, ish-Presidenti Bamir Topi ka folur për sakrificat e familjes Pipa, dhe duke përmendur vëllezërit Arshi e Muzafer Pipa ka thënë se, “Liria fillon e shuhet atëherë kur vritet shkrimtari si zëri me i artikuluar i shoqërisë, kur vritet avokati mbrojtesi i së drejtës, atëherë kur frika mbytë kundërshtimin, atëherë kur zëri ndryshe, shihet si kërcënim. Shkrimtari është personazhi më i frikshëm për diktaturat dhe diktatorët”, ka thënë ish-presidenti shqiptar. I tillë ishte atdhetari, shkrimtari dhe poeti Arshi Pipa, një zë ndryshe por i artikuluar shqiptar, një mbrojtës i së drejtës dhe i lirisë, por ama ai gjatë gjithë jetës së tij ishte njëkohësisht edhe një person i frikëshëm për diktaturën enveriste!
Thuhet shpesh se pena është një armë më e madhe ose më e fortë se pushka. Arshi Pipa, penën e përdori gjithmonë me qëllim bujar, për të lartësuar mirësitë dhe bukuritë e njeriut dhe të natyrës. Madje, Arshi Pipa, i cili i sjellë nder emërit shkrimtar dhe poet por edhe Shqipërisë dhe kombit shqiptar, mbrenda dhe jashtë trojeve shqiptare — nga shkrimet dhe veprat e tija, shohim se ai edhe në vuajtjet e njeriut përpiqet të kapë thelbin e vlerave dhe të virtyteve më humane dhe më të bukura, si dhe luftën midis së mirës dhe të keqës, që dëshmojnë njëherazi edhe fisnikërinë e vërtyteve më të larta të kombit shqiptar.
Gjatë viteve në burg, Arshi Pipa ishte njoftuar dhe kishte lidhje dhe miqësi të ngushta me përfaqsues të lartë të klerit katolik, bashkvuajtës me të në birucat komuniste, përfshirë edhe Ipeshkvin Vinçenc Prenushin, për të cilin shkruan se pasqyronte disa prej këtyre vlerave dhe virtyteve: “Ishte i butë në shpirt, e i paqë, thellë i devotçëm, i kushtuem kryekput misjonit të vet kishtar, në kuadrin e të cilit dinte me pajtue – me një urtësi të bindshme – dashuninë e vet për Atdheun dhe shijen për letërsinë.” Në esenë klasike, “Kujtime mbi Vinçenc Prendushin”, Arshi Pipa vë në dukje vuajtjet dhe mundimet, por edhe vlerat kombëtare, njerëzore dhe letrare të Vinçenc Prenushit, duke cilësuar se, “Dinjiteti kishtar i Vinçenc Prenushit, i kombinuem me vlerën e tij letrare dhe i kqyrun nën prizmën e patriotizmës shqiptare i jep fëtyrës së tij nji randësi madhore në radhët e përfaqsuesve të Kombit.” Pipa shkruan se si udhëheqës i lartë i Kishës Katolike dhe si njëri nga përfaqsuesit e letërsisë kombëtare, “Imzot Prenushi nuk do ta kishte të gjatë me komunizmin, i cili ashtë në të njajtën kohë kundër fesë dhe kombësisë.”
Ashtu edhe ndodhi! I bugosur, i rrahur e i torturuar, “lidhur kambësh e duarsh”, i “varun e i munduem” në burgun e Durrësit, shkruan Profesor Arshi Pipa, për mikun dhe bashkvuajtsin e tij, Ipeshkvin Vinçenc Prenushin, duke iu drejtuar lexuesve: “Përfytyroni tash këtë njeri, nji burr gjashtdhetë e pesëvjeçar, nji prelat të naltë të Kishës, nji nga fort të rrallët shkrimtarë të Rilindjes ende të mbetun gjallë, përfytyronje të varun asisoj në nji nevojtore të Degës së Sigurimit”.
Është ky përfytyrim të cilin Profesor Arshi Pipa kishte gjithë jetën e tij para vetes së tij. Ishte ky përfytyrim e të tjerë si ky, që e bënte atë të papajtueshëm me komunizmin të cilin e luftoi me të gjitha energjitë e tija. Ai përfytyronte mikun e tij të rrahur e të munduar, të varur në një nevojtore të Degës së Sigurimit, Ipeshkvin Vinçenc Prenushin, të cilit i referohet si, “këtij simboli të së kaluemes së Shqipnisë me të cilën na mburremi, këtij njeriu i cili rrëmbehet me dhunë nga shtëpia e përvunjtë e nji katundi, ku kalonte ditët e mbrame të jetës së vet, bashkë me Zotin dhe me librat dhe ndryhet në burgje dhe torturohet.”
Arshi Pipa i burgosur, i torturuar dhe i vuajtur në burgjet komuniste fatbardhësisht e pësoi pak më mirë se shumë bashkvuajtës të tij që i lanë eshtrat e tyre në burgjet dhe në kampet e përqendrimit, varret e të cilëve nuk dihen as sot. Arshi Pipa mundi tu shpëtojë persekutimeve duke u arratisur dhe duke u vendosur në Shtetet e Bashkuara. Për fat të tij gjithashtu, ndryshe nga shumë bashkvuajtës të tij, të cilët ishin arratisur nga Shqipëria në atë kohë, ai mundi të shihte më në fund shëmbjen e një regjimi nga i cili kishte vuajtur vet dhe i cili kishte viktimizuar dhe persekutuar familjen e tij. Por gëzimi për shëmbjen e komunizmit në Shqipëri, fatkeqsisht u këthye shpejt në zhgënjim të bindjeve të mbrendshme që Arshi Pipa kishte për vlerat e kombit të vet. Ai u kthye në Shqipërinë e pas diktaturës komuniste me qëllim të mos këthehej më në Amerikë, por gjeti një vend aq të ndryshuar nga diktatura komuniste, i cili i dukej si një vend i huaj në krahasim me Shqipërinë dhe vlerat që kishte njohur ai. Ai shpresonte për një Shqipëri ndryshe. Por, megjithëse u largua për të dytën herë fizikisht nga Shqipëria, kësaj radhe nga Shqipëria post-komuniste, Profesor Arshi Pipa kishte vendosur për së gjalli që të mos ndahej kurrë nga Shqipëria duke i dhuruar bibliotekën e tij të pasur, përfshirë të gjitha veprat e tija e që ishte e vetmja pasuri e tij — Bibliotekës së Shkodrës.
Mendimet janë të ndryshme dhe krikat janë të shumëta ndaj veprës dhe personit të Arshi Pipës, gjë që është normale dhe në një shoqëri që e quan veten demokratike, ashtu edhe duhet të jetë. Por, unë jam dakort me deklaratën e shkrimtarit dhe poetit Martin Camaj, 90-vjetori i lindjes i të cilit shënohet gjithashtu këtë muaj – dhe mik i ngushtë i Arshi Pipës – se, “Shqipëria do të jetë me të vërtetë e lirë, vetëm atherë kur shqiptarët do të kenë mundësi të lexojnë, të studjojnë dhe të vlerësojnë veprat e shkrimtarëve të tillë të mëdhej si Arshi Pipa.”
Në përfundim dhe në përputhje me atë që ka thënë Martin Camaj, unë besoj se pa zhdukjen e paragjykimeve letrare, politike dhe ideologjike ndaj shkrimtarëve të kombit si Arshi Pipa dhe pa një aftësi për të kapërcyer dallimet politike dhe ideologjike midis shqiptarëve madje edhe një çerek shekulli pas shëmbjes së komunizmit, Shqipëria dhe kombi shqiptar do të mbeten si, “Një anije e palëvizëshme, e ngarkuar me zemrën e rënduar të poetit që simbolizon shpresat e tij të rreme”. (Arshi Pipa në librin e tij Montale and Dante)