2016-11-02

Pesë poezi nga libri “Kumritë prej deltine”


ademzaplluzhafoto


ADEM ZAPLLUZHA



NË BALLË U PRINTE I MADHI ADEM



Mbi qilimin e kafshuar nga molat

I hapa letrat

I hapa hartat e të gjitha kohërave

I shpalosa edhe kujtimet



Nga rafti i vjetër

Zbrita disa lloje librash

Të grisura nga barbarët

Dhe të shqyera nga koha



Në anën e djathë të tavolinës

Vendosa Mesharin

Kurse në anën e majtë

Historinë e Skënderbeut



Nëpër dhomën e djersitur

Ndjeva trokun e kuajve të luftës

Dhe zërin kumbues të Lekës



Përjetova shijen e vdekjes dhe erën e gjakut

Dritaret u hapën krah më krah

Papandehur hynë në dhomën time

Hynë me radhë legjendat e kohërave

Në ballë u printe i Madhi Adem





NËPËR QYTET VALLËZOJNË



Kolliten njerëzit

Kolliten edhe pemët në kopsht

Rosat e egra

Sivjet nuk e pritën as vjeshtën



Ikën disi pa paralajmërim

Nëpër çati s’duken lejlekët



Ky dimër i bardhë

Zbriti një vjet para kohe

Mbase çdo ditë këtu është dimër



Pastruesit e rrugëve në grevë urie

Kurse nëpër qytet vallëzojnë

Kontejnerët e zbrazur





DYNDJET E ZOGJËVE SHTEGTARË



Nëse i humbi duart

Si mund ta mbaj flamurin e betejës

Kjo lojë e lashtë e pantomimës



Me gjasë

Qenka përzier

Me amalgamën e pasqyrës

Më ndjeni miqtë e mi



Më ndjeni për këtë dhembje

Gjymtyrët i lashë te lisat

Të çelin lule të reja për lirinë

Ta çelin ardhmërinë

Nëpër zgërbonja betejash të plagosura

Sa e sa herë i përjetuam



Dyndjet e zogjve shtegtarë

Përjetuam si në skëterrë

Gjuhët e thikave të topitura

Por ecjet i kishim të pastra

Dhe mbërrimë në cak para agimit





NA U DESHTË TË ZGJOHET FORCA

E JONË TITANIKE



Kjo lëkurë e tokës

Mbështjellë është me shtatë

Lloj dhembjesh e dënesash



Cila nënë i ndjeu në zhgjëndërr

Shtërzimet e atdheut të plagosur

Nëpër të gjitha hartat e dynjasë



I kërkuam fashat

Deshëm t’i lidhim plagët

E Gjergjit tonë

T’i lidhim në shtatin e plagosur të atdheut



Deshëm të ecim si të gjithë

Por lukunitë e zeza

Na i prenë udhët e shtigjeve



Deshën të na mbjellin frikën në shpirt

Por ja u mbollën rrapet e qëndresës

Mbi dhjetë dekada zgjati ecja e jonë

Për të mbërri në cak



Na u deshtë të derdhim shumë gjak

Na u deshtë

Të zgjohet forca jonë titanike





NUK I NDAVA SYTË NGA AJO



Për habinë time

Ëndrrat më dukeshin në qiell

Si balona të fryra

Të verdha

Ngjashëm me verdhëzën



Herë fluturonin nëpër dhomë

E herë unë fluturoja hapësirës

Por gjithsesi ëndrrat e mia

Ishin ëndrra të fryra

Balona të ngjyrosura

Me qindra lloje ngjyrash



Një ditë fluturoja mbi male

Kurse ditën tjetër

Sa të thella më dukeshin detet



Kurrë s’mund ta harroj çastin

Kur i pikturoja balonat në sytë e tu

Me të shtatë ngjyrat e ylberit



Aq e bukur dhe madhështore

Dukej nusja ime atë natë

Sa që kurrë më

Nuk i ndava sytë nga ajo

Cikël poetik nga Jorgo Sofokli Telo


Jorgo Sofokli Telo, i lindur në 6 janar 1945 në fshatin Konckë të Zagorisë (Gjirokastër), pas shkollës së mesme pedagogjike, mbaruar në Gjirokastër në 1963, vazhdoi studimet e larta në Institutin pedagogjik “A. Xhuvani” në Tiranë, fakulteti gjuhë-letërsi-histori, të cilin e mbaroi, duke përftuar diplomën e mësuesisë në vitin 1965.

Veç profesionit u angazhua tërësisht vit pas viti në veprimtari kulturore në shkollë e në fshatrat ku punonte si mësues, duke krijuar humor e satirë si lëndë e parë për estradat, koncertet tematike, krjoi shumë librete për mbasditet argëtuese, sidomos skeçe, parodi, kuplete gjer te tablo të zgjeruara; ndërkohë shkruante poezi, duke startuar qysh në vitet e arsimimit shtatëvjeçar e më tepër në të mesmen e të lartën, si pjesëtar ì rretheve letrare. Mjaft nga shkrimet në poezi a prozë ì niste që të pasqyroheshin në organet e shtypit të kohës që nga gazeta “Mësuesi”, “Zëri ì Rinisë”, “Hosteni” e gjer te organet periodike të rrethit, “Pararoja”, më pas “Java” e “DitaJug”,"Floripress","Floart",
''Floart-press " apo “Gjirokastra”, “Policia pranë” , duke shtuar edhe kontributin si redaktor apo zëvendëskryeredaktor ì gazetës “Pegasi”, organ ì Lidhjes letrare me të njëjtin emër. Ka shkruar dhe për gazeta të tjera rajonale.

Kontribut më të spikatur, ku është nderuar dhe me çmime, ka dhënë në fushën e krijimtarisë rapsodike.

Në periudhën para vitit 1990 u përpoq të botonte librat e parë, por ndeshi në zvarritjet burokratike të kohës e individëve redaktorë, që ì nxirrnin arsye nga më absurdet, por që ia prenë disa herë hovin krijues e sidomos atë botues Jorgos mjaft prodhimtar në fushën e letrave në vitet rinore të tij.
Vetëm në vitin 1998 mundi të nxirrte librin e parë poetik ”Evë, moj, si u gënjeve?” që u pasua pas një viti me 3 libra të tjerë radhazi: “Bubushi e Dikushi” (poemë humoristike për fëmijë”, “Babi, keq mos të të vijë!” (poezi për fëmijë), “Verë dhe uthull” (fabula).

Kurse në vitin 2000 nxori librin e dytë poetik “Klithja e yjeve”; në vitin 2001 vëllimin e tretë poetik “Tingujt e shpirtit”. Vëllimin me epigrame “Humorpipereska” dhe librin me lirika: “Kumte dashurore” e nxori në vitin 2004.

Kurse në vitin 2005 doli me dy vëllime të tjerë: poemën epiko-lirike “Sfidanti legjendar” dhe romanin e parë “Hedhja e zareve”. Në vitin 2007 sapo nxori fantareportazhin “Mysafirët e rinj të Çajupit” ose “Intervistë me Babanë e “Baba TOMORI”- t” dhe “Kush ì gjen, të lumtë ì them” (gjëegjëza e pyetje lodruese për fëmijë)

Në vitin 2009 botoi librin Diloiada (Poemë-Baladë), dedikuar familjes më të madhe zagorite e njëkohësisht më të persekutuarës nga vitet '44 e gjer në '90.

Ka redaktuar mjaft libra që janë botuar prej disa autorëve të jugut. Ka marrë pjesë edhe në dy konkurse ndërkombëtare në Greqi, ku ka fituar një çmim të dytë me fabul e një çmim të parë me poezi-poemth, respektivisht në vitet 2005 e 2006. Është dekoruar dy herë me medaljen “Naim Frashëri” përpara vitit 1990. Është “Anëtar nderi” i Lidhjes së krijuesve “PEGASI” qysh në vitin 2005. Ndërkohë bën pjesë në Shoqatën e Poetëve të Botës (W.P.S) prej 19 gushtit 2006.


DESHMIA E GJALLE - BESARTA E JASHARËVE

Poemë – baladë

(Në kujtim  të Luftës legjendare të Prekazit )

O m’e vogla e fisit t’Jasharajve,
Me diellin - kuvend
në mëngjes, mbrëmje.
Kredhur e tëra në vorbullën e ngjarjeve…
Kush di ç’bluaje
në të dëlirtën mendje…

Në lëndinë fluturat e në pemë zogjtë
Në vapë mërdhinin
kundruall syve të tu.
Dhe t’i shihje përpjetë, mandej edhe teposhtë;
E etur si Kosova
për një qiell blu….

E etur si Kosova për jetë të pavranët
Për jetë gazmore,
Gazmend në çdo vatër
E etur për një truall ku s’gjenden tiranët;
Ku jeta rrit shtatin
në troje të pastër…

Ngarendja në traditë, vlerat qet në dritë.
Ç’gërmohet nëpër shekuj,
latohet në kujtesë…
Me yjet e Prekazit – bashkuar yjësitë
Të ngjizur në flamur
me të thekshmen besë…

Zgjedhin dallëndyshet, mandej ngrënë çerdhen;
Punojnë nën skërmitjet
e maçokut të zi…!
Kështu dhe jasharët tok në kullë kthehen
Në kullën – kështjellë
t’etur për liri.

Besarta ndër ëndrra jetonte tjetër jetë.
I shprehur gazmimi
nëpër buzëqeshje.
Ia shihte veç mëma buzëqeshjen e lehtë
Përlindur te buza
në të gjumit heshtje.

Po rritej me ëndrra një trembëdhjet’ vjeçare.
Me dashurinë e Adiles,
Me virtytet e Ademit
Më të brishtës lule të fisit të Jasharajve
Oh, ç’i panë sytë
në ditët e tmerrit!


Ata sy që shihnin veç lule lëndinash
U desh të vështronin
më makabret pamje…
Harroi Besarta bukuri rudinash
U ndesh me çnjerëzoret
masakrat serbiane…

“S’na tremb dot, o shkja, - thirrte gjysh Shabani
S’jemi siç mendon,
s’jemi bagëti!
Predhat mbi çati shembën dhe tavanin
Në rrethim të dytë
prej ujkut lubi…

Si kështjella e Krujës para 500 vitesh
U mbajt e rrethuar
Kulla e Adem trimit…
Polic’ e ushtarë – rrethim mbas rrethimesh;
Adem komandantin
në dorë të shtinin…

Përdorën soje armësh gjer dhe minahedhëse
Ta shkrumbonin kullën,
Kullën qëndrestare…
Shikonte Besarta, njomzakja lulembledhëse
Si shembej çatia
Dyer e dritare…

Kërkonin Ademin, ku dinin gjë bishat;
Nuk binte në kurth
aq kollaj luani…
Tutje në shpin’ kodrash trandnin degët pishat ;
Pishat sikur flisnin:
Mizorinë të ndalnin.
Pemët paqësore u përfshinë në luftë.
Shihnin kriminelët
turrur n’errësirë.
E dinin…Ademi… ai mjekërxhufkë
Në mungesë dënuar,
s’pranonte zixhirë…

Si mund që luani të mbyllej n’kafaz?
A gjendej burrë nëne
ta shtinte në kurth…?
Ndaj makina sërbe u kredh në “maraz”
Dhe mbas çdo të shtëne
shfrynte plot me duf…!

Njëzet vjet vendimi… mbyllje në qeli.
I dyti rrethim
shpejt u përgatit.
Kulla s’njihte heshtje… priste me qetësi
Shabani me Hamzën
U gjendën në pritë…

Si mund ta lëshonin qetas atë kullë?
Si ta shkelnin besën
Dhënë Adem birit?
Qe luft’ e vërtetë e jo thjesht’ një shpullë;
Kafshonte kuçedra
dhe foshnjat e gjirit.

Ku ta dinin “-içët” se në atë strehë
Tjerrur nëpër mote
Ngjarje e kujtime…
Ku ta dinin “-içët” , heu, se sa jetë
çelën n’atë kullë,
që nuk ulte krye…
Lum, hej, trimëria që gjëmon si shpellë!
Turrin nis te sheshi,
Ngjit malet e larta…
Lum, hej, trimëria që hyn në legjendë!
Nuk e tremb rrebeshi,
nuk e mbraps shtrëngata.

A mund të lëshohen leht’ e qetë – qetë
vatra ku je lindur,
trojet ku je rritur?!
Veç një Sllobodan, një fytyrë zbehtë
Si një sharlatan
Mbet’ duke u skërrmitur…

Pse hyre, çakall, në shtegun e drerëve?
Nuk e dije, dreq,
Sa e çmojn’ lirinë?
Doje të gëlltitje jetën e të tjerëve…
Porse liridashësit
Si të vdesin dinë…

Nepsi për grabitje rikthen historinë
Në rrethim të tretë
Horrat u vërvitnë…
Sulmin mbi Prekaz për në mars i shtyrë
Me shkulme e gulçe
Shkiau – egërsirë…

Përsëri në shenjë – kulla e Ademit
Ta shkallmonin shpejt
zemrën e lirisë…
Mbi njëzet pjesëtarë përjetuan tmerrin
Në emër të jetës,
të përjetësisë…
Jasharët e tjerë ishin në mërgim.
Ndërsa vetë Ademi
u gjend brenda kullës.
Sulmi agresorit nisi me tërbim.
(Lidhën besë nderi
Zogjtë e furtunës…)

E kush mund të flinte, kishin ndjerë rrethimin.
“Sot do kemi luftë, -
foli Komandanti.
Të tjerët në sy shihnin kryetrimin
Dëgjuan, kur shtoi:
“Me ne qoftë fati…!”

Në mëngjes beteja shpërtheu e ashpër
Shtet i babëzitur
Përmbi një familje.
U vërvit mbi kullë një arsenal armësh.
Blerim i përzhitur
prej një shteti – skile…

Ç’kish lindur Kosova! Një fis besëlidhur.
Për liri të etur,
të etur për jetë.
Një fis i patrembur, durimtarë të lindur
Tejet trimërorë,
Heronj të vërtetë.

Me këngë Ademi – në ballë të betejës:
“Jo, jo, nuk ka vdekje
më të mirë për mua!”
Mori ajo kullë nurin e Kështjellës,
Tri dit’ nën goditje;
Shkiaut s’iu dorëzua.
Shumic’ e familjes mbledhur te një kthinë;
Dhe atje ra predha
Ashtu… verbërisht.
Ra atje ku mbledhur ishin gra, fëmijë
Ra atje ku jeta
vritej barbarisht .

Trembëdhjet’ prej tyre shpejt ndërruan jetë.
E para – Adilja
Zonja e shtëpisë.
Shpëtoi Besarta, tri dit’ e tri netë
Strukur ndën një magje
Shpres’ e ardhmërisë…

E ndërkoh Ademit iu soll në kujtesë
Idhulli legjendar,
trim Ahmet Delia.
Me sopat çetnikëve u ra mespërmes;
Siç e deshi nderi,
Gjithë Shqipëria…

Zbraz e rimbush armët, hutoi zagarët.
Ato armë Ademit
i shkonin për shtat.
Tërbimi banditëve tejkaloi “gradët”…
Kujtoi babanë,
ç’i rrëfeu një natë:
“… Kur u linde, bir, gjëmoi Drenica.
Ishte ditë feste,
Dita e Flamurit.
Dita e lirisë festohej me krisma;
O sa jam gëzuar!
T’flas si burri burrit…

Bir, në qarjen tënde shihja tjetër klimë.
Fymëmarrje për trojet,
Ëndrrën për liri…
Te balli, te goja vështroja lavdinë;
Të dua të fortë,
Kreshnik për liri.

Besoj që Adilja të ka thënë, mor djalë;
Si të kam mbështjellë
me flamur kuqezi.
Se kur linde ti, kish krisma, jo fjalë.
Me kujdes u rrite
burrë për shtëpi.

Mos kesh trembje syri, as dridhje qerpiku.
Të nderosh, o bir
ditën kur u linde.
Jasht’ nga vatrat tona hasmi dhe i ligu!
Të mos harrosh kurrë
të flaktën Rilindje…

Me të dy vëllezërit, Rifatin e Hamzën
Të kesh dashuri,
Mos u ndajë kurrkush.
Siç t’ua dojë zemra, do t’ua gatit dasmën.
Veç të më nderoni
me fis e me krushq…”

Ja, ç’rrëfim kujtoi, duke mbush’ gjerdanët;
Kujtoi krejt Kosovën
Atje prenda pragut.
Ashtu siç i donte, s’i lëshoi armët
Në kullën e lindjes,
te Kështjell’ e gjakut…
Pa ngrënë’ e pa pirë Besarta në makth;
Mbuloi dyshemenë
gjaku në çdo cep.
Ademi qëndroi, luftoi nëpër gjak;
gjersa ra siç bien
Trimat e vërtet’…

Ra në kulm të jetës, në kulm të lavdisë;
Ashtu siç i ka hije
bestarit kreshnik.
Ndaloi rrahjet zemra te pragu i shtëpisë,
U përjetësua
me aktin fisnik…

Buçitje betejës iu qarkua Globit.
Gjaku depërtoi
tokën tejpërtej.
Me eshtra u ngrit përmendore kombit.
Përmbi jetdhënët
Trimat zulmmëdhenj.

Prekaz i Drenicës shungulloi tokën.
Lajmi mori dhenë
sa hap e mbyll sytë.
Bëma e jasharëve u përhap në botë
Zogjtë nëpër pemë
Stisën meloditë…

Të tridhjet milicët ishin mish për top
Adem legjendari
Zgjoi trimërinë…
Rrethimit të ujqve s’u shpëtonte dot
Edhe nëse mundej…
S’e linte shtëpinë.
N’ atë kullë qëndrese hynë dhe komshinj
Me bacën Adem
bënë besa – besë.
Ademi dhe Hamza ndën atë betim
Veç’ te gryk e pushkës
mund të kishin shpresë…

Kështu mori duhmë luft’ e UÇK-së
S’mund ta ndalte kush
Atë vrull shqiponje.
Në themel të saj një Legjendë është:
Mbeti Kryekëngë
e çdo shpirti dhe goje…

Si të mos krenohesh, tek shikon ekranin!
Fëmijë jasharajsh,
stërnipër, stërmbesa
Emrat e të rënëve i mbajnë krenarë
Rriten për të ardhmen
Për Kosovën – shpresa.

Shoh te sy’ e tyre çiltër krenarinë
Sy të vezulluar
Fytyra dritëplota.
Tashmë që Kosova lirshëm po merr frymë
Veten ka në duar,
Pret ta njohë bota.

E çuditshme bota… edhe tekanjoze
Qeveritë kurrë
s’bien në një mendje.
Pret Kull’ e Jasharëve, kulla misterioze
OKB Kosovën
ta pranojë me ëndje.
Gjaku i të parëve – në rrënjët e lirisë
Ja, Pavarësia
Bujis nëpër gjethe.
Kulla e Jasharëve - streh e historisë
A do ta shoh, vallë,
A do mund të vete?

Gjirokastër,13.03.2011



PËRBALLË TEJE, NAIM!

Or’ e çast, poet, të kam përballë.
Po të shoh të gdhendur në profil.
Dhe më vijnë vargjet radhë – radhë,
Dhe më vjen zëplotë, zëbilbil!

Më vjen me Ty “Bagëti e Bujqësia”
Më sillen ndërmend vargjet e saj.
Më hyn në shpirt krejt Shqipëria.
E vargjet nëpër buzë i bëzaj.

Ato çka the për gjuhën shqipe
Gjithkush i ka gdhëndur në shpirt.
Me veprën tënde majat ngjite.
Çdo fjalë jotja pareshtur shndrit.

Për fikjen tënde vajtoi Çajupi.
Sikur ta dije, si foli mes vargjesh...!
Të mban atdheu si pjesë trupi.
Më madhështor sot na përshfaqesh.

Duket sikur flet e të mbaj në dorë
Sikur mbaj vende edhe shekuj.
Sikur diellin mbaj në kraharor.
Para teje mbetemi dishepuj...

Teksa të shoh kaq pranë vetes,
Nuk ndihem i vetëm kurrsesi.
Idhull i artë për mua mbetesh.
Model atdhetarie – gjithsesi...

Iljaz Prokshi (15.11.1949-28.04.2007) : Mozaik lirik i një ditari intim

Image result for iljaz prokshi

Iljaz Prokshi lindi në Fortesë të Drenicës më 15 nëntor 1949; vdiq më 28 prill 2007. Shkollën fillore e përfundoi me rezultate të shkëlqyera. Edhe në shkollën e mesëm ishte nxënës i dalluar, duke u shquar për zgjuarsinë, vizionin dhe vokacionin prej krijuesi. Studimet i mbaroi në Fakultetin e Filologjisë, dega për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe (Albanologji), në Universitetin e Prishtinës me nota të larta.
Si gjatë shkollës së mesme dhe gjatë studimeve universitare bashkëpunoi me të gjitha gazetat dhe revistat e kohës si gazetar dhe krijues. Më vonë punësohet në gazetën Kosova të Korporatës Energjetike të Kosovës, në Prishtinë, në fillim si gazetar, e më vonë si redaktor përgjegjës i kësaj gazete. Një kohë të gjatë bashkëpunoi si gazetar edhe me disa gazeta shqipe që dilnin jashtë Kosovës, si Top Kultura, Spektri në Zvicër, Trojet tona,Floripress,Floart,Floart-Press,Art-Kafe etj.


Poezi:
Pikë e bardhë ëndrre, Rilindja, Prishtinë, 1983
Satana në ferr, Fjala, Prishtinë, 1992
Fytyrë në pergamenë, Rilindja, Prishtinë, 1995
Psalm arbëror, Rilindja, Prishtinë, 1998
Sonatë e dhembshurisë, Lidhja e shkrimtarëve të Kosovës, Prishtinë, 2003


Tregime:
Libri i kujtimeve, Rilindja, Prishtinë, 1987
Daullet e natës, Rilindja, Prishtinë, 1990
Vdekja në ëndërr, Rilindja, Prishtinë, 1996
Magjia e mjegullës, Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, Prishtinë, 1997
Vajza e trëndafilave, Rozafa, Prishtinë, 2002
Pallati i Helenës, Prishtinë, 2003
Ka edhe dy libra të gatshme për shtyp me tregime.

Romane:
Fundi i zemërimit, Rilindja, Prishtinë, 1997 (Për këtë roman, autorit iu dha Çmimi letrar si romani më i mirë i vitit i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës më 1997)
Dashuri në labirint, 2001



Iljaz PROKSHI

SIMBOLIKA E FJALËS POETIKE

Gëzim Ajgeraj; "Klithmë malli", poezi, Rilindja, Prishtinë 1997

Gëzim Ajgeraj është emër i ri në letrat shqipe. Mirëpo, ai me vëllimin e tij të parë poetik "Klithmë malli", te lexuesi shqiptar vjen me ndikim të mrekullueshëm si përkrah ligjërimi poetik, motivet dhe temat që vështron, stili i kapshëm dhe njëherësh mesazhi që sjell kjo poezi. Pikë e parë e përceptimit është malli për atdheun, vibrimi i sekuencave shpirtërore mbi dashurinë, njerëzit e tij, të menduarit estetik, qasjet psikologjike të subjektit, si dhe një varg përjetimesh tjera.

Diaspora si frymëzim

Autori poezinë e shkruan me mjaft sukses, me tone të çlirshme, kuptimplote, me sens meditativ për çfar në këtë plan shquhet lirika peisazhiste, që bart me vete mesazh të caktuar me parime të qarta poetike. Poezia e përfshirë në këtë vëllim kap një botë të shqetësuar të subjektit lirik, botën e vetmuar larg atdheut, në diasporë, larg fëmijëve, gruas dhe të dashurëve të tij. S'do mendd se te ky poet të gjitha përjetimet gjat mërgimit, kontaktet me njerëzit e tij që kanë vajtur larg atdheut, ato kontakte të përhershme me ata njerëz, si dhe shqetësimet shpirtërore të tyre kanë lënë gjurmë të pa shlyera. Prandaj kjo poezi del e kapshme, si një ditar intim, e standardizuar në aspektin e procedimit të figurës poetike brenda strukturës së poezisë që krijohet te ne.
Vëllimi përbëhet nga njësit ciklike: "Tinguj dhembjesh", "Botë pa orkestër" dhe "Heshtje e thër". Jo rastësisht në poezinë hyrëse "Larg atdheut", Gëzim Ajgeraj përcepton dhembjen e individit të mërguar, që nis nga gjendja e ndieshme e tij dhe vjen gjer te shpresa se gjakimi për liri nuk do të shuhet kurrë, por do të vazhdoi të egzistojë. Është një poezi që në thelb ka aftësinë e të shprehurit, unitetit motivor e tematik. Ky djalosh që mërgoi si shumë bashkatdhetarë të tij mori guximin t'i publikojë këto poezi, motivet e të cilave janë të përshkuara nga një frymë pa hezitime, por përherë të ndieshme, të ngashëryera. Nëpërmjet qenies së vet poeti bën thirrje për ta ndjerë "vetminë dhe ëndrrën e tij". Së dyti kërkon që lexuesi ta kuptojë flirtin që bart bota e tij e brendshme ndaj të bukurës, vetë poezisë. Sepse është një poezi që vjen në kohën kur fluksojnë libra gjithfarësh, me vlera të dyshimta...
Gëzim Ajgeraj starton, pra mjaft bindshëm, meqë arrin që idetë, motivet, frymëzimet t'i shkrijë natyrshëm në vargje, vjen tamam në çastin kur do të "shpëtojë" të mërguarin dhe mbase vetveten. Për më tepër kjo poezi do të gjej lexuesit e vet, nga se poeti ia di origjinën gamave të individit dhe kolektivitetit të vet, mënyrën e klithmës së mërgimtarëve, imazhet, ironinë poetike me kontraste, por që kanë një kuptim të caktuar, që me pak fjalë të përfshihet gjithë drama në diasporë.

Mozaik lirik i një ditari intim

Lirika e këtij krijuesi është mjaft e shqetësuar, ai ndjen dhembjen për faktin e subjektit, i cili gjakon përherë lirinë që i mungon, duke bredhëritur nëpër botë, duke ngritur zërin e et, vlimin e brendshëm, që kuptohet vetëm përmes figurave dhe simboleve, fjalës magjike.
Është me rëndësi të veçohen tri motivet bosht të këtij vëllimi: nëna që simbolizon atdheun, gruaja që shënjon dashurinë e mallëngjyer, natyra-pikturimi i rrethit, janë pra opcione lirike të këtij poeti, që kanë njëherësh një rezonancë: atdhedashurinë, që merr funksion të caktuar stilistik, sematik dhe ideoestetik.
Vëllimi "Klithmë malli" është vëllim për njeriun që botën e kundron nga një kënd vetjak, me interesim të thellë, herë-herë i mbushur me emocione të tepruara, por mbi të gjitha me një sens poetik. Është kaq i thjesht objektivi i përceptimit, sa edhe shqetësimi vjen virgjëror, me ngashërime të mëdha, duke bërë mbase një rizbulim mbi këtë dhembje, të cilat janë thënë çlirshëm dhe me maturi.
Mirëpo nëse emocionet e këtij poeti paraqiten në një formë më të shtërnguar, ato nuk janë abstrakte, sepse lufta për çlirim vjen vetvetiu dhe kuptohet vetëm gjatë leximit ndërmjet rreshtave, si lufta për egzistencë, m¨në fund edhe për art të mirfillshëm, për qfarë Gëzim Ajgeraj e ka ndjerë, kuptuar dhe do të vazhdojë ta kultivojë edhe më tepër.
Poezitë e përmbledhura në këtë vëllim kapin jo vetëm indin verbal, por edhe metaforik, të qasjes poetike të subjektit lirik: kapen ato shtresat e kujtimeve, mallit të përhershëm, që në brendi përbëjnë një mozaik lirik i shpaluar si në ditarë intim.
Poezia e Gëzim Ajgerajt mund të thuhet ndërkaq se është një zë i mëvetësishëm, që gjërat i vështron në heshtje, frymëzimet e gjejnë përherë me penë në dorë, në vetmi, pa zhurmë, i hedh ato në letër dhe bën initerarin e tyre të mbarë "për shpirtin e trazuar/që ia ka plasur zemrën", siç thotë poeti. Gëzimi e shkruan poezinë e vet me ndjenja i vetëdijshëm për misionin që ka krijuesi, pa mendje të turbulluar, por me interesime të mëdha për botën, njerëzit e vet. Ai është një talent që ka potencial krijues që padyshim do të pasurohet me libra të tjerë dhe vlera edhe më të avancuara.

Prishtinë, 5 tetor 1997

Cikël poetik nga Mazllum Baraliu

Image result for mazllum baraliu


Prof. Dr. Mazllum Baraliu ka lindur në Bukosh të Komunës së Therandës. Shkollimin fillor dhe të mesëm e ka mbaruar në Therandë dhe Prizren, ndërsa atë superior në Prishtinë dhe Zagreb të Kroacisë.
Mazllum Baraliu është profesor në Universitetin e Prishtinës. Është autor i shumë botimeve dhe i mbi dhjetë veprave artistike, shkencore dhe profesionale.
Profesor Baraliu me vite të tëra ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në sendërtimin e Republikës së Kosovës dhe pavarësisë së saj. Në periudhën e pasluftës, ka vazhduar të kontribuojë në ndërtimin dhe udhëheqjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, me shkencë, arsim dhe në letërsi. Edhe tani në mënyrë intensive punon në konsolidimin dhe avancimin e shtetit të Kosovës dhe kauzës kombëtare. Aktualisht është profesor i Universitetit "Hasan Prishtina"
Mazllum Baraliu është anëtar i rregullt i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Mbi 43 vite jeton dhe punon në Prishtinë.

Veprat letrare:
"Lumëzime dashurue", "Rilindja"- Prishtinë;
"Dëshira të qëndisura", "Rilindja" - Prishtinë;
"E bukura Ilire", "Eurolindja" - Tiranë;
"Valët e Madrigalit", "Rilindja" - Prishtinë;
"Mësimi i pa mësuar", "faik Konica" - Prishtinë;
"Bulëzat e Blerimit"; "Faik Konica" - Prishtinë;
"Qyteti i shkronjave".


Poezi nga Mazllum Baraliu

EMTIO SPEI*

Ia verbonin sy e mendje
me injektime ultra violete
e ai: "Vapa do duruar, se të heq
reumatizmin kolektiv"…

Hijet e natës ia herrnin tufën,
ai u lutej "engjëjve bukëpërmbystë"
që në prapaskena e tallandi
shekujt i ngjyrosën
me gjak e me hi-gri.

Ua thanë trutë e ua prenë në pyje
(shkurt) drutë,
me rulet e serenadë shkelmore,
ata më shtrenjtë se lëkurën e Adamit
e të leopardit,
kërcunërisht blejnë shpresa të mjegullta…

Ruajnë e humbin çdo gjë e asgjë,
salutojnë, këndojnë e çirren horizontalisht
hidhen e përdridhe vërdallë
si drerë e sorkadhe në rruzare,
vallë, ç’i thonë kësaj?
shpresë në thes, ecje apo valle,
tregtim kohe, apo emtio spei!

Demiurgët nga neveria
në ndërdyzje paranoike
e dehje somnambuloze
zëngjirur mezi këlthasin:
-karvanë të nëmur, keni mendjen,
Piratët e shekujve në kthesë…


DILEMË PËR KATRENË

Duke shkruar një katrenë
thellë u kredha në dilemë

Fjala është për arë e farë,
cila më shumë vlen në kandar?

Mendja bluan këtë gjykim:

Pa arë ç’vlen fara,
Pa farë s’bin ARA!

Të bekoj shoshën, zë në thua
të mallkoj farën, nuk dua

Dialektikë materialiste
do të thoshte Marksi

Ç’të donë profetët le të thonë,
Kah të sillesh-z e z o n ë…


NJË LUMË MËSHIRË

Thonë është humane dhe mirë
të kesh një lumë mëshirë

të pabëra e mëkate të mos bësh kurrë
edhe kur inkvizitorët të vënë në turrë

mëshirë e mëkat
dy qarkore takuar në lak…

Zotërinj, ndërtoni një gotë mëshirë
mëkatet lindin me hir o pahir…!

Kullëshpresat nga jashtë ndërtohen,
nga Brenda shkatërohen.


DËSHIRAT DHE SHPRESAT

Çudi, përse dëshirat janë yjet
nga do shkojnë thurin kurorë!

Janë si ëndrrat fëmijërore
shpeshherë të ëmbla të dashura
por prore të pakapshme!

Janë si ylberi spektrorë
të bukur e laryshorë
por si idhnakë që janë
papritmas zhduken e muken!

Janë si drita e rrita shpresat dhe dëshirat
me ty janë s’preken me dorë
shtojnë vullnet mbase dhe prita,
(me shungullimë të mbushin gëzim)
Na bëjnë kalorës të shtegut DIELLOR.


PANAIR SILUETASH

Sa durim na duhet për ta kaluar detin
një qiell I tërë guxim për ta qetësuar rrëmetin

kohët lozonjare korbë-mbarsur mëkatesh
panair siluetash të miliona fatesh

s aura "sejratesh" ne duhet sprovuar
artin e qëndresës në legjendë shndërruar

drunjtë e pyjeve tona horizontalisht rriten
për blerim të uritur brejtjes ia zënë pritën

sa kohë buzëgremine shkëmbi ta mbajë bjeshkën
"kurbaneve" të paradoksit tash do hequr rreshkën

A t’i shijojmë frytet e pemës së Tantalit
t’i shërojmë pa hile ligatinat dhe moçalet…

le ta marrë flijimin e caktuar
që të mos riudhëtojmë rrugës së përshkruar.


PËRTYPJET SFINGORE

Nga përtypjet sfinksit
shkumëzonte mjerimi,
fijet e fatit shkunden
si gjethet e dyllta vjeshtore

Toka dërdëllit e lëngon
kur e pështyn e ndrydh marrëzia!

Mos këputni blerimin
se buzëqesh shkretëtira

Zogjtë vdesin në këngë e pa fole…


AGIMET E SHTERRURA

Qëlloi të ishte darkë djajsh
në sheshin e nimfave,
këndohej e pihej
dhe qonin dolli
në kupën e bardhësisë
së plisit…

Golgotë e dragonj
mëkatojnë
për pre e trofe…

I dëgjuan ujqit
të ulërinin në pyll,
frengjitë e kullave gulçonin.

Dekadencë drite,
Kadencë skëterre!

Shterej e shterej agimi
Qielli i stërkequr ,
Shi e dritësi askund

Në kllapi flitet
Me verbëri
Mu në ditën e Shën Gjergjit!


ENGJËLLIMI I MËKATARËVE

Mëkatarët para gjyqit
(ditën e gjykimit)
filluan të fajësohen reciprokisht,
si gjelat e dehur të grinden
për mëkatet e bëra
dikush nga porota
propozoi që të shndërrohen në engjëj
pastaj të përgjigjen
me radhë një nga një…

Dita e gjykimit sapo mbaroi,
Mëkatarët bijë të Hadit
Si gjithherë
Vazhduan këngën e vjetër!
Kryegjyqtari dhe porota
Caktuan seancën tjetër,
(u lanë kohë
Pendimi e përmirësimi),
Azraili i ftoi sërish në gjykatore
Por kurrë s’i futi më në dorë
H e r ë n t j e t ë r!

“PSE NA VRATË O VËLLAZËN SHQIPTARË?”


Lumturimi i heronjve martirë të Kishës Katolike dhe të kombit shqiptar të shtunën që vjen, shënjtërimi i bijës së kombit Nënë Tereza fillim shtatorin që kaloi dhe emërimi kardinal nderi i Dom Ernest Troshanit kohët e fundit, janë një njohje nga ana e Vatikanit e vuajtjeve çnjerzore dhe e shfarosjes së një numri të madh të viktimave të pafajshme të regjimit komunist në Shqipëri. /

1 Frank shkreli (2)

Nga Frank Shkreli

Siç është njoftuar tanimë nga Vatikani si edhe nga Kisha Katolike Shqiptare, ceremonia e lumturimit të 38-martirëve katolikë do të celebrohet në Katedralen “Shën Shtjefni” në Shkodër më 5 nëntor 2016. Aktivitete të ndryshme kulturore dhe fetare prej pothuaj një jave, po i paraprijnë ceremonisë solemne. Ceremonia fetare do të kryesohet nga përfaqësuesi i posaçëm i Vatikanit, Hirësia e Tij Kardinali i Kongregatës për Çështjen e Shenjtërve, Angelo Amato. Në këtë ngjarje historike për Shqipërinë dhe shqiptarët do të marrin pjesë zyrtarë të lartë të Kishës Katolike nga Europa dhe mbarë bota. Në një shënjë ringjalljeje të Kishës Katolike shqiptare, do të jenë të pranishëm në ceremoni mbi 300 meshtarë nga të gjitha trojet shqiptare në Ballkan si dhe nga diaspora. Në shënjë simbolike të unitetit kombëtar janë ftuar të marrin pjesë në këtë ceremoni edhe udhëheqsit më të lartë politikë dhe shtetërorë të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës. Kisha do të jetë e hapur për të gjithë pa dallim dhe përveç mediave të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare që do të mbulojnë këtë ngjarje, pritet që i gjith ky kremtim të transmetohet aty për aty nga televizioni publik shqiptar, TVSH.

1-lumnimi2
Lumturimi i këtyre heronjve martirë të Kishës Katolike dhe të kombit shqiptar të shtunën që vjen, shënjtërimi i bijës së kombit Nënë Tereza fillim shtatorin që kaloi dhe emërimi kardinal nderi i Dom Ernest Troshanit kohët e fundit, janë një njohje nga ana e Vatikanit e vuajtjeve çnjerzore dhe e shfarosjes së një numri të madh të viktimave të pafajshme të regjimit komunist në Shqipëri. Këto tre vendime historike të Vatikanit ndaj Kishës Katolike shqiptare, në të vërtetë, janë një njohje edhe nga mbarë bota e dhunës dhe e shkeljeve që i janë bërë këtij kombi të vogël për pothuaj një gjysëm shekulli nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, pa dallim feje ose krahine, megjithëse proporcionalisht, kleri katolik e pësoi rëndë nga ky regjim duke pasur numrin më të madh të viktimave.

Në të vërtetë, me njohjen dhe me kurorërzimin e heroizmit fizik dhe shpirtëror të këtyre klerikëve katolikë shqiptarë duke i shpallur të lumtur, Kisha Katolike si një institucion botëror, siç thuhet edhe në një njoftim të Radio Vatikanit, akordoi këtë njohje të merituar jo vetëm martirëve katolikë, por është njëkohsisht edhe një shënjë simbolike mirënjohjeje nga ana e Vatikanit për të gjithë ata burra, gra, pleq e fëmijë, të cilët, si pasojë e një ideologjie ateiste, krejt të huaj për botën shqiptare, u dënuan padrejtësisht gjatë pothuaj një gjysëm shekulli, duke pësuar si pasojë torturat nga më çnjerëzoret që kishte njohur shekulli i kaluar. Si të tillë, këta të lumtur nuk i përkasin vetëm Kishës Katolike por janë edhe heronjë të Kombit shqiptar, të cilët trimërisht, në heshtje dhe plot dinjitet i qëndruan dhunës së bishës së kuqe komuniste sllavo-aziatike të imponuar mbi shqiptarët. Ata ishin dhe janë simbol i qëndresës kombëtare — atëherë dhe sot — ndaj të keqes që i është kanosur këtij kombi të vogël të shumë-vuajtur, i përbuzur dhe i sulmuar gjithmonë nga të huajt, por i cili dijti që përballë sfidave të mëdha historike gjatë shekujve të ruante vlerat dhe virtytet më të larta njerëzore, traditën, gjuhën dhe kulturën, jo vetëm në fushën fetare por edhe atdhetare.

Por megjith këtë histori të tmerrshme dhune, madje edhe sot 25-vjetë post-komunizëm, në nivelet më të larta të institucioneve të qeverisë dhe të shtetit shqiptar, ka ende individë, përfshirë pseudo-historianë dhe grupe të ndryshme të shoqërisë, të cilët vazhdojnë të fshehin të vërtetën dhe ex-catedra arsyetojnë gjithnjë viktimizimin e këtyre të pafajshëmve dhe të tjerëve si këta se gjoja, sipas tyre, ata kanë na paskan bashkpunuar me pushtuesin dhe si rrjedhim i meritonin mundimet dhe vuajtjet dhe asgjë më pak se zhdukjen e tyre fizike nga shpellarët e ish-regjimit komunist. Është thekësuar shpesh, por më kot, nga shumë vërejtës vendas dhe ndërkombëtarë gjatë 25 viteve të kaluara, sidomos nga miqtë e Shqipërisë dhe të shqiptarve, se autoritetet shqiptare dhe shoqëria në përgjithsi duhet pa tjetër të përballen me të vërtetën e kësaj historie tragjike duke u ërë thirrje që të hapin dosjet e ish-Sigurimit famëkeq të shtetit, me qëllim që të mësohet e vërteta e kësaj historie tragjike.

Para disa ditësh, Zëri i Amerikës, nepërmjet korrespondetit Ilirian Agolli, në një kronikë nga Tirana raportoi se apeli më i fundit drejtuar pushtetarve të Tiranës në lidhje me këtë çështje, erdhi nga Kryetari i Zyrës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Bernd Borchardt. Në takimin, “Hapja e dosjeve të Sigurimit – Sa më shpejt aq më mirë”, organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer, ambasadori Borchardt u shpreh se vetëm zbulimi, trajtimi dhe diskutimi i padrejtësive të shkuara, nuk lejon që e kaluara të bëhet barrë për të ardhmen. Çfarë të ardhme duan për vendin e vet, autoritetet shqiptare që për 25 vjetë tani kanë refuzuar hapjen e dosjeve të komunizmit për të zbardhur krimet e komunizmit, përfshirë vrasjet e 38-martirëve që do të lumturohen këtë fund jave në Shkodër. Zëri i Amerikës njoftoi gjithashtu nga konferenca se “Politikanë dhe zyrtarë, socialistë dhe demokratë, morën fjalën për të bërë një mori sqarimesh ligjore dhe procedurash parlamentare, pa mundur të shpjegojnë se si ka ndodhur që pas 25 vjetësh demokraci, përsëri ka mbi një vit që nuk zbatohet as ligji i moderuar i hapjes së dosjeve, që i ofron ato vetëm për studime dhe jo për lustrime”. Një shënjë tjetër kjo e arrogancës dhe e mos-veprimit të autoriteteve shqiptare për një çerek shekulli post-komunizëm, në lidhje me hapjen e dosjeve të komunizmit. Ky nuk është vetëm një qëndrim arrogant i Tiranës zyrtare, por është edhe një sjellje fyese dhe përbuzëse ndaj të gjitha viktimave të komunizmit në veçanti dhe ndaj publikut shqiptar në përgjithësi dhe është një faqe e zezë në biografinë e këtyre pushtetarëve të cilët kanë patur përgjegjësinë, mundësinë dhe autoritetin për të bërë një gjë të tillë.

Prandaj për derisa autoritetet shqiptare nuk hapin dosjet ashtu siç kanë bërë ish-vendet komuniste të Europës Lindore dhe për derisa disa pseudo-historianë shqiptarë vazhdojnë të hedhin baltë mbi viktimat e pafajshme të një regjimi kriminal të cilit ata i shërbyen gjithë jetën, Shqipëria as shqiptarët nuk do të ecin përpara. Por ama, duan a s’duan këto mbeturina të regjimit komunist, bota po e zbulon të vërtetën. Këta martirë shqiptarë që sot i njeh bota si të tillë, si dhe pasardhësit e tyre të gjallë, janë vëllezër e motra, pjesëtarë të denjë të një Atdheu të përbashkët i të gjithë shqiptarëve pa dallim. Publiciteti që u jepet në media mendimeve të këtyre nostalgjikëve të shëmtuar dhe të diskredituar të komunizmit në këtë kohë, nuk është diçka e rastit. Këta apologjetë të regjimit vëllavrasës, madje edhe 70-vjetë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, vazhdojnë të mbjellin urrejtje dhe inate midis shqiptarëve duke e mbajtur shoqërinë shqiptare peng dhe në një konflikt të përhershëm, trashëgimi e një regjimi diktatorial dhe të një ideologjie të vdekur. Por këta nostalgjikë të komunizmit ende nuk e kanë kuptuar se e vërteta dhe idetë e mëdha nuk mund të mbahen të mbyllura për gjithmonë në çmendurinë e metalitetit të Enver Hoxhës, ku ata gjithnjë mendojnë, veprojnë dhe jetojnë. Mos mashtroni veten se ju nuk jeni aspak më të mirë e më të denjë të Shqipërisë së Gjergj Kastriotit Skënderbe, të Shqipërisë së Ismail Qemalit, të Fan Nolit, Bajram Currit, të Luigj Gurakuqit e shumë të tjerëve — në krahasim me këta martirë dhe të persekutuar të tjerë të atij regjimi komunist diktatorial që ju gjithnjë gjeni forcën morale ta mbroni. Jo, jo mos e gënjeni veten se nuk jeni aspak më të mirë. Përkundrazi, me qëndrimet tuaja, me shkrimet dhe deklaratat tuaja, ju nuk i bëni nder as vetes as kombit shqiptar, por jeni duke mbajtur pengë Shqipërinë e mjerë, ndërkohë që viktimat e komunizmit po i vrisni për së dyti, për së treti e për së katërti, në të vërtetë sado herë që hapni gojën. Dhe jo vetëm këta të lumtur të Kishës dhe të Kombit, por të gjitha viktimat e komunizmit në Shqipëri të cilët nëpërmjet historisë së këtyre 38 martirëve, tani kundër vullnetit tuaj, bota e njeh sadopak më mirë të vërtetën e krimeve të tmerrshme të burgut të regjimit të Enver Hoxhës ndaj popullit të vet të pafajshëm, në përgjithësi.

Jo vetëm historia e kombit shqiptar pret përgjigje për 25 vjetë tani prej autoriteteve zyrtare të shtetit dhe mbështetësve të këtyre krimeve të insitucioneve të dhunës komuniste, por presin përgjigje edhe martirët që do të lumturohen në Shkodër këtë fund jave. Ata duan dhe kërkojnë të dinë psehen. Duan të dinë se pse u vranë atëherë nga regjimi enverist dhe institucionet e tij të dhunës dhe pse vazhdojnë të vriten edhe sot nga autoritetet e vendit dhe nga nostalgjikët e regjimit enverist. E gjithë kjo në një shtet që pretendon të jetë demokratik dhe i cili mburret me anëtarsimin në Aleancën Ushtarake të Atlantikut, NATO. Vet martirët e Kishës Katolike Shqiptare por as pasardhësit e tyre, ditën e lumturimit të tyre më 5 nëntor në Shkodër, nuk kërkojnë as hakmarrje as dënime kundër askujt, pasi në prak të martirizimit të tyre, ata i kishin falur xhelatët komunistë. Por u kërkojnë autoriteteve shqiptare zbulimin e të vërtetës të së kaluarës komuniste dhe njëkohësisht – para Kombit dhe para botës –kërkojnë njëzëri nga bashkatdhetarët e tyre sot, një përgjigje ndaj këtyre pyetjeve:

“Pse na vratë, o vëllazën shqiptarë; cila ishte e keqja që ju bâmë me misionin tonë, o stërnipa të Kastriotit, ku ua shkelëm doket e zakonet tueja, ku e përdhosëm kanunin tuej, o mbasardhës të Lekës; thue gabuem që ju mësuem ‘Hymnin e Flamurit’ të ngritun në bjeshkët e Dedë Gjo’ Lulit; gabuem, thue, se ecëm ndër gjurmë të opangëve të tija për me mbledhë ushtarë për Krishtin? … Me ruejtë fenë e Tij në tokën tonë të Arbënit? Thue nuk i ndejëm besës suej ndër votrat e sofrat e shtrueme e të çueme prej atyne burrneshave fisnike, që në djep druni përkunden dikur foshnje Nanë Terezën? Gabuem, thue, se kënduem në ‘Lahutë të Malcís’, kangën e Atë Gjergjit e diftuem si vdes shqiptari për Fé e Atme, ashtu si vdiq Gjeçovi? … Por nuk ka gjâ… mbasi na jemi këtu… këtu âsht toka jonë, këtu âsht trupi ynë, këtu âsht edhe gjaku ynë, që u derdh për jú, për idealin ma të naltë, për të cilin vdes shqiptari. Një ditë kemi për t’u ringjallë s’bashkut! (Shënim nga vepra “Çinarët” e Françeskanit shqiptar Konrad Gjolaj, marrë nga Radio Vatikani)

Ka ardhur koha për veprim. Mjaft më me rezoluta dhe projekt-rezoluta boshe që nuk çojnë askund. Tregojeni veten burra se më në fund pas 25 vjetë post-komunizëm jeni gati — institucionalisht dhe moralisht – të zbuloni dhe të njoftoni të vërtetën mbi krimet çnjerzore të regjimit të Enver Hoxhës, duke hapur dosjet e regjimit famkeq. Sepse për shqiptarët, trajtimi i krimeve të komunizmit, sipas ish-ambasadorit gjerman Helmut Hoffman në Tiranë, është një doemosdoshmëri që viktimave të regjimit komunist— të gjallë e të vdekur – në mos asgjë tjetër, të paktën – “T’u këthehet një pjesë e dinjitetit të tyre.”

Këthejani pra dinjitetin dhe nderin jo vetëm viktimave të komunizmit, por mbarë kombit shqiptar. Hapni dosjet e Sigurimit famkeq!

Shuajb Arnauti, Kolosi i shkencave Islame, shqiptari i shekullit

shejkh-shuajbi

Nga Jeni Myftari/Academic Adviser Embassy of SO -London Cultural Attache/

1-shejkh-shuajb-arnauti-titulli-4

1-shejkh-shuajb-arnauti-titulli-4Më 27 tetor 2016, në Aman-Jordani, ndërroi jetë në moshën 88 vjeçare dijetari i madh i hadithit, jurisprudencës, historisë Islame, Kur’anit, gjuhës dhe retorikës arabe, Shejkh Shuajb Arnauti. Shuajb Arnauti, lindi më 1928 në Damask-Siri, në një familje myslimane, atdhetare shqiptare. Muharrem Arnauti, babai i Shuajbit, mërgoi më 1926, bashkë me familjen, nga Vukatana e Shkodrës dhe u vendosën në Damask-Siri. Dy vjet më pas ju lindi një djalë të cilin e quajtën Shuajb.Familja e Muharremit për të mos humbur origjinën e vendit nga vinin, humbi mbiemrin e familjes dhe adaptoi mbiemrin “Arnauti-Shqiptar”.

Që në fëmijërinë e herëshme, Shuajbi mësoi bazat e besimit Islam dhe pjesë të shumta nga Kur’ani, fillimisht prej prindërve të tij e më pas prej mësuesve më në zë të kohës në Damask. Shuajbi, si fëmijë kishte dëshirë të mësonte të fshehtat e Kur’anit, dëshirë kjo që e nxiti më pas të thellohej në mësimin e gjuhës arabe, mësim të cilit iu përkushtua për 10 vjet me rradhë. Ai jo vetëm që ndiqte të gjitha ligjëratat e gjuhës që zhvilloheshin në medreset dhe xhamitë e Damaskut, por edhe lexonte librat më në zë të dijetarëve të kohës. Nga mësuesit e Shuajbit ishin Shejkh Salih Al Farfuri dhe Shejkh Arif Al Deuxhi, të cilët kanë qenë nxënës të dijetarit të madh të kohës së tij në Siri, Shejkh Bedr Dijn Al Husni. Prej tyre Shuajbi mësoi shkëlqyeshëm jo vetëm gjuhën arabe dhe retorikën por edhe shkencën e Hadithit (fjalës, punës dhe veprës së Profetit Muhamed s.a.a.s), komentin e Kur’anit dhe ligjet e jurisprudencës Islame.

Ndërkohë, për një periudhë të gjatë Shuajbi iu përkushtua Fikhut (Jurisprudencës Islame), duke u thelluar në studimin e 4 shkollave juridike Islame dhe veçanërisht të asaj Hanefi, të cilat i mësoi nga Abdu Rrazak el Halebi, Nuh Arnauti (babai i Shejkh Muhamed Nassru Dijn Albanit), Sulejman Gavoxhi (babai i Shejkh Vehbi Gavoxhit), ndërsa shkencën e hadithit dhe terminologjinë e mësoi nga Abdullah el Habashi, Shejkh el Kallas dhe Shejkh Salih Farfuri.

Gjatë këtyre studimeve, Shuajbi vuri re se për të nxjerrë ligje juridike të sakta dhe mbi baza shkencore, duhej që gjykimet të bazoheshin në burime të sakta hadithesh. Nga këtu i lindi dëshira të merrej me shkencën e hadithit dhe pikërisht me vërtetësinë dhe saktësimin e zinxhirit të transmetimit të haditheve. Kështu që në moshën 27 vjeçare, nga viti 1955 e deri në fund të jetës ia përkushtoi punën dhe jetën e tij saktësimit të transmetimit të haditheve, duke u bërë kështu një prej dijetarëve më të mëdhenj bashkëkohorë të Islamit.

Duke komentuar mbi këtë përkushtim të tij për shkencën e hadithit Shejh Shuaibi është shprehur: -“Një nga arsyet që më nxiti të përqëndrohesha më së shumti tek shkenca e hadithit ishte se një ditë dikush më pyeti për një hadith të cilin unë nuk e dija. I gjendur ngushtë vendosa në vetvete të përqëndrohem në këtë fushë në nderim të sunnetit profetik“.

Më 1958, Shuajb Arnauti filloi punë në Librarinë Islame në Damask, ku për 20 vjet me rradhë drejtoi departamentin e Vërtetimit dhe Saktësimit të Haditheve. Gjatë kësaj periudhe Shejkh Shuajbi saktësoi dhe korrigjoi personalisht si dhe drejtoi punën për saktësimin dhe korrigjimin e më shumë se 70 vëllimeve, nga bazat e trashëgimisë të shkencave të ndryshme Islame.

Më 1982, për arsye të papajtueshmërisë me regjimin e kohës në Siri, shpërngulet së bashku me familjen në kryeqytetin e Jordanisë, Aman.

Këtu Shejkh Shuajbi fillon punë në fondacionin “El-Risaleh” si drejtues i departamentit të “Saktësimit të Trashëmisë” ku punon deri me daljen e tij në pension. Arritjet më të rëndësishme dhe veprat më të mëdha të shkencave të Islamit të përgatitura nga Shejkh Shuajbi i përkasin pikërisht kohës së punës në këtë fondacion.

Shuajb Arnauti ishte bashkëkohës i shqiptarëve të tjerë që kanë jetuar në rajon, të gjithë dijetarë të njohur të shkencave Islame si Shejkh Muhamed Nasru Din Albani nga Shkodra, Shejkh Abdul Kader Arnauti (i lindur Kadri Sokoli) nga Istog-Kosovë, Shejkh Vehbi Suleiman Gavoxhi nga Shkodra etj, me të cilët bashkëpunoi dhe ruajti marrëdhënie të mira gjatë gjithë jetës.

Ndër veprat e shumta që la pas Shejkh Shuajb Arnauti mund të përmendim:

– El Begaui, Sherhul Sunneh (Shpjegime Terminologjike Islame), 16 vëllime.

– El Neveui, Reudatul Talibin (Kopështi i Kërkimtarëve), 12 vëllime. Këtë vepër e ka bërë në bashkëpunim me Abdul Kadër Arnautin.

– Ibn Mendhur, Medhheb El Egani (Shkolla e Lirikës), 12 vëllime.

– Ibn Meflah, El Mebdea Fi Sherh El Muknea (Fillimi në Shpjegimet Bindëse), 10 vëllime.

– Ibn El-Xheuzi, Zade El-Mesir fi Ilmul Tefsir (Rrugëtim në Komentimin e Kur’anit), 10 vëllime. Në bashkëpunim me Abdul Kadër Arnautin.

– El Rehibani, Metalib Euli Neha Sherh Gajetul Munteha (Kërkimet e para në shpjegimin e kohëve të fundit), 6 vëllime, në bashkëpunim me Abdul Kadër Arnautin.

– Ibn Kadame El-Makdasi, El Kafi fi Fikh El-Imam Ahmed ibn Hanbel (Mjaftueshmëria në Legjislacionin e Hanbelit), 3 vëllime. Në bashkëpunim me Abdul Kadër Arnautin.

– Ibn Davjan, Menar El Sebil fi Sherhi Ed Delil (Fryte të dobishme në shpjegimin e argumentave), 2 vëllime.

– Ibn Hibban, El Ihsan fi Tekbir Sahih Ibn Hibban (Mirësitë në Madhështi, Sahih Ibn Hibban), 18 vëllime.

– Edh-Dhehebi, Sijr Alam En-Nubela (Historia e Dijetarëve të Ndritur), 25 vëllime.

– Et-Termidhi, Sunen Et-Termidhi (Libri i haditheve i Termidhi-t), 16 vëllime.

– En-Nisai, Sunen En-Nisai (Libri i haditheve i En-Nisai-t), 12 vëllime.

– Ed-Dar Kutuni, Sunen Ed-Dar Kutuni (Libri i haditheve i Ed-Dar Kutuni-t), 5 vëllime.

– Ahmed Bin Hanbel, Musned El-Imam Ahmed bin Hanbel (Përforcimi, i Ahmed ibn Hambel), 50 vëllime.

– Edh-Dhehebi, Tarijkh El Islami (Historia Islame), 4 vëllime, në bashkëpunim me Dr. Bashar Awad. etj.

– En-Neveui, Rijad Es-Salihin (Udha e të Drejtëve), 2 vëllime.

– Ibn ebi El-Iz, Sherh El-Akide El-Tahauije (Shpjegimi i Doktrinës Sunite), 2 vëllime.

– El-Dhehebi, Tabekat El-Kura (Shkallët e Lexuesve të Kur’anit), 2 vëllime. Në bashkëpunim me Dr. Bashar Awad.

– Ibn Kajm El Xheuzi, Zad el Mead (Dispozitat për Akhiretin -Jetën e Përtejme), 6 vëllime, në bashkëpunim me Abdul Kadër Arnautin, etj.

Puna dhe vepra e Shuajb Arnautit përmblidhet në mbi 600 vëllime.

Përveçse dijetar i shquar, Shejkh Shuajbi ishte edhe një njeri me shpirt të madh, sa i rreptë dhe kërkues në punë aq edhe njerëzor dhe i dhembshur. Ai shquhej për modestinë, sinqeritetin, ndihmesën materiale dhe shpirtërore që iu ofronte të gjithëve, veçanërisht studentëve shqiptarë në Jordani. Nuk ka student nga trojet shqiptare që ka studiuar në Jordani, apo me herët në Siri që nuk e ka ndier nga afër ndihmesën materiale apo mbështetjen shpirtërore të Shehut, siç e thërrisnit të gjithë me rrespekt.

Shejkh Shuajbi, edhe pse i lindur dhe rritur në një familje shqiptare, gjuha e mëmës së të cilit ishte SHQIPJA, u bë një nga njohësit më të mirë të gjuhës dhe retorikës arabe si dhe të shkencave Islame. Ai gëzonte respektin absolut të të gjithë studentëve, hulumtuesve, shkencëtarëve Islam, të të gjithë njerëzve që e rrethonin, që jetonin e punon me të, që e takonin për herë të parë apo që thjeshtë shfletonin veprat e dala nga duart e tij.

Shuajb Arnauti nuk jetoi për pasuri, as për famë apo pozitë shoqërore, ai jetoi për të fituar kënaqësinë e Zotit, me thjeshtësi duke ia përkushtuar gjithë jetën e tij shkencave Islame dhe njerëzve në nevojë.

Shejkh Shuajb Arnauti vërtet nuk la pas pasuri dhe trashëgimi materiale për familjen e tij, por la pas një thesar të paçmuar dijesh që do ti shërbejë pafundësisht brezave.

Shqiptarët kanë përse të krenohen me këtë kolos të dijes dhe shkencës. Edhe pse i lindur në Siri, Shejkh Shuajb Arnauti shprehej me krenari se ishte shqiptar. Ai e fliste rrjedhshëm shqipen madje mbante edhe leksione në shqip.

Pas luftës së Kosovës, Shejkh Shuajbi bëri vizita të shumta në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Sa herë vizitonte apo fliste për trojet shqiptare sytë i mbusheshin me lot dhe thoshte: “Aty janë rrënjët e mia. Edhe gjaku ndër deje më lëviz ndryshe kur them se jam shqiptar, edhe jeta më shtohet kur vizitoj viset e mia. Vetë mbiemri i familjes time bart me vete origjinën tonë“- dhe i thoshte këto me krenari, në një shqipe të pastër dhe burimore.

Zoti qoftë i kënaqur me punën dhe veprën e tij, shpirti i tij u prehtë në paqe dhe qoftë vendi i tij në Parajsën më të lartë, së bashku me Profetin Muhamed s.a.a.s.

Nëpër gjurmët e trashëgimisë patriotike



NGA IBRAHIM VASIARI/*

Monografia ‘’Arshi Selfo Dalani – një vatër kombëtare në Kaninë’’, përveç kureshtjes së zakonshme, të tërheq vëmendjen edhe për faktin se objekti i trajtesës jo rastësisht ka hyrë në fokusin hulumtues të Prof dr Bardhosh Gaçes, autor me përvojë për studime në këtë fushë.

Duke qëmtuar nëpër kohëra episode ngjarjesh, figura dhe kontribute patriotike, në dukje anësore e me pak ‘’peshë’’, historia e kombit bëhet më e plotë, më e gjallë dhe e larmishme. Veçanërisht në zhanrin e monografisë, autorit i jepet mundësia të hyjë më thellë në mikrohapësira periudhash duke evidentuar atë lidhje të brendshme të ngjarjeve dhe kontributeve madhore me një shtresë më të gjerë miningjarjesh e faktorësh veprues më pak të dukshëm, por që në fiziologjinë e mbijetesës etno-kulturore të kombit kanë dhënë gjithnjë lëngun jetësor ushqyes. Pa të tilla studime të larmishme, hartës së madhe historike do t’i mungonte ‘’topografia rurale’’, do të mbeteshin në hije imtësitë e episodeve, karakteret, kundërshtitë dhe dilemat, do të ishin të cungëta detajet e kuvendeve dhe pak të njohura shqetësimet e rretheve më të ngushta miqësore e familjare, ato vatra të prushta që u dhanë flakë lëvizjeve madhore të kombit për liri e progres.

Prof Bardhosh Gaçe është një personalitet shumëplanësh, kontributi i të cilit shtrihet në shumë fusha të dijes dhe kulturës, të studimeve historike, pedagogjike, etnografike, folklorike, estetike si dhe në krijimtari të mirëfilltë letrare, i njohur nga opinioni shkencor e më gjerë për vepra dinjitoze.

I mirëpritur në mbarë trevat shqiptare jo vetëm si autor, por edhe si veprimtar e misionar i trashëgimisë kulturore kombëtare, ai ka vite që është nisur me një çantë librash në krah, ‘’udhëton’’ pa u lodhur në hapësirë dhe kohë, shtegton nëpër troje dhe epoka. Hera-herës qëndron e çlodhet pranë ndonjë burimi, i mrekulluar nga bukuria e viseve dhe bujaria e njerëzve që takon, shpalos me kujdes një ‘’hartë udhërrëfyese’’ paksa të çuditshme dhe nis sërish ‘’udhëtimin’’ për diku më tej, diku më larg e më thellë… hyn qetë-qetë me hap të përkorë në botën e magjishme të përrallave, në misteret e riteve e gojëdhënave, duke thithur e mjaltëzuar nektarin e pyjeve të fjetur, gjurmon çerdhe bilbilash të polifonisë labe, ndien nëpër fëshfërima gjethesh valëzimin e fustanellës arbërore. Dhe gjithçka e mbedh me një dashuri të veçantë, me përpikmëri e seriozitet shkencor, duke u përcjellë brezave ‘’sekretin’’ e mbijetesës dhe ngrohtësinë e vatrës stërghyshore.

Si gjithnjë i suksesshëm, i nderuar me tituj e çmime, prof Gaçe vijon pa ndërprerë punën e tij kërkimore me një klas të lartë profesionalizmi: i thellë në mendime, i mprehtë në gjykim e i ftohtë në analizë, skrupuloz ndaj vërtetësisë arkivore, përzgjedhës inteligjent i tematikave të veçanta, më pak të rrahura, por që meritojnë të dalin në dritë për vlerat që mbartin.

Në studimet dhe monografitë e tij gjejmë një varg figurash të respektuara kryesisht të trevës së Vlorës e Labërisë, si: Osman Haxhiu, Ibrahim Shyti, Ibrahim Abdullai, Beqir Velo Kanina, Spiro Koleka, xha Selimi i Brate etj. I zhytur deri në thellësi të turbullta kohësh ku, si në guaska koralesh, flenë perla vlerash historiko-kulturore, prof Gaçe, falë këmbënguljes dhe pasionit kërkimor shkencor, ka arritur t’i nxjerrë ato në dritë duke e bërë çdo ditë e më të plotë diademën rrëzëllitëse të thesarit tonë kombëtar.

Objekti i studimit të tij këtë herë është një tjetër figurë e respektuar e parisë tradicionale kaninjote: Arshi Selfo Dalani dhe vatra e ndezur e Dalanajve, e këtij fisi rrënjëthellë, të njohur në histori e të përjetësuar në këngë që, ashtu siç del qartë nga dokumente autentike arkivore, nga kujtime e dëshmi luftëtarësh bashkëkohës mbetet një buronjë ujëkthjellët patriotizmi me rrjedhë të pandërprerë nga brezi në brez, plot mund, gjak e sakrifica në shërbim të çështjes shqiptare.

Dalanajt janë njëri mes fiseve të dëgjuara kaninjote, aspak i rrallë e i veçantë as i shkëputur nga të tjerët, përkundrazi, pjesë e asaj elite të pranuar tradicionalisht për bëma dhe vlera morale e patriotike të provuara në vijimësi, e përfshirë organikisht në jetën dhe përpjekjet e komunitetit për liri e dinjitet. Dhe historikisht Kanina shquhet për elita të tilla. Ata që janë marrë me studime shqiptare, vendas ose të huaj, duke gërmuar dokumente jo vetëm në arkivat tona të varfra, por kryesisht në to të Romës, Bizantit, Stambollit, Vjenës e gjetkë, nuk e fshehin respektin që të imponon Kanina, ky kryefshat impresionues me emër ‘’të rëndë’’, me histori dhe rol të veçantë në hapësirën shqiptare.

Në këtë kuadër të përgjithshëm dhe brenda kohështrirjes së vet, merr dimensionin real personaliteti i spikatur i Arshi Selfo Dalanit, objekt i kësaj monografie të prof Gaçes.

Duke e hedhur vështrimin disa breza më parë në zbulim të rrënjëve të tij patriotike, autori shkon deri tek Seit Dalan Kanina, lindur rreth vitit 1776, i cili përmendet për ‘’marrëdhënie të ngushta me Ismail bej Vlorën, gjyshin e Ismail Qemalit, pranë të cilit kishte shërbyer disa vite në Bursë të Turqisë. Por edhe me Brahim Pashë Begollin nga Kosova, i cili ishte vënë në shërbim të mbretit të Egjiptit’’. Në vazhdim autori përmend se ‘’në vjeshtën e vitit 1821, në ndihmë të suliotëve në betejat kundër hordhive otomane shkuan edhe 2000 lebër, të komanduar nga Tahir Abazi e Ago Vasjari, ku midis krerëve ishin edhe Dudë Sinani (Gumenicë), Seit Dalani (Kaninë), Selim Zeneli (Shkozë) dhe Spiro Leka (Dhërmi)… në këto luftime të përgjakshme u plagosën Dudë Sinani, Seit Kanina, Selam Hasan Velça, Hamza Delvina, Kiço Qeparoi si dhe u vranë 42 luftëtarë’’. Po kështu, Seit Dalani: ‘’në vitin 1828 ishte ndër ndërlidhësit kryesorë të Ismail Pashë Vlorës me parësinë e krahinave të Skraparit, Myzeqesë, Përmetit, Tepelenës, Vlorës, Delvinës dhe Himarës për realizimin e një varg kërkesash kundër Mehmet Reshid Pashës si sanxhakbej i Janinës, për t’u rikthyer përsëri krerët vendas në administratën e kësaj treve’’

Dhe tradita patriotike kalon nga brezi në brez, nga babai tek i biri: ‘’Në luftërat e shqiptarëve për të shkëputur vargonjtë e robërisë otomane në shek XIX del në skenë i biri i Seit Dalanit, Dalan Seiti, i cili mori pjesë në disa takime e kuvende me kapedanët e tjerë të Jugut për organizimin e qëndresës antiturke’’.

Dalan Seiti shquhet për trimëri në kryengritjet e viteve 1833-1834 si dhe në vitin 1846 kundër reformave të Tanzimatit, në luftimet e përgjakshme për marrjen e kalasë së Beratit. Për të flasin mjaft dokumente arkivore, po edhe më bukur vargjet e disa këngëve popullore të kohës së tij. Disa vite më vonë, ‘’gjatë kohës që punoi në administratën e Janinës, Dalan Seiti pati një miqësi të ngushtë edhe me rilindësin e madh Abdyl Frashëri, i cili aso kohe punonte edhe ai në administratën e atij vilajetti dhe më pas u zgjodh deputet i Janinës në parlamentin otoman’’.

Traditën patriotike të fisit e vazhdoi i biri i Dalan Seitit, Selfo Dalani dhe më tej djali i Selfos, objekti i kësaj monografie, Arshi Selfo Dalani. Të duket sikur ke të bësh me një sagë, me historinë e një zinxhiri të pandërprerë brezash.

Për jetën dhe aktivitetin e ngjeshur patriotik të Arshi Selfo Dalanit flasin shumë faqe të këtij libri. Ai jetoi dhe punoi në periudhën e përpjekjeve heroike për shpalljen dhe mbrojtjen me gjak të shtetit të parë shqiptar pas një robërie të gjatë otomane. E nisi qysh herët në rini, qysh nga kontaktet e para me idetë e Rilindjes deri tek përhapja në ilegalitet e librave shqip dhe propagandimi i çështjes kombëtare; e vazhdoi më tej me klubet patriotike, me përkrahjen e çetave të para të lirisë e deri tek mbështetja e plotë e aktit madhor të shpalljes së Pavarësisë.

Hapat e parë të shtetit të ri ishin të vështirë, kohët të turbullta dhe armiqtë kombëtarë të shumtë. Po këto më mirë se kushdo i trajton në mënyrë shkencore autori i librit. Këto kohë dhe situata kritike që kaloi atdheu, ashtu si të gjithë, e ndoqën Arshi Selfon deri në pleqëri. Gjithsesi, ai dhe djemtë e tij qëndruan gjithnjë pranë atdheut, gjithnjë në krahun progresist. I përkiste atij brezi të papërsëritshëm idealistësh rilindas që mbi gjithçka vinin atdheun, ishin bashkëkohës, miq besnikë e idhtarë të palëkundur të Ismail bej Vlorës. Fati e deshte që djali i tij i vogël, Dadan Dalani, dëshmor i Brigadës V S të ishte kurbani i fundit që i dha atdheut, para se të mbyllej në një pleqëri të rëndë e me halle të reja.

Duke hedhur dritë mbi figurën e Arshi Selfo Dalanit qysh prej rrënjëve të thella e deri tek filizat e rinj gjelbërues, prof Gaçe rigjen e vendos në vendin e duhur edhe një pemë tjetër në kopshtin e bukur të patriotizmit vlonjat.E përgëzoj autorin për këtë monografi të arrirë në të gjitha pikëpamjet dhe i uroj suksese të mëtejshme në punime të tilla dinjitoze.



*Shënime për librin e Prof B. Gaçes ‘’Arshi Selfo Dajlani – një vatër kombëtare në Kaninë’’

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...