2017-03-26

Kur mediokrët fjalën poezi e përdorin në kuptimin inferior të saj, si “ broçkulla ose përralla”


Njerëzit e paditur dhe poezia


Image result for Puntorie Muça-Ziba


Puntorie Muça-Ziba

Fjala poezi vjen nga greqishtja e vjetër “poesis” që do të thotë : bëj, krijoj, thur. Ata që e shkruajnë poezinë quhen poet. Secili nga poetët i përket kohës dhe shekullit kur jeton.

Tellallët e së keqes që i shohim në disa TV. debate ordinere, por edhe këtu në faqet e fb-së, të lënë përshtypje se nuk e kanë kryer shkollën fillore dhe kurrë nuk e kanë mësuar e dëgjuar qysh në klasën e dytë fillore poezinë Mëmëdheu të Çajupit, sa për të krijuar imazhin se sa e pushtetshme është poezia, se ajo mbart përgjegjësinë kryesore për kulturën e një kombi dhe se ajo është mbretëresha e të gjitha arteve tjera. “Je tu thonë vjersha, o ti, je tu thonë vjersha”- ishte retorika e një nate pranvere; e një pseudopolitikani që të bënte ta bëjsh thërime-thërime ekranin e televizorit ngaqë ta pështirte jetën. Fatkeqsisht edhe në faqet e fb.-së kam has thënie të kuptimit inferior për poezinë,si: “ Pres të thotë ndonjë poezi filan politikan”. Kështu shkruan dikush pa e vrarë mendjen dhe pa e ditur se pikërisht poezia mbart njohuri të mëdha, se është aristokrate dhe transformuese dhe se nuk ka të bëj me oratorinë. Ky art fisnik disave nuk ua prek as trurin, as zemrën, as ndjenjat… Dikush i thotë vetes politikan dhe nuk arrin ta kap rëndësinë e poezive antologjike kushtuar atdheut ose ndodhive historike, ngaqë gjëja më me vlerë e tërë kohërave i duket vetja. I gjori pseudopolitikan merr guximin dhe thotë:” Je tu thonë vjersha”. Kinse “ Pallavra”. Ai ndoshta nuk ka dëgjuar kurrë për perlat kombëtare me një gjuhë të fuqishme artistike dhe shumë cilësore, si : “O moj Shqypni”, “ Anës së lumejve”, “ Syrgjyn vdekur”, “Poemi Kosovar”, “ Ikja e Mojsi Golemit” etj. Fyerja e poezisë merr formë fantazmogorike pasi që derdimenët harrojnë se po të mos kishte poezi nuk do ta kishim një pjesë të hises së identitetit tonë kombëtar, himnin, nuk do të kishim këngë, ninula, këngë vaji, këngë nizamësh që janë kënduar në kohën e sundimit Osman etj. Kanë thënë se kur nuk di më mirë është të heshtësh. Po ku heshtet në këtë anarki ku mungon pushteti i organizuar, ku nuk veprojnë ligjet dhe rregullat etike, ku dëgjohet apoteoza e peshkut që nuk arrijmë ta kapim as te koka ,as te bishti. Në këtë nahi shqiptare një grusht njerëzish kanë aftësi ta duan dhe ta zbërthejnë poezinë. Poezia na kujton se e pranishmja por edhe gjithçkaja është më tepër se sa ajo që na sheh syri jonë dhe më gjigande se detajet që na i kap truri. Ata që nuk kanë aftësi ta shohin ose sëpaku ta vlerësojnë poetin dhe poezinë nuk dinë dhe nuk bëjnë përpjekje ta shohin botën. E bekuara poezi ngjason me ligjin për drejtësinë kur një diktaturë burgos dhe torturon qytetarët, kur mungon liria e mendimit dhe liria e të shprehurit. Poezia e mirëfilltë është një disiplinë e fuqishme moralizuese dhe fisnike. Përmes saj shpalosen epokat historike, prandaj kanë thënë se atë që e harron historia e thotë poezia. Tek ajo hasim edhe begatinë mahnitëse të gjuhës. “Zëri i saj është zëri i dëshirave dhe vizioneve. Është zë i një tjetër bote dhe zë i asaj bote, është i lashtë dhe i sotëm…Është e nëndheshme…” thotë Oktavio Paz. Është një dhunti hyjnore, është religjion, është e veçantë, është si një diagnozë mjekësore që vetëm poeti ka aftësi t’ia cakton një sistemi ose një fenomeni. Është e turpshme, fyese, bile mund të quhet mani injorantësh poqese fjala poezi përdoret në kuptimin inferior të fjalës, duke e përqeshur atë, duke e stigmatizuar. Njerëzit që e përqeshin këtë lloj arti mund të konsiderohen si njerëz të paditur dhe si njerëz që i bëjnë dëm kombit. Shumica e poetëve shqiptar por edhe të atyre botërorë ishin dhe janë njerëz të arsimuar si: mësues, avokat, mjek etj. Ata janë produkt fin i një shoqërie. Janë njerëz me energji të veçantë, janë dhe do të mbeten begatia e një shoqërie. Kjo dukuri intelektualizmi që posedon mendime të përsosura e ka në damar idealizmin dhe demokracinë e vërtetë.

Poezia lindi bashkë me njeriun dhe u bë promotor i jetës së tij. Ai shkruajti për vdekjen, dashurinë, paqen, lirinë, shpresën, besën, pabesinë, natyrën, stinët, ajërin,ujin, hënën, diellin dhe për gjithçka që na rrethon. Tek poezia mpleksen kultet, mitet, legjendat, ëndrrat, zanat, shtojzovallet etj. Mllefi mund të lind më shumë nga fyerja që i bëhet poezisë dhe jo akëcilit apo akëcilës poete. Megjithatë do ta shkruaj një përkthim të një adithi nga Ulvi F. pasi që më la mbresa të thella. Në atë “ hadith” përmenden ziliqarët e poetëve. “ Poeti thotë: Kur poeti arrin suksese deri në qiell, armiqtë janë sa numri i yjeve. Poeti thotë: ata më xhelozojnë edhe në vdekjen time. Ah, mjerim edhe në vdekje më xhelozojnë.”

Derisa në kohën e Rilindjes Kombëtare por edhe gjatë periudhës komuniste poezia ka qenë kryefjala e popullit shqiptar, ajo sot përdhoset nga mediokrët e pamëshirshëm që i ka kapluar jermi. Konkludime të këtilla të gabuara sjellin njerëzit e paditur që nuk kanë aftësi t’i çmojnë vlerat njerëzore.

Po të ishte aq e parëndësishme poezia nuk do të harxhoheshin qindra mijëra euro për Mbrëmjet Poetike Strugane. Kështu veprojnë ata që e vlerësojnë kulturën e vet. Ata përpiqen që nëpër botë të krijojnë imazhin e një shteti që rri në këmbë dhe nuk çalon kur ec. Ca njerëz e admirojnë feniksin kur ngrihet nga hiri, kurse disa nga shqiptarët e përbaltin atë. Dëgjuam e çka nuk kemi dëgjuar këto vite të mbrapshta . Ata “të pushtetshmit” shqiptarët tonë që u punësuan në Ministrinë e Kulturës ju dërguan habere poetëve se nuk do t’ua finansojnë librat. Mjeranët ndoshta edhe nuk e dinë se librat e poetëve finansohen nga tatimet e këtij populli hallemadh, nga ata njerëz që e njohin dhe e admirojnë poezinë. Poashtu truri i tyre nuk arrin ta kupton se poetët gjithmonë janë opozitë, janë gjykues të padrejtësive, sherreve dhe gabimeve që bënë qeveria. Poezia nuk mund të jetë broçkullë sepse lind nga dashuria për ta jetuar jetën dhe për ta ngritur tej lartësive trungun kombëtar. “Poezia është një kombinim i mendjes me zemrën.” Thotë poeti Grek T.Patrikos.

(Mbi romanin “Emma Jazzi” dhe krijimtarinë e shkrimtares Puntorie Muça-Ziba)

Image result for fatmir terziu

Nga Prof.Dr. Fatmir Terziu

Kurë s’më ka ndodhur deri më sot të lexoj një prozë të tillë, që të më shijojë me oreksin e Oscar Wilde. E them këtë me bindje. E them nga kontrasti që më kanë krijuar ‘shenjat’ e një rruge të gjatë leximi dhe shënimesh akademike. Edhe tek mjaft akademikë të lexuar, dhe këto me qindra përpos një rruge gati tetë vjeçare në vazhdim të edukimit tim në Britani, po aq edhe tek mjaft krijues në fusha të ndryshme, që kam lexuar e studiuar nga afër, ndoshta jo aq shumë sa janë në fakt, [kjo më së shumti në gjininë femërore], nuk do të gjendej një kënd ku të pikëtakohej e veçanta dalluese e Oscar.


Image result for Puntorie Muça-Ziba

Puntorie Muça-Ziba

 Dhe kjo e zgjedhur përpos arsyes me romanin “Emma Jazzi” të shkrimtares Puntorie Muça-Ziba. Një lidhje që në rrëfim. Një veçori që në detaj. Që në fabulë! Oscar shprehet tek “Lady Windermere’s Fan”, pikërisht me këtë fabulë që romani i shkrimtares shqiptare dikton një arsye në lidhjen me kanunin në familjen shqiptare. Thënia e Oscar Wilde dëshmon qartë: “aksionet janë tragjeditë e para në jetë, fjalët janë të dytat”. Dhe kështu ndodh të jenë ato ndërrmarje negative që mbrusen nën diktatin ‘burrëror’, kur lexohen në roman. Kështu janë ato aksione që elementi mashkullor i magnetizon në interes të tij, duke i dhënë shkas autores që nga ky mjedis të depërtojë në filozofi të ngjashme e të përdorë fjalën si element përshkrues të kësaj tragjedie.
Kritikja Kujtime Kica në parathënien e këtij romani sqaron: “Romani “Emma Jazzi” i shkrimtares Puntorie Muça-Ziba, trajton një temë aktuale, atë të dhunës ndaj gruas. Arti është dritë që ndriçon errësirën. Në këtë rast ky roman hedh dritë në një pikë të errët të shoqërisë sonë, madje një shtjellë drite për të ndriçuar jetën e femrës së torturuar.
Libri është shkruar me një mjeshtri artistike.
Në fillim, sapo e merr në dorë, të ngjan në një roman të ndërlikuar, me pjesë të gjata e të trishtuara, fragmentare, të ngarkuara, plot tension, shkurt, një libër shumë i dhimbshëm për t’u lexuar dhe mahnitës për të mos e lënë mënjanë. Duke lexuar pastaj, ndjen pulsin e shqetësimeve të autores që mëton të shprehë në mënyrë sa më artistike volumin e botës dhe jetës në të, bëmat dhe gjëmat e burgjeve që krijon njeriu për njeriun. Në qendër, si lajtmotiv i romanit është vënë një familje, institucion shumë i respektuar ndër shqiptarë, por ku nuk respektohen traditat fisnike shqiptare. Përmes jetës dhe bëmave të personazhit kryesor, Emma Jazzi, mpleksen ngjarje interesante dhe tronditëse. Aq tronditëse sa ta përshkojnë kurmin drithërime. E, në të njëjtën kohë, autorja mban një spektër ndriçues në dorë për të ndriçuar shtigjet e avenirit, kah duhet ecur.” Duke u rikthyer tek Oscar Wilde gjen edhe emlemën lidhëse në këtë detaj, jo thjesht për nga tema, fabula apo trajtimi, por nga stili, kapja e momenteve dhe filozofia e fjalës që përcillet tek lexuesi. Dhe shkrimtarja e di mirë atë që Oscar shton tek “Kritiku si artist” (“The critic as Artist”) se “burri është padyshim vetvetja kur ai hyn me bisedimet e tij si person. Jepini një maskë atij, dhe ai do t'ju tregojë të vërtetën, se kush është.” Kjo thënie e Oscar Wilde vlen si një çelës magjik për të hapur tërë fabulën që gatuhet tek qeliza e familjes. “Qeliza e familjes në roman përbëhet edhe nga një personazh tjetër, të cilin autorja e cilëson me AI. AI është personazhi negativ i romanit, është burri, bashkëshorti i Emma Jazzit. Ai pin alkool, luan bixhoz, nuk furnizon shtëpinë, nuk i përkëdhel fëmijët, ushtron dhunë ndaj gruas, ndaj fëmijëve, është gjithmonë me rrebe dhe flet gjera të kota, fjalë të ndyta… Me një fjalë është njeri koti, njeri pa skrupull, paranoik, njeri që s’ka asnjë synim, por as edhe një element pozitiv që të trajtojë çështje shoqërore e sociale, probleme jetike njerëzore.” (Kica po aty). Dhe me këto fjali kuptohet më qartë se “Morali është thjesht ajo që ne miratojmë me qëndrimin ndaj njerëzve të tjerë, të cilët ne personalisht i kemi zët.” (Wilde: akti i dytë tek “Një burrë ideal”).
Duke vazhduar me moralin e cituar nga Oscar gjejmë edhe thelbin e tij në mjeshtrinë e autores. Kice e zbulon qartë: “Autorja lë të hapur e të lirë lexuesin që të gjykojë vetë se si duhet vepruar në rastet kur ushtrohet dhunë permanente ndaj një personi të caktuar, në këtë rast ndaj gruas.” Kështu shkrimtarja shqiptare e fuqizuar nga kuptimi jetik dhe aq aktual i kësaj tragjedie lë lexuesit që vetë të japin gjykim ose zgjidhje sipas momenteve qe gjejnë në roman, pra ashtu si edhe kritikja e gjen në fjalët e saj, “se si mund të veprojnë në qoftë se gjenden në pozitën e protagonistes, në këtë rast viktimës së shtypjes.” Vetë personazhi i romanit, Emma Jazzi është nën presionin e vazhdueshëm të dhunës, nën presionin e të keqes, të ligës dhe sakrifikon duke duruar. Ajo duron atë që s’duron dot njeri. Prej Kices dhe leximit tw romanit kuptojmë gjithashtu se “Arti është në funksion të njeriut dhe ai duhet të luftojë dukuritë negative. Shtypja e gjithanshme e gruas në familje dhe jashtë saj, nuk është e panjohur e as e vetme.”
Kur marrim në analizë, apo shkruajmë thjesht për një krijimtari më së shumti ne marrim një paralele, ose edhe një shtysë përpos tematikës me shumë lidhje. Një e tillë në këtë rast që lidhet me kanunin është e shkruara e At Shtjefën Gjeçovit, por që në fakt ka një distancë në lidhje me komunikimin e asaj që parashtron autorja për lexuesin. Duke u rekur pas temës gjejmë romanin e Kadaresë “Prilli i Thyer”, apo më tej edhe romanin e shkrimtares shqiptare, Flutura Açka, në lidhje me këtë temë. Natyrshëm është një temë, kjo tema e Kanunit, që ka mbërthyer aq shumë syrresh sa që edhe gjithë lëmitë e mediave e kanë sigluar dhe fokusuar atë. Kështu ndodh edhe me mjaft studime akademike, apo edhe me kërkime në lidhje me këtë fenomen, që disi mbetet arsye në ekzistencën e tij. Përpos gjithë këtyre lidhjeve në temë, arsye dhe paraqitje vjen edhe diferenca e përshkruar nga pena e shkrimtares në fjalë. Në penën e saj janë shumë dualitete jetike që fuqizohen nën ombrellën artistike të plantimit të binomeve grua-burrë, mashkull-femër, ku në thelb, dhe në realitetin e njohur historik në këtë binom, gjithnjë mashkulli ka qenë në favor. Strukturat familjare, normat kanunore, kanë qenë gjithnjë në anën e mashkullit. Por në roman shihet arsyeja ndryshe, arseja që nyjëzohet nën filozofinë e Oscar Ëilde dhe që shihet qartë tek qëndresa femërore që kërkon alternativë të daljes nga kjo mbetje shekullore në një mentalitet ende të dyzuar. Jo më kot shkrimtarja e ka lënë pa emër këtë element mashkullor, këtë personazh ‘burrë’ në roman. Aty ai thirret në Kanunin e Lekë Dukagjinit, të cilin as nuk e njeh dhe as nuk e ka lexuar. Por, aty ku është në favor të tij, e citon, e përdor, më mirë të themi e keqpërdor atë. Është ai element mashkullor që harron qënien e tij njeri, harron marrëdhëniet burrë-grua, po aq është edhe shpërfillës dialektik i lidhjeve burrë-grua-fëmijë. Është shkurt ai burrë i pikturuar bukur nga shkrimtarja: “Sa i shëmtuar që ishte! Fytyra e tij prej burri, me dy sy ngjyrë gështenjë të dalë jashtë si dy kumbulla, me qimet e vetullave të rrëzuara mbi kapak, me një mjekër qose, me dhëmbët çatallë të rralluar, e me një bark të fryrë si lodër, çdo ditë merrte nga pak pamje kafshe që herë më dukej si fytyrë derri e demi bashkë, e herë si fytyrë ariu. Ai u shtang kur shikoi enën në të cilën kisha radhitur thikat që i lava para se të shtrihem. Qëndroi një copë herë në vend, si i ngujuar dhe mi nguli sytë aq egërsisht, sa që kujtova se do alivanosem nga frika. - Do të më there…”. Dhe pikërisht kjo e fundit “Do të më there…” është një arsye më shumë për të kuptuar rrjedhën e prishjes së raporteve të lartcituara.
Në kontrast me këtë figurë, që penelatat e autores e sjellin aq afër dhe larg midis preambulës filozofike, kohë dhe hapësirë, vjen edhe kryepersonazhi femëror i romanit. Një kumt njerëzor ngjizet me tërë elegancën e fjalës. Dhe ky kryepersonazh është vetë Emma Jazzi. Kica na vjen në ndihmë “Emma Jazzi, është grua e mençur, e ditur, merret me art, me këngë, por përse ajo nuk mund ta kthen në anën e vet kanunin? Po t’i referohemi Kanunit, ai ka edhe anët e mira. Por, kryepersonazhi në roman, të keqen nuk e konstaton vetëm në momentin që e jeton, por më herët. Ajo i fajëson të gjithë ata që e kanë detyruar të martohet me personin që jeton. Ajo i urren, madje disa herë i fanitet në ëndërr sikur tenton t’i vrasë me radhë burrat që janë alkoolikë kronikë. Protagonistja nuk do askënd, disa herë shfaqet krejt apatike, pa ndjenja. Kësisoj mendon ajo, se u bën ballë shovinistëve gjinorë.” (Kica po aty). Por kjo nuk mjafton që të shihet protagonistja si një vepër që riskon me magjinë e artit. Emma, vetësiglohet nën fuqinë plotësuese të mbiemrit të saj që vjen nga mbiemri i saj objekt-art-lidhëz ‘Xhaz’. Siglohet edhe në traditë, filozofinë popullore dhe realitetin e trashëguar, ku fuqia e fjalës së gatuar me mjeshtëri kontraston dallimet. Dallimet që vijnë në kandarin jo-ballancues historik të kanunëzimit të binomit femër-mashkull. Dhe, kjo shihet edhe në vetë sjelljen e nënës së babës, gjyshes, (autorja e quan nënë) apo në sjelljen e shumë gjysheve apo nënave që meshkujve u japin përshesh me kos, e femrave përshesh me dhallë.
Kështu ashtu siç edhe Kica e zbulon, Romani “Emma Jazzi” përshkohet me frymë sociale e shoqërore. Elementet psikologjike, metafizike e filozofike, që ndjehen në këtë libër, mbajnë vulën origjinale të autores. Ata janë lidhje specifike që dëshmojnë lidhjen me temperamentin artistik të Oscar Wilde, por edhe janë një art më vete për të thënë me plot gojën se Puntorie Muça-Ziba, është kurruesja logjike e një fenomeni tejskllavërues në emër të së shkuarës, në emër të jo-arsyes, apo më saktë të fundosjes së vlerave njerëzore. Shkrimtarja në rrugën e saj të gjatë, krahas një poezie tejet bashkëkohore, ka gatuar ndjenjën e jetës me përkushtimin për të tërën, duke lënë një model për ecjen para dhe shpëtimin e së ardhmes. Ajo vjen në një kohë të duhur dhe është modeli që duhet ndjekur.
Bashkohem me mendimin e Kices se me “Me bukurinë e stilit, autenticitetin e dialogjeve, ajo na ka dhënë një roman të arrirë, që ia vlen të botohet dhe shpresojmë se do të ketë jehonë të gjerë në opinion.” Por, jo vetëm në opinion, ajo duhet kapur me detaj deri në një studim gjithëanësh. Romani i ka vlerat, ne duhet t’i përcjellim ato më tej.

Një letër për njerëzit e vegjël që s’duan Europën


Njerëz të vegjël ka kurdoherë. Në këtë rast kanë rëndëkuptuar vlerën e urtësisë së themeluesve të Europës së Bashkuar


Një letër për njerëzit e vegjël që s’duan Europën

Nga Majlinda Bregu

Sot në Romë kujtohet 60 vjetori i Traktatit të Romës, zanafilla e krijimit të Bashkimit Europian.

Burrave te mencur të asaj kohe iu deshën 10 vjet negociata e plane për të ngritur mbi rrënojat e Europës së pasluftës, Bashkimin e Paqes.

Ishte fjalimi historik i Churchill në 1946 i cili me qartësi e vizionin ndërtues, prej Universitetit të Zyrich shpalli atë që do të ndodhte: “Ju paraqes idenë e një Europe të bashkuar ku Britania e Madhe do të ketë një rol vendimtar si anëtar i familjes Europiane.”

Sigurisht ai nuk mund të parashikonte që në 1946,se Britania e Madhe do të kishte si për ironi të parin Kryeministër që projekton Bashkimin e Europës dhe 70 vjet më pas, të parin Kryeministër që i ikën Europës!

Gjenialiteti i vizionarëve si Churchill, Monnet, Schuman, Spinelli, Adenauer, De Gasperi e Church ndoshta nuk e vizatoi dot tërësisht rrugën që duhej të ndiqte Europa e Bashkuar,por pasioni dhe vizioni se luftërat, vrasjet e dhunimi i kombeve, urrejtja e shkatërrimi duhet të merrnin fund, iu mjaftuan për të nisur një përpjekje gjigande të afrimit, paqes, sigurisë, stabilitetit dhe një tregu të përbashkët në kontinent, për të provuar bashkimin si fuqi të transformimit. Sot, po të ishin gjallë, do të ishin ndjerë të keqkuptuar.

Se si ngrihet një projekt-altar për të mos dënuar brezat, mes ngjitjeve e zbritjeve herë pas here në shkallare të lagështa të frikës se kush do t’ia niste i pari luftës së re, si e fundmja ngjarje që përcaktonte kush ishte më i fortë e kush më pak i dobët, na e bënë dhuratë ata burra të mençur.

Nuk di se cili ishte më brilant e shkëlqente në pasionin për t’i dhënë formë bashkimit e jo ndasisë së Europës që nëpër labirintet e ndarjes të mos ecte më askush nga popujt, dhe nën një qiell të përbashkët të ndihej tejendanë siguria e kësaj përpjekjeje aq të bukur e të vështirë, por pa dyshim ishin burra që patën kurajën të ndanin së bashku një ëndërr.

Cfaredo të thuhet sot në Romë nuk do të jetë kaq madhështore sa vendimi i 60 viteve më parë.

Madje ende sot ka plot që, mbase pa kuptuar ushqejnë shpresa të fajshme se ky projekt duhet thërrmijëzuar që të bëhet më i mirë, copëzuar që të jetë më i qëndrueshëm. Njerëz të vegjël ka kurdoherë. Në këtë rast kanë rëndëkuptuar vlerën e urtësisë së themeluesve të Europës së Bashkuar.

Prestigji dhe fuqia e këtij projekti nuk shpërbëhet prej mendimeve të kundërta mbi kufinjtë e Europës por prej nacionalizmit të sëmurë që kombet e shoqëritë i kthen kundër njëri tjetrit; prej populizmit manipulues; prej pushteteve që janë aq poshtërues e të pazotë për t’ ju dhënë përgjigje problemeve të përditshme dhe prej keqkuptimit të idesë madhështore se Europa, nëse nuk është e bashkuar dhe nuk lufton për vlerat mbi të cilat u ngrit, nuk është më Europë.

*****


Majlinda, siç e thotë edhe emri “maj-linda” ka lindur në muajin korrik në një lagje të vjetër të Tiranës së Re. Shenja e horoskopit ishte “Intergrimorja”.

Që në vogëlinë e hershme, tek ajo u vu re një pasion për të llafosur dhe meqënëse Majës i pëlqenin agrumet, ajo fliste me agrumente. Lojrat me shoqet e saja, ku ajo hidhte dhe priste topin, ishte fillimi i një experience ku Maja mësoi të fliste me të hedhur. Shoqëria e saj shikonte tek ajo, njeriun e ligjëratave me potencial mjaft bindës. Libri që lexonte më shpesh ishte romani “Tërhiq e mos këput” i autorit Shtymë Tërhiqmi.

Në moshë të rinisë, fare e vetme nisi një fushatë për barazinë gjinore. Rezultatet ishin të rrufeshme. Falë saj, në rradhat e qumështit filloi të aplikohej skema “një burrë, dy gra”. U përfshi në lëvizjet demokratike duke dëshiruar të thoshte fjalën e
saj. Në atë kohë ati i shenjtë Sali (dora vetë ) Berisha i I-rë, kishte një slogan “Gjuha shpatë, njihet në fushatë, si burrat ashtu dhe gratë” dhe bekoi Majlindën, zëdhënëse e fushatës së PD. Këtu i erdhi mundësia të shpaloste talentin e saj në artin e bindjes se masave popullore proletare të cilat vuanin prej 35 vitesh nën regjimin e Fatos Nanos.

Disa rivale pëshpërisnin pas krahëve (se në sy nuk guxonin) se ajo po lodhej kot. Kot kot, por i doli plot sepse viti integral 2005 e integroi ministre për marshalla e për hajër i qoftë.


Monika Shoshori Stafa, pjesë elitare e publicistikës shqiptare

Skender temali.jpg

Nga Skënder Temali


 Zonjën Monika Shoshori Stafa, e njoh nga ekrani i televizorit, por dhe nga artikujt e saj që kam lexuar tash e parë viteve të fundit në shtypin shqiptar. E se ato janë disafarëshe: realiste, filozofike, historike, politike, kulturoro-artistike, etike, përshkruese etj. Monika nuk mbetet robëreshë e zhanreve publicistike, i kapërcen caqet e tyre, përdor mjeshtërisht edhe figura e trajtime letrare të mirëfillta, kap e trajton probleme të mprehta të kohës pa bërë asnjëherë kompromis me të keqen e “baballarët e kombit”, ka depërtim vertikal e jo horizontal për ato që merr përsipër të trajtojë e kjo, mendoj, se përbën vlerë për çdo krijues.


Monika Shoshori Stafa, pjesë elitare e publicistikës shqiptare

Unë vetë, për 15 vjet kam punuar redaktor në Radio- Shkodra e gazetën lokale në kohën e komunizmit. Di si pak kush të bëj dallimet, censurën e autocensurën, siç edhe lirinë e sotme, me hapësira të pakufizuara të shprehjes. Këtë liri Monika e shfrytëzon, përmes një gjeografie problemesh e sfidash që i ofron vetë koha që jetojmë. Fatmirësisht Monika i përket plejadës elitare të publicistikës shqiptare të çerek shekullit të fundit, edhe pse në këtë periudhë kohore, ka pasur përçudnime të fjalës e të shtypit të lirë. Brumin e materialeve të saj publicistike e që na ka paraqitur në këtë libër ajo nuk e stis, e merr nga magja e jetës. Trajtimet sjellin një informacion nga shumë e shumë fusha, çka flet se nuk kemi të bëjmë me një gazetare e analiste rastësore, por me një autore me një bagazh diturak që të bën për vete.

Konçiziteti i shkrimeve të këtij vëllimi e lejon lexuesin ta shohë jetën nga shumë këndvështrime e kjo jo vetëm se ajo e ka orientuar atë në ndarjen në katër pjesë, por sepse ai sheh veten e tij në pasqyrë e jetën shqiptare me plus-minuset e saj, duke nisur që nga sharlatanët e mbirë si kërpudhat pas shiut e deri tek sistemet ekonomike e rrymat bashkëkohëse politike, kulturore e letraro-artistike shqiptare, europiane e botërore, ku autorja eksploron jo pa sukses e duke qenë gjurmëlënëse. Konçiziteti i shkrimeve mendoj se përbën një tjetër vlerë të këtij libri e të kësaj autoreje. Ajo ka bërë kujdes të vazhdueshëm që të ketë sa më pak ujë, pa u hallakatur sa poshtë e përpjetë, por duke dhënë pa dorashka kuitesencën. Pasuria leksikore e gjuhësore tregon për formimin edhe në këto fusha të Monikës. Fraza nuk na lodh me gjet kryefjalën, pasi kryefjalë është analiza e mesazhi që përcjell.

Unë, si autor i disa librave artistikë të zhanreve të ndryshme në gati gjysmë shekulli, me interes të veçantë kam lexuar sidomos artikujt e “Qasjes kulturore”. Përveç bollëkut të informacionit që merr lexuesi, pasi ka lexuar secilin prej tyre, sikur polemizon e vetëkritikohet, duke belbëzuar: “Po këtë, si s’e paskam ditur!?” Kjo natyrisht që s’të krijon ndjesinë e mirë, por që e mbush autoren se i jep lexuesit, qoftë edhe elitar, një novitet në mendim e problematikë të këtij rrafshi. Kë të veçosh në këtë korpus? “Librin e pushimeve”, “Shijen e vrarë të librit”, “Tradhtia ndaj përkthimit”? Mendoj se ato e të tjerë kanë kapur kuotat që do t’i dëshironte çdokush që bën publicistikë serioze. Publicistika shqiptare ka nevojë për të tilla nivele e kjo është meritë e autores, së cilës i uroj me shpirt të tjera arritje, madje do të thoja se përkthimi në anglisht apo në një gjuhë tjetër europiane do ta nderonte jo vetëm atë, por edhe kulturën tonë.

*Autori është Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shkodër(Pak biogrfai)

Skënder Temali lindi në Shkodër më 30 korrik 1946, në një familje të vjetër shkodrane. Ka kryer Universitetin "Luigj Gurakuqi", në degën gjuhë shqipe-letërsi dhe për 15 vjet (1966-1981) punoi gazetar në Radio Shkodra, revistën "10 korriku" e gazetën "Jeta e re", ku ka transmetuar e botuar me qindra artikuj problemorë, reportazhe letrare, përshkrime, portrete, skica, etj.
Prej një çerek shekulli, drejtues e mësues në shkolla të mesme të vendlindjes së tij, ku prej 20 vitesh e aktualisht jep lëndën e gjuhës shqipe e letërsisë në shkollën teknike 5-vjeçare pyjore të Shkodrës.
Ka botuar cikle poetike e tregime që gjimnazist në almanakët letrarë “Shkodra”, në shtypin letrar të kohës “Zëri i rinisë”, “Drita”, “nëntori” e revistat për fëmijë. Disa nga këto krijime kanë zënë vend edhe në botime të zgjedhura dhe janë vlerësuar me çmime lokale e kombëtare. Në vitin 2001, në konkursin e 7-të ndërkombëtar, të shpallur nga shoqata e artistëve dhe shkrimtarëve "Cristalide" në Padova të Italisë, mes 462 shkrimtarëve nga Italia e shumë shtete të botës, ai u nderua me çmimin special të jurisë, me tregimin "Këpucët e turpit".
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë që nga viti 1967 si dhe Ambasador i Paqes e anëtar i Komitetit Drejtues të Federatës Ndërkombëtare të Paqes.
Është autor i 12 librave. Njihet edhe si redaktor i dhjetra librave artistikë të shkrimtarëve të rinj.
Botime më vete:
1) Këngë cigane (vjersha e poema) -Viti 1971
2) Kjo ndodhi në Lis (roman) -Viti 1982
3) Ballo në mbrëmjen e maturës (novela) -Viti 2001
4) Ishte një lajthishte (poemë për fëmijë) -Viti 2001
5) Këpucët e turpit (tregime) -Viti 2002
6) Nesër do të them mirëmëngjes (novelë) -Viti 2002
7) Studentja e Bolonjes (novelë) – Viti 2004
8) Gjuha shqipe (tekst alternativ mësimor) me bashkëautor -Viti 2003.
9) Shtëpia pa pasqyra (tregime) – 2006
10) Askushi (roman, botuar në Maqedoni) – 2006
11) Tre shokët (vjersha e poema për fëmijë) - 2007
12) Lirika të hershme dhe të vona – (2009)
Etj.

Naim Kelmendi, „ESENCA“, poezi, botoi „RUGOVA ART“, Prishtinë 2010, faqe 56. ISBN 978-9951-536-15-8

SENTENCAT LAKONIKE AVANCOJNË ESENCËN E TË QENIT POET



Shkruan: Shefqet DIBRANI

Naim Kelmendi është poet që shkruan e boton më me ngulmim se sa krijuesit tjerë që i përkasin brezit të tij. Ai tashmë ka tërhequr edhe vëmendjen e kritikës letrare duke zënë një vend meritor në kuadrin e poezisë së sotme shqipe.



Naim Kelmendi 

Vlerësimin tim për “Esencën” e kësaj poezie po e nis me tre vargje të poezisë „ZOTI DIELL DHE NJË PERËNDI TJETËR“, të vëna qysh në fillim të librit.

„Zoti diell…
dhe një perëndi tjetër,
është i plotfuqishëm“ (faqe 7)

Poezia e Naim Kelmendit jo rrallë mbulohet me një mister, me një ndjenjë ndrydhur në brendësinë e shekujve shpirtëror, ku në raste të veçanta ka një ngarkesë emocionale që shoqërohet me një koncept filozofik racional, por më shumë me një sentencë lakonike që të shtynë me besuar se poeti u bënë një qasje të drejtë zhvillimeve të përditshmërisë, poezia ka një sinkronizim të saktë, duke e avancuar esencën e të qenit shenja – poet.

“pra unë jam shenja
që eci që gjuaj në shënjestër të vetvetes
dhe prapë eci e eci derisa ta ha të tërin si kafshë – Naim
Kelmendin”
(faqe 51)



Këto tre vargje e mbyllin mjaftë trishtueshëm këtë libër me poezi, ashtu siç ishin edhe tre vargjet e cituara më lartë që hapnin poezitë e “Enigmës” poetike. Në mes këtyre dy strofave qëndron “Enigma” e lëndës poetike që ka përshkruar autori qoftë në formën e ndjenjave, qoftë në formën e përjetimeve, apo thjesht si një koncept stërholluar filozofik, si “plagët që ulërijnë ideshëm shpirtin” e poetit.
Në këtë sfond autori ka qen mjaftë i vetëdijshëm se sotmja e nocioneve dhe koncepteve poetike, sado besnikërisht të jetë shqiptuar, sado paanshmërish të jetë regjistruar, zor se do t’i shërbej të nesërmes, me mjaftë dyshime se mund të rilexohet pas një dekade, andaj ai nuk e zbret rrëfimin poetik në perceptimet sipërfaqësore të një gazetari. Ai perceptimin e ngrit në stadin filozofik, si një mesazh që mund të kujtohet edhe më gjatë, që mund të interpretohet edhe si dashuri e poetit, “me të vërtetën e ditur” qoftë kjo e vërtetë e “hidhur si pelin”.
Ky lloj metabolizmi nga e sotmja reale në një realitet letrar, poezisë i ka dhënë shije artistike, kurse nocionet poetike i ka shtjelluar sipas kodeve filozofike duke përdorur mjaftë shpesh figura mitologjike, shprehje liturgjike a koncepte filozofike.

“krejt çka mbeti pa u thënë
s’do shkruhet më në pergamenë
në kujtesën e gjërave do t’harrohemi
me gjithë gjuhën e gjakut tonë prej njeriut
me njëqind fytyra me njëmijë mëkate”
(faqe 19)

Poezia e këtij libri është si një lloj skeleti i zhvillimit ditor të ngjarjes, por me simbole e shenja letrare që e ka bërë këtë tip poezie jo vetëm më të lexueshme, por edhe më të kuptueshme dhe shumëfish më të pranueshme. Hiç ato poezi që mbajnë data nga vitet e 90-ta, të cilat dallojnë për një qasje dhe strukturë të njohur të këtij autori, poezitë tjera shprehin revoltën qytetare për një realitet historik dhe politik të tashmes mjaftë rrëqethëse dhe më pak shpresëdhënëse.
E ajo pak, pak dritë, ajo pak shpresë që duket, është rezultat i kulturës krijuese, i verbit poetik, i vetëdijshëm se poezia duhet t’i shërbej të së ardhmes edhe pas shumë e shumë vitesh kur autori nuk është më (jo në mesin tonë, se nuk i dihet kush më parë do të piku nga dega), por në mesin e të gjallëve.

“...dhe kambana patjetër se do bjerë
për çastin tonë në këtë udhë njeriu
një lot një dhembje në pikëllim dite
kohës kohë as ne tjetër nuk i duam
...
mbi çastin dhe orën që dikund ndalon
s’e di a kemi kohë për një çast tevona
të mendojmë pse erdhëm, pse shkuam
aq heshtur aq etshëm aq shpejtë
dhe kujt iu deshtë më shumë
jetës apo vdekjes, e jona.”
(faqe 42)

Kjo përpjekje kaq fisnike e bënë natyrën e poetit më të pranueshme dhe si karakter më të qëndrueshëm nëpër hullitë e kohës. Poeti, vazhdimisht ngulmon për të vërtetën, atë e shprehë kudo në poezi, pra edhe brenda këtij libri mjaftë esencial për korpusin e tij letrar.
Naim Kelmendi sikur është i pushtuar nga dëshira për t’u thelluar në ndjenjat e brendshme të njerëzve dhe shoqërisë, prandaj “ESENCA”, ose thelbi i nocioneve që na shfaqet edhe në titullin e librit, bart mesazhe të forta, për të cilat autori, tashmë si një penë e stabilizuar, qysh nga libri i parë, ka luftuar dhe është preokupuar t’ia survejoj shoqërisë sonë e cila mbet gjatë, tepër gjatë në tranzicion, fatkeqësisht edhe në planin kulturor e letrar. E këtë Ai e rishfaq në tetë pamje, pikërisht në muajin e kaluar, viti i sivjet tek poezia “VDIQ E DJESHMJA”.

2.
i ke parë duke kalëruar egër, mbi të djeshmen
dhe kanë rrejtur sërish përmbi orët e fatit
dhe ia kanë shkërdhyer nënën asaj buzëmbrëmjeje
asaj mesnate ia kanë bërë të nëntëdhjetenëntat
mor e kanë kurvëruar kurvat dje mbrëma të veten aq bukur
dhe kanë sharë mbi çështjen kombëtare antikombëtarët
...
4.
pra përshëndetu me të djeshmen, ajo shkoi në vend
të vet dhe s’kthehet për miliona vjet kurrë më
...
5.
tash mendo ndryshe, nis një lojë dhe ndërroja ndryshe gishtat fyellit
mendo një tjetër melodi nëpër telat këputur të heshtjes...
nga e kaluemja jote s’ka mbetur asgjë për ta plehëruar t’ardhmen
...
7.
...melodi e këputur udhët e mia të kërkimit në njeri në veten e tepruar
po endem po endem për ta mësuar tejpërtejen pa dobi

8.
...pra, vdiq e djeshmja, bëjani varrin në mendim të bukur dhe me urti
rrugë tjetër s’ka për të arritur te kuptimi i humbur...
Tetor 2010, (faqe 46 – 49)

Vargjet që gjenden brenda poezisë në fjalë që duken si postulate na bëjnë për të besuar edhe më fort se Naim Kelmendi është i vetëdijshëm për misionin e poetit, se mbase koha e djeshme ka ngarkuar mbi shpatullat e krijuesit mesazhe të forta, porosi të qarta dhe obligime të thella për ta nxjerrë kombin nga amullia e së sotmes së mjegullt, për t’ia gjetur shtigjet e ndritura drejt një jete më të mirë, drejt një mendimi më të përparuar.
“ESENCA” e nocioneve poetike, e figurave letrare, është rezultat i përvojës letrare për t’i regjistruar, e për t’i bërë pjesë organike të një angazhimi letrar, që marrin kuptimin e duhur nëse kthehen në poezi artistike. Në një masë autori e ka realizuar synimin e tij, sepse merret vesh, as ai vet nuk do të jetë në gjendje ta shpjegojë esencën e jetës së tij pa poezinë?!... Në të kundërtën nëse arrijmë që me mënyrë të dhunshme, krejtësisht në mënyrë vulgare t’ia shkëputim qenies së tij poezinë?!... shtrohet pyetja ku do të mbetet esenca fizike e autorit?
Në këtë plan mendoj se duhet me i dhënë të drejtë autorit i cili mendon se “Në esencën e gjerave/ kërkoj(më) vetën”, dhe ky kërkim s’ka dert nëse bëhet edhe “në margjinat e jetës”, edhe atëherë kur “t’ia bëjnë/ të nëntëdhjetenëntat/ prapa shpine e përanash”, (nga poezia “Esenca”, faqe 36).
Nga këto që thamë deri më tash, shihet se Naim Kelmendi është një tip poeti eksponent, që me poezinë e tij ngulmon për ndryshime esenciale të shoqërisë. Kjo semantikë e të menduarit poetik na bënë për të besuar më shumë, se poeti është i vendosur në pikëpamjet e tij, pasi ai është subjekti, pikërisht NJERIU – ose vet – ESENCA, e faktorëve që ndryshojnë shoqërinë.
Këtë konstatim e plotëson vazhdimësia e tij krijuese, indikacione të besueshme gjejmë edhe te përmbledhja poetike që patëm në shqyrtim, ku breshërojnë shprehjet, mendimet dhe konceptet e sistemuara me kulturë e dije, ku ka sforcuar mendimin për një kulturë poetike më të avancuar, më artistike.
E mbyll këtë mendim mbi poezinë e Naim Kelmendit duke përsëritur një mendim të thënë po për poezinë e tij qysh në vitin 1994, (përkatësisht në Fraunfeld, më 6 nëntor 1994), se “konkretësia bëhet vendimtare në poezinë më të re të Naim Kelmendit, sidomos kur ai iu ka rikthyer disa temave që i ka më për zemër”.

Rreth përmbledhjes poetike “Kthimi i Syve” të poetit Kujtim Morina

Image result for dukagjin hata

Nga Dukagjin Hata

Prirja intuitive për ta sendërtuar figurën në rrënjët fabuleske të poezisë është një veçori e poetëve modernë, të cilët shkrijnë në një kulm abstragimi të gjitha enumeracionet dhe lakimet e mundshme të trajtave të vetëdijshme apo inkoshiente të lëndës së parë poetike. I tillë na shfaqet edhe Kujtim Morina në vëllimin e tij të dytë me poezi “Kthimi i syve”, Botimet Princi, Tiranë 2011, ku variacionet në formë mozaiku brenda konstruktit poetik të poezive të tij shkrihen në kodet nëntekstuale, prej të cilave rrjedh mesazhi dhe qëndrimi i poetit ndaj gjërave që e rrethojnë, si ngacmime të vatrave të trillit dhe fiksacionit poetik. Nëse në vëllimin poetik pararendës “Dehja nën mjegull”, ky element ishte ende në embrion, si një prirje në potencë, në këtë vëllim shfaqet si një tipar i poezisë së Morinës, në rrekjen e tij për të qenë në unison me zërat e fshehtë të një minibote që i zgjon atij ndjesitë e sensacionit.
Morina nuk konstaton, ai depërton thellë nën lëvoren e objekteve poetike, duke vizatuar me ngjyra të ndezura peisazhe të thyera të shpirtit njerëzor, pritje të mbetura pezull, kohë të turbullta, të mbetura në kujtesë si vizatime të kohëve shpellore, bukuri të ftohta që marrdhin nën brymën e iluzioneve.
Ai zbulon magjitë dhe kontrastet e gjërave që e rrethojnë, dehjet dhe stopimet e ëndrrës, duke operuar me figurën bazë të vizionit të tij poetik –metaforën, si natyralizim të kredos së tij të brendshme.
“Më dolën sytë nga vendi/dhe ikën për të parë botën”, thotë Morina në poezinë “Kthimi i syve”, duke na përgatitur për udhëtimin e tij fizik por mbi të gjitha virtual, në të cilin duket se kërkon të shkrijë impresionet e tij në një karusel trajtash, që i parakalon si rreshtime gjendjesh poetike.
Siç thotë me të drejtë kritiku Petrit Palushi, “në gjithë lëvizjen poetike (të Morinës –shënimi im D. H) ndihet lehtas përshpejtimi i metaforave, një rendje e tyre e vrulltë, njëra pas tjetrës. Mund të themi se çdo poezi në vetvete është prezantimi i një ishulli metaforash, ndërsa përmbledhja në tërësi është prezantimi i një metaforiade të plotë, e cila njëkohësisht merr më tepër forcë përmes ritmit dhe muzikalitetit të brendshëm, që përmban ëmbëlsisht në vetvete e gjithë lëvizja poetike”.
Në këtë përmbledhje lëviz një natyrë e qetë në dukje, por që ndjek intuitivisht një temporitëm të brendshëm të vrullshëm, një botë paradigmash, kontrastesh, thyerjesh, natyrën gjithë lëng dhe sharm, që përftohet përgjatë reaksioneve zinxhir poetike.
Poezia e Morinës është një endje në tezgjahun e ndjesive tokësore dhe metafizike, një kërkim arketipal në kujtesën e gjërave, duke na pëcjellë figura, trajta strukturore dhe imazhe që herë herë të befasojnë. Freskia dhe spontaniteti i gjetjeve poetike, vëzhgimet e holla, ambivalenca e figurës dhe imazhit, kontrapunkti etj, janë vetëm disa nga pamje të ajzbergut poetik të Morinës.
Në poezinë e Morinës gjejmë vetveten, vizionet, ëndrrat e munguara, dëshirat që marrin krahë e bëhen degë pranverore në pemën e jetës, atë botë disi të fshehtë e transhendente, falë të cilës bota jonë ndihet më e motivuar në luftën e radhës për të mirën dhe të bukurën.
Morina rreket të shkrijë në një kohën imagjinare dhe kohën reale, impresionet vetjake dhe deduksionet poetike universale, kumtet e përmbledhura në një vektor tridimensional të kohë-hapësirës poetike. Ai është i besueshëm e spontan sikurse kur flet për shiun e mbrëmjes, vjeshtën e vonë, mimozat, këto lule flokëverdha, retë e purpurta si nusja e re me faqe të skuqura, ashtu dhe kur i drejtohet metafizkës, shanseve të humbura, ëndrrave dhe iluzioneve.
Përmbledhja “Kthimi i syve” e vendos autorin në një raport të ri me poezinë, e bën pjesë të asaj shkolle poetike që ka rezultuar për mendimin tim më e sukseshmja në letrat shqipe, ku shkrihen e sendërtohen në një realitet të vetëm estetik mënyra tradicionale dhe ajo moderne e procedimit poetik.
Kur kthen fletën e fundit të këtij libri me poezi, kupton se ke dëshirë t’i rikthehesh një leximi tjetër, më të kujdesshëm që nga fillimi, e kështu, faqe pas faqeje, mund të kundrosh shpërfaqjen e një poeti, që me të vërtetë ka se çfarë thotë dhe di të vendosë një kod komunikimi me kohën dhe bashkëkohësit…

Kush e vrau legjendarin Bajram Curri

Image result for albert vataj

Nga Albert Vataj

Thonë u shtri, e thonë u vra, Po ti s'vdiqe, or Baba, As te shkëmb' i Dragobisë, As te zëmr' e Djalërisë. As je vrar' e as po vritesh Legjendar Ante po rritesh. Dithiramb i Dragobisë, Tmerr, panik i mizorisë. Këto vargje janë pjesë e elegjisë që Fan Noli ka end për vdekjen e Bajram Currit, sot 90-vite më parë, më 29 mars 1925.

Ndërsa kanë kaluar kaq vite, ende e vërtëta e vrasjes së bujshme rri pezull mbi mitikën e atyre maleve të Dragobisë sot e saj dite, si për të ngasur kureshtinë, e trazuar prej amshimit legjendën, Bajram Curri.

Kush e vrau legjendarin Bajram Curri

Një burrë malësor i mbështjellë me çallmë të bardhë që i mbulon kokën, sytë dhe një pjesë të fytyrës, duke i lënë jashtë vetëm një palë mustaqe të errëta, kridhet i shtrirë përdhé i pajetë, ndërsa farë pranë tij, i ftohtë dhe triumfalist, një burrë i veshur me kostum dhe me fest në kokë, një veshje e përdorur nga funksionarët e kohës, është prefekti Hasan Kryeziu, i cili pozon pranë trupit pa jetë të Bajram Currit, si para një trofeu. Kësisoj mund të jetë përshkrimorja e asaj fotoje që me gjasë e realizuar nga fotografi gjakovar Ahmet Zherka, duke u bërë publike ka rikthye domosdonë e zbërthimit të këtij ekuacioni, duke u përpjek me e davarit diqysh tisin e trashë të mjegullës që mban të mbështjellë më mister dhe dyshim vdekjen e një prej veprimtarëve më të zëshëm të kohës, Bajram Currit.

Një histori e denj për të kapërthyer kufijtë e mitit. Sot pas 90 vitesh, qëkur kjo piskamë e thekshmë bjeshkësh, ky trazim i makthshëm i një vdekjeje, mjegulla që i rrethvjen është ende e trashë, si vetë hukama e bjeshkëve në Dragobi. U vra apo u vetvra? Kush e vrau Bajram Currin? U tradhëtua dhe pse? Ishin shqiptar apo serbë ata që e ndoqën deri ku ai hoqi shpirt? Janë këto pikëpyetje që mbajnë të gozhduar të vërtetën e bujshme të kësaj ngjarjeje. Ngase është thënë, është dëshmuar dhe përfolur nëpër malësinë e Gjakovës, e pamundur mbetet të mos zbardhet e vërteta. Dikujt i ka interesuar dhe vazhdon t'i interesojë, që Kutia e Pandorës të mbetet e mbyllur përgjithnjë.

Profili i veprimtarit

Bajram Curri mbamendet si një ndër organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Pejës që daton 1899-1900, veprimtar i saj për autonominë e Shqipërisë dhe për mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit. Rreth këtij personazhi mbetet merita e të qenit drejtues kryesorë në kryengritjet kundërosmane në periudhën 1908-1912, që u finalizuan me shpalljen e pavarësisë më 28 nëntor 1912. Ai shprehu energjikisht papajtueshmërinë me vendimet ogurzeza të Konferencës së Londrës së 1913, marrëvesha hijenash që i'a shkulën shtetit të pavarur shqiptar si gjymtyrët, Kosovën dhe treva të tjera shqiptare lindore e jugore, duke e lënë të lëngojë gjymtimin. Ishte 1918 kur Bajram Curri u zgjodh anëtar i Komitetit "Mbrojtja Kombëtare e Kosovës" duke qënë vrulli më i hovshëm i këtij solidariteti, këtij kushtrimi. Në Kongresin e Lushnjës u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar, i cili e caktoi ministër pa portofol në qeverinë e asokohëshme të drejtuar nga Sulejman Delvina.

Është me rëndësi të citohet se në vitet 1920-1921, me cilësinë e komandantit të Operacionit, bashkëpunoi me ministrin e Brendshëm Ahmet Zogun për të realizuar vendosjen e autoritetit të shtetit në Shqipërinë e mbetur pas copëtimit. Do të jenë zhvillimet e mëvonshme politike, martesa e Ceno Beg Kryeziut me motrën e Ahmet Zogut, ato që ndikuan në ftohjen e marrëdhënieve të Bajram Currit me Zogun. Për rrjedhojë, nga marsi 1922, Bajram Curri zgjodhi rrugën e ngritjes kry kundër shtetit. Ishte një ndër protagonistët kryesorë në Revolucionin e Qershorit 1924. Pas Triumfit të Legalitetit, 24 dhjetor 1924, u tërhoq në Krasniqe, duke qëndruar si mik i bajraktarit, Sali Manit, nga ku vazhdoi përpjekjet e tij të dëshpëruara për organizimin e një lëvizjeje të re kundër pushtetit.

Më 2 janar 1925, Bajram Curri mbledh parinë e Krasniqes dhe një ditë më pas deklarohet besa e Krasniqes për me i kundërshtue çdo mësymjeje qeveritare. Më 8 janar, rreth agimit, forcat e Bajram Currit nga Krasniqja mësyjnë Gashin, e mbas një luftimi ku mbetën 10 të vdekun e një i plagosun nga forcat qeveritare dhe një i vrarë e një i plagosur nga mbështetësit e Currit, Bajram Curri merr vetëm Tropojën, qendrën e Gashit. Më 9 janar, fuqia e Currit nga Tropoja niset për në Bytyç duke patur për objektiv Krumën, qendrën e Prefekturës së Kosovës, ku kishte nisur dhe forca të tjera nga Krasniqja, duke paraqitur kështu një kërcënim serioz për stabilitetin e shtetit.

Për të shuar këtë rebelim të ri në Veriun e Shqipërisë, Ahmet Zogu, që në atë periudhë ishte kryeministër dhe ministër i Punëve të Brendshme, kishte emëruar komandant Operacioni për Veriun, Ceno Beg Kryeziun, kurse vëllanë e tij, Hasan Kryeziun, prefekt të Kosovës (nënprefekturat Lumë, Has, Malësia e Gjakovës).

Pas dështimit të Revolucionit të qershorit të 1924 , sipas dëshmive të përftuara nga dëshmimet dhe komunikimi mesvedi i zyrtarëve të asokohëshëm, Bajram Curri, i rrethuar nga trupat zogiste dhe serbe të prirë nga Ceno Kryeziu, kreu vetëvrasje në Shpellën e Dragobisë më 29 mars 1925 për të mos rënë në duart e armiqve. Ato gjysmë të vërteta që kanë qarkulluar nën zë, brez pas brezi në Malësinë e Gjakovës të kthyera tashmë në legjenda thonë se për vrasjen e tij ishte vënë një çmim, dhe ishin me qindra ata që i ishin vënë pas. I gjendur pa rrugëdalje, burri i Malësisë ka hequr xhamadanin për të mos e njollosur me gjak dhe me një plumb në kokë i ka dhënë fund jetës. Zëra të tjerë thonë se Ahmet Zogu nuk ka pasur gisht në vrasjen e tij, i vetëdijshëm se një veprim i tillë do të nxiste tërbimin e malësorëve që e admironin heroin e tyre. Thuhet se u vra nga bejlerët e Gjakovës në pabesi, në shpellë.

Dokumentet e zbardhura, të cilat rreken ë hedhin dritë mbi dinamikën e ngjarjeve në atë kapërcyell, nuk mund të saktësojnë diçka veçse të përpiqen të plazmojnë kundërshtitë e Bajram Currit ndaj regjimit dhe përpjekjet e Zogut për ta bërë të nënshtrohet këtë kreshtë të lartë të krenarisë dhe qëndresës malësore.

As deponimi i të vetëdorëzuarit Shefqet Draga në zyrat e prefekturës së Kosovës më 3 prill 1926, i cili pretendon të ketë qenë me Baca Bajramin deri pak momente para se të shuhej, nuk mbetet dhe aq bindëse. Kjo për arsyen se ai në procesverbalin e deponimit, dosje 33 me 11 fletë me 18 pyetje-përgjigje, (mungojnë 3 fletë, ndoshta vendimtaret për zbardhjen e misterit që mban të kyçur këtë vrasje), qaset më shumë të kapet pas të vërtetave që hamendet se mund t'i shpëtojnë kokën se sa të zbardhë besnikërisht se çfarë kishte ngjarë. Një arsye tjetër që e mbulon me mëdyshje këtë të vërtetë të bashkëluftëtarit të Bajram Currit është kërcënimi me litar, të cilit i bëhet me dije që në fill të rrëfimit, se gjoja për dëshmi të rreme ka për t'u dënuar nga gjyqi ushtarak me varje.

Në gjithë këtë hambar dëshmishë, librash të publikuar, bibliografishë e çmos tjetër, duket se çelësi i së vërtetës, ai që mban të mbyllur Kutinë e Pandorës është xhamadani i pagjakosur, të cilin të gjithë e pretendojnë se u gjet pranë trupit pa jetë të Bajram Currit.

Dëshmitarët e këqyrjes së vendit të ngjarjes kanë pohuar se xhamadani i Bajram Currit u gjend i hequr dhe i vendosur disa metra larg trupit të tij të vdekur, pa njolla gjaku. Sipas të drejtës zakonore të Veriut të Shqipërisë, ky gjest i tij në momentet e fundit të jetës interpretohej si mesazh për pasuesit e gjakut të tij që ta konsideronin të mbyllur konfliktin e familjes Curri me familjen Kryeziu të Gjakovës. Sapo mjegulla nis të davaritet dhe e vërteta kapet pas alibishë dhe hipotezash të dalë në sipërfaqe, të diftohet faqe dritës, ajo sërish rrëzohet për të mbëtur rishtaz e strukur nën tisin e trashë të dyshimeve. U vra vërtetë Bajram Curri nga nga njerëzit e Ahmet Zogut, apo ky i fundit duke shfrytëzuar ndonjë hasmëri a konflikt e përdori atë për të larë hesapet me kundërshtarin e tij më të flaktë, dhe për të mbajtur nën fre zemëratë e malësorëve që shikonin tek ky burrë udhëheqësin liberator. Gjithqysh Zogut nuk i interesonte të ishte pas këtij akti dhe gjithë mekanizmi që ngrihet rreth fundit të legjendarit Bajram Curri, duket si një përpjekje e matianit të rrafinuar për të mbetur dorjashtë. Por faktet janë kokforta. Me 9 janar 1925, Ceno Begut iu dërgua telegram urgjent, dokument i publikuar nga Veli Haklaj, me të cilin kryeministri Ahmet Zogu urdhëronte: “Currin gjallë â vdek duhet ta zini dhe fuqinë e tij duhet ta shkatërroni krejt tue marrë gjithë masat që kështu të shuhet revolucioni i Kosovës e të mos përsëritet mâ”. Me anë të këtij telegrami Ceno Begu autorizohej nga Ahmet Zogu që: “batalionin e atyshëm ta merrte nën urdhnin e tij; në qoftë se kompanikomandantat nuk ishin të besueshëm të emnonte të tjerë besnikë; prefektin, në qoftë se i sillte pengime, ta pushonte nga detyra dhe për këtë të lajmëronte”. Në vijim të veprimeve operacionale, më 11 janar 1925, Ceno Begu me forcat qeveritare mbërrini në Gash dhe të nesërmen sulmoj Krasniqen. Sipas informacioneve që vinin nga Prefektura e Shkodrës, rezultonte që Bajraktari i Bujanit, Sali Mani me 60 veta i ka shkue në ndihmë Currit. Si rrjedhim kjo ministri urdhëronte Komandën e Operacionit të Veriut që “një kompani 110 vetësh të asaj komande pa vonesë me zânë të gjitha vanat e Drinit për mos me lânë me kalue për në Pukë komitat e fuqis së Currit.” Kështu thuhet në evidencën e dokumentuar të fakteve nga zoti Haklaj. Nga një burim përftojmë një dëshmi që flet për një tjetër moment të rëndësishëm të ngjarjes. Kur janë rrethuar në Dragobi nga forcat zogiste, Sali Mani mbështetësi kryesor i Bajram Currit ka pyetur çfarë të bëjmë? Bajram Curri mësohet të jetë përgjigjur se duhet me luftue se nuk ka asnjë besë, ata kane ardh me na vra. Kështu kanë dalë nga shpella dhe kanë filluar pushka. Mbas disa oresh luftime, kanë marrë vesh lajmin e kobshëm se Bajram Curri, i cili kishte vrarë veten. "Nuk e besoj se Bac Bajrami të vriste veten. Por duhet ta kenë vra në pabesi", mbamendet të ket kumtu më vonë një nga bashkëluftëtarët e Shpellës së Dragobisë. Sali Mani dhe luftëtarë të tjerë, pasi kanë mësuar për vdekjen e Bajram Currit kanë marrë ikjen për me përfundu mbas disa ditësh në Gjakovë prejnga nuk do të mund të lëviznin për rreth 7 vjet nën kërcënimin me vrasje të Zogut.

Me interes është dokumenti i datës 2 maj 1930, (shkruahet në një të përditshme një vit më parë), me të cilin zavëndësisht Komandant i Përgjithshëm i Gjindarmërisë, Major Muharrem Bajraktari, i përcjell Ministrisë së Punëve të Brendshme, shkresën e datës 12 prill 1930, të Komandës së rrethit Tropojë, ku njoftohet për ardhjen në Çerem e Dragobi të dy të arratisurve nga Jugosllavia, të shtyrë nga bajraktari i Krasniqes, Sali Mani, për të vrarë vrasësin e Bajram Currit, me argumentin e të drejtës zakonore se "na ka pre Bajram Begun tuej kenë Miku i jonë".

Gjithqysh, 90-vite duket se vazhdojnë të jenë të pamjaftueshme për të zbardhur të vërtetën, një të vërtetë ndryshe nga ajo me të cilën është ushqyer opinioni publik, janë faktuar faqet e historisë, e cilas mund të jetë edhe vetë e vërteta e pamohueshme.

(

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...