SENTENCAT LAKONIKE AVANCOJNË ESENCËN E TË QENIT POET
Shkruan: Shefqet DIBRANI
Naim Kelmendi është poet që shkruan e boton më me ngulmim se sa krijuesit tjerë që i përkasin brezit të tij. Ai tashmë ka tërhequr edhe vëmendjen e kritikës letrare duke zënë një vend meritor në kuadrin e poezisë së sotme shqipe.
Naim Kelmendi
Vlerësimin tim për “Esencën” e kësaj poezie po e nis me tre vargje të poezisë „ZOTI DIELL DHE NJË PERËNDI TJETËR“, të vëna qysh në fillim të librit.
„Zoti diell…
dhe një perëndi tjetër,
është i plotfuqishëm“ (faqe 7)
Poezia e Naim Kelmendit jo rrallë mbulohet me një mister, me një ndjenjë ndrydhur në brendësinë e shekujve shpirtëror, ku në raste të veçanta ka një ngarkesë emocionale që shoqërohet me një koncept filozofik racional, por më shumë me një sentencë lakonike që të shtynë me besuar se poeti u bënë një qasje të drejtë zhvillimeve të përditshmërisë, poezia ka një sinkronizim të saktë, duke e avancuar esencën e të qenit shenja – poet.
“pra unë jam shenja
që eci që gjuaj në shënjestër të vetvetes
dhe prapë eci e eci derisa ta ha të tërin si kafshë – Naim
Kelmendin”
(faqe 51)
Këto tre vargje e mbyllin mjaftë trishtueshëm këtë libër me poezi, ashtu siç ishin edhe tre vargjet e cituara më lartë që hapnin poezitë e “Enigmës” poetike. Në mes këtyre dy strofave qëndron “Enigma” e lëndës poetike që ka përshkruar autori qoftë në formën e ndjenjave, qoftë në formën e përjetimeve, apo thjesht si një koncept stërholluar filozofik, si “plagët që ulërijnë ideshëm shpirtin” e poetit.
Në këtë sfond autori ka qen mjaftë i vetëdijshëm se sotmja e nocioneve dhe koncepteve poetike, sado besnikërisht të jetë shqiptuar, sado paanshmërish të jetë regjistruar, zor se do t’i shërbej të nesërmes, me mjaftë dyshime se mund të rilexohet pas një dekade, andaj ai nuk e zbret rrëfimin poetik në perceptimet sipërfaqësore të një gazetari. Ai perceptimin e ngrit në stadin filozofik, si një mesazh që mund të kujtohet edhe më gjatë, që mund të interpretohet edhe si dashuri e poetit, “me të vërtetën e ditur” qoftë kjo e vërtetë e “hidhur si pelin”.
Ky lloj metabolizmi nga e sotmja reale në një realitet letrar, poezisë i ka dhënë shije artistike, kurse nocionet poetike i ka shtjelluar sipas kodeve filozofike duke përdorur mjaftë shpesh figura mitologjike, shprehje liturgjike a koncepte filozofike.
“krejt çka mbeti pa u thënë
s’do shkruhet më në pergamenë
në kujtesën e gjërave do t’harrohemi
me gjithë gjuhën e gjakut tonë prej njeriut
me njëqind fytyra me njëmijë mëkate”
(faqe 19)
Poezia e këtij libri është si një lloj skeleti i zhvillimit ditor të ngjarjes, por me simbole e shenja letrare që e ka bërë këtë tip poezie jo vetëm më të lexueshme, por edhe më të kuptueshme dhe shumëfish më të pranueshme. Hiç ato poezi që mbajnë data nga vitet e 90-ta, të cilat dallojnë për një qasje dhe strukturë të njohur të këtij autori, poezitë tjera shprehin revoltën qytetare për një realitet historik dhe politik të tashmes mjaftë rrëqethëse dhe më pak shpresëdhënëse.
E ajo pak, pak dritë, ajo pak shpresë që duket, është rezultat i kulturës krijuese, i verbit poetik, i vetëdijshëm se poezia duhet t’i shërbej të së ardhmes edhe pas shumë e shumë vitesh kur autori nuk është më (jo në mesin tonë, se nuk i dihet kush më parë do të piku nga dega), por në mesin e të gjallëve.
“...dhe kambana patjetër se do bjerë
për çastin tonë në këtë udhë njeriu
një lot një dhembje në pikëllim dite
kohës kohë as ne tjetër nuk i duam
...
mbi çastin dhe orën që dikund ndalon
s’e di a kemi kohë për një çast tevona
të mendojmë pse erdhëm, pse shkuam
aq heshtur aq etshëm aq shpejtë
dhe kujt iu deshtë më shumë
jetës apo vdekjes, e jona.”
(faqe 42)
Kjo përpjekje kaq fisnike e bënë natyrën e poetit më të pranueshme dhe si karakter më të qëndrueshëm nëpër hullitë e kohës. Poeti, vazhdimisht ngulmon për të vërtetën, atë e shprehë kudo në poezi, pra edhe brenda këtij libri mjaftë esencial për korpusin e tij letrar.
Naim Kelmendi sikur është i pushtuar nga dëshira për t’u thelluar në ndjenjat e brendshme të njerëzve dhe shoqërisë, prandaj “ESENCA”, ose thelbi i nocioneve që na shfaqet edhe në titullin e librit, bart mesazhe të forta, për të cilat autori, tashmë si një penë e stabilizuar, qysh nga libri i parë, ka luftuar dhe është preokupuar t’ia survejoj shoqërisë sonë e cila mbet gjatë, tepër gjatë në tranzicion, fatkeqësisht edhe në planin kulturor e letrar. E këtë Ai e rishfaq në tetë pamje, pikërisht në muajin e kaluar, viti i sivjet tek poezia “VDIQ E DJESHMJA”.
2.
i ke parë duke kalëruar egër, mbi të djeshmen
dhe kanë rrejtur sërish përmbi orët e fatit
dhe ia kanë shkërdhyer nënën asaj buzëmbrëmjeje
asaj mesnate ia kanë bërë të nëntëdhjetenëntat
mor e kanë kurvëruar kurvat dje mbrëma të veten aq bukur
dhe kanë sharë mbi çështjen kombëtare antikombëtarët
...
4.
pra përshëndetu me të djeshmen, ajo shkoi në vend
të vet dhe s’kthehet për miliona vjet kurrë më
...
5.
tash mendo ndryshe, nis një lojë dhe ndërroja ndryshe gishtat fyellit
mendo një tjetër melodi nëpër telat këputur të heshtjes...
nga e kaluemja jote s’ka mbetur asgjë për ta plehëruar t’ardhmen
...
7.
...melodi e këputur udhët e mia të kërkimit në njeri në veten e tepruar
po endem po endem për ta mësuar tejpërtejen pa dobi
8.
...pra, vdiq e djeshmja, bëjani varrin në mendim të bukur dhe me urti
rrugë tjetër s’ka për të arritur te kuptimi i humbur...
Tetor 2010, (faqe 46 – 49)
Vargjet që gjenden brenda poezisë në fjalë që duken si postulate na bëjnë për të besuar edhe më fort se Naim Kelmendi është i vetëdijshëm për misionin e poetit, se mbase koha e djeshme ka ngarkuar mbi shpatullat e krijuesit mesazhe të forta, porosi të qarta dhe obligime të thella për ta nxjerrë kombin nga amullia e së sotmes së mjegullt, për t’ia gjetur shtigjet e ndritura drejt një jete më të mirë, drejt një mendimi më të përparuar.
“ESENCA” e nocioneve poetike, e figurave letrare, është rezultat i përvojës letrare për t’i regjistruar, e për t’i bërë pjesë organike të një angazhimi letrar, që marrin kuptimin e duhur nëse kthehen në poezi artistike. Në një masë autori e ka realizuar synimin e tij, sepse merret vesh, as ai vet nuk do të jetë në gjendje ta shpjegojë esencën e jetës së tij pa poezinë?!... Në të kundërtën nëse arrijmë që me mënyrë të dhunshme, krejtësisht në mënyrë vulgare t’ia shkëputim qenies së tij poezinë?!... shtrohet pyetja ku do të mbetet esenca fizike e autorit?
Në këtë plan mendoj se duhet me i dhënë të drejtë autorit i cili mendon se “Në esencën e gjerave/ kërkoj(më) vetën”, dhe ky kërkim s’ka dert nëse bëhet edhe “në margjinat e jetës”, edhe atëherë kur “t’ia bëjnë/ të nëntëdhjetenëntat/ prapa shpine e përanash”, (nga poezia “Esenca”, faqe 36).
Nga këto që thamë deri më tash, shihet se Naim Kelmendi është një tip poeti eksponent, që me poezinë e tij ngulmon për ndryshime esenciale të shoqërisë. Kjo semantikë e të menduarit poetik na bënë për të besuar më shumë, se poeti është i vendosur në pikëpamjet e tij, pasi ai është subjekti, pikërisht NJERIU – ose vet – ESENCA, e faktorëve që ndryshojnë shoqërinë.
Këtë konstatim e plotëson vazhdimësia e tij krijuese, indikacione të besueshme gjejmë edhe te përmbledhja poetike që patëm në shqyrtim, ku breshërojnë shprehjet, mendimet dhe konceptet e sistemuara me kulturë e dije, ku ka sforcuar mendimin për një kulturë poetike më të avancuar, më artistike.
E mbyll këtë mendim mbi poezinë e Naim Kelmendit duke përsëritur një mendim të thënë po për poezinë e tij qysh në vitin 1994, (përkatësisht në Fraunfeld, më 6 nëntor 1994), se “konkretësia bëhet vendimtare në poezinë më të re të Naim Kelmendit, sidomos kur ai iu ka rikthyer disa temave që i ka më për zemër”.