2016-09-08

Paralele intelektuale/ Çarja migjeniane në letërsinë ekzistenciale


Prof. Alfred Uçi

Qysh në vitet 80, kur botova “Mitologjia Folklori Letërsia”(l982), fillova të shkruaj edhe një monografi për veprën letrare të
Migjenit. Në këtë monografi, midis të tjerash, pata trajtuar edhe një problem të rëndësishëm rreth pikpamjeve botëkuptimore (filozofike) dhe estetike të Migjenit dhe raportit të tyre me filozofë të shquar të shek. XIX, që e patën ndjerë krizën e filozofisë, estetikës dhe arteve klasike dhe që u përpoqën të konceptonin një vizion të ri për të ardhmen e kulturës europiane. Krahas Artur Shopenhauerit (1788-1860) dhe Fridrih Niçes (1844-1900), të cilët Migjeni vetë i ka përmendur me emër në letra e shënime të tij, unë shtova edhe emrin e danezit Sören Kierkegard (1813-1855), që nuk është prekur nga askush e asnjëherë; para se ta botoj këtë monografi, për herë të parë po paraqit një pjesë të argumentave në të mirë të hipotezës sime mbi disa paralele intelektuale e estetike, që më kanë rezultuar duke krahasuar idetë e Kierkegardit dhe Migjenit.

Midis tyre spikat terminologjia e re filozofiko-estetike, që përdorë të dy shkrimtarët. Kierkegardi e ka shprehur thelbin dhe specifikën e filozofisë së tij me një varg koncepte-letrarizma, që nuk patën lojtur në përgjithësi ndonjë funksion përcaktues terminologjik në filozofinë e estetikën klasike, si: Alternativa; mëdyshja; “Ose...Ose...;” “dilema”; “paradoksi”; “tragjikomedia”; “tjetërsimi”; “makthi”; “kriza”; “instinkti”; “ankthi; “dëshpërimi”; “pesimizmi”; “lumtëria”; “jeta”; “vdekja”; “irracionalja”; “ndjeshmëria” etj. Të tilla ishin sintagmat e paradigmës eksistenciale të Kierkegardit, që i jepnin risi mendimit të tij filozofik e estetik. Por ajo që na ka habitur e na shtyn ta pranojmë hipotezën tonë, jo vetëm në rrafsh formal gjuhësor, është prania e po kësaj terminologjie edhe në shkrime të Migjenit, në prozë e në poezi, pavarësisht nga nuancat e ndryshme e të kundërta kuptimore dhe interpretuese të tyre. Le të kujtojmë në fillim titujt origjinalë të disa krijimeve të Migjenit, në të cilët, së bashku me poezinë, është përthithur edhe terminologjia e nonklasikës: “Alternativa”; “Sokrat i vuejtun – apo derr i kënaqun?”; “Ose...Ose...”; “Dilemë”; “Tragjedi apo Komedi?”; “Idhuj pa krena”; “Gogoli”, “Rrota e jetës”; “Vetvrasja e trumcakut”; “Bukuria që vret”; “Gogoli”; “Të korrunat”etj.. Këtë aromë filozofiko-estetike përcjell edhe vargu i poezive të Migjenit: “Parathania e parathanieve”; “Poema e mjerimit”; “Të lindet njeriu”; “Zgjimi”; “Blasfemi”; “Rezignata”; “Trajtat e mbinjeriut”; “Pesha e fatit”; “Kanga e dhimbës krenare”; “Shpirt’ i ri”; “Lutje”; “Kanga që s’kuptohet”; “Vetmia”; “Nën flamujt e melankonisë”. Vetëm titujt e veprave migjeniane do të mjaftonin për të ndjerë e kapur aromat e një filozofie europiane të tipit ekzistencial të viteve ‘30.
Paralelen tjetër substanciale ne e shikojmë në përkimin e ekzistencializmit të Kiekergardit me tematikën ekzistenciale të veprës artistike të Migjenit. Kierkegardi njihet tashmë si themeluesi i parë i filozofisë së ekzistencializmit, i cili, nga njëra anë, me idetë e tij guxoi të ngrihet kundër filozofisë klasike dhe predikimeve të klerit zyrtar, gjë për të cilën u persekutua. Ai besonte se ishte deformuar rëndë prej klerikëve mëkatarë kuptimi i Krishtërimit dhe i Fjalës së Zotit, i Biblës. Në fillim kjo kritikë e tij nuk u kuptua e nuk u vlerësua seriozisht dhe u quajt “një belbëzim fëminor”, që përsëriste spekulime të vjetra antifetare, antiklerikale të filozofisë materialiste dhe të idealizmit objektiv, që u imponoheshin profanëve me praninë e një fillese inpersonale, transcedentale. Për këtë arsye mendimtari i ri, i mprehtë ngulmoi ta mbronte veten, duke thënë se ishte në kërkim të një mendimi të ri konkret, jospekulativ, që buron nga ekzistenca dhe jo nga “fryma absolute” e Hegelit, as nga “materia e pavdekshme” e materialistëve, të cilët, sipas opinionit të tij, pranonin pajtimin në harmoninë e të kundërtave (teza-antiteza-sinteza ose trupi e shpirti). Duke i bërë jehonë filozofisë së Shopenhauerit, filozofi danez bashkohej me të, duke e ndjerë krizën intelektuale në fushën e filozofisë, e estetikës klasike dhe në atmosferën e romantizmit; ai kërkonte rrugëdalje në një filozofi të re, “që të më ndihmojë të njoh veten time, -shkruante ai, - të gjej të vërtetën që është një, të përqafoj idenë, për të cilën dua të jetoj e të vdes. Dua,-vazhdon ai,- një imperativ ndërgjegjeje, që ta ndjej veten në agim të ditës së shpirtit tim, me atë dëshirë që kanë shkretirat afrikane për të thithur ujët”.
Kjo filozofi, sipas tij, duhej të ishte më pranë jetës dhe e çliruar nga zhgënjimet spekulative, dogmatike dhe romantike, prandaj ekzistencializmin e tij e kuptonte si një variant të “filozofisë së jetës”. Sipas tij, çdo sistem filozofik është një citadelë e mbyllur, e kyçur me armaturat e kategorive abstrakte, metafizike; kjo kështjellë qëndron përballë jetës dhe lëvizjes së shpejtë të saj. Njeriut i nevoitet, shkruante prifti disident, një filozofi që të shmangte determinizmin e rreptë dhe të mos përjashtonte mundësitë e shumta të zgjedhjeve e veprimeve të vullnetshme të individit. Madje, në kushtet e shpërthimit të individualizmit dhe të kultit të individit, Kierkegardi edhe veten e vet e vlerësonte në rolin jo të një Krishti të ri, por “të Leonidhës fitimtar të Termopileve”. Që këtej, ai e quante të nevojshme të braktiseshin armaturat me kategoritë metafizike të filozofisë tradicionale dhe të zëvendësoheshin me idetë e reja të “së përveçmes”, me lirinë e individit, me subjektivitetin e tij. “Kjo e përveçme, -shkruante ai,- nuk është rigjetje e vonuar imja, por është kryefjala e fillimeve të mia. Kategoria e së përveçmes qëndron e lidhur pa asnjë kusht me atë lloj kuptimi që kam unë. “E përveçmja”, me të cilën do të kalojë koha, duke më pushtuar trupin tim, do të ecë në këtë rrugë dhe unë do të dal fitimtar. Ky fat nuk e dëmton Leonidën e Termopileve”. Këtë dialektikë ekzistenciale Kierkegardi e shtriu në tre drejtime: në Estetikën, Etikën dhe Fenë.
Problemi i ekzistencës së njeriut, i fatit të tij në jetë, nga lindja e deri në vdekje, enigma e qenies njerëzore, me të mirat e të këqiat e jetës, me tragjeditë e komeditë e saj ka qenë temë e përherëshme e poezisë edhe e prozës së Migjenit; për më tepër, pjesë e kësaj paraleleje ka qënë trajtimi i kësaj problematike nga një këndvështrim ekzistencialist filozofik, estetik dhe etik. Migjeni çmonte mendimin e gjallë e konkret filozofik, që pranonte se njeriu lind në natyrë që të jetojë i lirë e të jetë i lumtur. Në poezinë “Të birtë e shekullit të ri” formulonte si kërkesë programore filozofike e jetësore “ngadhnjim ndërgjegje dhe mendimi të lirë”; në poezitë për brezin e ri ai kërkonte një jetë të lumtur, të gëzuar, normale dhe të çliruar nga vuajtjet e mjerimi. Duke i vendosur në vendin e vet nevojat natyrore jetësore, Migjeni e pat shmangur biologjizmin, natyralizmin vulgar, kurse njeriun e konsideronte qenie që qëndron më lart se gjithë qeniet e kozmosit, mbi botën e instinkteve e jetën shtazore. Duke rrahur problematikën ekzistenciale Migjeni bëri një hap të rëndësishëm, kreu një kthesë të vërtetë brenda letërsisë sonë kombëtare, e cila, për shkaqe të mirënjohura, kish qenë e angazhuar kryesisht me problematikë historike, atdhetare aktuale dhe kryesisht vazhdonte të mbështetej në frymë e platformës ideologjike të Rilindjes Kombëtare. Me këtë ajo shfaqej e vonuar, madje e prapambetur ndaj çka po ndodhte në letërsinë moderne europiane të shek.XX, kurse Migjeni e ktheu fytyrën e poezisë dhe të prozës së tij drejt modelesh estetike më të përparuar e më bashkohore të letërsisë moderne.
Më fort se cilido shkrimtar tjetër shqiptar, Migjeni e bëri temë themelore të krijimtarisë poetike problemin e lirisë, siç e patën edhe gjithë shkrimtarët e mëvonshëm ekzistencialistë. Ai nuk e ngushtonte lirinë vetëm në aspektin politik, por i vishte karkater më universal, e trajtonte në një rrafsh të mirëfilltë artistik, e ndërsuazonte në qarkun e problematikës ekzistenciale të njeriut. Ai nuk besonte në një liri absolute të njeriut si ato të romantikëve sentimentalë dhe e kuptonte se në çdo veprimtari, në çdo hapësirë e kohë njeriu ndjen fatalitetin e vartësisë së tij nga natyra, shoqëria, nga një mori e tërë faktorësh të jashtëm e të brendshëm. “Liri!-ironizonte ai, -Po, liri edhe gaforja gëzon,/por gafore asht!.../Liri, ku plogshti ndërgjegje gjallon, jo liri nuk asht!...”. Migjeni nuk u kundërvihetj, por e saktësonte kuptimin e nevojave jetësore, duke e plotësuar me një ideal humanitar, në vatrën e të cilit vendoste vlera të larta morale, shpirtërore. Dhe kjo tregon se, ashtu siç afrohej në disa drejtime me “filozofinë e jetës” të Kierkegardit, ai dinte edhe të ndahej prej saj, kur kjo e lëshonte njeriun në duart e instinkteve dhe të biologjizmit.
Tregimi “Kënga e trumcakut” e shpreh qartë revoltën e pakënaqësinë e njeriut kur ndjen fatalitetin e palirisë dhe vartësinë nga forca irracionale. Poeti konkludon se njeriu s’bën të dehet e ta çmojë pesimizmin si lumtërim e liri individuale vetmie,ashtu siç pohonte Kierkegardi, sepse njeriu zotëron aq forca shpirtërore dhe vullnet për veprime aktive sa mund ta fitojë lirinë e vyer. Prandaj Migjeni ndahet në mënyrë kategorike nga pesimizmi filozofik jo vetëm i Shopenhauerit, por edhe i Kierkegardit, kur thotë: “Pesimist nuk jam, se besoj në një fuqi të njeriut, besoj në mbinjeriun!”, një formulë kjo emblematike që kuptohet drejt, si përfytyrim autentik migjenian për “Mbinjeriun-Njeri”, modeli i tij i përsosjes dhe i tejkalimit të vet të “Njeriut-Njeri”. Migjeni nuk e shihte njeriun as si qenie me përsosmëri ideale, hyjnore, po as si zvarranik; njeriu, sipas poetit, meriton të merret e të trajtohet, ashtu siç është në vetvete e ne rrethanat shoqërore, po kështu edhe jeta duhet të merret ashtu siç është. Në novelën “Tragjedi apo komedi” Migjeni e thellon këtë motiv ekzistencial.
Migjeni nuk arsyetonte vetëm për ekzistencën, anën e sipërfaqshme të njeriut, siç mendonte Kierkegardi, por edhe për thelbin e brendshëm, të cilin nuk e kan] përfillur edhe ekzistencialistët e tjerë të shek.XX (Sartri,Kamy, Zhilson etj.). Ai ndruhej e përpiqej të mos ish as i cekët, i sipërfaqshëm, fenomenologjik, as qaraman; ai kërkonte që jeta të merrej me seriozitet, sepse ajo e tërheq njeriun me bukuritë, begatitë e të mirat e saj, sepse njeriut i jepej jeta një herë e i vlen ta gëzojë; por ajo, s’bën të idealizohet, sepse ka edhe anën tjetër, të kundërt, është tinzare, e ashpër, e pamëshirëshme dhe dinake. Jeta, sipas poetit, është e vështirë, sepse “njeriu lind në thërime të vogla të lotit, e prej andej niset në udhë të fatit të vet me shpresë në ngadhnjime të vogla, përshkon gjithë viset kah rrugët janë shtrueme me ferra, rreth të cilave shifen vorret me lotë e të marrët që zgërdhihen”. Brenda dy skajeve të ekzistencës: lindjes dhe vdekjes, sipas poetit, jetën, ekzistencën njerëzore e mbushin përjetimet nga më të larmishme: të ëmbla e të hidhta, të vetdijshme e spontane, racionale e instinktive, e mbushin tundimet e Parajsës dhe të Skëterrës.
Që këtej Migjeni arsyeton sikur t’i kish njohur jo vetëm predikimet e ithtarëve të “filozofisë së jetës”, por edhe ekzistencializmin e Kamysë mbi absurditetin e ekzistencës njerëzore. Në novelën “Vetvrasja e trumcakut” poeti mediton: -Drita e mendjes mund të shërbejë për të zbuluar një botë të bukur, por trumcaku i Migjenit ka lindur dhe e gjen veten të braktisur në një botë absurde, armiqësore, ku zotërojnë forcat shtazarake, fillesa derriane. Si dhe pse gjindet trumcaku në këtë botë të pakuptim, “në këtë pikë kozmike”, kjo s’dihet, por, sipas poetit, s’mjafton intelekti që trumcaku të bëhet i lumtur (se ai “pak kujt i solli qetësi dhe të mirë”); me ndihmën e tij mund të zbulosh anët absurde të botës dhe janë pikërisht këto që e detyrojnë intelektin të bëjë “kapërcime logjike”: “Ç’ka janë këto kapërcime logjike:-ka me bërtitë ndokush.- Po, lexues i dashtun e jo i cekët. Po! A pak po kemi kapërcime logjike, morale dhe dogmatike në botën tonë reale? Pse më zemërohe dhe po don me më gjyku për disa kapërcime logjike askuj damsjellëse?...”. Forcat e absurditetit të jetës e vënë njeriun përballë shumë ose...ose...-ve: Të distancohet prej saj, duke e soditur, apo të marrë pjesë në lojën absurde? Të lozë rolin e Hamletit (të humanistit që paralizohet nga mëdyshja e s’vepron?) apo rolin e Don Kishotit, duke hedhur vallen e aventurave të tij të pafundme, sipas Migjenit, të domosdoshme.
Trajtimi i problematikës eksistenciale e afron shumë Migjenin jo vetëm me Shopenhauerin dhe Niçen, por edhe me Kierkegardin dhe përfaqësues të tjerë të letërsisë realiste të kohës, që ishin treguar tejet të vemendshëm për mprehtësinë e shumë aspekteve të kësaj problematike. Ky orientim estetik në krijimtarinë letrare të Migjenit nuk ishte i rastit, por buronte, veç të tjerash, nga kuptimi i imperativit dhe i emergjencës së afrimit të artit me filozofinë moderne, siç e patën ndjerë këtë nevojë edhe Shopenhaueri, Kirkegardi dhe Niçeja. Në epokën e mbizotërimit të sistemeve filozofike metafizike dhe të pozitivizmit, të romantizmit dhe simbolizmit etj. pati një frikë e stakim, një shkëputje të artit e letërsisë nga filozofia dhe estetika teorike, madje që këtej shumëkush besonte se kjo ndarje kishte qenë edhe shkaku i krizës së idealit estetik dhe i rreziqeve të tjera ndaj arteve, kurse Migjeni, siç e dëshmon ngarkesa filozofike e veprës së tij artistike dhe interpretimi i thelluar i jetës, kishte një opinion tjetër; problematika ekzistenciale dhe në përgjithësi zhvillimet e përshpejtura, të ndërlikuara dhe kontradiktore të jetës shoqërore të shekullit të fundit, sipas tij, nuk mund të kuptoheshin e të reflektoheshin thellë në fushën e poezisë e të prozës pa u mbështeturn në një filozofi moderne, që shmangte të metat e metafizikës, dogmatizmit, relativizmit e subjektivizmit dhe që afrohej me problemet madhore të botës moderne. Pra, ai ishte për vendosjen e lidhjeve me një “filozofi jete”, ashtu siç ishin venë në kërkim variantesh të saj - Shopenhaueri, Kierkegardi dhe Niçja. Migjeni pat simpatizuar disa ide të këtyre mendimtarëve e artistëve të tjerë, që u kushtonin vemendje nevojave jetësore të individit e shoqërisë dhe prirjeve natyrore të jetës. Por brenda paraleles që përmendëm ka disa dallime thelbësore midis Kierkegardit dhe Migjenit; pavarësisht nga pretendimet letrare që kishte, danezi ka qenë parasëgjithash filozof dhe synimet e tij kryesore ishin të formulonte një doktrinë filozofike, që të përmblidhte nën krahët e saj etikën e reformimin e teologjisë fetare. Elementet estetike e letraro-artistike në veprën e tij ishin vetëm një shtojcë në funksion të teorisë së tij filozofike. Arti për të ishte mjet e jo qëllim, prandaj, sado që në veprën e tij nuk mungon përfillja për estetikën e letërsinë, siç do ta shikojmë më poshtë, ai e ngushtoi ndjeshëm rolin e estetikës dhe të letërsisë në veprën e tij, duke e tepëruar me moralizime, didaskalizëm dhe predikime të karakterit teologjik.
Ndryshe nga mendimtari danez, Migjeni nuk ka patur synime profesionale të karakterit teorik, as në fushën e filozofisë, etikës, as të teologjisë; por vepra e tij dëshmon qartë se ai ishte një poet i madh dhe një estet origjinal, i përkushtuar tërësisht pas artit. Fuqia krijuese spontane dhe erudicioni i tij estetik e kulturor ia bënë të mundur të shmangë krejtësisht didaskalizmin dhe moralizimet bajate, që kishin qenë të shpeshta edhe në letërsinë shqipe para tij. Poezisë e prozës së tij ai u dhuroi patos estetik, si thellësi vrojtimi e përshpjegimi impresionuese të jetës, si vërtetësi e afeksion artistik, si ekspresivitet e emocionalitet ndjenjash e mendimi. Nga ana tjetër, ndjeshmëria e finesa e jashzakonshme poetike e ndihmuan të përthithë dhe ta tretë estetikisht jo vetëm filozofinë moderne , por edhe idetë politike, morale më të përparuara të kohës, të cilat i ngjizi në magjen e estetikës së tij, i shkriu në një strukturë estetike harmonike, siç ka ndodhur shumë rrallë me poetë të tjerë të vërtetë. Brenda afrisë me danezin, në veprën e Migjenit spikat një mendim poetiko-filozofik, që vendos në qendër të krijimtarisë një interpretim të shëndoshë, bashkëkohor të problematikës ekzistenciale, që u përgjigjej shqetësimeve më të rëndësishme të viteve 30 të shekullit të kaluar, shqetësime të çliruara nga traditat e shekujve të më parshëm.

(Ky është vetëm një fragment, i shkëputur nga monografia e prof. Alfred Uçit e cila është në proces botimi)

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...